Qyteti i Prizrenit ka dhjetëra shtëpi karakteristike që datojnë të ndërtuara që nga shekulli XVI e këndej. Këto shtëpi me tavane dhe ornamente aq të bukura është vështirë të bëhen. Shtëpitë e vjetra si ajo e Musa Shehzades, pastaj ato shtëpi tradicionale dhe të zanatlinjve kanë arritur të ruhen falë përkushtimit të pronarëve, kurse tani më është rinovuar dhe pret të funksionalizohet edhe shtëpia e Shuaip Spahiut, kryeministrit të parë shqiptarë të LSHP-së. Disa nga këto shtëpi i përkasin ndërtimit të shekullit XVI dhe ky fakt flet mjaft. Lidhur me këtë arkitekti Jusuf Xhibi, nga Qendra Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren – QRTK Prizren, ka theksuar për “Kosova Sot” se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Prizren ka bërë restaurimin e katër shtëpive familjare dhe atë të familjeve Zijabeu, Rekathati, Paçarrizi dhe Kantargjiu.

Selamllëku shërbente për mikpritje
Sipas Xhibit, “Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren fillon së implementuari projektet e parapara për vitin 2018 për ndërhyrjet emergjente në monumentet e rëndësishme shumëshekullore të Prizrenit. Një ndër monumentet të përzgjedhura për masa shpëtimtare është edhe Kompleksi banues i familjes Xhejshylmedine. Ky aset i rëndë- sishëm arkitekturor dhe kulturor për qytetin e Prizrenit, sipas tij, është pjesë e historisë sonë, e cila ruhet akoma me zellshmëri nga banorët e kompleksit. “Këto komplekse u ndërtuan kryesisht në Periudhën Osmane, respektivisht gjatë shekujve XVIII-XIX dhe paraqitnin rëndësinë dhe shkallën e diferencimit shoqëror, me të cilin kuptojmë që familja kishte një pozitë të lartë shoqërore, ekonomike dhe politike. Kompleksi përbëhet nga këto grupe ndërtesash, si: shtëpia për banim, Selamllëku, Mutfaku me Ahur, oborri dhe nyja sanitare ku godina e shtëpisë shërbente për banim të familjes, Selamllëku për mikpritje dhe pranim e miqve, Mutfaku për ruajtjen dhe përgatitjen e ushqimit, Ahuri për ruajtjen e bagëtisë dhe kuajve, si dhe oborri zëvendësonte hapësirat gjelbëruese të qytetit.

Mjeshtri popullor ka pasur durim të madh
Kurse shtëpi tjetër e ndarë dhe tepër e bukur është edhe ajo e familjes Misërliu dhe familjes Bujari. Sipas Aktan Misërliut inxhinier që i takon familjes së vjetër të Prizrenit, shpjegon se kjo shtëpi është e shekullit XVI. “Ka karakteristika shumë të veçanta dhe kjo është një perlë e këtij qyteti”. Ai shtoi se kjo shtëpi është nën mbrojte të shtetit, por, për fat të keq, ende nuk ka arritur që shteti të investojë sa duhet këtu. Ministria e Kulturës kohë më parë vitin që shkoi ka renovuar kulmin e ri, por kjo shtëpi ka nevojë për restaurim të brendshëm. Misërliu potencoi se kjo gjendje, në të cilën gjendet shtëpia, kërkon intervenim urgjent se përndryshe kjo edhe mund të pësojë shumë. Lidhur me këtë shtëpi flet edhe historiani Agim Berisha. Ai për “Kosova Sot” tregon se kjo shtëpi që supozohet të ishte e shekullit XVI edhe atëherë ka pasur ngrohjen në katin e poshtëm dhe ka pasur ujin e nxehtë ndër “Hamam-xhike”, siç janë quajtur banjat e atëhershme. Tavanet e kësaj shtëpie, të ndara me mur në mes, ka bukuri aq magjepse saqë jep për të kuptuar se këtu ka pasur durim të madh mjeshtri popullor i atëhershëm. Tavani ka formë rrumbullake, lule të bukura dhe po kështu ka të paraqitura figurën e gjarprit që është traditë e lashtë ilire. Kurse secili ballë i dritares ka nga një yll Davidi.
(Kosova Sot)