10.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Sot përurohet Memoriali i “Drinit”

Është jetësuar projekti i ndërtimit të Memorialit kushtuar komandantit të UÇK-së, Ekrem Rexha –”Drinit”.

Ai, do të përurohet sot  në ora 11:00.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni pritet të jetë kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Administratës, Osman Hajdari, shkruan “PrizrenPress”

Në 21 vjetorin e çlirimit të Prizrenit ishte bërë përurimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Memorial kushtuar Ekrem Rexhës – Komandant “Drinit”.

Autoritetet komunale patën pohuar se jetësimi i këtij projekti është i vonuar, marrë parasysh kontributin e komandant Drinit në çlirimin e Prizrenit.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se qyteti është dashur që ta ketë shumë më herët një memorial kushtuar Komandant “Drinit”.

“Faktikisht është më meritori në aspektin e çlirimit të qytetit tonë, i cili ka kaluar pa pasoja shumë të mëdha për popullatën ngase ushtria serbe ka pasur shumë plane të errëta për qytetin e Prizrenit”, pati thënë Haskuka.

Ndërsa familjarët e komandantit të shquar janë shprehur mirënjohës për të gjithë ata që kanë kontribuuar në realizimin e këtij projekti.

Ish-komandanti i UÇK-së Ekrem Rexha -‘Drini’ u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” , në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.

Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.

Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar.

Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, siç është thënë në mungesë provash liroi të akuzuarit./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Mjekët shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me Evan Ndicka

Deklarata e Roma-s ka bërë të qartë se Evan Ndicka nuk kishte ndonjë patologji kardiake, ndaj dhimbjet e gjoksit dhe vështirësitë në frymëmarrje i...

Moti sot: Me shi dhe reshje bore

Këtë të mërkurë në Kosovë pritet të ketë ulje drastike të temperaturave ku priten reshje shiu. Reshjet do të jenë në formë të rrebesheve, të...

Lajmet e Fundit