21.6 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 537

A mund të ndreqet ky “mëkat” i Asdrenit?

0

 

Një “mëkat” i Asdrenit

Rasti më i ri kur kam dëgjuar nga afër Himnin e Flamurit të kënduar nga një kor, ka qenë më 21 nëntorin e shkuar, ditën e hapjes së Kuvendit Kombëtar për Gjuhën shqipe në Pallatin e Brigadave.

I kisha përballë dhe fare pranë vajzat dhe djemtë e Liceut Artistik “Jordan Misja”, që e kënduan me shumë ndjenjë e ngazëllim zemre, ndoshta për herë të parë në atë sallë dhe përpara kryeministrit.

Te vargjet 5-6 të strofës së parë:

Prej lufte veç ai largohet
Që është lindur tradhëtor
 …

vajzat dhe djemtë e korit dhanë gjithë frymën dhe frymëzimin e tyre për të arritur atë kreshendo, siç quhet në gjuhën e muzikës, dhe që kulmon te fjala tradhëtor. E kënduar te himni ynë ajo kumbon aq solemne, aq madhështore, aq sublime, saqë të duket sikur nuk është fjala për tradhëtorin, po për të kundërtën e tij, për trimin që vdes si hero legjendar duke mbajtur betimin që ka bërë mbi të shenjtin e të shenjtëruarin O flamur gjak, o flamur shkabë, O vend e vatr’, o nën’ e babë! Pse duhet ta kemi dhe ta ekzaltojmë në himnin tonë (që është më parë një himn kombëtar i gjithë shqiptarëve e pastaj edhe i shtetit) fjalën tradhëtor? Kjo pyetje më ther së brendshmi sa herë e dëgjoj dhe më shkon mendja ta quaj Një mëkat i Asdrenit.

Dihet se teksti i himnit tonë është frymëzuar nga kënga patriotike rumune Pe-al nostru steag e scris unire (Në flamurin tonë është shkruar bashkimi), për të cilën shkroi muzikën kompozitori Ciprian Porumbescu (1853–1883):

Acel ce-n lupt? grea se teme
Ce singur e r?t?citor,

shqip:

Ai që ka frike nga lufta e rreptë
Është vetëm endacak (d.m.th. pa atdhe)

Për këtë “mëkat” të Asdrenit ka rënë fjala edhe në raste të ndryshme me kolegë filologë, po edhe me njerëz të muzikës. E kemi njohur si një “cen” të himnit tonë dhe që “s’ke ç’i bën”! Por, duke vrarë mendjen se si mund të kapërcehet ky cen, ka dalë edhe një propozim, që kam dëshirë ta bëj të njohur për atë që quhet “opinioni publik” e veçanërisht për njerëzit e botës së letrave e të muzikës:

Prej lufte kurrë nuk largohet
Kush është lindur arbëror!

Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!

Ose, për të shmangur përsëritjen kush … kush në krye të vargjeve 2 e 3:

Prej lufte kurrë nuk largohet
Ai që lindet arbëror!

Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!

dhe kështu ai kumbim aq solemn, aq madhështor, aq sublim i muzikës së atij vargu, tani i vishet fjalës arbëror, emrit të popullit tonë në kohën e Motit të Madh, prej nga na vjen edhe Flamuri që kemi, prej nga na ka ardhur edhe frymëzimi e guximi për një “Shqipëri të lirë e të mosvarme”.

Sikur t’i kishte shkrepur në mendje Asdrenit fjala arbëror kur shkroi tekstin e këngës ”Betimi mbi flamur”, sa bukur e sa madhështor do të tingëllonte himni ynë, që i këndon simbolit të bashkimit, të krenarisë, të vendosmërisë e të qëndresës së paepur! A mund të ndreqet ky “mëkat” i Asdrenit? Them se e kemi lejen dhe mirëkuptimin e tij për ta ndrequr! Duhet pak vullnet i mirë ndërmjet nesh dhe mirëkuptim e interesim edhe nga institucionet që kanë tagrin për veprimet ligjore. /Gazeta “ExLibris”/

***

Himni Kombëtar Shqiptar

Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir’ e një qëllim,
Të gjith’ atij duk’ ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk friksohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!

Në dorë armët do t’i mbajmë
Të mbrojmë atdhenë më çdo kënd,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë;
Këtu armiqtë s’kanë vend.

Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur, shenj’ e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin’ atdhen’ e shtrenjtë,
Për nder’ edhe lavdimn’ e tu.

Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet’ ai do të kujtohet
Mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!

 

Dita e Tokës në Suharekë, kryetari Muharremaj fton qytetarët në aksion pastrimi

0

 

Sipas tij, aksioni i pastrimit për një mjedis të pastër në këtë komunë nis të martën nga ora 9:00.

“Komuna e Suharekës ju fton në një ditë veprimi për një ambient më të pastër dhe një qytet më të shëndetshëm. Angazhohemi në secilin fshat e secilën lagje. Në çdo pjesë të territorit të Komunës sonë nga ora 09:00, më 22.04.2025”, ka bërë të ditur ai.

Me këtë rast ka ftuar qytetarët pa dallim që të tregojnë shembullin e kujdesit për vendin e tyre.

“Nxënës e mësues, të rinj e të moshuar, biznese, mjekë, sportistë, institucione, të gjithë qytetarët pa dallim. Ejani të japim shembullin më të mirë të bashkëpunimit dhe kujdesit për vendin tonë. Mjedisi është shtëpia jonë e përbashkët – le ta pastrojmë me dashuri dhe përkushtim. Merrni dorezat, thasët dhe energjinë pozitive – dhe bashkohuni!”, thuhet në thirrjen e kryetarit Muharremaj.

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se i përvetësoi mbi 150 mijë euro

0

 

Ai dyshohet se i kishte përvetësuar mbi 150 mijë euro në mënyrë kundërligjshme.

Rasti kishte ndodhur nga 1 janari i 2017-tës e deri në vitin 2019-të.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Hetimet po zhvillohen dhe rasti është iniciuar si “Keqpërdoim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

/

 

Raportohet për zhdukjen e një gruaje në Rahovec

0

Një grua është raportuar e zhdukur në Rahovec.

Në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës thuhet se viktima është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj.

Rasti është nën hetime.

Sa do të rritet çmimi i bukës, si po e presin këtë vendim qytetarët?

0

Drita e gjelbër që iu dha ngritjes së çmimit të energjisë elektrike bëri bujë të madhe.

Kjo për shkak se ky vendim u tha se do të ketë ndikim në ngritjen e çmimeve të tjera.

Një ngritje të lehtë të çmimit do të ketë edhe produkti esencial për ushqim sic është mielli.

Por, se sa do të rritet çmimi i tij e tregoi kryetari i shoqatës së mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu.

“Sa i përket miellit nuk ndikon drejtpërdrejt në një ngritje të madhe, pasi që energjia elektrike në koston e prodhimit nuk është pjesë e madhe e përbërjes së çmimit. Nuk duhet të shfrytëzohet kjo situatë si pretekst për t’i ngritur çmimet pa ndonjë arsyeje, nuk e shoh një arsyeje për ngritje të çmimit kaq të mëdha, sigurisht se do të ketë një ngritje të çmimit të lehtë. Nëse flasim për miellin drejtpërdrejt, nëse çmimi sot është 320 apo 350, çmimi që mund të ngritët maksimumi, mundet me qenë rreth 5 euro për ton”, tha Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës

E me këtë rritje nuk po pajtohen qytetarët.

“Kjo është jo vetëm një katastrofë, por mbi katastrofë për qytetarët, mbi katastrofë jetësore. Kur qytetarët nuk po munden me përballu edhe këtë çmim që është aktual nuk po mundohen për të mirën e qytetarëve më e ulë e me i ngritë të ardhurat, por me ngritë bukën pa të cilën nuk jetohet. E rëndon që qytetari me u lutë me i thanë Zotit, o Zot pse më fale. Për çka punuam, jetuam  edhe u munduam  për këtë shtet të pavarur. Në sundimin e të huajve, jemi kanë jo të lirë e  nuk e kemi pas në pyetje bukën”, ka thënë Isuf Musliu – qytetar.

“Pensionet e vogla, 10% me qenë shtrenjtim i bukës ose i rrymës ndikon jashtë zakonisht shumë në standardin e qytetare. Andaj, shtrenjtimit janë të pa pranueshme, mirëpo nëse nuk ka zgjedhje tjetër atëherë duhet me e përballu, por varfëria thellohet”, shprehet një tjetër qytetar.

Një qytetar tjetër,  arsyeton disi rritjen e çmimit të miellit.

“Ata munden më i shtrenjtuar se nuk po ka ujë e rendimente, por ato nuk duhet me i shtrenjtuar se edhe shteti po ju ndihmon, ata normalisht duhet me dhënë edhe pa pare miellin për popull e jo me shtrenjtuar”, thotë Kadri Rama – qytetar.

Zyra e Rregullatorit për Energji me datën 11 prill mori vendimin që çmimi i rrymës të rritet prej 16.1%.

E për të kundërshtuar këtë rritje në kryeqytet u organizuan protesta të shumta. /Tëvë1/

Parashikimi i motit për të martën

0

Të martën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës, ndërsa orëve të pasditës dhe mbrëmjes, priten zhvillime konvektive të vranësirave, të cilat do të gjenerojnë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Nuk përjashtohet mundësia për breshër.

Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila në momente të caktuara pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-60 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale nga 24 deri në 27°C. /MeteoKosova/

Kryeziu: Deputetët nuk kanë të drejtë të mos marrin pjesë në seancë

0

Eksperti i çështjeve juridike, Kadri Kryeziu me këtë rast përmendi Aktgjykimin e vitit 2014-të, sipas së cilës deputetit i obligohet pjesëmarrja në Kuvend.

Tutje Kryeziu përsëriti lirinë e të drejtës së votës në atë se çka deputeti e mendon ndaj një propozimi: Pro, kundër ose abstenim.

“Aktgjykimi 20214-tës ka qenë se deputetët në aspektin Kushtetues-ligjor janë të detyruar me qëndru në Parlament dhe me votu, jo për kë, por me votu: për, kundër dhe abstenim. Është detyrimisht të marrin pjesë sepse Kushtetuta i obligon me i kriju institucione“, tha ai.

Përkujtohen dëshmorët në Bukosh dhe Dragaqinë

0

Në fshatin Bukosh dhe në Dragaqinë të Komunës së Suharekës u mbajtën sot aktivitete përkujtimore kushtuar dëshmorëve që ranë për lirinë e vendit. Me pjesëmarrjen e familjarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, u shpreh respekt dhe mirënjohje për sakrificën e tyre.

Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka deklaruar:

“Sot i nderuam dëshmorët e fshatit Bukosh.
E përjetshme qoftë lavdia e tyre.”

Ndërsa për të rënët në Dragaqinë, ai ka shtuar:

“Sot kujtojmë të rënët për lirinë e vendit në Dragaqinë. Ne asnjëherë nuk do ta harrojmë sakrificën e tyre, prandaj ndër breza do t’i nderojmë. Lavdi!”/PrizrenPress.com

“Krejona” sonte në skenën e teatrit të Prizrenit

0

Shfaqja “Krejona” do të jetë në skenë sonte në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, duke nisur në ora 20:00.

E shkruar dhe drejtuar nga Kaltrim Balaj, kjo shfaqje është rezultat i një procesi intensiv krijues që ka zgjatur më shumë se tre muaj, duke u zhvilluar si pjesë e një teatri laborator. Kjo shfaqje trajton lirinë e shprehjes dhe fuqinë e emrit si medium proteste, revolte dhe mënyrë e të shprehurit në shoqërinë shqiptare të Kosovës gjatë viteve ’80 dhe ’90. Në një periudhë të mbushur me tensione politike dhe shoqërore, emri bëhet një simbol identiteti, qëndrese dhe sfide ndaj shtypjes. Përmes një qasjeje eksperimentale dhe një gjuhe artistike të fuqishme, Krejona sjell në skenë historitë, ndjenjat dhe betejat e një populli për të ruajtur të drejtën për të folur, për të protestuar dhe për të ekzistuar.

Aktorët Alban Krasniqi, Edona Sopaj, Alban Morina dhe Alban Çela, do të interpretojnë rolet kryesore, ndërsa Lulzim Lushtaku do të luajë në piano dhe kontrabas./PrizrenPress.com

Dy rrugë në Rahovec mbyllen për dy ditë

0

Komuna e Rahovecit njofton qytetarët se, për shkak të punimeve infrastrukturore, rrugët “Xhevat Kasapi” dhe “Muharem Dina” do të jenë të mbyllura për qarkullim më 22 dhe 23 prill 2025, nga ora 08:00 deri në 16:45, raporton PrizrenPress.

Gjatë këtyre dy ditëve, qarkullimi do të ndalohet për të gjitha automjetet, përjashtuar banorët e lagjes, të cilëve do t’u mundësohet kalimi i kontrolluar.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme (21 prill), punimet do të vazhdojnë, por rrugët nuk do të bllokohen plotësisht, duke lejuar kalim të kufizuar./PrizrenPress.com