26.5 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 5823

Një asteroid me emrin e Freddie Mercury

0

Për të shënuar 70-të vjetorin e lindjes së legjendës Freddie Mercury, kitaristi i grupit Queen dhe astrofizikani Brian May dje ka treguar se një asteroid do të marrë emrin e Mercury.

“Një asteroid që sillet në orbitë rreth Marsit e Jupiterit do të quhet 17473 Freddiemercury. Asteroidi është zbuluar në vitin 1991 nga Qendra Astronomike Ndërkombëtare” tregon May.

Viti 1991 ishte edhe viti kur Freddie ndërroi jetë. Asteroidi 17473 Freddiemercury rrotullohet rreth Diellit 20-të kilometra për sekondë në një orbitë eliptike që asnjëherë nuk i afrohet tokës më afër se 350 milionë kilometra, dhe kësisoj nuk e rrezikon atë.

“Duhet një teleskop i mirë për ta parë. Është një dritë, e ndoshta një ditë do ta prekim” tregon May.

Freddie Mercury ishte këngëtar britanik pjesë e disa grupeve muzikore, së fundmi nga viti 1970 e deri kur ndërroi jetë me grupin “Queen”.

“Eho” triumfon në Montreal World Film Festival

0

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit të madh Montreal World Film Festival, filmi ‘Eho’ nga Dren Zherka, koproduksion mes Gjermanisë dhe Kosovës, mori çmimin ‘Silver Zenith for the First Fiction Feature Film’ një shpërblim ky prej 40,000 dollar.

‘Eho’ film debutues me skenar dhe regji nga Dren Zherka i cili u shfaq para publikut për herë të parë në Montreal triumfoi me këtë çmim të rëndësishëm për të ardhmen e filmit që do ta ketë në festivale të ndryshme.

Ky film flet për humbjen, vetminë, dhe për një lidhje të pashprehur që i bashkon dy prindërit në moshë, larg nga njëri-tjetri, përmes një aksidenti fatal. Një grua në Gjermani fillon udhëtimin dhe eksplorimin e jetës së emigrantit ilegal, dhe në vend të kësaj gjen dhimbjen dhe vetminë e saj; një njeri të moshuar në Kosovë që humbja dhe vetmia e kanë sjell në fund të udhëtimit të tij.

Këto dy personazhe luhen nga: Selman Jusufi dhe Klara Höfels.

‘Eho’ është realizim i kompanisë filmike ‘ASHA’ dhe ‘MAGUSfilms’ dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

Tri net Festivali Kaba 2.0 në Korçë

0

Në Pazarin e Vjetër të Korçës, në datat 10, 11 dhe 12 shtator bëhen bashkë në një takim të veçantë kultura dhe trashëgimia me kabanë, polifoninë, xhazin, rokun, muzikën elektronike dhe bashkëkohore. Janë tri net magjike që mbledhin emra artistësh të famshëm në Shqipëri, gjatë edicionit të parë të festivalit Kaba 2.0.

Në këtë festival do të marrë pjesë për herë të parë kantautori Italian, muzikanti i njohur i cili ka korrur sukses në vende të ndryshme të Evropës, Vinicio Capossela, ku do të performojë live me grupin e tij. Grupi nga Janina, Villagers of Ioannina City, kompozitori dhe pianisti Robert Bisha, i cili kthehet në Shqipëri pas koncertit të suksesshëm, që pati në Lion të Francës, Fanfara Tirana, Basisti Dr Das nga Asian Dub Foundation, DJ sets, nga Jehonë & The Funkie Villainz, etj.

Festivali Kaba 2.0, përfshin Kabanë shqiptare, një thesar i cili përmban struktura muzikore unikale ku mund të hasim embrione të jazz-it, dub-t, blues-it të cilët rrjedhimisht do të sillen në forma të reja bashkëkohore si KABA-dub, KABA-jazz, KABA-tronic, KABA- klasic, KABA-blues etj. Është bërë një përzgjedhje e kujdesshme e artistëve të huaj, me kualitet dhe famë të pakontestueshme, të cilët do të prezantojnë përveç programit të tyre një program të përbashkët me një grup shqiptar. Një pjesë e këtij programi është bazuar mbi muzikën shqiptare të rishikuar / reinterpretuar / riarranzhuar. Kabaja e jugut (sazet), polifonia, format muzikore si majë e krahut apo vallet e veriut të sjella dhe të konceptuara në shekullin e XXI.

Një laborator nisur nga tradita me një respekt përulës. Gjatë natës së parë do të jepen tre koncerte live, tri nga shembujt më të mirë që ky festival dëshiron të promovojë dhe inkurajojë. Nata e parë e festivalit do të hapet me grupin Jericho, një grup nga Kosova, muzika e së cilit është nj përzierje mes muzikës alternative, elektronike, dhe etnikes, muzikës karakteristike të Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës. Koncerti më pas do të vazhdojë me grupin Villagers of Ioannina City, një grup I krijuar në 2007 në Janinë, I cili luan kryesisht muzikë fol k- rok. Gjatë këtij koncerti ata do të prezantojnë Kabaroc.

Kompozitori, pianisti Robert Bisha & Fanfara Tirana do të hapin programin e natës së dytë. Më së fundi pas një turneu tri vjecar nëpër botë edhe për publikun tonë projekti “Kabatronics” nga Fanfara Tirana meets Transglobal Underground do të prezantohet edhe në Shqipëri. Ndërkohë kompozitori dhe pianisti Robert Bisha luan e drejton Fanfara Tirana për një premierë unike me të cilën merituan një duartrokitje të gjatë në Lion të Francës më 8 Korrik në festivalin më të rëndësishëm të “Netët e Furviere” në amfiteatrin romak, të tejmbushur me 4500 spektatorë. Ndërkaq kompozitori shqiptar, Robert Bisha, i cili vjen në Shqipëri dhe pas një koncerti tjetër të suksesshëm, të realizuar në Torre Guaceto në Brindisi (Reservë natyrale) në agimin e datës 20 gusht, do të interpretojë disa herë gjatë festivalit.

Ditën e fundit të Kaba 2.0 tingujt magjik të pianos së Robertit dhe zërat hyjnorë të të kënduarit “vënce” nga Albanian Iso-Polyphonic Choir do të keni mundësinë ti ndiqni Brenda Manastirit të Voskopojës. Vinicio Capossela, kantautori I njohur Italian,muzikanti dhe tekstshkruesi do të vij për herë të parë në Shqipëri për të prezantuar hitet e tij. Dr Das nga Asian Dub Foundation do të eksperimentojë Kabadub, DJ sets edhe nga Jehonë dhe The Funkie Villainz, etj.

Programi i festivalit Kaba 2.0

10 Shtator
Grupi Jericho
Grupi Villagers of Ioannina City
Fanfara Tirana meets Transglobal Underground me Kabatronics

11 shtator
Kompozitori dhe pianisti Robert Bisha & Fanfara Tirana
Muzikanti, kantautori Vinicio Capossela
Basisti Dr Das nga Asian Dub Foundation
DJ sets, nga Jehonë & The Funkie Villainz

12 shtator
Robert Bisha & Albanian Isopolyphonic Choir

Policia e Kosovës mbushi 17 vjet

0

Policia e Kosovës (PK) sot feston 17-vjetorin e themelimit.

Me një ceremoni zyrtare, do të bëhet ndarja certifikatave për zyrtarët policorë që janë shquar për punën e tyre dhe rezultatet e arritura.

Për nderim të kësaj dite, janë të ftuar të marrin pjesë personalitete të ndryshme, përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si dhe familjarë të policëve.

Më 6 shtator të vitit 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.  Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.

Kosova shkruan historinë, heshtin Xhaka, Shaqiri dhe të tjerët

0

I madhe e i vogël mbrëmë i kanë uruar Kosovës debutimin historik në garat zyrtare ndërkombëtare, si dhe barazimin me Finlandën (1:1).

Por, lojtarët kosovarë që luajnë për vendet tjera si: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Shani Tarashaj, Valon Behrami e Adnan Januzaj nuk e kanë thënë asnjë fjalë për vendlindjen e tyre, shkruan Express.

Pasi e kanë refuzuar ftesën e Kosovës, lojtarët e lartpërmendur me siguri nuk kanë pasur ‘fytyrë’ t’i urojnë vendit të tyre startin e mrekullueshëm në kualifikimet për Botërorin 2018. /Express/

Çollaku lë Ministrinë e Integrimit, shkon në Presidencë

0

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku në emisionin Infobox të RTV Dukagjini ka thënë se qytetarët e Kosovës më së largu në janar do të lëvizin pa viza në vendet e BE-së.

Çollaku ka thënë se Brukseli e konfirmoi edhe një here mbështetjen për të ardhmen evropiane të Kosovës me votimin pozitiv në Komisionin e Parlamentit Evropian për të drejtat civile, drejtësi dhe punë të brendshme (LIBE).

Ministri Çollaku konfirmoi se do te jetë në Presidencën e Kosovës ngase puna e tij si ministër i Integrimit ka përfunduar. E se çfarë pozite do të ketë, ai për Infobox ka thënë se do të jetë numri dy pas Presidentit.

Bekim Çollaku ka thënë se tani i takon deputeteve të Kosovës të përcaktojnë fatin e lëvizjes së lirë, duke votuar demarkacionin, i cili është kusht i Bashkimit Evropian, e të cilin ai e konsideroi padrejtësi që po i bëhet qytetarëve krahasuar me vendet e tjera te rajonit.

Megjithatë Çollaku shprehu mirënjohjen tij për të gjithë ata eurodeputet që dje dhanë votën e tyre pozitive për vazhdimin e këtij procesi.

Klasa politike s’ka qasje konstruktive për çështje madhore

0

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka vlerësuar se tërheqja e marrëveshjes së demarkacionit nga votimi në Kuvend është bërë në mungesë të votave të Listës Serbe e jo për shkak të arritjes së një konsensusi të gjerë.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se një konsensus i tillë do të ishte i mirëseardhur por, sipas Maliqit, elitës aktuale politike i mungon arsyeja dhe qasja konstruktive për çështje madhore. Ai ka deklaruar se politikanët e Kosovës ende nuk e kanë mësuar leksionin e demokracisë për t’i marrë vendimet vetë, e jo me presione të diplomacisë perëndimore.

Maliqi ka theksuar se nëse koalicioni qeverisës i ka votat edhe mund ta rikthejë për votim në Kuvend demarkacionin. Në të kundërtën, sipas tij, do të duhej të shpalleshin zgjedhjet e reja. Maliqi ka thënë se demarkacioni dhe asociacioni i komunave serbe nuk janë problemet kryesore të Kosovës, por zhvillimi ekonomik dhe reforma e administratës. /Epoka e re

Viti i ri shkollor me premtime të vjetra politike

0

Rreth 400 mijë nxënës kosovarë, përfshirë edhe 27 mijë fatosa, janë ulur dje në bankat shkollore, duke filluar me entuziazëm vitin e ri shkollor.

Ky vit edhe kësaj here nisi me premtime megalomane të lidershipit politik për reforma në arsim, ndërsa hapja e shkollave të reja dhe meremetimi i shkollave të vjetra ishte zhargoni tradicional i klasës institucionale.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se përveç 27 mijë yllkave dhe fatosave, rreth 400 mijë nxënës do t’u kthehen mësimeve këtë shtator.

“Tashmë cingëruan zilet e para të vitit të ri shkollor! Është një nga momentet më emocionuese të vitit. Posaçërisht në emocione janë fëmijët që fillojnë klasën e parë. Të gjithë nxënësve, e posaçërisht këtyre 27,000 e ca që fillojnë klasën e parë, ju dëshiroj shumë suksese në rrugëtimin e tyre shkollor”, ka deklaruar për medie zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Premtime dhe urime për vitin e ri shkollor kanë ardhur edhe nga presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, dhe përfaqësues të partive politike.

Premtime dhe urime politike për fillimin e vitit shkollor

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e fillimit të vitit të ri shkollor 2016-2017, i ka uruar nxënësit duke u ndjerë, siç thotë, i lumtur që tanimë fëmijët kanë mundësi të mësojnë edhe për historinë e popullit shqiptar. /zeri.info/

Vazhdon “beteja” për Demarkacionin

0

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi mund të rikthehet nga Qeveria e Kosovës në Kuvend për votim. Javën e kaluar, në emër të qeverisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tërhoqi këtë projektligj nga shqyrtimi dhe votimi parlamentar për arsye të ndryshme.

Ndër kryesoret ishin mungesa e deputetëve të Listës Serbe në Kuvend, çka i pamundësonte koalicionit të siguronte 80 votat e nevojshme për ratifikim, si dhe kundërshtimet e ashpra të opozitës dhe kujdesi i treguar i kryeministrit për ruajtjen e gjendjes së sigurisë në vend.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, në Kosovë po shihet nga dy perspektiva. E para, ajo e koalicionit qeverisës, sipas së cilës, kjo është një marrëveshje të drejtë sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe është e domosdoshme për fillimin e zbatimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kurse nga perspektiva e opozitës, po shihet si marrëveshje jo e drejtë që i humb Kosovës një territor prej mbi 8 mijë hektarësh.

Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dështimi eventual i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje do të hap shumë dilema, të cilat, sipas tij, nuk do të kenë përgjigje në Kosovë, por vetëm në Bruksel.

Ratifikimi i Demarkacionit, sipas ministrit Çollakut, mbetet kushti i fundit për heqjen e vizave dhe i cili nuk mund të anashkalohet nga ana e institucioneve të Kosovës.

“Në rastin tonë, përkundër përparimeve të mëdha që janë bërë, përkundër hapave ligjor që janë ndërmarrë nga ana e Komisionit Evropian dhe përkundër faktit që kjo çështje do të trajtohet edhe në Komisionin e Parlamentit Evropian për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza, përderisa ne nuk i përmbushim të gjitha obligimet e parapara”, ka thënë Çollaku.

Pas tërheqjes së Projektligjit për Demarkacionit, sipas procedurave ligjore, nënkuptohet se ky draft-ligj nuk ka qenë fare në shqyrtim në Kuvend, thotë analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi. Sipas tij, tani janë dy mundësi mbi bazën e të cilave qeveria mund ta ri-procedojë projektligjin e njëjtë për ratifikim në Kuvend.

“Nëse Projektligji i njëjtë procedohet në Kuvend, ai fillimisht duhet të marr miratimin e qeverisë. Pastaj janë dy mënyra; të kërkohet miratimi në Kuvend me procedura të përshpejtuara, që për mendimin tim do të ishte gabim, ose përmes procedurave të rregullta parlamentare”.

“Projektligjet me të cilat bëhet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kalojnë vetëm me një lexim në Kuvend. Paraprakisht duhet që Kryesia e Kuvendit ta mandatojë Komisionin parlamentar për punë të jashtme që ta shqyrtojë atë dhe më pastaj, ky Komision t’i rekomandojë seancës plenare miratimin apo jo të tij”, ka theksuar Krasniqi.

Për procedurat parlamentare dhe një demokraci të mirëfilltë, do të ishte mirë që Kuvendi të votojë për apo kundër marrëveshjes, thotë Krasniqi.

Ndërkohë, sipas opozitës, ratifikimi i marrëveshjes aktuale për Demarkacionin është çështje e mbyllur dhe se për shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi duhet të ri-negociohet.

Dardan Sejdiu, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se kjo marrëveshje, pas tërheqjes nga Kuvendi, tashmë duhet të konsiderohet e dështuar.

“Ajo që tashmë është e qartë, dy temat kryesore të kësaj qeverisje, “zajednica” (termi që Vetëvendosje përdorë për Asociacionin) dhe Demarkacioni i gabuar i kufirit të Kosovës me Malin e Zi, tashmë janë të vdekura”, është shprehur Sejdiu.

Në seancën e 1 shtatorit, kur kryeministri Isa Mustafa vendosi ta tërheqë këtë projektligj nga votimi në Kuvend, monitoruesit e punës së këtij institucioni besonin se koalicioni nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim, ngase Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit, nuk mori pjesë në seancë.

Tani mbetet të shihet se kur do ta ri-procedojë qeveria të njëjtin Projektligj në Kuvend dhe nëse paraprakisht do të ketë bisedime ndërmjet dy partive më të mëdha të koalicionit, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike me Listën Serbe, për të siguruar votat e nevojshme për ratifikim. /Rel

Oligarkët, në luftë me njëri-tjetrin

0

Politikanët e korruptuar kanë kalbur partitë. Deputetë dhe analistë politikë konsiderojnë se shpërbërja e këtij rrjeti kriminal të politikës gjithsesi nuk mund të ndodhë në mënyrë të diferencuar, por duhet të zhbëhet si i tëri, një proces që nuk është edhe aq i lehtë, raporton Gazeta Kosova Sot

Sado që duket se koalicioni qeverisës po funksionon me një brishtësi jashtëzakonisht të madhe, me përplasje të shpeshta brenda dhe jashtë Parlamentit për çështje nga më të ndryshmet, një fragjilitet që vjen e rëndohet akoma më shumë me publikimin e incizimeve nga Dosja “Pronto 2”, që në një mënyrë shpërfaq fillimin e luftës brenda llojit përmes të cilit proces politikanët e korruptuar provojnë ta eliminojnë njëri-tjetrin, sipas njohësve të këtyre rrethanave, shpresat për lirimin e shoqërisë nga ky rrjet i njerëzve të inkriminuar janë mjaft të zbehta.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj konsideron se shpërbërja e këtij rrjeti kriminal të politikës gjithsesi nuk mund të ndodhë në mënyrë të diferencuar, por duhet të zhbëhet si i tëri, një proces që nuk është edhe aq i lehtë.

“Unë mendoj se krimi i organizuar po mundohet të shpërlahet duke u distancuar dhe duke eliminuar disa eksponentë tanimë shumë të kompromentuar. Në këtë mënyrë, eksponentët kryesorë të krimit të organizuar mundohen të duken “të pastër”. Po ashtu, ata kanë një frikë se po të mos distancohen dhe t’i sakrifikojnë këta të komprometuarit, mund të shkojnë edhe këta bashkë me ata”, theksoi ai.

Kjo Qeveri duhet të shkojë sa më parë

Edhe deputetja Teuta Haxhiu, nga AAK-ja, shkapjen e shtetit nga klani “Pronto” dhe partnerët e tij të qeverisjes e sheh si një betejë tepër të vështirë për t’u fituar nga një klasë politike e ndershme dhe qytetarët, por që domosdoshmërish është një ndryshim që i duhet këtij vendi. Ajo thotë se pak a shumë lufta brenda llojit duket të ketë filluar, ku vetë politikanët e korruptuar mundohen ta luftojnë njëritjetrin, por, sipas saj, vetëm ndërprerja e shpejtë e mandatit të këtij koalicioni qeverisës me njerëz që janë mbi ligjin, dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, për t’i dhënë vendit një qeverisje krejtësisht të re të legjitimuar nga sovrani, është shpresa e vetme për ndryshime në interes të shtetit dhe shpresa për perspektivën e qëndrueshme të qytetarit.

“Të gjitha veprimet që ndodhin brenda koalicioni, qoftë edhe si përplasje apo kundërvënie njëri- tjetrit nga të korruptuarit, janë zhvillime të cilat duhet të çojnë sa më parë jo deri te prishja, por deri te shkuarja e kësaj Qeverie dhe e kësaj klase politike, që po keqqeveris me vendin, që e ka bllokuar dhe ngulfatur shpresën e zhvillimit të vendit në çdo pore të jetës”, tha deputetja Haxhiu për “Kosova Sot”.
Ajo ka pohuar se të gjitha seritë e deritanishme flasin se sa thellë ka depërtuar kapja e shtetit, që nga bordet e ndërmarrjeve publike e deri tek ndikimi dhe lidhja me politikën e kompanive të mëdha private, që njësoj janë të kapura nga Qeveria dhe rrjeti i saj i kriminalizuar dhe i korruptuar. Ajo tha se shqetësim në vete është edhe ndërhyja aq e thellë e krimit dhe korrupsionit në disa medie dhe involvimi i vetë disa gazetarëve në disa zhvillime që ndërlidhen ne këtë rrjet të korruptuar.

“Për t’u kthyer në normalitet, Qeveria e vendit, për të marrë një rrugë të mbarë zhvillimi i vendit dhe për të marrë frymë lirshëm qytetarët, duhet që të shkojmë sa më parë në zgjedhje të reja për të ndërtuar një Qeveri të re më të ndërgjegjshme dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve të vendit që punon kryekëput vetëm në interesin e vendit”, potencoi ajo. /Kosova Sot/