26.8 C
Prizren
E diel, 22 Qershor, 2025
Home Blog Page 5790

Walker: Sistemi politik në Kosovë nuk funksionon

0

Ambasadori William Walker, ish-shefi i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, thotë se kriza aktuale në Kosovë dhe gjithë problemet që e shqetësojnë vendin, tregojnë se sistemi politik nuk po funksionon.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Walker ia atribuon përgjegjësinë jo vetëm politikanëve të vendit, sidomos qeverisë, por edhe problemeve të trashëguara nga ato që ai i quan gabime të organizatave dhe faktorëve ndërkombëtarë që kanë vepruar në vend që pas çlirimit. Në bisedën me kolegen Keida Kostreci, ambasadori Walker foli edhe për planin e tij për të organizuar diasporën shqiptare nga të gjitha vendet e Ballkanit, për të rritur ndikimin e tyre.

Zëri i Amerikës: Ambasador Walker, Kosova gjendet në krizën më të rëndë politike që kur shpalli pavarësinë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, e cila është tërhequr tashme nga parlamenti, dhe asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si i shihni ju këto zhvillime?

William Walker: Mendoj se është një krizë shumë serioze, jo vetëm politike, por e përgjithshme që tregon se çfarë ka ndodhur në Kosovë që nga pavarësia, madje që nga çlirimi i saj. Ka shumë çështje që janë akumuluar, si për shembull radikalizimi i të rinjve të Kosovës. Kush mund ta mendonte se Kosova do të kishte një përqindje kaq të lartë të rinjsh që bëhen xhihadistë, në raport me popullsinë? Është pastaj krimi i organizuar, mungesa e shtetit ligjor, korrupsioni, të gjitha këto çështje vijnë para një parlamenti, një qeverie që nuk po funksionon. Sistemi politik nuk funksionon dhe të gjitha këto probleme janë manifestim i kësaj dukurie. Të gjitha këto sipas mendimit tim, e kanë fillesën tek hapat që u morën pas çlirimit dhe pas pavarësisë. Unë fajësoj klasën politike, fajësoj ndërkombëtarët që erdhën për t’u bërë mentorë dhe kam frikë se disa herë kanë udhëzuar në drejtimin e gabuar. Mendoj se një pjesë e mirë e korrupsionit në Kosovë, është pasqyrim i korrupsionit që ishte tek UNMIK-u, tek disa nga ndërkombëtarët, detyra e të cilëve ishte që t’i tregonin Kosovës se si të bëhej një shtet modern evropian.

Zëri i Amerikës: Cilat do të ishin disa nga zgjidhjet e krizës politike në Kosovë, sipas jush? Çfarë duhet bërë për ta kapërcyer atë?

William Walker: Mendoj se qeveria duhet të dëgjojë opozitën në vend që ta detyrojë të hedhë gaz lotsjellës në parlament, apo të organizohet për të dalë nëpër rrugë, siç ka bërë Vetëvendosja. Nuk duhet ta shohin opozitën si armik dhe të mendojnë se është shumë më mirë të kënaqin komunitetin ndërkombëtar, sesa opozitën në vend. Mendoj se mënyra e vetme për reformimin e sistemit politik është përfshirja e opozitës në diskutime, sesa të thonë “jo, jo, jo” dhe të dëgjojnë vetëm atë që u thotë komuniteti ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë i afërt me opozitën, veçanërisht me Vetëvendosjen. Ju po thoni që opozita është shtyrë të ndërmarrë këto veprime, por përgjegjësia nga vëzhguesit e jashtëm të paktën, është vendosur jo vetëm mbi qeverinë që nuk e dëgjoi opozitën por edhe mbi metodat që ka përdorur opozita, që në një vend demokratik nuk do të ndodhnin dhe mënyra sesi ka vepruar opozita është konsideruar jokonstruktive…

William Walker: E di që ka shumë njerëz që mendojnë se unë kam shumë simpati për Vetëvendosjen. Kur Vetëvendosja u shndërrua nga një lëvizje popullore nën Albin Kurtin dhe (lëvizjes iu tha) se ndërkombëtarët nuk duan t’ju flasin, Ambasada amerikane nuk donte t’i fliste Albin Kurtit, por më thanë mua që nëse Vetëvendosja bëhet parti politike dhe hyn në jetën politike, atëherë ndërkombëtarët do të bisedonin me ta, do t’i ndihmonte që të tregonin se janë një forcë e opozitës, por gjithsesi një forcë pozitive. Kur u realizua kjo, unë thashë se kjo ishte diçka e mirë për demokracinë, që tani ky grup njerëzish që ishte jashtë sistemit, ishte përfshirë në sistem. Disa muaj pasi unë po bëja këto deklarata në favor të Vetëvendosjes, edhe unë u zhgënjeva me mënyrën se si po vepronte Vetëvendosja si parti politike. Pa dyshim që unë nuk jam në favor të dhunës që është provokuar në parlament dhe nëpër rrugë. Për protestat e dhunshme që kanë qenë të shpeshta vitet e fundit, Vetëvendosja ka një pjesë të mirë të përgjegjësisë, por kjo ka lidhje edhe me refuzimin e qeverisë për të hyrë në dialog me ta, duke thënë se Ambasada amerikane, apo ambasada të tjera na kanë thënë se duhet të veprojmë kështu e ashtu lidhur me Malin e Zi dhe çështjet e tjera. Unë nuk flas më në favor të Vetëvendosjes. Unë nuk besoj se gjendja është e mirë në Kosovë, si edhe në vende të tjera të rajonit. Politikanët nuk po punojnë si patriotë për qytetarët por vetëm po përpiqen të pasurojnë veten, të mbajnë veten në pushtet. Qeveria duhet të flasë me të gjithë në vend. Ata nuk i flasin Vetëvendosjes, nuk i flasin Ramush Haradinajt dhe njerëzve në partinë e tij dhe kjo mungon atje.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për luftëtarët e huaj, xhihadistët që bashkohen me luftra të huaja në Lindjen e Mesme. Fakti tjetër shqetësues është që ata vijnë nga një vend që është ndoshta më proamerikani në botë. Si e shpjegoni këtë?

William Walker: Kur unë ika nga Kosova popullsia myslimane e Kosovës ishte ndër më laiket. Unë e kam vizituar vazhdimisht Kosovën, rreth 50 herë në 15 vitet e fundit. Për mua ka qenë befasi që Kosova është bërë tani një nga kontribuesit e numrit më të madh të xhihadistëve që shkojnë në Siri, në Lindjen e Mesme për të luftuar për ISIS-in, në raport me numrin e popullsisë. Është shumë e vështirë të gjesh një përgjigje, përveç faktit që papunësia mes të rinjve në Kosovë është në shifra astronomike, rreth 75-80 për qind. Këta të rinj nuk kanë se për çfarë të shpresojnë. Po ashtu, pas luftës, një numër faktorësh nga konfliktet e Lindjes së Mesme, filluan të dërgojnë fonde për ngritjen e qendrave ku predikohej një lloj islamizmi që ishte më radikal nga ai tradicional i Kosovës, para se ata të vinin. Filluan të vijnë para nga Lindja e Mesme, duke kërkuar vende ku mund të vendoste rrënjë ky lloj radikalizimi. Dhe u konsolidua ngadalë. Në fillim askush nuk po i kushtonte vëmendje. Është një prirje shumë shqetësuese dhe as komuniteti ndërkombëtar, as qeveria e Kosovës nuk e panë që ishte një problem në rritje. Këtij problemi i duhet kushtuar vëmendje e jashtëzkonshme dhe duhet të zmbrapset.

Zëri i Amerikës: Ju keni ndërmarrë një nismë për të bashkuar në një zë diasporat shqiptare nga të gjitha vendet e rajonit, për t’i mobilizuar që të jenë më forta si grupim vetë, por edhe që të kenë një zë më të fortë në vendet e origjinës. Mund të na jepni disa detaje?

William Walker: Unë jam i interesuar për mënyrën sesi funksionojnë sepse kam qenë i angazhuar me diasporën salvadoriane dhe atë vietnameze. Diasporat kanë disa të përbashkëta, përfshirë ato që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi megjithëse vijnë nga kontekste të ndryshme. Shumë prej tyre duan të punojnë dhe të kthehen në vend të hapin biznese me përvojën që kanë marrë këtu. Por shumë pak nga këto përpjekje kanë qenë të suksesshme, sepse kur kthehen shohin që qeveritë e vlerësojnë faktin që ata dërgojnë remitanca në vendet e tyre, sepse shumë vetë varen prej tyre. Për shembull në Kosovë, ato përbëjnë një përqindje të madhe 30-40 për qind të prodhimit të brendshëm kombëtar dhe qeveria e vlerëson këtë, por nuk do asnjë këshillë ose opinion nga diaspora, nuk duan që asnjë organizatë e diasporës t’u thotë se çfarë të bëjnë, që të sjellin përvojë nga jashtë, nga Shtetet e Bashkuara, Evropa.

Zëri i Amerikës: Dhe cili do të ishte roli juaj?

William Walker: Mendoj se diasporat nuk e kanë të qartë se çfarë pushteti do të kishin po të bashkoheshin dhe të punonin si një. Dhe ndryshime duhet të ketë në vetë këto vende. Për shembull në Kosovë, 20 vende në parlament janë të rezervuara për pakicën dhe ata kanë të drejtë vetoje. Por aq shumë vetë sa kanë lënë Kosovën dhe kontribuojnë në ekonominë e saj, kanë të drejtën që të kenë vende të rezervuara si diasporë në parlament, duhet të kenë zërin e tyre në procesin politik, sepse aktualisht janë krejtësisht të përjashtuar. Gjithashtu diaspora duhet të ketë të drejtën të votojë nga çdo vend ku janë në botë. Ka një proces që mund të votojnë në mungesë, por është shumë i komplikuar. Kur ata të kenë të drejtën të votojnë, politikanët do të dëgjojnë. Ajo që po përpiqem të bëj është që mes gjithë atyre organizatave të diasporës shqiptare, me platforma të ndryshme t’i bind tëm harrojnë politikën, dhe se kë mbështesin në vendin e origjinës dhe të bashkohen. Diaspora është aq e përçarë dhe e çorganizuar saqë unë do të përpiqem t’i bind njerëzit që të bashkohen, që të fitojnë peshën e duhur që të ndikojnë në vendet e tyre.

Zgjedhjet e reja pas “furtunës” së Speciales

0

Një nga kritikat e ashpra, që vazhdimisht i janë adresuar Kosovës nga BE-ja, edhe në raportet e Progresit gjatë viteve të kaluara, e që vazhdon të mbetet aktive edhe në mandatin aktual, është ngecja e politikës dhe institucioneve në realizimin e mirëfilltë të një reforme zgjedhore, për të pasur zgjedhje të besueshme, kredibile dhe me sa më pak mundësi manipulimi.

Sipas përfaqësuesve të partive politike dhe ekspertëve, gjasat janë që përsëri, për shkak të mosgatishmërisë politike edhe në mandatin e tanishëm të Kuvendit të Kosovës, edhe dy palë zgjedhje të reja të mbahen po me atë legjislacion të vjetër, ato lokale dhe parlamentare, pavarësisht defekteve që janë evidentuar. Shumica e partive politike, veçmas ato në opozitë, janë shumë të bindura që në Kosovë shumë shpejt do të kemi zgjedhje të reja, dhe nuk do të ketë kohë për inicimin e ri procedural të reformës zgjedhore, ndonëse askush nuk mund të flasë për kohën se kur mund të ndodhë befasia zgjedhore, qoftë pas arrestimeve të para për Gjykatën Speciale, që do të thotë në pranverën e vitit të ardhshëm, apo do të mund të shtyhet disi funksionimi i brishtë i institucioneve për të mbajtur të dyja palë zgjedhjet së bashku në fund të vitit të ardhshëm.

Sipas deputetit të AAK-së, AliBerisha, i cili edhe është sekretar organizativ në AAK, është shumë e pritshme që Kosova të shkojë shpejt në zgjedhje të reja, pa paragjykuar kohën, por një gjë e keqe është se ato do të mbahen me Ligjin e vjetër zgjedhor, ngase për reformën zgjedhore tani nuk është askush i interesuar. Sipas tij, edhe po të ngrihej si temë, është e sigurt që nuk premton koha për ta përfunduar atë.

“Unë nuk besoj që do të ketë kohë për të iniciuar dhe vazhduar përfundimin e reformës zgjedhore. Dihet mirëfilli që po kalojnë muaj e vite që reforma ka mbetur mbrapa, për fajin e partive politike në pushtet, që nuk kanë pasur vullnet ta përfundojnë atë, prandaj edhe tani kjo përbërje e partive politike, por edhe e kësaj strukture institucionale nuk mendoj që do të arrijë ta bëjë reformën zgjedhore, prandaj edhe në këto zgjedhje të reja, që presim të ndodhin shpejt, me siguri që do të shkohet si në të kaluarën me ligjet e vjetra. Kjo situatë mbetet kështu, duke pasur për bazë dhe duke parë vetë konstelacionin e forcave politike”, u shpreh deputeti Berisha.

Ai shtoi se tani është e domosdoshme që të ndodhin zgjedhjet sa më shpejt, aq me mirë sepse, sipas tij, po shihet që gjithçka po degradon në funksionimin e institucioneve, dhe nuk janë vetëm këto dy marrëveshjet e dëmshme që e kanë bllokuar jetën, por po shihet që ka ngecje dhe bllokadë totale të zhvillimit në çdo sektor të rëndësishëm zhvillimor për interesin e vendit dhe perspektivën e qytetarit.

“Gjithçka është më keq sesa që ka qenë, prandaj duhet të ndërpritet ky trend i ngecjes nëpërmes një procesi të ri zgjedhor, për institucione të reja dhe për një shkollë të re të qeverisjes së vendit”, u shpreh deputeti Ali Berisha për “Kosova Sot”.

Ai ka pohuar se sado që Kosova ka nevojë për reformë të mirëfilltë zgjedhor, edhe me këtë ligj të vjetër, nëse do të funksionojnë si duhet të gjitha hallkat e sundimit dhe zbatimit të ligjit, Kosova mund të organizojë zgjedhje të drejta, kredibile dhe të pamanipulueshme. “Duhet të angazhohen të gjithë dhe besoj që mund të kemi zgjedhje të mira edhe me legjislacionin e vjetër”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”

Opozita i thotë ‘Po’ thirrjes së Mustafës

0

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë pranuar që t’i përgjigjen thirrjes eventuale të kryeministri Isa Mustafa, për të debatuar edhe një herë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Derisa partia më e vogël e opozitës, “Nisma” thotë se debati i ri për kufirin është një lloj tradhtie, AAK-ja dhe LVV-ja thonë se në këtë takim përfundimisht Demarkacioni do të konstatohet i vdekur dhe do të ecet përpara me proces të ri.

Kryeministri Mustafa ka deklaruar se jo më larg se në fillim të muajit tetor, pritet të nisë një raund i ri bisedimesh rreth përafrimit të qëndrimeve mbi kufirin me Malin e Zi, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Ai tha se ratifikimi i Demarkacionit do të kryhet brenda muajit të ardhshëm përkundër faktit se paraprakisht u ka bërë thirrje opozitës për bisedime. Megjithatë, Mustafa ka thënë se me këtë ftesë do t’i jepet mundësi e dytë të gjithëve për sjelljen e fakteve rreth mëdyshjes së vijës kufitare me Malin e Zi. /Zeri/

DAM festivali hapet të martën

0

Performanca “Domosdoshmëritë e harrnuara” do të hap Festivalin DAM

Festivali DAM do të hapet të martën mbrëma duke nisur kështu marratonën e koncerteve të cilat do të mbahen deri me 26 shtator.

Koncertit do t’i paraprijë performanca “Domosdoshmërritë e harrnuara” nga dy artistë kosovar Lola Sylaj dhe Dardan Zhegrova, vepër kjo e cila ngërthen në vete disa mediume arti. Sylaj dhe Zhegrova janë finalistë të konkursit “Artistët e së nesërmes”.

Kori i Flautëve të Kosovës në përbërje të 20 anëtarëve të drejtuar nga flautisti beogradas Ljubisa Jovanovic do interpretojnë një repertor tejet atraktiv për publikun. Kjo njëherësh do të jetë prezantimi i rezultati të punëtorisë disa ditore të flautistëve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia me pedagogun Jovanovic i cili ndryshe njihet edhe si artist i markës Haynes.

Ndërsa pjesa qendrore e mbrëmjes do jetë koncerti i trios Triisimo në përbërje të pianistes Olga Zado – njëherësh artiste e markës Seintway & Sons, violinistit Robert Kowalski – koncertmjeshtër i “Orchestra della Svizzera Italiana” si dhe violonçelisti Boris Nedialkov i cili aktivitetin e tij koncertal e ushtron në Amsterdam.

Festivali DAM është themeluar në vitin 2006 dhe që atëherë qëllim kryesor ka promovimin e artistëve të rinj. Festivali do të mbyllet me 26 shtator me recitalin e kitaristit Drilon Çoçaj. /PrizrenPress.com/

Berisha: Me këtë Qeveri liberalizimi i vizave është shumë larg

0

Deputeti nga Nisma’ për Kosovën, Zafir Berisha, shprehet se bashkësia evropiane dhe ajo ndërkombëtare kërkon hapa konkretë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e që ky është edhe njëri nga kushtet për integrime evropiane duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

“Duke e ditur se vetë kokat e institucioneve shtetërore janë pjesë e hallkave zinxhirore të krimit të organizuar, këta bëjnë disa spektakle me individë të caktuar për gjoja se janë duke e luftuar krimin e organizuar, derisa në anën tjetër ne nuk kemi ndonjë veprim konkret të shkallës së prerë, dhe ka shumë raste kur hetimet edhe përkundër fakteve ato mbyllen si të pasuksesshme dhe kjo gjendje në drejtësinë e Kosovës dhe në luftën kundër korrupsionit për fatin e keq po shkon në kurriz të qytetarëve dhe liberalizimi i vizave e integrimi evropian me këtë garniturë politike është shumë larg që të realizohet”, ka deklaruar deputeti Zafir Berisha për gazetën “Kosova Sot”

Aksident në Malishevë

0

Një aksident trafiku ka ndodhur në fshatin Banjë të Malishevës.

Policia njofton se si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar njëri nga vozitësit, i cili është dërguar në Spitalin e Prizrenit për tretman mjekësorë.

Njësia përkatëse policore është duke hetuar rastin.

Xhemaili: Pashë një Bologna të mirë, ne duhet të vazhdojë kështu

0

Bologna mbrëmë është mposhtur nga Napoli (3-1), megjithatë mesfushori shqiptar i Bolognas, Blerim Xhemaili mendon se skuadra është një ekip i madh.

Reprezentuesi i Zvicrës thotë se ka parë një Bologna të madhe, dhe sipas tij, Bolognas ka mundur të shënojë edhe më shumë gola.

“Ky është një ekip i madh. Ne duhet të vetëm të shënojmë gola. Ne ishim të kujdesshëm, por mendoj se në pjesën e dytë pamë vërtetë një Bologna të bukur dhe ne duhet të vazhdojmë kështu”, ka thënë Xhemaili.

Shqipëria është Atmmëmëdheu i mbarëshqiptarëve

0

Shkruan: Avdi Ibrahimi

Shqipëria është Atmmëmëdheu i mbarëshqiptarëve
S’ka pse tregohesh i mençur që të konstatosh se pozita e popujve në Gadishullin Ilirik, si dhe ajo e popujve të Europës nuk mundet assesi të krahasohet as për së afërmi me pozitën e popullit shqiptar, të cilët gjysma e tryre jetojnë në atmëmëdheun e tyre në Shqipëri, pjesa tjetër jetojnë të ndarë nga trungu amë në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, dhe Greqi. Nëse jemi sadopak të ndershëm duhet të themi të vërtetën ashti si është, pra kemi të bëjmë me një problem thelbësor i pazgjidhur i popullit shqiptar përgjithësisht në Gadishullin e Ilirikut… Në këtë rast definimi i Hapsirës kufitare me këto shtete fqinje të jetë atje ku jetojnë shqiptarët në shumicë, ndërsa miliona shqiptarëve që jetojnë në Turqi dhe në shtetet tjera të Botës t’u ipet e drejta e përbashkët e arsimimit në gjuhën e tyre amtare dhe e drejta e përbashkët kulturore shqiptare, kjo mund të ndihmojë që Gadishulli Ilirik të mos jetë më një vrimë e zezë e Europës së bashkuar, pra shqiptarët si komb i bashkuar me një shtet të bashkohen me Europën në të ardhmën.

Që të arrihet kjo zgjidhje politike që është i vetmi rast i padrejtë i një populli të ndarë në 5 shtete e që shteti Shqiptar është i vetmi vend në Kontinentin e Europës ku kufizohet edhe sot me popullin e vetë, zgjidhja është që së pari gjith shqiptarët të jenë të bashkuar që ta përfaqësojnë interesin e përbashkët kombëtarë për Ribashkim të Shqipërisë. Shqiptarët që janë të ndarë padrejtësisht në 5 shtete, si dhe miliona shqiptar që jetojnë në Turqi e diasporë, përfundimisht të deklarohen haptas pa u frikësuar nga askush, se e ndjejnë SHQIPËRINË, si atmëmëdhe të vetin, nga ana tjetër assesi nuk duhet lejuar arsyetimi i një grupi të vockël “shqipfolësish” se gjoja Qeveria në Shqipëri është fajtore për pozitën jo të mire të shqiptarëve jashtë kufijëve të shtetit shqiptar.

Nocioni i kufijëve shtetërorë në Europë tashmë e ka humbur kuptimin që kishte më pare.

Gjithçka flet e duket ditën për diell se vetëm Gadishulli Ilirik ka mbetur edhe sot e kësaj dite një nga territoret e fundit gjeopolitike ku koha e ndryshimeve të reja politike demokratike s’kanë dëpërtuar në ndryshimin e mentalitetit të ri.

Për dekada në ish-Jugosllavi kemi dëgjuar rrena patetike se kufijtë jugosllavë ishin më të hapurit në Europë dhe pakicat kombëtare edhe pse ne shqiptarët ishim shumicë autoktone në Trojet Tona Shqiptare, megjithkete politika jugosllave titisto-rankoviqiste e millosheviqjane trumbetonin se pakicat kombëtare ishin ura lidhëse të afrimit mes popujve. Fraza të tilla plot gënjeshtra u treguan ndaj popullit shqiptar që për gjysmë shekulli nuk guxuan të takohen me vëllezërit e motrat të shtetit shqiptar.

Që të mos na ndodh më fati i keq i ndarjeve të vëllaut me vëllanë, në mbarë hapsirat shqiptare të kemi një program të përbashkët politiko-kombëtar që të jet si qëllim dhe kusht i demokracisë që shqiptarët të jetojnë në një shtet të bashkuar Shqiptar.

Malishevë:Filloi vaksinimi i gjedheve kundër sëmundjes gungore

0

Sot në territorin e Komunës së Malishevës, ka filluar vaksinimi i kafshëve, në kuadër të masave parandaluese, kundër sëmundjes gungore të gjedheve. Procesi i vaksinimit të të gjitha gjedhëve në territorin e Malishevës, pritet të kryhet për më pak se dy javë, pasi janë angazhuar katër grupe për vaksinimin e gjedheve.

Fillimin e këtij procesi me rëndësi, për mbrojtjen e gjedhëve, sot e kanë inspektuar edhe drejtori i inspektoratit në Malishevë, Fadil Shala dhe shefi i inspektorëve Bardhyl Buçaj, të cilët thanë se procesi i vaksinimit ka filluar mirë dhe besojnë që deri në fund, do të shkoj gjithçka mbarë.

Vaksinimin e gjedhëve, është duke e bërë Ambulanca Veterinare në Malishevë. Deri më tani në territorin e Komunës së Malishevës, janë regjistruar dhjetë raste me sëmundjen gungore, dhe vaksinimi i gjedheve, pritet të parandaloj përhapjen e kësaj sëmundje. Vaksinimi po zhvillohet sipas orarit të paraparë.

A janë këta kandidatët për zgjedhjet lokale në Rahovec?

0

Përkundër se ka edhe të paktën një vit deri në kohën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale, partitë kryesore politike në Rahovec kanë dhënë indikacione se kush mund të jenë kandidatët e tyre për kryetar të Komunës së Rahovecit.

Në zgjedhjet e ardhshme, që pritet të mbahen në fund të vitit të ardhshëm, partitë kryesore politike po i japin rëndësi jo të vogël Rahovecit, duke ditur se vota shpesh ka qenë pothuajse e barabartë mes PDK-së, LDK-së e AAK-së dhe se pushteti jo rrallë është ndërruar në këtë komunë.

Në bazë të aktiviteteve të dendura, udhëheqjes së deritanishme dhe një lloj rritje të ndjeshme të aktiviteteve kohëve të fundit, përkundër se jo rrallë është kritikuar për udhëheqjen e Komunës në mandatin e tij aktual edhe nga vet anëtarë të strukturave të PDK-së, situata në terren lë të kuptohet se Kryetari aktual i Komunës, Idriz Vehapi, pritet të ri-kandidohet për këtë pozitë nga partia në pushtet, shkruan RahovecPress.

Vehapi ka intensifikuar aktivitetet në ditët e fundit, duke plasuar edhe disa lajme në të cilat vërehet qartë tendenca që të afrohet më shumë me votuesin pasi që po krijon terren për ri-kandidim.

Mirëpo, Vehapi nuk “po lihet rehat” në aktivitetet e tij nga udhëheqësi i degës së LDK-së në Rahovec, Avdullah Hoti, që është ministër i Financave dhe njëkohësisht kryetar i degës së LDK-së në Rahovec, që është edhe partner i Vehapit në qeverisjen aktuale.

Ministri Hoti jo rrallë në kohët e fundit, bashkë me strukturat e LDK-së në Rahovec ka marrë pjesë në një numër më të madh të aktiviteteve se zakonisht, madje në shumë aktivitete që fare nuk i kanë takuar ministrisë që ai drejton, duke dhënë shenja se do të jetë kandidat i partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Përkundër se ai ka një post të rëndësishëm në qeveri, ai pritet të “sakrifikohet” në këtë rast, pasi që, sipas burimeve të RahovecPress, LDK e sheh atë si kandidatin më të denjë për ta rifituar Rahovecin pas kaq shumë vitesh.

Ndërkaq, përkundër se akoma nuk e ka filluar fushatën si dy të lartëpërmendurit, duket se nga radhët e AAK-së do të ri-kandidojë ish-kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Edhe nga AAK Latifi shihet si kandidati më adekuat për të qenë konkurrent serioz për t’i fituar potencialisht zgjedhjet në Rahovec.

Një gjë është e sigurtë, përkundër se zgjedhjet ka akoma të paktën një vit deri kur do të mbahen, partitë politike në Rahovec kanë filluar që ta përgatisin terrenin me “fushatë të lehtë” dhe aktivitete intensive në prag të vitit 2017.

Në zgjedhjet e fundit lokale në Rahovec, Idriz Vehapi nga PDK kishte marrë 9,609 vota apo 38,65%, Smajl Latifi nga AAK 8,169 vota apo 32,86% kurse Fahredin Shehu nga LDK 5,512 vota apo 22,17%.

Në balotazh, ku diferenca e votave ishte shumë e vogël, kishin shkuar Vehapi e Latifi. Vehapi kishte fituar 11,890 vota apo 53,81%, kurse Latifi 10,810 vota apo 47,62%. /RahovecPress