Home Blog Page 5868

Pse Trump e do Rusinë kaq shumë ?

0

Shkruan: Fareed Zakaria

QËNDRIMI I BUTË I PRESIDENTIT AMERIKAN NDAJ PUTINIT

Republikanët sot kanë një pikëpamje më të favorshme për Putin-in sesa demokratët

Është një pozitë kaq e pazakonshme për Trumpin, që lutet për një lloj shpjegimi. Sikurse në politikën vendore, ku ai ka humbur në gjithë hartën politike, në politikën e jashtme, Trump ka mbajtur qasje të qartë dhe konsistente për tri dekada

Zbulimet e fundit për Rusinë dhe fushatën e presidentit Trump janë të përdorshme, sepse mund të ndihmojnë në zbulimin e misterit, që gjithmonë ka qenë në qendër të këtij tregimi. Përse Trump ka një qëndrim kaq të butë karshi presidentit rus Vladimir Putin? Është një pozitë kaq e pazakonshme për Trump-in, që lutet për një lloj shpjegimi. Sikurse në politikën vendore, ku ai ka humbur në gjithë hartën politike, në politikën e jashtme, Trump ka mbajtur qasje të qartë dhe konsistente për tri dekada. Në vitin 1987, në deklaratën e tij të parë të madhe për politikën publike, në disa gazeta ai bëri një reklamë ku fillonte: “Për dekada, Japonia dhe kombet e tjera kanë shfrytëzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Në reklamë ai po ashtu ka shtuar: “Arabia Saudite, vend që ekzistenca e saj pak a shumë është në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” dhe e tëra “aleat që nuk do të ndihmojë”.

Disa vende, në listën e mashtruesve

Kjo qasje e përgjithshme e Trump-it kurrë nuk është lëkundur. Ai ka shtuar disa vende në listën e mashtruesve, së fundmi Kinën dhe Meksikën. Së fundmi, në librin e fushatës së tij ai ka shkruar: “Ekzistojnë njerëz që do të dëshironin të mos mund t’i referohem Kinës si armik. Por, saktë- sisht të tillë janë”. Gjatë fushatës, ai ka thënë: “Ne nuk mund t’i lejojmë Kinës ta dhunojë vendin tonë”. Disa muaj para se ta shpallte kandidaturën e tij, në rrjetin shoqëror “Tweeter”, kishte shkruar: “Nuk dua gjë të bëj me Meksikën pos ta ndërtoj një MUR të pakalueshëm dhe të ndalohet rrjepja e Shteteve të Bashkuara”. Trump është ajo që historiani Walter Russell Mead e quan një “Jacksonian” mbi politikën e jashtme (pas Andrew Jackson), dikush thellë- sisht skeptik dhe instinktivisht armiqësor ndaj kombeve dhe liderëve të tjerë, të cilët besojnë në një fortesë që mendon biznesin e vet dhe nëse është i shqetësuar, do të ‘bombardojë’ nga kundërshtarët e saj dhe pastaj të tërhiqet përsëri në atdheun e tij.

Reaksioni i Trump-it, me emocion

Ky ishte qëndrimi themelor i Trump-it ndaj botës, me përjashtim të Rusisë dhe Putinit. Dhjetë vite më parë, kur të hollat e Rusisë po depërtonin në Perëndim, Trump kishte filluar të lavdërojë vendin dhe liderin e saj: “Shikojeni Putin-in .?.?. ai po bën një punë të hatashme në ndërtimin e imazhit të Rusisë e po ashtu edhe po ndërton periudhën ruse”. Në vitin 2013, Putin ka shkruar një opinion në “New York Times” ku përpiqej të mënjanonte administratën e Obama-s nga përgjigjja ndaj përdorimit të armëve kimike nga qeveria siriane. Aty, ai pohon se gazi helmues ishte përdorur nga opozita siriane për të mashtruar Uashingtonin për të sulmuar regjimin. Reaksioni i Trump-it ishte plot emocion.

“Unë kam menduar se ishte shkruar në mënyrë të mahnitshme .?.?. letra. .?.?. unë mendoj se ai dëshiron të bëhet lider botëror dhe pikërisht tani ai po e bën këtë”. Trump kaq shumë e adhuron Putin-in, saqë imagjinon se që të dy janë takuar, duke bërë disa pohime të rreme, së paku pesë herë në publik.

“Në krejt drejtësinë për Putin-in, po thoni se ai ka vrarë njerëz. Unë nuk e kam parë këtë”, kishte thënë ai në vitin 2015. “A ishit në gjendje për ta dëshmuar këtë”? Kur ishte përballur më herët me këtë gjatë këtij viti, ai e ka mohuar këtë, duke thënë: “Ne kemi shumë vrasës. Çfarë, ju mendoni se vendi ynë është kaq i pafajshëm”? Trump nuk do t’i bënte këto arsyetime për ndonjë përparësi politike. Partia Republikane në mënyrë instinktive është tërhequr drejt Rusisë, megjithëse në një shenjë të ndryshimit të shtrirjes së SHBA-së, republikanët sot kanë një pikëpamje më të favorshme për Putinin sesa demokratët, me 20 pikë.

“Nuk ka asgjë që mund të mendoj më shumë se Rusinë ta kemi mik”, ka deklaruar Trump në një konferencë shtypi në muajin korrik të vitit të kaluar. Fushata e tij me sa duket e ka ndjekur këtë ide. Ai ka caktuar si këshilltar të lartë për politikë të jashtme Michael Flynn, një njeri që kishte shprehur prirjet pro-ruse dhe, tani e dimë, ishte paguar nga qeveria ruse.

Paul Manafort, që për pak kohë ishte kryesori i fushatës së Trump-it, ka pranuar me miliona dollarë nga partia pro ruse e Ukrainës. Gjatë Konventës Republikane, kishte një gjuhë të pazakontë për pushtimin rus të Ukrainës. Dhe kur u zgjodh, Trump si Sekretar të Shtetit ka zgjedhur Rex Tillerson, që ishte shpërblyer me çmimin më të lartë që një i huaj mund ta marrë dhe ka “lidhje shumë të afërt” me Putinin. Në fund, ka kontakte të përsëritura midis pjesëtarëve të fushatës dhe të familjes së Trump-it me zyrtarë kyçë të Rusisë, që përsëri duhet të jenë unikë për Rusinë. Është e mundur që ka shpjegime beninje për të gjitha këto. Me gjasë Trump-i e adhuron si lider Putinin.

Ndoshta, ai e ka blerë në botëkuptimin e këshilltarit të tij të lartë Stephen K. Bannon, në të cilin Rusia nuk është një armik ideologjik, por një mik kulturor, një vend i bardhë i krishterë që lufton myslimanët e zymtë. Por, me gjasë ka ndonjë arsye apo shpjegim tjetër për këtë servilitet të gjatë për Rusinë dhe liderin e saj. Kjo është enigma tani në zemrën e presidencës së Trump-it, të cilën këshilltari special Robert S. Mueller III pa dyshim se do të tentojë ta zgjidhë.

Fareed Rafiq Zakaria është gazetar indiano-amerikan dhe autor. Ai është udhëheqës i emisionit në “CNN”, me titull “Fareed Zakaria GPS” dhe çdo javë shkruan kolumne për “The Washington Post”

Skenari për “grusht-shtetin ” e 15 korrikut

0

Shkruan:FATON MEHMETI

Vënia e diktaturës në Turqi

Pasi mori në Kosovë aeroportin, KEK-un, pastaj në Shkup gjithashtu aeroportin dhe në Shqipëri tani aeroportin e Vlorës, Erdogani veç sa po vazhdon skenarin e tij për t’u konsideruar ” baba i myslimanëve në Ballkan”, duke përfshirë këtu Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe shqiptarët në Maqedoni

15 korriku i vitit 2016 shënon kulminacionin e realizmit të një skenari për vënien e diktaturës në atë që sot konsiderohet, Turqia moderne. Në këtë skenar filmash të realizuar nga vetë Erdogani, gjoja se u tentua të vritej presidenti turk, të bëhet grusht- shtet dhe se populli rikthehu mbretin në kolltukun e Kemajl Ataturkut. Në kohën kur popullariteti i Erdoganit po lëkundej karshi synimeve të tij për të vendosur pushtetin diktatorial në duart e tij, inskenoi gjoja një grusht- shtet , për të pasur pastaj të drejtën e botës gjoja në emër të drejtësisë të eliminonte të gjithë kundërshtarët e tij. Një persekutim, arrestim dhe eliminim i çdokujt që mendon ndryshe nuk mbahet mend të ketë ndodhur, që nga koha e Sadam Huseinit, i cili eliminonte njerëzit vetëm se nuk mbanin fotografinë e tij në dhomën e ndejës.

Kërkesa jologjike e johumane

Me një qëndrim tipi diktatorial, me ” bekimin’ e popullit të tij , diktatori më i ri në Evropë po shpallte vetën shpëtimtar të Turqisë, i popullit turk nga ” kërcënimi”. Paranoja , që e karakterizon çdo diktator, nuk po e linte të qetë Erdoganin për të bërë thirrje për të arrestuar kundërshtarin e tij që jeton ne SHBA, Fetullah Gulen. Pavarësisht se kërkesa e tij nuk u mor parasysh, Erdogani duke përdorur ” vëllazërinë ” e tij me Hashim Thaçin, kërkoi që edhe në Kosovë të mbyllet çdo shkollë, apo organizatë që ka lidhje me Gulenin. Kjo kërkesë u përsërit edhe nga ambasadorja e Turqisë Kivilcim Kiliçe, e cila kërkon të luftohet organizata “Feto” e Fethullah Gulenit e cila, sipas saj, është e shtrirë nëpërmjet shkollave, organizatave joqeveritare e mediumeve në Kosovë. Kjo kërkesë nuk është as e arsyeshme, as logjike dhe aspak humane. Kjo është ” kërkesë” e diktatorit Erdogan, i cili fut hundët në Kosovë, sikur Kosovën t’ia kishte lënë baba me tapi. Jo, zonja ambasadore, Kosova nuk është as krahinë, as tokë turke që luftën e brendshme politike në Turqi ta mbartin këtu. Asnjë organizatë që ka lidhje me Gulenin apo as ai vetë, nuk është shpallur terrorist, dhe derisa vepron krejt legalisht pse mos të ushtrojë veprimtarinë e tij.

Humbja e shqiptarëve

Në krahasim me Erdoganin, Gyleni është edhe më liberal, më evropian dhe me largpamës. Derisa Erdogani, një diktator tipik, që mundohet përmes intrigave dhe veglave të tij në Kosovë, siç është Thaçi, të dëmtojë kundërshtarët e tij politikë. Duke përdorur injorancën e Thaçit, fatkeqësisht Erdogani ka arritur të fusë hundët këtu, duke sponsorizuar organizata për të përhapur teza kinse Kosova është tokë turke, këtë e ka bartur edhe përmes partive politike, siç është partia Fjala në Kosovë dhe Besa në Maqedoni, të cilat janë prodhim alla erdoganian. Këta edhe organizuan marshin në njëvjetorin e ” grusht- shtetit” në Turqi, në përkrahje të Erdoganit. Pasi mori në Kosovë aeroportin, KEK-un, pastaj në Shkup gjithashtu aeroportin dhe në Shqipëri tani aeroportin e Vlorës, Erdogani veç sa po vazhdon skenarin e tij për tu konsideruar ” baba i myslimanëve në Ballkan”, duke përfshirë këtu Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe shqiptarët në Maqedoni. Ky diktator i vogël, që po mundohet të rritet mbi shpatullat e shqiptarëve, po vazhdon të shijojë realizmin e skenarit të tij i ulur në kolltukët e shtrenjtë. As Hashimi, as Fjala dhe Besa nuk përfaqësojnë shqiptarët dhe bindjet e tyre drejt Perëndimit, pasi ” falë ” perandorisë Osmane, pasardhëse e të cilës është Turqia e sotme, shqiptarët humbën 500 vjet. Dhe, një mesazh të fundit për ambasadoren turke në Kosovë Kivilcim Kiliç: shqiptarët asnjëherë nuk do t’i përdorni për qëllimet tuaja politike, ne jemi të orientuar drejt SHBA-së dhe Perëndimit, lindja me Erdoganin i takon të kaluarës për ne. Kaq!

(Kosova Sot)

Shpallet i pafajshëm drejtori i Arsimit në Suharekë

0

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, e ka shpallur të pafajshëm drejtorin e Drejtorisë Komunale për Arsim në Komunën e Suharekës, Sherif Berisha, i cili akuzohej se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke mos e ekzekutuar një vendim të Sektorit të Inspeksionit për Arsim (SIA).

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, duke shpallur aktgjykimin, ka thënë se i akuzuari lirohet nga akuza sepse nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Osmani tutje ka sqaruar se trupi gjykues gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës, i ka kushtuar rëndësi të veçantë vendimit të lëshuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) me të cilin e ka anuluar vendimin e SIA-së, të cilin, Berisha akuzohej se nuk e ka zbatuar.

Ndryshe, në dhjetor 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sherif Berishës, të cilin e akuzonte për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, duke mos e zbatuar një vendim të Sektorit të Inspeksionit për Arsim.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Berisha, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Suharekë, nuk e kishte respektuar një rekomandim të SIA në Prizren, për anulimin e konkursit për mësimdhënës.

SIA kishte rekomanduar që konkursi për rekrutimin e mësimdhënësve për shkollën e mesme profesionale “Abdyl Rama” në Suharekë, të anulohet dhe të ri-shpallet në afat prej 8 ditësh.

Organit i akuzës pretendonte se i akuzuari kishte kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe se kishte shkelur rëndë të drejtat e personave tjerë, konkurrues në konkursin në fjalë.

Sherif Berisha është gjykuar edhe në një rast tjetër penal, ku është gjetur fajtor dhe është dënuar me 4 mijë euro gjobë, nën akuzën se ka punësuar, pa konkurs, rreth 9 mësimdhënës në shkollat e Komunës së Suharekës.

Ndërroi jetë gazetari e publicisti Qani Mehmedi

0

Sot në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë, publicisti dhe redaktori i vyer i Radio Televizionit të Kosovës, Qani Mehmedi.

 

Qani Mehmedi lindi me 12 mars 1953 në Dragomisht të Vogël të Kërçoves. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Tetovë kurse studimet për gazetari dhe diplomaci në Universitetin e Prishtinës ndërsa magjistroi në shkencat politike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.

Punoi gazetar dhe redaktor në gazetat ”Bota e re “ dhe “Zëri i Rinisë”, redaktor në Radio Televizionin e Prishtinës, në Radio Zagreb dhe në Radio Televizionin Shqiptar. Ishte redaktor i revistës “Dituria”.

Pas luftës punoi redaktor në Radio Televizionin e Kosovës, kryeredaktor në të përditshmen “Lajm” kurse aktualisht ishte redaktor në Radio Kosovë.

Qani Mehmedi ishte laureat i Çmimit për gazetari “Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka” Çmimit ndërkombëtar “Ballkani – zemra e Evropës”, që ndahet në Prespë, gazetar i vitit në Revistën “Zëri i Rinisë”, punëtor i dalluar i Gazetës “Rilindja”. Laureat i një varg mirënjohjesh dhe shpërblimesh tjera.

Ka botuar me dhjetëra kolumne editoriale, intervista në gazetat e Prishtinës Tiranës, Shkupit, Zagrebit dhe Sarajevës.

Së fundi ka botuar studimin “Shtetformimi i Kosovës 1968 -2008”.

 

Qani Mehmedi ishte dëshmi e gjallë e historisë së Kosovës në afro dyzet vitet e fundit. Ai kishte një arkiv të madh të trashëguar nga lidhjet, bashkëpunimet patriotike dhe miqësitë e shumta.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot në fshatin e tij të lindjes në Drogomisht të Vogël, në Kërçovë të Maqedonisë në orën 18. /rtk/

Rrugët e vdekjeve të dasmorëve në Prizren

0

S i në gjithë hapësirën shqiptare, edhe në komunën e Prizrenit kishte varre të krushqve. Ato janë në fshatin Zojz, te “Lisat e Zojzit”, në fshatin Piranë, që dikur thuhet si ishte një fshat që kishte pasur një zhvillim të hershëm historik. Agim Ndroqi, një burrë mbi të 90-at, para një viti, lidhur me këto varre të Piranës, pati treguar një ngjarje të dhembshme. Ai kishte dëgjuar këtë histori nga i ati Haki Ndroqi, i cili kishte rrëfyer për vrasjen e mbi 200 krushqve, pastaj në fund edhe nuset u detyruan të vriteshin. Por, para se të vdisnin kishin lënë amanet që aty të ndërtohej një kishë shqiptare. Andaj edhe sot ka një lokacion që quhet”Arat e paskishës” . Kjo histori ishte e përhapur të thuash në shumë fshatra për rastin e Piranës, por vetë piranasit kishin pak njohuri lidhur me këtë rast.

Varret e Romajës

Derisa në Has ka varre krushqish vetëm në fshatin Romajë. Historia e varreve të krushqve është histori e njohur ndërshqiptare dhe të thuash se rrallë ka krahinë që nuk i kishte varret e krushqve. Për “Vorret e krushqve” në Romajë të Hasit banorët ende nuk janë në gjendje të saktësojnë vitin e rrënimit të tyre, por të gjithë e dimë se në kohën e Rankoviqit janë prishur ato, pra rreth viteve 1966 deri 1969. Banorët e këtushëm, si Mixha Din, mixha Zenun e po kështu edhe studiuesi i etnologjisë prof. dr. Nexhat Çoçaj flasin për këto vite. Në gjithë komunën e Prizrenit vetëm në fshatin Romajë të Hasit ka pasur “Varre të krushqve”, sepse atje thuhet se ishin takuar krushqit dhe u vranë deri tek nuset që i kishin varret e ndara nga krushqit. Pleqtë tregojnë se kur janë prishur ato varre ka pasur eshtra dhe ajo që ende flitet në këtë fshat ishin varret e nuseve, ku ende ishin ruajtur flokët dhe dhëmbët, bashkë me disa stoli. Tani, atu mbi ato varre është shkolla, por thuhet se vetë banorët e këtij fshati patën rezistuar shumë që mos të prishen këto varre, por pushteti komunist nuk i kishte pyetur dhe i kishte kërcënuar keqas.

Image

 

Takimi i dasmorëve

Kur ndodhte që të kishte dy dasma në të njëjtën ditë dhe karvanët e krushqve, bashkë me nusen kryqëzoheshin me njëra-tjetrën, askush prej tyre nuk hapte rrugë, se dasma i vinte ters, e veç të tjerash, hapja e rrugës do të ishte dhe një ulje për fiset që lëshonin fill në këtë mes. Lidhur me këtë zakon, ka dhe shumë legjenda, sipas të cilave, në disa fshatra në këtë anë, si Romajë, Rogovë e Hasit ekzistojnë “Varret e Krushqve”. Pleq të këtij fshati tregojnë për “Kosova Sot” se kjo ishte edhe arsyeja që dasmat bëheshin të thuash me marrëveshje të fshatit, pastaj edhe të fshatrave fqinje, ngase assesi nuk kanë dashur që krushqit të takoheshin, Bile edhe sot e kësaj dite, tregon prof. dr. Çoçaj, krushqit jo vetëm në Has, por kudo e thyejnë rrugën, ngase ka mbetur traditë e vjetër që thyerja rrugës së krushqve ishte respekt për palën tjetër që mos të takoheshin.

Dy ritualet

Një vend tjetër i rëndësishëm, “Varret e mëdha”, siç quhen nga banorët e saj, kryesisht ishin varre krushqish, sepse gjithmonë supozohej se dikur njerëzit ishin më të gjatë dhe se varrimi i krushqve gjithmonë ka ndodhur me rroba, e shpesh bile edhe me kalin nëse ai është vrarë. Dy janë ritualet, përkushtimet dhe nderi që u bëhen të vdekurve. Ritualit me nderime me gurë të mëdhenj pa përshkrime dhe ritualet me përshkrime. Është shumë i rëndësishëm përshkrimi që hasim në këta dy ekzemplarë të gurëve, yjet, bërthama, shenja të origjinës, lindja, brezi dhe kthimi në tokë, në bërthamën prej nga edhe kemi dalë. Në të dy gurët e varrezave thuhet se ishin shenjat dhe simbolet që kufizoheshin në lutje. Ritualet e varrimit në këtë kohë shënojnë pikën më të lartë të respektit ndaj anë- tarëve të atij gazmendi siç ishte dasma. Prandaj, atëherë nuk lejohej që krushk të shkonin fëmijët, por vetëm ata që ishin të zotët të luajnë pushkën. Ngritja e varrezave madhështore me gurë të mëdhenj dhe me përshkrime tregon se ata edhe pse vriteshin respektoheshin shumë. Njohës i arkeologjisë dhe i kulturës së vjetër ballkanike, Shafi Gashi flet me respekt për varret e këtilla, varret e Romajës dhe zbulimi i këtyre varreve të vjetra ishte pjesë e historisë së gjithë Hasit dhe Përdrinisë.

(Kosova Sot)

Eqrem Kryeziu: Po perëndon shansi i partive të mëdha

0

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ka vlerësuar se zgjedhjet e 11 qershorit kanë qenë inkurajuese.

Ai ka thënë se për herë të parë Kosova se ka përvetësuar emancipimin e votës.

Në një intervistë për gazetën ‘Epoka e Re’, Kryeziu e ka quajtur humbje të madhe për Kosovën renditjen e LDK’së në vendin e tretë.

Megjithatë, ai ka theksuar se shansi për partitë deri tani të mëdha po perëndon për turpin e tyre dhe për fatin e keq të Kosovës, sepse duhet tkohë të formohen pole të reja.

Kryeziu ka bërë thirrje që të mos zvarritet formimi i institucioneve të reja.

Ai ka thënë se nuk duhet të përsëritet historia e vitit 2014, kur për gjashtë muaj rresht kishte nënqeshje cinike.

Pushkatimi i një gjeniu si Vilson Blloshmi

0

17 korriku është një ditë e trishtë. Një nga ato ditë që hesht. Nga ato që përhumbesh poezive dhe kupton që një poet nuk e pushkaton dot. Sepse nuk ka plumb që mund të vdesë një varg!

Sot bëhen 40 vjet nga vdekja e detyruar e Vilson Blloshmit. Ai nuk ishte vetëm. Së bashku më të dhe intelektuali, poeti tjetër, Genc Leka, që nuk u nda kurrë prej tij. Por pse u ekzekutua Blloshmi? Çfarë e trembte Partinë, më shumë sesa përndjekja qysh prej bankës së shkollës për shkak të familjes të shpallur armike e popullit? E trembte fjala e tij? Bubullimat e mendimeve krijuese të një shpirti heroik? Për të shpallur në fund një vdekje aq tragjike?

Profesor Sadik Bejko i ka kushtuar kësaj figure historike të tij një vëmendje nga ato që do të takohet kohërave të ndryshme, nëpërmjet tri veprave, duke na pajisur me shumëçka. Shënime, përkthime dhe letra të Blloshmit, duke ruajtur kështu vazhdimësinë e ideologjisë dhe qytetërimit të një miti. Fuqia autoritare e të cilit kundërshtoi një regjim politik, duke na vënë në pikëpyetje dhe ditëve sot një guxim që ne ‘modernët’ nuk e sakrifikojmë dot.

Kjo ishte lufta e tij! Ngjason si një përfytyrim i një skene filmike apo pasazhi historik me një zanafillë prej lashtësisë. Duke na kujtuar mite tragjike të antikitetit në shek IX dhe X, epokë kjo e luftrave. E atyre betejave të brendshme të feudalëve të mëdhenj apo udhëheqësve ushtarakë rebelë nga Bizanti me arabët në Azinë e Vogël. Duke na sjellë në mend dhe paralelizuar kështu figurën e tij me një sërë figura qendrore heronjsh, këngët e të cilëve kushtuar tyre vijojnë të trumbetuar tingullin e asaj daulleje që nuk u ça kurrë.

Poezia e Vilson Blloshmit kishte zbritur aksidentalisht në Shqipëri, andaj më pëlqen ta quaj “poezia ishte mallkimi i tij, për të fituar përjetësinë”. Poezia tij të befason. I përket një tjetër shekulli dhe kryeqyteti. Por ndoshta dhe tjetërkund fatin nuk mund ta zhbësh, e dimë, ama të paktën nuk jeton një jetë ndryshe nën tradita vetë persekutimi sikundër Blloshmi në Shqipëri. Poezia tij, kjo aureolë, apo shtysë e një revolucioni që do të habiste më vonë një popull të tërë, duke ngjallur jetën psikike e bashkëkohore, zbriti nga Perëndia në Librazhd. Tingëllon e çuditshme, por ndodhi në fshatin Bërzeshtë, më 1948. Kështu rrugëtimi i saj në mendjen e shpirtit të Blloshmit do të jetësohej fshehtas. Netëve kulturës franceze dhe mengjeseve pyjeve.  Vilson Blloshmi punoi si druvar dhe minator gjithë asaj jete të shkurtër, që në fakt ishte e një dimensioni madhor së brendshmi. E cila zgjati deri në gusht të 1976, kur u arrestua. Vetëm një vit më vonë do të ekzekutohej. Ishte vetëm 29 vjeç.

Diktatura e shtetit më 1945 i shpallli Blloshmët zyrtarisht armiq të popullit, duke bërë që jeta e tij kështu të jetohej fletësh, rreshtash apo ëndrrash që Komunizmi nuk i burgoste dot. Përpara se ta futnin në burg atij iu sekuestrua gjithçka. Çdo shënim, poezi, letërkëmbime, madje duke thirrur përkthyes nga gjuha frënge për të nxjerrë nënkuptimet e krijimtarisë së tij. Është e çuditshme se përse shteti u interesua kaq shumë për këtë krijimtari duke rrëmuar aty mes vargjesh prova për të urdhëruar mandej vdekjen e këtij profeti.

Historia e Blloshmit mendoj se duhet të përfaqësojë imazhin e poetit të vërtetë në sytë dhe fletët e Historisë Botërore.

Por çfarë dispononte dosja që zyrat e Sigurimit hapën dhe sekuestruan?

Fletore të shkruara me stilograf, nën të cilat lexoheshin emra të mëdhenj të pushtetit së penës. Dosjen e Blloshmit e udhëhiqnin burrat më të fuqishëm të botës. Bodler, Hygo, Dante, Euripidi, E.Poe, Volter etj. Tri blloqe me dorëshkrime. Në të parin shënohet data 11 shtator 1975. Një përkthim nga Hygo ‘’Legjenda e Shekujve’’:

 

‘’U përkula. Isha në anën tjetër të ferrit thellë; atje dergjej çdo gjëmë me natë mbështjellë. Edhe thirra: – Tiber! – Hë ç’do?,–më tha ai. – Aty rri. – Mirë. – Neron! Prej Romës tjetër lubi. Tha: Kush guxon e flet? Mirë, atje rri pra! Thirra: -Sanakerib! Tamerlan! Atila! – Pse na thirre, ç’do?- u përgjigjën tri gojë tok. – Aty të rrini, qepeni. Vetëm pak miq e shokë. U Ktheva: Nemrud! – Ç’ke?- Pusho. Prapë thërres: – Siry, Kambiz, Amilkar, Falaris, Ramses! – Ç’është? – Aty rrini. Pastaj te modernët kalova dhe tërë britmat e guvave me radhë i krahasova. Pallatet me shpellat, fronet me pyjet përpjetë, britmën e tigrit me britmën e Inocentit t’tretë; Nat-kob ku asnjë nga fajtorët nuk del. As Otoni nën togë, as Cerberi nën mantel; Mendueshëm, u kënaqa që ishin mirë ashtu dhe i pyeta: Kush është më i keqi ndër ju? Atëherë nga fund i honit, nga hije e sterrosur, ku e keqja nga mllefi i pafund i kanosur diku vajt u mërgua dhe u tulat e ra. Satani tha : – Jam unë! – E beson? – Borxhia,tha.’’

A ka pasur një qëllim për ketë shkrim?

Blloku i dytë i përket vitit 1974. Vendin më të madh e zënë përkthime rreth 600 vargje. Hygo, Bodler, Lermontov. Të gjitha përkthyer nga frëngjishtja dhe zbulimi për herë të parë i shtatë poezive dhe midis tyre poezia e fundit që mban datën 11 shtator 1975.

‘’Të egër neve heshtim në gji të natës së qetë,

Për gaz e brengë e djall më fare s’bisedonim.

Mbi tëmtha hap i kohës, ndonëse na shkelte lehtë

Na shkrojti rëndë me thembër diçka për këtë jetë.

Por, oh! U zhdukën fjalët sa nisëm t’i lexonim.

 

Në hetuesi Vilson Blloshmi ka thënë se këtë poezi e ka shkruar ngase pandehte se nuk do t’ia arrinte të martohej kurrë.

Ndërsa blloku i tretë dhe më voluminozi përmban përkthimin e plotë të novelës ‘’Zadig’’ të Volterit. Në fund të përkthimit ka vënë datën 18 prill 1970. Ishte ushtar në brigadë pune. Aty ku shkonin gjithë ata me ‘biografi të keqe’. Thuhet se aty në fshatin Tale të Lezhës, ai takohej me një prift katolik nga i cili përftoi dhe njohjen e gjuhës frënge. Poetët me të cilët është marrë më gjatë janë Hygoi dhe Bodleri. Disa nga poezitë e tij vijnë për herë të parë në shqip. Janë tetë prej poetit Bodler, këtij apostulli mendimet e të cilit të shndërrojnë deri fatin ndonjëherë. Do të thosha që është e çuditshme admirimi i Blloshmit tonë, që krahas punës së rëndë ditën, përzgjidhte pikërisht këta poetë për të manifestuar kështu në heshtje ndoshta vetveten.

Gjeniu i Librazhdit arrinte të procedonte një marrëveshje intelektuale nga sharra e druve tek gjenitë e analizës dhe logjikës në perandorinë letrare të romantizmit. Si është e mundur që Vilson Blloshmi mundi të na lërë pas një pyetje me kaq peshë? Pse në përzgjedhjet e tij ai do të udhëhiqej nga poezia e modernitetit duke zbuluar kështu çelësin sekret të njohjes së vetes. Duke jetuar kështu si ata me prodhime letrare dhe fuqimisht përqendruar tek qartësia mendjes.

Ne i detyrohemi Blloshmit! Thelbit dhe sakrifikimit të tij.

Më 31 gusht 1975, ndër shumë vargje të BODLERIT, ishte dhe kjo poezi ‘’I vdekuri i gëzuar” (shkruar nga ai më 1851 – Brengë e ideal) apo Epitaf për një libër të dënuar. (Shtojcë për Lulet e së keqes/ 1861 dhe përkthyer nga Blloshmi më 1975). Ai, si duket, po e parandiente; fundi po vinte.

‘’Në një tokë me pleh e me kërmij plot, një gropë të thellë dua për vete të gërmoj. Ku të mund të shtrij eshtrat e vjetra për kaq mot dhe si peshkaqeni n’dallgë në harresë të pushoj. I urrej testamentet e varret s’i duroj; sa t’rri t’i lutem botës të derdhë ndonjë pikë lot, i gjallë , do doja, më mirë korbat të ftoj, të ma përgjaknin krejt skeletin kërmë e ndot. O Krimba! Shok të zezë, pa veshë dhe pa sy. Një xhenaze e qeshur e litë po vjen aty; Filozofë qeflinj, bij të kalbjes gjithëkur, peshkomani kufomën vetëdija pa u brejtur dhe thomëni ka më për t’hequr torturë. Ky trup i lashtë, pa shpirt, i vdekur ndër të vdekur.’’

Ai gjithashtu ka lënë një fragment të mendimeve që kishte mbi jetën, përgjatë ditëve të para në hetuesi duke thënë se dhe këtë poezi të Bodlerit e ka përkthyer, sepse kam dashur të shpreh brengën time.

‘’ – Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit. Unë mërzitem shpejt. Kur më pushuan nga puna në Përrenjas dhe më kthyen në koperativë kam shkruar diçka në ditar, “Pse më bëhet kjo? Ç’duan nga unë, ç’kërkohet më? Ç’mund të bëja unë i futur 1500 metra thellë në tokë?”. Kam qenë në kulmin e dëshpërimit në këtë rast. Në vititn 1973 kam bërë një tjetër poezi për veten time. Atëherë kam qenë në gjendje ankthi dhe kam shkruar pikërisht kështu:

‘’Një ankth i llahtarshëm, ankth gjumi. Zgjuar. Tmerr. Më bëhet se nuk do të vdes kurrë. Medet, sikur njeriu të jetonte përjetësisht, sikur t’i ktheja së prapthi vitet e mia. Por jo për të rënë sërishmi në djep, por në arkivol.’’

Ai jetoi një realitet që nuk ishte realiteti i tij. Jetoi duke e shpërfillur egërsinë e kohës dhe lexuar në dritë të hënës duke mbytyr kështu helmet dhe lënë pas një dije prej filozofi. Sadik Bejko shkruan se:

“Ky njeri kishte lindur për të derdhur energji të mëdha dhe i kishte ato. Ishte një poet i kredhur fund e krye në fandaksinë e vet. Me gjetjet e reja nga shkrimet e ditarëve, të poezive dhe përkthimeve, personaliteti i tij ridimensionohet në regjistra jete.’’

Ndërsa Kadare shkruan se vrasja e dy poetëve të Librazhdit është një ngjarje me përmasa planetare.

Vilson Blloshmi u tmerrua dhe torturua në burg nga krerët e Sigurimit, hetuesit dhe etja për terr e Partisë. Deri ditën e fundit që u dha urdhëresa e ekzekutimit.

Ishte 17 korrik 1977 kur u ekzekutua me pushkatim nën akuzën: Sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë.

Vilson Blloshmi na ngre përpara një sfidë; atë të qëmtimit dhe zhbirilimit për të njohur veten dhe mbijetuar fatit. Ky poet i pafat ia doli në fakt përmes mendimeve demokratike qe na la pas. Prodhimtaria dhe pasuria e të cilit e bën atë të pavdekshëm.

Sepse një poet, dihet, nuk vdes kurrë. /Konica.al/

Nuk dua të të braktis dashuria ime

0

Endrrat e tij nuk mbaronin me lindjen e dritës. Mëngjesi nuk ia largonte imazhet që e kishin torturuar gjithë natën. Federico Fellini , një prej emrave më të njohur të kinematografisë kishte një zakon, hidhte në letër ëndrrat. Endrrat e Felinit janë botuar në një libër të titulluar “Libri i ëndrrave të mia” bashkë me ilustrimet e tij, të cilat ai i kishte përgatitur që para se të vdiste. Endrrat e tij janë të shumta, në një hapësirë kohore të gjatë, nga 1961 në 1981. Por le të lexojmë disa prej tyre.

Endrrat e Felinit

1 janar 1961

Jam veshur si një romak i kohës antike dhe vetja më ngjan si një Ciceron i ngathët, gati për të hyrë në skenë. Zëri im është aq i fortë saqë po të këndoj duket se teatri do të shembet. Dhe vërtet, si në një film tmerri, shoh se teatri fillon të shembet. Puntorët e skenës mbyten nga shembja në rrënoja… Pastaj ëndërroj sikur jam në “via delle Mercede”. Bie shi. Një prostitutë e njohur dhe e fuqishme afrohet drejt meje me çadër (është një mike e Picciocca-s që aq shumë i pëlqente ajo kurvë e shëndoshë. Përpiqem t’i tërheq vemendjen dhe i fërshellej. Por u bëra pishman që e thirra se kur u afrua ishte një kurvë plakë dhe idea që t’ia fus në gojë, më pështirosi. Ja ku jemi në shtrat në një hotel të vogël të kategorisë së tretë. Dëgjojmë zhurmën e hapave të policëve që kanë kapur vrasësin e kurvës tjetër që është vrarë pardje. E marrin me pranga nëpër shkallë. Pikas që kurva ime e ka mishin e bardhë, të butë dhe të këndshme. E pamundur ta mbaj veten. Mishi i saj më jep paqe dhe gjumë.

20 dhjetor 1961

Jam i burgosur në një burg kinez ku ka plot kurva të veshura si gejsha. Ato janë shumë sadike dhe e njohin artin më të rafinuar dhe të egër të seksit. Janë me shumë fantazi. I ndjej rreth meje ashtu të fuqishme dhe të pabesa, ndjej aromën e gojëve të tyre të hapura dhe të urritura. Ato më kafshojnë supet, në krah, duke qeshur me të madhe me sy që u shkëlqejnë. Vallë lozin, tallen? Papritur vjen Leopoldo Trieste, i cili më thotë: – Mbathja! Do të të hanë të gjallë!

Por unë vazhdoja të përballesha me ato, i bindur se gjithë kjo ishte një lojë edhe pse e rrezikshme, edhe pse e dhunshme, një luftë e vërtetë, me kamzhikë, shqelma. Arrita të dal me ndjenjën se isha treguar i poshtër pse i kisha trajtuar ashtu ato prostituta.

22 shkurt 1962

Jemi në një delegacion dhe pritemi nga Hitleri. Më kujtohet se në delegacion me ne ishte dhe Gherardi. Eshtë një dekor fetar, i rëndë, mbytës, si prej morti. Mermerë të ftohtë, kripte, kupola të errta. Hitleri tutje bënte si palaço. Ai imitonte hierarkët fashistë. Na merrte për krahu shumë përzemërsisht. Në veturë me muaështë dhe Titta, i cili i përgjigjet kortezisë së Hitlerit duke imituar Musolinin, Staracen…. – Po në mbrëmje, çfarë bëni? – i them unë këtij gjaksori të çmendur. – Sonte do jem në meshën e një prifti të thjeshtë që do ta pushkatojmë nesër! – përgjigjet Hitleri. – Po prifti do të jetë në meshë? – e pyes unë. Ai tund kokën: – Jo. Ka ngrënë diçka prej orizi dhe s’mund të komunikojë dhe të flasë…

31 mars 1963.

Profesor Bernhard i fryn anusit tim dhe pastaj fut një fije bari që të më pastrojë.

15 qershor 1963

Eshtë ag. Xhulieta ime ka hapur barin e saj dhe po pastron para hyrjes. – Si po shkon? – e pyes unë, – ndonjë të re? – Jo, por në vend të datës 4 ato erdhën në 7! Ajo bën aluzion për vonesën e mesturacioneve të saj. Largohem i dëshpëruar, por ku të shkoj. S’kam shtëpi ku të vete.

19 prill. 1965

  Isha i dënuar me varje. Në një terren të rëndomtë në periferi të Romës. Dikush më jep një letër të cilën pas 3-4 ditësh, një të dielë, pra ditën e ekzekutimit tim duhet t’ia jap xhelatit. Ishte shkruar numri 69. Sa turp. Edhe për këtë ditë duan të tallen me mua? Të gjithë do të qeshin kur të paraqitem me këtë kartë. Xhelati është Gino Talamo, gjysmë lakuriq, si një lloj kllouni. Po a është i sigurtë se po të mos paraqitem, kjo s’do të bjerë në sy?…

21 korrik 1967

Si zakonisht Giuletta është bërë sa një grusht nga e pira. Unë qaj dhe nuk e mbaj dot veten. Jam në ankth, kam keqardhje dhe klith: “S’do të vij më në shtëpi! Nuk dua të të braktis dashuria ime por s’mund të të shoh më në këtë gjendje. Po iki përgjithmonë!”…

Vallë për këtë arësye dua ta lë? Para syve, tani kam një album të fotografive të jetës sonë të përbashkët, fotot e fejesës, të ditës së martesës, etj. Por të gjitha këto i shoh në një tis dëbore. Dëbora ka rënë në të gjitha episodet e jetës sonë. Qaj dhe zgjohem me zemrën tepër të trishtuar.

 15 shkurt 1975

Vazhdoj të ëndërroj se ngado që shkoj bëj «kaka» që qelb me një erë të keqe. I bëj pis brekët, këmishën. Madje dhe gravata më njolloset. Veshur me bizhame, në dorë mbaj një top «kaka» që sapo e kam nxjerrë.

13 tetor 1966

Në një nga valixhet, Xhulieta ka fshehur kufomën e Villalonga-s. Jemi në një hotel të madh duke ndrruar dhomën. Kam frikë se mos punonjësi i hotelit dyshon në diçka. Giulietta është moskokëçarëse, edhe pse është ajo vrasësja e Villalonga-s. Duket sikur e ka harruar këtë histori dhe merret me dhomën e re. Valixhja është vendosur në banjo. Të nesërmen vjen era e kufomës. Duhet ta zhdukim patjetër. Ndoshta do dal natën, me valixhen në dorë nëpër errësirë e mjegull për ta hedhur në Tamise, apo diku jashtë qytetit. I bie rrotull hotelit për të gjetur aty afër ndonjë urë. Eshtë dhe babai im që do të më ndihmojë. Jam i qetë dhe kjo gjë duket më e lehtë, por kur doja të kthehesha në qytet ngatërrova rrugën. Rrugës pyes dikë dhe ai më thotë se është nga Bolonja. Më duket se kam dy kufoma për të hedhur.

10 dhjetor 1966

Alberto Sordi është akuzuar për një krim të rëndë: 10 vjet burg. Në korridorin e burgut që kundërmon erë të qelbur, e shtrëngoj Sordin për krahësh dhe përpiqem ta ngushëlloj: “Nuk mund t’i shpëtosh fatit. Duhet ta pranosh këtë ngjarje të jetës. Ti s’mund ta shmangje atë…”

28 maj 1967

Xhuljeta është në kuzhinë dhe i thotë Ugo Tonjazit se unë kam ndryshuar mendimin për të dhe se nuk më përshtatet për filmin e ardhshëm. Pak më vonë Tonjazi më telefonon, por unë bëj gjoja se mund të ketë ende shpresë për të, meqë nuk kam kurajo t’i them të vërtetën. Por ai qan. – Pse qan? – i them unë. – Sepse ti s’do të më marrësh në film.

Tashmë jam në një avion me motorrë që bëjnë zhurmë. Avioni niset. Ku shkoj? Në Londër, Milano? Ndoshta në Londër. Papritur vendos të mos shkoj. Ju lutem atyre të zbres. Hotesa e avionit më jep valixhen, pallton dhe në portën e hapur është shkallarja, por sapo dal, pasagjerë të tjerë vijnë me vrap pas meje. Hotesa i pengon dhe më bllokon padashur që të dal. Në këtë çast avioni lëviz. Shkallarja largohet. Vallë kam kohë të hidhem poshtë? Endrra ndalon këtu. Jam në një avion në lëvizje. Po të hidhem mbase e kap shkallaren…

21 korrik 1967

Si zakonisht, Giulietta është bërë sa një grusht nga e pira. Unë qaj dhe nuk e mbaj dot veten. Kam ankth, keqardhje dhe klith: S’do të vij më në shtëpi! Nuk dua të të braktis dashuria ime, por s’mund të të shoh në këtë gjendje të dehur. Po iki përgjithmonë!

Vallë për këtë arsye dua ta lë? Para syve tani kam një album me fotot tona të jetës së përbashkët, fotot e fejesës, të ditës së martesës. Por të gjitha janë nën një tis bore. Ka rënë dëborë në gjithë episodet e jetës sonë. Qaj dhe zgjohem në zemrën plot trishtim.

Maj 1968

Një mi i ngordhur. Si duket e ka mbytur një mace. Por dikush, s’di cili, kërkon të ma fusë në gojë që unë ta kafshoj…

25 korrik 1979

Marr vesh se Marcello (Mastroiani), të cilin e pashë në ëndërr ashtu të veshur e me makiazh, se ai ishte tepër i zemëruar nga ajo ç’paskam thënë për të sikur nuk kam asnjë lloj simpatie për aftësinë aktoriale të tij dhe se jam bërë pishman që e kam marrë tashmë për një rol në filmin tim. Dëgjoj Marcello-n që thotë “Nëse ai s’më vlerëson, unë po iki dhe të mos flasim më për këtë histori!” Më duhet ta qetësoj dhe ta sjellë në formë, t’i them që kjo nuk është fare e vërtetë dhe se këto janë thjesht thashetheme, duke i pohuar gjithashtu se kam shumë besim tek ai…

23 dhjetor 1981

Jam i ftuar tek Xhani Anjeli bashkë me disa miq të tjerë. Pas darkës ne biem në shtrat që të gjithë bashkë. Midis meje dhe Anjelit, zonja N. gjysmë e xhveshur që po ia luan avokatit duke kthyer kurrizin. Kështu kalon e gjithë nata dhe në mëngjes N. bashkë me të tjerët del në park. Anjeli e vështron ashtu me atë pamjen e saj provokuese dhe nudo e më thotë: Çfarë seksi!…

Këto ishin disa nga ato qindra ëndrra që përshkruan Felini në librin e tij. Kur libri më ra në dorë, atëherë kujtova atë fletore ku shkruaja ato pak ëndrra që kisha mundur të mbaja mend. Ishte e habitshme… A mund t’i shpjegojmë ëndrrat? Sigurisht…

Dhëmbi i plakës, 5 dhjetor, 2014

Ishte një diskotekë me drita marramendëse. Muzikë e zhurmëshme, drita shumëngjyrshe, të qeshura histerike. Po kërceja. Ishte një lloj ekstaze. Vallë kaq i ri isha, djaloshar? Papritur erdhi dikush, më rrotulloi dhe ja ku u gjenda përballë një gruaje të lumturuar veshur me dekolte që kur e sodita mirë ishte një plakë, ajo më grishte me sytë e saj të qeshur dhe m’i mbështolli buzët mu në gojë me një pështymë të ftohtë. E kisha të vështirë të shqitesha dhe gati po më merrej fryma, pasi hundët i kisha të zëna. Më në fund arrita të tërheq kokën dhe pashë pamjen e qeshur të plakës që i ishte zhdukur një nga dhëmbët e parë. Zgavra e krijuar ishte e llahtarshme. Ajo qeshte si një shtrigë, ndërkohë që unë ndjeja dhëmbin e saj në gojë. Doja ta nxirrja, por para pamjes së saj si një lloj magjistrice nuk di pse e gëlltita. Të nesërmen në banjë prisja se mos e nxirrja, pasi kisha dëgjuar që dhëmbët në bark mund të shkojnë ku munden, madje mund të bllokonin fshikëzën e urinës. Oh ç’tmerr. Dhëmbi s’donte të dilte e madje natën më krijohej një lloj stresi aq sa më fillonin të prera në bark. Pas dy ditësh mendova se s’duhej pritur më, duhej operuar. Dhe ashtu u bë. Më morën me urgjencë, me një lloj burie të çuditshme të karrocave tiranase dhe më çuan në spital ku porta u hap veç kur portjerit i futën në dorë një kartmonedhë të ëmbël. Më shtrinë në një shtrat hekuri gjithë ndryshk dhe u rrethova nga infermieret që çuditërisht ishin me uniformat e tyre shtëpiake. Më së fundi erdhi mjeku, sepse dikush nga infermieret bërtit – Zotëria erdhi! Kirurgu me një bluzë të pisët, sikur të ishte axhustator, mu afrua dhe u drejtua nga njëra prej tyre, ajo më e moshuara, sikur të ishte motra e plakës së diskotekë. – Gjithçka është gati? – Po, – u përgjigjën të gjitha njëherësh. Ai ende mbante biçikletën në dorë të cilën e mbështeti tek mbajtësja e serumit. Unë mbylla sytë dhe prisja. Pas pak, pasi ndjeva duar që më lëvrinin në bark sikur të kërkonin dhëmbin misterioz. Hapa sytë dhe ç’të shoh? Ishte plaka e diskotekës e cila më shkeli syrin, siç e kishte zakon. Atëherë u hodha nga krevati, rrëmbeva biçikletën pranë shtratit dhe u nisa. Pas më ndiqte plaka që më kërkonte dhembin dhe doktori që donte biçikletën…

«Koka e prerë», 18 nëntor 2013

Isha gazetar dhe gazeta «Koha Jonë» më kishte dërguar në Irak, edhe pse zyrat e saj sapo ishin djegur. Por unë u habita që atje pashë të ngriheshin flamujt e ISIS me mollahët e tyre dhe kokaprerësit e mëdhenj. Isha bashkë me një gazetar italian dhe një francez. Ishin disa streha betoni. Por aty erdhën dhe na kapën dhe më pas disa njerëz me maska të zeza në fytyrë na morën dhe na vunë përpara. Më kot nxirrja dokumentin e Nikollë Lesit duke gënjyer se ishte një musliman i ndershëm, por ata s’donin t’ia dinin, madje qeshën sepse thonë se Nikollë sikur ishte një emër i çuditshëm… përse me dy «l»? Na çuan para një grupi tjetër të cilët i kishin vënë në një bregore dhe disa fëmijeve u kishin dhënë hanxharë dhe i komandonin në prerjet e kokave. «O zot thashë!» – dhe preka koken time por s’mund ta lëvizja pasi më dukej si një kokë prej hekuri. Kishte grirë e tëra. Kokat rrokulliseshin dhe më tutje dhe një grup fëmijësh, nën kujdesin e disa xhihadistëve, luanin futboll me to. Papritur më qëlluan dhe mua. Pashë kokën time të rrokullisej, por ndryshe si të tjerët, unë s’ndjeva asnjë lloj dhimbje. Madje ia dhashë vrapit drejt kokës që zbriste rrokapiekthi poshtë. Xhihadistët më shikonin me sy të habitur e të llahtarisur tek vrapoja pa kokë drejt kokës time. Me së fundi e arrita kokën, ia shkunda dheun mbi ballë dhe me të në dorë po vija drejt dy gazetarëve që ende nuk ua kishin prerë kokat. Për habinë time, xhihadistët klithën, i lanë gazetarët dhe ata që u kishin mbetur pa ekzekutuar dhe ia mbathën pasi kujtuan se isha vetë djalli…

Parlamentarë të rinj, 3 maj, 2015

Ndoshta atë natë kisha pirë. Nuk e di… sidoqoftë imazhet ishin të çuditshme si asnjëherë tjetër. Shikoja sikur në muret e qytetit ishin ngjitur afishe ku kërkohej zëvendësimi i deputetëve me kafshë më të përgjegjëshme: p.sh. me derra, kuaj, kunadhe qen, mace, lepuj, etj. Ishte padyshim diçka e pazakontë. Madje kishte dhe një tellall si ata të kohës së Zogut. Por urdhëresa ishte e prerë. Ndryshe parlamentarët që nuk paraqiteshin për zëvendësimin e tyre dërgoheshin menjëherë në polici. Çudi thashë dhe nuk di pse e pashë veten si qytetar kureshtar tek dera e parlamentit për të parë këtë s’kenë të paparë ndonjëherë. Kamera, fotografë që shtyheshin, gazetarë. Kafshët me sa dukej ishin mbledhur brenda që më parë. I shkela syrin rojes, një ish fqinjit tim të dikurshëm dhe ai bëri sikur s’më pa. Hyra. Atje në sallë, deputetët zgjidhnin kafshët që donin. U habita kur në krye të vendit të kryeparlamentarit u ngjit një kunadhe, në krahun e majtë një çakall ndërkohë që një gomar sapo u shfaq në krahun e djathtë. Çuditërisht kishte dhe hiena, që zinin vend, lepurushe të llastuara e me fjongo gjithngjyrash, gjela deti që fryheshin, bufë të përgjumur. O Zot, thashë me vete! Këta do e drejtojnë pqarlamentin? Një kalë filloi të hingëllijë. Një ari kishte zënë dy karrike dhe po zihej me një bulldok. Ndërkohë, deputetët e rrallë po largoheshin dhe ja ku ra gongu: ishte e pëllitura e gomarit… U zgjova.

«Brexit», 24 qershor 2016

Nata e parë pas «Brexit». Lajmet e ditës ishin tronditëse. Binte shi. Po flija. M’u shfaq harta e Europës së Bashkuar, pastaj harta e atij ishulli që kishte nisur t’i largohej akoma më shumë Europës: ishulli i Anglisë, i cili tashmë s’dihet se nga ç’forcë tektonike po shpërbëhej dhe po ndahej në tri pjesë: Britania, Skocia dhe Irlanda. Ja, ku papritur u shfaqën figurat e stërmëdha të presidentit francez Holland dhe të kancelares Merkel, në cepin e shkëmbenjve të lartë të Normandisë. Si peshkatarë të regjur ata hidhnin ganxha të mëdha gjer tutje drejt brigjeve angleze dhe pastaj filluan t’i tërhiqnin sikur të gjuanin peshkaqenë, por brigjet e Anglisë nuk dukej se vinin drejt brigjeve franceze në La Manche, por përkundrazi, sikur po shkisnin gjithnjë e më larg. Ndërkohë çuditërisht disa barka shpëtimi, ngarkuar plot e përplot me londinezë të tmerruar po afroheshin drejt brigjeve normande duke thirrur: “Europa… Europa… Anxhela… François!”…Help! Pastaj ra një rrufe e fortë që na verboi. U zgjova. /Shqip.com/

Vozitje prej 206km/h në autostradën “Ibrahim Rugova” (Video)

0

Kamera e Kallxo.com ka filmuar një vozitje super të shpejtë në autostradën Prishtinë – Prizren.

Makina Audi është filmuar tek vozitë me mbi 200k/h ndërsa e njëjta është ndaluar nga policia.

Kallxo.com mëson se radari i policisë e ka regjistruar shpejtësinë prej 206km/h të kësaj makine.

Gjykata Themelore e Prizrenit apelon tek qytetarët: Respektoni kodin e veshjes!

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, përmes një komunikate për media, ka bërë thirrje tek qytetarët që të respektohet kodi i veshjes brenda në gjykatë, gjatë sezonit veror.

“Qytetarë të nderuar, luteni ta respektoni kodin e veshjes të Gjykatës Themelore në Prizren, gjatë sezonit veror. Në të kundërtën, nuk do të lejoheni të hyni brenda në Gjykatë!”, thuhet në komunikatë. /PrizrenPress.com/