Home Blog Page 5871

Regjisori rus vjen me film bazuar në skenar të Ismail Kadaresë

0

Regjisori i njohur rus, Aleksandër Sokurov, rrëfehet për emisionin “Kapital” të gazetarit Aleksandër Furxhi. Ai është fitues i 20 çmimeve në festivale ndërkombëtare të filmit. Vjen për herë të parë në Shqipëri dhe ndodhet këtu për një projekt, për të realizuar një film me një skenar shqiptar, të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare..

Aleksander Sokurov është kënaqësi që jeni këtu në studio, në Kapital. A mund të më thoni se si e njihni ju Shqipërinë?
Nuk e njoh fare Shqipërinë (buzëqesh), ende nuk kam aq informacione të mjaftueshme. Këtu ka shumë gjëra të habitshme. Unë po mendoja që kur të vij për herë të parë në Shqipëri, do të shoh një vend të varfër, të pazhvilluar, të mbytur nga probleme të brendshme dhe të jashtme dhe jam habitur në kuptimin e mirë të fjalës, që nuk i shoh këto gjëra në Shqipëri. Shqipëria është një vend serioz, një vend i madh me ambicie shumë të forta. Në gjykimit tim Shqipëria ka shumë ndikim në politikën evropiane, ndoshta në mënyrë të tërthortë. Hija e kulturës së këtij vendi, si Shqipëria ekziston dhe shumë rëndësi ka që Shqipëria ka një eksperiencë të pasur të jetës në periudhën socialiste. Për fat të keq është një eksperiencë negative. Pra unë shpresoj të njoh shumë gjëra të reja për vendin tuaj. Shpresoj që falë këtij filmi, që po konceptojmë dhe do ta bëjmë bashkë me kolegët e mi, hap pas hapi do të njohim më shumë vendin tuaj.

Jeni këtu për një bashkëpunim me një emër shumë të dashur për Shqipërinë dhe shqiptaret, që është dhe skenaristi i filmit, Ismail Kadare. Si ka lindur ky bashkëpunim? Përse ju ka tërhequr ajo që ka shkruar Ismail Kadare për ta bërë film?
Më ka tërhequr miku im, Juri Arabov dhe koleget e mi dhe unë po jap asistencën time artistike në këtë punë të vështirë sepse çdo prodhim filmi është një punë shumë e vështirë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një projekt ndërkombëtar. Kolegu im, regjisori i ardhshëm i këtij filmi, regjisori Juri Arabov, po bën hapin e tij të parë në këtë punë të regjisorit, pra besoj që duhet ta mbështesim.

Unë di që është një bashkëprodhim i disa shteteve Shqipëria, Rusia, Franca, Italia dhe Belgjika. Shkurtimisht çfarë është ky bashkëprodhim?
Është një bashkëprodhim ndërkombëtar dhe fal Ismail Kadaresë dhe kompanisë shqiptare Alb Image, dhe falë përpjekjeve të producentes Loreta Makini, kjo histori u konceptua diku 5 vite më parë kur Loreta dhe Kadare e kanë njohur zotin Arabov me veprat e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare dhe ju bë një propozim që të shkruhej një skenar. Kështu u shkruajt skenari I filmit “Gjirokastër”. Është historia e marrëdhënieve të dy të rinjve, e një vajze ruse Katia dhe një djali shqiptar, Adrian. Pasi mbaruan universitetin lëvizën në Shqipëri dhe hasën në probleme shumë të vështira, nga të cilat arratisen duke u larguar nga Bashkimi Europian. Pra u ballafaquan me regjimin totalitar, me ndarjet, me humbjet e shumta, pra me një tragjedi të madhe. Kjo është një dramë shumë serioze. Pra shkurtimisht ky është subjekti.
Ata kanë përsëritur atë historinë e njohur të shumë familjeve ruso-shqiptare, që kanë vuajtur nga paradoksi komunist. Është një kapitull shumë i vështirë në jetën jo vetëm të Bashkimit Sovjetik, por dhe të Shqipërisë.

Filmi do të xhirohet vetëm në Shqipëri apo edhe në Rusi?
Kemi vendosur që filmi do të xhirohet vetëm në Shqipëri, në Gjirokastër dhe Tiranë. Fillimisht kishim dëshirë të xhironim një pjesë filmi dhe në Rusi, por ndërruam mendje. Aktualisht jemi në fazë përgatitore për fillimin e xhirimeve. Kur kolegët tanë na dhanë material lidhur me lokacione dhe aktorët shqiptarë, mësuam se Gjirokastra është një vend i mrekullueshëm dhe shumë i përshtatshëm për këtë film.

Do të kemi vetëm aktor rus dhe shqiptarë, apo vetëm shqiptarë? Mund të na zbuloni…
Për fat të keq nga Rusia do të ketë vetëm një rol. Ajo është vajza ruse, Katia. Të tjerët do të jenë vetëm aktor shqiptarë dhe në 25 maj do të vijmë sërish të shohim kandidaturat e aktorëve. Sot për sot nuk mund të them se kë preferojmë më shumë nga aktorët shqiptar, por kemi një lloj katalogu, kemi zhvilluar një kasting paraprak. Në 25 maj ftojmë të gjithë aktorët shqiptar në kasting.

Kam lexuar se për një nga filmat tuaj më të mirë, që titullohet “Fausti”, për të siguruar prodhimin e tij, pra për të siguruar mjetet financiare, është interesuar Presidenti Putin. Keni njohje personale me të, jeni takuar me të? Cila është marrëdhënia juaj me Presidentin Putin?
Cilat mund të jenë marrëdhëniet mes një qytetari rus dhe Presidentit rus?! Janë marrëdhënie normale, jemi takuar shumë herë, kemi diskutuar dhe me tone konfliktuale edhe me tone normale. Unë e kam këtë luks, të flas direkt atë që mendoj. Kemi diferenca në qëndrimet tona, në qëndrimet tona politike, sepse unë përfaqësoj shoqërinë civile, e cila ekziston në Rusi.
Me “Fausti” historia është shumë e thjeshtë. Presidenti Putin e di shumë mirë gjuhën gjermane dhe nuk është e huaj për kulturën evropiane dhe ai u interesua për përmasat e kësaj tematike. Ai më tha që ishte një vendim shumë guximtar të bëj një film në bazë të kësaj vepre letrare, të cilën kineastët e të gjithë botës nuk e kanë prekur asnjëherë. Është një temë shumë e vështirë dhe Presidenti ka mbështetur me vendosmëri këtë projekt, ka siguruar mbështetje financiare. Diferenca kemi pasur vetëm në kuptimin se Presidenti ka kërkuar të bëjmë dhe një variant rusisht të këtij filmi, ndërsa unë këmbëngul që duhet të ekzistojë vetëm version gjermanisht. Vetëm këtë mosmarrëveshje kemi pasur. Nuk ka pasur asnjë censurë, nuk ka pasur asnjë presion.

Gazetat perëndimore kanë shkruar se Sokurov ka bërë thirrje në Rusi për lirimin e kundërshtarëve politikë të Kremlinit, të Presidentit rus. Si është e mundur? Dihet që Presidenti Putin nuk i ka qejf as kritikat dhe as kritikët…
Është e vështirë të gjesh një njeri që e ka qëjf kritikën. Akoma dhe më e vështirë është të gjesh një politikan që e ka qejf kritikën. As unë nuk e kam qejf. Kur puna vjen tek interesat mbarëkombëtare, besoj se çdo politikan duhet të kuptojë se politika kombëtare nuk është pronësi e politikanëve. Është pronësi e shoqërisë civile. Ndaj jam i bindur që arrestimi i njerëzve për arsye politike, është diçka e kundërnatyrshme për çdo pushtet. E kundërnatyrshme sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë, të cilët përpiqen pa dhunë të shprehin mendimin e tyre, pikëpamjen e tyre politike, e cila është e ndryshme nga ajo e klasës politike. Për këtë të rinjtë duhen nderuar, jo ndëshkuar. Për këtë i kam thënë në mënyrë të përsëritur Presidentit Rus dhe qeveritarëve rus dhe kjo është bindja ime e palëkundur.
Është një temë shumë delikate dhe nuk mund të shpreh gjithçka në mënyrë publike. Unë kam përshtypje shumë të mira për këtë person dhe dëshiroj që këto përshtypje ti lë me veten, nuk dua ti komentoj këtu në televizion.

Filmi që ka sot titullin “Gjirokastra”, me skenar të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, kur mendoni se do të realizohet dhe do të shfaqet? Cilat janë planet e grupit realizues?
Ndoshta kjo pyetje ju duhet bërë kolegeve të mia producente, por duke marrë parasysh se si po ecën procesi i xhirimit, besoj se këtë vjeshtë do të fillojnë xhirimin dhe deri në fund të këtij viti besoj që do ta mbarojnë këtë proces, në qoftë se qeveria shqiptare do ta mbështesë këtë projekt. Dhe në qoftë se koalicioni ndërkombëtar që është formuar rreth këtij filmi do të punojë në mënyrë efikase dhe do të kemi mbështetje financiare. Besoj që këtë vit do të përfundojmë procesin e xhirimit, por shumë e rëndësishme është mbështetja e shtetit shqiptar.
Kam pasur një takim të mrekullueshëm me kryeministrin Rama, i cili na siguroi që shteti shqiptar do të na ndihmojë financiarisht. Unë kam theksuar që ky është projekt me vlera kombëtare për Shqipërinë dhe mund të shërbejë si impuls, si mbështetje për kineastët e rinj shqiptar. Pastaj është dhe një shas shumë i mirë për bashkëpunim të përbashkët midis dy vendeve tona. Me shumë rëndësi është nënshkrimi i traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Rusisë dhe Shqipërisë, i cili në mënyrë paradoksale ende nuk është firmosur. Kjo është diçka e çuditshme dhe e papranueshme. A jemi në gjendje lufte? Absolutisht jo dhe kemi nevojë për këtë traktat të miqësisë dhe bashkëpunimit. Ju lutem mos e hiqni këtë pjesë nga emisioni. Ky është opinioni i gjithë stafit rus të ekipit të xhirimit, sepse pavarësisht të gjitha rrethanave dhe influencave të jashtme ne duhet të bashkëpunojmë dhe të nënshkruajmë traktatin e miqësisë.

Ardhja e mërgimtarëve, rrit numrin e aksidenteve

0

Në Kosovë është rritur numri i aksidenteve me fatalitet. Gjashtë muajt e parë të vitit këtij viti numri i tyre ka arritur në 53. Lëvizja dhe qarkullimi më i madh i mjeteve cilësohen si shkaktar të tyre. Policia dhe ekspertët private bëjnë thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm.

Sipas të dhënave të përgjithshme nga Policia e Kosovës në periudhën gjashtë mujore të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rritje.Policia vlerëson se kjo është për shkak të rritjes së aktiviteteve shoqërore dhe ardhjes së mërgimtarëve.

Hoxha thotë se janë shtuar patrullimet policore dhe janë marrë masa sensibilizuese për të ulur numrin e aksidenteve,raporton tribuna chanal.

Ndërsa, Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit thotë se është e nevojshme të ketë një bashkëpunim ndërmjet ekspertëve të komunikacionit dhe autoriteteve policore për të shkëmbyer informacione.

Policia u bënë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të jenë më të kujdesshëm në këtë 3 mujor.

Nuk ka më artist rebel. Nuk ka më Bujar Lako!

0

Buajr Lako lindi artist!

Me një shpirt që nuk iu thinj kurrë, ai jetoi jetën ashtu siç i kishte hije një rebeli.

Mund të themi se ishte i vetmi shqiptar që jetoi jetën nën një koncept poetik. Ai mbetet një prej artistëve më interesantë të teatrit dhe filmit shqiptar, nga ata që të shëtitin në parqe, bare, apo fletë të verdha romanesh. Nga ata që ne fakt i rikthehesh në çdo moshë dhe sa herë të mundesh.

Ai ishte njeriu i pasioneve të jashtëzakonshme.

Rolet e Bujos janë të gjitha shumë të dashura për kinematografinë shqiptare. Do të doja të kujtoja shfaqjen e tij të fundit ‘Kush e solli Doruntinën’, novelën e famshme të Ismail Kadaresë, sjellë në dramatizim dhe regji të Laert Vasilit, zanafilla e së cilës ceku mëtime të mëdha.

Për Konica.al ekskluzivisht Vasili u shpreh:

‘’Skena dhe ekrani shqiptar humbën në mënyrë të parakohshme jo vetëm një artist, por së bashku me të, një vlerë morale, njerëzore dhe artistike. Do ta mbaj mend gjithmonë korrektësinë e tij. Rrugës për në prova, ngase i zhvillonim në Durrës, Bujo dilte çdo ditë 10 minuta para. E dimë të gjithë që sot nuk ekziston një korrektësi e tillë. Në vend ta prisja unë, më priste ai! Nuk e prisja.’’

E ndërsa pyesim se si ishte Bujar Lako gjatë procesit të punës, ai vijon:

‘’ Kur ti kishe nevojë për mbështetje, do të mjaftonte vetëm ta shikoje në sy. Syri i tij ishte kudo! Apo nëse do e pyesje: – Bujo, ç’mendim ke për këtë? Atij dhe sikur të mos i pëlqente, gjente mënyrën e duhur për të thënë po ose jo, duke mos fyer dhe përçmuar. Bujari ruante një virgjëri emocionale saqë shpeshherë në skenat e tij ti mund të rrugëtoje çdo herë ndryshe. Marrëdhënia skenike me të ishte çdo natë një udhëtim i ri. Aftësia e Bujos për të dalluar të bukurën, talentin, ishte përtej kufijve njerëzorë. Përtej imagjinatës’’.

Bujar Lako lindi më Tiranë. Ishte viti 1948.

Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sërë figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë per ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë se vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.

Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçojmë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interepreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët”.

Në vitin 1975 nderohet me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”. Në vitin 1979 çmimin e veçantë per filmin “Ballë per ballë”. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni”. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë per ballë”.

Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë se vdekur”. Në vitin 1985 fiton titullin “Artist i Merituar” Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku…ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A.

Kush nuk e mban mend Halit Beratin? Kush është ai që nuk rrëqethet? Emocionohet? Apo qan nën atë intërpretim magjik të këtij kolosi? Çfarë ishte ky gjeni? Ky talent? Ky epikurian i gëzimeve dhe këndelljes? Ky kryengritës i dogmave shterpe? Bujar Lako, rasti më i veçuar dhe i pavdekshëm i shëmbëllimit të artit tonë.

Ky burrë simpatik, me hijeshinë që Zoti i kish falur, kalonte vërtet çdo cak përtej ekranik apo skenës. Ajo timbrikë zëri e veçantë ishte perfekte në çdo rol. Sikundër dhe në çdo tavolinë të jetës prej një bohemi tipik. Ai nuk harroi kurrë të shikonte ndryshe kohezionin emocional të një figure letrare, një njeriu në skenë dhe një njeriu real. E çuditshme! Si ia dilte Bujo t’i përfshinte të gjitha bashkë, duke na sjellë pranë metodologjinë e tij krijuese?

E shihje shpesh tek ecte në rrugën Myslym Shyri, aty ku dhe jetoi. Binte në sy menjëherë dhe përveç famës, rrugëve bërtiste stili i tij i të veshurit. Për estetikën e tij regjisori Vasili citon: ‘’ Nuk e vishte ai kostumin, por kostumi atë. Mënyra si e vishte Bujo gjënë ishte e një tjetër lloji.’’

Sepse ky ishte Bujo! Dallonte edhe nga kolegët e tij.

Një njeri që nuk e humbi kurrë besimin tek njerëzit, duke të dhënë gjithmonë dhe një tjetër shans. Një njeri aq dashamirës me të gjithë, sikundër dhe quheshe. Me një forcë dhe energji me aq pathos, të cilën në fakt e transmetoi edhe në çdo karakter që luajti.

Duke qenë një aktor i preferuar për kohën, brezi e donte. Imitonte! Dhe këtu jo vetëm njeriun artist. Njeriun energjik. Por dhe atë pasional dhe aventurier, duke u bërë pjesë e natyrshme e guximit dhe kokëshkrepjes së shumë shqiptarëve.

Në vitin 2013 iu akordua titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Ai u nda nga jeta më 2016, si pasojë e një ataku kardiak. Ishte vetëm 69 vjeç. Duke lënë pas një një mori rolesh në arsenalin e Kinematografisë dhe Teatrit Shqiptar.

Enigmë mbetet, ndoshta kur ishte mirë, amaneti tij thënë famijes: “Jo homazhe përtej shtëpisë time!”

Pse, lind pyetja. Përgjigja mbetet e hapur për këdo nga ju.

Sepse ai dha shumë. Por çfarë mori në këmbim? /Konica.al/

Spitali i Prizrenit dhe Murska Subotës, takim për bashkëpunim

0

Drejtori i Spitalit tw Prizrenit, Afrim Avdasj, ka pritur në takim drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Murska Subotës nga Sllovenia, Bojan Korosec, drejtorin mjekësor të këtij spitali, Daniel Grobar, si dhe udhëheqësit e projektit KSV/017 dr. Afërdita Ademi – Osmani dhe dr. Dorjan Marusic.
Në takim është biseduar për gjetjen e mundësive dhe mënyrave të bashkëpunimit në mes spitalit të Prizrenit dhe spitaleve të Sllovenisë, që parashihen edhe në Planin Strategjik 2017-2021.

Avdaj, ka prezantuar punën, rezultatet, angazhimin dhe zbatimin e objektivave të përcaktuara në Planin Strategjik 2017-2021, i cili përqendrohet në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së ofrimit të shërbimeve shëndetësore për të mirën e popullatës.

Drejtori i Spitalit të Murska Subotës, Bojan Korosec, para strukturave udhëheqëse të spitalit, shefave dhe kryeinfermierëve të reparteve ka prezentuar punën që kryhet në spitalin e Murska Subotës, gjegjësisht historinë, anën organizative dhe anën menaxheriale.

Drejtori mjekësor i spitalit përgjithshëm të Murska Subotës, Daniel Grobar, ka mbajtur një ligjërate për punën, përvojat dhe plotësimin e kritereve profesionale që kanë rezultuar me licencimin ndërkombëtar të spitalit të përgjithshëm të Murska Subotës.

Afërdita Adema- Osmani ka prezantuar projektiv KSV/017, gjegjësisht fazën e dytë që parasheh mbështetjen për spitalin e Prizrenit dhe të Gjilanit.

Udhëheqës të spitalit të Murska Subotës kanë vizituar edhe disa reparte të spitalit, ku nga afër janë njoftuar me punën dhe shërbimet që ofrohen për pacientë./PrizrenPress.com/

Krijohen kolonat e gjata në Vërmicë e Merdarë

0

Në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë dhe Merdare kanë nisur të krijohen kolona të automjeteve në hyrje, raporton Indeksonline.

Derisa në pikat tjera kufitare pritja për të hyrë në territorin e Kosovës nuk është më shumë se 5 minuta, në këto dy pika, bashkatdhetarët duhet të presin deri në gjysmë orë.

Të dhënat e fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar tregojnë se kolona më e gjatë është në Vërmicë, deri në 80 metra në hyrje, ku qytetarët detyrohen të presin 20-30 minuta,

E në Merdare kolona e automjeteve është e gjatë deri në 50 metra në hyrje.

Me ardhjen e bashkatdhetarëve pika kufitare janë më të ngarkuaratdhe së gjatë Korrikut dhe Gushtit krijohen kolona më kilometra të gjata. /Indeksonline/

Arrestime në Prizren

0

Policia ka arrestuar në Prizren tre të dyshuar pasi që të njëjtit kanë kanosur viktimën.

Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë bastisur shtëpia dhe lokalet përcjellëse me ç’rast kanë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri AK-47 me një karikator me 15 fishke te cal. 7.62 mm.

Me urdhër te prokurorit pas intervistimit një i dyshuar dërgohet në mbajtje ndërsa dy të tjerët lirohen në procedure të rregullt.

Restaurohen pikturat murale në Katedralen e Prizrenit

0

Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, së shpejti do të filloj së realizuari projekti për restaurimin e pikturave murale të Katedrales “Zonja Ndimëtare” në Prizren.

“Me realizimin e këtij projekti Kapital që financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe që do realizohet nga ana e këshillit konsultativ për punimet konzervuese dhe restauruese, emra të njohur si Prof. Dr. Pirro Thomo, Restaurator i monumenteve të kishave Bizantine dhe Postbizantine në Shqipëri, Prof. Dr. Frederik Stamati, Restaurator – kimist pranë Qendrës së studimeve Antropologjike në Tiranë, Prof. Dr. Ferid Hudhri, studiues pranë Qendrës së Studimeve Albanaologjike në Tiranë si dhe Zef Toshi, Artist i Popullit, do bëhen ndërhyrjet në pastrimin e sipërfaqeve nga pluhurat dhe papastërtitë, konsolidimi i ngjyrës, plotësimi i boshllëqeve por edhe rënjes së suvas nga suporti, eliminimi i kriprave, qepjet e plasaritjeve si dhe ripikturimi në sipërfaqet e pikturave”, thuhet kumtesen e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Kisha Katolike, “Zonja Ndihmëtare” ndodhet në qendrën historike të Prizrenit, e cila është monument në Listën e Trashëgëmisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme dhe është nga pasuritë e vyera të qytetit të Prizrenit për nga rëndësia dhe vlerat unikale, historike, fetare dhe estetike.

Vlerat e saj janë, njëkohësisht, një kartë identifikimi për autoktoninë e popullit shqiptarë që jeton në këtë vend, por edhe për mbarë qytetarët e Republikës së Kosovës. Katedralja “Zonja Ndihmëtare” është ndërtuar në fund të shekullit XIX. Ndërkaq nga gërmimet arkeologjike që janë realizuar vite më parë rezulton se e njejta është ndërtuar mbi themelet e një kishe të vjetër palaeokristiane e cila daton që nga shhekulli IV-V dhe një tjetër kishe të shekullit VIII-X ku gjithësesi ky fakt pritet në të ardhmen të konfirmohet edhe nga arkeologët ndërkombëtar.

Pikturat murale të cilat e mbulojnë tavanin e katedrales, janë unike në Kosovë për nga tradita e pikturës perendimore të cilat janë realizuar nga autor austriak, ku poashu përbëjnë një mozaik vlerash së bashku me stilin e ndërtimit të katedralës.

Fatkeqësisht, ky Monument me vlerë kaq të madhe kulturore dhe një objekt i rëndësishëm fetar, prej shumë kohësh nuk e kishte trajtimin e duhur, meqërast si rezultat i kësaj kishte sjellur dëmtimin si në arkitekturë nga jashtë po ashtu edhe në interjerin e saj. Pikturat prej shumë kohësh, kanë qenë nën ndikimin e shumë faktorëve shkatërrues e veçanarisht, të ndikimit të lagështisë e cila rrjedhimisht ka shkaktuar një zingjirë të sëmundjeve të ndryshme të shtresave të pikturave. /PrizrenPress.com/

Shkrimtarët rrëfejnë: Si i sjellim në jetë personazhet

0

Si janë shkruar karakteret që të ndjehen gjallë? Kur sjell në jetë një personazh çfarë mendimesh e mundimesh lindin? A “përdorin” njerëz realë për karakterin e tyre? Këto janë vetëm disa çështje mbi sjelljen në jetë të karaktereve në vepra, që ua drejtuam një grupi romancierësh shqiptarë. Prej disave morëm përgjigje të menjëhershme, ndërsa të tjerë kanë nguruar. Prej më shumë se dhjetë romancierë shqiptarë të pyetur nga të gjitha trojet, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni peripecitë morale dhe estetike të krijimit të personazheve prej tyre, nuk duken aq klasike.

Tradita e re letrare, e pas ’90-ës, vinte nga një hendek i thellë krijuar nga viti ’45, kur letërsia zyrtare e realizmit socialist zhduku individualitetin, duke krijuar “letërsinë” e kolektivit, sipas një skeme. Ndryshe nga letërsia klasike, ku pothuaj personazhi identifikohet me autorin, dhe shpesh shndërruar në modele krijuese, në letërsinë shqiptare për 45 vite krijoi një frakturë të rëndë estetike duke lënë gjurmë edhe pas ’90-ës.

Kështu në raste të pakta, kemi një skanim të qartë, të hapur, e të sinqertë rrugën e jetës që bën një personazh kur vjen në jetë. Edhe për autorë të huaj, që vijnë nga një trashëgimi letrare e lirë, që letërsia është në natyrën e saj, gjendje reale e të gjallë, pa deformime si procesi ynë letrar, është e vështirë të shpjegohen karakteret. Sfida për ta parë botën ashtu si mund ta shohë një karakter, një personazh, çfarë mendimesh kalojnë në mendjen e këtij personi, si ndihen ata për botën në të cilën jetojnë, çfarë dëshirojnë, cilat janë frikërat, çfarë i motivon kur ata ngrihen në mëngjes, për kë po luftojnë – përgjigje këto që mund të vinin natyrshëm tek një shkrimtar, ndërsa hedh në konflikte karakteret, pasi i ka njohur mirë ata. Kur vjen kuptimi rreth këtij personazhi, si ai ose ajo bëhet realitet për një shkrimtar, shkrimi rreth tyre bëhet më i lehtë, si të shkruajnë për veten e tyre. Disa shkrimtarë preferojnë ta zbulojnë karakterin ngadalë, gjatë rrjedhës së librit, por të kuptuarit se kush është karakteri i tij, e ndihmon të shkruajnë më mirë. Mënyra më e mirë për të parë mbi autorët shqiptarë kemi ndërtuar këtë forum se si disa romancierë të suksesshëm i trajtojnë personazhet e tyre, dhe i sjellin ata në jetë për lexuesit. Disa i krijojnë totalisht karakteret, të tjerë përdorin njerëz reale, dhe disa kanë referencë vetveten duke vështruar aftësitë, njohuritë, profesionin, tiparët pa iu dhënë natyrë biografike…

***

Agron Tufa: E largoj vetveten si autor, kërkoj jetën e vet, autentike të personazhit

“Për mua, e rëndësishme është ideja e veprës, e cila lind si imazh i turbullt mendor e emocional. Pastaj më duhet një Atlas, që mund ta mbajë këtë Glob mbi shpinë, pra, një personazh që të ketë aftësitë dhe cilësitë e mbajtjes së një peshe të tillë. Krijimi i personazhit apo protagonistit qendror, duhet të shkojë në përputhje me ambientin autentik ku personazhi lëviz, mediton, përjeton e vepron. Pra, brenda ligjësive të kësaj bote, personazhi duhet të frymëmarrë, duhet të jetojë. Dhe unë “e lë atë të jetojë”, pa ia shtuar barrën mbi shpatulla, pa e sforcuar. Shkrimtari thjesht ndjek personazhin, gjakftohtë, dhe nëse e sheh si ai “po devijon”, i këshillon në përputhje me temperamentin dhe prirjen e tij, të ketë kujdes. Kështu, autori është një bashkudhëtar paralel me personazhin, që ecën nëpër rrugë të panjohura, në një aventurë imagjinare.

Por gjithmonë, parimi im është që ta largoj vetveten si autor: gjithçka e ka në dorë personazhi: ai duhet të ketë jetën e vet autentike, pa pjesëmarrjen time.

Në përgjithësi, përjashto rastet kur ndonjë vepër ka të theksuar natyrën autobiografike, unë nuk i përmbahem fare realitetit të gjërave të njohura, që kanë bërë vaki konkrete, sepse përndryshe, një vepër letrare që u përmbahet “fakteve” historike, katandiset në reportazh. Rëndësi për mua ka që shkrimtari të shtrijë krahun e lirë, gjymtyrën e imagjinatës (trilli, sajesa, fiktion-i). Edhe kur, në dukje, kam në dorë një subjekt të jashtëzakonshëm, real, në procesin e shkrimit nuk i përmbahem aspak atij, e shpërfill. Nuk është e rëndësishme çka ka ndodhur në të vërtetë, por çfarë projeksioni i jep imagjinata asaj historie. Në këtë kuptim, shkrimtari është një gënjeshtar, një sajues, sepse ai rikrijon një realitet të vetin, që është më i epërmi e më sublimi, kur ia qëllon. Gjasat që trilli të dalë përnjëmend i vërtetë, janë të shumta, madje më të shumta e të sakta se ngjarja e kanonizuar historikisht. Pra, ti shkruan për diçka që nuk ka ndodhur, por që fare mirë, pa e ditur ti, ajo ka ndodhur ose mund të ndodhë…

Shkruaj gjithmonë me intuitë, pa e paracaktuar një vijë paraprake ngjarjeje. Mbaj parasysh vetëm imazhin fillestar dhe parabolën.”

Ridvan Dibra: Personazhet që “kam sjellë në jetë”, variacione të vetes sime

“Në fakt, thuajse të gjitha romanet e mi, që nga i pari “Nudo” (Alfred Boka) e deri tek i fundit “Treni i muzgut” (Burri i Rozafës, Vëllai i Vogël), kanë një personazh kryesor, qendror: veten time. Një “karakter” (më saktë, duhej thënë disa) gjithnjë mes dilemash e ankthesh, i “humbur” në një pyll pikëpyetjesh, në rrekje të vazhdueshme për ta njohur e për të arritur paqen me veten, domethënë edhe me të tjerët, kohën e mjedisin.

Në këtë kuptim, thuajse të gjithë personazhet që unë “kam sjellë në jetë” nuk janë gjë tjetër veçse variacione të vetes sime në situata, përvoja, gjendje e kohë të ndryshme. Qoftë edhe në rastet kur e kam ndjerë nevojën e maskës, si për shembull atë të Gjergj Elez Alisë (romanet “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”), të Franc Kafkës (romani “Franc Kafka i shkruan të birit”), apo dhe në ndonjë rast tjetër. Jam i ndërgjegjshëm se një qasje e tillë në krijimin e karaktereve të romaneve, sjell rrezikun e rënies në autobiografi të zakonshme, çka do ta zbehte jo pak interesin e lexuesit për vepra të kësaj natyre. Një rrezik të tillë jam rrekur ta mënjanoj, duke synuar të “rrëmoj” në thelbin tim, pikërisht në atë që më bën të ngjashëm me të tjerët, me ëndrrat, dëshirat, dilemat, disfatat e triumfet e tyre. Gjithashtu, kam synuar që karakteret në romanet e mi (domethënë vetët e mia), përveç paraqitjes thjesht njerëzore, të fitojnë edhe një tharm metaforik e universal.

Sesa ia kam arritur, e gjykojnë të tjerët.”

Virion Graçi: Jam pjesërisht në të gjithë personazhet e mi, përkohësisht nën lëkurën e tyre

“Në 8-9 romanet e mi të botuar përvoja ime për sjelljen në jetë të personazheve dhe të sjellurit e tyre, karakterizimi origjinal, ndërtimi e zhvillimi i historive komplekse, nuk kam vepruar përherë njëlloj. Në romanin e parë, (v.1995) kam vendosur shumë nga vetja te personazhi kryesor, mënyrën si mendon, si flet, si i ndërton e shmang marrëdhëniet me të tjerët. Po te ky libër, në një masë të madhe kam disa personazhe letrarë që janë të sjellë nga prototipat realë me po ata emra që kanë pasur në të vërtetë, e sigurisht, karakterizimi i tyre i jashtëm apo i brendshëm ka qenë riprodhim besnik i tyre, enkas e tillë në përputhje me konceptim tim kompozues. Parë në përgjithësi, si tipologji, për ta sintetizuar përvojën time krijuese mund të them se në librat satirikë nuk mund të flitet për njehsim personazhesh letrarë me tipa të posaçëm; ekzagjerimet, karikaturizimi, grotesku të ndihmon t’i largohesh secilit tip që ke njohur e t’i afrohesh më mirë, më ndershëm asaj që mund të jetë e mund të quhet pa rezerva marrëzia e epokës, shëmtimi i saj, deformimi e gjymtimi i saj i gjithanshëm në mendësi, në moral, në humanizëm, në vlerat njerëzore e qytetare mbizotëruese. Në rrëfimet epike jo të natyrës groteske- humoristike kam ringritur nga kujtesa për në letrën e librit fragmente të rëndësishme të vetes, të të afërmve të mi, të miqëve si dhe shumë njerëz të tjerë të cilëve ua kam ditur dramat, brengat, problematikat, dilemat, fizionominë mendore, e u kam dhënë vendin e duhur në tablot e mia të jetës bashkëkohore shqiptare; për efekte artistike karakteristikat fillestare të personazheve të mi realë gjatë konceptimit, shkrimit, përpunimit të romanit theksohen edhe më shumë, pasurohen, i jepet më tepër thellësi, gjerësi, nuancim, kontrast e denduri pasi tregimi artistik nuk e duron dot cektësinë, zbehtësinë; nuk e pranon dot gjatë rëndomtësinë, zvarritjen, sinkronizimin e kohës së ngjarjes romanore me kohën tokësore, me orën e zakonshme. Jam pjesërisht në të gjithë personazhet e mi, jo duke ia përshtatur ata modelit tim, por duke u vendosur unë përkohësisht nën lëkurën e tyre, në mendjen e tyre, në makthet, ëndrrat, hobitë a fobitë e tyre individuale a sociale.”

Rudi Erebara: Marr nga njerëzit tipare, por jo të imitoj një njeri të gjallë, si personazh

Si i shkruan karakteret që të ndjehen gjallë? Fituesi i çmimit evropian të letërsisë për vitin 2017, me romanin “Epika e yjeve të mëngjesit”, Rudi Erebara thotë: “Unë shkruaj në një fletore. Ndonjëhere edhe e vizatoj personazhin se si duhet të ngjajë. Pastaj me sytë e mendjes e ndjek nga sipër personazhin kudo të shkojë nëpër libër. Personazhi ecën përpara meje. E sheh i pari atë që do të ndodhë. Dua të them që në librat e mij unë nuk ia ndaj fatin që do të ketë. I përcaktoj vetes një farë kurbe zhvillimi dhe pastaj nis personazhin përpara. Më ka ndodhur që personazhi nuk ka shkuar andej nga i kam thënë shumë herë në romanin Epika e Yjeve të Mëngjesit. Sidomos personazhi i Kocit. Më kryesorja është ta bëj personazhin të jetë edhe i gjallë me mish, por edhe t’i bjerë hija përtokë. Nuk e mendoj personazhin me tipare të fytyrës. E mendoj në fillim si gjatësi, ndoshta edhe si peshë. E mendoj si vëllim që duhet shtyrë përpara të lëvizë. Nuk i shikoj shpesh fytyrën personazheve. Ata ose ato janë zakonisht me shpinë nga unë. Kështu që më bie të mendoj kur i vendos dy personazhe përballë. Dialogu me bën të shoh personazhet në fytyrë. A “përdor” njerëz realë për karakterin e tyre? Erebara përgjigjet: “Ngjarjet në librat e mi janë ngjarje që kanë ndodhur vërtet. Personazhet nuk janë ata njerëz të vërtetë të cilëve u ka ndodhur historia. Megjithatë, njeriu është qënie shoqërore, edhe me dashje pa dashje do të përcjellë në vepër reflektimin e jetës që sheh për çdo çast. Marr nga njerëzit ndonjeherë tipare, apo gjeste, apo grimasa që i përdor, por kurrë të imitoj një njeri të gjallë si personazh. Jo, mendoj se kjo është e gabuar. Personazhi duhet të jetë po aq i gjallë sa çdo njeri, sa çdo lexues. Por ashtu siç ka një emër duhet të ketë edhe një jetë.

Mehmet Kraja: Personazhet janë vetja ime e shumëfishuar, reale dhe imagjinare

“Në atë pjesë të letërsisë, që quhet narrative, personazhi është i domosdoshëm. Përvoja e shkrimit të letërsisë tregon se nuk ka narracion pa personazh, nuk ka rrëfim pa bartës të veprimit. Në këtë pikë nuk besoj të ketë shumë dilema, pavarësisht nga mënyrat e ndryshme të interpretimit të fenomeneve letrare. Për një kohë të gjatë letërsinë narrative e dominoi personazhi përfaqësues, i personifikuar dhe i tipizuar, që ishte bartës i një “identiteti kolektiv”, për t’ia lënë vendin më vonë personazhit individualist dhe më pas atij të depersonalizuar dhe të “shpërbërë” (anti-romani). Së fundi, letërsia postmoderne gjurmon personazhin “dokumentar”, që shfaqet para lexuesit me pamjen e tij të vërtetë, pa shumë ndërhyrje letrarizuese. Tani, nëse në këtë kuadër të përgjithshëm përpiqem të vendos diçka që është më personale, që lidhet me përvojën time letrare, më duhet të them se ende nuk kam një siguri të madhe nëse personazhet e një rrëfimi ndërtohen në mbështetje të dijes letrare apo të përvojës jetësore. Fundja, për këtë le të mendojnë studiuesit e letërsisë, por ajo që ata nuk e thonë dot dhe nuk kanë për ta thënë kurrë është fshehtësia e procesit krijues. Enigmën e krijimit askush nuk e ka zbuluar tamam, aq më pak ata që flasin për letërsinë në mënyrë të objektivizuar, duke bartur kode interpretimi nga dijet dhe përvojat e paasimiluara, siç po ndodh te ne. Letërsia është krijim individual, një proces i fshehtë, subjektiv, unik, i papërsëritshëm. Edhe personazhet e janë të tillë, personazhet e mia gjithashtu: ata janë vetja ime e shumëfishuar në njëmijë pasqyra që reflektojnë projeksione reale dhe imagjinare njëkohësisht. Në këto projeksione askush të mos kërkojë të vërtetën jetësore, por të vërtetën artistike, e cila shkon përtej kufijve të së mundshmes dhe të besueshmes.” /Mapo/

Naser Rugova: Do të veprojë siç vendos partia

0

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Naser Rugova ka garantuar se nuk është ai që do ta votojë Ramush Haradinajn për kryeministër, si i nominuar i PAN-it për këtë pozitë.

Ai ka thënë se do të veprojë njësoj siç vendos partia e në përputhje me vullnetin e elektoratit që e bëri deputet.

“Mirëmëngjesi miq, Sot vikend, ditë e mirë. Jam në bjeshkët e bukura të vendlindjes sime. Prapë e paskan lakuar emrin tim, si numër e jo si i zgjedhur nga vota e qytetarëve. Për herë të fundit po ju bëj të fala se unë Naser Ali Rugova do të respektoj vullnetin e elektoratit që më ka zgjedhur dhe vendimet politike të organeve vendimmarrëse të LDK-së në harmoni të plotë me Grupin Parlamentar të subjektit që i takoj”, ka thënë Rugova.

“Qëndrestarët gjithmonë ja dalin! Vetëtima gjuan lisat e jo hithërat! Stoik si gjithmonë! Tradita vazhdon!”, ka shtuar ai.

Ismail Kadare, shkrimtari më i lexuar nëpër metrotë europiane

0

Një zonjë e re është e përqëndruar e tëra në leximin e romanit “Kronikë në gur” të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Fotoja e bërë publike nga Shtëpia Botuese Onufri, është shkrepur në metronë e Nju Jorkut.

Kjo nuk është fotoja e vetme ku shohim lexues të huaj të përqëndruar në veprën e shkrimtarit shqiptar. Kadare është një ndër shkrimtarët që e sheh më shpesh në duart e udhëtarëve në metrotë e botës. Por libri që kjo zonjë ka në duar është vërtet një nga më të dashurit nga Kadare.

Kronikë në gur është një prej romaneve të hershëm të shkrimtarit. Ndryshe nga letërsia e deri atëhershme për Luftën Antifashiste, e karakterizuar nga dy kampe personazhesh – partizanë e pushtues – ky roman solli një imazh më të ndërlikuar të saj, ku ndërthuren fate ushtrish të huaja të pakteve të ndryshme kundërshtare, fate shtresash të ndryshme brenda për brenda tyre, fate të njerëzve të lidhur vullnetarisht me rezistencën ose të mobilizuar prej komandës, fate të indiferentëve, të sehirxhinjve dhe të kundërshtarëve.

Që lufta ishte një kohë mjaft më e ndërlikuar se ajo që shërbehej prej një tradite letrare skematike; kjo mund të shihet edhe në fatin e një familjeje qytetare në vendin e “kronikës në gur”, ku konflikti hyn brenda saj, duke ia tronditur regjimin tradicional.

Me këtë roman I.Kadare pasuroi temën e Luftës Antifashiste, duke sjellë një shikim prej fëmije për evokimin e ngjarjeve të saj. Rrëfimi në vetën e fëmijës, në vetën e personazhit që evokon fëmijërinë e autorit, me “pafajësinë” e vet, megjithëse i ka dhënë romanit njëfarë karakteri autobiografik, njëherësh e ka mbrojtur atë prej qëndrimit të kritikës.
Duke qenë vështrimi prej fëmije një vështrim thelbësor në roman, lexuesi e ka të vështirë të dallojë se ku fillon koncepti i arsyetuar i saj e ku mbaron të konceptuarit si lojë.

Në studimin “Subversion kundër konformizmit” një studiues (Arshi Pipa) ka këmbëngulur se romani “Kronikë në gur” është një vepër hyjnizuese e Luftës Antifashiste, një “roman komisarësh”, dhe se përpjekja e autorit për të hyrë në lëkurën e fëmijërisë së vet nuk është gjë tjetër veçse një procedim letrar për të mbuluar konformizmin. Përkundër këtij mendimi, shumica e studiuesve bashkohen në vlerësimin se “Kronikë në gur” është një vepër atipike në pikëpamjen metodologjike, e shkruar me një liri që tejkalonte kufizimin ideologjk dhe vlerësimin e partishëm për luftën.

Sipas një pjese të studiuesve, “Kronikë në gur”, duke pasur këtë vështrim, në fakt sjell tek lexuesi një përqasje psikanalitike frojdiste rreth luftës, ose jetës së qytetit në kohë lufte. “Kronikë në gur” është një prozë me subjekt të reduktuar, gjë jo fort e përshtatshme nga pikëpamja teorike për një letërsi të orientuar.

Me këtë vepër Kadare bëri përpjekjen e parë për t’i dhënë vlerë letrare së zakonshmes, së rëndomtës, madje së shëmtuarës dhe absurdes. “Kronikë në gur” është një vepër e përshkuar nga grotesku. Vështrimi i luftës me sytë e fëmijës i ka dhënë mundësi autorit që t’i shohë ngjarjet dhe personazhet e saj pa ndonjë partishmëri të dukshme.

“Kronikë në gur” përmban vlera të rëndësishme të një letërsie të mirëfilltë etnografike. Tradita e kësaj letërsie në qytetin e Gjirokastrës është më e hershme, ajo afirmohet mirë me botimet e Musine Kokalarit në vitet ’40, sidomos me “Siç më thosh nënua plakë” dhe “Sa u tund jeta”. (Shqip.com)