11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Gjykimi ndaj anëtarëve të OSHP-së, dëshmitar në seancën e radhës ish-kreu i këtij organi, Hysni Hoxha

Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, do të jetë dëshmitar, në rastin ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohen dy ish-kolegët e tij, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu.

Kjo, pasi që të martën, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka miratuar propozimin e prokurorit të rastit, Ibrahim Berisha, që në cilësi të dëshmitarit në rastin e anëtarëve të suspenduar të OSHP-së, të dëgjohet ish-kreu i këtij organi, Hysni Hoxha.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i ngarkon të akuzuarit se duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme rreth një tenderi për ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), së cilës i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Prokurori i rastit, Ibrahim Berisha, ka propozuar që në seancën e ardhshme të bëhet dëgjimi i Hoxhës, me arsyetimin se ai ka qenë kryetar i panelit shqyrtues dhe dëshmia e tij është e domosdoshme.

Hysni Hoxha, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe në polici, e sipas prokurorisë është e nevojshme të dëgjohet edhe para trupit gjykues, pasi sipas prokurorit Berisha, ai do të vërtetojë ecurinë e të gjitha veprimeve procedurale.

Sipas tij, në rastin konkret është bërë mbivotimi, ku Hoxha kishte votuar kundër, ndërsa të akuzuarit kishin votuar pro.

Prokurori Berisha, ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohen Ilmi Azemi që është pronar i kompanisë “Korabi” së bashku me Agon Sylën që është pronar i kompanisë “Florenti”, kompani të cilat me formimin e koncorsiumit kishin ofertuar në tenderin pranë MSFK-së, për furnizim me ushqim.

“Këta do të vërtetojnë pranë gjykatës procedurën e tenderimit, paraqitjen e ankesave ku të njëjtat ankesa janë shqyrtuar nga paneli shqyrtues”, ka deklaruar prokurori Berisha.

Mirëpo,  një propozim i tillë është refuzuar nga ana e trupit gjykues që kryesohet nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.

Avokati mbrojtës i Tefik Sylejmanit, Hekuran Haxhimusa, ka deklaruar se parimisht kundërshtojnë propozimin e prokurorisë për shkak se mendojnë se po bëhet me qëllim të zvarritjes së procedurës.

Ai ka thënë se Hysni Hoxha është deklaruar në polici për këtë çështje, ndërsa prokurori të njëjtin nuk e ka parë të arsyeshme ta ftojë në prokurori për të dhënë deklaratë e as që e ka propozuar në akuzë si dëshmitar.

Tutje, avokati Haxhimusa, ka thënë se në këtë rast konkret kanë të bëjnë me një dëmtim të FSK-së, të cilën rrethanë e ka sqaruar dëshmitari Afrim Maxhuni.

Ai ka kundërshtuar edhe propozimin e prokurorit që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve dy pronarët e kompanive.

“Sa i përket dëshmitarëve tjerë nga shkresat e lëndës del se të njëjtit janë pronar të koncorsiumit Florenti&Korabi të cilët kanë iniciuar këtë procedurë penale , po kjo ka të bëj me vendimin e dytë të OSHP-së dhe pikërisht për faktin pse nuk iu ka dhënë atij tenderi, të njëjtit nuk kanë të bëjnë me çështjen për çka akuzohen.  Me qëllim të mos zvarritet procedura jemi të pajtimit që deklarata në polici e Hysni Hoxhës të konstatohet e lexuar dhe të njëjtën ta pranojmë si të tillë, po ashtu edhe shkresat që kanë të bëjnë me pronarët e koncersiumit në fjalë”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, prokurori Berisha, ka thënë se Hysni Hoxha do të deklarojë më shumë se sa në polici dhe se do t’i shpjegojë me detaje procedurat.

“Nuk kemi të bëjmë vetëm me furnizim me ushqim por edhe me nxjerrën e vendimeve të kundërligjshme pa kuorum”, ka thënë prokurori Berisha.

Mbrojtja ka vazhduar që të kundërshtojë propozimet e prokurorisë, e sipas së cilës janë në kundërshtim edhe me aktvendimin për fillimin e hetimeve lidhur me këtë çështje penale.

“Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve janë marr veprime hetimore për tenderin e MSFK, ndërsa nuk e di çfarë dokumente tjera, edhe autorizimet e policisë nga prokuroria kanë qenë për të zhvilluar hetime vetëm sa i përket këtij tenderi. Pretendimet e prokurorit nuk mund të jenë objekt shqyrtimi jashtë autorizimeve në aktvendimin për fillimin e hetimeve të cilat i ka dhënë vet ky prokuror”, ka deklaruar avokati Haxhimusa.

Sipas tij, dëshmitari Afrim Maxhuni, mundet me dhënë sqarime lidhur me dëmin që i është shkaktuar MSFK-së, të cilat edhe i ka dhënë para gjykatës.

“Ky është thelbi i akuzës, ndërsa dëshmitarët e tjerë që po i propozon prokuroria, asnjëri nuk munden të dëshmojnë për këtë rrethanë”, ka vazhduar duke thënë avokati Haxhimusa.

Kurse, avokati mbrojtës i Ekrem Salihit, Blerim Pestreshi ka thënë se rrethanat në të cilat prokurori kërkon që të ftohet në cilësi të dëshmitarit Hysni Hoxha janë rrethana që kanë të bëjnë ekskluzivisht me të drejtën e votës që garantohet me Kushtetutë e me ligj.

“Akuza nuk ka të bëj me shkeljen e të drejtës së votës apo mbivotimin, por ka të bëj me pretendim lidhur me dyshimin se është shkaktuar një dëm në MSFK, i cili pretendim konsideroj se përfundimisht u shua me dëshminë e dëshmitarit Afrim Maxhuni”, ka thënë ai.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, pasi informoi palët se është aprovuar propozimi që të dëgjohet si dëshmitar Hysni Hoxha, ka thënë se meqenëse ka dëshmitarë të ri të propozuar nuk mund të procedohet tutje me shqyrtimin gjyqësor.

Seanca e ardhshme në këtë rast është caktuar të mbahet më 13 shtator, me fillim nga ora 14:30.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 31 korrik,  drejtori i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MSFK), Afrim Maxhuni, kishte deklaruar se nuk janë dëmtuar materialisht në tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)”.

“Për procedura të stërzgjatura, kemi qenë të detyruar të bëjmë prokurime emergjente dhe autoriteti kontraktues është bazuar në kontratën paraprake dhe konsideroj që në aspektin material nuk ka pasur dëmtim se jemi nisur prej kontratës bazë që ka qenë kontratë me çmime publike përjashtimisht që konsideroj vetëm në afate kohore që kemi pasur vonesa, jo dëmtime materiale.”, kishte thënë ai.

Sipas aktakuzës, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, duke shfrytëzuar pozitën e tyre si anëtarë të OSHP-së, nga viti 2015 e deri më 19 maj 2016, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke vepruar në dëm të autoritetit kontraktues “Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, që kishte shpallur tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK)-Loti 1”.

Për këtë tender kishin aplikuar operatorët ekonomikë N.H “Amazona”, “Oda Grup” SH.A, “Global Parajsa” dhe “Ciani Trading Servis”, SH.P.K “Beni Dona”, Plus dhe NPT. “Florenti dhe Korabi”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit në kundërshtim me ligjin e kanë aprovuar ankesën operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company”, për tenderin “Furnizim përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) de MFSK-së-Loti 1”, dhe si pasojë kanë anuluar operatorët ekonomikë si të papërgjegjshëm.

Sipas prokurorisë, ka pasur më tepër se dy operatorë ekonomikë të përgjegjshëm të cilët me dokumentacion të kompletuar kanë marrë pjesë në tenderin e FSK-së dhe MFSK-së, por të akuzuarit e kanë kthyer tenderin në rivlerësim dhe e kanë shpallur të pavlefshëm.

Këtë vendim mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, prokuroria pretendon se të akuzuarit, e kanë bërë duke votuar pa kuorum, me vetëm dy anëtarë.

Në bazë të aktakuzës, me këtë vendim, Tefik Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OSHP-së, dhe në të ka nënshkruar vet Sylejmani, e po ashtu edhe i akuzuari tjetër Ekrem Salihu.

Me anë të këtyre veprimeve, të akuzuarit pretendohet se i kanë sjellë dëm të konsiderueshëm material FSK-së dhe MFSK-së, të cilët më pas është dashur që të veprojnë në mënyrë emergjente për furnizimin me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Guardiola: Gara për titull është e hapur

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është shprehur i kënaqur me fitoren e thellë 4-0 në udhëtim te Brightoni. “Jap shumë merita sepse e njoh...

Zhdukja e polices në Rahovec, ish-koloneli: Kolegët janë duke punuar sistematikisht për gjetjen e saj

Një zyrtare policore është raportuar e zhdukur në komunën e Rahovecit, nga dita e diele. Në lidhje me si trajtohen zhdukjet ka folur ish-koloneli i...

Lajmet e Fundit