Home Blog Page 5879

Ymeri pranon takimin me Haradinajn vetëm nëse del nga PAN-i

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se pranon ftesën e Ramush Haradinajt për takim vetëm nëse del nga koalicioni me PDK-në.
Postimi i Ymerit në Facebook:

Sot kam pranuar një letër prej Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt. Prej letrës së tij, kuptohet që z. Haradinaj dëshiron takim, por nuk është i qartë qëllimi i këtij takimi. Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit ky nuk është roli e as detyra e z. Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë Z. Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit për mbledhjen e parë. Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi të dalë prej PAN-it.

LDK “bllok” ftesës së Haradinajt

0

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se nuk do t’i përgjigjen ftesës së Haradinajt për takim pasi kanë thënë njëherë se nuk do të hyjnë në asnjë koalicion me PDK-në.
Ai tha se ata si koalicion do të presin që PAN të provojë ta formojë Qeverinë.

Muatafa tha se takimi i kryesisë së Lidhjes Demokratike ishte për të diskutuar rreth zgjedhjeve lokale

Haxhi Avdyli: Numrat sigurohen vetëm në tregun e kafshëve

0

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli ju ka bërë thirrje partive politike që të ulen e të diskutojnë për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Këtë thirrje ai e ka bërë nga Shqipëria.

Sipas tij, fomimi i Qeverisë nuk bëhet me pazare.

“Sigurohen numrat në tregun kafshëve kur i ke 39 dele dhe të nevojiten edhe disa për ti bërë një kope”, shkruan ai në Facebook.

Postimi pa ndërhyre jën Facebook

A është numër deputeti?

Po deputeti është shuma e besimit të mijëra votuesve.
Prandaj ai besim i mijëra votuesve nuk është mall për tu shitur.
Ata e dhanë besimin në ne , për ti përfaqësuar, për ti përcjell shqetësimet, brengat dhe ambiciet.

A sigurohen numrat si në pazar?

Po sigurohen kur politikën e sheh si treg e si biznis i pasurimit të pasluftës. Sigurohen numrat në tregun kafshëve kur i ke 39 dele dhe të nevojiten edhe disa për ti bërë një kope.

A jemi dele apo njerzë që duan ti shohin njerzit në sy që besuan e deleguan te ne dicka?

Në politikë numrat sigurohen me dialog e negocim për programin qeverisës për katër vite.
Uluni, bisedoni e negocioni e lene aksham pazarin e shitblerjes që çdo njeri me dy kokrra mend e dy gishta fytyrë do e nënçmonte e lëre një deputet i zgjedhur i cili sështë i punësuar me konkurs të Pronto-s
Të fala nga Shqipëria.

Bie numri i pickimeve nga rriqrat në Malishevë

0

Deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me ethe hemorragjike (EHKK), ndërsa edhe numri i rasteve te pickimeve nga rriqrat është në rënie, në raport me vitet e kaluara. Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, e cila është udhëhequr nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hajdin Berisha, duke raportuar në mbledhjen e sotme, tha se “pothuajse kanë përfunduar së realizuari të gjitha masat mbrojtëse në raport me luftimin dhe parandalimin e EHKK dhe aktualisht është duke u realizuar vetëm edhe faza e katërt e repelimit të kafshëve”. Më pas drejtori Berisha, konfirmoi se nuk ka asnjë rast të regjistrua me ethe hemorragjike, ndërsa edhe numri i rasteve të thumbimeve nga rriqrat, është në rënie.

Gjatë raportimeve të tyre, përgjegjësit e drejtorive komunale, bënë të ditur se janë duke vazhduar me realizimin e planifikimeve të tyre, si dhe janë duke u realizuara të gjitha projektet e kontraktuara dhe sipas planifikimeve.

Në këtë mbledhje, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sejdi Paçarizi, ka bërë të ditur se janë përgatitur për mbajtjen e ushtrimit fushor “Mirusha 2017”, që do të mbahet më 11 dhe 12 korrik (të martën dhe të mërkurën e kësaj jave). Drejtori Paçarizi, gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë natës së mbrëmshme, për shkak të erërave të fuqishme, janë shkaktuar disa dëme në kulme të shtëpive dhe dëme tjera, kryesisht ne fshatin Carrallukë dhe për këtë qëllim ekipet vlerësuese kanë dalë në terren për verifikimin e dëmeve.

Haradinaj fton në takime Vetëvendosjen dhe LDK-në

0

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinaj ka treguar se i dërguar një letër kryetarit të Vetëvendosjes Visar Ymeri, kryetarit të LDK-së Isa Mustafa dhe krerëve të Listës Serbe me qëllim që deri sot një javë të mbahet seanca konstituive dhe pas saj të mbahet seanca për formimin e Qeverisë.Haradinaj pret që nga sot deri të hënën tjetër të përfundojnë punët në mënyrë që t’i ipet Kosovës Qeverinë në afat rekord.

“Për nesër kam propozuar takim me Visar Ymerin dhe Isa Mustafën”.

“Kam propozuar që takimi të mbahet në zyrat e Kuvendit. Nuk do të ndalemi me fol me çdo deputet të zgjedhur të Kuvendit. U siguroj që Qeverinë do ta kemi në afat rekord. Si i nominuar përparësi i jap një koalicioni sa më të gjerë”, tha Haradinaj

.Sa i përket takimit me ambasadorin amerikan Greg Delawie që u mbajt para mbledhjes së Kryesisë Haradinaj tha se kanë konsulta të rregullta për të biseduar për temat që janë në interes të vendit.

Nis regjistrimi i studentëve

0

Nga ora 10:30 ka nisur aplikimi online për regjistrim në vitin akademik 2017 2018 në të gjitha drejtimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ani pse të pakënaqur me procedurat e aplikimit online të rinjtë që pretendojnë të bëhen studentë u shprehën optimist se përkundër numrit të madh të aplikuesve do të pranohen në drejtimet përkatëse në të cilat po shpresojnë që të regjistrohen.

Sivjet universitetet publike të Kosovës do të pranojnë 15 mijë e 255 studentë ndërkaq vetëm UP-ja do të pranoj 7 mijë e 200 studentë

Liria si huti kolektive

0

Shkruan: Xhemal Ahmeti

Shqiptarët duan demokraci kualitative, mirëqenie dhe shtet ligjor. Duan vetëm. Idetë e tyre të bukura për përparim, mirëpo i bllokojnë dhe shkelmojnë vetë; me veprimet e tyre konkrete aktuale, aktive, praktike. Ku është defekti që sjell këtë diskrepancë të rëndë ndërmjet dashjes dhe veprimit?Po të mos e donin, dëshironin, ëndërronin paraprakisht e me dekada shqiptarët çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës a do të ndodhte ajo?Në trilogjinë e tij për Wallenstein-in Schiller e ka një dyvargësh konstativ që thotë: «Hulumtova unë së pari bërthamën e Njeriut, kështu e di unë Dashjen dhe Veprimin e tij» [1796-99]. Në rrafshin e Psikologjisë Sociale dhe asaj të Masave, sidomos në bazë të faktografisë antropohistorike është bërë një punë kolosale në këtë drejtim, rezultate, të cilat na dokumentojnë udhën dhe finalen që nga lindja e «iluzionit», procesin e masivizimit të tij e deri tek formulimi si ideologji apo programatikë konkrete për realizim. Këtë, specialistët do ta formulonin ndoshta në këtë mënyrë: Ideja energjetizohet (en= brenda + ergon=vepron) deri në atë shkallë saqë bëhet frymë kolektive, fuqi e gjallë, akti dhe potenca, shtabi komandues i mendësisë së një gjenerate, e cila nëse nuk realizon vetë dëshirat e kolektivit i le ato trashëgimi.Dhe kjo nuk donë më shumë filozofi. Ose u shpjegua bukur me vargun aq preciz të Schiller-it.
Masave u duhen ideale, synime të cilat ato i përkthejnë në dëshira, i materializojnë në programe, ideologji, traditë, të cilat kryesisht mund të jenë regresive apo progresive, por të domosdoshme për të mbetur potente (dynamis) në jetën e tyre. Natyrisht se edhe kjo lloj lufte brenda frymës dhe mentaliteteve ka konkurrencë prej fantazmave të shumësojshme akulturuese, fiksasione të fabrikuara gjatë përdhosjes së përnatshme të psikës e të llojit dhe nga plotë agjentë utopikë, të cilat lehtësojnë por edhe neglizhojnë realitetet ekzistuese, por gjitha këto janë të në përputhje me dinamikën e jetës humane. Diversiteti është vetëm kështu i mundshëm.

II.
Për shekuj, shqiptarët ishin të çliruar nga kjo konkurrencë e llojit. Jo se ishin të mençur apo njëdimensional, porse ishin të robëruar. Dhe është apodikt argumenti se tek qenia e paliri, rrugët, format e luftës janë sekondare, liria është primare. Veç pas “fitimit” të saj lindin problemet, sepse mungon tradita e menxhimit me të. Nuk mëson të sillet me fëmijë si prind pa i pasur ata. Shqiptarët janë ekspertë të mbijetimit por aspak të lirisë, kjo është duke u mësuar, po si?Kur vjen kjo e fundit, liria pra, prandaj edhe nis hutia e madhe, ngase fryma e lodhur aq gjatë hynë në stadin e pushimit, vegjetimit, vjen ajo situatë që Lucius Seneca ua atribuonte të vetëve kur nuk përparonin duke u thënë: «Mosdashja është arsyeja e jo pamundësia».

E para çka duan shqiptarët sot dhe e dyta sa mund t’i identifikojmë dëshirat e sotme shqiptare?
Qëkëtej le të bëhet gati Schiller se do t’ia tregojmë falsitetin e filozofemës së tij. Gjendja aktuale e frymës shqiptare demanton atë që thotë; hulumtova esencën e njeriut, di pra se çka donë ai dhe si do të veprojë. Sa më shumë të zhytemi në anatominë, fiziologjinë e dëshirave, dashjeve shqiptare aq më shumë bindemi se ato janë jo në favor të një veprimi realizues të tyre, por në luftë me to. Pra veprimet në luftë me ato që diagnostikohen si kërkesa, lutje, dëshira, synime, pse?

III.
Ja le të lëshohemi në terrenin praktik: nëse lexojmë mediat, veprat portestëpërmbajtëse të arteve aktuale, shkrimet e autorëve të lexueshëm, librat, manifestimet publike (a)politike duket sikur ideja dëshirë për një shtet ligjor, demokraci kualitative, mirëqenie është po aq e kristaltë siç ishte liria dikur. Bindemi pra se kjo është dashja supreme e fraksionit më të madh brenda frymës shqiptare.
Këtë e lokalizuam.Tash le ta çajmë veprimin për t’ia ekzaminuar organet se sa është konform kësaj dashjeje kolektive.
Kush do të bëhet kryeministër? Albin Kurti apo Ramush Haradinaj? Kjo është pyetja më akute, elektrizuese, ndarëse, përçarëse, zbavitëse dhe tragjikomike e mediave, elitave dhe të gjithëve. Duan shtet ligjor, demokraci kualitative, përparim por mundësisht me një kusht: gjitha këto të bëhen nga Kulti i preferuar, i cili në këtë e atë botë vetë si qenie është kundërshtia e gjithë atyre dëshirave lartë, ngase i pengon, kushtëzon ato me një subjekt, e cili edhe po të ishte perëndia vetë nuk i bën dot. Lere më se kemi të bëjmë nga njëra anë me praktikuesin e një ideologjie të një bagazhi dyqindvjet të dështuar e antihumane dhe nga ana tjetër me një pa ideologji fare e që varret nga këshilltarët e tij mediokër.

Frymës konstruktive për ato dëshira të listuara më lartë nuk i interesojnë figurat apriori – sidomos kur nuk dallojnë shumë – por u intereson ndikimi i tyre për t’i detyruar që t’ua realizojnë synimet për të cilat i delegojnë. Dakord jemi me hipotezën; po të ishte fryma konstruktive me veten nuk do përfaqësohej nga ata që i shan me vite pastaj – në trajtën e një vetëdënimi për truzbrazëtinë?Edhe më keq: duan shtet ligjor, demokraci kualitative, mirëqenie duke u strehuar madje edhe në fantazma akulturore që konfirmojnë Horacin që thoshte: «Kush donë diçka është i detyruar të dojë edhe mjetet e saja», mjete mirëpo që janë totalisht e kundërta e atyre që prodhojnë demokracia, barazia, shteti ligjor postmodern e të vijës. Nuk mund të duash paqe koekzistenciale me thika e bomba në gjoks.

Edhe më banalisht: Dua shtet ligjor – t’i jap 200 euro ma sjell pasaportën sot. Duam mirëqenie – më jep rrogë pa punuar fare. Duam demokraci kualitative – nuk qeverisim me këta apo ata 20%. Duam ambient sipas standardeve ekologjike – hidhi qyta pampersat se nuk shkohet deri tek kontejnerët e deri në pafundësi.

IV.
Nga vjen kjo diskrepancë shqiptare ndërmjet dëshirave të masave dhe veprimit të tyre komplet kundër atyre që deklamojnë si të tilla? Ky është afekti i masave të paorientuara. Është statusi i një frymë të lënë bosh ose që injektohet me bakterie virale që shpërndahen në formë tekstesh e opinionesh nga ata që as vetë nuk e kanë ëndërruar e dëshiruar veten dhe lirinë e tyre deri në fund. Kur unë dua me çdo kusht mirëqenien përpiqem ta ëndërrojë zgjuar atë që nga aksioni i parë e deri tek blerja e lojërave për fëmijët me paret e mia. Është princip ky që duket i natyrës individuale, poqë vlen në çdo kategori e volum.

Njerëzit kapen për personave, idoleve dhe kushtëzojnë gjithë sistemin me to kur dashja, dëshirat e tyre janë vetëm ide të bukura, formë-iluzioni por jo të mbushura e materializuara me dije, informim të drejtë se si arrihen ato.Ku gjendet defekti që ka sjellë shqiptarin në këtë kontradiktë kaq të thellë e depresive që ta sjell aq gjallë portretin e atij rebelit të Charles Baudelaire-it parasysh: „Engjëlli edukon siç donë më së shtrenjti/dhe detyron rebelin me grushte të mëdha; I mallkuari mirëpo thotë: „Nuk dua“.Nuk donë vetëm ashtu për qejf shqiptari të realizojë dashjet e tij? Jo. E thamë lartë. Ai nuk donë për arsye se nuk dinë se si dashja e tij të shndërrohet në veprim konkret, konstruktiv dhe efektiv të atyre që synon. Nga padija veprimet e tij janë pikërisht pengesat dhe bllokada që ia thyejnë çdo urë për ta kaluar lumin e dështimeve të tij. Nuk ka kush ia tregon. Në këtë drejtim ka dështuar arsimi, shteti, mediat, intelektuali, artisti dhe të gjithë së bashku. E se partive iu konvenoin një frymë e këtillë s’kemi nevojë për studime më të thelluara.

Kanosi policët, arrestohet një person në Dragash

0

Një person në fshatin Bellobrad të Dragashit gjersa ka qenë duke lëvizur me veturë ka kanosur verbalisht zyrtarët policorë gjatë detyrës dhe është larguar në drejtim të panjohur.

Policia njofton se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje

PAN-i  (s)fitoi

0

Shkruan: Blerim Çoçaj

Koalicioni  parazgjedhor, PAN,  (s)fitoi  në  zgjedhjet e 11 qershorit. Ky koalicion në këtëo zgjedhje, ka pësuar humbjen më të madhe se,  sa koalicionet apo partitë tjera.

Arroganca e pak numrave nuk e bënë fitues PAN-in.

Janë shumë faktorë që ndikuan  PAN-i  të (mos)fitojë. Votuesit ndëshkuan koalicionin e natës.

Vendimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe atij të Nismës, Fatmir Limaj, për të garuar bashkë me PDK-në, doli të ketë qenë i gabuar, jo vetëm në zgjedhje, por edhe pas zgjedhjeve.

Haradinaj e  Limaj, me hyrjen në koalicion me PDK-në,  dogjën të gjitha “kredit” e fituara gjatë kohës si opozitë.  Përveç, që zhgënjyen votuesit e tyre në zgjedhje,  pas zgjedhjeve,  po e humbin edhe partneritetin me partitë e tjera, vetëm për të shpëtuar nga balta  Klanin “Pronto” të  Kadri Veselit.

***

Koalicioni parazgjedhor, PDK, AAK dhe Nisma, përveç që ishte befasues, ishte edhe i panatyrshëm. Një gjë e tillë është parë edhe gjatë fushatës zgjedhore. Tri partitët në koalicion, në vend që të bëjnë fushatë për fitore, ato më së shumti bënin kundërfushatë ndaj vetevetës.

Kandidatët për deputetë të PDK-së, shanin  të  AAK-së e Nismës, kurse të Nismës shanin ata të PDK-së. Ata të AAK-së, ndërkaq bënin sikur nuk dëgjonin asgjë !

Dhjetë ditë luftë të brendshme!

Votuesit i ndëshkuan  të gjithë !

Ata, u përcaktuan për opsionin e Vetëvendosjes.

AAK dhe Nisma u bënë “kurban” i PDK-së, që deri dje e quanin parti e krimit dhe korrupsionit. Tash po këtë parti, që ata e quanin “parti e krimit”, po tentojnë me cdo kusht ta mbajnë në pushtet edhe një mandatë !

Arsye është banale !

Kosovës, po dëshirojnë t’ia sjellin ndryshimin me PDK-në, që deri në koalicionin e natës, e quanin   parti e krimit  dhe korrupsionit !!!

***

Kryetari i PDK-së, Kadri  Veseli, deri më tash, nuk ka treguar që  dallon nga paraardhësi, Hashim Thaçi.

Ekziston vetëm një dallim mes Thaçit  dhe Veselit.

Thaçi e promovonte haptas krimin e PDK-së, ndërkaq Veseli,  vetëm po e kamuflon dhe mjegullon këtë krim. Shembull konkretë është Qeveria e PDK-së në Prizren, në krye me Ramadan Mujën.

Hashim Thaçi, e rikandidoi  për kryetar të Prizrenit, Ramadan Mujën, ndonëse  bashkë me drejtorët e tij, ishte duke u përballur me organet e drejtësisë.

Ndërkaq, Kadri Veseli, e kamuflojë këtë veprim të Thaçit, duke shkarkuar drejtorët e Mujës.

Krimi nuk u ndal…!

Ai, çdo ditë po thellohet !

***

Zgjidhja më e mirë e koalicionit PAN, pas zgjedhjeve, do të ishte ndarja. Ky koalicion i panatyrshëm, edhe nëse do të formon Qeverinë nuk do t’ia sjellë ndryshimin  vendit.

Ramush Haradinaj, mirë është të tregojë  mënyrën se si do të c’kapë shtetin  nga PDK-ja, si kryeministër i Kosovës. Formimi i (pa)mundshëm i Qeverisë me deputetë individual  të  partive tjera, tregon më së miri se PAN, nuk ishte fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, dhe se me këtë koalicion nuk vjen ndryshimi.

Kontrabandimi nuk është zgjidhje.

PDK-ja,  duhet të dërgohet në opozitë, ashtu siç  vepruan votuesit  në zgjedhje.

Kosova ka nevojë për një koalicion paszgjedhor qeverisës  mes Vetëvendosjes, AAK-së, Nismës dhe LDK-së.  AAK dhe Nisma,  nuk do të duhej të mbanin  vetveten peng të PDK-së. Kosova ka nevojë për ndryshim. Për një qeverisje të mirë.  Pa krim dhe korrupsion. Koha ka ardhë që PDK-ja, duhet  të japë llogari për krimin dhe korrupsionin e instaluar në Kosovë.

Vizat nuk mund të hiqen me PDK-në në Qeveri. Bashkimi Evropian, ka përcaktuar qartë kriteret të cilat Kosova duhet t’i plotësojë për heqjen e vizave. Nuk është vetëm demarkacioni me Malin e Zi. Kriteri kryesor është luftimi i krimit, që është instaluar gjatë kohës sa ka qeverisur PDK-ja. Prandaj, ka ardhur koha që ky subjekt politik të dërgohet në opozitë.

Mos na mbani të izoluar  për PDK-në !

Botohet ‘Katalog me eksponate nga rajoni i Prizrenit’

0

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren pas një angazhimi disa mujor ka botuar “Katalogun me eksponate arkeologjike dhe etnologjike nga rajoni i Prizrenit”.

Iniciativa e Qendrës Rajonale për Trashimi Kulturore në Prizren për botimin e këtij katalogu është vetëm njëra nga objektivat e punës së qendrës, që do të jetë gjithsesi nxitëse edhe për angazhime tjera dhe prezantime tjera të vyera të trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore të regjionit tonë. Eksponatet në pjesët e katalogut janë një përmbledhje e rezultateve të më hershme të institucioneve kompetente si dhe e rezultateve të viteve të fundit të veprimtarisë shkencore të institucioneve të Trashëgimisë Kulturore të Republikës së Kosovës.

Katalogu me eksponate arkeologjike dhe etnologjike ndahet në tre pjesë: Në pjesën e parë janë të prezantuara gjetjet arkeologjike në Regjionin e Prizrenit, që janë të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Kosovës, që kryesisht janë eksponate të gjetura në qendrat arkeologjike të Vlashnjës, Reshtanit, Hisarit Korishës, Romajës Vërmicës, Prizrenit, Shirokës, Rahovecit, Malishevës…

Në pjesën e dytë të këtij katalogu janë përfshirë eksponatet e ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Regjionit të Prizrenit, ku janë të prezantuara kryesisht gjetjet në varrezat e luftëtarëve në qendrën e arkeologjike në Romajë, në Vermicë, në Vlashnje dhe disa gjetje rasti në Prizren e rrethinë. Një pjesë e këtyre eksponateve janë të shekullit VII – IV p.e.s, përkatësisht të kohës së hekurit.

Në pjesën e tretë të katalogut janë prezantuar eksponatet etnografike të Muzeut Etnografik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Këto veshje janë të njësive të ndryshme krahinore si nga Prizreni, Rugova, Lunxhëria, Plava e Gucia dhe nga vise tjera shqiptare. Në këtë pjesë janë prezantuar edhe vegla pune të kohës së Lidhjes së Prizrenit dhe orendi të ambienteve familjare.

Gjetjet arkeologjike në Regjionin e Prizrenit janë dëshmitë më të çmuara, që flasin për autoktoninë e popullsisë së kësaj ane dhe trashëgiminë kulturore të saj. Gjetjet arkeologjike janë gjuha e lashtësisë, që flasin për të kaluarën, për mënyrën e jetesës dhe te varrimit të popullsisë autoktone e deri me ardhjen e sunduesve, të cilët varësisht prej kohës së sundimit nisën t’i lënë edhe gjurmët e tyre materiale. Por, gjithsesi qytetërimi iliro-dardan, mbizotëron në të gjitha gjetjet arkeologjike, që nga monedhat, armët, enët, stolitë etj. Pasuria arkeologjike e Regjionit të Prizrenit është një thesar, për të cilin ashtu siç diti e mundi ta ruaj toka me shekuj, duhet dhe mbetet obligim i yni që ta nxjerrim në dritë dhe t’i japim shkëlqim, për të rrezatuar e reflektuar ndër breza, sepse e kaluara, apo historia e lavdishme mundëson një të ardhme të ndritshme.

Ky katalog është një arsye më shumë për vizitorë të shumtë, që zgjedhin Prizrenin për ta vizituar, sepse është i pasur dhe i rrethuar me trashëgimi kulturore që nga shekujt e largët deri në ditët tona./