19.2 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 4629

Kolona e pestë populiste e Evropës

0

Shkruan: GUY VERHOFSTADT

Siguria evropi ane momentalisht mbështetet te aleanca e NATO-s dhe parimi i mbrojtjes së ndërsjellë, si dhe në bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve kombëtare të inteligjencës që punojnë për të parandaluar dhunën ndaj njerëzve dhe pasurive kombëtare. Por, në një epokë kur kërcënimet vijnë nga ekstremistët vendas, si dhe nga aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë që kërkojnë të minojnë institucionet demokratike, kjo nuk mjafton. Në vitet e fundit, shkëmbimi i inteligjencës ka penguar komplote të panumërta terroriste nga ekstremistët islamikë dhe grupet e ekstremit të djathtë. Por, dështimet për të ndarë informatat e inteligjencës përtej kufijve kanë rezultuar gjithashtu me sulme të tmerrshme në Bruksel, Mançester dhe qytete të tjera.

Besueshmëria e Agjencisë së inteligjencës austriake
Me pak fjalë, shërbimet evropiane të sigurisë kanë filluar të përqendrohen te kërcënimin që vjen nga Rusia ndaj demokracisë liberale. Gjatë cikleve të zgjedhjeve të fundit, Kremlini ka rezultuar i suksesshëm në komprometimin e proceseve demokratike dhe ndotjen e diskursit publik. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, ngritja e populistëve të ekstremit të djathtë në vendet kyçe po dëmton aparatin e sigurisë që nevojitet për ta luftuar agresionin rus. Këmbimi i informatave të inteligjencës kërkon besim të ndërsjellë, por aleancat që dikur siguruan bazën për besim janë nën një tendosje në rritje. Kjo është evidente në të gjithë Evropën. Në Gjermani, ish- kreu i inteligjencës kohët e fundit sugjeroi për gazetën “Bild” se shërbimet e inteligjencës së Austrisë nuk mund të besohen për aq kohë sa Partia (e krahut të djathtë) e Lirisë Austrisë (FPÖ) është një partner i koalicionit qeverisës. Në fund të fundit, në shkurt, ministri i Brendshëm i FPÖ vendosi një vendim të jashtëzakonshëm për të urdhëruar një bastisje policore mbi agjencinë kryesore të inteligjencës austriake, duke hequr dosjet dhe informacionin e ndjeshëm. FPÖ ka pasur një “pakt bashkëpunimi” me Partinë e Bashkuar të Rusisë të presidentit rus Vladimir Putin që nga viti 2016. Më shqetësuese, marrëveshja parashikon shkëmbimin e informacionit mbi çështjet që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe ndërkombëtare. Nëse ka arsye për të besuar se informacioni po transferohet nga Vjena në Moskë, atëherë Austria mund të ndahet nga një sasi e madhe e të dhënave thelbësore për trajtimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. E, megjithatë, kjo do të dëmtonte sigurinë e të gjithë evropianëve.

Kundërshtimi i sanksioneve ndaj Rusisë
Në Itali, partia e së djathtës ekstreme, e cila qeveris në një koalicion me lëvizjen populiste ‘Pesë Yje’ (M5S), gjithashtu ka hyrë në një marrëveshje bashkëpunimi me ‘Rusinë e Bashkuar’. Dhe, kreu i Ligës (Lega), ministri i Brendshëm dhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini, që kundërshton sanksionet e BE-së kundër Rusisë, është fotografuar me bluza me foto të Putinit dhe është një vizitor i rregullt në Moskë. Në Hungari, ku të dy Salvini dhe amerikani Stephen Bannon janë mirëpritur krahëhapur nga kryeministri Viktor Orban, shërbimet ruse të inteligjencës thuhet se kanë mbajtur lidhje të ngushta me grupet e ekstremit të djathtë për vite me radhë. Për më tepër, Orbán dhe partia e tij Fidesz kontrollojnë shumicën e mediave, të cilat shpërndajnë në mënyrë jokritike propagandën shtetërore ruse. Së fundi, në Poloni, Antoni Macierewicz, i cili u rrëzua si ministër i mbrojtjes në janar, është akuzuar për lidhje me grupet e ekstremit të djathtë pro-Kremlinit dhe gangsterin rus Semion Mogilevich. Ndërsa ishte në detyrë, përpjekjet e Macierewicz për të riorganizuar ushtrinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes bënë aleatët e Polonisë në NATO për të pyetur nëse Polonisë mund t’i besohej kur flitej për ta kundërshtuar Rusinë. Në të gjithë këto shembuj, populistët e ekstremit të djathtë jo vetëm që shkaktojnë fërkime ndërmjet shërbimeve kombëtare të inteligjencës; ata janë duke politizuar me sukses institucionet dhe instrumentet ligjore mbi të cilat varet siguria evropiane. Për shembull, ashtu si Kremlini politizon Interpolin që të keqtrajtojë kundërshtarët e saj politik jashtë vendit, Partia (qeverisëse polake) e Drejtësisë dhe Ligjit (PiS) ka përdorur fuqinë e vetos si një shtet anëtar i BE-së për të ndaluar një nga kritikët e saj, aktivisten ukrainase për të drejtat e njeriut Lyudmyla Kozlovska , nga hyrja në zonën Shengen të BE-së. Është absurde të mendosh se një aktivist i të drejtave të njeriut mund të ndalohet nga BE-ja për ta kritikuar një qeveri, ndërkohë që nacionalistët e bardhë e ekstremit të djathtë, si Bannon, mund të shëtisin lirshëm në kontinent, duke nxitur ekstremizmin dhe islamofobinë. Autoritetet e BE-së duhet të hetojnë motivet e qeverisë polake për të siguruar që arkitektura e sigurisë e BE-së nuk po shfrytëzohet për qëllime politike.

Putin ka zhvilluar një luftë komplekse hibride kundër Perëndimit
Që nga pushtimi i Ukrainës lindore dhe aneksimi i Krimesë në mars të vitit 2014, Putin ka zhvilluar një luftë komplekse hibride kundër Perëndimit, duke kombinuar informacionin dhe luftën kibernetike me operacione speciale aktive për të çrregulluar institucionet evropiane. Për këtë qëllim, Kremlini po mbështet aktivisht lëvizjet populiste evropiane dhe partitë politike dhe përpjekjet e tyre për të shfrytëzuar tensionet historike dhe për të krijuar ndarje brenda BE-së. Ndarjet e tilla shkojnë direkt në favor e Putinit. Një Perëndim i ndarë me një bashkëpunim të mangët të inteligjencës është në rrezik më të madh të sulmit dhe më i prekshëm ndaj ekstremizmit të brendshëm dhe mosbesimit në institucionet demokratike. Putin nuk do të donte asgjë më shumë sesa ta kthente BE-në në një ferr të gjallë. Si duhet të reagojnë politikanët dhe qytetarët e shqetësuar? Sa për fillim, është e qartë se BEja ka nevojë ta bëjë një hetim të plotë mbi ndërhyrjen e Rusisë në çështjet evropiane, përgjatë linjës së hetimit të Robert Mueller-it, në Shtetet e Bashkuara. Financimi rus i grupeve populiste evropiane duhet të gjurmohet dhe ekspozohet dhe operacionet e saj hibride të luftës brenda BE-së duhet të mbyllen. Për më tepër, Europol-it duhet t’i jepet fuqia që ka nevojë për të ndjekur ata që janë duke i dëmtuar interesat evropiane. Evropa ka nevojë për FBI-në e saj – një agjenci për zbatimin e ligjit dhe kundër-zbulimit që mund të punojë përtej kufijve dhe pranë autoriteteve të nivelit kombëtar. Asgjë, megjithatë, nuk mund të zëvendësojë një qytetari të mirinformuar. Në këto ditë të errëta për demokraci, të gjithë ne duhet të kërkojmë llogaridhënie nga qeveritë tona dhe të këmbëngulim që të ruhet sundimi i ligjit dhe institucionet tona të çmuara.

(Kosova Sot)

10 të vdekur, mbi 300 të lënduar nga stuhia

0

Japonia është goditur mëngjesin e të mërkurës nga një nga stuhitë më të forta të 25 viteve të fundit.

Të paktën 10 vetë kanë vdekur, ndërsa rreth 300 të tjerë janë lënduar dhe po marrin ndihmën mjekësore në qendrat shëndetësore, sipas burimeve zyrtare.

Stuhia goditi pjesën perëndimore të Japonisë, duke përfshirë qytetet e mëdha si Kyoto dhe Osaka, ndërsa është dhënë urdhër evakuimi përreth 1.2 milionë persona.

Fluturimet ajrore, lundrimet detare dhe lëvizja e trenave, janë pezulluar për momentin, ndërsa mijëra persona janë evakuuar nga aeroporti i Osakës.

Raportimet më të fundit nga qendrat meteorologjike flasin për erëra që po ulin intensitetin e tyre dhe po spostohen drejt veriut, por kërkohet vëmendje ndaj rrëshqitjes së dherave.

Të ngjajshme Tajfuni Jebi më i fuqishmi i 25 viteve të fundit Temperatura përvëluese në Japoni, gjithçka po shkrihet Kjo është risia që ka krijuar Japonia për myslimanët I nxehti “përvëlon” Japoninë, dhjetëra viktima Debutim zhgënjyes për Iniesta-n në Japoni 30 persona vdesin

Turqia në prag të krizës

0

Në Turqi, inflacioni i lartë në rritje dhe rënia e vlerës së monedhës po nxisin frikën se vendi është në prag të një krize financiare dhe ekonomike. Vendosja muajin e kaluar e tarifave tregtare nga Presidenti Donald Trump, pas vazhdimit të ndalimit të pastorit amerikan, Andrew Brunson, u bë shkak për zhvlerësimin e monedhës turke.

Banka Qendrore Turke premtoi të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion të saj dhe të riformulojë politikat e saj monetare në një takim të 13 shtatorit ku do të diskutohet mbi normat e interesit.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se një rritje agresive e normave të interest mund të mos jetë e mjaftueshme për të frenuar inflacionin apo për të mbrojtur lirën.

“Është e pamundur të mos e ndiejmë inflacionin. Duhet të shpenzojmë dyfishin e atyre kemi fituar, pagat tona mbeten të njëjta, çfarë do të ndodhë? Situata po përkeqësohet dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, thotë Leyla Ates, një pensioniste.

“Turqit nuk e meritojnë këtë. Ne jemi më shumë se të prekur, po jetojmë një makth”, thotë një banor.

Vendosja muajin e kaluar e tarifave të tregtisë nga Presidenti Donald Trump, pas vazhdimit të ndalimit të pastorit amerikan, Andrew Brunson, u bë shkas për zhvlerësimin e monedhës turke, raporton voa.

Brunson është në gjyq nën akuza për terrorizëm, një rast që Uashingtoni e quan të motivuar politikisht.

Duke injoruar presionin e Shteteve të Bashkuara, kreu i gjykatës së apelit të Turqisë, Rustu Cirit, mbështeti dje refuzimin e Turqisë për lirimin e Brunsonit, duke thënë se lirimi i tij është një çështje vetëm e gjyqësorit.

Sllovenia alarmohet nga milicia e armatosur e një politikani

0

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka shprehur shqetësim për disa pamje të shpërndara në rrjetet sociale, në të cilat shihet një grup i armatosur me maska, që udhëhiqet nga një ish-kandidat presidencial, Andrej Sisko.

Politikani Sisko ka thënë se grupi i tij është parë duke kryer stërvitje me qëllim të “ruajtjes së paqes dhe rregullit” nëse ka nevojë.

Pahor në anën tjetër ka thënë se nuk ka vend për një grup të tillë një shtetin “e sigurt”.

Ndërkohë, policia ka nisur hetim për këtë grup, i cili është parë me armë, mirëpo ka mohuar se i përket njësisë paramilitare.

Në disa pamje të publikuara në Facebook, shihen rreth 70 persona të maskuar duke kryer një “betim solemn”.

Grupi drejtohet nga Sisko, i cili më herët ka qenë në burg për tentim-vrasje.

Ai pati fituar 2.2 përqind të votave vitin e kaluar, kur ka garuar për president në shtetin e vogël evropian.

Kabineti i presidentit Pahor ka thënë se “Sllovenia është shtet i sigurt në të cilin nuk i lejohet asnjë personi të paautorizuar të kujdeset në mënyrë të paligjshme për sigurinë e shtetit apo kufijve”.

Sisko, në anën tjetër ka pretenduar se grupi në fjalë nuk është duke bërë asgjë joligjore. /REL

Malishevë: Paditësi tërhiqet nga kërkesa për pagat jubilare, kërkon vetëm kompensim për pagat pas pensionimit

0

Ish-tekniku i vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Shpetim Robaj”, në Malishevë, Ragip Morina, është tërhequr nga kërkesa për kompensimin e tri pagave jubilare.

Morina, kishte paditur Komunën e Malishevës, përkatësisht Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, duke kërkuar kompensimin për tri pagat jubilare dhe tri pas daljes në pension.

Tërheqjen nga kompensimi për tri pagat jubilare, paditësi Morina e ka bërë në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Por, paditësi Morina, ka kërkuar që procedura të zhvillohet vetëm për pagesën e tri pagave me rastin e pensionimit.

Përfaqësuesi i Komunës së Malishevës, Mujë Sahitaj, ka thënë se tri pagat jubilare nuk mund t’i jepen paditësit Morina, për arsye se sipas tij, një gjë të tillë ai nuk e ka kërkuar sa ka qenë në marrdhënie pune.

“Në bazë të Kontratës Kolektive pagat jubilare merren gjatë procesit të punës apo marrëdhënies së punës, dhe ato në çdo 10 vite përvojë pune, 20 vite dhe 30 vite. Andaj kontrata kolektive nuk mund të veprojë në mënyrë retroaktive dhe paditësi këto paga jubilare nuk i ka kërkuar sa ka qenë në marrëdhënie pune”, tha Sahitaj.

Kurse, sa i përket pagave pas pensionimit, Sahitaj ka deklaruar se Kuvendi Komunal i Malishevës, më 12 qershor 2018, ka marrë vendim që për të gjithë personelin arsimor dhe shëndetësor dhe punëtorët e administratës komunale të paguhen pagat përcjellëse pas pensionimit.

Mirëpo, për ta ekzekutuar këtë vendim, sipas tij, duhet kohë pasi që komuna nuk ka planifikuar buxhet për të përmbushur obligimet për këtë kategori.

Ndërsa, për shqyrtimin e kërkesëpadisë, për kompensimin e tri pagave pas pensionimit të paditësit Ragip Morina, gjykatësi Nehat Qelaj, ka marrë aktvendim që për këtë çështje të vazhdohet me procedurën e provave.

Pas kësaj, janë shikuar të gjitha provat e ofruara nga palët dhe procedura e provave ka përfunduar, kurse palët ndërgjyqëse janë njoftuar se aktgjykimi mund të nxirret edhe pa paraqitur fjalën përfundimtare në rast se të njëjtit nuk e deponojnë në mënyrë të shkruar.

Paditësi, Ragip Morina, sipas kushteve të parapara ligjore ishte pensionuar më 1 qershor 2017, pas punës dhe kontributit të tij shumë vjeçar si teknik i vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Dr. Shpetim Robaj” në Malishevë.

Sipas padisë, paditësi me rastin e daljes në pension ka shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore brenda Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Malishevës, për të marrë tri paga pas pensionimit, në shumë totale prej 1632 euro, mirëpo kjo e fundit kishte kontestuar një gjë të tillë.

Ragip Morina në cilësinë e paditësit më 12 korrik 2017, ka ngritur padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, për kompensimin e tri pagave jubilare dhe tri pagave pas pensionimit, duke u bazuar në nenin 52 dhe 53 të Kontratës Kolektive, e cila ka hyrë në fuqi me 1 janar të vitit 2015, dhe dispozitat e Ligjit të Procedurës Kontestimore.

Zafir Berisha i ‘thur’ lavde Teuta Rugovës

0

Deputeti i Nisma-s Socialdemokrate, Zafir Berisha, përmes një shkrimi në “Facebook”, ka dalë në përkrahje të qëndrimit të deputetes së LDK-së, Teuta Rugova e cila bëri sot kuorumin që të niste seanca për votimin e ekipit të ri dialogues të Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Sipas Berishës, deputetja Rugova për dallim nga të tjerët, respekton institucionin dhe bëhet pjesë e betejës politike përfundimtare.

Shkrimi i plotë i Berishës, pa ndërhyrje:

Teuta Rugova për dallim nga të tjerët, respekton institucionin dhe bëhet pjesë e betejës politike përfundimtare, për forcimin e shtetit të Kosovës.

Gashi takoi fituesin e bursës në akademinë e famshme FAMU në Pragë

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim fituesin e radhës së bursës për studime në një ndër shkollat më të mira në botë për studime në fushën e kinematografisë, akademinë e famshme FAMU në Pragë, Enis Saraçi.

Pas memorandumit të lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së para 5 viteve, Enis Saraçi është studenti i katërt që përfiton nga kjo bursë e ndarë nga MKRS dhe QKK.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur që studentët nga Republika e Kosovës kanë mundësi që përmes Marrëveshjes së Bashkëpunimit të arritur ndërmjet MKRS-së, QKK-së dhe Universitetit FAMU në Pragë të Çekisë, të përfitojnë bursa për ngritje profesionale në fushën e kinematografisë.

“Mbetet përkushtim i imi si ministër dhe i MKRS-së, që përveç mbështetjes financiare që po u jepet institucioneve kulturore në vend, edhe përmes bursave të mbështeten kineastët në shkollimin e tyre profesional nëpër universitete prestigjioze ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ministri Gashi.

Ai po ashtu tha: “Jam i lumtur që këta student të cilët po përfitojnë nga ana i institucioneve vendore për ngritjen e tyre profesionale në të ardhmen, do t’i kontribuojnë kinematografisë në vendin tonë”.

Në anën tjetër, Enis Saraçi, përfitues i kësaj burse, u shpreh shumë i kënaqur dhe falënderues për mundësinë e dhënë për të studiuar në akademinë FAMU në Pragë.

Susuri i përgjigjet akuzave të PDK-së në Prizren

0

Drejtori i Arsimit në Prizren, Skënder Susuri, ka mohuar akuzat e PDK-së se ka larguar politikisht shtatë mjekë, të cilët njëkohësisht kanë qenë edhe mësimdhënës në shkollën e mjekësisë “Luciano Motroni”.

Sipas tij, mjekëve në fjalë u ka skaduar kontrata.

“Atyre ju ka skaduar kontrata e punës, dhe se në sektorin e arsimit do të punojnë vetëm ata mësimdhënës të cilët nuk kryejnë punë sekondare”, tha Susuri për TV Prizrenin.

Dega e PDK-së në Prizren, ka reaguar sot për largimin 7 mjekëve, mësimdhënës në këtë shkollë.

Susuri, ndërkaq ka thënë se në rast të pretendimit të të larguarve se kemi të bëjmë me shkelje ligjore, ata mund t’i drejtohen organeve kompetente.

Ekspertiza: Antigona vdiq nga gjakderdhja

0

Hilmi Zena, ish-bashkëshorti i tani të ndjerës, A. M, është deklaruar i pafajshëm në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, pasi që ky rast është kthyer në rigjykim.

Zena akuzohet për veprën penale shkelje e detyrimeve familjare, nën dyshimet se në korrik të vitit 2011, tani të ndjerën nuk e kishte dërguar te mjeku dhe si pasojë e gjakderdhjeve të mëdha ka humbur jetën.

Pas kthimit të rastit në rigjykim dhe pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari Zena, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën që ngarkohet.

Në seancën e së martës, është dëgjuar edhe eksperti mjekoligjor Flamur Blakaj, i cili ka thënë se vdekja e A.M, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes.

“Vdekja e tani të ndjerës ka ardhur si pasoj e gjakderdhjes nga pjesa e shqyer e vaginës duke shkaktuar disbalanc ose prishje të balanceve në organizëm të shoqëruar me pamjaftueshmëri të organeve dhe sistemeve të organeve në organizëm me pasojë vdekje”, ka thënë Blakaj.

Gjithashtu, gjatë kësaj seance ka dëshmuar edhe babai i viktimës, Beslim Morina.

Ai ka thënë se fillimisht atij i kishin thënë se vajza e tij ka vdekur nga sulmi në zemër.

“Në ditën kritike në oborrin e spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, vëllai i të akuzuarit kishte deklaruar se vajza ime ka vdekur si pasoj e infarktit në zemër, ndërsa për të vërtetën kam kuptuar vetëm pas tri dite kur të njëjtin e kishte ftuar Stacioni i Policisë në Prizren për të dhënë deklaratë rreth dyshimeve për vdekjen e vajzës”, ka thënë ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrec Dodaj, ka propozuar që në seancën e radhës të dëgjohen dëshmitarët, Shemhi dhe Bahrie Zena, prindër të akuzuarit si dhe Gazmend Zena.

Ndërsa, përfaqësuesja e autorizuar e palës së dëmtuar, avokatja Femije Gashi-Bytyqi, ka propozuar që si dëshmitar në seancën tjetër të ftohet edhe një mjek specialist i gjinekologjisë për të dhënë mendimin e tij si dhe të dëshmojë motra e të dëmtuarës, Selvie Morina.

Gjykatësja Ilirjana Hoti, ka aprovuar kërkesat e palëve për tu dëgjuar dëshmitarët e propozuar, derisa seancën e radhës e ka caktuar më 2 tetor 2018, në ora 10:00.

Ndryshe, ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, më 13 dhjetor 2012 kishte ngritur aktakuzë ndaj Hilmi Zena nga Malësia e Vogël e Komunës së Rahovecit, duke e akuzuar se i ka shkelur në mënyrë të vrazhdë detyrimet e veta familjare ligjore, duke lënë në gjendje të rendë shëndetësore bashkëshorten e tij, tani të ndjerën A. M.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që pas gjakderdhjeve që i ka pasur  nga organi gjenital mbrëmjen e parë të martesës në shtëpinë e burrit të saj, mes datave 25,26,27 korrik 2011 dhe më 28 korrik 2011, në ora 15:00, A. M kishte vdekur.

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, më 16 shkurt 2017, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Zena.

Ndaj këtij aktgjykimi kishte bërë ankesë Prokuroria Themelore Gjakovë, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Më 11 prill 2018, Gjykata e Apelit, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë, me ç’rast aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, e ka anuluar dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Rusët bombardojnë Idlibin përkundër paralajmërimit të Trumpit

0

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha sot se avionët rusë kanë vazhduar sulmet e tyre ajrore në provincën rebele siriane të Idlibit, pas një qetësie që zgjati 22 ditë.

“Rusia mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad, ushtria e të cilit kreu sulme ajrore dhe artilerke gjatë kësaj periudhe”, raporton Reuters, transmeton zeri.info.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump e ka paralajmëruar më parë Assadin për të mos sulmuar provincën e Idlibit, ndërsa Rusinë dhe Iranin i ka paralajmëruar se pjesëmarrja e tyre në këtë “tragjedi potenciale njerëzore” do të ishte “gabim i rëndë humanitar”.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha dje se ekstremistët duhet të “zhduken” nga Idlibi, ndërsa Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se qeveria siriane i ka të gjitha të drejtat për “të pastruar” terrenin prej ekstremistëve në atë krahinë në veri të Sirisë./Zeri