17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Jashari kërkon dëmshpërblim për qytetarët që u dënuan gjatë pandemisë

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, vlerëson se duhet të pezullohen dënimet e qytetarëve të cilët janë ndëshkuar gjatë periudhës së shtrëngimit të masave për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Madje, Jashari thotë se shteti duhet t’i dëmshpërblej qytetarët të cilët u dënuan. Sipas tij, gjobitja apo edhe arrestimi i qytetarëve për shkeljen e masave që tha se janë shpallur jokushtetuese është shkelje e të drejtave të njeriut.

Në një intervistë për KosovaPress, Jashari deklaron se problematike do jetë mënyra e kompensimit të këtyre qytetarëve.

“Pa diskutim që bëhet fjalë për shkelje të të drejtave të njeriut sepse si e tillë është cilësuar edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese dhe e dyta iu takon një kompensim sepse bëhet fjalë për veprime të kundërligjshme dhe kundër kushtetuese. Ju takon një lloj kompensimi qytetarëve pavarësisht sa është numri i tyre më duket që kalon 1 mijë e ca individë. Mirëpo, problemi është se si do kompensohen qytetarët për këto masa që janë shqiptuar ose edhe arrestuar”, theksoi ai.

Jashari njoftoi se tashmë ka nisur një hetim, dhe së shpejti do dilet me një raport që do të përfshijë rekomandimet për autoritetet përkatëse se si do të mundet të trajtohen rastet e qytetarëve të ndëshkuar gjatë muajve të epidemisë.

“Ne kemi hapur hetim sipas detyrës zyrtare në momentin e parë që kemi pasur informacionin se diçka e tillë është duke ndodhur kemi kontaktuar me autoritetet përgjegjëse, në këtë rast Këshillin Prokurorial edhe gjykatat gjithashtu për të marrë informacione se çfarë është duke ndodhur se cilat masat janë duke i përdorur në praktik sepse pati dy vendime të cilat e ndryshuan situatën juridike”, ka shtuar ai.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari vlerëson se gjatë pandemisë janë shkelur të drejtat e njeriut me masat që ndërmori qeveria në detyrë, qëllimi i të cilave ishte parandalimi i përhapjes së koronavirusit tek qytetarët.

Gjatë periudhës se pandemisë në institucionin e Avokatit të Popullit janë adresuar mbi 100 ankesa, ku sipas udhëheqësit të këtij institucioni, shumica kanë pasur të bëjnë me masat e vendosura nga qeveria në detyrë e Kosovës për mospërhapjen e virusit.

“Gjatë periudhës së pandemisë janë pranuar me tepër se 100 ankesa të cilat janë parashtruar nëpërmjet postës elektronike apo edhe kontakteve të drejta nëpër zyrat tona. Një pjesë e madhe gjatë kohës se pandemisë janë ushtruar për problemin e funksionimit të sistemit gjyqësor ose ka pasur një pjesë të ankesave që u janë referuar konkurseve të ndryshme nëpër institucionet publike dhe padrejtësitë që ata kanë pretenduar që u janë bërë. Kurse një pjesë e madhe pothuajse kanë pasur të bëjnë me situatën e pandemisë dhe efektet që kjo ka pasur me ta por edhe karshi institucioneve publike”, tha ai.

Lidhur me masat e vendosura nga qeveria në detyrë e Kosovës për parandalimin e COVID-19, kujtojmë që në 24 mars presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 23 mars që të “ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi më 31 mars të shfuqizojë vendimin e qeverisë së Kosovës i cili hyri në fuqi më 13 prill.

Ndërsa, më pas Ministria e Shëndetësisë ndërmori masa të reja për secilën komunë të vendit. Mirëpo, edhe ndaj këtyre masave pati ankesë në Kushtetuese. Kësaj radhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, i mbështetur edhe nga deputetë të grupeve tjera parlamentare, dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për vlerësim të çështjes së kushtetutshmërisë të vendimeve të ministrit Vitia.

Më vonë, Gjykata Kushtetuese e shpalli jo kushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ta shpallur zonë karantinë territorin e komunës së Prizrenit.

Më Shumë

Murati: 300 milionë euro është vlera e marrëveshjeve ndërkombëtare që po presin ratifikimin në Kuvend

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se shuma totale në formë të marrëveshjeve ndërkombëtare që tash e disa muaj po pritet për ratifikim...

Distria Krasniqi kampione e Evropës në xhudo

Krenaria e Kosovës, Distria Krasniqi, arriti të sjellë edhe një medalje të artë për Kosovën, kësaj radhe duke triumfuar në Kampionatin Evropian për Senior...

Lajmet e Fundit