Home Blog Page 5886

Analistët: Koalicioni PAN – LAA, i mundshëm

0

Njohësit e rrethanave politike në vend nuk e kanë përjashtuar mundësinë e arritjes se një koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR-Alternativa.

Ndonëse të dyja palët tani për tani e kundërshtojnë një gjë të tillë, analistët politikë, Behxhet Shala dhe Imer Mushkolaj, kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se nuk duhet zënë besë qëndrimeve kundërshtuese të palëve pasi, sipas tyre, këto subjekte politike edhe më herët kanë vendosur vija të kuqe për t’i ngritur pazaret, pastaj i kanë shlyer vijat e kuqe.

“Asnjë koalicion nuk është i pamundur në të ardhmen, sepse Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe këta të tjerët që po kundërshtojnë çdo bashkëpunim me koalicionin PAN, e dinë se në fund të fundit, po të duan ndërkombëtarët, brenda natës e bëjnë”, është shprehur Behxhet Shala, duke shtuar se kundërshtimet tani po bëhen për ta ngritur pazarin.

“Tani për tani po bëhet një përpjekje për ta ngritur pazarin sesa që është një synim i vendosur për të mos hyrë në qeveri”, ka thënë Shala.

Edhe analisti tjetër politik Imer Mushkolaj ka thënë se nuk duhet zënë besë shumë subjekteve politike që betohen se nuk do të bëjnë koalicion.

“Ramush Haradinaj edhe mund ta sigurojë ndonjë votë më shumë. Në Kosovë njihet fenomeni i kontrabandimit, ‘peshkimit’ të deputetëve për përfitime materiale. Pra, deklaratave të subjekteve politike, se nuk do t’ia bëjnë assesi votat Haradinajt, nuk është për t’u besuar, ngaqë ka nga to që në të kaluarën kanë dëshmuar se nuk e mbajnë fjalën”, ka thënë Mushkolaj./Epoka e re/

Specialja prej sot, gati për aktakuza

0

Gjykata Speciale prej sot është edhe ligjërisht funksionale dhe e gatshme për t’i pranuar aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-eprorëve të lartë të UÇK-së, të cilët dyshohen për “krime lufte”

Zyra e Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman, që nga dita e sotme mund të fillojë me ngritjen e aktakuzave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Kjo meqë para 7 ditësh (28 qershor) Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese shpalli aktvendimin pozitiv për rregullat e rishkruara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Gjykatës Speciale. Me këtë rast u bë e ditur se këto rregulla janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, shkruan “Zeri”.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, pati bërë të ditur se me hyrjen në fuqi të rregullores në fjalë, pas një jave (që nga sot) nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për ngritjen e çfarëdo aktakuze.

Megjithatë, ekspertët e çështjeve juridike dhe kushtetuese në Kosovë konsiderojnë se puna e Speciales mund të zvarritet, siç është zvarritur deri më tash. E ndonëse konsiderojnë se Gjykata Speciale do t’i prekë edhe zyrtarët më të lartë shtetërorë, ata thonë se nuk do të ketë diçka spektakolare nga i tërë ky proces. /Zeri/

Dorëzohet në Stacion Policor në Suharekë i dyshuari që ishte në arrati

0

Sonte rreth orës 18:00, është paraqitur në Stacionin Policor në Suharekë i dyshuari A. B. i cili ishte në arrati prej datës 30 qershor.

I dyshuari më pas i ka treguar policisë për armën ilegale të cilën e kishte në posedim e që është pushkë automatike e llojit kallashnikov me numër serik 3105734 e prodhimit kinez pa municion.

Pas sekuestrimit të armës, hetuesit policorë e kanë njoftuar prokurorin e shtetit për rrethanat e rastit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalët nën masën e arrestit policor.

Vlen të theksohet se i dyshuari ishte i përfshirë në një rast të kanosjes me ç’rast ishte sekuestruar edhe një pistoletë e llojit TT M57.

Zafir Berisha i bindur se do të fitojë në Prizren

0

Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha në emisionin “Rrokum Roll”, ka konfirmuar edhe njëherë kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Prizrenit, duke u shprehur i bindur se do të dalë fitues nga kjo garë.

E këtë bindje, Berisha thotë se e ka shkaku i asaj që mungojnë kundër kandidat serioz, raporton Gazeta Blic.

“Disponimi është për një ndryshim thelbësorë për në Prizren”, ka thënë ai.Sipas Berishës Nisma për Kosovën do të sjellë ndryshim në komunën e Prizrenit si beson që ai tashmë është fitues në këtë Komunë.

“Besoj që do të arrijë të fitojë në Prizren për shkak se nuk ka ndonjë rival seriozë që ta marrë komunën e Prizrenit”, ka përfunduar Berisha, përcjell GazetaBlic.com

Mungojnë avokatët në gjykimin për vrasjen e trefishtë në Prizren

0

Seanca e gjykimit të Eshref dhe Ejup Shemallarit nuk u zhvillua ngase munguan dy avokatë.

Në gjykimin ku po akuzohen babë e bir, Eshref dhe Ejup Shemallari, të cilët për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, privuan nga jeta Ferdi Shishkon, Haki Thaçin dhe Bergin Ersoyn, që të tre nga Prizreni, të martën seanca gjyqësore nuk u mbajt.

I akuzuari Ejup Shemallari, e njoftoi trupin gjykues se mbrojtësi i tij- avokati Mahmut Halimi, për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore.

Gjykata përmes telefonit komunikoi me avokatin Mahmut Halimi dhe konfirmoi se i njëjti gjendet në Republikën e Shqipërisë, ku i ishte nënshtruar një operacioni.

Ndërsa avokati Betim Shala, përmes telefonit e njoftoi gjykatën se kishte dorëzuar një parashtresë në gjykatë, mirëpo trupi gjykues atë parashtresë ende nuk e kishte pranuar dhe kjo u konstatua në procesverbal bashkë me shënimin se nuk dihet për çfarë parashtrese është fjala.

Pas marrjes së mendimit të palëve të pranishme, trupi gjykues vlerësoi se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Seancat e radhës u caktuan që të mbahen me 15 dhe 29 shtator 2017.

Eshref Shemallari dhe Ejup Shemallari akuzohen për shkelje të Kodit Penal të Kosovës, pasi që më 8 mars 2015 rreth orës 14:10 minuta në Prizren në Rrugën “Ismet Jashari- Kumanova”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake të mëhershme, me dashje privuan nga jeta tani të ndjerët Ferdi Shishko, Haki Thaçi dhe Belgin Ersoj, të gjithë nga Prizreni.

Incidenti kriminal, i cili ishte temë e diskutimeve të shumta për shkak të së kaluarës recidiviste të të vrarëve, tashmë është drejt fundit të gjykimit në Gjykatën e Prizrenit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast.

Fillimi i Ri i krimit, nisi në Prizren

0

Blerim Çoçaj

Prizreni nuk po mund të jetojë pa krim. PDK-ja, dikur e Hashim Thaçit, sot e Kadri Veselit, këtë qytet e kanë shndërruar në qendër kryesor të krimit të organizuar.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, bashkë me drejtorët e tij, të cilët sot janë zyrtarët më të lartë të PDK-së në Prizren, për shkak të këtyre veprimeve kriminale, vazhdojnë të përballen me organet e drejtësisë.

Kadri Veseli, vitin e kaluar, për të kamufluar krimin e partisë së tij, ndërroi drejtorët e Qeverisë së Ramadan Mujës.

Tha se po e fillon një epokë të re në Prizren.

Por, pavarësisht këtij premtimi, krimi në këtë qytet nuk u ndal.

Qeveria e Ramadan Mujës, vazhdon me avazin e vjetër. Tash iu ka bashkëngjit edhe Karitasi !!!

Të kapur nga frika e zgjedhjeve, Komuna e Prizrenit, së bashku me Karitasin, hapën një konkurs për pranimin e mbi 60 infermierëve.

Ky konkurs i punësimit, fatkeqësisht u shndërruar në konkurs të krimit, vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Duart në këtë konkurs i kanë futur njerëzit më të afërt të Kadri Veselit, i cili në zgjedhjet e fundit premtonte një Fillim të Ri për Kosovën.

Përzgjedhja e kandidatëve, është bërë në mënyrën më kriminale.

Organet e drejtësisë duhet të veprojnë sa më shpejtë dhe ta zbardhin të vërtetën e këtij konkursi.

Kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, e ftoj që t’i ndal këto veprime kriminale të njerëzve të partisë së tij, dhe të Qeverisë së Ramadan Mujës.

Ma mirë sot, se nesër do të bëhet vonë !

Hapet Universiteti Veror i Prishtinës

0

Në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me një ceremoni solemne u shënua hapja e edicionit të 17-të të Universiteti Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Shume etni, religjione, raca e diversitete të tjera ishin gërshetuar në këtë ambient, me qëllim të shënimit të ceremonisë hapëse të edicionit të 17-të të UVP-së, njëherësh programit më serioz të arsimit të lartë në vendin tonë dhe më gjerë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, i përgëzoi studentët pjesëmarrës në këtë program me këto fjalë:

“Në këto momente, më vjen në mendje thënia e Nelson Mandelës: Edukimi është arma më e fuqishme të cilën mund ta shfrytëzoni për ta ndryshuar botën.

Uroj që një ditë, kur të bëheni udhëheqës të vendeve tuaja, në vend të luftës, të promovoni paqen, në vend të urrejtjes, të promovoni dashurinë, dhe ta shfrytëzoni këtë “armë” për të mirën e vendit dhe botës.

Duke ju përgëzuar secilin prej jush për pjesëmarrjen tuaj në këtë ngjarje të rëndësishme, ndjehuni të lirë që ta ndieni Universitetin e Prishtinës si shtëpinë tuaj, ndërsa Kosovën si shtetin tuaj.”

Ndërkaq, Rektori Dema falënderoi edhe profesorët të cilët kanë zgjedhur pikërisht UP-në për të kaluar afër dy javë përvojë akademike dhe për të shkëmbyer njohuritë e tyre me studentët dhe kolegët pjesëmarrës në këtë edicion.

Në anën tjetër, fillimin e edicionit të 17-të të Universitetit Veror e përshëndeti edhe ministri i Diasporës, Valon Murati.

“Ekziston një arsye e veçantë se pse ne e mbështetim Universitetin Veror të Prishtinës, përkundër asaj akademike. E ky është fakti që Kosova, edhe pse është një vend i vogël, ka një diasporë të madhe e të shpërndarë në mbarë botën. Rrjedhimisht, ne jemi të gatshëm të shfrytëzojmë secilën mundësi që t’i sjellim ata në vendlindjen e tyre, e UVP-ja është një edicion që e mundëson një gjë të tillë”, tha z. Murati.

Ndërkaq, drejtorja e Departamentit të Arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Drita Kadriu e konsideroi “margaritar” UVP-në.

“UVP është një margaritar, i cili për çdo vit po rritet dhe vërtetë po i shton krenarinë UP-së dhe institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë”, tha ajo.

Ky edicion i UVP-së ka mbledhur në Universitetin e Prishtinës rreth 350 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë. Këta studentë do të kenë fatin të kenë si ligjërues 11 profesorë ndërkombëtarë, të cilët në bashkëpunim me po aq profesorë vendorë do të ligjërojnë kurse nga lëmi të ndryshme si: sporti, bujqësia, shkencat shoqërore, ekonomiku, juridiku e të tjera.

Universiteti Veror do të mbahet në UP deri më 14 korrik 2017.

Zafir Berisha: Kjo është një shkelje e rëndë e presidentit Thaçi

0

Fillimi edhe zyrtar i një faze të re të dialogut me Serbinë, që po bëhet tani nga dyshja e presidentëve të të dyja vendeve, Thaçi e Vuçiq, pa e pritur konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, pasi në pranverë të këtij viti ky dialog është ndërprerë me një rezolutë të Kuvendit me konsensus të të gjitha subjekteve politike të shumicës shqiptare, sipas përfaqësuesve të partive politike dhe analistëve, është një veprim i papërgjegjshëm i presidentit të Kosovës.

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën -koalicioni PAN, i tha gazetës se kjo është një shkelje e rëndë e presidentit të vendit, i cili sidomos tani që Kosova është pa institucione të reja paszgjedhore, nuk ka asnjë legjitimitet të negocimit në emër të Kosovës për çështje që lidhen me sovranitetin dhe integritetin e shtetit.

“Faza e re, për të cilën po thirret Hashimi është një vazhdimësi e papërgjegjshmërisë së një personi në institucionet e shtetit, sepse fazat e reja apo ato të vjetrat i rregullon ekzekutivi i vendit, sepse Kosova është një shtet me rregullim parlamentar dhe jo sistem presidencial”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”.

Sipas tij, duhet të reagojë edhe Kuvendi, por edhe qytetarët.

“Tani po shihet ashiqare që roli të cilin po e luan Hashim Thaçi, sikur të jetë babai i Kosovës, e ka sjellë Kosovën buzë greminës, prandaj unë mendoj që të gjitha subjektet politike dhe qytetarët duhet të bëhen bashkë kundër këtij njeriu të papërgjegjshëm, për të mos lejuar që të vazhdojë për ta dëmtuar Kosovën, duke e bërë shtet jofunksional, duke e kthyer Serbinë përmes formave të ndryshme brenda shtetit të Kosovës”, tha Zafir Berisha për “Kosova Sot”.

Bie numri i lindjeve në Kosovë

0

Në Kosovë është ulur numri i lindjeve. Prej 31 mijë  e 433 lindjeve se ishin regjistruar në vitin 2015, ky numër është ulur për 1 mijë e 23 lindje.

Në vitin 2016 janë regjistruar 30 mijë e 410 lindje, ku prej tyre 23 mijë e 494 lindje kanë ndodhur në Kosovë, ndërsa 6 mijë e 916 kanë ndodhur jashtë vendit.

Kjo është bërë e ditur në raportin që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), për statistikat  e lindjeve në Kosovë për vitin 2016, ku të dhënat janë paraqitur sipas  bazës së grumbullimit të të dhënave Administrative për vitin 2016, nga zyrat e gjendjeve civile.

Në bazë të këtij raporti prej 23 mijë e 494 lindjeve në Kosovë, 23 mijë e 416 janë lindje të gjalla dhe 78 janë lindje të vdekura, ndërsa nga 6 mijë e 916 lindje që kanë ndodhur jashtë vendit, 6 mijë  e 915 janë lindje të gjalla dhe 1 lindje e vdekur.

Prej këtij numri, 99.7 për qind e lindjeve kanë ndodhur në institucione mjekësore, ndërsa pjesa tjetër në vende të tjera.

Raporti ndërmjet lindjeve të gjalla dhe vdekjeve apo siç quhet ndryshe koeficienti i vitalitetit është 2.8.

“ Koeficienti i maskulinitetit është 110.3. Koeficienti i lindjeve të vdekura – vdekjeve fatale në 1000 lindje ishte 3.3 promil”, thuhet në raportin e ASK-së.

Prishtina, vendi me më së shumti lindje

Kryeqyteti prin me numrin më të madh të lindjeve. Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Prishtinë kanë ndodhur 9 mijë e 937 lindje, që pasohet nga Prizreni me 3 mijë e 420 lindje dhe Peja me 2 mijë e 27 lindje.

Vetëm në Prishtinë, nëna për herë të parë janë bërë 1 mijë e 475 femra, në Prizren 836 femra dhe Ferizaj 558 femra.

Në Gjakovë janë 4 nëna që kanë fëmijën e nëntë.

Nënat që kanë lindur më së shumti fëmijë i takojnë nacionalitetit shqiptar me 94.9 për qind, pastaj renditen nënat e komunitetit Romë-Ashkalinjë-Egjiptian (RAE) me 1.7 për qind, dhe boshnjaket ,me 1.3

Grup moshat e nënave që kanë lindur

Nënat që kanë lindur u përkasin moshave të ndryshme, mirëpo numri më i madh i nënave që kanë lindur fëmijë, është i grup-moshave 25-29 vjeç me 35.6 për qind, pastaj grup-moshat 30-34 vjeç me 25.0 për qind, grup-moshat 20-24 vjeç me 23.4 për qind dhe grup-moshat tjera përbëjnë 17.0 për qind të numrit të përgjithshëm të lindjeve.

Nga kjo del se mosha mesatare e femrave që kanë lindur fëmijë për vitin 2016, është 28 vjeç.

38.6 për qind e femrave janë bërë nëna për herë të parë, 32 për qind janë nëna që kanë fëmijën e dytë dhe 19.4 për qind e nënave kanë fëmijën e tretë e kështu me radhë.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë nënat me shkollë të mesme me 39.4 për qind, shkolla fillore e kryer me 29.3 për qind, ndërsa nëna që kanë përfunduar shkollën  e lartë dhe fakultetin janë  23.3 për qind e tyre.

Emrat më të përdorur: Alea dhe Ajan

Emrat që më së shpeshti i pagëzuan prindërit, fëmijët e tyre në vitin 2016 janë Alea, ku me këtë emër u pagëzuan 169 vajza, pastaj Sara ku u pagëzuan 134 vajza. Ndërsa emrat më të shpeshtë për djem ishin Ajan dhe Noar.

Me emrin Ajan u pagëzuan 218 foshnje dhe me Noar 195 foshnje.

Sipas raportit të ASK-së, bineq u lindën 722 foshnje, ndërsa treneq e më shumë u lindën 30 foshnje.

Sa i përket peshës së fëmijëve të lindur, në institucione shëndetësore,  numri më i madh i foshnjave është me peshë 3000-3499gram apo 37.4 për qind, 3500-3999 gram 31.3 për qind, 2500-2999 gram apo 12.8 për qind. Foshnjat e lindura gjallë me peshë më të vogël se 1000 gram përbëjnë vetëm 0.2 për qind.

Këto të dhëna ishin vetëm për fëmijët që janë të lindur në institucionet shëndetësore, pasi që për ata fëmijë që lindin jashtë institucionit mjekësor, sipas metodologjisë së hulumtimit kjo agjenci nuk kërkon të dhëna për peshën e tyre. /Gazeta Fjala/

E ardhmja arrin në DokuFest 2017

0

Tema e së ardhmes do të theksohet në edicionin e ardhshëm të DokuFest, i cili organizohet nga data 4-12 gusht në Prizren, Kosovë.

Ky edicion i DokuFest-it premton një vështrim të guximshëm në pasiguritë dhe shpresat e së ardhmes përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave vizuele, masterklasave dhe bisedave të ndryshme, punëtorive bashkëpunuese, koncerteve muzikore si dhe paltformave për përdorimin e mediave dhe teknologjive të reja, shkruan PrizrenPress.

“Ideja për temën e këtij edicioni erdhi sepse në vitet e fundit ka pasur lëvizje të mëdha nga qytetarë që përpiqen të kenë një zë më të fortë për të ardhmen e tyre. Programi ynë do të jetë një vështrim mes distopive dhe utopive, kufijve dhe çiltërsisë, frikës dhe dashurisë”, bën të ditur kordinatorja e komunikimit, Anyla Dautaj, përmes një komunikate për media.

Programi i plotë i filmave do të shpallet më 10 korrik 2017 në ueb faqen e festivalit. /PrizrenPress.com/