20.5 C
Prizren
E diel, 22 Qershor, 2025
Home Blog Page 5791

A janë këta kandidatët për zgjedhjet lokale në Rahovec?

0

Përkundër se ka edhe të paktën një vit deri në kohën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale, partitë kryesore politike në Rahovec kanë dhënë indikacione se kush mund të jenë kandidatët e tyre për kryetar të Komunës së Rahovecit.

Në zgjedhjet e ardhshme, që pritet të mbahen në fund të vitit të ardhshëm, partitë kryesore politike po i japin rëndësi jo të vogël Rahovecit, duke ditur se vota shpesh ka qenë pothuajse e barabartë mes PDK-së, LDK-së e AAK-së dhe se pushteti jo rrallë është ndërruar në këtë komunë.

Në bazë të aktiviteteve të dendura, udhëheqjes së deritanishme dhe një lloj rritje të ndjeshme të aktiviteteve kohëve të fundit, përkundër se jo rrallë është kritikuar për udhëheqjen e Komunës në mandatin e tij aktual edhe nga vet anëtarë të strukturave të PDK-së, situata në terren lë të kuptohet se Kryetari aktual i Komunës, Idriz Vehapi, pritet të ri-kandidohet për këtë pozitë nga partia në pushtet, shkruan RahovecPress.

Vehapi ka intensifikuar aktivitetet në ditët e fundit, duke plasuar edhe disa lajme në të cilat vërehet qartë tendenca që të afrohet më shumë me votuesin pasi që po krijon terren për ri-kandidim.

Mirëpo, Vehapi nuk “po lihet rehat” në aktivitetet e tij nga udhëheqësi i degës së LDK-së në Rahovec, Avdullah Hoti, që është ministër i Financave dhe njëkohësisht kryetar i degës së LDK-së në Rahovec, që është edhe partner i Vehapit në qeverisjen aktuale.

Ministri Hoti jo rrallë në kohët e fundit, bashkë me strukturat e LDK-së në Rahovec ka marrë pjesë në një numër më të madh të aktiviteteve se zakonisht, madje në shumë aktivitete që fare nuk i kanë takuar ministrisë që ai drejton, duke dhënë shenja se do të jetë kandidat i partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Përkundër se ai ka një post të rëndësishëm në qeveri, ai pritet të “sakrifikohet” në këtë rast, pasi që, sipas burimeve të RahovecPress, LDK e sheh atë si kandidatin më të denjë për ta rifituar Rahovecin pas kaq shumë vitesh.

Ndërkaq, përkundër se akoma nuk e ka filluar fushatën si dy të lartëpërmendurit, duket se nga radhët e AAK-së do të ri-kandidojë ish-kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Edhe nga AAK Latifi shihet si kandidati më adekuat për të qenë konkurrent serioz për t’i fituar potencialisht zgjedhjet në Rahovec.

Një gjë është e sigurtë, përkundër se zgjedhjet ka akoma të paktën një vit deri kur do të mbahen, partitë politike në Rahovec kanë filluar që ta përgatisin terrenin me “fushatë të lehtë” dhe aktivitete intensive në prag të vitit 2017.

Në zgjedhjet e fundit lokale në Rahovec, Idriz Vehapi nga PDK kishte marrë 9,609 vota apo 38,65%, Smajl Latifi nga AAK 8,169 vota apo 32,86% kurse Fahredin Shehu nga LDK 5,512 vota apo 22,17%.

Në balotazh, ku diferenca e votave ishte shumë e vogël, kishin shkuar Vehapi e Latifi. Vehapi kishte fituar 11,890 vota apo 53,81%, kurse Latifi 10,810 vota apo 47,62%. /RahovecPress

PDK-ja, parti e premtimeve të mëdha dhe e fateve të rrënuara

0

Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e tretë)

Ardhja në pushtet e PDK-së në fillim të vitit 2008 u prit me eufori dhe me shpresë të madhe. Pritjet ishin të mëdha. Kjo parti nuk e pati në vëmendje përmbajtjen e qeverisjes, aq sa u përkushtua në vetë marrjen e pushtetit, si synim final i partisë politike. Qeverisja pa një platformë të qartë dhe pa ndonjë analizë paraprake, si duket shpejt shkaktoi zhgënjim. Drejtimi i Komunës nga një ish kuadër komunist, Qazim Qeska, si duket nuk ishte kompatibile me kërkesat e reja që nxirrte sistemi demokratik. Struktura heterogjene e degës së PDK-së shpejt nxori në shesh mospajtimet e thella konceptuale, pasi që në këtë strukturë u gjetën ish komunistë, “shqiptarë të ndershëm”, ish të burgosur politik, ish ushtarakë të UÇK-së dhe kuadër pa ndonjë profil politik deri në atë kohë, gjysmë analfabetë, analfabetë dhe njerëz arrogantë e “patriotë” prepotent.

Që në dy vitet e para të qeverisjes së PDK-së u panë dështimet. Mospërmbushja e pritjeve dhe ambiciet politike e materiale të disa eksponentëve të rëndësishëm, disa të lidhur me strukturat e SHIK-ut, nxorën në pah ndasitë e thella në vetë strukturën drejtuese të PDK-së. Për pasojë, kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës Qeska, pothuajse dhunshëm u rikandidua në zgjedhjet e nëntorit 2009. Ndonëse fitoi edhe kësaj radhe, me mund të madh dhe nën dyshimin për keqpërdorim dhe vjedhje masive të votave karshi kandidatit të LDK-së Ibrahim Kryeziu, Qeska nuk arriti ta mbajë pushtetin më shumë se 18 muaj. Me arsyetimin se ka probleme shëndetësore, dha dorëheqje. Edhe pse kryetari i partisë dhe kryeministri i vendit në atë kohë Hashim Thaçi u përpoq ta rikthente në pushtet pas gjashtë muajsh në dorëheqje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se dorëheqja e tij është e pakthyeshme.

Zhgënjimi me PDK-në ishte i madh dhe pritjet e qytetarëve për një qeverisje më të mirë nuk u realizuan. Drejtuesit lokal të PDK-së kishin shpresuar në një mbështetje më të madhe nga qendra. Kapja e pushtetit, punësimet pa kriter dhe pa konkurs, punësimet vetëm me referenca të lëshuara nga dega e PDK-së, u bënë dukuri e zakonshme. Përshtatja e konkurseve eliminonte nga konkurrenca ata që pretendonin për një vend pune, si dhe forma të tjera të eliminimit të kandidatëve të padëshiruar, u bënë model qeverisjeje. Gjithçka u shndërrua në një ndërmarrje të madhe partiake, edhe pse PDK ishte në partneritet me LiB-in dhe PD-në, pretendimet e partnerëve asnjëherë nuk u morën në konsideratë. PDK u shndërrua në parti të fateve të rrënuara të njerëzve të zakonshëm dhe pa fuqi ndikuese.

Pushteti u koncentrua në duart e 2-3 personave, kurse çarjet ndërmjet elitës së degës së PDK-së sa vinin e thelloheshin. Pushteti u stërkeq për një kohë shumë të shkurtër. Qytetarët e humbën besimin në këta liderë dhe kjo u pa qartë në humbjen e turpshme të PDK-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës, pas dorëheqjes së Qazim Qeskës, pasi që kandidati Xhelal Canziba u mund, jo vetëm nga rivalët politik, por edhe nga partia e tij.

Këto zhvillime e sollën në krye të komunës kandidatin e AAK-së Smajl Latifi, i cili vinte nga një përvojë politike në drejtimin e LKÇK-së, respektivisht LIB-it. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në dhjetor të vitit 2010 nxorën fitues Smajl Latifin, i cili në balotazh siguroi mbështetjen e PDK-së së shpartalluar dhe të pashpresë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – partia pa profil politik (Pjesa e katër vijon të hënën)

Avokati i Limajt tregon pse kërkoi përjashtimin e gjyqtares suedeze në procesin kundër klientit të tij

0

E kaluara e gjyqtares suedeze Maria Tuma, e cila është kryetare e trupit gjykues në rastin e Fatmir Limajt, u përdor si arsye nga avokati i Limajt Karim Khan për të kërkuar përjashtimin e saj nga gjykimi i rastit të MTPT-së, ku Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar.

Fillimisht avokati Khan tha se ka shikuar me vëmendje vendimet e deritanishme nga ky trup gjykues dhe ka vërejtur se të gjitha kërkesat e prokurorisë janë pranuar, e në të njëjtën kohë të gjitha propozimet dhe kërkesat e mbrojtjes janë refuzuar.

Khan tha se një avokat duhet të jetë shumë i ngathët për të vënë në pikëpyetje integritetin e gjykatës mbi baza të supozimeve, por ai tha se kërkesën e tij e ka të bazuar.

Avokati nga Londra, Khan, tha se megjithëse ndihet keq që duhet ta bëjë këtë kërkesë, roli i avokatit e obligon që të kujdeset që i mbrojturi i tij të ketë të gjitha të drejtat që i garanton ligji.

“E nderuara kryetare unë parashtroj se ka fakte dhe rrethana që e vënë në dyshim paanësinë tuaj dhe trupit gjykues, ose krijojnëpamjen e papërshtatshmërisë”, tha Khan.

Khan tha se tek natën e mbrëmshme kishte kuptuar për rolin e MariaTumas në të kaluarën.

“E nderuara kryetare mu paraqit për herë të parë dje në mbrëmje se ju e nderuar keni qenë prokurore në rastet e UÇK-së nëTribunalin e Hagës “, tha Khan.

Khan tha se Tuma ishte pjesë e ekipit që ndoqi ushtarët e UÇK-së për krimet e supozuara në ish-Jugosllavi.

Për të arsyetuar më tej kërkesën e tij për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues përmendi një kërkesë për lirim nga paraburgimi të Ramush Haradinajt, në kohën sa ai ishte në Hagë.

“Ju keni pasur një qëndrim duke refuzuar kërkesën, duke mos marrë parasysh kërkesën e Soren Jessen Petersen-it, përfaqësuesit special i OKB-së në Kosovë, gjeneralit Reinhardt ish- komandantit të KFOR-it në Kosovë, Joe Biden-it, atëherë senator, tani nënkryetar i SHBA-ve, Robin Cook që ka qenë ish-sekretar I Britanisë së Madhe, Ibrahim Rugovës ish-President i Kosovës dhe Nexhat Dacit,” tha Khan në parashtresën e tij.

Khan në fund tha se ka shikuar të gjitha procesverbalet dhe askund nuk e ka hasur se kryetarja e trupit gjykues e ka njoftuar apo përmendur diku rolin e saj nëTribunalin e Hagës.

Nësë kërkesa e për përjashtim të gjyqtarit Khan-it do të merret parasysh do të dihet para seancës së radhës e cila do të mbahet më 5 tetor.

Gazetarët rusë pranojnë se hynë ilegalisht në Kosovë, por vazhdojnë mohimin e shtetit

0

Policia e Kosovës ka dëbuan nga territori i Kosovës dy gazetarë rusë të ‘News Front’, Oksana Sazonova dhe Sergej Belous.

Gazetarët rus janë arrestuar më parë për qëndrim të dyshuar dhe të paligjshëm në Kosovë.

Oksana Sazonova i tha agjencisë së lajmeve “Beta” se është mbajtur në paraburgim policor për 24 orë me akuzën se qëndroi ilegalisht në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Gjatë paraburgimit në Prishtinë na kanë ngarkuar me veprën e kalimin ilegal të kufirit. Megjithatë, ne kemi kaluar kufirin administrativ në Jarinj pa viza apo ndonjë problem, kemi kaluar në mënyrë të ligjshme, jo ilegalisht”, tha Sazonova.

Pra, gazetarja ruse vazhdon të flet sikur të ishte në Serbi dhe kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e konsideron si administrativ dhe jo shtetëror.

Ajo ndër tjera tha se gjatë ndalimit nuk iu kishte lejuar asnjë kontakt me të dashurin ose me përfaqësuesit e misionit diplomatik rus në Serbi dhe se pjesëtarët e policisë i kishin konfiskuar aparatet, kamera regjistrimin dhe sendet personale.

Sergej Belous, tha se një anëtarë i policisë së Kosovës sonte i kishte kthyer vetëm një pjesë të pajisjeve.

Ai shtoi se ai nuk mund të paguanin gjobë prej 2.500 euros, që i kishte caktuar gjykata në Prishtinë.

“Pasi që ne nuk patëm të holla për të paguar gjobën, gjykata e ka ulur këtë shumë, por ne nuk kishim, nuk mund të paguanim. Më pas mjetet na janë dërguar nga redaksia e ‘News Front’, ndryshe do të ishim të paktën një vit në burg”, tha Belous.

Gazetarët rusë në vendkalimin kufitar në Merdar i ka pritur avokati, Radisha Joviq, i cili i ka dërguar tek përfaqësuesit e ambasadës ruse në Beogradi.

Policia e Kosovës, sot njoftoi se dy gazetarë rusë të ‘News Front’, Oksana Sazonova dhe Sergej Belous, ishin arrestuar pasi hynë ilegalisht në Kosovë. Sipas mediave, Sazonova dhe Belous u arrestuan, ndërsa ata ishin në Hoçë të Madhe në shoqëri të kryetarit ilegal të Shtërpcës, Zvonko Mihajloviq. /Lajmi.net/

“Mrekullia” e arkitekturës moderne në Kosovë

0

Për herë të parë që nga themelimi i saj, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës do të mirëmbahet nga profesionistët. Një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në botë, “Getty Foundation”, ka ndarë një grant për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë.

Ky fondacion është pjesë e J. Paul Getty Trust, që është një prej institucioneve më të madha të artit në botë. Ekipi i tyre i ekspertëve çdo vit zgjedh veprat më të mira të shekullit 20 dhe 21, për t’i ruajtur dhe rinovuar ato.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, vepër e arkitektit kroat Andrija Mutnjakoviq, është cilësuar nga ky fondacion si një nga “mrekullitë e arkitekturës moderne” në botë.

Ky objekt asnjëherë nuk është mirëmbajtur nga profesionistët, por vetëm nga stafi i Bibliotekës, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i këtij institucioni, Fazli Gajraku, duke shtuar se një mirëmbajtje profesioniste dhe çdo ndërhyrje e renovim që bëhet është shumë e mirëseardhur.

“Ky është projekti i parë që do të detektojë dhe do të saktësojë se çfarë është e vlefshme dhe çfarë duhet të ruhet në këtë Bibliotekë si pjesë e një historie të rëndësishme të arkitekturës dhe të koncepteve estetike që i ka si objekt kjo Bibliotekë”, thotë Gajraku.

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës është inauguruar në vitin 1982. Ajo ka dritare zenitale në formë të kupolave (gjithsej 99 kupola).

Teuta Jashari-Kajtazi, arkitekte, thotë për Radion Evropa e Lirë se Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është një prej objekteve më të veçanta në Kosovë, me një arkitekturë të veçantë moderne, e që i takon një periudhe kohore të viteve 70-të, të shekullit 20-të.

Ky objekt, shpjegon ajo, është një kompozicion në arkitekturë që i ka karakteristikat e veta regjionale, si në aspektin arkitektural, ashtu edhe në atë të prezantimit.

“Këto karakteristika të veçanta janë vëllimet…janë pra vëllimet e veçanta të cilat Biblioteka i ka, e sidomos kupolat, që është edhe një nga shpjegimet e vet arkitektit kur e ka arsyetuar projektin e tij, që kupola ka qenë një prej elementeve më karakteristike, përmes së cilës ai është mundu me e lidhë objektin modern me karakteristikat e regjionit, e ato karakteristika janë prezenca e objekteve të caktuara të Bizantit edhe të ndikimit të arkitekturës islame. E kupola është një prej elementeve që është prezentë edhe në njërën edhe në arkitekturën tjetër”, thotë Jashari-Kajtazi.

Por, jo të gjithë e pëlqejnë pamjen e objektit të Bibliotekës. Para dy vitesh, e përditshmja britanike “The Independent”, e cilësoi këtë objekt si një nga 10 ndërtesat “më të shëmtuara” në botë.

Arkitektja Teuta Jashari Kajtazi thotë se duhet të bëhet dallimi në mes të profesionistit dhe laikut kur bëhen vlerësimet për këtë objekt. Sipas saj, profesionistët e shohin si një prej objekteve që duhet të merret pozitivisht në aspektin arkitektural, përderisa ndonjë laik edhe mund të thotë se nuk ka ndonjë vlerë profesionale.

Ndërkohë, drejtori i BKUK-së thotë se përmes projektit të “Getty Foundation” do të evidentohet e gjithë struktura e brendshme dhe e jashtme e Bibliotekës, dhe pas vlerësimeve do të vendoset se në cilat pjesë duhet të ndërhyhet në mirëmbajtje.

Hapësira e brendshme e Bibliotekës përfshin 16,500 m2. Sallat e leximit ofrojnë 600 vende; janë 2 salla të mëdha, salla e periodikut, si dhe sallat e leximit për punëtorë shkencorë. Në Bibliotekë është Amfiteatri i Madh – me 150 ulëse, si dhe Amfiteatri i Vogël, me 75 ulëse. Gjatë vitit në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës anëtarësohen mbi 4,000 shfrytëzues. (REL)

blob:http://www.evropaelire.org/4748a5a2-410a-4d10-bda7-9725c832bd0e

Gratë e Marubit udhëtojnë drejt Holandës

0

Të veshura thjesht, me fustanet shpesh të mbyllura në grykë, dhe vështrimet e ndrojtura, gratë që na vijnë përmes imazheve bardh e zi të Marubëve, flasin aq shumë me qëndrimet e tyre. Para fotografive që na ccojnë tej në histori, po ndalojnë këto ditë qindra vizitorë holandezë, për të kuptuar vështrimet e tyre.  Këto ditë në Amsterdam u hap ekspozita “ Dinastia Marubi – 100 vite të studios fotografike shqiptare”.

14389774_10210525066393104_295433450_nTë pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtoresha e FOAM Marloes Krijnen, kuratorja e ekspozitës Kim Knoppers, drejtori i Muzeut Marubi Luçjan Bedeni, ambasadorja holandeze në Shqipëri, Dewi van de Weerd, ambasadorja shqiptare në Holandë Aida Sakiqi, ambasadorja e Kosovës në Holandë Vjosa Dobruna si dhe personalitete të tjera të njohura. Ekspozita me fotot e Marubit u prit me kureshtje dhe interes të veçantë nga publiku holandez, ndërsa në fjalën e saj Ministrja Kumbaro prezantoi një copëz të historisë 100 vjeçare të kësaj dinastie.

14349132_10210525066153098_240906024_n“Niseshin nga gjithë Shqipëria në Shkodër, në skajin verior të vendit, veç për atë fotografi, mbi kolltukun e pashmangshëm ku uleshin pa fund, personazhet e fillim-shekullit XX, gjithë shoqëria shqiptare kalonte në atë sfilatë, me po atë sfond floreal që imitonte kopshtin, dhe krahun e zonjave mbështetur. Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip”, tha Kumbaro. Sipas saj, kjo ekspozitë është jo vetëm një faqe e pasaportës sonë kulturore por mbi të gjitha një ftesë për të vizituar Shqipërinë. ”Kemi sjellë këtu në zemër të Evropës një copëz të Historisë së Fotografisë Shqiptare si një faqe të pasaportës sonë kulturore, por edhe si një ftesë për të ardhur në Shqipëri, sepse pasaporta jonë ka shumë faqe që duhen prekur në vend”, tha Kumbaro. Ministrja e Kulturës ndau me të pranishmit edhe detaje personale për rëndësinë dhe famën që kishte Marubi në Shqipërinë e varfër e të paurbanizuar të viteve 30, ku mungonin rrugët e makinat, e ku njerëz nga gjithë skajet e vendit niseshin enkas drejt Shkodrës veç për të pasur një foto nga studio e Marubit.

“Ishte një kohë, dicka më pak se një shekull më parë, kur në Shqipërinë pa rrugë, pa transport, pa teatër, pa ekspozita, kishte shqiptarë që merrnin rrugën, nga qoshe të tjera të vendit për të bërë një foto në studion Marubi – këtë më rrëfente gjyshja nga ime nga Gjirokastra në jug të Shqipërisë, tek më tregonte me krenari foton e saj e të gjyshit tim në fillim të viteve 30”, tha Kumbaro, duke shtuar se  “sot është koha kur duhet marrë avioni, trageti, apo makina, për të vizituar Muzeun më të bukur të Fotografisë në Ballkan pa dyshim! – por edhe me krenari do të thoja, një muze dinjitoz evropian”. Gjatë qëndrimit në Holandë ministrja e Kulturës Kumbaro është pritur dhe ministrja hollandaze e Kulturës, arsimit dhe shkencës Jet Bussemaker. Ministret shkëmbyen eksperiencat e secilit vend mbi barazisë gjinore – pjesemarrjen e grave në ekonomi, politike dhe kulturë, etj. /Shqip/

Eco: Letërsia e vërtetë është për humbësit

0

Që nga botimi i librit të parë në vitin 1980, Umberto Eco krijoi menjëherë identitetin e tij: për çdo botim të mëvonshëm, nuk e dije kurrë se ç’mund të prisje e megjithatë mund të ishe i sigurt se do të kishte atë prekjen e pagabueshme të stilit të tij.

Në fabulën e librave të tij, detajet e mistershme përzihen vazhdimisht me të panjohurën.

“Nuk di çfarë pret lexuesi”- është shprehur Eco, ndërsa promovon librin e tij të fundit.

“Unë mendoj se shkrimtari duhet të shkruajë për atë çfarë lexuesi nuk pret. Çështja nuk është të pyesësh lexuesin se çfarë do, për ta ndryshosh atë, të krijosh llojin e lexuesit që do vetë për çdo histori”.

Në librin e tij të fundit, “Numri zero” (i sjellë në shqip nga “Dituria” dhe që mund ta gjeni në botimeshqip), një gazetar punësohet në një gazetë ende të papublikuar.

I ngarkuar me detyrën për të krijuar një gazetë që mbase nuk do të shtypet kurrë, gazetari dhe editorët mendojnë të hedhin në gjyq punëdhënësin e tyre, i cili planifikonte ta përdorte gazetën për të shantazhuar elitën politike dhe financiare të Italisë, shkruan botimeshqip.com

“Unë jam filozof; shkruaj vetëm për fundjava”, – thotë Eco.

“Dhe si filozof jam i interesuar për të vërtetën. Meqë është e vështirë të përcaktosh se çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gënjeshtërt, zbulova se rruga më e thjeshtë për të arritur tek e vërteta është përmes analizës së falsiteteve. Do të thosha pa dyshim se 50 për qind e opinionit publik formësohet nga të pavërtetat. Ne shantazhohemi vazhdimisht prej tyre”.

“Në të gjithë librat e mi unë përdor ngjarje të vërteta, që besohen sikur janë krijime të miat. Ekziston një pajisje, për shembull, për të vëzhguar satelitët e Jupiterit. U shpik nga Galileo, por u munduan tua shisnin gjermanëve. Realiteti ndonjëherë është më magjepsës sesa imagjinata”.

“Kënaqësia e erudicionit është e rezervuar për humbësit”, – shkruan Eco, duke shtjelluar idenë e tij: “Kjo është letërsia! Dostojevski shkruante për humbësit, personazhi kryesor i Iliadës, Hektori, ishte një humbës, zonja Bovari është humbëse. Është e mërzitshme të shkruash për fitimtarët. Unë po ndjek të njëjtën rrugë. Humbësit janë më tërheqës”.

Sonte nis Albanian Film Week

0

Edicioni i pestë i Festivalit të Filmit Shqiptar që mbahet në New York, do të nis sonte me një mbrëmje glamuroze, bëjnë të ditur organizatorët, shkruan KultPlus.

Bëhet e ditur se në mbrëmjen e hapjes, pas parakalimit në tepihun e kuq, do të prezantohet filmi “Krom” i regjisorit Bujar Alimani, film ky i cili është bashkëprodhim i Kosovës dhe Shqipërisë. Më pas do të bëhet edhe një takim me aktorët e këtij filmi, në mesin e të cilëve luajnë edhe Kasem Hoxha, Frefjon Ruci, Klodjana Keco, Mirela Naska…

Një dramë njerëzore me një mesazh të qartë për shoqërinë shqiptare vjen përmes filmit të Bujar Alimanit. Filmi “Krom” ngjarjet i zhvillon në Bulqizë. Bulqiza një vend i njohur për minierat e kromit ndaj dhe regjisori ka zgjedhur ta quaj filmin Krom. Filmi i cili trajton një dramë familjare në një nga zonat e varfra edhe pse me pasuri të çmuara nëntokësore vjen i trajtuar me shumë delikatesë.

Një delegacion nga Suedia, qëndroi në Malishevë

0

Një delegacion nga tri komuna të Suedisë ka qëndruar dje në Malishevë, ku kanë vizituar komunën, qendrën e rehabilitimit “Handikos” në Malishevë dhe çerdhen publike për fëmijë.

Delegacionin nga Suedia e ka pritur edhe i pari i Malishevë, Ragip Begaj, i cili i ka falënderuar për vizitën dhe për gatishmërinë e tyre, për bashkëpunim të ndërsjellë. Begaj, i ka njoftuar me Komunën e Malishevës, duke ju dhënë pasqyrë të përgjithshme të Malishevës, si sipërfaqja, numri i banorëve, institucionet, shkollat, qendrat mjekësore, gjendjen ekonomike dhe të tjera.

Delegacioni nga Suedia, u shprehën të kënaqur me vizitën Malishevë dhe me pritjen e bërë, si dhe u shprehën të gatshëm për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, mes Malishevës dhe komunave në Suedi.

Po ashtu gjatë ditës, ky delegacion ka bërë disa vizita në institucione të ndryshme në Malishevë, përfshi edhe çerdhen për fëmijë dhe Qendrën e Rehabilitimit “Handikos”, ku janë njoftuar me shërbimet dhe kujdesin që ofrojnë “Handikos” dhe çerdhja. /PrizrenPress.com/

Për demarkacionin, ekspertët e pavarur kanë të drejtë

0

Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka bërë me dije se, nëse demarkacioni me Malin e Zi dështon të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, Qeveria duhet të bjerë dhe të shkohet në zgjedhje të reja nacionale.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se çështja ka shkuar shumë thellë dhe është tepër vështirë që njëra palë të lëshojë pe. Në këtë situatë, sipas tij, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja.

“Gjëja më normale që do të duhej të ndodhte në rast se dështon ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është shkarkimi i Qeverisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja”, ka thënë Spahiu.

Ai e ka mirëpritur iniciativën e Grupit të Ballkanit për Politika për t’i mbledhur zyrtarët e subjekteve politike me qëllim të gjetjes së një zgjidhje në këtë çështje, megjithëse ka shprehur skepticizëm në suksesin e saj.

“Suksesi i kësaj iniciative është në pikëpyetje. Çështja për demarkacionin me Malin e Zi ka shkuar shumë thellë dhe është tepër vështirë që njëra palë të lëshojë pe. Kjo ndoshta çon vetëm në një rrugëdalje, në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pastaj në një situatë të re politike që do të përpiqet t’i qaset ndryshe këtij problemi”, është shprehur Spahiu.

Spahiu ka treguar se do të ishte mirë që Qeveria ta riprocedojë këtë çështje sërish në Kuvend dhe aty marrëveshja të rrezohet me votë të deputetëve.

“Nuk e di nëse koalicioni i ka votat për këtë çështje. Duket sikur nuk i ka votat e mjaftueshme, meqenëse shumë deputetë të dy subjekteve më të mëdha kanë deklaruar se janë kundër versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi. Por, është e drejtë e Qeverisë ta fusë në rend të ditës dhe, po ashtu, e drejtë e deputetëve të votojnë për ose kundër. Mendoj se do të ishte mirë që kjo çështje të hyjë në rend të ditës në Kuvend, të mos votohet dhe të marrë fund ky muhabet”, është shprehur Spahiu.

Spahiu në këtë intervistë ka folur edhe për mundësinë e dërgimit të çështjes në arbitrazh ndërkombëtar.

“Kjo është një alternativë e arsyeshme. Por nëse kjo çështje shkon në arbitrazh, atëherë nuk ka asnjë logjikë që atje ta mbrojnë Hashim Thaçi, Isa Mustafa apo Murat Meha. Pra, nëse demarkacioni shkon në arbitrazh, atëherë Kosovën duhet ta mbrojnë Përparim Ameti, Florim Isufi, Shpejtim Bulliqi, Ramush Haradinaj dhe këta të tjerët që kanë qenë më të spikaturit në kundërshtimin e versionit aktual të demarkacionit”, ka thënë Spahiu. /Epoka e re/