2.8 C
Prizren
E hënë, 3 Shkurt, 2025

Skënderbeu në gur

Ditëve dhe javëve të fundit, Ura e Fshejtë afër Gjakovës dhe kanioni i lumit Drini i Bardhë, u bënë kryelajm i ditës për shkak të tragjedisë që përjetoi “dallëndyshja e Gjakovës”, kampioni i 8- fishtë mbarëkombëtar i kërcimeve në ujë, Sali Riza Gërqina, i cili aty humbi jetën. Mirëpo, kjo urë dhe ky kanion kanë edhe shumë legjenda interesante. Duke filluar nga legjenda për ndërtimin e kësaj ure, sipas të cilës, për të lëshuar ajo shtat është dashur të sakrifikohet një nuse e re e deri te ajo se Drini, në këtë vend, çdo verë e merr së paku një jetë njeriu! Por është edhe një legjendë tjetër për të cilën, deri më tash, pak është shkruar dhe është folur dhe në opinion nuk është aq shumë e njohur.

Image

 

Gjakovarët e kishin Skënderbeun e tyre para një gjysmë shekulli

Në fakt, secili që ka pasur rast të vizitoi Tiranën, para dy, tri apo edhe më shumë dekada, ka dëgjuar refrenin e të rinjve të atëhershëm – “Takohemi te Skënderbeu”, “Më pret te Skënderbeu”… Refren të ngjashëm ka mundur të dëgjohet edhe në Vlorë, dhe gjithnjë bëhej fjalë për takim tek busti i heroit tonë kombë- tar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në shekullin e ri, në këtë të 21-tin, këtë refren ke mundësi ta dëgjosh edhe nga prishtinasit apo nga shkupjanët. Por, rrallë kujt i shkon mendja se gjakovarët, këtë refren kanë pasur mundësi ta përdorin edhe para gati 50 vitesh! Jo, nuk bëhet fjalë për ndonjë anekdotë apo barsoletë. Para 20, 30 apo edhe 40 vitesh, të rinjtë gjakovar që ditët e nxehta të verës i kalonin duke u freskuar në Drinin e Bardh te Ura e Fshejtë, shpesh dëgjoheshin duke thënë “Do të notoi deri te Skënderbeu”, “Kërceva nga shkëmbi i Skënderbeut”, “U takova me filanin tek Skënderbeu”…! Për dikë këto shprehje mund të jenë të pakuptueshme, mirëpo për gjakovarët më të moshuar, por edhe ata më të rinj, nuk është ashtu. Të gjithë e kanë të qartë se bëhet fjalë për shkëmbin në kanionin e bukur të këtij lumi (nja 100 metra mbi Urën e Fshejtë) ku është vizatuar portreti i Skënderbeut. Portreti i tij, nga shumë piktor të njohur e të panjohur, është pikturuar në letër e në pëlhurë, figura e tij është gdhendur në gur e në metal por askush nuk e ka bërë atë që gjakovari Mexhid Yvejsi e bëri para gati 50 vitesh, kur portretin e heroit e punoi në shkëmb të kanjonit. Në vitin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, kur po afrohej 90 vjetori i Lidhjes së Prizrenit dhe 60- vjetori i Kongresit të Manastirit, në vitin 1968, Mexhidit, asokohe djalosh 18-vjeçar, i kishte lindur kjo ide interesante. “I fascinuar me trimërinë e heroit që e mësonim nga librat, pyetesha veten pse një bust apo një portret i madh i tij nuk është i ekspozuar askund në Gjakovë? Kah nuk më shkonte mendja. I vetëdijshëm se gjatë 3-4 muajve të verës, Drini i Bardhë tek Ura e Fshejtë, është vendtakimi i mijëra të rinjve, por jo vetëm, më lindi ideja se do të ishte mirë që aty diku të vizatohet portreti i heroit tonë kombëtar”, rrëfen sot Mexhid Yvejsi, studiues i religjioneve dhe autor i disa veprave të botuara.

Image

 

Punë që nuk bëhej vetëm

Rruga nga ideja e deri te realizimi nuk ishte aspak e lehtë, jo vetëm për faktin se bëhej fjalë për një shkëmb, qasja tek i cili ishte mjaft e vështirë por edhe më shumë për atë se tërë kjo duhej të kryhej në fshehtësi sa më të madhe, që, deri sa të kryhet, të mos i bie në sy “sigurimcave” të atëhershëm. Mu për këtë arsye, Mexhidi, fillimisht kishte vendosur që çdo gjë ta kryente vetëm. “Në mëngjesin e hershëm të 8 qershorit (1968), me të gdhirë, pasi kisha marrë me vete pak ngjyrë për vizatim, me biçikletë mora rrugë për te Ura e Fshejt, për realizimin e idesë. Puna nuk më shkoi edhe aq mirë, dhe kështu pas dy orë punë, e kuptova se këtë është e pamundur ta kryej një njeri i vetëm, për shkak të terrenit shumë të papërshtatshëm tek shkëmbi”, rrëfen Mexhidi duke shtuar se i ishte bërë e qartë se ka nevojë për ndihmë për të jetësuar këtë ide interesante. Dhe, në mbrëmjen e asaj dite, ai, idenë e vetë ua kishte rrëfyer shokëve dhe miqve të vetë Muslim Dobrunës, Fatmir Rudit dhe Halit Kumnovës, të gjithë nga lagja “Haxhi Ymer”. Ata e mirëpritën këtë ide dhe i premtuan Mexhidit se do ta ndihmojnë. Kështu “katërshja gjakovare”, në shkëmbit e kanionit të bukur të Drinit të Bardh, e bënë “të pavdekshëm” heroin tonë kombëtar. Dhe, që nga atëherë, ai shkëmb e ka emrin e vet – Shkëmbi i Skënderbeut, pasi portreti i tij vazhdon të qëndroi krenar aty, kuptohet pas disa riparimeve të kohë- paskohshme.

Image

Më Shumë

97-shi i LDK-së, Xhavit Ukaj: Rogova mirëpret nesër kryeministrin e ardhshëm Lumir Abdixhikun

Kandidati i LDK-së për deputet, Xhavit Ukaj, ka qëndruar sot në nëndegën e kësaj partie në Rogovë të Hasit. Ai është njoftuar për përgatitjet e...

Prizreni në kërkim të fitores vendimtare ndaj Borës

Sot në ora 16:00, palestra “Sezai Surroi” në Prizren do të jetë skena e një përballjeje vendimtare në ProCredit Superligë, ku P.C. Prizreni do...

Lajmet e Fundit