17.2 C
Prizren
E diel, 3 Gusht, 2025
Home Blog Page 5560

Lexuesi mbetet mbështetja e vetme për shkrimtarët

0

Lexim skenik, poezi e muzikë, shkëmbim librash e debat, kanë qenë menyja e “Festivalit të Librit 2017”.

U janë ndarë mirënjohje lexuesve, e në panelin e diskutimit për gjendjen e librit në Kosovë dhe kulturën e të lexuarit tek të rinjtë janë bërë tok botues e shkrimtarë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përfaqësues institucionesh që bëjnë politikat në fushën e kulturës nuk janë parë. Pikërisht mungesa e përkrahjes nga shteti, mbijetesa e shkrimtarit në një vend ku libri nuk merr trajtimin e merituar dhe rëndësia e librit, kanë qenë temat që janë prekur në edicionin e tretë të këtij festivali, organizuar në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit. Janë përmendur edhe roli i teknologjisë në raport me librin dhe trajtimin e poezisë në këngë.

Shkrimtari i njohur Ibrahim Kadriu me këtë rast ka thënë se libri është një barrë që shkrimtari e bart mbi vete.

“Konsideroj se shkrimtarët sot, në këto kushte, janë heronj që merren me veprën e shkruajnë libra vetëm në bazë të vullnetit personal”, ka thënë Kadriu. Mbështetja e vetme, sipas tij, është ajo në forca dhe vullnete personale.

Për numrin e lexuesve ka folur Munish Hyseni, drejtor i bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”. Ai ka thënë se në këtë bibliotekë vazhdohet të lexohet. “Për ata nëntë muaj janë marrë për lexim 92 mijë libra”, ka thënë Hyseni.

Për rëndësinë e shkrimtarit dhe të librit në shoqëri ka folur botuesi e shkrimtari Abdullah Zeneli, nga shtëpia botuese “Buzuku”. Ai e ka konsideruar si armë të fuqishme librin, ndërsa lexuesin si luftëtar të dijes.

Të ftuar në këtë panel kanë qenë edhe shkrimtari Albatros Rexhaj, gazetari Milaim Zeka, teknologia Fiona Shehu dhe tekstshkruesi e reperi, Burim Kursani – BimBima…

Balotelli në ‘radarët’ e gjigantit turk

0

Klubi i famshëm turk, Galatasaray është i interesuar për yllin e Nice, Mario Balotellin, raportojnë mediat turke.

Sulmuesi italian i cili verën e kaluar iu bashkua skuadrës franceze, ka rigjetur më të mirën e tij.Balotelli, i cili ka ‘rilindur’ tek Nice kërkohet nga disa klube, por siç raportohet, Galatasaray është skuadra e radhës që ka futur në listë ish-yllin e Manchester Cityt, Interit e AC Milan.

Klubi turk synon që këtë verë të bëjë disa përforcime në mënyrë që të ndërtojë një skuadër të fortë për edicionin e ardhshëm, dhe Balotelli është një nga objektivat e skuadrës nga Stambolli.

Mediat spanjolle: Perez ‘trondit’ bankinën e Zidane-s

0

Humbja nga Barcelona në “Santiago Bernabeu” mbrëmjen e djeshme për kampionat (2-3) duket se ka tronditur bankinën Zinedine Zidane, i cili në rast se dështon për të fituar Ligën e Kampioneve dhe La Ligen, më shumë gjasa do të largohet.

Sikurse shkruan gazeta sportive spanjolle ‘AS’, presidenti klubit madrilen, Florentino Perez, si zëvendësues të francezit në bankinë sheh trajnerin e kombëtares së Gjermanisë, Joachim Low.Në fokusin e tij janë edhe italiani i Chelsea, Antonio Conte dhe argjentinasi i Tottenham, Mauricio Pochettino.

Vetëm para pak ditësh Zidane mori një konfirmim së do të vazhdojë të jetë në krye të madrileneve edhe vitin e ardhshëm.Sikurse shkruante gazeta “Marca”, presidenti Perez “nuk ka dyshim se tekniku francez do të vazhdojë të jetë trajner i klubit te Real edhe pas 30 qershorit”.Por, gjerat nuk kanë shkuar siç duhet për francezin, i cili duhet të bëjë pak durim.

Dy lojtarët e Arsenalit befasojnë me ekip të ri

0

Olivier Giroud dhe Laurent Koscielny mund t’i bashkohen Marseilles gjatë verës

Sipas tabloidit britanik, Daily Mail, skuadra e Marseille po synon ta bëj një ekip të fortë për sezonin e ri.

Ekipi nga Velodrome, e cila është në pronësi të biznesmenit amerikan, Frank McCourt, pritet të jetë shumë aktiv gjatë verës.
Thuhet se Marseille po synon të transferoj dy yjet e Arsenalit: Olivier Giroud dhe Laurent Koscielny.

“Zvicerani me prejardhje kosovare” mbyt drejtorin e fabrikës

0

Si “një i ri me prejardhje të huaj” e identifikonin fillimisht mediat zvicerane 21 vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Fabrizio C., drejtorit 44 vjeçar të një fabrike orësh.

Ndërkohë blick.ch duke folur për shkaktarin e vdekjes së fabrikantit shkruan se ai është një “zviceran me prejardhje kosovare”. Po kështu shkruajnë edhe mediat në gjuhën italiane, në regjionin ku ka ndodhur vrasja, e cila ka shkaktuar tronditje në kantonin jugor të Zvicrës, në Tiçino.

Është mëngjesi i hershëm i të shtunës, ora 4.30. Dy persona qëndrojnë në hyrjen e garazhit nëntokësor para lubit të natës “La Rotonda”. Më i riu prej tyre e godet të vjetrin me një goditje të karatesë dhe e rrëzuar përdhe, ku ai mbetet pa shenja jete. I riu pastaj e lë viktimën dhe niset të largohet gjakftohtë nga vendi i ngjarjes.
Por atë e ka parë njëri nga personat e sigurimit të lokalit, i cili e kap dhe e mban kosovarin deri sa të vijë policia. Ndërkohë autoambulanca e dërgon të lënduarin rëndë në spitalin e Luganos. Por babai i dy fëmijëve (8 dhe 9 vjeç) vdes pas pak nga pasojat e lëndimit.

Tash hetimet janë drejtuar ndaj Alexander M. i cili fajësohet për goditje vdekjeprurëse. Por përse ai e ka sulmuar drejtorin e fabrikës së orëve nga Stabio, është ende e paqartë. Ka mundësi që puna të ketë qenë për ndonjë vogëlsirë ose edhe të mos ketë pasur asgjë mes tyre, transmeton albinfo. Por, personi i fajësuar, në facebook prezantohet si një maço, brutal, muskuloz, me vetura të shpejta.

Komuna dhe rrethi i miqve të Fabrizios reagojnë të tmerruar. Edhe politikani i partisë Lega, Norman Gobbi, i cili është drejtor për siguri në kanton, është i pikëlluar për 44 vjeçarin, me të cilin ka qenë së bashku në shërbimin ushtarak.

Politikanët e mbrapshtë lënë kosovarët në geto

0

Derisa për të gjitha vendet e Ballkanit janë eliminuar barrierat e lëvizjes së lirë dhe është hapur e qartë perspektiva e integrimit në BE, janë vetëm qytetarët e Kosovës, për shkak të politikës së papërgjegjshme që po e drejton vendin, po mbeten në izolim të plotë nga bota demokratike. Analistët konsiderojnë se kjo situatë është pasojë e politikanëve të papërgjegjshëm kosovarë, të të gjitha partive pa dallim, të cilët po sillen duke kalkuluar vetëm për interesa personale e duke rrënuar kështu të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve. Analisti Jeton Kelmendi thotë se kjo çështje do të duhej trajtuar jo vetëm nga politika, por edhe nga qarqet intelektuale.

“Kosovës i mungon edhe shoqëria civile, sepse pothuajse të gjitha OJQ-të në vend janë mekanizma të subjekteve të caktuara politike e parapolitike, prandaj kemi një qasje jokorrekte. Kur këto dy segmente nuk funksionojnë, atëherë partitë politike nuk përmirësohen, sepse nuk ka kush ushtron presion ndaj tyre dhe nuk ka se kush të mund t’i përmirësojë ato”, është shprehur ai.

Trinomi kriminal mban peng Republikën

Analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron se Kosova është dhe vazhdon të jetë e izoluar jo për shkak të demarkacionit, por për shkak të nivelit tepër të ulët të sundimit të ligjit, për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të gjitha formave të tjera të mundshme të ekzistimit të dukurive, që pamundësojnë funksionimin efikas të një shteti ligjor.

“Kosova vazhdon të jetë në listën e zezë të vendeve, ku trafikohen qeniet njerëzore dhe si vend tranzit për drogën. Klasa politike në Kosovë është bërë një me krimin dhe banditët, të cilët përmes marionetave të politikës zhvillojnë veprimtarinë e tyre lirshëm. Të gjitha partitë politike pa përjashtim kanë grupacionet e tyre të krimit, ata kanë mbushur vendin me drogë, me kasino, me trafik armësh dhe ushtrim prostitucioni. Këto të gjitha janë të ditura edhe nga AKI-ja, por që nuk ndërmarrin masa, sepse zinxhiri komandues është ai që nuk lë mundësi për veprim”, tha Mehmeti. Për fat të keq, sipas gjykimit të tij, edhe për një kohë të gjatë nuk pritet që kjo klasë politike të ndryshojë mentalitetin e tanishëm kriminal, pasi trinomi politikë- biznes-gjyqësor, është i lidhur “si mishi me thoin”, dhe është vështirë të depërtohet për ta shkulur të keqen. “Njerëzit e ndershëm nuk arrijnë të depërtojnë, pasi ose do të eliminohen politikisht me akuza të rreme ose do të të vrasin dhe të paraqesin si vetëvrasje. Vendi është i izoluar nga ndërkombëtarët, të cilët kanë frikë të liberalizojnë vizat, duke mos rrezikuar që në vendin e tyre të shkojnë njerëz të krimit”, tha Faton Mehmeti.

Hatim Baxhaku ‘kërcënohet’ nga Isa Mustafa

0

Deputeti i LDK-së, Hatim Baxhku, nuk është dorëzuar përballë ‘kërcënimeve’ të liderit të partisë, Isa Mustafa.  Ai, përfundimisht i ka thënë Mustafës, se nuk do të votojë demarkacionin me Malin e Zi.

Përgjigje të njëjtë, Mustafa ka marrë edhe nga deputeti tjetër, Anton Çuni.

Dy deputetët e LDK-së, që vijnë nga Prizreni, e kanë vlerësuar të dëmshëm marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.  Baxhaku, ditë më parë në prani të anëtarëve të Kryesisë së LDK-së në Prizren, i ka thënë Mustafës, se vota tij, do të jetë kundër demarkacionit, shkruan PrizrenPress.

Ndërkaq, burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se deputeti Baxhaku, një ditë pas mbledhjes së LDK-së në Prizren, është ftuar nga Isa Mustafa në Prishtinë.

Në këtë takim, Mustafa i ka thënë Baxhakut se nuk do ta lejojë të kandidojë për kryetar të Prizrenit, nëse nuk e voton demarkacionin.

“Mustafa e ka kërcënuar Baxhakun, se do të pengojë kandidimin e tij, për kryetar të Prizrenit, nëse nuk e voton marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi”.

Anëtarët e nëndegëve të LDK-së në Prizren, i kanë dhënë mbështetje Hatim Baxhakut, që të kandidojë për kryetar të Prizrenit.

Ai, mbështetje ka marrë edhe nga kryetari i LDK-së në këtë qytet, Haxhi Avdyli.

“Pavarësisht vendimeve të njëanshme që mund t’i merr Isa Mustafa, anëtarësia e LDK-së në Prizren është e vendosur që në zgjedhjet e ardhshme të shkojë në garë me Baxhakun”, tregon një burim brenda LDK-së.

Anëtarët e LDK-së, ndërkaq, në tubimet e tyre, kanë filluar të kërkojnë votë për Baxhakun. /PrizrenPress.com/

Kapuçkuqi

0

AG APOLLONI

(Shënime personale për Ditën e Librit)

Sot u zgjova, si çdo ditë, në atë pjesë të ditës që korrespondon me emrin tim. Por, ndryshe nga herët më të shpeshta, kur zgjohem i tmerruar nga ëndrrat, ose i turbulluar nga pamundësia për ta kujtuar ëndrrën që jam i sigurt se e kam parë, sot u zgjova i buzëqeshur. E pashë në ëndërr dramaturgun George Bernard Shaw. S’di çka do të mund të thoshin psikanalistët për këtë, por në këtë rast unë jam krejt i pafajshëm: as nuk e thirra, as nuk e përmenda dje, as nuk e lexova këtë javë. Thjesht erdhi. Po e jap skenën, sado që është e pamundur të jepet besnikërisht, sepse, siç thotë J. L. Borges, “ëndrra shihet, prandaj nuk mund të rrëfehet”, që, ndryshe i bie, ëndrra është mimetike, prandaj s’mund të kthehet në diegjetike, apo ëndrra është film dhe s’mund të kthehet në tregim. Po e tregoj për aq sa e mundësojnë ligjet e rrëfimit. Në fakt, më shumë se rrëfim, është përshkrim: Ishte sallë e madhe, që më ngjante me fakultetin ku jap mësim. Unë u afrova te dritarja (këtu pak prishet koncepti i fakultetit “tim”, pasi aty mund të shohësh nga xhami i derës, por jo nga xhami i dritares, pasi unë jap mësim në kat të dytë dhe pa flatra s’mund ta vëzhgosh sallën. Nejse! Është ëndërr dhe ëndrrat kanë ligjet e veta fantastike). Pra, pasi u afrova te dritarja, pashë sallën plot me studentë, por çuditërisht, asnjë nuk e njihja dhe të gjithë ishin mbi pesëdhjetë vjeçarë. Të gjithë dëgjonin me shumë vëmendje, me fytyra serioze, ndërsa para tyre fliste krejt cullak George Bernard Shaw. Çuditërisht, ndonëse ashtu cullak, ai dukej se fliste seriozisht. Nuk më bëri përshtypje pse kishte vendosur të fliste “ex cathedra” pa rroba, por pse fliste seriozisht. Gjithmonë, e kisha paramenduar si njeri që kur fliste, ose e mbyllte njërin sy, ose buzëqeshte me njërin cep të buzës. Nuk e di pse e kam paramenduar kështu, por ndoshta nga humori shpesh tallës që është shenjë dalluese e karakterit të tij. Pra, ëndrra ishte thjesht imazh. Mua s’më lejohej të hyja brenda në sallë (edhe pse s’më ndalonte kush, ma ndalonin ligjet e ëndrrës!) dhe … më doli gjumi.

Duke mbajtur sytë në tavan, u mundova një copë herë ta zbërtheja ëndrrën. Vrava mendjen pse Shaw jepte “show” në subkoshiencen time dhe pse kësaj ëndrre i mungonte tallja, edhe pse protagonist i saj ishte tallësi më i madh irlandez. Pastaj, më vetëtiu një ide, që nuk jam i sigurt se është shpjegimi i duhur: dramaturgu kësaj here nuk kishte zgjedhur të tallej me fjalë, por me paraqitje. Dhe s’di pse m’u dhimbsën ata që e dëgjonin me aq seriozitet.

Pasi mendova se e deshifrova ëndrrën, mora një libër që kisha te kryet me shpresë që të lexoja diçka që i shkonte kësaj dite të shënuar të letërsisë. Lexova kapitullin “Mrekullia e librit”. Aty, në atë kapitull, Borges citon pikërisht atë mysafirin e ëndrrës sime (o, zot, edhe këtu paska hyrë ky!), i cili paska thënë se biblioteka e Aleksandrisë është kujtesa e njerëzimit. Natyrisht, vizionari i verbër argjentinas shton se libri ka diçka më tepër se kujtesën, ai mban edhe imagjinatën e njerëzimit. Mandej, dihet ku hyn e ku del ky autor: prej lashtësie deri në ardhmëri. Thotë se libri një kohë shihej si surrogat i fjalës së shkruar, prandaj as Pitagora, as Sokrati, as Buda s’pranonin të shkruanin, por ngulitnin fjalimet e tyre në kujtesën e nxënësve të tyre. Prandaj, thotë se dëgjuesit që shkruan mësimet e mësuesve duhet të shihen si pavdekësia e mësuesve. Mandej, përmend dy armët e Aleksandrit të Maqedonisë, të cilat heroi dybrirësh (domethënë Aleksandri) i mbante nën jastëk: shpatën dhe “Iliadën”. Tregon, po ashtu si erdhi koncepti për librin si diçka të shenjtë dhe tregon se si një libër mund të zëvendësojë atdheun, duke parafrazuar thënien e poetit Heinrich Heine se atdheu i çifutëve është Bibla. Tregon se si besohej që librat i shkruante Shpirti i Shenjtë dhe, pastaj, prapë i kthehet ironikut George Bernard Shaw (prapë ky!), i cili, i pyetur nëse besonte se Bibla ishte shkruar nga Shpirti, ishte përgjigjur: “Çdo libër që ia vlen ta rilexosh, është shkruar prej Shpirtit”.

Pastaj, ndërsa lexoja idetë e tij për librin “Don Kishoti”, s’di pse m’u kujtuan do vargje të gjyshes sime. Pse e bëra këtë lidhje, mos kërkoni shpjegim, se ashtu si m’u shfaq befasishëm dramaturgu në ëndërr, më erdhën edhe vargjet e gjyshes në kujtesë. Kur isha i vogël dhe mezi kuptoja fjalët e njerëzve, gjyshja më merrte në prehër dhe më thoshte një vjershë. Vjersha ishte kjo:

Kapuçkuqi te mullini

Kujtoj maca se â’ mini

Nuk ish mini, po ish zhapini

Kjo poezi “dadaiste” e gjyshes më bënte të shkrihesha gazit. Dhe gjyshja qeshte bashkë me mua. E kuptoj se ju që po e lexoni këtë tekst, mund ta shihni thjesht si një përçartje, pasi nuk jeni në moshën që isha unë atëherë kur kjo poezi më kënaqte. Kjo vjershë për mua ka qenë poezia e parë, drama e parë, filmi i parë. Kishte të gjitha elementet dramatike të mjaftueshme për një fëmijë. Kishte fillimin, por ky fillim ishte mashtrues. Na shfaqet Kapuçkuqi, që unë e mendoja si një mullixhi me tesha pak a shumë si të Babadimrit (nuk di pse e mendoja kështu, ndoshta pse të vetmet ngjyra që shoh në këtë poezi, janë ato që shohim edhe te veshja e Babadimrit: bardh, sepse mulliri lidhet me miellin, mielli me të bardhën; kuq, sepse ishte Kapuçkuq. Nuk e di pse macen, minin dhe zhapinin s’i paramendoja me ngjyra). Pas fillimit, Kapuçkuqi zhdukej (si një aktor që thotë prologun në një shfaqje të Shekspirit) dhe fillonte filmi “Tomy and Jerry”, versioni i gjyshes. Dhe, pasi Tomy ishte budalla, kurse Jerry gjeni, fundi do të ishte në kurriz të maces. Në vend të “minit”, “maca” gjen “zhapinin”. Suspansa shtrihet në vargun e dytë, surpriza në të tretin. Edhe nëse isha nervoz apo duke qarë për arsye foshnjore, a fëminore, kjo poezi më bënte të buzëqeshja, ndërsa vargu i fundit i saj më bënte të qeshja tepër. Herën e parë kam qeshur sepse edhe unë jam befasuar si macja, sepse s’kishte asnjë element paralajmërues që poezia do të përfundonte me një zhapin. Por, tevona, kur e dëgjoja të përsëritur (unë nuk e di sa qindra, apo mijëra herë ma ka përsëritur gjyshja), qeshja me surprizën, sepse unë e dija fundin, kurse macja jo.

Kam dëgjuar se shumica e fëmijëve janë rrritur me përrallën e Kësulëkuqes. Unë jam rritur me “përrallën” e Kapuçkuqit, të cilin gjyshja kurrë s’ma ka përshkruar. Me nje stil eliptik, ajo kishte menduar se përshkrimi metonimik ishte i mjaftueshëm. Ndoshta, është pikërisht misteri që e shoqëron atë figurë arsyeja pse Kapuçkuqi për mua mbetet më i dashur se Kësulëkuqja. Kësulëkuqen e njoh të gjithën: vajzë e vogël, me fustan e kapele të kuqe, me një shportë në dorë. Kapuçkuqin veç e marr me mend që është mashkull, por asgjë tjetër. Dhe është ky që më tërheq më shumë, ndoshta sepse gjithmonë më ka tërhequr misteri.

Natyrisht, secili shkrimtar, madje secili njeri, ka një depo me kujtime dhe ëndrra, apo me kujtime dhe dëshira (në psikanalizë, ëndrra është dëshirë). Unë zgjodha këtu vetëm dy inserte që më erdhën pa i kërkuar në Ditën Botërore të Librit, që festohet për nder të dy gjenive: Servantesit dhe Shekspirit, njëri prej të cilëve tregon ëndrrën (dëshirën) e “heroit” për ta ndryshuar botën, ndërsa tjetri paraqet makthin që prodhojnë ëndrrat tona, ndërsa të dy së bashku bëjnë pjesë në kujtesën e njerëzimit. Fundja, vetë Shekspiri e ka thënë se ne jemi bërë nga i njëjti brum prej të cilit janë bërë edhe ëndrrat.

Sigurisht, për Ditën e Librit, do të duhej të thosha ndonjë gjë më të mençur. Dhe ju mund të pyesni pse e thashë pikërisht këtë. Po ia jap fjalën shpotitësit G. B. Shaw që t’ju përgjigjet: Ju të gjithë thoni “pse?”, kurse unë them “Pse jo?”.

Fshati Kuk, që ruajti tiparet shqiptare ndër shekuj

0

Fshati Kuk është një ndër fshatrat me bukuri të rrallë të Opojës. Bedri Halimi, përfaqësues i fshatit Kuk, thotë se fshati shtrihet rrëzë Sharrit në lartësinë mbidetare 1150 m. Pasuritë natyrore të Kukit janë kullosat malore, toka fushore dhe ujërat. Sipas shënimeve statistikore fshati në vitin 1865 i kishte 45 shtëpi, rreth vitit 1879 i kishte 40 shtëpi; sipas regjistrimit të vitit 1913 kishte 563 banorë; ndërsa në vitin 1991 i kishte 161 shtëpi me 1625 banorë.

Fshati me legjenda të shumta

Nja nga legjendat e këtij fshati është edhe ajo për djaloshin që kishte dalë për gjah ne malet e Sharrit dhe një shqipe fluturoi sipër tij dhe u ndal në majë të një shkrepi. Shqipja ishte jashtëzakonisht e madhe dhe mbante në çapojntë një gjarpër. Mbas pak shqipja fluturoi prej shkrepit ku kishte çerdhen. Djaloshi u ngjit atëherë në majë të shkrepit, dhe gjeti në çerdhe zogun e shqipes që po luante me gjarprin e mbytur. Por gjarpri nuk ishte vërtetë i mbytur. Befas ai lëvizi, ngrehu kokën, nxori thimthin dhe deshi të pickojë zogun. Në atë çast djaloshi nxori harkun, dhe vrau me shigjetë gjarprin. Mandej ai mori zogun e shqipes dhe u nis kah shtëpia e vet. Befas ai dëgjoi mbi krye zhurmën e krahëve te shqipes. “Pse ma grabite zogun?” .
Zogu është i imi, sepse unë e shpëtova nga gjarpri që ti nuk e kishe mbytur”, përgjigj djaloshi. “Jepma zogun tim, dhe unë të jap si shpërblim mprehtësinë e syve të mi dhe fuqinë e krahëve të mi. Ti do të jesh i pamposhtur dhe do të quhesh me emrin tim!”.
I riu i dha shqipes zogun e vet. Kur u rrit zogu, ai i sillej mbi krye djaloshit, që tash ishte bërë burrë. Me harkun e vet ai mbyti shumë bisha të pyllit, dhe me shpatën e vet preu shumë armiq të vendit. Ndër të gjitha këto vepra shqipja i printe dhe e drejtonte.
I çuditur nga këto punë, populli e zgjodhi mbret gjuetarin trim“, thuhet në njërën nga legjendat me të cilën mbahej humaniteti dhe atdhetaria gjallë në këtë anë, tregon Halimi.

Toponimet e shumta

Fshati ka lidhje të mira rrugore, shkollën e plotë fillore, ambulancën “Nënë Tereza” disa dyqane tregtare e zejtare, si për punimin e drurit, lëngjeve dhe prodhimin e kaloriferëve etj. Territori i Kukit ka sipërfaqen 6,62 km2 ku jetojnë 1750 banorë në 185 shtëpi. Për nga numri i popullsisë dhe shtëpive është vendbanimi i tretë në Opojë. Mëhallët që e përbëjnë fshatin përputhen me fiset Kelaj, Durakaj, Velaj, Tafaj, Medaj, Hoxhaj dhe Pashtraj. Ndër toponimet, që gjenden në këtë territor veçojmë: Sefos, Ostrika, Baxhak, Ndërvorrëza, Ligatës, Defalle, Livadhe, Begit, Livadhet e mëdha, Rakita, Hederza Lithiza, Ndërlugjez, Lug, Gurthi, Livadhet e Muratit, Stërga, Guri qamë, Mllakat e Danës, Guri i Hakulit, Kodra e Vashave, Rrethi i Pitës, Guri i gat, Gropshta e sipër, Verri rrahës, vija e ahut, Norshinëz, Kroji i Hakmagjes, Të ndahen vijat Kroji Kadis, Kroji Leros, Kroji Gurit gat, Kroji Nusos, Prroji gurëzve, Reka Kukit, Guri gat, Guri çam, guri Hakulit, Guri qenit, Guri i limuar, Guri stërgos, Guri kthyet, Guri shejas etj. Sipërfaqet bujqësore të Kukit janë fushore dhe malore”, tregon Halimi.

 Fshati i traditës antike

Treva e Opojës shekuj me radhë ishte territor shtetëror i Bizantit. Pra, Opoja, që për një kohë të shkurtër, në fillim të shek. XII  ishte nën pushtetin bullgar. Faktet tregojnë se populli shqiptar përjetoi periudhën me të errët të ekzistimit të vet. Gjatë kësaj kohe Opoja pësoi dëme shumë të mëdha. Shumë fshatra të saj, sunduesit Nemanjiqët i bënë pronë të manastireve të veta, si ai i Shën Arhangjejve, Shën Premtës, etj. Të gjithë banorët u ngarkuan me taksa të mëdha dhe punë të detyruar, që duhet ta bënin për interesat e okupatorit.
Bedri Halimi, duke folur për gazetën “Kosova Sot” tregon se ka shumë kurbetçinj dhe numri i tyre është i madh dhe është numër lëvizës. Shumë banorë të kësaj ane janë të punësuar në Gjermani, Austri, Itali, Zvicër. Halimi, duke folur për këtë dhembje të përgjithshme të secilit vendbanim shqiptar thotë se shpreson që një ditë ata të kthehen në vendlindje dhe të kontribuojnë në zhvillimin e kësaj ane. Fshati është karakteristikë se ende ka ruajtur traditat e dasmave, por edhe të kanangjeqeve. Pastaj, ajo që e dallon këtë fshat është mirëkuptimi dhe bujaria për mysafirin.

Bujar Nishani, do të shpallet “Qytetar Nderi i Prizrenit”

0

Presidenti në largim i Shqipërisë,Bujar Nishani, do të shpallet të enjten “Qytetar Nderi i Prizrenit.

Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Kujtim Gashi, tha se ky titull, Nishanit do t’i ndahet me për kontributin që i ka dhënë Kosovës.

“Për shpalljen e presidentit, Bujar Nishani, “Qytetar Nderi të Prizrenit”, bëhet me motivacionin për mbështetjen që kanë dhënë dhe po i japin shtetit dhe popullit të Kosovës institucionet e Republikës së Shqipërisë”, tha Gashi./PrizrenPress.com/