Home Blog Page 5869

LDK shpreh dyshimet për kurdisje të tenderit nga PDK-ja për teleferikun e Kalasë së Prizrenit

0

Lidhja Demokratike në Prizren ka shprehur dyshimet për kurdisje nga ana e PDK-së, lidhur me shpalljen e fituesit të tenderit që pritet të ndodh për teleferikun në Kalanë e Prizrenit.

LDK në Prizren thotë se krerët lokal të PDK-së janë takuar me njerëzit e Kompanisë që dyshohet se do të shpallet fituese e këtij tenderi.

Në një reagim për media LDK thekson se ‘janë zgjedhjet lokale afër dhe Degës së PDK-së në Prizren e në qendër i duhen këta 1 milion euro të kontrabanduara përmes marrëveshjeve të fshehta, për ta blerë votën edhe në zgjedhjet lokale’.

Dega e LDK-së shprehet e vendosur në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe thotë se do t’i deponojë në organet e drejtësisë të gjitha provat me qëllim të demaskimit të krimit.

Dega e LDK-së, kërkon nga kryetari i Komunës, që në fund të mandatit të tij, ta bëjë një akt në përputhje me aktet ligjore, të cilat e rregullojnë punën e tij, por edhe në anën humane e qytetare duke mos lejuar abuzimin e 1 milion eurove.

LDK i kujton opinionit dhe Ramadan Mujës se nga 3 firmat ofertuese, të cilat kanë konkurruar në këtë tender, i kanë dhënë këto tri oferta:

1. Ofertuesi i parë, Vlera: 2.411.138.08 2. Ofertuesi i dytë, Vlera: 3.296.098.00  3. Ofertuesi i tretë, Vlera: 3.465,316.65.

Tenderin sipas të gjitha zhvillimeve dyshojmë se do ta fitojë Kompania me ofertën mbi 1 milion Euro më të shtrenjtë, sipas informacioneve tona më ndërhyrjen direkte të krerëve të PDK-së.

“I’a kujtojmë kryetarit Muja se do të jetë përgjegjës para ligjit edhe për tenderët tjerë të cilët janë shpallur me vlera milionëshe e ku absurdi shihet te shpallja e tenderit me titull: “Mbjellja e drunjëve dekorativ në Komunën e Prizrenit”, i cili mban vlerën e parashikuar prej 1 milion e 500 mijë Euro. Pastaj, tenderi tjetër: “Riparimi i rrugëve me kubëza betoni dhe asfalt” me vlerë të parashikuar mbi 1 milion e 500 mijë Euro, ku dyshimet edhe këtu janë se PDK dëshiron të siguroj para për fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit”, thuhet në reagimin e LDK-së. /PrizrenPress.com/

Fillon shenjëzimi i rrugëve në qytetin e Malishevës

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sot në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, ka përsëritur kërkesën e tij në raport më drejtoritë përgjegjëse, që projektet të përfundojnë me kohë dhe të mos ketë vonesa.

“Nuk dua që projektet të realizohen gjatë fushatës zgjedhore, por të përfundojnë mundësisht para kohës së planifikuar dhe asgjë të mos lidhet me fushatën zgjedhore në tetor”, ka thënë Begaj.

Përndryshe, gjatë raportimit të drejtorëve të drejtorive, u bë e ditur se “ka filluar shenjëzimi i rrugëve brenda qytetit, por për shkak të shiut është ndërprerë dhe do të vazhdoj në ditët në vijim”, tha në raportin e tij drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina.

“Për shkak të reshjeve të shiut është ndërprerë edhe fushata e korrje shirjeve, e cila pritet të përfundoj brenda dy ose tri dite”, ka raportuar drejtori për bujqësi, Murat Hoxha, i cili gjithashtu tha se gjatë kësaj jave, përfundojnë të gjitha procedurat dhe nga java e ardhshme, pritet furnizimi i fermerëve me motokultivator, projekt i drejtorisë së bujqësisë.

Ndërsa drejtori për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, duke prezantua raportin gjashtë mujor, tha se buxheti është realizuar sipas planifikimit, e sidomos pjesa e shpenzimeve në investimet kapitale, ku projektet janë realizuar sipas planifikimeve. Sa i përket realizimit të projekteve, u tha se janë duke vazhduar punimet në të gjitha projektet kapitale dhe deri më tani nuk ka vonesa.

Në mbledhjen e sotme, gjatë raportimeve të drejtorive, u tha se po vazhdojnë përgatitjet për organizimin e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, edicioni i katërt. Po ashtu, në këtë mbledhje u tha se edhe shërbimet komunale janë në vlugun e punës, sidomos në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, e në mënyrë të veçantë për mërgimtarët.

Përgatitje janë duke u bërë edhe për fillimin e vitit të ri shkollor 2017-2018, ku janë planifikuar të hapen katër objekte të reja shkollore. /PrizrenPress.com/

Cili libër i Shekspirit duhet lexuar këtë verë?

0

Si çdo periudhë pushimi, edhe këtë verë miqtë tanë më të mirë janë librat. Por cili nga librat e dramaturgut të madh Shekspir duhet lexuar pa diskutim këtë verë?

Pa diskutim, komedia e tij “Ëndrra e një nate vere”!

E shkruar në vitin 1595, (në periudhën e rinisë) “Endrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit, por mund të dallohet nga veprat e tjera të këtij grupi duke e përshkruar si pjesë shoqëruese për ceremoni dasmash. Ndryshe nga pjesa më e madhe e veprave të tij (duke përfshirë të gjitha komeditë), në krijimin e kësaj historie, Shekspiri nuk u mbështet drejtpërdrejtë në ndonjë pjesë ekzistuese, poezi narrative, kronikë historike apo në ndonjë burim tjetër, por krijoi një pjesë vërtetë origjinale. Shumica e kritikëve janë të mendimit se edhe në qoftë se Shekspiri i ri nuk ishte në formën më të mirë të tij në këtë komedi, ai sigurisht është zbavitur gjatë kohës kur e ka shkruar atë.

“Ëndrra e një nate vere” shpreh në mënyrë jashtëzakonisht lirike disa prej temave më të shkëlqyera shekspiriane, ku më të dukshmet janë ato të dashurisë, të ëndrrave dhe të imagjinatës krijuese. Në fakt, studimi i detajuar i tekstit nga kritikët e shekullit të njëzetë, çoi në një ndryshim domethënës për statusin e veprës, i tillë që kapërcen pakuptimshmërinë e historisë së saj dhe përqendrohet te cilësitë e rralla lirike.

Nëse mund të thuhet se “Ëndrra e një nate vere” përcjell një mesazh, ai do të ishte që fantazia krijuese është në harmoni me botën mbinjerëzore dhe është përdorur më së miri për të paraqitur bekimet e Natyrës për njerëzimin dhe martesën.

Policia sekuestron armë në rajonin e Prizrenit

0

Gjatë ditëve të vikendit, Policia e Rajonit të Prizrenit, ka pasur mjaft angazhim, kryesisht në konfiskimin e armëve ilegale që janë përdorur apo ekspozuar në publik, shkruan PrizrenPress.

Rreth orës 18:50 minuta, një informatë anonime e ka quar Policinë e Dragashit në një kafene në fshatin Pllavë të Dragashit, ngase një i dyshuar ishte në ndikim të alkoolit dhe se i njëjti posedonte armë ilegale. Pas kontrollit të personit të dyshuar është gjetur një pistoletë e llojit dhe e kalibrit të panjohur me pesë fishekë. I dyshuari është liruar ndërsa provat materiale dhe shkresat e lëndës i kalojnë prokurorisë së shtetit sipas procedurës së rregullt.

Rreth orës 22:00, në fshatin Zojz, një i dyshuar ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm pasi kishte shtënë nga kallashnikovi 19 herë nga gëzimi për lindjen e djalit. I dyshuari vullnetarisht e dorëzon armën e zjarrit ndërsa krim teknikët sekuestrojnë 19 gëzhoja si provë materiale. Pas intervistës, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në fshatin Sërbicë e Ulët raportohet një kanosje e cila kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje të çastit në mes të tre të dyshuarve dhe një viktime. Gjatë hetimit fillestar ka pasur indikacione se tek personat e dyshuar mund të ketë armë ilegale, andaj është kërkuar leje për bastisje nga organet kompetente. Gjatë bastisjes në një automjet “Opell Astra” pa targa regjistrimi janë gjetur një pushkë AK-47 e prodhimit kinez me 15 fishekë. Automjeti dhe arma sekuestrohen ndërsa i dyshuari S. Zh. ndalet nën masën e arrestit policor. Më pas është bastisur shtëpia e të dyshuarit të dytë ku është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjahu e kalibrit 12mm e prodhuesit të panjohur. I dyshuari lirohet në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Prizren: Kishte mosmarrëveshje, ia lëshon qenin ta kafshojë

0

Një person është arrestuar në Prizren, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje që kishte me viktimën mashkull, ia kishte lëshuar qenin, i cili e kishte kafshuar duke i shkaktuar lëndime trupore.

Policia ka bërë me dije se të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor dhe më pas është liruar, shkruan PrizrenPress.

Ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Vdekje aksidentale në Malishevë

0

Një banor nga fshati Kravasari i Malishevës, ka gjetur vdekjen pasi që dyert e oborrit kanë rënë mbi trupin e tij, shkruan PrizrenPress.

Në raportin e Policisë thuhet se ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 10 të paradites dhe tashmë i ndjeri ishte duke punuar dhe për shkaqe të panjohura dyert e oborrit kanë rënë mbi trupin e tij.

Si pasojë viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në QKUK-Prishtinë ku dhe ka ndërruar jetë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. /PrizrenPress.com/

“Mbas verës, vjen Vera” në Rahovec

0

Me sloganin “Mbas verës, vjen Vera”, festivali HardhFest këtë vit do të sjellë shumë risi dhe atraksione vreshtare, verëtare, turistike dhe kulturore.

Si çdo vit edhe sivjet per ide të sloganit e HardhFest është përkujdesur dizajneri Agi Haxhimurati.

HardhFest do të organizohet më datë 7, 8, 9 dhe 10 shtator, ku gjithashtu edhe këtë vit, festivali organizohet nën patronatin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komunës së Rahovecit dhe përkrahet edhe nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Festa e Vjeljes së Rrushit, “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 32 mijë vizitorë nga mbarë bota. /PrizrenPress.com/

Në Prizren mbahet Java e Debateve Feministe

0

Grupi joformal i grave dhe vajzave të Komunës së Prizrenit, “FEMaktiv” organizon Javën e Debateve Feministe duke filluar nga data 20 deri më 23 korrik, në ora 18:00 – 20:00 në hapësirën e Lumbardhit.

“Java e Debateve Feministe organizohet me qëllim që t’i trajton çështjet e ndyshme; duke filluar nga ajo se çfarë nënkupton feminizmi; si është i ndërlidhur feminizmi me sfera dhe lëmi të ndyshme apo si mund ti shohim këto lëmi nga perspektiva e feminizmit? A mund të jenë edhe burrat feminist? A mund të flasim për një drejtësi e cila siguron barazi në mes të grave dhe burrave? Sa jemi të gatshëm ne si shoqëri ta pranojmë feminizmin si pjesë të jetës tonë? Sa është i rëndësishëm kontributi ynë si qytetarë/e në këtë drejtim? Gjitha këto janë çështje që synohen të trajtohen gjatë kësaj jave”, thuhet në kumtesë, përcjellë PrizrenPress.

Iniciativa FEMaktiv fton të gjithë qytetarët/et që të marrin pjesë në këtë debat të hapur, që do të zgjatë katër ditë duke debatuar çështje të feminizmit në sfera të ndyshme të jetës tonë.

Për më tepër, java e debateve feministe ka për qëllim ngritjen e debatit se çfarë kontributi mund të japim ne si qytetarë/e për ta arritur një barazi gjinore në mes të grave dhe burrave. /PrizrenPress.com/

AGJENDA:

Dita e parë – 20 korrik, ora 18:00 – 20:00
Tema: Drejtësia, Siguria dhe Feminizmi
Panelistët: Adelina Hasani dhe Tringa Kasemi
Moderatore: Ardita Kasemi

Dita e dytë – 21 korrik, ora 18:00 – 20:00
Tema: Arkitektura dhe Feminizmi
Panelistët: Artnet Haskuka, Flaka Xërxa, Feray Dervis, Nora Kosova
Moderatore: Ardita Kasemi

Dita e tretë – 22 korrik, ora 18:00 – 20:00
Tema: Burrat dhe Feminizmi
Panelistët : Ares Shporta, Besnik Leka, Eroll Bilibani, Taulant Hoxha
Moderatore: Ardita Kasemi

Dita e katërt – 23 korrik, ora 18:00 – 20:00
Tema: Arti dhe Feminizmi
Panelistët: Nita Krajku, Malbora Krajku, Kaltrina Krasniqi
Moderatore: Ardita Kasemi

Sekretari i Kuvendit flet për seancën konstituive

0

Administrata e Kuvendit të Kosovës është e gatshme kurdo që i kërkohet ta përgatisë seancën konstituive. Akoma nuk ka datë të saktë se kur do të ndodhë kjo gjë.

Madje ajo do ta bëjë publik këtë veprim edhe në faqen zyrtare të Kuvendit. Kështu ka thënë për Gazetën Express, Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës.

Sipas Krasniqit, mbetet vetëm të bëhet thirrja e seancës.

“Thirrja (data) e seancës konstitutive është e rregulluar me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, pra nuk është në mandatin e Administratës”, ka thënë ai për Express.

“Sa u përket përgatitjeve për seancën konstituive për Legjislaturën e Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Administrata e Kuvendit është e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e veta logjistike, në çdo kohë kur kërkohet nga ajo”.

“Pra, në momentin kur kërkohet nga Administrata, edhe përmes ueb-faqes së Kuvendit, do t’i bëjë publike veprimet qe do të ndërmerren”.

E pasi të mbahet seanca, do të ndodhë edhe votimi i Qeverisë. Kështu bëjnë të ditur përfaqësuesit e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN), të cilët thonë se seanca e parë e Kuvendit pritet të mbahet gjatë kësaj jave.

Sipas tyre, kandidat për kryekuvendar nga koalicioni më i madh i dalë në zgjedhjet e 11 qershorit, pritet të jetë lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Mirëpo, ndonëse është raportuar se ka deputetë të AKR-së, të cilët do ta votojnë Qeverinë në krye me Ramush Haradinajn, zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë të vendosur se asnjë deputet i AKR-së nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Ata madje kanë theksuar se nuk do ta votojnë as kandidatin për kryeparlamentar nga radhët e PAN-it, Kadri Veseli. Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e PAN-it kanë ritheksuar sërish se i kanë numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë.

Qorraj: Kosova ta kushtëzojë me njohje zbatimin e Zonës Rajonale Ekonomike

0

Gazmend Qorraj, i cili është profesori i parë dhe i vetëm në Kosovë që mban titullin “Jean Monnet Chair” për Integrime Evropiane në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se Kosova duhet të kërkojë njohje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si parakusht për zbatimin e suksesshëm të Zonës Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Qorraj ka theksuar se edhe pse BE-ja konsideron se duhet shtuar bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor, sipas tij, nuk ka klimë bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Ballkanit. Ai thotë se problem shumë i madh në zbatimin e Zonës Rajonale Ekonomike do të jetë se kush e implementon këtë plan.

“Kosova medoemos duhet ta shfrytëzojë këtë rast që t’i kërkojë BE-së njohjen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në mënyrë që të realizohet suksesshëm ky projekt, përndryshe projekti ose ideja do të zbatohet vetëm parcialisht dhe përfitime do të kenë vetëm vendet e tjera të Ballkanit, por jo edhe Kosova. Si mund të realizohen projektet e mëdha kur njerëzit nga Kosova, qoftë në nivel biznesi, qoftë në nivel akademik, nuk mund të qarkullojnë në Serbi dhe Bosnje, madje as në BE, dhe pa e anashkaluar faktin se selia e RCC-së është në Sarajevë”, ka thënë Qorraj.

Sa i përket Zonës Rajonale Ekonomike, ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të koordinohen dhe bashkëpunojnë më mirë.

“Mendoj se Kosova duhet të emërojë një zyrë koordinuese, respektivisht një koordinator dhe një grup ekspertësh që do t’i koordinojnë aktivitetet, projektet dhe të gjitha iniciativat lidhur me Zonën Ekonomike Rajonale dhe, po ashtu, të kërkohet përgjegjësi dhe punë nga një mekanizëm i tillë, në mënyrë që përfitimet të jenë evidente”, është shprehur profesori Qorraj. (Epoka e re)