19.2 C
Prizren
E diel, 3 Gusht, 2025
Home Blog Page 5332

Tre të vdekur e dhjetëra të plagosur në rrugën e vdekjes në Landovicë të Prizrenit

0

Banorët e fshatit Landovicë të komunës së Prizrenit, 1500 syresh, kanë një mal ankesash në adresë të Ministrisë së Infrastrukturës, që për asfaltin e Landovicës të bërë me tri korsi ka krijuar mundësi për shoferët që vijnë nga Prizreni në atë tatëpjetë e të zhvillojnë shpejtësi marramendëse, por njëkohë- sisht edhe të shkaktojnë viktima në aksidente. Sipas Mehmet Thaçit, ish-kryetar i këtij fshati, këtij vendi tashmë ia kanë frikën të gjithë fshati.

“Policia po e bën punën e vet, por askush s’po i respekton ligjet dhe këtu zhvillohet shpejtësi marramendëse nga vozitësit. Vitin që shkoi ka pasur viktima dhe lëndime. Mirëpo, edhe pse ne si fshat kemi pasur disa ankesa, nuk kemi arritur të sigurojmë asnjë gram sigurie nga ministria përkatëse. Bile s’ka as shenja të rrugës dhe tash kjo rrugë është shndërruar në rrugë të vdekjes. Në të dyja drejtimet zhvillohet shpejtësi marramendëse. Kërkojmë nga Ministria që të bëhet diçka në këtë drejtim”, është shprehur ai.

Vozitësit e papërgjegjshëm

Lidhur me këtë pikë të zezë në komunikacion ka njohuri edhe drejtori i policisë në Prizren, Nexhmedin Krasniqi, i cili për “Kosova Sot” tregon se ajo rrugë është pjesë kritike.

“Por, Ministria është përgjegjëse për atë rrugë. Policia po e bën të pamundurën, por vozitësit janë të papërgjegjshëm. Vetëm mbrëmë policia ka gjobitur 75 shoferë të papërgjegjshëm. Ne vazhdimisht si pikë të veçantë vrojtimi e kemi pikërisht atë rrugë dhe nga shpejtësia e madhe banorët rrezikohen”, është shprehur ai. Mirëpo, ankesa të shumta kanë edhe nxënësit e shkollës së Landovicës, të cilët rrezikohen çdo ditë.

S’ka as mbikalim dhe as nënkalim

Drejtori i shkollës së Landovicës, Besnik Berisha, tregon se në rrezik janë edhe nxënësit e kësaj shkolle, sepse ende s’ka asnjë mbikalim e as nënkalim. Bile Ministria ende s’ka sjellë as edhe një shenjë për kalim drejt shkollës që ka nxënës që duhet të kalojnë rrugën. Hilmi Kalimashi, East Morina e shumë të tjerë kanë ankesa të shumta. “Neve na duhet gjatë të presim për të pasur mundësi të kyçemi në rrugë nga rruga jonë e fshatit”, shprehet Esat Morina.”Shpejtësia e madhe që e zhvillojnë vozitësit nga ura në drejtim të Prizrenit rrezikon banorët”, shprehet Kalimashi. Landovicasit presin që institucionet të bëjnë diçka në këtë drejtim dhe banorëve t’u bëhet një zgjidhje.

(Kosova Sot)

Prizren: Zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë dhe të tjerët kundërshtojnë aktakuzën për korrupsion

0

Zyrtari për pagesa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Luan Statovci, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, të martën, përmes mbrojtësit të tij, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hedhet si e pabazë.

Po ashtu, aktakuzën e kanë kundërshtuar edhe të akuzuarit për falsifikim dhe mashtrim, Afrim Sallauka, Iljaz Sopi, Ermir Sallauka, Alban Sopi, Veton Kabashi, Avni Palushi, Lulzim Palushi, Xhavit Sallauka, Labinot Telaku, Xhemajl Sallauka dhe Fatos Hoti.

Gjatë shqyrtimit të dytë, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, ka thënë se aktakuza ndaj klientit të tij nuk është e bazuar në prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimin e bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Rudari ka thënë se ai në divizionin e pagesave, përveç të akuzuarit Statovci punon vetëm edhe një punëtor me kontratë të përhershme dhe se gjatë periudhës së dhënies së subvencioneve kanë punuar studentë me kontrata të përkohshme dhe praktikantë. Andaj, sipas tij, ata i kanë përgatitur dokumentacionin dhe ia kanë dorëzuar të akuzuarit për të ekzekutuar pagesën direkte.

Avokati, tuje ka thënë se zakonisht vetëm 50% e kërkuesve të subvencioneve kontrollohen por se gjatë vitit 2014, me urdhër të shefit ekzekutiv, janë kontrolluar vetëm 2% e aplikantëve dhe se më vonë është kuptuar se disa aplikues nuk posedojnë fare vreshtari. Mirëpo, avokati Rudari ka thënë se i akuzuari Statovci nuk ka kryer asnjë veprim me të cilin do të binte ndesh me ligjet në fuqi, andaj ka kërkuar që ndaj tij të hedhet aktakuza si e pa argumentuar.

Po ashtu, edhe 11 të akuzuarit për falsifikim të dokumentit dhe mashtrim me subvencione, kanë kërkuar që aktakuza ndaj tyre të hedhet si e pa bazë. Ata kanë thënë se janë mashtruar nga një person të cilin nuk e njohin dhe se kur kanë kuptuar se janë mashtruar paratë i kanë kthyer. Ndërsa për dokumentet e falsifikuara ata kanë thënë se ato vetë nuk i kanë përpiluar dhe se nuk kanë nënshkruar asnjë dokument, andaj kanë kërkuar që procedura penale ndaj tyre të pushohet.

Në anën tjetër, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka thënë se provat janë të pranueshme dhe janë nxjerrë në mënyrë ligjore, e të cilat prova, sipas saj, janë të mjaftueshme për të ngritur dyshim se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen. Andaj ajo ka kërkuar që të refuzohen kërkesat e të akuzuarve për hedhje të aktakuzës dhe rasti të shkojë në shqyrtim kryesor ku edhe do të dëshmohet fajësia e të akuzuarve.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka thënë se rreth kërkesave të të akuzuarve do të vendosë jashtë seance, me vendim të veçantë.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën të pandehurit akuzohen se kanë falsifikuar dokumentin “Certifikata e vreshtarit” për të përfituar subvencione në mënyrë të paligjshme.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke u paraqitur rrejshëm në MBPZHR si kultivues të vreshtave, kanë përdorur “Certifikatat e vreshtarit” të falsifikuara, me ç’rast kanë përfituar subvencione në shumë deri 3 mijë euro.

Ndërsa, zyrtari për pagesa në MBPZHR akuzohet se pa verifikuar dokumentet e fermerëve dhe gjendjen në teren, ka lejuar të ekzekutohen pagesa direkte në emër të subvencioneve për aplikantët, me ç’rast i ka shkaktuar buxhetit të shtetit humbje në vlerë prej rreth 30 mijë euro.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ardit Bajraktari nga Suhareka, por i njëjti, gjatë shqyrtimit fillestar, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me gjobë prej 1400 euro./betimiperdrejtesi/

Hatim Baxhaku: Mos u dëshpëro Zafir !

0

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Hatim Baxhaku, ka kërkuar nga Zafir Berisha që të vazhdojë të punojë në largimin e pushtetit kriminal në Prizren.

Ai, ka ftuar Berishën që bashkërisht të punojnë në luftimin kundër këtij pushteti.

Postimi i Facebook

Pushteti i krimit,shantazhit dhe zhvatjes,si duket e ka nuhatë me kohë humbjen e thellë që do ta pësoj në Prizren. Nga paniku për të shpëtuar diçka nga e pamundura,ka filluar të përdor mekanizma shtetëror për qëllime politike.

Në vazhdën e kësaj lufte të pandershme,ishte sot edhe rasti i deçertifikimit të deputetit Zafir Berisha nga gara për kryetar të Prizrenit.
Duke e pasur te qartë,se Zafir Berisha e ka demtuar më së shumti në elektorat këtë parti,deçertifikimin e tij sot, nuk e kuptoj ndryshe pos hakmarrje ndaj tij dhe lëndim të demokracisë.

Unë e inkurajoj deputetin Zafir Berisha të mos dëshpërohet,por përkundrazi,bashkë me subjektin e tij Nisma për Kosovë të na bashkohet në luftën tonë të perbashkët kundër këtij pushteti kriminal.
Me respekt ,
Dr. Hatim Baxhaku

Zafir Berisha : Sondazhi e rëndit të pestin kandidatin e PDK-së në Prizren, Shaqir Totajn

0

Zafir Berisha nga NISMA për Kosovën, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se decertifikimi i tij nga kandidatura për kryetar të Prizrenit është konstrukt i Klanit Pronto, pasi sipas tij ai ua rrezikon interesat.

Sipas tij, kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, në një sontazh është rënditur i pesti.

“Në bazë të një sontazhi, Totaj është radhitur i pesti, prandaj Klani Pronto po bënë përpjekje të më eliminojnë nga gara”, tha Berisha.

Berisha për decertifikimin: Përplasja e radhës me bandat e Hashim Thaçit dhe Klanin Pronto

0

Zafir Berisha nga NISMA për Kosovën, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se decertifikimi i tij nga kandidatura për kryetar të Prizrenit është konstrukt i Klanit Pronto, pasi sipas tij ai ua rrezikon interesat.

Ai ka deklaruar se kjo s’është vecse një përplasje e tija e radhës me bandat e Hashim Thacit dhe Klanin Pronto, të cilën beson se do ta kalojë me sukses, njofton Klan Kosova.

“Kryekëput politik. Po ua rikujtoj se i njëjti Zafir me këto ligje ka qenë në garë. Por kjo po ndodh sepse unë rrezikoj ckapjen e Prizrenit nga banda Pronto. Natyrisht unë do të tërhiqem kur t’i kem shfrytëzuar të gjitha të drejtat ligjore. Do të bëj ankesën fillestare në PZAP, pastaj në Gjykatën Supreme, e deri në Gjykatën Kushtetuese, sepse besoj se me këtë ligj shkelen të drejtat e njeriut”.

“Mua po më vjen keq për ata 80 tjerët janë decertifikuar për shkak timin. Por unë jam mësuar me beteja nga më të ndryshmet. Kjo është përplasja e radhës që kam me bandat e Hashim Thacit dhe Klanin Pronto. Ky ligj ka qenë në fuqi edhe muaj më parë, por atëherë kanë garuar edhe të atillë që kanë bërë hajni, ndërsa tani janë ministra… Pas qëndrimit tim në kuvend dhe abstenimit tim gjërat kanë ndryshuar”.

“Me Zafirin, apo pa Zafirin, Klani Pronto nuk do të fitojë në Prizren. Krejt ky është skenar i përgatitur për dënimin e figurës time. Unë jam në politikë, por kam parime. Kam qenë në PDK derisa ajo ka dalë nga rruga e Zotit“. /klankosova.tv

Më eliminuat për Prizrenin, por pritni këto fakte për ju që keni shpërla miliona!

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për decertifikimin e disa kandidatëve për zgjedhjet e 22 tetorit. Madje, në mesin e tyre ishte edhe Zafir Berisha, kandidatit për kryetar të Prizrenit, pasi i njëjti, sipas KQZ-së, nuk kishte paguar një borxh 140 eurosh për energji elektrike. Njëri prej personave që mori më së shumti vota në rajonin e Prizrenit paralajmëroi edhe disa nxjerrje të argumenteve rreth shitjes së distribucionit të KEK-ut.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Berisha thotë se KQZ-ja bëri një hap tejet qesharak me ndalesën për të garuar në komunën e Prizrenit.

“Ky është vendim puro-politik. Tashmë s’ka më koment pasi bëhet fjalë për një njeri i cili me të njëjtat ligje para 3 muje u zgjedh deputet i Parlamentit të Kosovës. Për këtë bandë mafioze e cila me cdo kusht dëshiron mem eliminu nga politika nuk u kanë e rëndësishme që të zgjidhme deputet, sepse aty ka pas në garë që e kanë damtu Kosovën me nga 30 milion, por aty e kanë rujt shancën që mem eliminu në garën për Prizrenin. Ku dihet që kjo bandë qe 10 vjet e zhvat qytetin e Prizrenit”, ka thënë ai.

Madje, Berisha ka paralajmëruar se nesër do ta bëjë edhe një ankesë në Gjykatën Kushtetues dhe ankesë në PZAP rreth këtij vendimi.

“Është padrejtësi dhe atak i qëllimshëm. Në mbledhjen e KQZ-së para 4 dite të gjithë kanë qenë kundër, përpos Valdete Dakës, ndërsa sot i ngritën “duart dhe këmbëtë” mem largu nga gara sepse lidhet edhe me votën time rreth qeverisë “Haradanaj”. Kjo është vazhdimësi sepse gjithë ky atak që bëhet rrjedhin për shkak të fjalimeve të mia në Kuvend”, është shprehur ai.

Më tej, Berisha tha se me u marrë për një dënim 140 euro dihet se është i qëllimshëm dhe ka histori në vete ky vendim. Sipas tij, derisa amnistohen banditëtët që e kanë dëmtu Kosovën dhe ia kanë marrë fytyrën këtij vendi, ata kanë arritur përmes edhe disa portaleve të poshtra që janë dorë e zgjatur e Hashim Thaçit, me degradu atë para opinionit por unë jam shumë krenar dhe i kam dhënë shumë këtij vendi.

Madje, zyrtari i lartë i NISMA-s paralajmëroi edhe paraqitjen e rastit të shitjes së Distribucionit dhe Furnzimit të Korporatës së Energjisë Elektrike të Kosovës (KEK). I njëjti u shit me 26 milion euro në kohën kur ministër ishte Belul Beqaj i PDK-së.

“Unë do të kërkoj llogari edhe për shitjen e distribuimit të energjisë elektrike që jam shumë i bindur dhe kam argumente dhe fakte se qëndrojnë banditë që e kanë vjedh Kosovën dhe e kanë shpërla paret në këtë shitblerje. Dyshimet e mia për distrubimin e energjisë do të trajtohet edhe në seancën e Kuvendit. Pra, them se Ramush Haradinaj në kabinetin e vet ka ministra të cilët kanë qenë pjesë e bordit të këshillit të ministrave që e kanë shit distrubimin”, ka thënë ai.

Në fund, Berisha tha se vendimi i KQZ-së për me eliminu nga gara nuk do të thotë se munden me ndal atë në aktivitetin politik. “Jo, askush s’mundet me ma mshel gojën për me i luftu bandat”, është shprehur ai.

Artan Abrashi:  Decertifikimi i Zafir Berishës, akt i hakmarrjes së ultë politike të PDK-së

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Artan Abrashi thotë se decertifikimi i kandidatit të Nismës, Zafir Berishës është akt i hakmarrjes së ultë politike të PDK-së.

“Po të ishte me të vërtetë në pyetje ndalimi i pjesëmarrjes në zgjedhje të shkelësve të ligjit, atëherë PDK duhej të shpallej organizatë kriminale dhe të decertifikohej në tërësi nga KQZ”, shkruan ai në Facebook.

Profesor Abdullah Zymberi, ky qëmtues i spikatur i fjalës shqipe

0

Shkruan: Dr. Xhafer Beqiraj

Lajmi për ndarjen nga jeta e Prof. dr. Abdullah Zymberit është i dhimbshëm jo vetëm për familjen, por edhe për shokët, miqtë, kolegët, studentët. Po jo vetëm kaq, ndarja nga jeta e profesorit tonë është humbje shumë e madhe për Universitetin „Ukshin Hoti“ dhe për Universitetin e Prishtinës ku ai punoi, si dhe për gjuhësinë shqiptare dhe mbarë kombin.

Prof. Abdullah Zymberi, nga të fundit të mëdhenj gjuhëtarë, është përfaqësues i asaj plejade të ndritur shkencëtarësh që vunë themelet e kështjellës së gjuhësisë shqiptare dhe është ndër të parët pishtarë të arsimit në Kosovë, i cili punoi disa dekada me radhë pa u lodhur e me përkushtim të jashtëzakonshëm për arsimimin e gjeneratave të reja. Ai është ndër ata të paktë studiues në fushën e leksikologjisë e leksikografisë (leksikut dialektor e dialektologjisë në përgjithësi), që mund të numërohen me gishta në gjuhësinë shqiptare, i cili, duke qenë dijetar me njohuri të thella gjuhësore dhe me dhunti të rrallë shkencore, ka arritur të jetë latuesi dhe qëmtuesi më i spikatur i fjalës shqipe.

Profesor A. Zymberi, ky qëmtues i spikatur i fjalës shqipe (i xhevahireve popullore), do t’u mungojë trevave të ndryshme të shqipes, të cilat presin që dikush t’i mbledhë, për të mos i mbuluar pluhuri i harresës. Themi se do t’u mungojë atyre, sepse ai, nëpër shumë treva shqiptare, mblodhi nektarin popullor gjatë gjithë jetës së tij, duke lënë pas vetes tre fjalorë popullorë të paçmueshëm për leksikografinë e shqipes, dhjetëra artikuj shkencorë për të folmet e të trevave të ndryshme shqiptare.

Por jo vetëm kaq, prof. Abdullahu la pas vetes edhe mjaft studime të leksikut në veprat letrare të shumë autorëve shqiptarë dhe të huaj. Ai është autor edhe i shumë studimeve nga fusha e gramatikës së shqipes.

Një tjetër veçori e personalitetit të tij është se ai qe një fanatik i gjuhës standarde shqipe. Prandaj, porosia e tij për pasurimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe është shumë e drejtë dhe duhet të ngulitet mirë e përherë në ndërgjegjen e çdo shqiptari; qoftë ai mësues, student; qoftë gazetar apo punonjës në radio dhe televizione etj. Ai ishte i bindur se ndikimi i tyre, nëse gjuha standarde zbatohet siç duhet nga ta, do të ishte shumë i madh në masën e gjerë popullore. Kurse në rast se ajo bastardohet nga ta, thoshte profesori ynë, jep shembullin më të keq të shpërdorimit të saj, duke ndikuar për keq në masën e gjerë popullore.

Prandaj jo rrallëherë, ai shkroi artikuj kundër kësaj dukurie, duke vënë në pah shpërdorimin e gjuhës amtare nga ata që do të duhej të ishin shembull i mirë, siç thoshte profesori, për të folurit dhe të shkruarit e shqipes sonë të bukur. Prandaj, tundohej skajshmërisht kur vërente se po shpërdorohej ajo nga folësit dhe shkruesit e saj.

Ai, përveç tjerash, qe dhe një pedagog i veçantë e shumë i zellshëm. Unë, sigurisht, jam shumë me fat, sepse pata nderin të jem student i tij, por mbi të gjitha e pata shok e mik, së fundi edhe koleg, prej të cilit mësova shumëçka. Profesori ynë ishte i tillë për të gjithë studentët. Ai arriti ta bëjë gjuhën amtare si një makth për ne të gjithë, që sa më shumë i merr erë, aq më shumë të tërheqë dhe të bën për vete. Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm, se vetëm kështu mund të rritte dashurinë dhe respektin tonë për shqipen. Duke qenë pedagog model e një studiues i përvujtur, për ne të gjithë ka qenë sa stimulues gjatë studimeve tona, po aq reflektues. Kjo është figura e shquar e profesor Abdullah Zymberit, i cili qe dhe mbetet në kujtesën tonë një pedagog i spikatur dhe një studiues i dalluar në fushën e albanologjisë, me të cilin jemi krenarë të gjithë, sepse vepra e tij shumëdimensionale është dhe do të jetë e pavdekshme për jetë e mote.

Jemi shumë të ndërgjegjshëm, se në këto momente dhembjeje nuk na jepet mundësi për t’i vënë në dukje të gjitha të arriturat dhe vlerat shkencore e pedagogjike të këtij pedagogu, shkencëtari e atdhetari të pakundshoq, mirëpo veprimtaria e paçmueshme e tij do të studiohet nga gjeneratat e ardhshme dhe veçanërisht nga bashkëveprimtarët e tij, sepse vepra e tij është monumentale.

Prandaj, shembulli dhe veprat e profesor Abdullah Zymberit do të kujtohen gjithmonë nga studentët, profesorët e Universitetit „Ukshin Hoti“ ku së fundi ai punoi dhe nga qendrat e tjera universitare e parauniversitare. Sepse vepra i tij qe dhe do të jetë shëmbëlltyrë për të gjithë ne, e cila, në të vërtetë, do t’na shërbejë njëherazi edhe si një fanar ndriçues gjatë rrugëtimit tonë në të ardhmen.

Ngushëllime familjes Zymberi!
Ngushëllime miqve, shokëve dhe kolegëve të profesorit!
Qoftë e përjetshme dhe e paharruar vepra e profesorit tonë!
Pushoftë në paqe!

“Shpërthen” Zafir Berisha: Bandat e Hashim Thaçit qëndrojnë prapa vendimit të KQZ-së

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për decertifikimin e 86 kandidatëve për asamble komunale. Në mesin e këtyre kandidatëve është edhe kandidati i Nisma për Kosovën për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha.

Berisha e ka cilësuar këtë vendim puro politik, dhe siç shprehet ai i “nxitur nga bandat e Hashim Thaçit”.

Kështu është shprehur në një prononcim për Telegrafin vetë Zafir Berisha, i cili ka treguar poashtu se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vendimin e sotëm të KQZ-së.

“Nesër avokati im do ta bëjë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për verifikimin e ligjshmërisë së këtij vendimi, për shkak se në atë dënimin me gjobë prej 140 euro nuk më është ndaluar aktiviteti publik dhe pjesëmarrja në institucione. Ky është një vendim arbitrar dhe puro politik i nxitur nga bandat e Hashim Thaçit”, u shpreh Berisha.

Deputeti i Nismës, theksoi se do ta shfrytëzojë edhe ankesën 24 orëshe në PZAP.

“Sido që të jetë përfundimisht jemi vendosur me Zafën apo pa Zafën bandat e Hashim Thaçit me 22 tetor t’i heqim nga Prizreni”, ka thënë Berisha.

Ai theksoi se ky është vendim “për eliminim politik të një njeri që 17 vite merret me politik, i një njeriu i cili para tre muaj po me këto ligje që u thirr sot banda e Hashim Thaçit në KQZ, ka garuar dhe është zgjedhur deputetë me 13 mijë vota”. /Telegrafi/

KQZ decertifikon Zafir Berishën, i pamundësohet gara për Prizren

0

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar decertifikimin e 86 kandidatëve nga pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, të cilët kanë vendim përfundimtar nga gjykatat e Kosovës.

Tetë vota ishin për, një kundër dhe një abstenim. Kundër këtij decertifikimit ishte përfaqësuesi i Nismës në KQZ, Eshref Vishi, ndërsa ka abstenuar përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi.

Me këtë vendim kandidati i Nisma për Kosovën për kryetar të Prizrenit Zafir Berisha decertifikohet dhe i pamundësohet gara për të parin e Prizrenit.

Ky vendin ishte paraparë që të merrej në mbledhjen e djeshme mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi pas anëtarët vlerësuan që kanë nevojë për një analizim të aktvendimeve, raporton Ekonomia Online.