Home Blog Page 5809

Shkelet një këmbësor në Prizren

0

Një këmbësor është shkelur me veturë në rrugën “De Rada” në Prizren.

Policia njofton se aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së vozitësit të veturës.

“Raportohet se i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë përderisa ishte duke lëvizur me veturën me targa te Shqipërisë, nga pakujdesia ka goditur këmbësorin-viktimën mashkull K-Shqiptar. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

Nuk raportohet për të arrestuar. /PrizrenPres.com/

Prizren: Tenton të korruptojë policin me 20 euro, shoqërohet në Polici

0

Policia në Prizren ka shoqëruar një person në stacion policor pasi kishte tentuar ta korruptojë një polic me 20 euro për të mos i shqiptuar gjobë, shkruan PrizrenPress.

“Rreth orës 21:40 minuta në hyrje-dalje të autostradës në Veri, në një pikë kontrolli, për shkak të tejkalimit të shpejtësisë është ndaluar një automjet me targa të Shqipërisë. Gjatë proceduarve të kontrollimit të dokumenteve, shoferi i kishte ofruar një bankënotë prej 20 eurove në formë ryshfeti për mos shqiptimin e gjobës. Shoferi i dyshuar është shoqëruar për në stacion policor për inicimin e rastit dhe paratë e ofruara janë sekuestruar në cilësi të provës materiale”, thuhet në komunikatën e Policisë Rajonale në Prizren.

Lidhur me rastin prokurori i shtetit ka udhëruar që të dyshuarit t’i sekuestrohet dokumenti i udhëtimit me qëllim që i njëjti të paraqitet në prokurori për procedura të më tejme. /PrizrenPress.com/

Dy femra rrihen mes veti në Prizren

0

Në Prizren, konkretisht në rrugën “Mehmet Hasi”, janë arrestuar dy femra pasi që të njëjtat nën ndikim të alkoolit janë përleshur fizikisht në mes vete, shkruan PrizrenPress.

Të dyshuarat, sipas Policië, kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtat kanë pranuar tretman mjekësor.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarat janë dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Ngjarje e rëndë në Prizren: Me një plumb plagosen dy persona

0

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se dy persona janë plagosur nga një plumb në Prizren, që dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht..

“Rreth orës 20:20 minuta, në rrugën ‘Vëllezërit Dehiri’, një i dyshuar me gjasë aksidentalisht e ka shkrehur një plumb nga pistoleta me ç’rast e ka plagosur vetën në gishtin e dorës së majtë e më pas edhe shokun e tij në dorën e djathtë”, thotë PK, përcjell PrizrenPress.

Për trajtimin e lëndimeve është përkujdesur Emergjenca e Spitalit Rajonal në Prizren.

Policia ka kryer hetime në vendin e ngjarjes dhe e ka sekuestruar një pistoletë të llojit ”Waltro” e kalibrit 9mm.

PK më tutje thotë se lidhur me rastin është kryer edhe një bastisje e një shtëpie por nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.

Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren edhe një herë bënë thirrje që të mos përdorën armët e zjarrit sepse ato vrasin. /PrizrenPress.com/

 

 

Zafir Berisha përqesh të gjithë kundërkandidatët për të parin e Prizrenit

0

Kandidati i Nismës për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka përqeshur të gjithë kundërkandidatët e tij në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Duke folur për kandidatin e PDK-së, Shaqir Totajn, Berisha ka thënë se nuk e ka njohur më parë dhe se “ka dalë në Çarshi për të mësuar kush është ai”.

“Për herë të parë e kam parë në fotografi kur është prezantuar nga Kadri Veseli. Kam dalë në Çarshi për të mësuar se kush është ky kandidat. Prej momentit që është imponuar ky si kandidat i PDK-së gjysmën e kryesisë nuk e ka mbrapa. Nuk e shoh si kundërshtar të denjë”, ka thënë Berisha.

Sa i përket Hatim Baxhakut të LDK-së, Berisha ka thënë se ka respekt për të si doktor, por ai është shumë larg politikës. “LDK-ja pothuajse në 17 katunde më nuk e ka asnjë votues, ndërsa Baxhakut i është dëgjuar zëri nja dy herë në Kuvend si deputet”.

Kandidatin e VV-së, Mytaher Haskukaj, Berisha e mban mend për gjuajtjen me gaz në Kuvend të Kosovës.

“Ai ka qenë aktiv në Parlament, pasi ka gjuajtur kryeministrin me gaz. Ai nuk ka qëndruar rregullisht në Prizren”, ka thënë Berisha për kandidatin e VV-së.

Berisha e sheh veten si kandidatin më të mirë për Prizrenin dhe thotë se pas tij afër njëra-tjetrës janë LDK-ja dhe Vetëvendosje. /Koha.net/

PDK-ja në Prizren mashtron keq Skënder Berishën (Foto)

0

Ish-kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Skënder Berisha, është mashtruar keq nga partia të cilën e ka drejtuar për disa vite.

Ai, nuk është përfshirë në listën zgjedhore, ndonëse kishte paralajmëruar në llogarin e tij, “Facebook”, se do të jetë kandidat për kuvendar në zgjedhjet e 22 tetorit të këtij viti.

“Të nderuar qytetarë të Prizrenit, miq e shokë, të afërm të mi! Ju bëj me dije se në Zgjedhjet lokale të 22 tetorit, 2017,konkuroj për të tretën herë me radhë, për këshilltar të Kuvendit të Komunës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, pati shkruar Berisha në Facebook.

Berisha, aktualisht është anëtar i Kryesisë së PDK-së në Prizren./PrizrenPress.com/

Armët e Prizrenit, edhe në duart e Napoleon Bonapartës

0

Shumë nga zejet e komunës së Prizrenit janë zhdukur apo janë në zhdukje e sipër. Dikur të moshuarit e Prizrenit dinin të tregonin shumë histori për pushkatarët e këtij qyteti. Por, tashmë kanë mbetur vetëm emra rrugësh, si rruga e “Pushkatarëve” apo edhe mbiemra familjesh që janë marrë me atë zeje si familja Pushkatari, Tufekçiu, apo ndonjë të ngjashëm. Profesor Nexhat Çoçaj, njohës i kësaj lëmie, është shprehur për “Kosova Sot” pushkatarët e Prizrenit i takojnë epokës së lavdishme të shqiptarëve. Çoçaj shprehet se njëra prej zejeve që i dha emër Prizrenit, ishte zeja e armëpunuesve.

“Armëpunuesit prizrenas në periudhën osmane kishin bërë emër me armët e tyre, të cilat i eksportonin edhe jashtë Evropës. Tregu i armëve në Prizren ishte destinacioni i shumë vendeve të botës, meqë ishin armë karakteristike, të qëndrueshme, të zbukuruara mirë dhe njiheshin si armë precize”, është shprehur ai. Sipas tij, kualitetin e armëve e mundësonte mënyra e punës, që ishte kryesisht punë dore, meqë armëpunuesit në masë të madhe e shfrytëzonin ujin e lumit për shpimin e tytave dhe punimin e pjesëve të armëve.

“Nga armët e armëpunuesve prizrenas ishte e furnizuar edhe një pjesë e ushtrive elitë, siç ishte Napoleon Bonaparta dhe shumë ushtarakë tjerë, që kishin marrëdhënie ushtarake e diplomatike me oborret e pashallarëve shqiptarë siç ishte Ali Pashë Tepelena dhe Bushatlinjtë, të cilët gjithsesi armët e armëpunuesve prizrenas i mbanin si armët më të bukura dhe të çmuara”, është shprehur ai.

Armët e zbukurimit mbaheshin kryesisht në brez

Pikërisht për shkak të vlerave të armëve, Prizreni një kohë të gjatë deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX konsiderohej si qendër e tregtisë së armëve dhe tregu i armëve në Prizren, ishte ndër destinacionet që u interesonte edhe udhëpërshkruesve të huaj, që vizitonin trojet shqiptare. Armëtarët prizrenas në shekullin XVIII armët, që i punon ishin kryesisht të tipit arabo-turk dhe quheshin kapsollaçe dhe breshana. Këto armë u përdorën në masë të madhe edhe nga shqiptarët gjatë kryengritjeve kundër Malit të Zi dhe Serbisë.

“Në fakt armët e tipit breshana ishin armë, që veçoheshin edhe për nga mënyra e zbukurimit, meqë kryesisht mbaheshin në brez. Varësisht nga çmimi varej edhe zbukurimi, meqë kishte armë të zbukuruara edhe me fije ari e të mos flasim për argjend. Ndërkaq, nga fundi i shekullit XIX armëtarët prizrenas nisën të punojnë armët e njohura me emrin “Martina”, që ishin të gjata dhe të shkurtra, por që edhe këto kishin kondakun e zbukuruar”, ka theksuar Çoçaj.

“Ndër pushkatarët që njihen në kujtesën etnografike të Prizrenit ishte Idriz Buza, dhe nga fundi i shekullit XIX edhe Haxhi Ibrahimi.

“Shumë prodhues të armëve kishte afër xhamisë së Sejdio Beut”

“Në qytetin e Prizrenit sot ka ngelur mbiemri ‘Namlexhi’ prej zejes së armëpunuesve, meqë me këtë emër quheshin punëtorët, që bënin shpimin e tytave të pushkëve me fuqinë e ujit të Lumbardhit”, tregon Çoçaj.

Sipas Binak Berishës (97) dikur rreth xhamisë së Sejdio Beut kishte shumë prodhues të armëve. “Koleksioni i armëve përmbante armë të të gjitha llojeve, prodhime vendi që i prodhonin prizrenasit që kishin punëtorinë buzë Bistrice. Artileri e lehtë (topa të vegjël), shek. XIV – Armë zjarri, krahu ose brezi të shek. XVII e në vazhdim. Armë të ftohta tipash të ndryshëm, shek. XVIII – XX. Uta një lloj arme e veçantë”, tregoni ai. Berisha thekson se Prizreni e kishte të zhvilluar zejtarinë, por përpunimi i armëve ishte ajo më kryesorja që e patën bërë Prizrenin qendrën e botës për armë që atëbotë kishte edhe pushkë e armë të tjera të zbukuruara me argjend.

(Kosova Sot)

Mustafa kundër të gjithëve, përmend edhe presionet e SHIK-ut

0

Kryeministri në largim Isa Mustfa, në në postim të gjatë prej 6 pikash në facebook, ka treguar për ato që ai i ka quajtur fushatë dhe presion kundër tij derisa ka qenë kryetari Prishtinës, kryeministër i vendit dhe për akuzat që gjatë kësaj kohe kundër tij,kishin bërë ish ambasadorët amerikanë në Kosovë Dell e Jacobson, transmeton Koha.net.

Në këtë postim të gjatë, Mustafa rrëfen se cilat parti u bënë bashkë për ta rrëzuar Qeverinë e tij, përmend demarkacionin dhe sulmet (fizike) që ishin bërë kundër tij dhe familjarëve të tij. Për zgjedhjet e fundit ai thitë se ata që shpërndanë gënjeshtra dhe ata që me gënjeshtra kundërshtuan demarkacionin dhe liberalizimin vizave!?

“U shpërblyen edhe disa nga banditët dhe kriminelët”, ka shkruar ai.

Ky është postimi i plotë i kryeministri në detyrë, Isa Mustafa:

Të nderuar miq,

E ndjej veten të lumtur, të relaksuar dhe gjithnjë të përgjegjshëm për shtetin tim, pasi mua dhe qeverisë sime i shpallën mosbesim PDK, VV, Lista Serbe, AAK dhe Nisma. Prandaj më lejoni të rrëfehem para jush për disa momente!

1.

Më shpallën të korruptuar. Me 70 dosje!?. Më shpallën antiamerikan dhe antievropian. Më shpallën tradhtar, se i fala 8000 hektarë tokë të Kosovës. Banditët e VV dhe të tjerë ma sulmuan shtëpinë familjare në Prapashticë, në oborrin e së cilës luanin mbesat dhe nipat e mi të pafajshëm. Ma sulmuan me shishe molotovi shtëpinë time në Prishtinë, në të cilën ndodhej e vetme bashkëshortja ime. Më sulmuan me gurë nga pusia në eskortë natën deri sa kthehesha nga Suhareka. Tentuan atentatin me yje metalike të prodhuar enkas për të përmbysur makinën në të cilën udhëtoja për punë. Më gjuajtën me vezë, me gaz lotësjellës dhe sprej në Sallën e Kuvendit, ma gjuajtën makinën gjatë udhëtimit në punë dhe në shtëpi si dhe më gjuajtën në një manifestim në Podujevë.

Nuk u dorëzova para huliganëve, as para atyre që me dhunë dëshironin pushtetin, e as para atyre që e kishin kapur shtetin. Kisha dhe kam besimin në shumicën e qytetarëve tanë dhe në institucionet shtetërore.

Si njeri i këtij vendi prisja një zë qytetar kundër dhunës, gënjeshtrës, huliganizmit. Për fat të keq qytetarët e mi abstenuan. Abstenuan edhe disa deputetë të LDK-së dhe bashkëpartiakë të mi.

Por disa nuk abstenuan të përkrahin ata që demonstruan dhunë e gënjeshtra.

2.

Si kryetar i LDK-së kundërshtova fusnotën, dhe atëbotë ambasadori Dell , pa një e pa dy, më shpalli antiamerikan dhe antievropian dhe se unë nuk përfaqësoja vijën rugoviane të LDK-së. U thash disa shokëve të mi, se po të ishin kohëra tjera, unë do të përjashtohesha nga LDK-ja, e cila është përbetuar për miqësi të përhershme me SHBA-të, por më shpëton vetëm fakti që Dell konsiderohet se është lidhur për kërthize me Hashim Thaçin. Ndërkaq unë e desha dhe e dua Amerikën e cila bëri dhe po bën shumë për Kosovën.

3.

Sa isha Kryetar i Prishtinës, e shihja vetën në ballinat e të përditshmeve me akuza dhe insinuata, ndër më të zezat. E luta bashkëshorten time të mos shikojë shfletimin e gazetave në lajmet e mëngjesit, sepse e përjetonte rëndë. Ndërkaq asistentes time ia ndalova të më sillte shtypin në zyrë. Sot e asaj dite nuk përcjell lajmet në TV.

Vendosa që punën time ta mbështes në besimin mbi vetveten e jo në atë që thonë dhe shkruajnë të tjerët për mua dhe për djemtë e mi.

Kalova situate të vështira sa isha në Komunën e Prishtinës. Kishte ditë që makinat e policisë së instruktuar nga njerëzit e SHIK-ut në polici, kapës të shtetit, deri 12 herë në ditë defilonin para komunës, merrnin në pyetje, arrestonin e lironin zyrtarë me faj e pa faj. Shantazhonin!

Më pat ardhur në zyrë një gazetar, pronar i një portali të tanishëm, dhe më tha që e ndjen për obligim të më njoftojë se një prokuror i Prokurorisë Speciale, me emër e mbiemër, i kishte rrëfyer se ka vendosur të ndjek djalin tim dhe se i ka thanë atij se nuk ka elemente për ndjekje penale , por pa marrë parasysh nuk do ta lë pa e burgosur, pasi është djali i Isa Mustafës. Në fakt ma mbajtën Besnikun, djalin tim, 7 vjet nën hetime e gjyqe, e qitën në ballinat e të gjitha gazetave dhe ekranet televizive, gjithnjë si djalin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe më vonë të Kryeministrit të Kosovës dhe në fund e shpallën të pafajshëm.

4.

Në zgjedhjet e fundit lokale, të vitit 2013, dy ditë para balotazhit, deri sa kisha rreth 9000 vota më shumë se kandidati i VV (Shpend Ahmeti), inskenuan një video në të cilën thuhej se djali im Arbeni i kishte kërkuar një të riu të VV që të kalojë në LDK dhe se për këtë i kishte premtuar tenderë, punësime e përfitime tjera. E shpërndanë në të gjitha anët përmes portalit Indeksonline, përmes KTV-së dhe RTK-së. Djalin tim, nuk vonoi as dy javë, e thirrën me kërkesë të prokurorit për ta marrin në pyetje. Doli që ishte e montuar, gënjeshtër e pastër, por rezultoi dobishëm për VV . Ata që e sajuan rrenën , e shitën në opinion dhe që morën vota me gënjeshtra nuk u ndoqën. Kriminelët e VV ishin të gatshëm me montime të tilla ta qojnë edhe në burg një të ri, baba të dy fëmijëve, vetëm sa për t’ia rritur votën Shpend Ahmetit.

5.

Nuk doli e bazuar as deklarata e ambasadores Jacobson, në kohën kur LDK ishte pjesë e bllokut në vitin 2014, se “VV ka ngritur diku rreth 70 akuza për korrupsion kundër LDK-së në pushtetin lokal në Prishtinë…. Do të thotë se Kosova ka njëfarë tradite të politikanëve të korruptuar”.

Ambasadorja më gjykoi para kohe, por LDK nuk doli e korruptuar me këto dosje dhe as unë si politikan i Kosovës.

6.

Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s në kufijtë e marrëveshjes së nënshkruar në Vjenë në vitin 2015, dhe prej atëherë asnjë qytetarë, kompani, komunë, institucion shtetëror i Kosovës nuk arriti të argumentoj se një pëllëmbë tokë, të cilën e ka administruar në Kosovë, i ka kaluar në Malin e Zi. Ranë gënjeshtrat politike sikurse edhe mashtrimet “profesionale e shkencore”, por qytetarët mbetën të izoluar.

Në fakt nuk humbën të gjithë. Fituan vota populliste ata që shpërndanë gënjeshtra dhe ata që me gënjeshtra kundërshtuan demarkacionin dhe liberalizimin vizave!? U shpërblyen edhe disa nga banditët dhe kriminelët. Me votën e popullit.

Isa Mustafa

Beari përkujton datëlindjen e babait, dëshmorit Xhevat Berisha

0

Bear Berisha, ka përkujtuar sot datëlindjen e 56-të të babait, dëshmorit të kombit Xhevat Berisha.

Ai thotë se babai i tij, ka vetëm datëlindje.

Postimi i tij në Facebook:

Me 30.08.1961 në fshatin Lez, 56 vjet me parë lindi Heroi i Kombit Xhevat Berisha.Babë Ahmeti dhe nëna Ryfetja, lindja e Xhevatit i gëzoi jashtë mase, ku këtij gëzimi ju shtuan edhe vëllezërit Neshati dhe Vehapi,motrat Nesibja Jeminja dhe Anifja.

Këtë femijë do ta pagezojnë me emrin Xhevat qe do thotë: Zemërgjerë,dorëdhënës,bujar.

Xhevati u rrit e u skalit nën përkujdesjen e Babait Ahmetit, ku do të frymëzohej me atdhedashuri dhe idealizëm.

Mësuesi i popullit,Pishtari i Lirisë, Heroi Kombit Xhevat Berisha ,dy ditë me vonë pasi mbushi 37 vjet,me 01.09.1998 nga luftimet e ashpëra në Lezin Legjendar bie heroikisht për të mos vdekur kurrë”.
Lavdi dëshmorëve të kombit”.

Dëshmorët kanë vetëm datëlindje!

Fotografia e Bear Xh Berisha

Banorët e fshatit Gjonaj të vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në objektin e ri shkollor

0

Fillimi i vitit të ri shkollor ka nxjerr edhe njëherë mbi sipërfaqe pakënaqësinë e banorëve të fshatit Gjonaj, pasi objekti i ri shkollor është larg nga të dy pjesët e fshatit. Banorët e fshatit Gjonaj shprehin shqetësimin se fëmijët e ciklit të ulët përpos që duhet të bëjnë rrugë të gjatë duhet ta kalojnë nëpër rrugë të rrezikshme pa trotuare.

Ata kërkojnë nga organet komunale që ta mbajnë premtimin, që fëmijët e ciklit të ulët ta vazhdojnë mësimin në objektet e vjetra, ndryshe, ata shprehen të vendosur se nuk do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.

Këtë shqetësim Haziz Hodaj, ua ka paraqitur, kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe Drejtorit të Arsimit, në mbledhjen e Komitetit për politikë dhe financa, duke ua përkujtuar marrëveshjen në mes tyre.

“Kryetar në takimin që e kemi pas bashkë, e ku kanë qenë edhe drejtori i Arsimit dhe kryesuesi i përbërjes së kaluar të Kuvendit Komunal, keni premtuar se fëmijët e ciklit të ulët do t’i vijojnë mësimet në objektet e vjetra shkollore. E kam paraqitur vazhdimisht këtë shqetësim dhe kam kërkuar që të renovohen objektet e vjetra, por nuk e keni ndërmarrë asnjë hap” tha Hodaj duke iu drejtuar kryetarit të Komunës dhe Drejtorit të Arsimit.

Hodaj kërkoi të bëhet një zgjidhje urgjente sepse tha ai banorët e fshatit Gjonaj janë këmbëngulës që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë. “Banorët kanë mbajtur një takim ku janë shprehur të vendosur në qëndrimin e tyre” tha Hodaj.

Në shqetësimin e paraqitur, as kryetari i Komunës dhe as Drejtori i Arsimit, nuk i kthyen përgjigje Hodajt.

I pyetur nga Gazetaere për problemin e objektit në fshatin Gjonaj, drejtori i Arsimit Zahadin Shemsedini tha se për shkak të angazhimeve nuk ka mundur të merr pjesë në takimin e banorëve, në të cilin ka qenë i ftuar, por shtoi se drejtoria është duke punuar që të gjejë zgjidhje .

“Po e shikojmë mundësinë që nxënësit e shkollës së mesme t’i vijojnë mësimet në objektin e ri, ndërsa nxënësit e ciklit të ulët të vijojnë mësimet në objektin e shkollës së mesme”, tha Shemsedini duke pohuar se po kërkohet zgjidhje për këtë shqetësim të banorëve të fshatit Gjonaj.

Deri në fillimin vitit të ri shkollor kanë mbetur edhe katër ditë dhe mbetet të shihet nëse do të gjendet zgjidhje për shqetësimin e banorëve të fshatit Gjonaj/gazetaere/