Home Blog Page 5876

Ja arsyeja pse pranoi titullin “Akademik i Italisë”

0

Janë shumë kurioze marrëdhëniet e Fishtës me regjimet që erdhën në Shqipëri. Nga të dhënat historike thuhet se mbreti Zog e vlerësonte shumë at Gjergj Fishtën dhe pse njihet shumë mirë kufizimi që i bëri monarku shkollave dhe kolegjeve fetare në vendin tonë. Nga të dhënat e arkivuara të françeskanëve thuhet se Fishta nuk ishte dakord që Shqipëria t’i jepte kaq shumë koncesione Italisë sepse do vinte koha që vendi ynë do binte nën grackën e saj. Diheshin prej kohësh synimet e Italisë e cila që prej Konferencës së Londrës donte të merrte protektoratin e Shqipërisë.

Dhe këtë rrezik Fishta e kishte përshkruar hollësisht në veprat e tij. Thuhet fillimisht se ai nuk e pranoi dekoratën honorifike që shteti italian i akordoi. Por erdhi koha që Fishta mori titullin “Akademik i Italisë”. Për këtë moment kaq të veçantë që hyri në historinë shqiptare na ndihmon me shkrimet e tij At Zef Pllumi. Si reagoi armiku më i përbetuar i italianëve? Në një shkrim të botuar në gazetën Panorama ja se ç’thuhet për reagimin e poetit të madh, këtij visari të jashtëzakonshëm të kulturës shqiptare…

***
Mbas pak kohet erdhi okupacioni fashist italian. Vetëm ata që e kanë provue dhunën në shpinë e vet, ata mund ta kuptojnë ma saktë se çka asht diktatura.
Fishta në këtë kohë gjindej po në Kuvendin Françeskan te Arra e Madhe. Fashistat ndërruen mbretin, ndërruen edhe flamurin. Si të gjitha diktaturat edhe ata kërkojshin duertrokitjet e popullit dhe përuljen e njerëzve të përmendun e me influencë. Shpërndajshin pare, shpërndajshin dekorata, shpërndajshin rybe.

Në atë vit un ishem ndër klasat e nalta të liceut. U përhap fjala se edhe Fishtën e kishin emnue me dekret si “Akademik të Italisë”. Mbas disa ditësh kje caktue që të gjithë pjestarët e Kuvendit Françeskan të shkojshin bashkarisht te Arra e Madhe për t’i ba urimet Fishtës. Na priti me karamele dhe kumel. Mbasi i paraqitem bashkarisht urimet, nji prej profesorve, P. Mëhill Miraj, u çue e i tha:

-Pater Gjergj, na këtu jemi të gjithë nxënsat tuej. Un këtu po shprehi mendimin e të gjithë kolegëve të mi dhe vllazënve tuej: aq sa na ra mirë emnimi yt si akademik, aq na ka ra edhe keq. Na të gjithë prej teje kemi mësue se si duhet ta duem Shqipninë e se si duhet të jemi atdhetar. E gjithë Shqipnia, ashtu edhe fashistat italianë e dinë mirë se ti ishe kundra tyne. Bashkarisht kemi vendosë me të ba këtë propozim: “njashtu si ti ktheve mbrapsht dekretin e dekoratës që të kje dërgue prej autoriteteve italiane, tue u thanë se “nuk asht dekoratë për mue”, po ashtu ktheje mbrapsht edhe titullin e akademikut. Kaq dimë e kaq ta themi si vllazën, si nxanës e si bij tuej e mos na e merr kurrgja për të keq se ti je ndera jonë”.

Fishta gjatë këtyne fjalëve kishte ra në mendim.
-Ndigjoni, – tha, -o vllazën e bij të mi. Un nuk kam ndërrue, por jam ai Pater Gjergj që kam kenë gjithmonë. Ju e dini mirë se sa e kam dashtë un Italinë këtu. Kaq e gja e kan kuptue edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë titull ma kanë dhanë për me më nderue, por ma kanë dhanë për me më internue. Latinët kanë nji aksiomë të vjetër të politikës së tyne: Njashtu si po internojnë shumë shqiptarë të tjerë, njashtu po duen me ba edhe me mue, përse në bazë të Statutit çdo akademik i ri e ka për detyrë me u sjellë për gjashtë muej tue mbajtë konferenca nëpër institutet e nalta të kulturës. Në këtë mënyrë ata duen punën e vet me e ba njëkohësisht me i hjedhë pluhën syve të botës, popullit shqiptar ashtu edhe mue.

Un sot jam i plakun; sëmundja e zemrës më asht randue shumë në këta muejt e fundit. Ato mësimet e mia që ju kam dhanë dikur kishem me dashtë që ju sot t’i shtini në veprim, ndërsa un nuk jam i zoti me përballue ma as burgun, internimin apo arratinë. Por un po ju premtoj ju se kurrë nuk do ta përuli para të huejve rodin e shqiptarit. Me të vërtetë sot na kanë okupue, si dikur Roma Ilirinë. Por un ndër konferencat e mia do t’ua përsëris italianëve pa ja da se me të vërtetë që Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U baj edhe nji premtim tjetër se përnji që ato konferenca do të kryejnë për gjashtë muej, siç i don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipni./Arlinda Canaj /

Presin dështimin e PAN-it

0

Lëvizja “Vetëvendosje” si dhe koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) po e presin dështimin e koalicionit PAN për ta formuar Qeverinë, në mënyrë që, siç thonë ata, t’i marrin “frerët” e ekzekutivit, shkruan sot, gazeta Zeri.

I nominuari i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, i ka bërë ftesë për takim drejtuesve të LVV-së dhe LAA-së, por këta të fundit e kanë refuzuar ftesën e tij. Kundërshtarët politikë janë të bindur se Haradinaj nuk i ka numrat për ta formuar Qeverinë, prandaj presidenti do të detyrohet ta nominojë një mandatar të dytë.

“Ne besojmë që Haradinaj nuk i ka numrat për ta formuar Qeverinë dhe presim dështimin e tij. Po ashtu besojmë që ne jemi ata që do ta kemi shumicën dhe t’ia dalim ta drejtojmë Qeverinë e re të vendit”, ka thënë për “Zërin” Shkodran Hoti, zëdhënës në LVV.
Sipas tij, takimi i radhës LVV- LAA do të përcaktohet nga zhvillimet aktuale.

“Në takimin e parë janë diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet në përgjithësi dhe nuk është bërë ndonjë diskutim më i hollësishëm. Takimi i radhës do të jetë sapo të koordinohemi dhe varësisht nga zhvillimet”, ka thënë Hoti, duke theksuar se do ta bëjnë të pamundurën, siç thotë ai, ta materializojnë votën për ndryshim.

“Më 11 qershor u konfirmua nevoja për ndryshim dhe përkrahja e jashtëzakonshme për ne, që është thirrje urgjente që Kosova të çlirohet nga mendësia e “Pronto”-s dhe ta fillojë një qeverisje me një mendësi krejt tjetër, që angazhohet për drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e mirëqenie sociale. Ne do të përpiqemi pa ndalur që kjo të jetë e mundur”, ka përfunduar Hoti…

PAN-i, pazar veç me deputetë

0

Koalicioni PAN të vetmen alternativë për ta krijuar Qeverinë e ka “pazarin” me deputetë individualë nga koalicioni LAA, apo nga lëvizja “Vetëvendosje”. Oferta e tyre u refuzua nga liderët e këtyre partive, shkruan sot, gazeta Zeri.

Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) rrugën e vetme për ta formuar Qeverinë e ka të marrë deputetë individualë nga dy blloqet e tjera, lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa (LAA), pasi që ftesa e saj u refuzua nga liderët e këtyre partive.

Përfaqësues të koalicionit më të madh thonë se po që se partitë nuk do të pranojnë t’i bashkohen PAN-it dhe ta votojnë Ramush Haradinajn për kryeministër, atëherë do të vazhdojnë me partneritet me deputetë veç e veç.

Ata janë të bindur se javën që vjen do të formohet Qeveria e re, në krye me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj. Por pavarësisht kësaj, nuk pranojnë të tregojnë se cilët deputetë do ta votojnë të nominuarin e tyre për shef të ekzekutivit.

Nga ana tjetër, analistët politikë thonë se do të duhej të krijohej një qeveri më e gjerë edhe pa Listën Serbe si faktor kyç në qeverisje.

Temperaturat e larta, sa persona kërkuan ndihmë në Spitalin e Prizrenit?

0

Prizreni gjatë ditës së sotme ka shënuar temperaturën prej 37 gradë Celsius, duke u bërë kështu edhe qyteti me temperaturën më të lartë në Kosovë.

Këto temperatura të larta kanë ndikuar edhe në shtimin e pacientëve në spitalin e këtij qyteti.

Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Dr. Afrim Avdaj ka thënë se këto temperatura që siç i ka quajtuar ai ishin tropikale kanë shtuar sidomos numrin e pacientëve, veçanërisht atyre me sëmundje kronike dhe fëmijëve.

“Numri i përgjithshëm i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë është 100 persona, prej tyre 47 janë të pranuar në spital, numri i të pranuarve është 10 pacientë në repartin e Pediatrisë, 4 prej tyre në repartin e Kirurgjisë, të tjerët janë shtruar në reparte të tjera”.

Sipas tij, fluksi më i madh i pacientëve është i atyre me sëmundje kronike, me hipertension dhe me diabet.

Dr. Avdaj ka thënë në Kosova Direkt të Klan Kosovës se për fat të mirë nuk ka pasur raste që kanë përfunduar me vdekje dhe se pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në Spitalin e Prizrenit i është dhënë tretmani i duhur mjekësor.

“Janë ndërmarrë të gjitha masat por se edhe ne si staf kemi ndërmarrë masa që numri i stafit të shtohet, duke patur parasysh edhe temperaturat e larta por edhe ardhjen e mërgimtarëve tanë në këtë kohë në Kosovë”.

“Intervenimet e planifikuara mund të zvogëlohen por duhet të përcaktojmë shkallë më të lartë të gatishmërisë ndaj atyre që atakohen nga temperaturat e larta dhe të ofrojmë trajtim dinjitoz mjekësor mërgimtarëve”.

Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Dr. Avdaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve sidomos atyre me sëmundje kronike, me hipertension, diabet si dhe fëmijët e personat me moshë të shtyer që t’i shmangen diellit sidomos në periudhën kohore prej orës 11:00 deri 15:00 si dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.

Andin Hoti: Institucionet të jenë në shërbim të bashkatdhetarëve

0

Deputeti i PDK’së, Andin Hoti ka vendosur t’ua kushtoj vëmendjen mërgimtarëve që po vijën këto ditë në Kosovë. Ai në një status në Facebook, ka thënë se bashkatdhetarët duhet të trajtohen mirë dhe tu ofrohen kushte për ti kryer shërbimet që kanë nevojë. “Mendoj që komunat dhe administrata në përgjithësi duhet të japin maksimumin e tyre që të ketë shërbime cilësore dhe të shpejta”, ka shkruar ai.
Ky është statusi i plotë i Hotit në Facebook:

MIRËSEVINI NË VENDLINDJEN TUAJ!

Gjatë udhëtimit në Krushë dje, rastisa të takoj disa nga bashkatdhetarët tanë dhe të bisedoj me ta. Sa herë i sheh, të kujtohen sakrificat e shumta që kanë bërë përpara, gjatë dhe pas Luftës Çlirimtare për neve dhe Kosovën e tyre.

Të dashur bashkatdhetarë,

Ju uroj mirëseardhje në vendin Tuaj për të cilin dhatë shumë, vendin që edhe pse jo fizikisht, shpirtërisht jeni gjithmonë këtu me ne, bashkë në vuajtje dhe në gëzim.

Bashkë me juve, ne ndërtuam Kosovën, ndoshta jo siç do të donim ta shihnim të gjithë, të përparuar si vendet perëndimore e demokratike, mirëpo shumë më mirë se ç’ishte dje.

Një Kosovë që frymon lirshëm, një Kosovë që zhvillohet gradualisht, një Kosovë që mundohet të ruaj kulturën e lashtë, e në të njëjtën kohë, mundohet t’i përshtatet kulturës së sotme evropiane.

Një Kosovë që ka miqësi të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një synim të çartë siç është Integrimi Evropian.

Uroj të keni një pushim të mirë dhe çmallje me familjarët Tuaj.

Ftoj, po ashtu, institucionet qendrore e lokale që të jemi në shërbim të bashkatdhetarëve tanë.

Mendoj që komunat dhe administrata në përgjithësi duhet të japin maksimumin e tyre që të ketë shërbime cilësore dhe të shpejta.

Prandaj mendoj se nuk mjafton “java e bashkatdhetarëve”, por “MUAJTË e bashkatdhetarëve” (Korrik – Gusht), dhe gjatë këtyre muajve të rritet efikasiteti i Administratës me theks shërbimin ndaj bashkatdhetarëve.

Besoj fort se administrata ka mundësi të shtoj edhe orarin e punës, edhe të marrë kompensimin për punën jashtë orari;

Besoj fort se mund të evitohen pritjet e gjata në kufi, të kenë mirëkuptim doganat e Kosovës dhe Policia Kufitare;

Besoj fort se Policia e Kosovës ka merita dhe lëvdata të shumta për sjellje korrekte, unë shpresoj se kanë kujdes të shtuar, mirëkuptim dhe lehtësira të shumta brenda kornizave ligjore ndaj bashkatdhetarëve tanë;

Besoj se edhe Ministria e Infrastrukturës ka marrë masa për lehtësimin e qarkullimit në rrugët nacionale dhe lokale duke evituar punimet gjatë këtyre dy muajve;

BASHKËATDHETARET TANË E MERITOJNË QËNDRIMIN E KËNDSHËM NË ATDHE DHE MIRËSEARDHJEN TONË TË SINQERTË!

Shehlerët nga Hasi i Prizrenit, bindën shqiptarët të mos shpërnguleshin në Turqi

0

Në bazë të rrjedhave historike, mendohet se sheh Tahiri profesionin e tij kadi e ka ushtruar nga maji i vitit 1851 deri në qershor të po këtij viti. Për arsye se ai duhej t’i gjykonte njerëzit e gjakut të tij, pra shqiptarët, vullnetarisht e la punën e kadiut dhe pushteti otoman e internon në afërsi të fshatit Dedaj

Ka pasur një rol të rëndësishëm të tarikateve nëpër historinë shqiptare. Ishin ato që ndikuan në frymën atdhetare të kohës sidomos në kohën e komunizmit. Sheh Abedin Shehu, intelektual i shkolluar në Universitetin e Prishtinës dhe në Turqi, për “Kosova Sot” shpjegon edhe hierarkinë e kësaj teqeje.

Ai thotë se i pari i kësaj teqeje ishte sheh Osmani i lindur në Vlesh të Dibrës pastaj në krye të kësaj teqeje kanë ardhur sheh Ahmeti, sheh Sinani, nipi i sheh Osmanit. Ai thotë se sheh Shihabudinin Qeveria osmane e dënoi me 101 vite burg, sepse ishte prefekt i Lumës dhe organizator i kryengritjes kundër Qeverisë osmane. Shton se rol shumë të rëndësishëm ka pasur edhe sheh Hasani, i cili ishte prijësi kryesor i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Sheh Hasani ishte figura atdhetare që assesi nuk pranoi të shiste as edhe nderin e vetëm një shqiptari dhe ishte veprimtar i palodhur i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Vepra e tij është e paharruar.

Teqeja e Planejës ishte çerdhe atdhetarie

Teqeja e Planejës ishte njëra ndër teqetë më atdhetare për shekuj të tërë. Sheh Sylejmani ishte bashkëpunëtor i Hasan Prishtinës e Isa Boletinit. Rrahman Shehu ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Shtjefën Gjeçovit, i cili gjatë kohës sa shërbente në Zym, më shumë ka qëndru ar në Planejë sesa në Zym. Qëllimi i Gjeçovit ishte që përmes Teqesë së sheh Tahirit t’i bindte popullin e Hasit të besimit islam që të mos shpërngulën për në Turqi.

Kjo ishte edhe arsyeja e lidhjes së ngushte të Gjeçovit me këtë teqe. Muharrem Shehu, që ishte pjesëtar i kësaj teqeje, kishte edhe miqësi me gjithë Hasin dhe në këtë mënyrë u zhvillua kjo veprimtari e madhe kombëtare duke mos lejuar që të shkonte askush për në Turqi, edhe pse në atë kohë xhamia e Gjonajve ishte ambasadë turke, që lëshonte pasaporta.

“Kur vritet Gjeçovi, Rrahman Shehu organizon popullin e Hasit të besimit islam dhe për një javë të mbajnë zi për vrasjen e Gjeçovit. Për një javë ditë as arat e Hasit nuk i lëvruan. Ky mesazh iu dha për të kuptuar edhe regjimit, por edhe dashakeqëve se mbi të gjitha tek shqiptarët është toleranca dhe atdhetaria e kësaj teqeje”, shpjegon dr. Nexhat Çoçaj.

Sipas tij, e këtij rendi në Has është teqeja e sheh Tahirit në Planejë, e cila u ngrit në mesin e dytë të shekullit XIX, po në atë vend ku gjendet edhe sot. Themelues i Teqesë në Planejë është sheh Tahiri, i biri i Imerit.

“Ndonëse nuk kemi të dhëna të sakta për jetën dhe veprën e sheh Tahirit të parë, për të cilin mendohet se ishte bashkohanik i atdhetarit Ymer Prizreni, mendojmë se Teqeja e Planejës është themeluar përafërsisht rreth vitit 1853, pra para 159 viteve. Këtë përllogaritje të themelimit e mbështes në numrin e kuburëve në tyrben e kësaj teqeje, në udhëheqësit e teqesë dhe në analizën e disa rrethana historike, që lidhen me kontributin e kësaj teqeje. Sheh Tahiri, i cili kishte arritur të shkollohet, për një periudhë kohore kishte shërbyer, si udhëheqës i disa institucioneve arsimore në Stamboll”.

Braktisi punën e kadiut në Perandorinë Osmane

Sipas Çoçajt, sheh Tahiri, themelues i Teqesë në Planejë, për pak kohë kur ishte kthyer nga Stambolli ka shërbyer kadi në Prizren. “Në bazë të rrjedhave historike, mendohet se sheh Tahiri, profesionin e tij kadi e ka ushtruar nga maji i vitit 1851 deri në qershor të po këtij viti. Për arsye se ai duhej t’i gjykonte njerëzit e gjakut të tij, pra shqiptarët, vullnetarisht e la punën e kadiut dhe pushteti otoman e internon në afërsi të fshatit Dedaj.

Meqenëse sheh Tahiri në atë kohë ishte rreth të pesëdhjetave, për të mbajtur familjen e tij, ai nisi ta ushtrojë profesionin e imamit dhe kryente edhe shërbime të tjera fetare. Brenda një periudhe të shkurtër ai bëhet i njohur në Krahinën e Hasit edhe si besimtar, por edhe si njeri i shkolluar. Sipas shumë dëshmive, të cilat ku më shumë e ku më pak janë publikuar, mendohet se sheh Tahiri ishte në njëfarë mënyrë këshilltar politik i Ymer Prizrenit, sepse që të dy ishin nxënës të një rryme fetare, pra shehlerë të tarikatit Nakshibendi”, është shprehur ai. Kontributi i sheh Tahirit në çështjen kombëtare është i madh, i cili në atë kohë do ta ndihmojë lëvizjen kombëtare dhe organizimet e shumta për t’u çliruar nga zgjedha e Turqisë. Një kontribut të madh sheh Tahiri i parë do ta japë edhe në ngritjen e teqesë së Kaderive në Lugishtë të Hasit.

(Kosova Sot)

Zafir Berisha: PDK, LDK dhe AKR, për dhjetë vite e kanë vjedhur Kosovën

0

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, nuk sheh dallime në mes LDK-së, AKR-së dhe PDK-së.

Ai thotë se këto tri subjekte politike, për dhjetë vite, kanë vjedhur bashkë.

“Për 10 vite LDK e AKR kanë vjedhë bashkë, ose ia kanë majtë qiriun kur ka vjedhë PDK-ja”, thotë Berisha

Ai, fton LDK-në dhe AKR-në që të mos shesin moral.

“Ju hajdutë që Kosovën e keni vjedhur bashkë me PDK mos shitni moral, se jeni të njëjtët legena dhe keni përgjegjësi për fundosjen e perspektivës së Kosovës dhe mos ia leni fajin Ramushin për hajnit që e keni bë bashkë me PDK-në”, shkruan Berisha në Facebook, transmeton PrizrenPress.

“Inati i gomarit që u shprehë nga disa sot që mos të takohen me Ramushin, shkaku i PDK-së është adoleshencë politike”.

Ai thotë se LDK-AKR dhe PDK, gjatë kohës sa ka qenë Ramush Haradinaj në Hagë, bashkarisht Kosovën e kanë bërë leckë njëpërdorimshme .

Berisha nuk e kupton edhe sjelljen e Vetëvendosjes.

“Këta të VV deri diku kanë të drejtë, mirëpo nuk po i kuptoj pse nuk takohen me Ramushin,e në anën tjetër i dërgojnë ftesë për bashkëpunim LDK-së e AKR-së që kanë vjedh bashkë me PDK-në”.

Berisha thotë se partitë politike po e refuzojnë Haradinajn, për të ngritur pazarin e ndarjesë së Qeverisë. /PrizrenPress.com/

Quni: PAN-i s’i ka votat

0

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka thënë se koalicioni të cilit ai i takon, LDK-AKR-Alternativa, nuk ka asnjë deputet që ka disponim që të jap votën pro PAN-it me të cilat do të mund të kenë shumicën në qeveri.

“Është e pamundur që PAN-i të sigurojë votat për të marrë votëbesimin e qeverisë dhe krijimin e saj”, ka thënë Quni në RTK. “Koalicioni LAA ka qëndrim që aty ku është PDK-ja, të mos ketë bisedime. Nëse ndonjë deputet mund të ndërrojë qëndrim, është përgjegjësi e tij”, tha ai.

Quni bëri me dije se ka shokë e miq edhe në partitë e tjera, duke shtuar se se nuk ka pasur ftesë nga ana e koalicionit që ka marrë më shumë vota që të jetë pjesë e bisedimeve.

Arrestohen 33 përdorues të drogës në Prizren

0

Tridhjetë e tre përdorues të drogës janë arrestuar në Festivalin “NgomFest “ në Prizren.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Hazir Berisha tha se me të dyshuarit është duke u marrë prokuroria.

“Gjatë netëve sa ka zgjatur festivali, janë identifikuar e më pas ndaluar nga Njësiti antidrogë, patrulla policore dhe hetues 33 të persona, ku janë siguruar prova materiale tek të cilët janë gjetur substanca narkotike”, tha Berisha për TV Prizrenin

Sipas tij, pas ndalimi, ndaj të dyshuarve, janë iniciuar rastet në Prokurori.

Berisha tregon se te të dyshuarit janë gjetur substanca të ndryshme narkotike si: kanabis, marihuanë, por edhe kokainë,trensmeton PrizrenPress.

“ Dilerët e drogës gjatë këtyre organizimeve tregohen mjaft të zhdërvjellët”, tha Berisha.

Ai tha se policia do të vazhdojë që të luftojë këtë dukuri në Prizren.

“Të gjithë ata që kapen me sasi të mëdha të këtyre substancave të ndaluara i dërgojmë para organeve të drejtësisë”, tha Berisha.

Prizren: Parashkruhet lënda penale ndaj ish-gjyqtares Shemsije Sheholli

0

Lënda penale ndaj ish-gjyqtares, tani avokates, Shemsije Sheholli, e cila akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka arritur afatin e parashkrimit absolut.

Gjykata e Apelit, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, në dhjetor të vitit 2016. Mirëpo, nga janari i këtij viti nuk është mbajtur asnjë seancë, për shkak të mos prezencës së ish-gjyqtares Sheholli, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Si pasojë e shtyrjeve të vazhdueshme, ka ardhur edhe deri te vjetërsimi i lëndës më 2 korrik 2017, ende pa u mbajtur asnjë shqyrtim gjyqësor pas kthimit të lëndës në rigjykim.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me kryetaren e trupit gjykues, Raime Elezi, e cila ka thënë se në këtë rast penal ka marrë të gjitha veprimet të cilat i parasheh ligji, për të siguruar prezencën e të akuzuarës në shqyrtim, por sipas saj, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Elezi ka thënë se e pandehura që nga janari i këtij viti ka refuzuar të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor me arsye se është e sëmurë rëndë dhe nuk mund ta përballojë gjykimin.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me prokurorin e rastit, Genc Nixha, i cili ka thënë se ai së bashku më gjyqtaren e rastit, kanë përdorur të gjitha mundësitë për të mbajtur rigjykimin, por sipas tij, një gjë e tillë është pamundësuar nga e akuzuara.

Nixha ka thënë se duke pasur parasysh që e akuzuara është profesioniste e lëmisë juridike, ka shfrytëzuar të gjitha metodat për t’iu shmangur shqyrtimit gjyqësor, pasi e ka ditur se do të arrihet parashkrimi absolut.

Për më tepër, ai ka thënë se në këtë rast është urdhëruar edhe sjellja me forcë e të akuzuarës, por një urdhër i tillë nuk ka arritur ta zbatojë policia me arsyetimin se e pandehura është e sëmurë rëndë.

Ndërsa, ish-gjyqtarja Shemsije Sheholli, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se është shumë e sëmurë dhe momentalisht është e palëvizshme. Ajo ka thënë se pikërisht ky rast penal, e ka sjellë atë në këtë gjendje shëndetësore. Sheholli, ka paralajmëruar se sapo të përmirësohet gjendja e saj shëndetësore, do të ndjek ligjërisht të gjithë ata, që sipas saj, e kanë dëmtuar në këtë rast.

Sheholli, tutje ka deklaruar se gjykata ka qenë tendencioze në rastin e saj, pasi që e ka dënuar me burgim, pa e administruar lëndën civile, në të cilën pretendohet se ajo ka bërë shkelje, e të cilën mangësi, sipas saj, e ka vërejtur edhe Gjykata e Apelit, për të cilin fakt edhe e ka prishur aktgjykimin në fjalë.

Për më tepër, ajo ka thënë se gjyqtarja e rastit, ka bërë shkelje, sepse ia ka dërguar policinë në shtëpi, për ta shoqëruar në seancën e 7 korrikut 2017, megjithëse pesë ditë më herët, ka arritur afati i parashkrimit.

“Betimi për Drejtësi” në vazhdimësi ka raportuar rreth këtij shqyrtimi gjyqësor.

Ndryshe, më 12 shtator 2013, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsije Shehollit, sipas të cilës e njëjta si gjyqtare në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare.

Sipas aktakuzës, Sheholli ka aprovuar kërkesën e paditësve, Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën ka vërtetuar se ata janë pronar të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”, pa ftuar në shqyrtimin gjyqësor, palën paditëse.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Sheholli i ka caktuar palës së paditur, përfaqësues të përkohshëm, pa u munduar që të sigurohet se i njëjti nuk  jeton në Kosovë, por se është mjaftuar me deklaratën e paditësve se i padituri, Ustun Sylejman, është shpërngulur në Turqi.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Sheholli, nuk i ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë në gazetën zyrtare, vendimin mbi caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm, me çka i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjorë të të paditurit Ustun, mbesat dhe nipat e tij, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq dhe Emil Popoviq.

Lidhur me këtë aktakuzë, ish-gjyqtarja Shemisje Sheholli më 27 maj 2016, është shpallur fajtore për veprat penale me të cilat ngarkohej, dhe është dënuar me 3 muaj burgim efektiv.

Ndaj këtij aktgjykimi, palët e dëmtuara dhe prokurori i rastit, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë kërkuar që të rritet lartësia e dënimit.

Po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, ka bërë ankesë ku ka kërkuar që të prishet aktgjykimi dhe rasti të kthehet në shkallën e parë për rivendosje.

Me 5 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në shkallën e parë, për rivendosje.

Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së  parë nuk ka arritur që të vërtetojë në tërësi gjendjen faktike, pasi që nuk ka administruar si provë, lëndën kontestuese për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë, ku do të vërtetoheshin nëse janë të sakta pretendimet e palës akuzuese apo asaj mbrojtëse.

Lënda penale që nga janari 2017 është tentuar të rigjykohet, por Gjykata Themelore në Prizren ka qenë e pafuqishme që të mbajë një seancë të vetme, për shkak se e akuzuara ka refuzuar të marrë pjesë në gjykim me arsye se vuan nga sëmundje e rëndë.

Nga një raport mjekësor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, përpiluar sipas kërkesë së gjykatës, thuhet se e akuzuara ka refuzuar të ekzaminohet për arsye se e ka lënduar këmbën. Tutje, thuhet se nga shkresat mjekësore që përmban lënda, pacientja nuk ka probleme neurologjike për të përballuar një gjykim, ndërsa sa i përket aspektit psikiatrik dhe kardiologjik, nuk mund të përcaktohet pasi që nuk është bërë ekzaminim direkt.