7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Mullirit të Hoxhajve në Rahovec i cenohet autenticiteti në emër të restaurimit

Nuk mbrohet si monument, por besohet të jetë nja 300 vjet i vjetër. Ngrehina njëkatëshe me gurë tradicionalë, e njohur për rahovecasit si Mulliri i Hoxhajve, u është nënshtruar prej javësh punimeve në emër të restaurimit, të mbështetur nga Komuna e Rahovecit.

E rezultati është humbja e autenticitetit veçmas në enterier. Deri më tash pjesa e jashtme nuk është prekur. Kanë qenë ankesat e dy qytetarëve rahovecas, të cilat kanë bërë që Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e kësaj komune të enjten të urdhërojë ndërprerjen e përkohshme të punimeve.

Gjithçka ka nisur me një njoftim të gjeodezistit rahovecas, Suad Çmaga, i cili ka kritikuar projektin rreth Mullirit të Hoxhajve me pretendimin se aty po ndodh e “kundërta e restaurimit”.

“Në emër të restaurimit të trashëgimisë kulturore është duke ndodhur më e keqja, ku kemi fasadim të mullirit të vjetër afro 300 vjet, me pllaka të cilat nuk korrespondojnë me materialet rrethanore, madje në këtë rast kemi mbulim të gurëve të vjetër që u kanë mbijetuar tre shekujve”, kishte shkruar të mërkurën Çmega.

Teksa ka kërkuar që të respektohen kriteret e restaurimit nga institucionet përgjegjëse, ai u ka bërë thirrje institucioneve lokale që t’i ndërpresin urgjentisht punimet.

“Komuna e Rahovecit gjatë implementimit të projekteve të tilla duhet patjetër të konsultohet me ekspertë të trashëgimisë kulturore, arkitektë, inxhinierë, topografë, artistë, e të tjerë”, ka shtuar gjeodezisti rahovecas.

Në të vërtetë Mulliri i Hoxhajve është vetëm njëri prej tetëmbëdhjetë monumenteve kulturore e historike në projektin e Komunës së Rahovecit për riparimin e tyre.

Sipas kontratës në vlerë prej 78.846 eurosh, të nënshkruar më 15 nëntor të vitit 2018, në listë për riparim janë edhe: Kroni në Sheshin e Republikës, Kroni në Lagjen e Epërme, Kroni te Sahat Kulla, Kroni në Sheshin e Republikës II, Kroni i Haxhiajve, Kroni në rrugën ‘Elmaze Kadiri’, Kroni Pllaska, Kroni në qendër të qytetit, Kroni te Xhamia Kadiri, Kroni Eminazeri, Shtëpia e Kulturës, Bibliotekës dhe Salla e Qendrës Rinore në Krushë të Madhe, Biblioteka e Muzeut të Qytetit, Kroni në fshatin Nashpall, Vrella në fshatin Apterushë, Kulla e Mahmut Pashës, Kroni në fshatin Zaqisht, si dhe Bunari i Madh në fshatin Ratkoc.

Po sipas së njëjtës kontratë, punimet i janë besuar grupit të operatorëve ekonomikë “AGE group” SH.P.K dhe N.P.T “Bamirs”.

Por arkitekti nga Rahoveci, Qëndrim Gashi, ka vërejtje edhe për restaurimin e krojeve. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë mbuluar me rrasa, pllaka e beton gjashtë kroje.

“Tash po bëhet problematikë edhe çështja e Mullirit, tek i cili janë përdorur materiale të palejueshme në një restaurim”, ka thënë Gashi për KOHËN, teksa gjatë ditës ka pasur një takim me zyrtarët e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport./Koha Ditore

Më Shumë

Diplomon gjenerata e 59 e Policisë së Kosovës

Sot në sallën ‘1 Tetori‘ në Prishtinë diplomoi gjenerata e 59 e Policisë së Kosovës, në përbërje të komuniteteve të ndryshme. Këtë ceremoni solemne, me...

Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Deputetët në Asamblenë Parlamentare kanë votuar në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nga 171 deputetë që morën pjesë në votim, 131...

Lajmet e Fundit