Arben Shala, njëri nga koordinatorët e ecjes në zjarr, tregon se kjo mund të bëhet vetëm nëse ke bindje të fortë shpirtërore dhe mbi të gjitha është një ndjenjë e lartë artistike.
“Me reduktimin e egos, mënjanimin e frikës nga ne dhe me tejkalimin e stresit psikik, mund të na hapen rrugët e kontaktit me nivelin e qenies sonë të vërtetë, e cila në esencë është hyjnore”, pohon për gazetën “Kosova Sot” Arben Shala.
Ai tregon se shoqata, me aktivitetet e saja nuk ka kurrfarë prapavije dhe as që udhëhiqet nga ndonjë paragjykim religjioz.
“Me moton ‘Ti besojnë vetes dhe fuqisë së paskajshme në ne”, ajo në parim e orienton aktivitetin e saj.
E udhëhequr nga këto parime të veta esenciale, kjo shoqatë, në fillimin e pranverës, afër hapësirës së Parkut të Qytetit, në orët e vona të mbrëmjes së këndshme të ditës së parë të stinës së pranverës, në Prizren, organizoi ritualin e ecjes nëpër prush”, shpjegon ai.
Temperatura e prushit duhet të jetë diku 800-1200 gradë C
Ky manifestim tradicional, këtë vit është hera e dhjetë që organizohet në Prizren.
“Në këtë ritual, përveç shumë pjesëmarrësve nga Prizreni, morën pjesë edhe anëtarët tjerë nga: Prishtina, Gjilani, Lipjani Gjakova e gjetiu. Ky rituali i ecjes nëpër prush, për herë të dhjetë dhe vetëm në Prizren, organizohet në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare. Kuptohet se, paraprakisht, për t’u përballuar kjo frikë, për shumë fillestarë, nevojitet edhe parapërgatitje e caktuar rituale. Teknika e parë që aplikohet si parapërgatitje në këtë ritual është frymëmarrja ritmike, e cila ndihmon në largimin e streseve të ndryshme nga mendja dhe trupi, si dhe teknika e meditimit, që e koncentron vëmendjen e praktikantit kah caku i qëllimit të fundit”, tregon ai.
Sipas një parashikimi, para ritualit të ecjes, temperatura e prushit duhet të jetë diku 800-1200 gradë C.
“Patjetër se hapin e parë duhet ta ndërmarrin anëtarët më të vjetër. Sipas urtësive të civilizimeve të lashta, ligji themelor dhe universal i krijimit dhe evolucionit si proces në tërësi është ligji i të kundërtave. Ky ligj mbështetet në veprimin e dy nënligjeve të tjera, që mes vete janë antagoniste: e para është nënligji i ruajtjes së qetësisë së përhershme, dhe e dyta, është nënligji i lëvizjes së përhershme”, shprehet Shala.
Shton se nga veprimi i pashmangshëm i këtyre dy fuqive kontradiktore, si rezultat krijohet produkti i ri, kurse si manifestim ndodh nxehtësia që në natyrë shfaqet si emocion, si zjarr, flakë…
“Ajo si proces, në thellësirën e brendësisë ndërton dhe riprodhon, e nëse ngacmohet në substancë, djeg, përcëllon, shpartallon dhe transformon. Pra, zjarri në përgjithësi është si manifestim në proces. Tek njeriu shfaqet si emocion, e në materie: si kallje, flakë, nxehtësi, transformim… andaj, si stereotip evolutiv në thellësinë e mendjes sonë të përsosur, përherë shkakton frikë, respekt, përulje, nënshtrim… Gjithnjë frikë si bindje, frikë si veprim”, shprehet ai.
Të mos kesh frikë nga zjarri
Sipas Shalës, të mos kesh frikë nga zjarri do të thotë të jesh pjesë e saj, pjesë e një procesi hyjnor universal të natyrës.. pjesë e tërësisë së cilës i takojmë. Ai pastaj tregon se ky organizim ishte prioritet për Adem Kolgecin, i cili ecte në prush në mënyrë shumë të qetë dhe pa asnjë ngacmim.
Kurse Gjylieta Babuni- Naqa, nga Gjakova, është shprehur për “Kosova Sot” se së pari duhet të kesh një vetëdijesim të lartë dhe pastaj natyrisht se edhe mund të ecësh në prush, edhe pse duket e pamundur.
”Besimi krijon një ndjenë të këndshme, edhe pse është një sfidë në vete. Të mos kesh frikë nga zjarri do të thotë të jesh pjesë e saj, pjesë e një procesi hyjnor universal të natyrës”, shprehet ajo.
Shton se mjafton vetëm një hap i vogël në këtë rrugë.
Kurse Shala shprehet: ”Në këtë shkrirje, një hap në drejtim të vënies së kontaktit me qenien tonë të vërtetë hyjnore. Ky hap madhështor është besimi. Besimi në veten, gjegjësisht, besimi në Zotin që është në ne. Pikërisht mu këtë besim në veten tonë dhe në vetë Zotin që është në ne, e ndërton dhe e kultivon shoqata për krijimin e njeriut të ri “Vegimi Mistik” nga Prizreni”.
Ky ritual organizohet në ditën e parë të stinës së pranverës, në ditën e rifillimit të së resë, të ringjalljes, gëzimit, lumturisë, dashurisë.
Afërdita Gashi shprehet se ky është një besim i madh në vetvete.
“Unë këtë ecje e bëj si sfidë e besimi e bën të veten“, shprehet ajo për “Kosova Sot”. Ecja në prush ka filluar me pak njerëz, kurse tash po shtohet numri gjithnjë e më shumë . (Kosova Sot)