18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Prizren: Zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë dhe të tjerët kundërshtojnë aktakuzën për korrupsion

Zyrtari për pagesa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Luan Statovci, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, të martën, përmes mbrojtësit të tij, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hedhet si e pabazë.

Po ashtu, aktakuzën e kanë kundërshtuar edhe të akuzuarit për falsifikim dhe mashtrim, Afrim Sallauka, Iljaz Sopi, Ermir Sallauka, Alban Sopi, Veton Kabashi, Avni Palushi, Lulzim Palushi, Xhavit Sallauka, Labinot Telaku, Xhemajl Sallauka dhe Fatos Hoti.

Gjatë shqyrtimit të dytë, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, ka thënë se aktakuza ndaj klientit të tij nuk është e bazuar në prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimin e bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Rudari ka thënë se ai në divizionin e pagesave, përveç të akuzuarit Statovci punon vetëm edhe një punëtor me kontratë të përhershme dhe se gjatë periudhës së dhënies së subvencioneve kanë punuar studentë me kontrata të përkohshme dhe praktikantë. Andaj, sipas tij, ata i kanë përgatitur dokumentacionin dhe ia kanë dorëzuar të akuzuarit për të ekzekutuar pagesën direkte.

Avokati, tuje ka thënë se zakonisht vetëm 50% e kërkuesve të subvencioneve kontrollohen por se gjatë vitit 2014, me urdhër të shefit ekzekutiv, janë kontrolluar vetëm 2% e aplikantëve dhe se më vonë është kuptuar se disa aplikues nuk posedojnë fare vreshtari. Mirëpo, avokati Rudari ka thënë se i akuzuari Statovci nuk ka kryer asnjë veprim me të cilin do të binte ndesh me ligjet në fuqi, andaj ka kërkuar që ndaj tij të hedhet aktakuza si e pa argumentuar.

Po ashtu, edhe 11 të akuzuarit për falsifikim të dokumentit dhe mashtrim me subvencione, kanë kërkuar që aktakuza ndaj tyre të hedhet si e pa bazë. Ata kanë thënë se janë mashtruar nga një person të cilin nuk e njohin dhe se kur kanë kuptuar se janë mashtruar paratë i kanë kthyer. Ndërsa për dokumentet e falsifikuara ata kanë thënë se ato vetë nuk i kanë përpiluar dhe se nuk kanë nënshkruar asnjë dokument, andaj kanë kërkuar që procedura penale ndaj tyre të pushohet.

Në anën tjetër, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka thënë se provat janë të pranueshme dhe janë nxjerrë në mënyrë ligjore, e të cilat prova, sipas saj, janë të mjaftueshme për të ngritur dyshim se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen. Andaj ajo ka kërkuar që të refuzohen kërkesat e të akuzuarve për hedhje të aktakuzës dhe rasti të shkojë në shqyrtim kryesor ku edhe do të dëshmohet fajësia e të akuzuarve.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka thënë se rreth kërkesave të të akuzuarve do të vendosë jashtë seance, me vendim të veçantë.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën të pandehurit akuzohen se kanë falsifikuar dokumentin “Certifikata e vreshtarit” për të përfituar subvencione në mënyrë të paligjshme.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke u paraqitur rrejshëm në MBPZHR si kultivues të vreshtave, kanë përdorur “Certifikatat e vreshtarit” të falsifikuara, me ç’rast kanë përfituar subvencione në shumë deri 3 mijë euro.

Ndërsa, zyrtari për pagesa në MBPZHR akuzohet se pa verifikuar dokumentet e fermerëve dhe gjendjen në teren, ka lejuar të ekzekutohen pagesa direkte në emër të subvencioneve për aplikantët, me ç’rast i ka shkaktuar buxhetit të shtetit humbje në vlerë prej rreth 30 mijë euro.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ardit Bajraktari nga Suhareka, por i njëjti, gjatë shqyrtimit fillestar, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me gjobë prej 1400 euro./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Moti sot: I vranët dhe me intervale me shi

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se këtë të mërkure parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas IHMK-së,...

Askush përveç vetes sonë nuk mund të na lirojë mendjen

Thënie nga Bob Marley – “E vërteta është se çdo njeri do t’ju lëndojë; ju thjesht duhet ta gjeni personin për të cilin ia vlen...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit