8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Nga Teksasi në Prizren

Blend Aliu*

Rreshtat e gjatë të librave shumëfaqësh nuk po arrinin assesi t’ia shuanin kureshtjen e madhe që e kishte për Kosovën . Lindsay Keeling është një vajzë nga Teksasi, e cila fluturoi me orë të tëra mbi ujërat e kaltër e të thellë të Atlantikut, duke e lënë Amerikën pesë mijë e ca milje pas. E  pasionuar pas kulturave të reja, dëshirave për të udhëtuar e për të jetuar në shtete tjera për kohë te caktuar e bën Lindsay-in të zgjedhte programin e grupit “Peace Corps” për t’i realizuar të gjitha këto dëshira.

Jo si të gjithë fëmijët e tjerë amerikanë, Lindsay si e vogël kishte lexuar për luftën në Jugosllavi, veçanërisht për atë në Sarajevë, çka edhe e kishte rritur kureshtjen e saj për të vizituar tani një shtet, i cili është duke u rindërtuar dhe që sapo u pavarësua. E mërzitur me faktin se në Teksas rrallëherë i sheh rrugët e mbuluara me borë e çatitë e shtëpive duke e nxjerrë tymin jashtë, ajo ia shtoi edhe një arsye listës së saj se pse duhej të vinte ne Kosovë. “Dua të shoh nëse mund të adaptohem në mot të ftohtë, sepse në Teksas pothuajse kurrë nuk kemi borë” , tha Lindsay.

Librat që ajo i kishte lexuar për Kosovën e përshkruanin Prishtinën si një qytet me pluhur, ku mbizotëron ngjyra e hirtë. E informuar më shumë për Kosovën e viteve 1999-2000 sesa për atë të sotmen, Keeling me valixhet në dorë e me mendimet në kokë se këtu do të ballafaqohet me njerëz të cilët kanë mbetur të traumatizuar nga lufta e fundit, hipi në aeroplanin që destinacion të fundit e kishte Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Në Kosovën e librave

E lodhur nga rruga e gjatë atje lart, mbi retë e qiellit të kaltër, e tokës së mbuluar herë me ujë, e herë me fusha të gjata e të gjelbra, më në fund zbarkoi në tokën për të cilën ajo kishte lexuar qysh kur ishte fëmijë.
Programi i grupit “Peace Corps” (Korpusi i Paqes), e kishte zgjedhur një familje me katër anëtarë në Kamenicë për ta vendosur Lindsay-in në të për tre muajt në vijim.

Ishte një zë që vinte diku nga jashtë ai që ia prishi gjumin me të ardhur në Kosovë, e që nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë. Ai zë ishte ezani që po e këndonte hoxha pak para se të zbardhte mëngjesi në Kamenicë. Tani më nuk e ka problem ezanin. Ajo madje zgjohet pak pasi të thirret ezani për t’u bërë gati për të shkuar në punën që grupi “Peace Corps” e ka zgjedhur për të.

Tani punon si mësuese, por ky nuk është profesioni i vetëm që ajo e ka bërë. “Në Teksas kam punuar si gazetare në një gazetë lokale të Teksasit,  asistente administrative në Departamentin e Arsimit dhe në Akademinë e Policisë, si dhe në një fabrikë birre”, u shpreh Lindsay tashmë si një banore e re e fshatit Pouskë të Prizrenit, pasi programi në të cilin ajo është e ka zgjedhur këtë fshat të vogël për të, ku do të qëndrojë gjatë dy vjetët e ardhshëm bashkë me një familje boshnjake.

Fshati Pouskë, Prizren

Mëngjeset në Teksas ishin pakëz më ndryshe se ato në Kosovë. Zakonisht, mëngjesin me rrezet e diellit e shijonte duke pirë kafe me të dashurin e saj, e shpeshherë edhe duke e shëtitur qenin e saj. Leximin e lajmeve e kishte rutinë para se të nisej për në punë , mirëpo tani në Pouskë është më ndryshe.

“Zgjohem rreth orës gjashtë që të kem kohë të pi një kafe dhe të lexoj lajme, nisem për në shkollën ku jap mësim deri rreth orës një, më pas ose zbres në qytet, ose kthehem në shtëpi”, tha ajo duke e përshkruar një ditë të rëndomtë të saj në fshatin e vogël e të bukur prizrenas.

Një mësuese nga Teksasi

Në fshatin e vogël boshnjak, të vendosur në thellësitë e një mali te lartë, nga i cili shihet pamja e mahnitshme e Prizrenit dhe i cili ka jo më shumë se 50 shtëpi. Lindsay ecën pothuajse çdo ditë për të shkuar në shkollën e vogël të fshatit, në të cilën jep mësim në gjuhën angleze.

“Ec çdo ditë deri në shkollë nëpër rrugët e thata e pa shtëpi dhe arrij për 5 minuta”, shprehet ajo, duke vazhduar të tregojë se i pëlqen të punojë me nxënësit e saj dhe se ndien që ata kënaqen në orët e gjuhës angleze.
Ndër gjërat më interesante të të qenët mësuese është se fëmijët janë të emocionuar të mësojnë, tha ajo duke vazhduar t’i tregojë edhe arsyet se pse ata janë të tillë.

“Nxënësit janë të entuziazmuar për të mësuar pasi unë jam ndryshe, jo pse jam amerikane, por sepse jam ndryshe nga mësuesit e tjerë. Mendoj se në shkollën ku punoj është traditë e të mësuarit gjithçka vetëm nga librat, por unë po i inkuadroj në aktivitete të ndryshme, po ua jap mundësinë të bëjnë diçka ndryshe” thotë ajo.

Në ujërat e thellë të profesionit që po e bën e që nuk e kishte bërë kurrë më parë, Lindsay po has edhe në vështirësi, të cilat po i duken të këndshme për një arsye. “Vështirësitë kryesore kanë të bëjnë me gjuhën, mirëpo është mirë, sepse kështu nxiten nxënësit të komunikojnë më shumë në gjuhën angleze me mua”, thotë ajo dhe vazhdon t’i numërojë edhe vështirësitë e tjera, të cilat duken më serioze.

“Vështirësitë e tjera kanë të bëjnë me tekstet shkollore, të cilat nuk janë të mira për disa klasë. Ato kanë gabime. Në to, për shembull, nga klasa e katërt, ku mësohen fjalët bazë, kalohet në klasën e pestë, ku mësohen biseda dhe gramatika e plotë”, shprehet ajo. 

Përshtypjet për Kosovën dhe kosovarët

Familja, Amerika, qyteti , puna, shoqëria dhe qeni i saj mbetën me mijëra milje pas, mirëpo që në momentin kur shkeli në tokën kosovare, e pati ndjenjën sikur nuk ishte hera e parë që ishte këtu. “U ndieva sikur kisha qenë edhe më parë këtu. Kosova dukej e njohur për mua”, tha ajo derisa vazhdonte të rrëfente për Kosovën, kosovarët, kulturën dhe disa nga kujtimet interesante e qesharake që ajo tashmë i kishte vendosur në një pjesë të zemrës së saj.

E impresionuar nga ato që kishte parë me të ardhur në Kosovë, ajo tregon se mbresa i kishte lënë fakti se familja këtu është e rëndësishme për të gjithë. E përshtypjet e saj për shqiptarët Keeling i përmbledh me një fjali të shkurtër e të qartë: “Mendoj se shumica e shqiptarëve të Kosovës janë të shoqërueshëm. Natyrisht, ka dallime në kultura, por në përgjithësi janë të shoqërueshëm”.

Edhe pse i mungon ushqimi i saj i preferuar, “Tacos”, ajo tashmë e ka zëvendësuar atë me ushqime tjera tradicionale, të cilat gjithashtu i ka futur në listën e ushqimeve të preferuara. Asaj i pëlqen byreku dhe ajrani, por i pëlqen shumë edhe çaji i zi, i njohur në popull si “çaj rusi”. Lindsay ka krijuar shumë raporte të mira me dy familjet me të cilat ka jetuar, me familjen shqiptare në Kamenicë dhe atë boshnjake në Pouskë. Madje ajo mendon se familjet janë të ngjashme. Duke e bërë ngjarjen paksa më komike, thotë: “Dallimi i vetëm mes familjeve është se boshnjakët më shumë pinë kafe turke në vend të çajit të zi”.

Kamenica

Ajo nuk do ta harroj kurrë buzëqeshjen e plakut 90-vjeçar me plisin e bardhë në kokë, me humorin e të cilit, edhe pse nuk e kuptonte mirë për shkak të gjuhës, qeshte mjaft shumë. Ai nuk ndalonte së punuari në kopshtin e tij, ku shumë shpesh e merrte me vete për ta kaluar kohë atje.

Do ta kujtojë gjithmonë rastin qesharak që i kishte ndodhur në Kamenicë gjatë kohës sa jetonte atje. “Me përcillte deri në urën e cila nuk ishte shumë afër shtëpisë ku jetonim, e që ishte vendtakimi im me një shoqe tjetër amerikane. Mendonte se unë do të frikësohesha nga qentë endacakë, por në fakt unë i doja ata, e krejt kjo si pasojë që nuk dija se si t’ia shpjegoja në shqip”.

Tanimë Lindsay e ka kaluar pothuajse një vit në Kosovë. I kanë mbetur edhe dy të tjerë deri në ditën kur do të kthehet sërish në Teksas për t’i ndarë përvojat e saj me rrethin e saj.

*Blend Aliu është student në Degën e Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Më Shumë

Moti sot me diell dhe shumë i ngrohtë

Të dielën, më 14 prill parashikohet të mbajë mot me diell dhe shumë i ngrohtë. Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 6-25...

“Pata bashkëbisedim të ngrohtë”, Abidixhiku viziton fshatin Bellanicë të Malishevës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, vizitoi fshatin Bellanicë të Malishevës, ku u prit në shtepinë e familjes Kafexholli. Në një postim...

Lajmet e Fundit