31.7 C
Prizren
E mërkurë, 23 Korrik, 2025
Home Blog Page 5354

Përfundon ultimatumi për LDK-në e LVV-në, ky është vendimi i AKR-së

0

Ka skaduar ultimatumi i presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, drejtuar Isa Mustafës dhe Albin Kurtit që brenda 10 ditëve të arrijnë marrëveshje për formimin e Qeverisë, në të kundërtën qëndrimi i tij në koalicionin LAA nuk ka kurrfarë kuptimi. Por, palët nuk kanë arritur kurrfarë marrëveshjeje, pavarësisht këtij afati 10-ditor.

Megjithatë sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se ultimatumi i Pacollit ishte dhënë më shumë për të reflektuar sesa ndonjë tentim për të dalë nga koalicioni.

“Opozita nuk është duke reflektuar, prandaj më shumë ky ultimatum ka qenë për ta bashkuar opozitën”, ka shtuar Makolli, duke sqaruar se ultimatumi synon të shpëtojë vendin nga vonesa e formimit të institucioneve.

Ai ka shtuar se Kosova aktualisht është në një situatë shumë të pafavorshme.

“Nëse dikush e do shtetin e vet, atëherë nuk do të duhej lejuar që ta lërë shtetin pa pozicion”, ka theksuar Makolli. /Zeri/

Prizren: Visaret e çmuara të kombit ngadalë po i “përpin” koha

0

Prizreni ka një numër të madh shtëpish të vjetra. Shumica e tyre tashmë janë zhdukur, por ka edhe të atilla që kanë mbetur dhe si të tilla duhet të ruhen me fanatizëm.

Agim Berisha historian shprehet për gazetën se Prizreni ka një numër të madh shtëpish të vjetra, të cilat janë visare të çmuara. Ai shton se shtëpia e vjetër e Sheh Zades ndodhet në pjesën historike të Prizrenit dhe është shembulli tepër i rrallë i shtëpisë së banimit tradicional kosovar, me vlerë të madhe historike, artistike simbolike, qytetare dhe urbane.

“Shtëpia daton nga shekulli XIX dhe deri në vitin 2004 ka qenë e familjes së Sheh Zades, një familje e njohur e sektit Sufi në Prizren. Kryefamiljari i kësaj shtëpie Musa Sheh Zade, është vrarë nga komunistët serbë dhe prej atëherë, edhe pse në kërkim të tij ishin për pesë dekada varri i këtij shehu ende nuk është gjetur”.

Ndërsa Parim Kosova, historian, tregon se shtëpia është shpallur monument i mbrojtur në vitin 1955 dhe është përfshirë zyrtarisht në listën kombëtare të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës në vitin 2007. Shtëpia ishte në gjendje shumë të keqe dhe është braktisur që nga viti 2004. Kjo shtëpi është ndër më të bukurat e qytetit, vetëm në tavanet e saj ka mrekulli të punë- dores që edhe sot është shumë vështirë të punohen si të tilla.

Banesa tradicionale qytetare

Samir Hoxha, drejtor në QTRK, për “Kosova Sot” deklaron se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka filluar së zbatuari projektin për restaurimin e shtëpisë së familjes Shukriu në Prizren. Ky investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili po zbatohet përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, vjen në kuadër të zbatimit të projekteve për ndërhyrje konsoliduese, restauruese dhe konservuese për objektet e trashëgimisë kulturore të rrezikuara, por edhe me rastin e shënimit të pesëdhjetëvjetorit të themelimit të këtij institucioni dhe në respektim të punës dhe veprës së njërit nga njerëzit që ka lënë gjurmë të pashlyera në fushën e ruajtjes dhe mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore në Rajonin e Prizrenit, por edhe njërit ndër themeluesit e institucioneve të trashëgimisë kulturore.

Shtëpia e familjes Shukriu gjendet në Zonën e Qendrës Historike të Prizrenit, pranë Kompleksit të Gazi Mehmet Pashës.

“Kjo shtëpi banimi ka vlera historike si banesë tradicionale qytetare, por të veçantë e bën edhe fakti se aty ka banuar i ndjeri Muhamed Shukriu, që ishte themelues i Entit për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren. Shtëpia u ndërtua në pjesën e parë të shekullit XIX, ndërsa është rinovuar në shek. XX nga pronarët. Shtëpia ka planimetri drejtkëndëshe. Qasja në shtëpi realizohet nga rrugica ku ambienti i parë është pjesa e hajatit të mbyllur në formë pasazhi ku kalohet në oborrin mbrapa saj”, është shprehur ai. Tutje Hoxha ka shtuar:

“Në përdhes janë dy ambiente, njëri prej të cilëve është shndërruar në garazh. Në katin e parë janë katër kthina dhe një çardak i mbyllur. Nëpër dhoma janë elemente si drugdhendje dollapët, jyklyket, tavanet, trau dekorativ”, tregon Hoxha.

Mikpritja shekullore

Leotrim Fishekçiu tregon se tashmë për këto shtëpi të vjetra organizohet edicioni i parë i Autostradës Bienale “E ardhmja e kufijve”, që ka si qëllim për të ruajtur shtëpitë e vjetra të Prizrenit.

“Përderisa rrënimi i shtëpive të vjetra brenda qytetit të Prizrenit ka marrë përmasa shqetë- suese, e shumë prej tyre kaplohen nga zjarri, duke cenuar vlerat kulturore dhe historike të Prizrenit, Autostrada Bienale do t’i shndërrojë ato në vendtakime për artin bashkëkohor. Mikpritja shekullore e Prizrenit edhe një herë do të hapë pa rezervë dyert, për të mirëpritur vlera të reja. Nën kulmet e shtëpive të vjetra të qytetit, bashkë me trashëgiminë, do të marrin jetë shumë vepra të artit bashkëkohor”, është shprehur ai (Kosova Sot)

Faik Konica për shqiptarët: Egërsira dhe kafshë, armiq të vetvetes

0

Faik Konica njihet jo vetëm si një nga publicistët më të mirë, po edhe si njeriu që në të gjitha mënyrat e mundshme tregoi jo vetëm realitetin në të cilin ndodhej Shqipëria, po edhe atë që e priste.

Mënyra e komunikimit të Konicës është e drejtpërdrejtë, aq e drejtpërdrejtë sa ndonjëherë është edhe e frikshme për nga mënyra e përçimit dhe realitetit që përmban në të.

I tillë është edhe ky shkrim që Konica.al ka rezervuar për ju, ku vetë Konica ka folur për mendimin e madh të shqiptarëve se Evropa është ajo që do t’i nxjerrë në dritë, ndërkohë që është krejt e kundërta. Ja ku është postimi i plotë…

“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri!

Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.

Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut.

Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.

Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.

Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.

Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme…

Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie.

Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara.

Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme.

Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.

Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit.

Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm.

Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.
Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.

Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë.

A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes?

Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj”. / KultPlus.com

Pushtimi i frikës

0

AGRON HALITAJ

Beteja është konkurrenca më madhështore në të cilën mund të përfshihen njerëzit, sepse ajo i nxjerr në pah më të mirët. Kështu u thoshte ushtarëve amerikanë në Luftën e Dytë Botërore, gjenerali i famshëm, George S. Patton. Ai nuk përpiqej t’ua shpërlante trurin por u jepte zemër atyre që të mos ndiheshin keq nëse kishin frikë. “Të gjithë janë të frikësuar në betejë”, u thoshte, por, “frikacak është vetëm ai që lejon që frika t’ia mposhtë ndjenjën e tij të detyrës”.

S’do mend që Patton ka folur në kohë lufte, por guximi për t’u përballur me të keqën i veçon amerikanët nga popujt e tjerë edhe në ditët e sotme, sidomos nga shqiptarët që e konsiderojnë veten si populli më pro-amerikan në botë. Guximi për ta mposhtur frikën në betejën për liri, te shqiptarët në Kosovë u fashit tej mase në paqe, atëherë kur do të duhej hapur beteja për ndërtimin e një shteti demokratik. Të paktë janë ata që morën guximin për t’i nxjerrë në pah të bëmat e njerëzve të pushtetshëm të tokës e nëntokës. E, edhe më të paktë janë ata që morën guximin për t’i vënë para drejtësisë vrasësit, zhvatësit, shantazhuesit, abuzuesit e përfituesit. Por dallimi mes dy grupeve të të paktëve është i madh.

Të parët janë gazetarët që ballafaqohen me njerëz të ligë duke mos lejuar që t’i mposhtë frika gjatë misionit për t’i mbajtur të informuar qytetarët me zhvillimet që nuk i shohin, që ua rëndojnë jetën dhe ua dëmtojnë të ardhmen. Të tillët në vazhdimësi i ekspozohen rrezikut, por armë tjetër për t’u mbrojtur, pos fjalës dhe shkrimit, ata nuk kanë.

Të dytët janë policët, prokurorët e gjyqtarët. Ndryshe prej gazetarëve, ata i kanë mekanizmat për të vepruar. Atyre u duhet vetëm guximi. Nuk është e lehtë për ta mposhtur frikën, ama secili mund t’ia shtrojë një pyetje vetes: Kur një gazetar i pambrojtur guxon t’i denoncojë publikisht politikanët e rangut të lartë, apo edhe komandantët e luftës, për përfitime të paligjshme, pse të mos e kryej edhe unë detyrën që më takon. Mund të ngjajë si luftë me “mullinjtë e erës”, shumëkush mund të viktimizohet, të degradohet apo të mbetet në rrugë, por fryma e dashurisë për shtetin nuk mund të kultivohet ndryshe.

Policëve mund t’u shkojnë hetimet huq sapo raportet e tyre të kalojnë në duar të eprorëve të lartë apo të prokurorëve, por ata nuk duhet të heshtin. Duhet të kërkojnë llogari për lëndët e tyre. E nëse ato hidhen si të “pavlera”, duhet të reagojnë edhe publikisht. Vetëm kështu mund të “disiplinohen” ata eprorë që mund të jenë në shërbim të politikës, e po ashtu edhe ata prokurorë e gjyqtarë, që parapëlqejnë ta përfundojnë karrierën pa e përjetuar ndjenjën e frikës për të ecur rrugës i pambrojtur, ashtu siç ecën një gazetar.

Prokurorët e gjyqtarët që s’reshtin së kërkuari përfitime nga shteti, së pari duhet t’u përgjigjen tri pyetjeve që ua ka bërë publikisht ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell, qysh para një viti, se: – si ka mundësi që aktakuzat e ngritura nga prokurorët të rrinë në zyra me muaj e me vite derisa të dorëzohen në Gjykatë?; si ka mundësi që aktakuzat e ngritura për korrupsionin nga Prokuroria të flenë me muaj në Gjykata dhe të mos caktohen seancat gjyqësore?, dhe si ka mundësi që ky sistem gjyqësor vepron brenda ditës ndaj qytetarëve të thjeshtë që e thyejnë rendin e ligjin dhe i lënë anash ata individë që kanë shkaktuar dëme milionëshe?

Tek atëherë kur policët, prokurorët e gjyqtarët ta kenë mposhtur frikën për ta kryer si duhet detyrën e tyre, atëherë edhe qytetarët do të inkurajohen ta denoncojnë të keqen, do të jenë më të përkushtuar në ruajtjen e pasurisë së përbashkët, nuk do të pranojnë t’i zhvatë askush, e nuk do të heshtin së kërkuari të drejtat që u takojnë.

Thomas Paine, njëri ndër etërit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thoshte se “detyra e një patrioti të vërtetë është ta mbrojë vendin nga qeveria e tij”.

Por, a mund të jesh patriot nëse nuk je i guximshëm.

Nelson Mendela, nga përvoja jetësore kishte mësuar se guximi nuk ishte mungesa e frikës, por triumfi mbi frikën.

“Njeri trim nuk është ai që nuk ndihet i frikësuar, por ai që e pushton atë frikë”, thoshte ai.

Po të mos e pushtonin frikën gjithë ata djem e vajza që rrokën armët për ta çliruar vendin, e gjithë ata qytetarë e politikanë që iu kundërvunë në forma të ndryshme regjimit serb, sot Kosova nuk do të ishte shtet.

E meqë shumë nga ta u flijuan në betejën për liri, çka na takon ne të gjallëve të bëjmë.

Abraham Lincoln, në kontekstin kosovar do të përgjigjej: Ne të gjallëve na takon t’i përkushtohemi detyrës së madhe që na pret përpara, të ecim me devotshmëri për atë kauzë për të cilën të vdekurit e nderuar dhanë masën e fundit të devocionit, me qëllim që, ne që jemi këtu, ta marrim vendimin që ata të mos kenë vdekur më kot”.

Ngritët aktakuzë ndaj tre personave për vrasje në tentativë në Prizren

0

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve R.XH., B.XH. dhe A.S.Sipas njoftimit për media nga kjo gjykatë, i akuzuari R.XH. më datë 20.05.2017, afër shtëpisë së tij së bashku me prindin e tij B.XH, për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me një rrugë, fillojnë të përleshen me të dëmtuarin A.S., ku i akuzuari R.XH. e godet me thikë dy herë, therrje këto te cilat kanë rezultuar lëndime të renda trupore dhe të rrezikshme për jetën e të dëmtuarit.

Me këto veprime i akuzuari R.XH., ka kryer veprën penale, vrasje në tentativë, nga neni 178, lidhur me nenin 28, të KPRK-së.Ndërsa, për të akuzuarin B.XH. është ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale, pjesëmarrje në rrahje, nga neni 190, paragrafi 1, të KPRK-së, transmeton KosovaPress.

Dragash: Bajram Krasniqi, braktisë PDK-në, i bashkohet Nismës

0

Ish-aktivisti i PDK-së, Bajram Krasniqi i është bashkuar Nismës në Dragash.

Ai, do të jetë kandidat për Kuvend në këtë qytet.

“Radhëve të NISMA për Kosovën i është bashkangjitur edhe Bajram Krasniqi nga fshati Brezne, ish -aktivist dhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës”, njofton Nisma në Dragash.

“Pakënaqësia me qeverisjen lokale për vite me radhë është arsye kryesore që sot Bajrami i është bashkangjitur radhëve tona”.

“Jemi të bindur se qeverisja e ardhshme lokale, do të ndërtohet në të mirë të qytetarëve dhe një kontribut të rëndësishëm pa dyshim do ta jepë edhe Bajrami”.

“Kryesia e degës së NISMA-s në Dragash i uron mirëseardhje Bajramit dhe punë të mbarë drejtë ndryshimit që do të ndodh më 22 tetor“.

E kundërshtuan komunizmin, gjashtë vajzat nga Mirdita u vranë për këto arsye

0

Me mijëra shqiptarë u ekzekutuan nga sistemi i egër i komunizmit për faktin se dolën kundër diktaturës.
Ky regjim, nuk kurseu as femrat, ku të shumta janë ato gra dhe vajza që u vranë apo torturuan barbarisht për një veprim që për regjimin e egër ishte i papranueshëm.

Janë 6 femra nga Mirdita që kanë lënë gjurmë pasi u vranë nga komunizmit. Faji i tyre ishte sepse nuk donin komunizmin.

Marie Tuçi
Prejardhja e saj ishte nga dera e Gjomarkajve, Kapedanë të Mirditës. Ajo u lind në vitin 1928 dhe e vetmja si femër arrestohet në reprezaljet e vitit 1949.
Ishte e shkolluar në shkollat e Motrave Stigmatine në Shkodër, ka punuar si mësuese në Fan. Torturohet nga hetuesit xhelatë dhe prej mundimeve vdes në hetuesi në vitin 1950, e futur në një thes me një mace të egër.

Bardhe Cub Marku
Ajo lindi në Kaçinar të Mirditës në vitin 1927. Studioi në shkollën e Motrave Stigmatine në Shkodër. Vdiq nga torturat e shumta në burgun e Shkodrës në vitin 1947.

 

Liza Moli
Lindi në Kaçinarë, Mirditë po aty mori mësimet e para. Sigurimi i Shtetit i rrethuan shtëpinë. Për të shpëtuar miqtë që kishte në banesë, ajo me një pistoletë në dorë u hapi rrugën dhe i shpëtoi që të iknin.
Ajo u vra në moshën 20-vjeçare bashkë me babin e saj nga komunizmi. Më pas i dogjën edhe shtëpinë.

Bardhe Bushkola
Ajo lindi në Selitë të Mirditës. Për të mbrojtur jetën e vëllait të saj del para grykave të armëve të forcave të ndjekjes dhe vdes nga plumbat.
Ishte vetëm 16 vjeçe kur e mbylli jetën e saj të re me një akt heroik të dashurisë së motrës për vëllain.

Gjela Llesh Biba
Ishte nëna e tre fëmijëve që për të shpëtuar dhe nderin e shtëpisë, vritet me gjithë bashkëshortin nga Sigurimsat në Bukmirë, Mirditë në vitin 1947.

Dila Karaçi
Ajo lindi në Orosh të Mirditës dhe u martua në Thirrë të Fanit. Kur i kërkuan që të dilte vullnetare për të punuar në hekurudhë, ajo kundërshtoi.
Pas shumë kërcënimeve, familja e saj pranoi të largohet, por ajo tha se do të vetëvritet.
Të nesërmen kur shkuan për ta marrë për në aksion, e gjetën të varur në një pemë në oborrin e shtëpisë. Ishte vetëm 22-vjeçe. / KultPlus.com

PDK,LDK dhe AAK, ende pa kandidatë zyrtarë për kryetar komune të Prizrenit

0

Dega e NISMA-s për Kosovën dhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre, që do të garojnë në zgjedhjet për kryetar të Prizrenit, duke u përcaktuar për Zafir Berishën përkatësisht Mytaher Haskukën.

Ndërsa dega e LDK-së si propozim ka dërguar për miratim në organet qendrore të partisë emrin e Hatim Baxhakut. E zyrtarët e degës së AAK-së kanë pohuar se kandidati i kësaj partie që do të garojë në zgjedhjet për kryetar të Prizrenit pritet të zyrtarizohet brenda kësaj jave, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë, dega e PDK-së deri më tani ka heshtur në lidhje më këtë çështje. Artan Abrashi, nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, ka njoftuar se sipas parimit një anëtar një votë, anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kandidat për kryetar Komune të Prizrenit ka zgjedhur Mytaher Haskukën. Ndërkohë, qysh para disa muajsh kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, kishte shprehur qëndrimin se bashkë me kryesinë e partisë do të angazhohen që Zafir Berisha të dalë fitues në garën për kryetar të Prizrenit.

Skocezja që u dashurua me etnokulturën shqiptare e i dedikoi libër Lef Nosit

0

Margaret Hasllëk (1885-1946) lindi në Moraushire. Kreu studimet e larta në Universitetin e Aberdinit në vitin 1907 në degën klasike dhe më pas studio në Kembrixh për jurisprudencë.

Margaret Hasluck

Në vitin 1907-1911 punoi në shkollën britanike të Athinës ku qëndroi deri në vitin 1916. Ka ardhur në Shqipëri më 1919 dhe gjatë viteve 1927-1939 banoi në Elbasan.

Bëri studime në krahinat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. I vizitoi shpesh këto vise dhe grumbulloi mjaft material, kryesisht për të drejtën e dokeve, zakoneve, koleksione etnografike dhe fotografi të objekteve të natyrës shqiptare.

Në vitin 1932, botoi me ndihmën e Aleksandër Zhavanit, Dhimitër Paparistos dhe Parashqevi Gignosit “The Unëritten Laë in Albania”, Kembrixh, 1954 (Ligji i pashkruar shqiptar). Këtë libër ajo ia kushtoi mikut të saj, Lef Nosit.

Libri është një përmbledhje e së drejtës dokësore me 25 probleme të radhitura. Ka botuar studime, vepra e artikuj në revista të kohës si: “The Nonconformist Mosleme of Albania” (Myslimanët jokonfromistë të Shqipërisë), 1952, “Pysiological Paternity and Paternity and Belated Birth in Albania” (Atësia psikologjike dhe lindja e vonë e shqiparëve), 1932, “Binde-Prince in Albania a Homerio Paralei” (Blerja e gruas në Shqipëri një përrallë homerike), 1933, “Një kult i malit në Shqipërinë e Jugut” në shkallë kombëtare.

“The Nonconformist Mosleme of Albania” (Myslimanët jokonfromistë të Shqipërisë), 1952

Gjithashtu botoi studime në revistën e Shoqatës antropologjike Mbretërore, broshura në dy gjuhë (shqip-anglisht), nja fjalor shqip-anglisht, një gramatikë e shkurtër e shqipes, ku në mes tyre janë 16 përralla në gjuhën shqipe bashkë me përkthimin anglisht, që autorja i ka mbledhur, siç pohon ajo, nga goja e 13 djemve e vajzave elbasanase (jep dhe emrat e tyre).

Përralla janë shkruar sipas theksit të Elbasanit.

Libri i saj është bazë për albanologët dhe etnografë vendas dhe të huaj.

Aty pasqyrohet me hollësi mënyra e jetesës, zakonet përbërja e familjes, jeta fisnore, funksionimi i kuvendeve fisnore dhe i së drejtës së pashkruar, si dhe krimet kundër pronës e përsonit, normat e rregullimit të tyre dhe ato të hakmarrjes. /Konica.al/

Malishevë: E sulmuan për borxh, arrestohen dy persona

0

Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj në Malishevë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje të mëhershme rreth një borxhi kanë sulmuar fizikisht viktimën, shkruan PrizrenPress.

Nga raporti i Policisë bëhet e ditur se viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKMF Malishevë.

Me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje./PrizrenPress.com/