26.2 C
Prizren
E mërkurë, 9 Korrik, 2025
Home Blog Page 4588

Serbët e Rahovecit kërkojnë mbrojtje pas një incidenti me shqiptarët (Video)

0

Një incident i disa javëve më parë mes disa të rinjve të komunitetit serb dhe shqiptarë në Rahovec ka shtyrë banorët serbë të rrugës “Boracka” të kërkojnë mbrojtje të shtuar nga institucionet e rendit e sigurisë në Kosovë.

Banorët serbë të kësaj lagje nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por për KALLXO.com, kanë thënë se fëmijët serbë janë provokuar nga ata shqiptarë derisa ishin duke luajtur në fushën sportive të lagjes.

Prindërit e fëmijëve serbë kanë mbledhur 110 nënshkrime dhe përmes një peticioni kanë kërkuar ndërmarrjen e masave të sigurisë për mbrojtjen e fëmijëve të tyre.

Këtë peticion ata ia kanë dërguar “Organit të Përkohshëm për Komunën e Rahovecit”, një mekanizëm që merret me përfaqësimin e të drejtave të serbëve në atë pjesë, OSBE-së, Policisë së Kosovës dhe Komunës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Beqiraj, e ka konfirmuar incidentin për KALLXO.com. Ajo ka sqaruar se mosmarrëveshja ka ndodhur mes dy të miturve të moshës 12 dhe 13 vjeçare dhe se më pas një person i rritur, i nacionalitetit serb e ka sulmuar të miturin shqiptar.

“Fëmija i nacionalitetit serb e ka njoftuar vëllain e tij N.M të moshës madhore i cili ka ardhur dhe e ka sulmuar fëmijën tjetër të nacionalitetit shqiptar duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes ndërsa fëmijës së lënduar i është dhënë ndihma mjekësore”, thuhet në përgjigjen e Beqirajt.

Policia ka bërë të ditur se personi i dyshuar është arrestuar dhe është mbajtur në ndalim policor me urdhër të prokurorit të shtetit. Më 2 tetor ai ishte liruar.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka deklaruar për KALLXO.com se për incidentin në fjalë është diskutuar edhe në takimin e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, të mbajtur të enjten.

“Raportoi komandanti i policisë për këtë rast. Unë në cilësinë e kryetarit të komunës, si udhëheqës i të gjithë qytetarëve pa dallim, sepse për këtë e kam edhe mandatin e për këtë më ngarkon dhe ligji, natyrisht që çfarëdo vepre penale që dikush e bën, çfarëdo shkelje e ligjit, janë mekanizmat kompetent, prokuroria, gjykatat që i japin dënimin e merituar”, tha Latifi.

Sipas kryetarit Latifi, raste të tilla janë të dënueshme pavarësisht emrit, gjinisë apo nacionalitetit të kryesit të veprës.

“Gjendja e sigurisë së përgjithshme në Komunën e Rahovecit është e mirë, është e qetë, është stabile dhe siguria është e qëndrueshme”, theksoi i pari i Rahovecit.

Manipulimet specifike me specifikacione

0

Enis Veliu

Manipulimi i proceseve të prokurimit përmes vendosjes së specifikave favorizuese në favor të një prodhuesi ose kompanie të caktuar thuajse është bërë standard i ri i prokurimit në shtetin tonë. Ata që manipulojnë me paranë publike, kryesisht persona të zyrave të prokurimit, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal po e përdorin këtë formë si më të suksesshme për të kontrolluar si duhet procesin e keqpërdorimit të taksave publike, të atyre bizneseve të ndershme, por edhe të atyre punëtorëve të sigurimit që marrin rrogë më të vogël se 200 euro në muaj dhe me ato mjete nuk mund të ngopen as për bukë sa duhet. Por për abuzues të tillë ky fakt nuk ka fare rëndësi.

Për këta (zyrtarët e zyrave të prokurimit) e për shefat që ata i kontrollojnë në të shumtën e rasteve nuk është me rëndësi realizimi si duhet i projektit, ashtu siç parashihet me dosje të tenderit, por konsiderohet si proces i kryer, kur ata arrijnë që për vete të marrin “tallën” dhe gjithçka mund të konsiderohet si “happy end”.

Në këtë formë këta zgjedhin të preferuarin e tyre, caktojnë çmimin para kohe, pasi operatorët tjerë ekonomikë më nuk janë në lojë.

Kanë mjaftuar tri specifika të vendosura në dosjen e një tenderi të shpallur nga Komuna e Suharekës, në tetor të vitit që lamë pas, për blerjen e një automjeti për nevoja të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) që i tërë procesi të kontrollohet ashtu siç e kanë planifikuar “projektuesit”.

Çuditërisht në dosje mungonte vetëm emri i automjetit dhe i kompanisë me të cilën më vonë Komuna e nënshkroi kontratën, por këtë praktikë në një proces tjetër e aplikoi edhe Komuna e dytë më e madhe në Kosovë, Prizreni, e cila në atë kohë drejtohej nga Ramadan Muja.

Në dosjen e këtij tenderi, më saktësisht në specifikacionin 34, thuhej se gjatësia e automjetit duhet të jetë në minimum 5300 milimetra deri në 5320 milimetra, përderisa më vonë automjeti i përzgjedhur nga Komuna përmes tenderit publik kishte një gjatësi prej 5304 milimetra.

Favorizues po ashtu ishte se edhe specifikacioni 35 i përshtatej veturës së prodhuesit gjerman (VW), pasi kërkohej që automjeti të jetë i gjerë prej 1900-1930 milimetrash, derisa automjeti që tashmë është në shfrytëzim të QKMF-së së Suharekës ka një gjerësi prej 1904 milimetrash, saktësisht qysh kërkohej me tender.

Ndërsa specifikacioni 36 kërkonte që automjeti ta ketë një lartësi prej 1980-1998 milimetrash, ndërsa kjo veturë i ka 1990 milimetra.

E me këto tri specifika që kanë qenë të vendosura nga Zyra e Prokurimit e Komunës së Suharekës në mënyrë automatike të gjitha kompanitë që përfaqësojnë prodhues të caktuar të automjeteve janë nxjerrë nga loja, pasi asnjë veturë tjetër përpos “Volkswagen”-it nuk i plotëson tri specifikat e vendosura nga autoriteti kontraktues.

Favorizimi i operatorëve ekonomikë përmes përdorimit të kritereve të specifikuara, sipas ekspertëve të fushës konsiderohet edhe vepër penale e “Shpërdorimit të detyrës zyrtare”, pasi që, siç thonë ata, me dashje është shkelur Ligji i Prokurimit. Por, çuditërisht me ta thuajse nuk po merret askush, madje ka pasur edhe raste kur edhe është identifikuar shkelje e rëndë derisa nga ata që duhet ta zbatojnë ligjin është cilësuar si gabim administrativ.

Por vendosja e specifikave teknike si mënyrë klasike për të manipuluar me procesin e prokurimit është aplikuar dhe aplikohet edhe nëpër komunat tjera të Kosovës, ku kontrolli institucional nuk është ai që duhet të ishte.

Në Komunën e Prizrenit, në kohën kur ajo drejtohej nga Ramadan Muja, ishte vepruar në këtë formë në zgjedhjen e një operatori ekonomik për blerjen e një veture, të cilën më pastaj ajo e kishte blerë prej 9.800 eurosh.

Kriteret e përdorura në procedurën e prokurimit për “Furnizim me një veturë të përdorur” ishin në kundërshtim me LPP-në. Kriteret e tenderit ishin favorizuese duke përcaktuar që vetura duhet të jetë e përdorur, viti i prodhimit të jetë 2009 dhe të ketë 129.000 km të kaluara, edhe në këtë rast në dosje të tenderit ka munguar vetëm emri i pronarit të automjetit. Madje këtë shkelje të rëndë e kishte evidentuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit dhe e cila ka alarmuar për rrezik pasi caktimi i kritereve favorizuese përveçqë paraqet shkelje të LPP-së shton rrezikun e mosarritjes së vlerës për para dhe për mundësinë e mashtrimit. Në këtë rast praktika të tilla e dëmtojnë reputacionin e Komunës dhe humbin besimin e ofertuesve potencialë në një proces të prokurimit të drejtë dhe transparent.

Por për opinionet e Auditorit më nuk e çajnë kokën zyrtarët e tillë të prokurimit, pasi për ta vlerë në këtë botë ka vetëm paraja.

Është koha dhe momenti i fundit kur institucionet e drejtësisë nuk duhet të qëndrojnë spektatorë karshi rasteve të tilla, ku bëhet abuzim i rëndë i taksave të qytetarëve të Kosovës, pasi këta po trashen duke e holluar buxhetin, edhe ashtu të lodhur të shtetit tonë.

Lajme nga spitali apo lajme për spital?

0

Arta Berisha

Nga rezultatet e monitorimit për raste të veçanta rezulton se televizionet nacionale (RTK, KTV dhe RTV21) janë më të kujdesshme në raportim sesa mediet online; veçanërisht kur bëhet fjalë për informata të pafaktura që burojnë nga mediet sociale. Televizionet nacionale RTK, KTV dhe RTV21 nuk i kanë dhënë hapësirë statusit të datës 14 gusht të ish-deputetit Gëzim Kelmendi. Meqë statusi është shkruar në mbrëmjen e 14 gushtit, ai nuk është bërë lajm në edicionet qendrore të datës 15 gusht. Të tria televizionet nuk e konsideruar informatë të besueshme edhe statusin e Arti Lushit se Ismail Kadare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në mënyrë të pjesshme është trajtuar edhe informacioni për datën e lindjes së Adem Jasharit.

Këto raste mund të shërbejnë si shembull që televizionet si kategori e medieve tradicionale janë më pak të ndikuara nga informatat e paverifikuara që qarkullojnë në mediet sociale. Rezultatet e monitorimit tregojnë se në rastin e ditëlindjes së Adem Jasharit mediet audio dhe audiovizive kanë ndjekur lajmin ekzistues, por gjithashtu kanë kërkuar të zbulojnë dhe të verifikojnë në mënyrë të pavarur fakte të reja. Në edicionin qendror të datës 20 gusht Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) i ka kushtuar një kronikë kësaj teme.

“28 nëntor 1955, kjo është data e saktë kur ka lindur figura më e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari”, është fjalia e parë e kronikës së transmetuar në RTK, duke iu referuar dokumenteve në Zyrën e Gjendjes Civile. Kronika vijon me një deklaratë të shefit të Zyrës së Gjendjes Civile të Komunës së Skenderajt, Arif Sadikut, i cili, sipas RTK-së, i referohet librit amzë të marrë nga qyteti i Nishit në Serbi.

“Shumë kjartë është i regjistruar që ka lindë me 28. 11. 1955, është një fakt që duhet të ceket kjartë dhe s’mundet me i ikë kësaj, që së pari gjenerali jonë e ka ba regjistrimin me 1.12.1955”, citohet të ketë thënë shefi i Zyrës Civile të Skenderajt për RTK-në. Pjesë e kronikës së transmetuar në RTK është edhe Bekim Jashari, i cili, ndër të tjera, paralajmëron padi për shpifje. Në kronikën e RTK-së thuhet se Nexhmedin Spahiu, i cili edhe e hapi këtë temë, nuk ka pranuar të flasë. Spahiu është konfrontuar me pyetje edhe nga gazetarë të medieve të tjera dhe njëherë ka premtuar se do të shpalosë faktet që ka, pastaj nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Përhapja në portale e lajmeve të paverifikuara dhe që për burim e kanë një status në “Facebook” ose një postim në “Twitter” rrezikon të kalojë pa u vënë re nga Këshilli i Medieve të Shkruara si organi i vetëm mbikëqyrës i medieve të shkruara, por vetërregullues. Kjo edhe për faktin se qytetarët ose grupe të tjera nuk do të ankohen për diçka që ata nuk janë të prekur drejtpërdrejt. Duke iu referuar rasteve që janë analizuar, përjashtim bën familja Jashari e cila ka paralajmëruar padi për shpifje në gjykatë.

Violeta Hyseni, gazetare me përvojë të gjatë në medie, aktualisht anëtare e Bordit të Komisionit të Pavarur për Medie,konsideron se përparësia e medieve audio dhe audiovizuale është se ato janë të rregulluara me ligj për dallim nga mediat online, të cilat janë të vetërregulluara.

“Komisioni i Pavarur për Medie, si institucion kushtetues, licencon transmetuesit publikë e privatë, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit, si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuele. Kësisoj Ligji për KPM-në dhe aktet tjera nënligjore siç janë rregulloret për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve, për komunikimet komerciale, për respektimin e të drejtave të autorit, si dhe Kodi Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale kanë ndikuar që mediet audiovizuale të jenë më të kujdesshme në raportim”, thotë Kelmendi.

Megjithatë, sipas saj, kjo nuk nënkupton që ato nuk i shkelin standardet profesionale të gazetarisë, por janë më të vëmendshme ndaj sanksioneve ligjore që mund të pasojnë në rast të shkeljeve, të kushteve të licencës, Kodit të Sjelljes dhe akteve të tjera juridike. Komisioni i Pavarur për Medie gjithashtu inicion raste ex officio pasi edhe i monitoron mediet.

Sipas Flutura Kusarit, eksperte për çështjet e medieve, ende nuk ekziston një hulumtim i mirëfilltë shkencor që tregon se në mediat online ka më shumë keqinformim sesa në mediet audiovizive. Ajo bën një vlerësim të përgjithshëm duke thënë se faktorët që ndikojnë në gazetarinë që prodhohet janë: kushtet e vështira të punës së gazetarëve, shumë prej të cilëve nuk paguhen me rregull, nuk kanë pushim, sigurim shëndetësor dhe keqtrajtohen në forma të ndryshme.

Duke iu referuar ankesave që shkojnë në të dyja institucionet që rregullojnë punën e medieve audio/vizive dhe të shkruara, Komisioni i Pavarur për Medie ka disa herë më pak ankesa sesa Këshilli për Mediet e Shkruara. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 numri i tyre është nëntë. Vetëm katër janë për shkelje të Kodit të Etikës nga televizione kosovare. KPM-ja në dy raste ka gjetur se është shkelur Etika nga dy kanale televizive (RTK1 dhe T7).

Por, ndryshe qëndron situata për sa i përket numrit të ankesave në Këshillin për Medie të Shkruara. KMSHK-ja është një mekanizëm vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i medieve të shkruara. Respektimi në tërësi i Kodit Etik të gazetarisë është baza mbi të cilën vepron KMSHK-ja.

Sipas statistikave zyrtare, vetëm në gjashtëmujorin e parë kanë mbërritur gjithsej 80 ankesa, 55 prej të cilave janë shqyrtuar. Sipas të dhënave zyrtare, 33 ankesa janë kundër medieve online, ndërsa 22 kundër gazetave. Këshilli i Medieve të Shkruara i ka shqyrtuar të gjitha dhe 32 prej tyre i ka miratuar plotësisht, 8 pjesërisht ndërsa 14 ankesa nuk janë miratuar.

Edona Fetoshi, zyrtare në Këshill, ka shpjeguar se natyra e ankesave është për shkeljen e Kodit të Medieve të Shkruara në kapitujt që flasin për raportimin e së vërtetës, të drejtën për t’u përgjigjur, mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve, si dhe privatësinë. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur për Medie që ka rol edhe monitorues ndaj medieve audio dhe audiovizuale, Këshilli për Mediet e Shkruara respektimin e Kodit Etik të Gazetarisë përpiqet ta bëjë përmes ankesave nga qytetarët.

Drejtori i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Petrit Çollaku, konsideron që zhvillimi i hovshëm i teknologjisë dhe numri në rritje i portaleve përbën sfidë për Këshillin e Medieve të shkruara dhe mekanizmat e tjerë vetërregullues. “Unë besoj se të gjithë hisedarët e kësaj fushe duhet të ulen dhe të bisedojnë për të gjetur një mënyrë më të mirë për t’i përmirësuar raportimet e medieve online”, thotë Çollaku. Ai thekson se duhet të punohet edhe më shumë për t’i edukuar lexuesit dhe për t’ju treguar se cilat lloje të portaleve mund të jenë burime të dezinformimit.

Në këtë drejtim, sipas drejtorit të AGK-së, duhet të angazhohet edhe KMSHK-ja. “Besoj se KMSHK-ja duhet të punojë më shumë në këtë drejtim që t’ua bëjë me dije publikut, përmes aktiviteteve të ndryshme, se si mund të mënjanohen nga keqinformimi osenga lajmet e rrejshme”, konstaton Çollaku. Duke qenë se është i pavarur politikisht dhe financiarisht, KMSHK-ja mbetet një ndër mekanizmat më me rëndësi në Kosovë në rregullimin e medieve (të shkruara), mendon Flutura Kusari. Ajo thekson se tani që KMSHK-ja është e qëndrueshme duhet të fokusohet në përmirësimin e shkrimit të vendimeve, të cilat duhet të jenë të arsyetuara më mirë.

Nga Komisioni i Pavarur për Medie, i cili mund t’i dënojë mediet audiovizive për shkelje të Kodit të Etikës ose të tjera, KMSHK-ja nuk mund ta bëjë këtë. Por mendimet e KMSHK-së mund të shërbejnë si provë për rastet që përfundojnë në gjykatë. AGK-ja në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prishtinë ka arritur të nxjerrë numrin më të saktë të rasteve të shpifjeve dhe të fyerjeve. Sipas regjistrit të gjykatës, gjithsej janë 59 raste kundër shpifjes dhe fyerjes, të cilat datojnë që nga viti 2009. Po ashtu, sipas gjykatës, vetëm dy raste janë trajtuar nga gjykata në Prishtinë. Të dyja paditë janë tërhequr prapa për shkak të mosinteresimit të paditësve. Nga këto 59 raste, 10 janë ngritur nga zyrtarët shtetërorë, madje shumica prej tyre janë figura të larta. 5 raste janë ngritur nga avokatë dhe gjyqtarë kundër gazetarëve dhe medieve. 6 raste janë ngritur nga mediumi/gazetari kundër një mediumi/gazetari tjetër.

Konsiderohet e nevojshme që qytetarët të njoftohen më mirë për mundësinë e ankesave në Këshillin e Medieve të Shkruara dhe në Komisionin e Pavarur të Medieve, si një nga format më të përshtatshme për funksionimin e medieve në shërbim të interesit publik. Deri të arrihet kjo pikë është e rëndësishme që portalet t’i heqin tërësisht nga rrjeti lajmet që rezultojnë të pasakta. Portalet janë përgjegjëse për ripublikimin e informatave që janë shpifje ose fyerje. KMSHK-ja në shkurt të vitit 2018 ka konstatuar se një portal ka shkelur Kodin e Etikës duke e ripublikuar statusin e deputetit Fisnik Ismaili kundër Arbana Xharrës. “KMSHK-ja pasi shqyrtoi artikullin, ankesën dhe përgjigjen e portalit konstatoi se shkelje e Kodit konsiderohet titulli i artikullit (“Fisnik Ismaili zbulon kush e kishte rrahur Arbana Xharrën”) ku pa asnjë distancim, pa thonjëza ose ndonjë formë tjetër të theksimit se bëhet fjalë për një deklaratë të një personi e jo qëndrim të redaksisë, ka shkelur Kreun II (Raportimi i së vërtetës)”, thuhet në vendim të KMSHK-së të marrë në shkurt të 2018-s. Qytetarëve u mbetet të fokusohen më pak te titulli i portaleve e më shumë te burimi i lajmit të cilin e lexojnë.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i dhe AGK-ja. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose i BIRN-it dhe i AGK-së.

Rumunët pritet të votojnë kundër martesave me të njëjtën gjini

0

Së shpejti do të mbahet një referendum në Rumani, ku pritet të votohet për ta definuar në kushtetutë se martesa duhet të zhvillohet vetëm midis një burri e një gruaje.

Ky referendum nga disa është konsideruar si diskriminim i drejtpërdrejtë ndaj komunitetit LGBT, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Edhe tani shteti konservator i Evropës Lindore nuk i lejon martesat me të njëjtën gjini dhe nuk i njeh këto martesa edhe nëse janë kryer jashtë vendit.

Nevojitet një pjesëmarrje prej 30 përqind e popullsisë, ose më shumë se pesë milion njerëz duhet të votojnë pro, në mënyrë që të ri-definohet martesa në kushtetutën rumune.

Trafikonin emigrantë në SHBA e Kanada, 9 të arrestuar në Maqedoni

0

Policia maqedonase ka arrestuar një bandë prej 9 anëtarësh, të akuzuar për trafikim të paligjshëm emigrantësh nga Maqedonia dhe Shqipëria përmes dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit.

Sipas asaj që deklaroi ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski, një ditë më parë gjatë një konference për shtyp, trafikantët maqedonas të këtij rrjeti ishin vënë nën hetim prej 18 muajsh. Ata ishin pjesë e një rrjeti kriminal të organizuar ndërkombëtar.

Spasovski shtoi gjithashtu se, grupi kishte trafikuar shumë emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria apo Maqedonia, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë. Në fokusin e këtij rrjeti kriminal ishin ata persona, të cilët do ta kishin të pamundur sigurimin e një vize amerikane apo kanadeze në rrugë ligjore.

Ndërkohë, sipas policisë, çmimi për shërbimet e ofruara nga banda e shkatërruar tashmë shkonte nga 20 mijë deri në 25 mijë dollarë për person, shkruan T0p Channel.

Raiola zbulon gjithçka për Pogban, a do të shkojë në Barcelonë?

0

Ylli i Manchester Unitedit, Paul Pogba, nuk është në shitje sipas agjentit Mino Raiola, edhe pse e pranoi se mesfushori është në një moment delikat.

E ardhmja e Pogbas në “Old Trafford” është e pasigurt pas raporteve për prishjen e marrëdhënies me trajnerin., Jose Mourinho, i cili madje ia ka hequr edhe shiritin e kapitenit.

U diskutua shumë për një kalim të mundshëm te Barcelona, por si lojtari, ashtu edhe agjenti i tij, tani për tani i janë besnik “Djajve të Kuq”.

“Preferoi të mos flas për të”, tha fillimisht Raiola për Rai Sport. “Ai po kalon nëpër një moment të vështirë, por nuk është në market”.

Pogba ka shënuar 4 gola këtë sezon në të gjitha garat, duke përfshirë dy në Premier League.

United do të presë sonte në “Old Trafford” Newcastle Unitedin.

Përdhunoi dy vajza italiane, dënohet me 8 vite burgim shqiptari

0

Një taksist shqiptar është dënuar me 8 vite burg, pasi akuzohet se ka përdhunuar dy vajza italiane.

Mediat italiane raportojnë se Besnik Hoxha akuzohet se mes korrikut 2016 dhe nëntorit 2017, ka abuzuar seksualisht me dy vajza, 20 dhe 25 vjeçe, teksa i merret me taksi nga diskoteka, drejt banesave të tyre.

Pas hetimeve të kryera dhe dëshmive të dy viktimave, taksisti shqiptar i kishte joshur dhe më pas kishte abuzuar me ato seksualisht.

‘Ansa’ shkruan se shqiptari në të dyja rastet kishte ndalur makinën e tij në rrugë dytësore dhe më pas kishte përdhunuar vajzat.

Prokuroria kërkoi 14 vite e gjysmë burg për Hoxhën, ndërkohë që ai u dënua me 8 vite, shkruan lapsi.al.

Çka mund të mësohet në ish-kampin gjerman të KFOR-it në Prizren, kur të bëhet park inovacioni

0

Baza ushtarake e KFOR-it gjerman në Prizren, do të vazhdojë të kontribuojë në të mirë të qytetarëve të këtij qyteti, pasi shumë shpejt do të shndërrohet në park për inovacione dhe trajnime.

Ky transformim pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, atëherë kur do të largohen të gjithë ushtarët gjermanë të KFOR-it nga Prizreni dhe do të vendosen në Prishtinë.

Në këtë kamp, që ka mbi 40 hektarë, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës do të mund të marrin njohuri dhe të trajnohen për teknologji informative, bujqësi, ushqim dhe agro-përpunim, industri kreative, turizëm, arsim, shkencë dhe hulumtime të ndryshme.

Lis Dorambari nga zyra për media e Komunës së Prizrenit thotë për Radion Evropa e Lirë, se së bashku me Agjencinë Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) janë duke hartuar planin rregullues të këtij parku.

“Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve, ku qëllimi kryesor do të jetë zhvillimi ekonomik, mundësi për arsim dhe aftësim profesional. Do të ketë biznese të ndryshme. Tani është duke u bërë studimi i fizibilitetit nga ana e GIZ-it gjerman dhe është bërë edhe takimi informues mes Komunës së Prizrenit dhe GIZ-it, për hartimin e një plani rregullues”, thotë Dorambari.

Kampi posedon 23 ndërtesa me 550 dhoma me kapacitet për banim për rreth 1,200 persona.

Sipas analistit Emrush Ujkani, qytetarët e Kosovës tani kanë nevojë më shumë për përkrahje ekonomike sesa ushtarake. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se Gjermania vazhdon të jetë partneri më strategjik i Kosovës së pasluftës.

“Largimi i ushtarëve gjermanë mund të shpjegohet në dy mënyra; e para, kjo dëshmon se Kosova po shndërrohet në një shoqëri civile, ku fuqia ose prezenca militare apo ushtarake nuk është e nevojshme dhe Kosova ka nevojë për prezencë ekonomike, prandaj fuqia sot e vendeve të ndryshme nuk duhet të matet vetëm me terme ushtarake, por edhe ekonomik. Dhe në këtë drejtim e shoh kontributin ose vazhdimin e raporteve të Gjermanisë me Kosovën”, thotë Ujkani.

Derisa në vitin 1999, ushtarët gjermanë hynë në Prizren, me tanke e armatim të rëndë, ata tash u larguan me bandë muzikore. Sheshi Shatërvan, ishte vend-takimi i fundit i ushtarëve gjermanë të KFOR-it me qytetarët prizrenas.

Pas 19 vjetësh shërbim në këtë qytet, me ceremoni ushtarake dhe me duartrokitje të shumta ushtarët gjermanë kanë bërë parakalimin lamtumirës.

Qytetarët e Prizrenit, ishin shumë të emocionuar me këtë parakalim, derisa kujtonin ditën kur trupat e KFOR-i gjerman hynë në Prizren pas çlirimit të Kosovës. Suzana Skeja nga Prizreni, thotë se shumë e dhimbshme largimi i tyre, por të në njëjtën kohë edhe gëzim.

“Po kam emocione që po i shoh bile këta, se ditën e parë i kam parë këta kur kanë ardhur. Këtu në shatërvan kam qenë me fëmijë”, thotë Suzana Skeja.

Për Naim Spahiun, është ende i freskët kujtimi kur pa për herë të parë ushtarët gjermanë në Urë të Gurit. Ai thotë se asnjëherë nuk do ta harrojnë kontributin e këtyre ushtarëve, por edhe të popullit gjerman.

“Shumë mirë më kujtohet. Ishte viti 1999, pikërisht këtu qëllova tek Ura e Gurit, e takova një grua të afërme të gjakut tim, e komshiut. Hynë forcat e NATO-s, ka qenë gëzim i madh. Gëzim i paparë, i paparashikuar ndonjëherë në historinë e popullit. Unë nuk do ta harroj kurrë për jetë”, thotë Spahiu.

Bundesweri edhe më tutje do të jetë i angazhuar në kuadër të KFOR-it, pasi disa ushtarë gjermanë do të stacionohen në Prishtinë.

Gjermania do të mbetet e pandryshuar në listën e 10 vendeve me praninë më të madhe të ushtarëve në kuadër të KFOR-it, ndërsa në qendrën e vëmendjes së saj do të jetë avancimi i mëtejmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Wilder tregon që është “i çmendur” – shihni pamjet

0

I ftuar në një emision televiziv në Amerikë, boksieri Deontay Wilder ka treguar me një gjest se çfarë do t’i bëjë më 1 dhjetor rivalit të tij Tyson Fury, në duelin e vlefshëm për titullin kampion bote të peshës së rëndë, që do të zhvillohet në Los Anxhelos.

Wilder, që mban titullin e kategorisë WBC, ka goditur me një grusht një maskotë që ishte në studion televizive, duke e rrëzuar në dysheme. Boksieri amerikan tha se këtë gjë do të bëjë edhe ndaj Fury, duke e mundur me “KO”.

“Tyson Fury është me fat që nuk ndodhet tani në studio, por këtë fat do të ketë edhe ai më 1 dhjetor, në ring. Do ta mund Fury, do të të hedh “KO”. Mezi po pres që të vijë dhjetori. Unë kam vetëm një opsion dhe do ta shfrytëzoj atë për të të mundur. Cilin grusht do nga unë, të majtin apo të djathtin për të të hedhur në tapet? Zgjidhe ti”, u shpreh 31-vjeçari Wilder, 40 fitore e asnjë humbje në karrierën e tij si boksier profesionist.

.

Prindërit në shkollën “Lekë Dukagjini” në Prizren në ankth nga veturat në oborr (Foto)

0

Një prind, fëmija i të cili zhvillon mësimet në shkollën fillore “Lekë Dukagjini” në Prizren është shprehur i shqetësuar.

Në adresë të portalit Koha.net ai ka dërguar fotografi në të cilat shfaqet gjendja në oborrin e shkollës, derisa ky prind ka thënë se kësisoj është pothuajse çdo ditë.

Sipas tij, prindër të pandërgjegjshëm futen në oborrin e shkollës kur të vijnë për të marrë fëmijët e tyre nga mësimi, derisa ka shtuar se kjo po u ngjall frikë për ndonjë fatkeqësi eventuale

Sipas tij, situata është aq e keqe saqë fëmijët ecin edhe në pjesë të cilat nuk janë të dedikuara për të ecur, mbi bar, derisa në vendin për këmbësorë parkohen vetura.

Fotografitë thotë se i ka bërë sot, saktësisht në orën 16:25, me shpresën se autoritetet kompetente do të ndërmarrin masa për ofrimin e sigurisë për nxënësit brenda ambientit të shkollës.

Image