21.6 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025
Home Blog Page 4878

Zbulohen letrat intime të Dritëro Agollit të viteve ‘60

0

Letrat intime të Dritëro Agollit të shkruar ndërmjet viteve 1964-1965, menjëherë pas njohjes dhe lidhjes së fortë me Sadijen, në një botim të ri, një letërkëmbim që shkrimtari e kishte sistemuar në gjallje të tij si një koleksion i gatshëm për botim

E dashur Sadije! Unë prapë jam i lumtur. Ne me të vërtetë e duam kaq shumë njëri-tjetrin. Ne nuk e kuptojmë, po të gjitha këto çqetësime janë vetëm nga dashuria e madhe. Nuk ka dashuri të mirë pa çqetësime e zemërime. Këto e bëjnë të bukur dashurinë. Unë nuk nisem kurrë nga frika për të mos humbur ty, po nga dhembja e tmerrshme se të dua si djalli. Ti ndofta nuk e kupton shumë e nuk e ndjen shumë, se unë jam një surrat pekmes që nuk e çfaq aq fort. Sikur mos të të marr ty unë, do të mos martohem gjer të vdes, sikur ta di se do shkoj në pleqëri në azilen e pleqve! Po ti nga unë s’ke ku të shkosh sikur kushedi ç’të bëhet…

Janë disa rreshta të një prej letrave që shkrimtari Dritëro Agolli i drejton bashkëshortes së tij, Sadijes, një emblemë që ka shoqëruar jetën e tij, dhe tashmë është një rast pothuaj solemn që tufa e letrave intime që ndanin mes tyre zbulohen për lexuesin në një libër dedikues.

Është botimi më i ri shtëpisë botuese “Dritëro”: “Dashuri në moshën e Krishtit”, një koleksion letrash intime kur zuri fill dashuria e çiftit Agolli, të shkruara ndërmjet viteve 1964-1965, menjëherë pas njohjes dhe lidhjes së fortë me njëri-tjetrin. Njëri në Tiranë e tjetri në Shkodër, gjatë atyre dy viteve pritjeje për t’u bashkuar për gjithë jetën, ata shkruan shumë letra dashurie. Letra shkroi dhe Sadija për Dritëro Agollin, dhe ato përfshihen në këtë vëllim. Janë 44 letra të shkruara nga Dritëroi dhe 20 nga Sadija. Kanë qenë pa dyshim më shumë, por, në fashikullin Letërkëmbimi me Sadijen, 1964-1965, që shkrimtari e kishte sistemuar në gjallje të tij si një koleksion i gatshëm për botim, kaq janë ruajtur.

“Një libër që drithëron me drithërimat e një dashurie të jashtëzakonshme: Vajza shkodrane, e bukur, tekanjoze, plot ëndrra, ngjiz një dashuri të lakmueshme për shumëkënd me shkrimtarin e madh, me pasion të çmendur, me një shpirt si të rrallët e kësaj bote, me një kod ndjenje të deshifrueshëm vetëm nga ata të dy”.

Letërkëmbimi intim i Dritëro Agollit me Sadijen është vetëm një pjesë e epistolarit të tij. Si fashikuj më vete ruhen gjithashtu letrat me njerëz të njohur, letrat me lexuesit dhe letra të ndryshme. Por pjesa më e madhe e epistolarit të Dritëro Agollit ruhet në arkivat familjarë të miqve të tij. Koleksioni që botohet në këtë libër ka shumë rëndësi jo vetëm për të njohur botën brenda shkrimtarit, por dhe për faktin se tradita e letërkëmbimit intim në Shqipëri është shumë e varfër. Kanë ndikuar shumë faktorë për kufizimet e kësaj forme të shkruari, që nga analfabetizmi deri te kontrolli shtetëror mbi korrespondencën.

“Letërkëmbimi i Dritëro Agollit, si çdo letërkëmbim, i është adresuar një lexuesi të vetëm, së dashurës. Por nuk mund të përjashtohet dhe një lexues i projektuar, lexues i së ardhmes, lexues publik. Fakti që vetë shkrimtari i kishte sistemuar në një fashikull, duke i lënë të gatshme për atë që do të donte t’i botonte provon se ky letërkëmbim qysh kur u shkrua ka pasur dy regjistra komunikimi: i pari si letra dashurie dhe i dyti si letërsi pasioni. Stilistikisht është shumë e lehtë të dallohet D. Agolli si letërshkrues, si kumtues, prej D. Agollit si shkrimtar brenda të njëjtit koleksion letrash”, thotë botuesi.

Behrami lider në Evropë për duele të fituara

0

Rastësisht nuk e ka nofkën “Luftëtari”. Mesfushori Valon Behrami është luftëtar i vërtetë në fushë. Kundërshtarët e tij kanë parasysh se përballë tij nuk e kanë të lehtë dhe se nuk do të kursehen në duele, transmeton Koha Ditore.

Kur vjen puna te duelet e suksesshme, mesfushori defensiv është lider në Evropë. Behrami rangohet i treti në renditjen e përgjithshme për duelet e fituara në dhjetë vjetët e fundit. Por nëse merret për bazë koha e kaluar në fushë, ai është lider, pasi ka më pak minuta të kaluara në fushë në 10 vjetët e fundit se dy të parët e listës. Ka mesataren më të mirë të dueleve të fituara.

Qendra e statistikave të futbollistëve “OptaSports” ka nxjerrë të gjitha duelet e lojtarëve nga top-pesë ligat e Evropës: Anglia, Spanja, Gjermania, Franca dhe Italia. Periudha e këtyre dueleve të analizuara është prej edicionit 2008/09 e deri më tash.

SHBA reagon për dëbimin e diplomatëve, Rusia nuk është e interesuar për dialog

0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se nuk ka asnjë justifikim për vendimin e sotëm të Rusisë për të dëbuar 60 diplomatë amerikanë dhe për të mbyllur konsullatën amerikane në Shën Petersburg.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së njoftoi sot se një vendim i tillë nga Rusia tregon se Moska nuk është e interesuar për diplomacinë dhe se Uashingtoni rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime të mëtejshme.

Liria synon Evropën e Besa shpëtimin

0

Të premten, rikthehet Superliga e Kosovës në futboll, me përballjen ndërmjet Lirisë dhe Besës, që do të luhet në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, në orën 14:00, raporton KTV.

Ky ballafaqim ka synime krejtësisht të kundërta. Liria e kërkon daljen në Evropë dhe momentalisht pozicionohet në vendin e tretë me 41 pikë, tri më pak se liderja, Drita.

Nga ana tjetër, Besa synon mbetjen në elitën e futbollit tonë dhe në tabelë është në zonën e barazhit, në pozitën e 10-të me 17 pikë, dy më shumë se Flamurtari i vendit të parafundit.

Trajneri i Lirisë, Bledi Shkëmbi, deklaroi para takimit se do të jetë e vështirë marrja e pikëve si me ekipet sipër tabelës, si me ato që pozicionohen më poshtë. Nga ana tjetër, homologu i tij, Valdet Shoshi, tha se pavarësisht se luan kundër një skuadre të fortë, jo gjithmonë fitojnë ata që favorizohen në letër.

Në këtë përballje, të dyja skuadrat hyjnë me mungesa.

Sa u përket përgatitjeve të sigurisë, Liria ka mbajtur mbledhje dhe anëtarët e kryesisë kanë kërkuar nga tifozët mbështetje maksimale dhe anim korrekt, për të mos u përsëritur skenat e njëjta si me ndeshjen me Vëllaznimin, ku u hodhën shishe në fushë, e ku Komisioni Disiplinor e dënoi klubin prizrenas me 1 mijë euro.

© 

‘Lkeni i Hasit”, në baltë

0

Ankesat e banorëve të rrugës ”Lkeni i Hasit” janë të vjetra tash e disa vjet. Xhevat Morina, banor i kësaj lagjeje, shprehet për gazetën se tani e sa vite përballen me një hall të madh për asfaltimin e rrugës së tyre, pasi është e vetmja rrugë në këtë lagje që ka mbetur e paasfaltuar.

“Prandaj, kjo edhe po ua vështirë- son qarkullimin, duke e bërë jetën të padurueshme për këta banorë, e veçanërisht për nxënësit që shkojnë në shkollë”. Pas të reshurave, banorët thonë se qarkullimi vështirësohet edhe më shumë, por edhe gjatë stinës së dimrit, banorët shprehen se disa herë kanë bërë kërkesë në organet komunale që edhe kjo rrugë të rregullohet”, thotë Morina.

 

Xhevat Morina shprehet se që 10 vjet janë në këtë lagje dhe kanë vështirësi të shumta, sidomos gjatë dimrit dhe kur ka të reshura. “Në këtë rrugë mezi kalohet me vetura, e më keq po e kanë nxënësit që po shkojnë në shkollë. Ata të befasuar pyesin se si vetëm kjo rrugë, për dallim nga rrugët e tjera të lagjes, ka mbetur në këtë gjendje të mjeruar”. Kjo rrugë është e parregulluar që nga pas lufta, tregon një banor tjetër i kësaj lagje. Haxhi Berisha shprehet se të gjithë banorët sa janë në këtë lagje, rreth 12 shtëpi, kanë probleme me këtë rrugë. “Kemi qenë në Komunë për të kërkuar që të na e rregullojnë rrugën, por deri më tani nuk kanë bërë asnjë veprim. Premtime ka kur ndodhin fushatat zgjedhore. Atëherë kemi një mal premtimesh se do ta rregullojmë këtë rrugë, hidhet edhe ndonjë lopatë zhavorri vetëm sa për të kaluar ato premtime. Por ne jemi këmbëngulës që të rregullohet kjo rrugë”, thotë Berisha.

 

Këta banorë të kësaj lagjeje shpresojnë që këtë vit Drejtoria e Shërbimeve Publike do të gjejë mundësitë për rregullimin e kësaj rruge dhe t’ua lehtësojë qarkullimin e lirshëm banorëve. Së paku që kjo rrugë të mos bëhet liqen kur bie shi e borë. Kurse drejtori i Shërbimeve Publike, Levent Kasëmi, për “Kosova Sot”, theksoi se ka një vijë buxhetore për lagjen” Arbana”, duke thënë se e di që ka nevoja shumë, por ka edhe shtëpi ndërtimi edhe pa leje. Ai beson se këtë vit do të ndihmojnë për asfaltim të kësaj rruge. Megjithatë, banorët e kësaj lagjeje shpresojnë se këtë vit do të gjendet mundësia që të rregullohet infrastruktura e kësaj rruge. Ata thotë se nuk do të ndalen së kërkuari që të meremetohet kjo rrugë.

(Kosova Sot)

Putin “flakë për flakë” me Trump, Rusia dëbon 60 diplomatë amerikanë

0

Rusia ka njoftuar pasditen e sotme vendimin për të dëbuar 60 diplomatë amerikanë, si kundërpërgjigje për vendimin e Trump, i cili mbështeti Britaninë, duke e quajtur sulm të egër kundër bashkësisë ndërkombëtare, helmimin e ish-agjentit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në Londër.

Por njësoj si Trump që mbylli konsullatën në Siettel, edhe Putin ka mbyllur konsullatën e Shën Petersburgut për amerikanët.

Lëvizjet u njoftuan nga Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ky vendim i Rusisë përshkallëzon edhe më tepër tensionet mes saj dhe Perëndimit, në një kohë që Britania e Madhe është e vendosur të çojë deri në fund hetimin për rastin Skripal dhe i qëndron stoike idesë se pas agjentit Novichok fshihet dora e Putin.

Ndërkohë më shumë se 20 vende kanë dëbuar të dërguarit rusë, në solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar.

Në UPZ promovohet fjalori enciklopedik për ekonomi anglisht-italisht-shqip

0

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të enjten është bërë promovimi i fjalorit enciklopedik shpjegues anglisht-italisht-shqip nga lëmi i ekonomisë i autorit nga Shqipëria, prof. Ilir Hoti, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Në promovimin e librit kanë marrë pjesë, ish-gruaja e profesorit të ndjerë Dhurata Hoti, profesoresha Brunilda Liçaj e Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës, dekani i Fakultetit të Ekonomisë, prof. dr. Halil Kukaj dhe prof. dr. Artan Nimani, profesor në këtë fakultet dhe anëtar i Këshillit Drejtues të UPZ-së. Puna autorit të ndjerë, prof. Ilir Hoti në këtë fjalor u vlerësua lartë nga folësit në këtë promovim”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Me këtë rast, profesoresha Brunilda Liçaj dhe Dhurata Hoti kanë dhuruar një fond të caktuar të librave për UPZ-në.

Përfshihet nga zjarri një veturë në Prizren

0

Një veturë është përfshirë nga zjarri në hyrje të qytetit të Prizrenit, konkretisht në dalje të Autostradës Arbanë- Dushanovë.

Një lexues i “Indeksonline” ka dërguar një fotografi në redaksi ku shihet se si është kapluar nga zjarri një veturë e tipit wolsfagen ‘golf 2’.

Nuk dihet se a ka të lënduar, veçëse dëmeve të mëdha material. Më poshtë shikoni pamjet:

 

Vilajeti i Hashimit

0

IMER MUSHKOLAJ

Si të ishte Kosova diktaturë, e jo republikë parlamentare, Hashim Thaçi bën çfarë t’i dojë qejfi. Pa e konsultuar kryeministrin dhe duke e keqpërdorur pozitën prej presidenti, në emër të shtetit, që e konsideron pronë të veten, vilajet të vetin, ai ndërmerr veprime për interesa të tij personale. Ky njeri është i rrezikshëm. Ky njeri duhet të ndalet.

Hashim Thaçi e konsideron Kosovën pronë të veten, me të cilën mund të bëjë çfarë të dojë. E konsideron si vilajet të vetin. Ai nuk njeh kushtetutë e ligje, nuk njeh institucione e përgjegjësi, nuk njeh procedura. Vepron si do vetë dhe çfarë do vetë, pa e pyetur askënd. Nuk ka si të arsyetohen ndryshe veprimet e tij të katër ditëve të fundit, veçse si veprime të një autokrati i cili, për interesa personale, është në gjendje të bëjë gjithçka. Nuk njeh ndarje pushtetesh, nuk njeh qeveri, i ka në dorë njerëzit në krye të Policisë, AKI’së e institucioneve të tjera.

Tre muaj pas aventurës së rrezikshme me ligjin për Gjykatën Speciale, të hënën Thaçi u shfaq ideator dhe urdhërdhënës i spektaklit me zyrtarin serb Marko Gjuriq. Të enjten, ndërkaq, ai në shenjestër pati gjashtë shtetas të Turqisë, të njohur si “gylenistë”. Ata u kidnapuan për t’u dërguar në Turqi. U kidnapuan për t’iu dorëzuar Rexhep Taip Erdoganit, sipas kërkesës së tij.

Sikurse në aksionin e të hënës në Mitrovicën Veriore, ashtu edhe në atë të së enjtes ndaj shtetasve turq, veprimet e ndërmarra ishin arbitrare dhe jotransparente. Sepse kështu deshi Hashim Thaçi, i cili për të realizuar qëllimet e veta, vuri në funksion veglat e tij, njerëzit e tij në krye të Policisë e AKI’së. Dhe jo vetëm.

Përderisa aksioni në veri dhe më pas spektakli në Prishtinë po dalin të jenë pjesë e një skenari të përgatitur ndërmjet tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, arrestimi i gjashtë “gylenistëve” në Turqi nuk ishte gjë tjetër veçse zbatim i urdhrit të marrë nga Erdogan.

Gjashtë shtetasit turq ishin banorë të Kosovës, me leje të vlefshme qëndrimi dhe pesë nga ta punonjës në Kolegjin “Mehmet Akif”, i akredituar sipas ligjeve të Kosovës. Veprimet ndaj tyre u ndërmorën pa i respektuar procedurat përkatëse dhe në mungesë në plotë transparence. Kjo mënyrë veprimi jo që nuk ka lidhje me vlerat evropiane që synon dhe duhet t’i përfaqësojë Kosova, por është abuzim i pastër me të drejtat e njeriut – abuzim nga Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij.

* * *

Në gjithë këtë vorbull veprimesh të rrezikshme, ata që do të duhej të paktën të kishin njohuri se çfarë po ndodh, janë kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli. Ata janë tërësisht të përjashtuar nga planifikimi dhe zbatimi i veprimeve që kanë Hashim Thaçin për autor.

Të hënën Haradinaj nuk kishte haber se çfarë po ndodhte në veri. E pranoi vetë publikisht se vetëm e kishte monitoruar gjendjen. Të enjten ai po ashtu pranoi se nuk kishte haber se çfarë po ndodhte me gjashtë shtetasit turq. Nëse Haradinaj nuk e di se çfarë po ndodh në shtetin që e qeveris, atëherë çfarë bën ai njeri?

Shteti sot është në duar të Hashim Thaçit dhe qeveria e udhëhequr nga Haradinaj më shumë shërben veç si dekor. Dhe Haradinaj lejon një gjendje të tillë. Qysh e pse, ai e di më së miri.

Përveç dialogut me Serbinë, Thaçi po monopolizon edhe pjesë të tjera të funksionimit të shtetit. Pa e pyetur askënd, ai po merr kompetenca që nuk i takojnë, duke i përjashtuar nga përgjegjësia dhe duke i anashkaluar njerëzit dhe institucionet që do të duhej marrë me këtë punë. Në këtë mënyrë, ai po rrezikon të ardhmen e këtij shteti, po rrezikon të ardhmen tonë – vetëm për interesa të veta personale.

Në vitin 2011, në cilësinë e kryeministrit, ai u vu në krye të veprimeve për të çuar forcat speciale policore në veri të vendit. Shtatë vjet më vonë ai veproi në të njëjtën mënyrë, veçse tash në cilësinë e presidentit. Kjo tregon se, pa marrë parasysh se në çfarë pozite është, ai bën çfarë t’i dojë qejfi, pa e pasur drojën se dikush mund ta kundërshtojë, dikush mund ta ndalojë. Sepse ai sundon vilajetin, si në kohën e otomanëve, ai sundon Kosovën.

Mbase ka dëshirë të bëhet si Erdogani, andaj i shërben verbërisht, duke ia kidnapuar dhe dorëzuar ata që ai i konsideron armiq. Mbase ka dëshirë të ketë fuqinë e Vuçiqit, me të cilin bëjnë skenarë e plane të rrezikshme.

* * *

Ata që kanë kidnapuar shtetasit turq, duke shkelur Konvetntën për të Drejtat e Njeriut, duhet të japin përgjegjësi politike e institucionale. Bashkë me urdhërdhënësit e tyre. Policia ka vepruar pa urdhër gjykate, ashtu siç ndodh veç në shtetet policore, shtete diktatoriale. Partitë politike, shoqëria në përgjithësi duhet të reagojnë dhe veprojnë ndaj Hashim Thaçit dhe aventurave të tij sa nuk është bërë vonë. Ky njeri është i rrezikshëm. Ky njeri duhet të ndalet.

Lexo më shumë në: http://m.gazetaexpress.com/oped/vilajeti-i-hashimit-517862/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Buffon dhe të veçantat e tij

0

Gianluigi Buffon padyshim është ndër portierët më të mirë në historinë e futbollit. Kapiteni i Juventusit ka pasur një karrierë të shkëlqyeshme, gjatë së cilës natyrisht ka përjetuar edhe momente jo të mira. Së fundi ai ka zbuluar disa nga të veçantat e karrierës së tij të bujshme.Ai  ka folur edhe për ish-yjet e bardhezinjve: “Inzaghi, Trezeguet dhe Del Piero? Janë tre ikona të futbollit kombëtar dhe ndërkombëtar. Trezegue dhe Inzaghi kanë qenë sulmues të vërtetë, vrasës të zonës së rreptësisë. Del Piero ishte diçka më shumë, ishte më teknik dhe ka magjepsur publikun me lëvizjet e tij. Thjesht duke u stërvitur me ata kam kuptuar si të përmirësohem dhe të bëhem një kampion”.

CASILLAS – “Marrëdhënia me Casillas? Bashkë me Cech kemi qenë ata që kemi përfaqësuar një epokë shumë të gjatë të futbollit modern dhe bashkëkohor. Nëse jemi akoma të rëndësishëm, do të thotë të gjitha fjalët dhe elozhet kanë qenë të drejta dhe të merituara. Besoj se Casillas po tregon se është një kampion jashtë normales”.

MOMENTE – “Momenti im i preferuar? Fillimi dhe fundi. Në fillim ndihesh i kënaqur dhe bëhesh i vetëdijshëm për atë që po bën. Fundi të jep akoma më shumë kënaqësi, sepse shikon mbrapa dhe mendon për atë që ke bërë dhe që nuk e kishe imagjinuar kurrë se mund ta bëje”.

FANTAZISTI – “Fantazisti më i mirë? Besoj Zidane, por po përmend dikë me të cilin nuk kam luajtur”.

NDESHJE PERFEKTE – “Ndeshja e preferuar e karrierës sime? Gjermani-Itali e 2006-ës dhe Juve-Real Madrid e 2003-it dhe e 2015-ës. Me Parmën zgjedh debutimin kundër Milanit”.

CRISTIANO RONALDO – “E vlerësoj shumë. Ka ditur të përmirësohet, të punojë dhe është gjithmonë i kthjellët në atë që bën dhe thotë. Si ai, me atë kthjelltësi para portës kam parë vetëm Trezeguet. Kam luajtur me shumë lojtarë të fortë, si Ronaldo dhe Ibrahimoviq, por ai po koleksionon rekorde prej 20 vitesh”.

PRITJE – “Pritja më e bukur në Champions League? Ajo kundër Inzaghit në finalen e 2003-it dhe ajo e vitit të kaluar kundër Lyonit. Dua të përmend edhe atë kundër Newcastles. Nga 40 deri në 80 vjeç do t’i shikoj përsëri të gjitha dhe do t’u them”.

IDHULL – “Thomas N’Kono, pa dyshim, me Kamerunin e Roger Millas. Më pas vijnë italianët: Zenga, Tacconi, Peruzzi, Pagliuca, Marchegiani, Rossi, Toldo dhe të gjithë të tjerët. Jashtë Italisë do të zgjidhja Schmeichel, Seeman dhe Kahn. Kishin një karakter dhe një personalitet si pak të tjerë”.Gigi Buffon ka folur për Champions League dhe Real Madrid në kanalin zyrtar të Juventus. “Debutimi? Ishte një kompeticion i ri. Parma luajtur kundër Lodz, ishte një eksperiencë e re dhe shumë entuziazmuese”.