24.4 C
Prizren
E hënë, 7 Korrik, 2025
Home Blog Page 4702

Hetohet kërcënimi me jetë i drejtorit të Komunës së Prizrenit

0

Policia në Prizren ka filluar hetimet për rastin e kërcënimit me jetë të drejtorit të Komunës, Ertan Simitçi.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Hazër Berisha tha se tashmë janë marrë provat materiale nga viktima.

“Pas publikimit të lajmit në media lidhur me kanosjen e drejtorit e Financave të Komunës së Prizrenit, në konsultim me prokurorin është kontaktuar viktima dhe janë marrë provat materiale”, tha Berisha për “PrizrenPress”.

Drejtori i Financave në Prizren, Ertan Simitçi, është kërcënuar me jetë.

Kërcënimet i ka marrë përmes rrjetit social “Facebook”.

“Kam pranuar disa mesazhe me përmbajtje kërcënuese me jetë”, tregon ai.

Ertan Simitçi, javën e kaluar ka ngritur kallëzim penal ndaj Gjergj Dedajt.

“Kërcënuesit do të japin llogari para drejtësisë”, tha Simitçi/ PrizrenPress.com/

Ejani ashtu siç jeni në “DokuFest”!

0

“Aq i fortë sa je”, “Aq i frikësuar sa je”, “Aq i bukur sa je”, “Aq krenar sa je”, “Aq i lënduar sa je”, “Ashtu siç jemi”, “Unë do të jem pasqyra jote” e slogane të ngjashme kanë mbuluar qytetin e Prizrenit, në të cilin po zhvillohet aktualisht edicioni i 17-të i festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest”. Me qëllim që Prizreni të shndërrohet në një vend ku imagjinohet përtej realitetit, ku reflektohet, mësohet dhe krijohet, organizatorët e “DokuFest”-it kanë vendosur që reflektimi të jetë në qendër të këtij edicioni. Kjo temë po shtjellohet përmes kampanjës së festivalit, si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, të ekspozitave digjitale, të bisedave me artistë, të punëtorive dhe të performancave muzikore shkruan sot gazeta “Zëri”.

Gjithsej në 260 do të mbërrijë numri i filmave që do të shfaqen deri në këtë të diele në Prizren (më 11 gusht) që nga hapja e këtij festivali të premten që lamë pas (më 2 gusht).

Festivali, i cili cilësohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në vend, ka mbledhur mysafirë jo vetëm nga Kosova, nga Shqipëria e rajoni, por edhe nga shumë vende perëndimore. Për të parë diversitetin e njerëzve që kanë ardhur në Prizren, edhe nëse ende nuk e keni vizituar “DokuFest”-in, mjafton t’i hidhni një sy projektit “Humans of ‘DokuFest’” që publikohet në faqen zyrtare të këtij festivali në “Facebook”. Fotografja Nita Zeqiri është vendosur për të dytin vit me radhë në qendër të Prizrenit për të vënë në objektivin e saj portretet e shumë njerëzve që vizitojnë “DokuFest”-in, e sivjet ata po ndajnë me Zeqirin mendimet e reflektimet e tyre. Filmbërës, aktorë, përfaqësues festivalesh, studentë e artdashës kanë marrë rrugën për në Prizren, ku i pret programi i filmave, punëtoritë, diskutimet e muzika dhe po bëhen kështu pjesë e albumit të Zeqirit.

Çaji vazhdon të shërbehet shumë në këtë qytet, por në grupet e njerëzve që mblidhen, diskutojnë e kalojnë kohë bashkë mbrëmjeve të “DokuFest”-it nuk mungojnë as birra e rakia në ndejat rreth çarshisë.

Në “DokuFest” takuam edhe Hannan dhe Axel Karlssonin, të ardhur nga Norvegjia në Prizren, për të marrë pjesë në festivalin për të cilin kanë dëgjuar shumë. Ata deklarojnë për gazetën “Zëri” se nga këtu do të kthehen me përshtypje të mira. “Miqtë tanë kanë qenë këtu vitin e kaluar dhe ne kemi dëgjuar shumë fjalë të mira për këtë festival. Sivjet vendosëm të vizitojmë rivierën shqiptare për të bërë plazh dhe pastaj të kthehemi në ‘DokuFest’. Festivali po na duket i mrekullueshëm. Kjo ngjarje po lidhet aq bukur me këtë qytet të vjetër. Programit të pasur po i shtohet veçantia me kinematë e rralla. Dje shikuam një film lart te kalaja dhe ishte vërtet bukur dhe thjesht, diçka e papërjetuar më parë”, tregon Hanna.

Edhe Agim Kastrati, shitës në Prizren, thotë për gazetën “Zëri” se kjo periudhë e vitit e ndryshon komplet këtë qytet dhe ritmin e jetës. “Si qytet me histori gjithmonë kemi pasur vizitorë, por edhe shumë bashkatdhetarë gjatë verës, mirëpo ‘DokuFest’-i është tjetër çështje. Disa javë para se të nisë në Prizren shihet energjia e parapërgatitjeve, mbërritja e mysafirëve dhe rritja e numrit të njerëzve për shumëfish. Këtu vijnë njerëz nga vende të ndryshme, të afërta dhe të largëta. Prizrenasit kanë mundësi edhe t’ua ofrojnë shtëpitë e tyre me qira. Personalisht me pëlqen të bisedoj me vizitorët. Të huajt sidomos janë shumë kureshtarë për Lidhjen e Prizrenit, për kalanë e për shatërvanin. Mendoj se edhe ne i presim mjaft mirë, prandaj edhe shumë prej tyre kthehen këtu çdo vit”, thotë Kastrati.

Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara GAP, të bërë në vitin 2015, përfituesit kryesorë nga ky festival dhjetëditor janë bizneset lokale në qytetin e Prizrenit, siç janë hotelet, qiradhënësit, restorantet, kafe-baret, shitësit ambulantë, por edhe bizneset në nivel kombëtar, si aviokompanitë, bankat dhe kompanitë e telekomunikacionit.

Ky festival po ashtu njihet për krijimin e mundësive për punësim, për krijimin e investimeve të reja, për ngritjen e të hyrave tatimore dhe për stimulimin e ekonomisë lokale përmes turizmit.

Të dhënat thonë se këtë festival e vizitojnë çdo vit më shumë se 15.000 pjesëmarrës./ZËRI/

DokuFest reflekton prapa, në kohën kur fotografitë ishin analoge

0

Të vegjlit të cilët janë bërë pjesë e DokuPhoto, kanë dalë sot rreth e rreth qyteti për të mbledhur objekte të ndryshme. Dikë e ka tërhequr një lule e dikë disa të tilla, e të tjerët kanë grumbulluar objekte të ndryshme të cilat i kanë gjetur në natyrë. 

Pastaj të gjithë së bashku të udhëhequr nga fotografja, Blerta Hoçia, janë kthyer në Gjimnazin “Loyola” ku në dhomën e errët kanë zhvilluar në mënyrë analoge fotografitë e gjësendeve të mbledhura.

Bleta Hoçia tregoi për KultPlus se interesimi i madh i fëmijëve ishte ajo që i la më së shumti mbresa. Gjithë kjo sipas saj pasi që njohuritë e tyre për fotografinë vijnë nga aparati digjital apo nga telefonat e mençur ku me një klikim realizohet një fotografi.

Prandaj e veçanta e ditës së sotshme ishte se fëmijët e zbuluan një mënyrë krejt tjetër të realizimit të fotografive, ku nuk kishin nevojë
aspak për një aparat fotografik.

“Mblodhëm objekte dhe u futëm në dhomën e errët dhe nga objektet që fëmijët mblodhën, të impresionuar nga drita mbi kartën e ndjeshme pra duke lënë shenjën mbi kartën. Pastaj këtë letrën e zhvendosëm të pjesa ku ajo zhvillohet dhe lahet nëpër vaska me acide të ndryshme”, sqaroi procedurën fotografja.

Një procedurë të cilën pastaj e vunë në praktikë të 10-të fëmijët që ishin pjesë e kësaj punëtorie. E sigurisht momenti kur nga letra e bardhë filloi që të shfaqej imazhi, u prit me shumë habi nga fëmijët.

“Prova e parë që pamë ishte shumë emocionuese pasi që ata nuk e prisnin që nga një letër e bardhë dhe me objektet që kishin mbledhur të krijohej një fotografi”. Dalloja nga komentet që të gjithë prisnin me pa durim se çfarë do dilte pasi që duhej disa minuta që të zhvillohet fotografia”, theksoi ajo.

Këtë proces fotografja Blerta Hoçia e konsideron një metodë shumë të mirë reflektuese për fëmijët dhe edukative njëkohësisht.

“Për mua është e rëndësishme që sa paku brezi i ri i fëmijëve të kuptojë se jo vetëm te fotografia por edhe në fushat e tjera, teknologjia nuk është e vetmja që t’i zgjedh punët. Ne kemi mundësi që të eksperimentojmë me shumë me resurset të cilat i kemi”, u shpreh ajo.

Rezultatet e punës së sotshme do të paraqiten në një ekspozitë e cila do jetë e hapur për të gjithë, në Qylhan më 8 gusht./ KultPlus.com

   

Në Prizren, ‘Çikat me Defa’

0

Në Prizren në kuadër të DokuFesti, në Kalanë e Qytetit, mysafirët e festivalit reflektuan  hyjneshat brenda tyre përmes performancës së Këngëve të Çikave.

Grupi i cili përbëhet nga dhjetë çika interpretuan këngë popullore të çikave me Def, të cilat këndohen për të shënuar ceremoni të ndryshme shoqërore. Performanca u përfshijë edhe këndimin e rrallë dhe karakteristik me gisht në fyt, specifikë për bareshat në Kosovë dhe që shërbente si një mënyrë për të komunikuar në distancë.

Performanca ka  filluar nga ora 20:00 dhe tashmë nëpër rrugët e kalldrëmta të qyteti po flitet për ‘Këngët me Defa’ që do jehojnë në Kala. Prandaj, KultPlus ka biseduar me anëtaren e grupit Merita Rama për të mësuar më shumë për grupin i cili përbëhet edhe nga Vahide Jusufi, Minivere Borovci, Egzona Ramaj, Rozafë Neziri, Kosovare Qerkini, Shqiponjë Grajqevci, Mimoza Hamiti, Valentina Haziri si dhe Gentiana Krasniqi.

Merita Rama është rritur duke dëgjuar nënën dhe gratë e tjera në familjen e saj duke kënduar e rënë defit. Madje këtij instrumenti ajo filloi që t’i binte edhe vet kur ishte fare e vogël.

“Ngjitet kana me pika të kuqe/ sonte je o bajrak nër nuse/ sonte je o bajrak nër nuseee”, e ka kënduar edhe nëna ime tregon ajo gjersa kujton veten të vogël duke vrapuar në shtëpi në kërkim të defit, e pasi që e gjente, ulej pranë shoqeve të saj dhe përsëriste fjalët që i kishte mbajtur mend nga nëna e saj Hatixhja.

“Nëna Hatixhe i ka ra shumë mirë defit nëpër dasma dhe festa të tjera në familje, unë jam rritur tu e degju dhe jam munduar që ta imitoj atë. Kur merrja komente të tilla si ‘Po i bie bukur si nëna jote’ gëzohesha shumë dhe vazhdoja gjithë ditën duke bërë muzikë nëpër shtëpi”, tregon Merita.
Ajo shprehet se dashurinë për muzikën e ka trashëguar edhe nga babi i saj, i cili ishte i njohur në fshatin e tyre në Koliq në regjionin e Gollakut.

“Babi i ka rënë fyellit në atë kohë dhe së bashku me burrat e tjerë të katundit janë bërë së bashku nëpër oda e kanë kënduar. Si fëmijë i mbajë mend kur afrohesha afër dhe i dëgjoja duke kënduar”, kujton me mallëngjim ajo.

Kështu nga tetë fëmijë sa kishte familja Rama disa prej tyre u morën me muzikë duke përfshirë këtu Meritën por edhe vëllezërit e saj të njohur për publikun si “Vëllezërit Rama”.

Merita ka kohë që është pjesë e Ansamblit “Shota” por njëkohësisht është edhe pedagoge në A.K.V. “Dëshmorët e Kombit”. Mirëpo, ajo gjithmonë ka dashur që së bashku me mikeshat e saj të krijonte edhe një grup ku përmes këngëve do reflektonin për gratë duke sjellë kështu historitë e tyre.
“Vendosëm që të bëjmë diçka tonën pra kjo është private, jashtë aktiviteteve me të cilat merremi në përditshmëri. Ne e njohim njëra-tjetrën që shumë kohë kështu që vendosëm të bashkohemi dhe të këndojmë. Tani marrim pjesë nëpër dasma, kanagjegje, e të tilla. Këtë vit morëm ftesë edhe nga DokuFesti që të i’u bashkohemi dhe jemi shumë të lumtura”, shprehet ajo.

Grupi tani ka mbledhur disa këngë të njohura si këngën“Kaj Lulie, niju të ura” të cilën do e sjellin edhe sonte.
/Kaj lulije e niju te ura ijeooo/ kaj lulije e niju te ura/ oooo tkan mashtrue dimijat me lula/ ooo tkan mashtrue dimiat me lula oooo/

“Për shumë vite, këto këngë ishin një nga mënyrat e pakta për femrat kosovare që të shprehnin veten. Ato na tregojnë histori të sinqerta dhe zëra shumë shpesh të padëgjuar dhe për ne janë një festë e forcës dhe krijimtarisë së femrave të Kosovës”, thekson ajo për KujltPlus.
Kjo performancë është organizaur nga DokuFest së bashku me CHwB, me qëllim të përbashkët për të shënuar trashëgiminë shpirtërore të Kosovës.

Disa nga këngët të cilat do sjellin para publikut, sonte në Kalanë e Prizrenit duke filluar nga ora 20:00 janë : Kënga e Rugovës, Kaj oj nane bashkë me mue, Lëshoni udhë e lëshoni sokak, , Kqyrni shoqe, Luli Belholla, O’dola n’bahqe e të tjera./ KultPlus.com

Prizren: Xheneta Gashi kujtohet me fotografi unike në dyvjetorin e vdekjes (VIDEO)

0

Sot është kujtuar Xheneta Gashi në dy vjetorin e vdekjes së saj.

Vajza katër vjeçare që kishte humbur jetën nga rrënimi i shtëpisë ku po jetonte, është kujtuar sot edhe nga ambasadori i Çekisë në Kosovë, Ivo Silhavy.

Ai madje kishte fotografuar vajzën e vogël, vetëm një ditë përpara se të ndërronte jetë, njofton Klan Kosova.

Kjo fotografi u vendos sot në vendin ku kishte ndodhur tragjedia.

Kronikë nga Merita Neziri.

 

Vëllai i vjedh euro motrës , por Policia ‘i hap’ probleme të tjera për çfarë i gjeti në shtëpi

0

Një vjedhje e pazakontë ka ndodhur në një banesë në Fier. Vëllai, i cili kishte shkuar për vizitë te motra e tij, e martuar, i ka vjedhur një sasi eurosh dhe është larguar qetë-qetë. Pas konstatimit, motra ka denoncuar dhe nga kontrolli në banesën e vëllait hajdut, policia “i ka hapur” probleme të tjera, sepse i gjeti dhe i bllokoi fishekë e kanabis.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier – Seksioni për narkotikët

Më datë 06. 08. 2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë Fier, për shtetasin G. Ç., vjeç 32, banues në Fier, pasi i ka vjedhur në banesë një sasi eurosh motrës së tij, shtetases A. Gj. vjeçe 29, banuese në Fier. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, iu gjetën e iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa fishekë dhe 4.3 gr., bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa. Nenet 283/1, 134 dhe 278/2 të Kodit Penal. 

Shiti djalin te pedofilët në internet, burg për nënën dhe partnerin e saj

0

Një grua që shiti të birin te pedofilët në rrjetin e zi është dënuar me 12 vite e 6 muaj burg nga një gjykatë në Gjermani.

Gjykata e Freiburgut dënoi po ashtu edhe partnerin e gruas, njerkun e djalit, me 12 vite burg. Djali ishte 9 vjeç kur filloi gjyqi në muajin Qershor.

Çifti gjerman, i moshave 48 dhe 39 vjeç, kishin abuzuar seksualisht edhe vetë me djalin për dy vite para se ta shisnin.

Rrjeti i zi është ajo pjesë e internetit ku nuk mund të arrish me motorët kryesorë të kërkimit.

Gjykata po ashtu vendosi të hënën edhe dënimin e një spanjolli me 10 vite burg për abuzim seksual ndaj të miturit. Në lidhje me të njëjtën çështje janë hetuar edhe 5 burra të tjerë.

Çifti gjerman u shpall fajtor për përdhunim, abuzim seksual me fëmijë, prostitucion me forcë dhe shpërndarje të materialeve pornografike për të mitur.

Djali tashmë është shpëtuar nga abuzuesit dhe jeton me prindër kujdestarë.

 

Suspendohen tre mjekë, nuk ishin në vendin e punës

0

Tre mjekë janë suspenduar nga puna e tre të tjerë janë dërguar në komisionin disiplinor përfshirë edhe dy infermierë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli.

Ministri ka treguar se është njoftuar nga Bordi i ShSKUK-së se gjatë një inspektimi që ka bërë drejtori i këtij institucioni mbrëmjen e kaluar në disa klinika nuk i ka gjetur në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë.

Ministri Ismaili tha se nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të falet nëse mungojnë në vendin e punës.

Ky është postimi i plotë i ministrit Ismaili në profilin e tij në “Facebook”:

“Porsa u njoftova nga Bordi i SHSKUK-së, se gjatë një inspektimi, të cilin e ka bërë drejtori i këtij institucioni Basri Sediu, gjatë natës së djeshme, në disa klinika nuk i ka gjetur fare në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë.

Si rrjedhojë, 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor përfshirë edhe 2 infermierë.

Duke e mirëkuptuar punën e vështirë dhe lodhjen e madhe që mund ta kenë gjatë ushtrimit të profesionit, mungesa në vendin e punës nuk e arsyeton askënd. Mungesa e tyre në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dikë.

Ne po punojmë çdo ditë që të përmirësojmë kushtet për personelin mjekësor në vend, siç bëmë ditë më parë duke rritur pagat e kujdestarive për ta, por çdokush që sillet në mënyrë të papërgjegjshme karshi punës dhe qytetarëve tanë, nuk e meriton të jetë aty.

Këtë sjellje nuk e meritojnë mijëra profesionistë shëndetësorë, të cilët e bëjnë punën e tyre me nder dhe përgjegjësi, që të njollosen nga raste të tilla. Prandaj, në këto situata, nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të falet.”

Gjykimi ndaj anëtarëve të OSHP-së, dëshmitar në seancën e radhës ish-kreu i këtij organi, Hysni Hoxha

0

Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, do të jetë dëshmitar, në rastin ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohen dy ish-kolegët e tij, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu.

Kjo, pasi që të martën, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka miratuar propozimin e prokurorit të rastit, Ibrahim Berisha, që në cilësi të dëshmitarit në rastin e anëtarëve të suspenduar të OSHP-së, të dëgjohet ish-kreu i këtij organi, Hysni Hoxha.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i ngarkon të akuzuarit se duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme rreth një tenderi për ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), së cilës i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Prokurori i rastit, Ibrahim Berisha, ka propozuar që në seancën e ardhshme të bëhet dëgjimi i Hoxhës, me arsyetimin se ai ka qenë kryetar i panelit shqyrtues dhe dëshmia e tij është e domosdoshme.

Hysni Hoxha, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe në polici, e sipas prokurorisë është e nevojshme të dëgjohet edhe para trupit gjykues, pasi sipas prokurorit Berisha, ai do të vërtetojë ecurinë e të gjitha veprimeve procedurale.

Sipas tij, në rastin konkret është bërë mbivotimi, ku Hoxha kishte votuar kundër, ndërsa të akuzuarit kishin votuar pro.

Prokurori Berisha, ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohen Ilmi Azemi që është pronar i kompanisë “Korabi” së bashku me Agon Sylën që është pronar i kompanisë “Florenti”, kompani të cilat me formimin e koncorsiumit kishin ofertuar në tenderin pranë MSFK-së, për furnizim me ushqim.

“Këta do të vërtetojnë pranë gjykatës procedurën e tenderimit, paraqitjen e ankesave ku të njëjtat ankesa janë shqyrtuar nga paneli shqyrtues”, ka deklaruar prokurori Berisha.

Mirëpo,  një propozim i tillë është refuzuar nga ana e trupit gjykues që kryesohet nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.

Avokati mbrojtës i Tefik Sylejmanit, Hekuran Haxhimusa, ka deklaruar se parimisht kundërshtojnë propozimin e prokurorisë për shkak se mendojnë se po bëhet me qëllim të zvarritjes së procedurës.

Ai ka thënë se Hysni Hoxha është deklaruar në polici për këtë çështje, ndërsa prokurori të njëjtin nuk e ka parë të arsyeshme ta ftojë në prokurori për të dhënë deklaratë e as që e ka propozuar në akuzë si dëshmitar.

Tutje, avokati Haxhimusa, ka thënë se në këtë rast konkret kanë të bëjnë me një dëmtim të FSK-së, të cilën rrethanë e ka sqaruar dëshmitari Afrim Maxhuni.

Ai ka kundërshtuar edhe propozimin e prokurorit që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve dy pronarët e kompanive.

“Sa i përket dëshmitarëve tjerë nga shkresat e lëndës del se të njëjtit janë pronar të koncorsiumit Florenti&Korabi të cilët kanë iniciuar këtë procedurë penale , po kjo ka të bëj me vendimin e dytë të OSHP-së dhe pikërisht për faktin pse nuk iu ka dhënë atij tenderi, të njëjtit nuk kanë të bëjnë me çështjen për çka akuzohen.  Me qëllim të mos zvarritet procedura jemi të pajtimit që deklarata në polici e Hysni Hoxhës të konstatohet e lexuar dhe të njëjtën ta pranojmë si të tillë, po ashtu edhe shkresat që kanë të bëjnë me pronarët e koncersiumit në fjalë”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, prokurori Berisha, ka thënë se Hysni Hoxha do të deklarojë më shumë se sa në polici dhe se do t’i shpjegojë me detaje procedurat.

“Nuk kemi të bëjmë vetëm me furnizim me ushqim por edhe me nxjerrën e vendimeve të kundërligjshme pa kuorum”, ka thënë prokurori Berisha.

Mbrojtja ka vazhduar që të kundërshtojë propozimet e prokurorisë, e sipas së cilës janë në kundërshtim edhe me aktvendimin për fillimin e hetimeve lidhur me këtë çështje penale.

“Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve janë marr veprime hetimore për tenderin e MSFK, ndërsa nuk e di çfarë dokumente tjera, edhe autorizimet e policisë nga prokuroria kanë qenë për të zhvilluar hetime vetëm sa i përket këtij tenderi. Pretendimet e prokurorit nuk mund të jenë objekt shqyrtimi jashtë autorizimeve në aktvendimin për fillimin e hetimeve të cilat i ka dhënë vet ky prokuror”, ka deklaruar avokati Haxhimusa.

Sipas tij, dëshmitari Afrim Maxhuni, mundet me dhënë sqarime lidhur me dëmin që i është shkaktuar MSFK-së, të cilat edhe i ka dhënë para gjykatës.

“Ky është thelbi i akuzës, ndërsa dëshmitarët e tjerë që po i propozon prokuroria, asnjëri nuk munden të dëshmojnë për këtë rrethanë”, ka vazhduar duke thënë avokati Haxhimusa.

Kurse, avokati mbrojtës i Ekrem Salihit, Blerim Pestreshi ka thënë se rrethanat në të cilat prokurori kërkon që të ftohet në cilësi të dëshmitarit Hysni Hoxha janë rrethana që kanë të bëjnë ekskluzivisht me të drejtën e votës që garantohet me Kushtetutë e me ligj.

“Akuza nuk ka të bëj me shkeljen e të drejtës së votës apo mbivotimin, por ka të bëj me pretendim lidhur me dyshimin se është shkaktuar një dëm në MSFK, i cili pretendim konsideroj se përfundimisht u shua me dëshminë e dëshmitarit Afrim Maxhuni”, ka thënë ai.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, pasi informoi palët se është aprovuar propozimi që të dëgjohet si dëshmitar Hysni Hoxha, ka thënë se meqenëse ka dëshmitarë të ri të propozuar nuk mund të procedohet tutje me shqyrtimin gjyqësor.

Seanca e ardhshme në këtë rast është caktuar të mbahet më 13 shtator, me fillim nga ora 14:30.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 31 korrik,  drejtori i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MSFK), Afrim Maxhuni, kishte deklaruar se nuk janë dëmtuar materialisht në tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)”.

“Për procedura të stërzgjatura, kemi qenë të detyruar të bëjmë prokurime emergjente dhe autoriteti kontraktues është bazuar në kontratën paraprake dhe konsideroj që në aspektin material nuk ka pasur dëmtim se jemi nisur prej kontratës bazë që ka qenë kontratë me çmime publike përjashtimisht që konsideroj vetëm në afate kohore që kemi pasur vonesa, jo dëmtime materiale.”, kishte thënë ai.

Sipas aktakuzës, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, duke shfrytëzuar pozitën e tyre si anëtarë të OSHP-së, nga viti 2015 e deri më 19 maj 2016, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke vepruar në dëm të autoritetit kontraktues “Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, që kishte shpallur tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK)-Loti 1”.

Për këtë tender kishin aplikuar operatorët ekonomikë N.H “Amazona”, “Oda Grup” SH.A, “Global Parajsa” dhe “Ciani Trading Servis”, SH.P.K “Beni Dona”, Plus dhe NPT. “Florenti dhe Korabi”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit në kundërshtim me ligjin e kanë aprovuar ankesën operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company”, për tenderin “Furnizim përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) de MFSK-së-Loti 1”, dhe si pasojë kanë anuluar operatorët ekonomikë si të papërgjegjshëm.

Sipas prokurorisë, ka pasur më tepër se dy operatorë ekonomikë të përgjegjshëm të cilët me dokumentacion të kompletuar kanë marrë pjesë në tenderin e FSK-së dhe MFSK-së, por të akuzuarit e kanë kthyer tenderin në rivlerësim dhe e kanë shpallur të pavlefshëm.

Këtë vendim mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, prokuroria pretendon se të akuzuarit, e kanë bërë duke votuar pa kuorum, me vetëm dy anëtarë.

Në bazë të aktakuzës, me këtë vendim, Tefik Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OSHP-së, dhe në të ka nënshkruar vet Sylejmani, e po ashtu edhe i akuzuari tjetër Ekrem Salihu.

Me anë të këtyre veprimeve, të akuzuarit pretendohet se i kanë sjellë dëm të konsiderueshëm material FSK-së dhe MFSK-së, të cilët më pas është dashur që të veprojnë në mënyrë emergjente për furnizimin me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së./betimiperdrejtesi/

Zhuri “bombardon” Haskukën 

0

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, është përballur sot me kërkesat e banorëve të fshatit Zhur.

Në shoqërim të kryetarit, në këtë takim kanë qenë shumica e drejtorëve, ndërsa ndonëse interesimi i banorëve të Zhurit dhe fshatrave për rreth nuk ishte shumë i madh, u paraqit një numër  i madh i kërkesave të lagjeve të Zhurit dhe fshatrave përreth.

Takimin e hapi nënkryetari i Komunës Eshrerf Memaj, i cili i njoftoi të pranishmit se ky takim organizohet për t’i marr sugjerimet dhe kërkesat e banorëve të Zhurit dhe fshatrave përreth.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, pasi i njoftoi të pranishmit se projektet që realizohen këtë vit janë planifikim nga qeverisja e kaluar, tha se nuk është mundur të shkohet shumë përpara, për shkak të shumë problemeve të trashëguara, ndërsa njëri ndër to është edhe mungesa e rishikimit të buxhetit.

Ai tha se është i njoftuar me problemet rreth Shtëpisë së Kulturës, stadiumit e tjera tha se Komuna nuk e ka shkopin magjik për t’i zgjidhur menjëherë problemet, por e ka vullnetin që në planifikimet e buxhetit për vitin e ardhshëm të përfshihen sa më shumë projekte për realizim.

Drejtori i Financave Ertam Simitçi, njoftoi për buxhetin dhe pozicionet buxhetore. Ai gjithashtu njoftoi për agjendën e njoftimeve publike dhe takimin e fundit në Kuvend ku do të miratohet përfundimisht.

Kryetari i fshatit Zhur, Behar Begaj paraqiti shqetësimet e fshatit, mungesën e kanalizimit në lagjet e reja, mungesën e ujit, duke nënvizuar se ai vazhdimisht i paraqet si Kuvendar këto shqetësime, ndërsa ka pasur takime edhe me drejtorët e ekzekutivit, dhe shprehu besimin se këto probleme do të zgjidhen duke filluar nga viti 2019.

Kuvendari tjetër nga kjo anë Petrit Hoxha, kërkoi që në fshatin Kobaj të realizohet projekti i kanalizimit si dhe të bëhet rrethimi i oborrit të shkollës.

Adil Memaj, aktivistë i kësaj ane, në emër të Forumit virtual “Forumi i Zhurit”, të cilën e administron tha se pas debateve në këtë forum kanë dalë edhe shqetësimet dhe kërkesat për fshatrat e kësaj ane. Ai pasi i theksoi disa nga shqetësimet kryesore, tha se është  hartuar një listë me kërkesa të cilën e dorëzoi me shkrim.

Në këtë takim banorët e lagjeve të reja në Zhur, gjithashtu, paraqitën si shqetësim mungesën e kanalizimeve.

Në këtë takim u ngrit edhe shqetësimi i udhëtimit të nxënësve të lagjes Gurisht, dhe problematika të tjera të fshatit./prizrenisot.com/

Kërkesa nga banorit e Zhurit dhe rrethinës të bëra në rrjetin online Zhuri – Forum drejtuar Komunës së Prizrenit:

Zhur

  1. Furnizimi i dobët me ujë të pijshëm në “Lagjen Gurishte”. (për mbi 16 shtëpi).
  2. Mirëmbajtja e vazhdueshme e ndriçimit të rrugëve, pasi dëmtohen vazhdimisht.
  3. Ndërtimi i më shumë urave mbi autostradë që lidhin pjesën e Gomnit.
  4. Stacion të caktuar të autobusëve.
  5. Kopsht për fëmijë.
  6. Emërtimi i rrugëve, regjistrimi i shtëpive me numra dhe adresa të caktuar.
  7. Librari dhe hapësirë leximi brenda shtëpisë së kulturës.
  8. Një rrugicë për këmbësorë dhe biçikleta në linjën Zhur-Shkozë-Vërmicë! (me ndriçim publik).
  9. Kanalizim për 55 shtëpi në Lagjen e Re në Zhur.
  10. Organizimi i një manifestimi kulturorë si shenjë mirënjohje ndaj mërgatës.
  11. Zhvillimi i infrastrukturës për turizëm malorë në bjeshkët tona të Koretnikut.
  12. Hulumtimi i ujit (puseve) mbi Malet e Koretnikut..
  13. Mundësia e zbritjes së çmimit të biletave nga agjensit e udhëtimeve për kategoritë në nevojë.
  14. Zgjatja e orarit të udhëtimit përtej orës 19:30 në linjën Zhur – Prizren
  15. Organizimit i një aktiviteti artistik si form mikëpritje për mërgatën.
  16. Zgjatja e orarit të Ambulantes së Zhurit.
  17. Ofrimi i një shërbimi specialisik nga Ambulanta e Zhurit.

Vlashnje

  1. Zgjedhja e problemit të ndërtimit të vrazhdë në tokat pjellore.
  2. Izolimi i autostradës gjatë pjesës kah fshatë Vlashnje për shkak të zhurmës që krijon lëvizja e makinave .
  3. Zgjidhja e problemit të ujit të pijes, kanalizimit dhe rrymës për banorët dhe bizneset që gjenden prej rrethit të anës jugore të autostradës deri tek rruga për në fshatin Poslisht.

Kobaj

  1. Rregullimi i një mini fushe sportive.
  2. Rregullimi i furnizimit me ujë të pijes
  3. Rregullimi i tri Kullave Historike në Kobin e vjeter
  4. Rregullimi Ambullantes.
  5. Sigurimi I ujit të pijes për kafshët në Kobin e Vjetër.
  6. Rregullimi I rrethojave në shkollën fillore të Kobajt.
  7. Rregullimi I rrugës kah bunarët në drejtim të kullave në Kobaj.
  8. Rregullimi i disa mini kanalizimeve, dhe rrugicave.

Vërmicë

  1. Shpallja Zonë Turistike Fshatin Vërmicë.
  2. Ngritjen e nje memoriali buze kufirit kushtuar gjithe vuajtjeve te ndarjes mes dy pjeseve te kombit dhe perpjekjeve per bashkim.
  3. Kërkesa për ndihm ndaj fermerve të fshatit me sigurimin e kafshëve dhe krijimin e kushteve më të mira për bujqësi.