22.2 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 536

Sonte

0

Nga Besnik Kryeziu

Sonte nata
po zgjat pafundësisht
një terr
ndryshe nga i zakonshmi
hëna ndriçon
çdo skutë të mendjes sime
yjet më duken në faj
kanë rënë të gjithë përtokë
si për inat sonte
asnjë yll nuk e shoqëron hënën
dhe as mua
unë vazhdoj të vështroj në heshtje
pa asnjë fjalë
pa asnjë dëshirë
pas asnjë gjykim
unë tashmë jam
i zhytur në melodinë e shpirtit të bardhë
i qetësuar nga çdo dallgë
sonte dhimbja u thye në qetësi
e iku bashkë me terrin pa yje
mëngjesi agoi plot bardhësi

Salajdin Krasniqi rrëfen dashurinë për kinemanë, filmin dhe jetën në Kino Lumbardhi

0

Programi i Klubit të Filmit të Kinemasë së Zgjeruar vijon të martën, më 23 prill, nga ora 19:00 në Kino Lumbardhi.

Çdo javë, ky program mirëpret publikun me biseda dhe shfaqje filmash. Kësaj radhe, mysafir do të jetë Salajdin Krasniqi, një nga personalitetet më të njohura të Prizrenit, i cili do të ndajë me publikun dashurinë e tij për kinemanë dhe filmin, si dhe kujtimet e tij mbi jetën kulturore në këtë hapësirë ikonike të qytetit.

Krasniqi, përveç kontributit të çmuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historisë së Prizrenit, është gjithashtu arkivist, historian dhe mjek. Përmes botimeve dhe punës së tij, ai ka sjellë në vëmendje anën shpirtërore dhe jetësore të qytetit, duke theksuar vlerat e kahershme përmes shkrimeve, fotografisë dhe ruajtjes së traditave etnografike, arkitekturore dhe zakonore.

Pas bisedës do të shfaqet një film i përzgjedhur nga fillimi i viteve ’70, një klasik i kinemasë së arteve marciale, i njohur për tematikat e tij mbi etikën, forcën dhe veprimin e drejtë në rrethana të vëshira – gjithmonë duke ofruar edhe argëtim të veçantë.

Ky aktivitet mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në kuadër të programit “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia, si dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./PrizrenPress.com

Rahoveci shënon Ditën e Tokës

0

“Sot për tokën, çdo ditë për të ardhmen!”

U shënua Dita e Tokës, me fëmijët e çerdhes “Tulipanët” në Rahovec, ku së bashku me kryetarin Smajl Latifi, mbollën lule dhe pemë në oborrin e çerdhes.

Fëmijët, përmes këtij aktiviteti, mësuan rëndësinë e kujdesit për natyrën dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Më pas, nga SHL Kosova, u organizua një sesion diskutimi dhe ndërgjegjësimi ku bashkë me të rinjtë kryetari diskutoi për sfidat mjedisore, angazhimin e tyre dhe përkushtimin institucional për të çuar përpara projektet e gjelbra.

Po ashtu Kompania Rajonale të Pastrimit “Ekoregjioni”, po bëjnë pastrimin e hapësirave përgjatë rrugës rajonale në drejtim të Malishevës./PrizrenPress.com

26 vjet pa dëshmorin Brahim Morina

0

Nën organizimin e Shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Malishevë dhe kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u përkujtua me nderim dhe krenari 26-vjetori i rënies heroike të dëshmorit të kombit, Brahim I Morina, ku morën pjesë Gjeneral Selim Krasniqi dhe shumë bashkëluftëtarë , shokë e miq të dëshmorit dhe familjarë.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati në fjalën e tij theksoi se sot, kur kanë kaluar plot 26 vite nga rënia heroike e Brahim I Morinës, ndalemi me përulësi e respekt përpara kujtimit dhe veprës së tij ,si një biri i atdheut që zgjodhi përjetësinë për të na dhuruar lirinë.

“Brahim Morina nuk ishte thjesht një luftëtar. Ai ishte një ndër ata bij të Kosovës që në kohë të errëta vendosi të rrokë armet e të luftoi për çlirim dhe liri të popullin të vet. Ai me guximin dhe përkushtimin që tregoi në beteja ball për ball ushtrisë pushtues serbe do të , mbetet frymëzim për brezat që vijnë, Brahimi ishte dhe mbetet një simbol i luftëtarit, i dinjitetit dhe i dashurisë së pakusht ndaj vendit”, tha Kastrati.

Kryetari i Shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- Dega në Malishevë Metush Kryeziu, në këtë nderim dhe homazh për dëshmorin Brahim I Morina.

“Brahimi ishte bir i denjë i këtij trualli,i këtij kombi që dha jetën për lirinë dhe të ardhmen e popullit të vet. Sakrifica e tij është gurthemel i lirisë që gëzojmë sot”, theksoi Kryeziu.

Lavdi jetës dhe veprës së tij! Nderim i përjetshëm për dëshmorin tonë dhe dëshmorët e kombit!/PrizrenPress.com

Mushtishti përkujton dëshmorët

0

Sot në Mushtisht të Suharekës u mbajt një ceremoni përkujtimore në nder të dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit.

Nën atmosferën e respektit dhe mirënjohjes, qytetarë, përfaqësues institucionalë dhe familjarë të të rënëve u bashkuan për të nderuar kujtimin dhe veprën e tyre.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, tha se në Mushtisht sot i nderuan ata që dhanë gjithçka për vendin.

“Në Mushtisht sot i nderuam ata që dhanë gjithçka për vendin. Lavdi e përjetshme”, u shpreh Muharremaj./PrizrenPress.com

Kapen rrjeta ilegale të peshkimit në Vermicë

0
Federata e Peshkatarisë së Kosovës, më 21.04.2025, ditë e hënë, zhvilloi një aksion kundër peshkimit ilegal në Vermicë.

Milaim Vitia, kryetar i Federatës së Peshkatarëve, tregoi se aksioni nisi në orët e mëngjesit, pas informacionit se ishin vendosur 10 rrjeta ilegale.

 

“Me datën 21.04.2025 rreth orës 5:40 mëngjesit e deri në orën 15:20 minuta kemi kryer një aksion për kapjen e rrjetave ilegale të peshkimit ku nga dje kem ndalesën e peshkimit për Krap. Në orët e mëngjesit kemi marr një telefonat nga disa persona se janë vendosur 10 rrjeta me gjatësi 30 metra deri në 50 metra.” – tha Vitia.

Vitia bëri thirrje që peshkimi ilegal të ndalohet, teksa njoftoi se kanë arritur t’i lirojnë peshqit e kapur nga rrjetat.

“Pas informatës kryetari i FPSRK ka ngrit kapacitetin e rojeve dhe janë nisur në drejtim të Ura e Gjonajt dhe në Vermicë, pasi kemi arrit në vendin e ngjarjes tek ura kemi njoftuar Policinë e Kosovës të asistojnë dhe kem arritur konfiskimin e rrjetave dhe kemi filluar në Vermicë, ku rreth 200 peshkatar disa me anëtarësi dhe disa pa anëtarësi kemi arritur t’i lirojmë  të gjithë peshqit. Ju bëj thirrje të heqin dorë nga peshkimin ilegal sepse ne nuk zbrazemi dot.”- shtoi Milaim Vitia, kryetari i Federatës së Peshkatarëve në nivel të Kosovës./kallxo.com/

Ambasada e Bullgarisë mbështet digjitalizimin e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren

0

Gjimnazi “Gjon Buzuku” në Prizren ka njoftuar se të martën është nënshkruar zyrtarisht marrëveshja e grantit me Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, për realizimin e projektit “Krijimi i Klasave Inteligjente (Smart Classrooms)”.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Dimitar Manchev, dhe drejtoresha e Gjimnazit “Gjon Buzuku”, Gylaj Karjagdiu.

“Projekti, me vlerë prej 15,700 euro, do të mundësojë pajisjen e klasave me teknologji moderne për mësimdhënie digjitale, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e arsimit dhe krijuar një mjedis më inovativ për nxënësit tanë”, ka bërë të ditur drejtoresha Karjagdiu.

Sipas saj ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit të këtij gjimnazi për zhvillim dhe modernizim të vazhdueshëm, si dhe një hap i rëndësishëm drejt përgatitjes së nxënësve për sfidat e së ardhmes.

 

“Shprehim falënderim të veçantë ndaj Ambasadës Bullgare për mbështetjen e këtij projekti me rëndësi të veçantë për komunitetin tonë arsimor”, është shprehur Karjagdiu.

Kërkohet paraburgim për zyrtarin e bankës që dyshohet se përvetësoi kundërligjshëm mbi 150 mijë euro

0

I dyshuari, sipas dosjes së Prokurorisë ishte arratisur nga Kosova në vitin 2021, dhe ndaj tij që nga ajo kohë kishte urdhër-arrest dhe letër-rreshtim (vendor e ndërkombëtar).

“I njëjti, është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar””, thuhet në njoftim.

“I pandehuri, A.H., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete dhe që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në cilësinë e analistit kreditor në njërin prej institucioneve Mikro-Financiare në Prizren, në vazhdimësi prej periudhës kohore 06.10.2016 e deri me datë 11.12.2019, duke rregulluar dokumentacionin për aplikim për kredi të dyzet (40) personave/të dëmtuarve, të njëjtëve paraprakisht ua keqpërdor të dhënat personale dhe kundërligjshëm ua përvetëson të hollat, të cilat i kishin marrë përmes kredive, i cili në total, kundërligjshëm dyshohet se ka përvetësuar shumën e të hollave prej 150,660.61€ (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar të dëmtuarve dëme të konsiderueshme pasurore. Më këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu, A.H., si person zyrtar, në dokumentin zyrtar shënon të dhëna të rreme, në atë mënyrë që me datë 25.01.2019, në ambientet e institucionit Mikro-Financiar në Prizren, përpilon kontratën për kredi, për shfrytëzuesen e kredisë – të dëmtuarën, pa qenë ajo fare prezente dhe në rubrikën ku figuron nënshkrimi i huamarrëses – në vend të saj shënon me dorën e tij emrin e të dëmtuarës, dhe në vend të bashkëhuamarrëses – të dëmtuarës, po ashtu me dorën e tij e shënon emrin dhe mbiemrin e saj. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”sipas KPRK-së.

“Gjithashtu, A.H., me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe duke i shkaktuar dëm financiar personave tjerë, i mashtron të njëjtit duke i nxitur që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që në vend dhe periudhë të njejtë kohore të përshkruar si më lart, dyshohet se ka arritur të përfitojë shumën e të hollave prej 150,660.61 € (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme pasurore. Në këtë mënyrë, i njëjti ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas KPRK-së”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Të premten rivarrosen eshtrat e njërit prej të zhdukurve gjatë luftës në Rahovec

0

Komuna e Rahovecit ka njoftuar se më 25 prill (të premten) do të rivarrosen eshtrat e Elhami Tahiragës, i vrarë në sulmin serb në korrikun e 1998-s.

Identifikimi i eshtrave të tij ishte bërë në muajin mars nëpërmjet metodës shkencore të ADN-së, ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Pas 26 vitesh, falë identifikimit të kryer me metodën shkencore të ADN-së, është bërë e mundur identifikimi i mbetjeve mortore (eshtrave) të Elhami (Qamil) Tahiraga nga Rahoveci, i cili figuronte në Listën e Personave të Zhdukur që nga periudha e luftës në Kosovë. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka informuar zyrtarisht familjen Tahiraga mbi rezultatet e procesit të identifikimit”, thuhet në njoftimin e Komisionit.

KFOR-i kroat patrullon në Komunën e Prizrenit

0

Ushtarët kroatë të Komandës Rajonale Perëndim të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë zhvilluar patrullime në Komunën e Prizrenit.

Patrullimi është një nga aktivitetet kryesore të ushtarëve të KFOR-it, thuhet në njoftim.

”Ai përfaqëson një përpjekje të vazhdueshme që reflekton parimet e transparencës dhe paanshmërisë, duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në zonë, në përputhje me objektivat e misionit”, theksohet ndër tjera.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet përkatëse si reagues të sigurisë.