Home Blog Page 5887

Policia bastis një shtëpi në Kuzhnin të Prizrenit, konfiskon pistoletë

0

Policia e Kosovës njofton se gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuarit mashkull është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 8 copë fishekë, shkruan PrizrenPress.

Rasti ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Kuzhnin të Prizrenit.

“Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, njofton PK-ja. /PrizrenPress.com/

Suharekë: Godet qëllimisht veturën e tjetrit, arrestohet

0

Në fshatin Reshtan të Suharekës, është arrestuar një person i gjinisë mashkullore, nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje me veturën e tij në lëvizje ka goditur veturën e viktimës mashkull.

Përveç dëmeve matriale në veturë, sipas Policisë, viktimës i është shkaktuar edhe lëndime trupore.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës, përcjellë PrizrenPress.

Sot nis manifestimi letrar “Muzat e Alpeve 2017”

0

Sot nis në Istog dhe përfundon më 6 korrik në Tuz manifestimi letrar ndërkufitar ‘Muzat e Alpeve 2017’.

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve ‘Teuta’, e themeluar nga shkrimtarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsim dhe Kulturë në Istog, bibliotekën ‘Marin Barleti’ në Shkodër si dhe Muzeun Etnografik të Malësisë – në Lekaj të Tuzit, më 4, 5 dhe 6 korrik mban manifestimin V letrar ndërkufitar ‘Muzat e Alpeve 2017’.

Në kuadër të manifestimit të përvitshëm letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve” Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve ndan edhe çmimin letrar ‘Teuta’. Laureatë paraprak të këtij çmimi deri tash ishin shkrimtarët e mirënjohur shqiptarë dhe malazezë: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi dhe Mirash Martinoviq. Ndërsa sivjet çmimi letrar “Teuta” shkon për njërin ndër personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, profesor Moikom Zeqo.

Image

Ndër aktivitetet e parapara brenda programit të sivjetshëm janë: Historiku i ‘Teutës’, biografi e shkurtër e laureatëve të Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” si dhe homazh për dy laureatët e ndjerë Dritëro Agolli dhe Ramiz Kelmendi; kumtesa mbi temat: “Krijimtaria studimore e Dr. Ibrahim Rugovës”, “Letërsia shqipe dhe roli i saj historik” dhe “Feminizmi, bota dhe kundërbota e tij” si dhe promovim i librave dygjuhësh: “Svi moji-Të gjithë të mitë”, me autor Zuvdija Hoxhiq (Berisha) – sot në Istog, “Këngët e përgjërimit-Zavjetne pjesme”, me autor Lulzim Tafaj, si dhe “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”, përkthim dhe botim i ri nga Anton Nikë Berisha.

“Moikom Zeqo, autor i rreth 70-të veprave poetike të cilat fillojnë maratonën e madhe të postmodernizmit shqiptar që në vitet 70-të të shekullit që lamë pas, marrin përsipër nëpërmjet plazmimeve të gjuhës shqipe, përgjegjësin e dendësimeve, kundërthënieve dhe vazhdimësisë së një realiteti të ri poetik. Erudit i rrallë i historisë dhe traditës së qytetërimit shqiptar, akademiku Moikom Zeqo me veprën e tij iu takon pararendësve të brezit të lindur pas Luftës së Dytë Botërore, duke shprehur me një kurorë të re mendimtari dhe njeriu të shqetësuar dykuptimësinë e njeriut të sotëm, pa pasur drojë të na japë përgjigje të pafundme nëse është ky realitet i thellësive historike që ka krijuar njeriun, apo është njeriu i paepur për ëndërrim që krijon realitetin e një bote të përbashkët dhe universale”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për ndarjen e çmimit ‘Teuta’.

Në Tiranë themelohet Instituti ‘Çabej’, fokus të veçantë do ta ketë Kosovën

0

Instituti “Çabej” është një fondacion kulturor kushtuar punës në lëmin e gjuhës shqipe, shkencave albanistike dhe kulturës sonë kombëtare. Themelohet duke u mbështetur në trashëgiminë intelektuale të dijetarit Eqrem Çabej. Nisma për themelimin e Institutit Çabej është marrë nga Brikena Çabej dhe Gjergj Shiko, në bashkëpunim me një grup specialistësh e dashamirësh të veprës së Eqrem Çabejt e të studimeve albanistike.

Brikena Çabej, themeluesja e Institutit “Çabej” wshtw shprehur se “Gjuha është pasuria më e madhe e një populli”.

Me këtë shprehje, të babait të saj, albanologut Eqrem Çabej, e nisi fjalën e saj përuruese për Institutin, Brikena Çabej.

“Ky institut është për studimet që merren me gjuhën, por edhe me shkencat e tjera. Ne po e themelojmë këtë Institut me shpresën që pasardhësit do ta çojnë përpara, duke uruar jo vetëm që të shërbejë si një rrjet ndërlidhës, por edhe përbashkues për shqiptarët kudo që janë, e veçanërisht për ata shqiptarë që merren me shkencat humane”.

Instituti “Çabej” vjen si një nevojë parësore e shkencës së albanologjisë për të përbashkuar të gjithë studiuesit shqiptarë të kësaj disipline themelore për kulturën tonë, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Bashkërendimi i mendjeve, vullneteve dhe tematikave të studimit mbi shqipen është një punë tejet e dobishme, të cilën Instituti “Çabej” e ka në qëllimin e tij kryesor të themelimit.

Çabej ka qenë i fokusuar dhe i interesuar për trevat shqiptare dhe për ngritjen e gjuhës dhe mendimit shqiptarë në të gjitha trevat, pavarësisht se edhe vet bashkëpunimi mes shqiptarësh ka qenë shpesh i penguar.

“Albanistika me të gjitha disiplinat e veta ka pasur momente të ulëta e momente të larta në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka pasur momente ku bashkëpunimi thuajse ka munguar krejt, ka pasur momente ku për shkak të rrethanave të kohës kanë mundur të komunikojnë vetëm studiuesit e ky komunikim ka qenë jetik për shqipen, pasi të shtrënguar të mos komunikonin mes vete dy bashkësitë shqipfolëse, ua kishin besuar së paku përbashkimin gjuhësor vullneteve të mbara të gjuhësisë”, thuhet në njoftim.

Drejtuesja e këtij instituti kujton se Çabej rezulton të jetë vullneti me i mbarë i atyre kohëve, pedagogu i leksioneve të Prishtinës mbi historinë e gjuhës shqipe dhe mbi albanistikën si pjesë e studimeve indoeuropiane. Fillimi i viteve ’70 e gjen Çabejn të përfshirë në një cikël të tillë leksionesh pasuniversitare, pra mbi historinë e shqipes dhe simotrave të saj. Leksione të tilla për Prishtinën dhe krejt bashkësinë shqiptare në Kosovë asokohe qenë të pazëvendësueshme pasi për kushtet historike në të cilat gjendej Kosova, kaptonin kufijtë e mirëfilltë të shkencës dhe lidheshin persë drejti me debatin e autoktonisë së shqiptarëve.

“Ndaj jo rastësisht, botimet Rilindja të Prishtinës qenë të parat që botuan në gjashtë vëllime ‘Studime Gjuhësore’ të Eqrem Çabejt, në të cilat përfshihen studime etimologjike, të gjuhësisë historike, të antropologjisë kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve e të gjithçka tjetër që albanologët e Prishtinës kishin mundur të përmblidhnin nga Çabej. Vetëdija se shqiptarët janë një komb gjuhësor bën që Instituti ‘Çabej’ të mos ketë thjesht mision shkencor por edhe kombëtar”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

Schwendiman, i inkurajuar nga konsolidimi i Speciales

0

Prokurori i specializuar, David Schwendiman, është i inkurajuar nga miratimi i Rregullores së Procedurës dhe të Provave, e cila u bë javën e kaluar. Në përgjigjen e tij dërguar gazetës “Zëri” Joseph L. Hollerhead, asistent ekzekutiv i zëvendëskryeprokurorit të specializuar, ka thënë se prokurori vazhdon ta kryejë punën që ia kërkon ligji i vitit 2015.

Prokurori i Specializuar, David Schwendiman, është duke vazhduar që ta bëjë punën e tij, të cilën edhe ia kërkon ligji i vitit 2015, shkruan sot, gazeta Zeri.

Madje sipas Joseph Hollerhead, asistent ekzekutiv i zëvendëskryeprokurorit të specializuar, prokurori është shumë i inkurajuar me miratimin e Rregullores së Procedurës dhe Provave ditë më parë.

Megjithatë, Hollerhead është shprehur i rezervuar sa i përket pyetjes së gazetës “Zëri” se kur do të nisin akuzat e para dhe e ka gjasë që ato të fillojnë brenda këtij viti.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar është një institucion i veçantë dhe i pavarur nga Dhomat e Specializuara dhe ka përgjegjësinë e autoritetin e vetëm t’ia dërgojë akuzat Gjykatës së Specializuar. Por, kur do të bëhet kjo ai nuk ka treguar, duke mos dashur që të ndërhyjnë në hetimet e Prokurorisë.

Në anën tjetër zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, i ka thënë gazetës “Zëri” ditë më parë se nëse vendimi i Dhomës Speciale të Gjykatës Kushtetuese do të jetë pozitiv, rregullat do të hyjnë në fuqi 7 ditë më pas. Në të njëjtën kohë Benes ka bërë të ditur se ky është edhe hapi i fundit ligjor që Gjykata të bëhet plotësisht funksionale./Zeri/

Aventura e re e Thaçit rrezikon Republikën

0

Fillimi edhe zyrtar i një faze të re të dialogut me Serbinë, që po bëhet tani nga dyshja e presidentëve të të dyja vendeve, Thaçi e Vuçiq, pa e pritur konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, pasi në pranverë të këtij viti ky dialog është ndërprerë me një rezolutë të Kuvendit me konsensus të të gjitha subjekteve politike të shumicës shqiptare, sipas përfaqësuesve të partive politike dhe analistëve, është një veprim i papërgjegjshëm i presidentit të Kosovës. Ata thonë se kjo mund të kualifikohet madje edhe si shkelje e rëndë kushtetuese, sepse ai po e shfrytëzon këtë boshllëk institucional dhe po e vazhdon dialogun me një anashkalim dhe tejkalim të institucioneve të reja, të cilat duhet të formohen pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe të marrin përgjegjësi institucionale në vazhdimin e qeverisjes së vendit, në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme.

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën -koalicioni PAN, i tha gazetës se kjo është një shkelje e rëndë e presidentit të vendit, i cili sidomos tani që Kosova është pa institucione të reja paszgjedhore, nuk ka asnjë legjitimitet të negocimit në emër të Kosovës për çështje që lidhen me sovranitetin dhe integritetin e shtetit.

“Faza e re, për të cilën po thirret Hashimi është një vazhdimësi e papërgjegjshmërisë së një personi në institucionet e shtetit, sepse fazat e reja apo ato të vjetrat i rregullon ekzekutivi i vendit, sepse Kosova është një shtet me rregullim parlamentar dhe jo sistem presidencial”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”. Sipas tij, duhet të reagojë edhe Kuvendi, por edhe qytetarët.

Po shkelet Rezoluta e Kuvendit

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku, po ashtu është kritik ndaj sjelljes injoruese të presidentit të vendit karshi institucioneve, që janë në pritje të themelimit, për të marrë eventualisht mandat përfaqësimi në këtë proces. Ai thotë se debatet ndaj procesit e formatit të dialogut Kosovë-Serbi nuk janë përmbyllur, prandaj ky është një veprim i pashembullt i presidentit të vendit. “Republika e Kosovës veç që gjendet para një situate pa qeveri e opozitë të re, ajo ka në fuqi një Rezolutë, e cila është miratuar nga legjislatura e kaluar e që decidivisht kërkohet pezullimi i dialogut. Shkuarja e presidentit Hashim Thaçi në Bruksel, duke proklamuar se është duke filluar një fazë të re të dialogut pa një konsensus të brendshëm, absolutisht mund të konsiderohet kundër strategjisë shtetërore të Kosovës, ndaj procesit të Brukselit. Shteti i Kosovës po lëngon nga mosllogaridhënia, e kjo është fuqishëm në dëm të interesave shtetërore. Anashkalimi i interesave shtetërore, duke imponuar agjenda e strategji kokë më vete nga ana e presidentit të vendit, është padyshim shkelje flagrante e rregullave demokratike e kushtetuese, për të cilat më së shumti ka nevojë Republika e Kosovës”, tha Maloku për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se edhe kapaciteti kushtetues i Kosovës në çdo çështje, që lidhet me interesin shtetëror të vendit, është i akorduar në atë mënyrë që i njeh palët institucionale siç është Qeveria e Kuvendi, e në këtë rast janë injoruar dhe anashkaluar. “Tejkalimi i këtyre kapaciteteve do të jetë shumë i dëmshëm për Republikën dhe këto kapacitete nuk duhet t’i tejkalojë as presidenti. Veç atij kushtetues, edhe kapaciteti politik i presidentit të Kosovës dhe të Serbisë dallon. Pas zgjedhjeve në Serbi, presidentit Vuçiq populli i dha pushtet gati gjysmë diktatorial, me mundësi të kontrollit maksimal edhe të Qeverisë edhe të Kuvendit, e që në rastin e presidentit të Kosovës kjo nuk qëndron”, theksoi Maloku.

 

Serbia synon koncesione të reja

Po aq kritik është edhe politologu Gurakuq Kuqi, i cili duke iu referuar këtyre zhvillimeve të fundit, thotë se tani kemi dy veprime dhe dy deklarime të ndryshme nga Thaçi dhe Vuçiqi, ku i pari vepron për interesa personale, ndërsa i dyti t’i nxjerrë koncesione më thellë Kosovës. “Të merremi së pari me Vuçiqin, i cili po luan një politikë të vërtetë. Vuçiq për të ruajtur populizmin në Serbi, duke shfrytëzuar vakumin politik në Kosovë dhe frikën e shqiptarëve nga Gjykata Speciale, ai njërën këmbë po e mban në Moskë e tjetrën në Bruksel. Ku nga Moska po fiton aksione politike dhe me atë të Brukselit po i zbaton ato.

Vuçiq ka deklaruar se duhet të kujdesen për serbët jo në veri të Kosovës, por brenda në Kosovë, se ata janë të rrezikuar dhe të pambrojtur, ku me këtë rast veriun e heq nga vëmendja dhe e bën një akt të kryer të kontrollit të Serbisë, duke hapur tema të reja për kinse probleme dhe koncesione për serbët në pjesë të tjera të Kosovës”, u shpreh Kuqi për “Kosova Sot”.

“Në anën tjetër, Kosova këtu po i ndihmon Serbisë të realizojë grackat e saj. Presidenti Thaçi me vendimin për bisedime me Serbinë në Bruksel, po bën një anashkalim total institucional, demokratik me veprime totalitariste. Thaçi duke u munduar tani t’i shpëtojë Gjykatës Speciale, po ndërmerr aksione për të shpëtuar veten, duke u treguar si lider që i shtyn proceset përpara dhe është i vetmi, i cili mund të sjellë dialog me Serbinë, mjeshtërisht duke shfrytëzuar edhe antipatinë serbe ndaj Ramush Haradinajt, dhe gjysmë neverinë e Brukselit ndaj Albin Kurtit. Ky dialog duhet të niset vetëm me bekimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përndryshe është një dialog ose privat, ose Kosova është e privatizuar dhe autoritariste. Kuvendi menjëherë pas konstituimit duhet të marrë masa ndaj këtij dialogu të presidentit, i cili madje do të tentojë edhe të krijojë krizë në Kosovë me dhënien e mandatarit për kryeministër, që herën e dytë mund të kemi marshime në rrugë, gjë që veç u paralajmërua, dhe gjitha këto turbullira t’i shfrytëzoj që vetë të dalë i pastër nga Gjykata Speciale dhe lider i krizave”, u shpreh Kuqi.

Image
Kuvendi të autorizojë bisedimet e radhës

Analisti Skënder Mulliri e konteston akoma më thellë legjitimitetin dhe legalitetin e përfaqësimit të tanishëm të Kosovës në këtë dialog nga presidenti Thaçi, i cili as nuk është njohur në momentin e zgjedhjes dhe as nuk njihet akoma si figurë e unitetit përfaqësues politik të vendit. “Hashim Thaçi është zgjedhur për president në kushte të shtetrrethimit që është precedent. Opozita nuk e ka pranuar legjitimitetin e zgjedhjes së tij me vota të LDK-së. Është absurde të fillohen bisedimet me Serbinë, kur ende nuk janë formuar organet e reja shtetërore të Kosovës”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”, duke shtuar se në këto kushte politike partitë politike ishte dashur të reagojnë fuqishëm kundër bisedimeve me Serbinë në Bruksel. Pa një rikonfirmim dhe autorizim të ri të Kuvendit, qoftë edhe me riformatim të ekipit të bisedimeve, nuk e sheh të arsyeshëm asnjë takim të këtij niveli, edhe analisti Ali Hertica. “Dialogu për marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje e interesit shtetëror, por të gjithë këta hapa nga presidenti duhet të merren në bashkëpunim me Kuvendin e ri të Republikës, që do të krijohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe nga qeveria e re, e cila duhet të jetë po ashtu rezultat i një marrëveshjeje të re politike nga këto zgjedhje. Kështu që në këtë aspekt mendoj se duhet të jenë të bashkuara të gjitha subjektet politike dhe institucionet shtetërore, pra dhe partitë politike parlamentare pa përjashtim, pavarësisht se kush do ta marrë timonin e bisedimeve”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”

Policia nis fushatën për dhurimin e gjakut

0

Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Qendrën e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut nga dje ka filluar fushatën për dhurimin vullnetar të gjakut në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës përveç shërbimeve aktive policore për qytetarët e vendit çdo ditë e më tepër janë të gatshëm të japin kontributin e tyre edhe në forma të tjera, siç është edhe dhurimi vullnetar i gjakut.

Fushata për dhurimin vullnetar të gjakut do të vazhdojë edhe sot në Kampin Vrella, tek pjesëtarët e Njësive Speciale të PK-së, si dhe nëpër stacione dhe njësi tjera policore.

Edhe një Karvan i kontinuitetit

0

Në përmbyllje të Karvanit XVIII të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” libër më i mirë për fëmijë u shpall “Ëndrra prej letre” i autores Erinë Rrahmani.

Në një takim që u mbajt sot në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të kryeqytetit, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” përmbylli aktivitetin e vet të edicionit të tetëmbëdhjetë me radhë.

Në informatën të cilën e paraqiti Xhevat Syla, koordinator, u tha se me gjithë mungesën e mjeteve materiale, falë gatishmërisë së shkrimtarëve për fëmijë u arrit të mbahet edhe një Karvan i kontinuitetit.

“U mbajtën mbi 20 takime letrare, kryesisht në vende ku Karvani nuk ka qenë më parë, e në të cilat me punimet e tyre u paraqitën shkrimtarët tanë për fëmijë, por edhe nxënësit krijues. Shkrimtarët kudo dhuruan librat e tyre më të rinj për bibliotekat e shkollave, por edhe për nxënësit talente të reja letrare. Në shumë mjedise u mbajtën edhe biseda të frytshme me nxënës, në të cilat u fol për librin si vlerë e rëndësishme në edukimin dhe formimin intelektual të fëmijëve, si dhe për probleme të krijimtarisë letrare, ku posaçërisht u theksua interesimi i nxënësve që doli nga pyetjet e tyre shumë interesante”, thuhet në njoftimin për media nga organizatorët e këtij Karvani.

Në këtë takim juria në përbërje Prend Buzhala, Ibrahim Kadriu dhe Xhevat Syla paraqiti raportin për vlerësimin e librave konkurrentë për Çmimin “Ymer Elshani” që jepet për librin më të mirë për fëmijë të botuar brenda periudhës midis karvanëve.

Nga raporti të cilin e paraqiti Prend Buzhala, kryetar i jurisë, doli se juria libër më të mirë për fëmijë të botuar brenda kësaj periudhe veçoi përmbledhjen me vjersha për fëmijë të autores Erinë Rrahmani, me titull “Ëndrra prej letre”.

Në falënderimin e saj në këtë takim, autorja Erinë Rrahmani shprehi gëzimin që ky çmim i jepet nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” , i cili e mirëpriti atë në radhët e veta që në moshën e saj të re, si dhe gëzimin që ky çmim mban emrin e njërit prej shkrimtarëve më të shquar dhe më tragjik jo vetëm të letërsisë sonë për fëmijë.

Nuk dihet nëse Veseli do të jetë kandidat për kryetar Kuvendi

0

PAN ende nuk ka diskutuar se kë do të nominojë për kryetar të Kuvendit.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA ende nuk ka vendosur se kë do ta nominojë për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Me marrëveshjen politike të arritur mes këtyre subjekteve tashmë është e specifikuar se kjo pozitë i takon Partisë Demokratike të Kosovës e cila mandatin e kryeministrit dhe formimit të Qeverisë ia ka besuar partnerit të koalicionit, kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse kreu i PDK’së, Kadri Veseli, do të kandidojë sërish për kryetar të Kuvendit.

Zyrtarë nga kabineti i këtij të fundit i kanë thënë RTK’së përmes telefonit se ende nuk është e sigurt nëse Veseli do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit.

Madje sipas tyre, kjo çështje deri tash nuk është diskutuar as në strukturat e partisë.

Ndërkohë që duke e pasur parasysh verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 e ku specifikohet se pozita e kryeparlamentarit i takonit partisë më të madhe apo koalicionit më të madh të dalë nga zgjedhjet, dy subjektet tjera, Vetëvendosje dhe koalicioni LDK AKR Alternativa ende nuk janë deklaruar nëse do të votojnë kandidatin që do të propozojë koalicioni PAN për kryeparlamentar.

“Ne akoma nuk e kemi diskutuar dhe nuk kemi marr vendim për një gjë të tillë…”, thotë Sami Kurteshi, nga Vetëvendosje

Ndërsa zyrtarë të koalicionit LDK-AKR-Alternativa nuk kanë folur nëse kanë marrë vendim për sa i përket votimit të kryeparlamentarit.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës pritet të konstituohet në afat prej 30 ditësh nga dita kur KQZ do të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve.

Kryeparlamentari duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota të deputetëve.

Ndërsa koalicioni PAN së bashku edhe me votat e pakicave, arrin numrin 59 deputetë. Por, zgjedhja e kryeparlamentarit nuk shihet si ndonjë problem i madh nga KDI, organizatë kjo që e monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.

“Partia apo koalicioni fitues nuk e kanë te kufizuar se sa here mund të propozojnë emra për kryeparlamentar. Madje edhe nëse nuk votohet njeri emër nuk shpërndahet kuvendi por partia apo koalicioni fitues mund te propozojnë emra të tjerë”, thotë Artan Murati, nga KDI

Në gjithë këtë proces, nga monitoruesit e KDI’së, sfidë shihet formimi i Qeverisë duke qenë se tashmë 3 blloqet politike në bazë të rezultateve të tyre nuk kanë numrat e domosdoshëm për krijimin e Qeverisë.

Mbrohet kryetari i Komunës së Dragashit

0

Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të hënën ka dhënë mbrojtjen e tij para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prizren.

Jenuzi ka thënë se në momentin kur e ka nënshkruar vendimin për dhënien e lejes së ndërtimit për të akuzuarin tjetër Nexhat Selaj, nuk e ka ditur se prona është e uzurpuar.

Ai ka thënë se kur mungojnë drejtorët komunalë, zakonisht nënshkruan ndonjë drejtor tjetër ose kryetari në emër të drejtorit përkatës dhe në këtë rast, ai ka nënshkruar një leje ndërtimi në emër të drejtorit të urbanizmit, Bean Haxhihasani.

Tutje, Jenuzi ka shtuar se pasi kishte marrë ankesë nga një qytetar rreth objektit të ndërtimit, ai kishte urdhëruar drejtorinë e urbanizmit që të merr masa dhe më pas leja e ndërtimit është anuluar.

Në këtë rast penal, po ashtu janë të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, drejtori i urbanizmit, Bean Haxhihasani, inspektori i ndërtimit, Vetim Hasani dhe Nexhat Selaj, për uzurpim të pronës shoqërore.

Në këtë seancë, gjithashtu ka dhënë mbrojtjen e tij edhe i akuzuari Bean Haxhihasani. Ai ka thënë se për lejen e ndërtimit të cilën e ka nënshkruar kryetari Jenuzi, e ka kuptuar gjatë hetimeve të prokurorisë, kur i janë kërkuar dokumentet. Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij si drejtor, ky është rasti i vetëm ku kryetari ka shfrytëzuar të drejtën për të nënshkruar një vendim në emër të tij.

Ai, ka shtuar se lejen e ndërtimit për objektin e ka dhënë drejtori paraprak dhe se në të janë paraparë kriteret mbi të cilat është lëshuar leja. Sipas tij, leja që është nënshkruar në emër të tij,  ka të bëjë me një aneks të objektit. Ai ka shtuar se përgjegjësia e dhënies së lejes është e zyrtarit komunal, që përgatit dokumentacionin, ndërsa nënshkrimi duhet vetëm për të legalizuar dokumentin dhe këtë nënshkrim mund ta jep, cilido drejtor apo edhe kryetari.

Haxhihasani, gjithashtu ka deklaruar se nuk i kujtohej nëse ka qenë në punë në ditën kur kryetari e ka nënshkruar vendimin në emër të tij, por prokurori i rastit, Genc Nixha, ia ka kujtuar deklaratën e tij në polici, ku kishte thënë se ka qenë në punë.

Pasi që kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, kishte të caktuar një rast tjetër për të gjykuar, ky shqyrtim është ndërprerë, ndërsa vazhdimi i të njëjtit është caktuar për 8 shtator 2017, në ora 09:00, ku pritet që të japin mbrojtjen e tyre edhe dy të akuzuarit tjerë.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon  Salim Jenizin, se duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.

Bean Haxhihasani, akuzohet se në cilësinë e drejtorit të urbanizmit në Komunën e Dragashit, ka lëshuar vendim me të cilin i është lejuar Nexhat Selajt, që të ndërtojë objektin afarist në pronë komunale.

I akuzuari tjetër, Vetim Hasani, akuzohet se duke qenë inspektor i ndërtimit në Komunën e Dragashit, nuk ka vepruar për të ndërprerë ndërtimin e objektit afarist të Nexhat Selajt, me material të përhershëm.

Ndërsa, Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm./betimiperdrejtesi/