15.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Politikanët e mbrapshtë lënë kosovarët në geto

Derisa për të gjitha vendet e Ballkanit janë eliminuar barrierat e lëvizjes së lirë dhe është hapur e qartë perspektiva e integrimit në BE, janë vetëm qytetarët e Kosovës, për shkak të politikës së papërgjegjshme që po e drejton vendin, po mbeten në izolim të plotë nga bota demokratike. Analistët konsiderojnë se kjo situatë është pasojë e politikanëve të papërgjegjshëm kosovarë, të të gjitha partive pa dallim, të cilët po sillen duke kalkuluar vetëm për interesa personale e duke rrënuar kështu të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve. Analisti Jeton Kelmendi thotë se kjo çështje do të duhej trajtuar jo vetëm nga politika, por edhe nga qarqet intelektuale.

“Kosovës i mungon edhe shoqëria civile, sepse pothuajse të gjitha OJQ-të në vend janë mekanizma të subjekteve të caktuara politike e parapolitike, prandaj kemi një qasje jokorrekte. Kur këto dy segmente nuk funksionojnë, atëherë partitë politike nuk përmirësohen, sepse nuk ka kush ushtron presion ndaj tyre dhe nuk ka se kush të mund t’i përmirësojë ato”, është shprehur ai.

Trinomi kriminal mban peng Republikën

Analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron se Kosova është dhe vazhdon të jetë e izoluar jo për shkak të demarkacionit, por për shkak të nivelit tepër të ulët të sundimit të ligjit, për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të gjitha formave të tjera të mundshme të ekzistimit të dukurive, që pamundësojnë funksionimin efikas të një shteti ligjor.

“Kosova vazhdon të jetë në listën e zezë të vendeve, ku trafikohen qeniet njerëzore dhe si vend tranzit për drogën. Klasa politike në Kosovë është bërë një me krimin dhe banditët, të cilët përmes marionetave të politikës zhvillojnë veprimtarinë e tyre lirshëm. Të gjitha partitë politike pa përjashtim kanë grupacionet e tyre të krimit, ata kanë mbushur vendin me drogë, me kasino, me trafik armësh dhe ushtrim prostitucioni. Këto të gjitha janë të ditura edhe nga AKI-ja, por që nuk ndërmarrin masa, sepse zinxhiri komandues është ai që nuk lë mundësi për veprim”, tha Mehmeti. Për fat të keq, sipas gjykimit të tij, edhe për një kohë të gjatë nuk pritet që kjo klasë politike të ndryshojë mentalitetin e tanishëm kriminal, pasi trinomi politikë- biznes-gjyqësor, është i lidhur “si mishi me thoin”, dhe është vështirë të depërtohet për ta shkulur të keqen. “Njerëzit e ndershëm nuk arrijnë të depërtojnë, pasi ose do të eliminohen politikisht me akuza të rreme ose do të të vrasin dhe të paraqesin si vetëvrasje. Vendi është i izoluar nga ndërkombëtarët, të cilët kanë frikë të liberalizojnë vizat, duke mos rrezikuar që në vendin e tyre të shkojnë njerëz të krimit”, tha Faton Mehmeti.

Më Shumë

Përleshen fizikisht anëtarët e dy familjeve në Prizren, policia arreston shtatë persona

Dy familje janë përleshur fizikisht mes vete në Prizren, pas një mosmarrëveshje. Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar shtatë persona. Të njëjtit janë ndaluar për...

Motra e Ukshin Hotit: Zbardhja e fatit të tij duhet të jetë obligim prioritar i Qeverisë dhe i ndërkombëtarëve

  “Deri më tani, përpos fjalëve poshtë e përpjetë, nuk ka diçka serioze që të merret me çështjen e tij dhe të zbardhet fati i...

Lajmet e Fundit