Home Blog Page 5878

Ende zemër na jep

0

Shkruan: Skender Berisha

*Dëshmori i kombit – Xhevat Berisha

Prej aty ku rri e vigjëlon
ende zemër na jep
kur duhet ngjitur përpjetë
mësues ti prap nuk fle

të gjithë e dijmë me neve je
gjithëkund bre këtu edhe atje
ndër lugjet ku ushtoi sa
edhe te Shtavat edhe në Cylen

na sheh të gjithëve si na shihje
ti i urti ynë mos vallë ke etje
ashtu si rrije në këmbë prap je
për ne liri ka punë ka jo pritje

ja kështu ti ende na shikon
teje po vijmë me përshëndetje
një gatitu një majtas kthehu
radhë radhë mes lulesh t’i prehu

11 korrik 2013,Prizren

Petersen: Kosova ta ndryshojë klasën politike!

0

Ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” thotë se qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit votuan për ndryshime. Sipas tij, ka ardhur koha që vendi ta ndryshojë klasën politike, ose kjo e fundit t’i ndryshojë prioritetet e saj. Ai megjithatë është i lumtur që Kosova tashmë është e pavarur, përderisa shprehet i zhgënjyer me mosluftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Soren Jessen-Petersen ka qenë kryeadministrator i Kosovës në kohën kur Ramush Haradinaj u zgjodh për herë të parë kryeministër i vendit në një koalicion me partinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Trembëdhjetë vjet pas Haradinaj është përsëri emri më i lakuar për shef të Qeverisë, përderisa ish-shefi i UNMIK-ut nuk dëshiron tash të flasë shumë për figurën e Haradinajt, por thotë se ka ardhur koha që Kosova ta ndryshojë klasën politike, ose kjo e fundit t’i ndryshojë prioritetet e saj.

Këto komente Jessen-Petersen i ka bërë gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, duke shtuar se është për keqardhje dhe se ka mbetur shumë i zhgënjyer që edhe 10 vjetëve pas pavarësisë ende flitet për problemet e njëjta: Korrupsionin, sundimin e ligjit, papunësinë, etj.

Duke folur për Demarkacionin dhe Asociacionin, diplomati danez shprehet se Kosova duhet ta dëgjojë SHBA-në për Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi, ndërsa për Asociacionin thotë se e ka sqaruar shumë mirë ish-presidenti Marti Ahtisari në Planin e tij për Kosovën.
Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ai ka folur edhe për fillimin e punës së Gjykatës Speciale, ku ka pranuar që ngritja e aktakuzave nga ana e saj mund të shkaktojnë tensione në vend, por vendimet e Gjykatës duhet të pranohen nga një shtet demokratik.

Petersen, që aktualisht është profesor në universitetin e Bolonjës “John Hopkins”, thotë se Kosova tani duhet ta formojë një Qeveri stabile, e cila më në fund do të punojë për interesin e qytetarëve të saj dhe jo për interesin personal dhe partiak.

Serbia do të furnizohet me gaz përmes Kosovës

0

Zgjerimi i rrjetit ndërkombëtar të gazit nga Shqipëria pritet të përfshijë Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën e Kroacinë, e nëpërmjet degëzimit të Kosovës, edhe Serbinë.

Këtë e ka paralajmëruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Kongresin Botëror të Naftës që po zhvillohet në Stamboll, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo strategji, sipas Ramës, bazohet në kompletimin e suksesshëm të gazsjellësit TAP, që pritet të përfundojë në vitin 2019 dhe me shpresën se Bashkimi Evropian do të mbështesë zgjerimin e TAP-it drejt Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjës, Kosovës e Serbisë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Shqipërisë ka nënvizuar faktin se vendi i tij ndodhet mbi një prej fushave më të mëdha të naftës në tokë në Evropë.

“Haradinaj po bën propagandë, ftesat për partitë duhet t’i bëjë bartësi i listës së koalicionit PAN – Kadri Veseli”

0

Ndonëse ftesa për takim është refuzuar shpejtë nga LDK dhe nga VV, në një intervistë për RTV Dukagjini, Haradinaj deklaroi se në javën e fundit të korrikut do të formohet Qeveria e re e Kosovës, porse shpreson që sot, pra të martën, të takojë krerët e VV-së dhe të LDK-së

Analisti Ramush Tahiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se deklarata e Haradinajt – ftesa e tij për dy subjektet e sipërpërmendura politike – është një propagandë mediatike. Ai tha se oferta për takime ndaj partive politike duhet të bëhet në mënyrë zyrtarë – pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Tahiri gjithashtu shtoi se duhet që bartësi i listës së koalicionit fitues PAN, Kadri Veseli, ta paraqes para presidentit Hashim Thaçi të nominuarin për kryeministër.

“Në këtë rast duhet që Veseli të bëjë ftesën e jo kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, sepse, ky i fundit akoma nuk është nominuar nga presidenti. Haradinaj pra është kandidat për kryeministër në një koalicionin parazgjedhor, e jo edhe pas certifikimit”, tha Tahiri.

Në anën tjetër, analisti Belul Beqaj për Telegrafin tha se ftesa e Hardinajt do të has në vesh të shurdhër.

“Nëse i ka numrat Haradinaj, kjo do të vërtetohet . Por, nëse nuk i ka, e delegjitimon vetën para publikut. Ndaj, ftesa mund të kuptohet si interesim për zgjerimin e Qeverisë, ndonëse kjo është pak e mundur nëse i kemi parasysh deklarimet publike të LDK-së e VV-së”, ka thënë ndër të tjera Beqaj, sipas të cilit ka gjasa të bllokohet formimi i Qeverisë së ardhshme të Kosovës përderisa, sipas tij, “momentalisht nuk ka asnjë zgjidhje racionale politike”.

Edhe analisti Ilir Ibrahimi ka thënë se Haradinaj duhet ta dëshmoj veten në Parlament.
“Votat për Qeveri sigurohen përmes një negocimi konstruktiv dhe transparent”, ka thënë ai për Telegrafin, duke shtuar se ftesa e së hënës është pjesë e një zhvillimi normal. “Në shumë demokraci parlamentare ndodh shpesh që fituesi nuk arrin ta sigurojë shumicën e thjeshtë për të votuar Qeverinë dhe kjo arrihet përmes votave të partive tjera”.

Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i ka kthyer përgjigje Haradinajt duke thënë se nuk do t’i përgjigjet ftesës pasi subjekti i tij nuk do të hyjë në asnjë koalicion me PDK-në. Në lidhje me këtë ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, e cila ftesë e ka quajtur joparimore dhe jo të ndershme. Ndërsa, kreu i VV-së, Visar Ymeri, ka thënë se me Hardinajn do të takohet veç kur ai (Haradinaj) “del nga koalicioni PAN”. /Telegrafi/

Njëjtë si Shyhrete Berisha edhe Mihrije Berisha po lufton për të drejtën e saj në pronë

0

Mirije Berishës iu vra bashkëshorti, Jashar Berisha, nga forcat serbe më 1999. Tashmë 69 vjeçare, thotë se është trashëgimtare e pronës dhe shtëpisë ku jeton.

Mirije Berisha thotë se e drejta e pronës po i mohohet nga dy vëllezërit e ish-bashkëshortit të saj, Miftar dhe Eqrem Berisha, raporton KTV.

Për këtë ajo ka paditur kunetërit e saj, Miftarin e Eqremin në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë.

Përkrahje për të drejtën e pronës i ka dhënë vëllai tjetër i ish-bashkëshortit të saj, i cili ka hequr dorë nga trashëgimia e kësaj prone.

Pas padisë së bërë, u mbajt seancë në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë. Në këtë seancë, avokati Naim Qelaj ka thënë se prona dhe shtëpia i takojnë Mirije Berishës.

Ndërsa, i padituri Eqrem Berisha pretendon të jetë trashëgimtar i pronës dhe shtëpisë së Mirije Berishës.

Të paditurit Eqrem Berisha i pengoi prezenca e ekipit të KTV-së për ta përcjellë këtë seancë dhe u shfaq i nervozuar me gjyqtarin Shaban Zeqiri.

Përjashtimin e ekipit të KTV-së nga kjo seancë e përkrahu edhe avokatja e tij.

Por, gjyqtari u shpreh se kjo seancë është publike dhe mediat mund ta përcjellin atë.

Mirije Berisha zotohet se këtë përballje ligjore me kunetët e saj do ta çojë deri në fund, derisa të bëhet trashëgimtare e pronës dhe shtëpisë, të cilën e ka ndërtuar së bashku me ish-bashkëshortin e saj të vrarë.

Po për të njëjtën arsye, kjo gjykatë i ka dhënë trashëgiminë e gjysmës së shtëpisë Shyhrete Berishës, e cila fillimisht ishte penguar nga kunati i saj ta shfrytëzonte atë.

Naim Qelaj, për të drejtën e Shyhrete Berishës: Klientja ime më në fund ndjen një fitore morale

0

Në emisionin “Përballje” – prodhim nga Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu – është diskutuar rasti gjyqësor i të mbijetuarës së masakrës së kryer nga forcat serbe ndaj familjes Berisha në Suharekë, gjatë vitit 1999.
Avokati Naim Qelaj ka deklaruar se klientja e tij, në telefonatën që kanë pasur pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren (Dega në Suharekë), ka qenë shumë e emocionuar që rasti i saj pas 17 vitesh ka përfunduar në dobi të saj – ani pse jo me vendim fuqiplotë.

“Gjykata në Suharekë, që nga viti 2000 është përballur me kërkesën që ajo të kthehet në shtëpinë ku ka jetuar e ku ishin kujtimet e fëmijëve e të bashkëshortit të saj”, ka thënë ai. “Ajo ka thënë se ky vendim është lajm i mirë për të, sepse po triumfon e drejta. Telefonatën u ndërpre shpejtë, për shkak të gjendjes emocionale të saj”.

Në anën tjetër, Luljeta Demolli – drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore – ka thënë se ky rast ka gëzuar të gjithë aktivistët që kanë lobuar për temat si ajo e së drejtës së pronës.

‘Ky rast i ka përshkruar të gjitha dobësitë në sistemin tonë të drejtësisë e në sistemin tonë shoqëror për mos njohjen e pronës që i takon gruas si pjesë e barabartë e shoqërisë dhe familjes”, ka thënë ajo.

Shyhrete Berishës, së cilës më 1999 ia vrasin fëmijët dhe burrin, më në fund i njihet e drejta mbi pronësinë e gjysmës së shtëpisë dhe të tokës në të cilën ka jetuar me familjen. /Telegrafi/

Arrestohen në kufi dy kosovarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar

0

Dy shtetas kosovarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë arrestuar në policia kufitare e Morinës.

I pari është 27-vjeçari Pajtim Shala, 27 vjeç, nga Kleqke e Kosovës.

Ai u kap në hyrje të PKK Morinë, ku gjatë regjistrimit në sistemin rezultoi shtetas “i shpallur në kërkim ndërkombëtar”, nga autoritet zvicerane, i dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për trafik droge.

Pritet ekstradimi i 27-vjeçarit drejt Zvicrës. Materialet për këtë rast do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Personi tjetër i arrestuar është Zahir Ymeri, 29 vjeç, nga Podujeva.

Edhe ai, gjatë regjistrimit në sistem rezultoi “shtetas i shpallur në kërkim kombëtar” e pas kësaj u arrestua.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës me vendim penal datë 14.06.2016, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”. Ai ju dorëzua Drejtorisë së policisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme, bëjnë me dije burime nga Policia Kufitare e Shqipërisë.

DokuFest XVI shpall programin e filmave në garë

0

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest shpalli sot programin e filmave në garë për edicionin e 16-të, i cili do të mbahet nga 4 deri 12 gusht në Prizren.

Festivali, ku përfaqësohen 50 shtete, në gjashtë kategoritë garuese do të shfaqë 102 filma, përfshirë dy premiera botërore, dy premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Tetë filma në kategorinë kombëtare poashtu do të kenë premierën botërore në festival.

“Filmat dokumentarë të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale e karakterizojnë përzgjedhjen e këtij edicioni të DokuFest, me një numër të filmbërësve që rikthehen e prezantohen për herë të dytë ose tretë në festival, ku do vijnë dhe filmbërës të rinj, puna e të cilëve është përfshirë nëpër seksionet garuese”, deklaruan sot organizatorët.

Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World, programin e kuruar për temën qendrore të festivalit “E ardhmja”, programin retrospektiv të një filmbërësi të rëndësishëm amerikan si dhe programet tjera speicale.

“DokuFest është i vendosur të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë”, u shpreh drejtori drtistik i festivalit Veton Nurkollari. “Ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërërit e ri dhe mjeshtërat e kinemasë, publikut tonë në rritje”, theksoi ai.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Korrupsioni ishte tema qendrore e DokuFest 2016, ndërsa janë mbajtur punëtori, panele, debate, master klasa, ekspozita dhe një seri e organizimeve në kuadër të DokuNights, që kanë përfshirë edhe yjet botërorë si Omar Souleyman dhe Yasmine Hamdan.

Interesim i madh për regjistrim në UP

0

Sot është hapur konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës. Studentët kishin mbushur korridoret e fakulteteve për të pritur në radhë deri në kohën e dorëzimit të dokumenteve

Një prej kandidatëve të shumtë të cilët po synojnë të pranohen në Fakultetin Filozofik është edhe Diellza Stullca. Ajo ka thënë për Ekonomia Online se beson që drejtimi që ka zgjedhur ka perspektivë në të ardhmen.

“Unë pasi e kam përfunduar shkollën e mesme kam ardhur të regjistrohem në Fakultetin Filozofik, departamenti Psikologji. Duke parë që Kosova ka nevojë për psikolog dhe duke e pas dëshirë si e vogël kam vendosur të studioj psikologjinë dhe shpresoj të më realizohet kjo dëshirë”, tha Stullca.

Ndërsa, Fatvera Jonuzaj ka vendosur që studimet t`i vazhdojë në departamentin e Historisë.

“Arsyeja pse kam zgjedhur historinë është se është një lëndë e rëndësishme për mu. Gjithmonë prej kur kam qenë fëmijë e kom dashur. Më kanë tërhequr luftërat,vuajtjet, sakrificat që i kanë bërë populli shqiptar për me ardhur deri të kjo pavarësi që ne po e gëzojmë sot”, tha Jonuzaj.

Numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike të vendit për vitin akademik 2017/2018 është 15.255, ndërsa shtesë e këtij numri do të jetë edhe kuota prej 12 për qind për studentët e komuniteteve jo shumicë dhe në disa universitete do të ketë edhe kuota për kandidatët e viseve tjera shqiptare (Shqipëri, Luginë e Preshevës, Maqedoni, Mal i Zi), si dhe për familjarë të ngushtë të dëshmorëve të Kosovës.

Vetëm në Fakultetin e Filologjisë do të pranohen 697 studentë. Dekanja e këtij fakulteti, Lindita Rugova tha për Ekonomia Online se ka bërë të gjitha përgatitjet për pranimin e studentëve të rinj.

Madje ajo është kujdesur që një pjesë të studentëve t`i sistemojë edhe në amfiteatrin e këtij fakulteti në mënyrë që t`ia bëjë më të lehtë pritjen për regjistrim studentëve të rinj.

“Për shkak të numrit të vogël të administratës që e kemi në fakultet nuk po mundemi qind për qind t`i plotësojmë të gjitha kushtet e pranimit në kuptimin që të kemi më shumë njerëz t`i pranojnë dokumentacionin më shpejt, e tërë procedura të shkojë shpejt. Mirëpo, edhe me stafin që e kam, kemi bërë përgatitjet e duhura që gjithçka të shkoj mirë”, tha Rugova.

Konkursi për pranimin e studentëve është hapur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ditën e premte, mirëpo fakultetet kanë filluar me pranimin e studentëve nga sot.

Zvarritjet e hapjes së këtij konkursit kanë ndodhur për shkak të mos koordinimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Senatit të Universitetit të Prishtinës.

Kryesia dhe 13 nëndegë në Therandë, largohen nga AKR-ja

0

Njeriu që si kryetar i Degës e riktheu AKR-në në Therandë, duke i themeluar 13 nëndegë në gjithë komunën, është shkarkuar nga presidenti i AKR-së, pas zgjedhjeve të fundit, pa asnjë vërejtje paraparake. Me shkarkimin e kryetarit të Degës nuk pajtohet kryesia e Degës, Forumi i Gruas , Forumi i Rinisë dhe 13 nëndegë të cilat largohen nga AKR-ja.

Kryesia e Degës së AKR-së në Therandë, Forumi i Gruas, Forumin i Rinisë dhe 13 nëndegë kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik. Kjo ka ndodhur pas një vendimi të presidentit të AKR-së që ta shkarkojë kryetarin e Degës Mustafë Kadriajn.

Në një deklaratë shpërndarë medieve, thuhet se Dega e ka pranuar me qetësi vendimin, sepse thuhet në deklaratë “është sa i pabazuar, po aq edhe komik”

Më tej në reagim thuhet se vendimi në adresë të kryetarit të Degës Mustafë Kadriajt ka ardhur me 07.07.2017 ndërsa është protokolluar me 28.06.2017. Brenda dokumentit është edhe një datë tjetër, Prishtinë 24.06.2017. Datat tregojnë sa jo serioz është ky vendim, sepse presidenti Pacolli ka marr vendim për shkarkim në mbledhjen e mbajtur me 30.06.2017 ndërsa është protokolluar me 28.06.2017” thuhet në reagim.

Kryesia, përkatësisht kryetarët e nëndegëve e vlerësojnë këtë vendim si aspak të argumentuar, sepse thuhet më tej në deklaratë, deri në vendimin nga presidenti i AKR-së nuk kemi asnjë vërejtje për kryetarin, e po ashtu nuk e dimë se cilat qëndrime nuk i ka përmbushur kryetari ndaj Kryesisë qendrore, si dhe cilat shkelje i paska bërë në lidhje me politikat dhe programin e AKR-së.

Sipas strukturës së Degës në Therandë Vendimi për shkarkimin e kryetarit të Degës bëhet edhe më kundërthënës kur thuhet që ai ka krijuar përçarje në degë. Përkundrazi përçarja ka ardhur nga njerëzit servilë të presidentit Pacolli, e që nuk janë as anëtarë në librin amë të AKR-së në Suharekë, siç është znj. Albena Reshitaj, e cila është pjesë e Kryesisë qendrore, njëherësh edhe nënkryetare e AKR-së, por pa i kaluar procedurat e anëtarësimit ashtu siç kanë qenë për të gjithë anëtarët në nivel të degës,e po ashtu edhe në Kryesinë qendrore. Për këtë mban përgjegjësi presidenti i AKR-së,z. Pacolli. Prandaj, ne si kryesi ia rikujtojmë presidentit Pacolli, kryesisë qendrore dhe opinionit të gjerë se problemi ardhur nga shpifjet e të përkëdhelurve të presidentit Pacolli (Albena Reshitaj dhe Alban Lumi).

Kryesia e Degës, kryetarët e nëndegëve, Forumi Rinor dhe Forumi i Gruas jemi në mbështetje të kryetarit të Degës dhe me këtë ne si degë e AKR-së jemi kompakte dhe do të vazhdojmë si strukturë, por jo me akronimin AKR” thuhet në deklaratë.

Argument tjetër që vendimi i presidentit Pacolli është kundërthënës sipas strukturës bnë Suharekë e dëshmon edhe falënderimi i presidenti Pacolli për kryetarin e Degës,z. Mustafë Kadriaj, duke e falënderuar për rezultatet dhe angazhimet në zgjedhjet e fundit, e kjo dëshmohet edhe me e mailin e dërguar nga sekretarja e Kuvendit, Mimoza Muja.

Ne deklaratën e Degës së AKR-së në Therandë është edhe letra falënderuese nga presidenti Pacolli për kryetarin e Degës në të cilën mes tjerash thuhet “Unë të jam shumë mirënjohës dhe falënderues për përkushtimin tënd. E vlerësoj shumë çdo gjë që ti ke dhënë nga vetvetja për të mirën e këtij vendi. Unë e di se përkushtimi yt do të shpërblehet, sepse ti shërbeve me sinqeritet, tregove durim dhe maturi, ishe tolerant, prandaj unë besoj se rruga jonë është ajo e duhura për popullin tonë, nuk është më e lehta, por është e vetmja”.

Në deklaratën e gjatë shpërndarë medieve jepen hollësi të punës së kryetarit të Degës Mustafë Kadriajt, i cili AKR-në në Therandë e ktheu nga gjendja inekzistente. Në zgjedhjet e vitit 2013 i kishte vetëm 118 vota ndërsa pas gjashtë muaj angazhim të Mustafë Kadriajt, pas marrjes së timonit të Degës si koordinator, në zgjedhjet e vitit 2014 AKR në Suhrekë u gjashtëfishua, ndërsa deri në zgjedhjet e fundit i formoi 13 nëndegë, me tendencë të shtrirjes edhe më të madhe në terren. Në deklaratë gjithashtu përshkruhen edhe aktivitetet e kryetarit të Degës, prononcimet e tij në media në promovim të AKR-së, si dhe aktivitetet kundër AKR-së të disa personave që janë brenda AKR-së ndërsa punojnë për të tjerët.

Në deklaratë është edhe një shqetësim i Degës për një premtim të pa mbajtur. Sipas deklaratës Shtabi qendror i AKR-së u kishte premtuar secilit vëzhgues që do ketë mbi 5 vota në vendvotim do të kompensohet me nga 50€, ndërsa si bazë do të kenë 20€.

“Pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 të gjithë u kompensuan me nga 20€, pa marrë parasysh rezultatet, e ky premtim ka qenë nga Shtabi Qendror i AKR-së. Për këtë mashtrim nga qendra, ne si kryesi i kemi kaluar ditët më të vështira nga presioni i vazhdueshëm nga vëzhguesit, të cilët me të drejtë i kërkonin mjetet e premtuara.

Pra, për ne si Kryesi e AKR-së në Suharekë, AKR-ja e ka humbur të drejtën morale që të dalë para qytetarit, kështu që ky është edhe një argument më shumë që më të mos jemi pjesë AKR-së” thuhet ndër të tjera në deklaratën e kryesisë së Degës së AKR-së në Suharekë. /R.Berisha/Gazetaere.com/