7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Prizren/ “Shkrepëtima” e ringjalljes së jetës kulturore

Në mesin e shfaqjeve speciale në “DokuFest” këtë vit ka zënë vend edhe filmi “Shkrepëtima” i artistit Petrit Halilaj. Filmi ndjek rrjedhën e projektit artistik me të njëjtin emër, realizuar në vitin 2018, nga artisti në rrënojat e Shtëpisë së Kulturës në Runik, vendlindjen e tij. E përveç performancës, filmi po ashtu shfaq pamje edhe nga vizitat që artisti i ka bërë kësaj hapësire në mëngjeset e hershme kur banorët e qytetit ishin akoma në gjumë. Atëherë ai eksploronte hapësirën dhe mendonte se çfarë mund të realizonte aty, shkruan sot Koha Ditore.

Shtëpia e Kulturës në Runik për gati dy dekada ishte braktisur deri sa artisti Petrit Halilaj kishte vendosur që ta rikthejë atë vëmendjen e qytetarëve dhe të shtetit. Gjatë periudhës së saj të artë, në të bibliotekën e saj kanë qenë 11 mijë libra, kinema, sallë teatri e koncertesh. Në fakt për 30 vjet do të shërbente si simbol i identitetit të fshatit që gjendet 64 kilometra larg kryeqytetit. Krejt këto takonin së kaluarës.

Mbi to, Halilaj do të ngrinte një rrëfim. Do ta quante “Shkrepëtima”. Në ditën e shtatë të korrikut të vitit të kaluar, veç për një natë të vetme, me performancë artistike do ta ringjallte këtë vend. Projekti artistik qe një punë hulumtuese gjashtëmujore mbi të kaluarën e Runikut, duke biseduar me banorë, duke lexuar artikuj e duke hulumtuar nëpër arkiva. E krejt kjo histori, shpaloset në fillimin me të njëjtin titull, që të enjten mbrëma u dha si shfaqje speciale në “Kino Lumbardhi” në kuadër të edicionit të 18-të të “DokuFestit” . Vetë Halilaj ka treguar se ai përbëhet nga dy momente, të cilat zhvillohen paralelisht. Bëhen tok pikat e hulumtimit nëpër këtë hapësirë dhe fragmente nga performanca.

“Në njërën anë janë të gjithë xhirimet që janë bërë para se të vinin aktorët në Runik. Unë kam kaluar shumë kohë me ndërtesën pasi që akoma nuk dija se çka mund të bëja. Shkoja sa jashtë, sa brenda, paramendoja se ku kanë luajtur atëherë aktorët, shkoja në dhomën e teatrit, në kinema, në dhomën e bibliotekës”, ka thënë Halilaj. Këto pamje për të cilat ka treguar ai shfaqen në fillim të filmit. Atëherë hapësira ishte e papërdorur, me mbeturina dhe Halilaj me një kamerë dore shihet duke e eksploruar atë. Herët në mëngjes vetëm hapat e tij dhe cicërimat e zogjve dëgjohen në këto pamje.

Më Shumë

Arratisen me pushime Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez!

Si një nga yjet më të mëdhenj të sportit në botë, Cristiano Ronaldo ka fuqinë të kthejë kokën kudo që shkon (përveç Shteteve të...

32 vjeçari nga Suhareka dyshohet se i dha fund jetës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Shirokë të Suharekës, dyshohet se një person i ka dhënë fund jetës së...

Lajmet e Fundit