Home Blog Page 5888

Në Tiranë themelohet Instituti ‘Çabej’, fokus të veçantë do ta ketë Kosovën

0

Instituti “Çabej” është një fondacion kulturor kushtuar punës në lëmin e gjuhës shqipe, shkencave albanistike dhe kulturës sonë kombëtare. Themelohet duke u mbështetur në trashëgiminë intelektuale të dijetarit Eqrem Çabej. Nisma për themelimin e Institutit Çabej është marrë nga Brikena Çabej dhe Gjergj Shiko, në bashkëpunim me një grup specialistësh e dashamirësh të veprës së Eqrem Çabejt e të studimeve albanistike.

Brikena Çabej, themeluesja e Institutit “Çabej” wshtw shprehur se “Gjuha është pasuria më e madhe e një populli”.

Me këtë shprehje, të babait të saj, albanologut Eqrem Çabej, e nisi fjalën e saj përuruese për Institutin, Brikena Çabej.

“Ky institut është për studimet që merren me gjuhën, por edhe me shkencat e tjera. Ne po e themelojmë këtë Institut me shpresën që pasardhësit do ta çojnë përpara, duke uruar jo vetëm që të shërbejë si një rrjet ndërlidhës, por edhe përbashkues për shqiptarët kudo që janë, e veçanërisht për ata shqiptarë që merren me shkencat humane”.

Instituti “Çabej” vjen si një nevojë parësore e shkencës së albanologjisë për të përbashkuar të gjithë studiuesit shqiptarë të kësaj disipline themelore për kulturën tonë, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Bashkërendimi i mendjeve, vullneteve dhe tematikave të studimit mbi shqipen është një punë tejet e dobishme, të cilën Instituti “Çabej” e ka në qëllimin e tij kryesor të themelimit.

Çabej ka qenë i fokusuar dhe i interesuar për trevat shqiptare dhe për ngritjen e gjuhës dhe mendimit shqiptarë në të gjitha trevat, pavarësisht se edhe vet bashkëpunimi mes shqiptarësh ka qenë shpesh i penguar.

“Albanistika me të gjitha disiplinat e veta ka pasur momente të ulëta e momente të larta në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka pasur momente ku bashkëpunimi thuajse ka munguar krejt, ka pasur momente ku për shkak të rrethanave të kohës kanë mundur të komunikojnë vetëm studiuesit e ky komunikim ka qenë jetik për shqipen, pasi të shtrënguar të mos komunikonin mes vete dy bashkësitë shqipfolëse, ua kishin besuar së paku përbashkimin gjuhësor vullneteve të mbara të gjuhësisë”, thuhet në njoftim.

Drejtuesja e këtij instituti kujton se Çabej rezulton të jetë vullneti me i mbarë i atyre kohëve, pedagogu i leksioneve të Prishtinës mbi historinë e gjuhës shqipe dhe mbi albanistikën si pjesë e studimeve indoeuropiane. Fillimi i viteve ’70 e gjen Çabejn të përfshirë në një cikël të tillë leksionesh pasuniversitare, pra mbi historinë e shqipes dhe simotrave të saj. Leksione të tilla për Prishtinën dhe krejt bashkësinë shqiptare në Kosovë asokohe qenë të pazëvendësueshme pasi për kushtet historike në të cilat gjendej Kosova, kaptonin kufijtë e mirëfilltë të shkencës dhe lidheshin persë drejti me debatin e autoktonisë së shqiptarëve.

“Ndaj jo rastësisht, botimet Rilindja të Prishtinës qenë të parat që botuan në gjashtë vëllime ‘Studime Gjuhësore’ të Eqrem Çabejt, në të cilat përfshihen studime etimologjike, të gjuhësisë historike, të antropologjisë kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve e të gjithçka tjetër që albanologët e Prishtinës kishin mundur të përmblidhnin nga Çabej. Vetëdija se shqiptarët janë një komb gjuhësor bën që Instituti ‘Çabej’ të mos ketë thjesht mision shkencor por edhe kombëtar”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

Schwendiman, i inkurajuar nga konsolidimi i Speciales

0

Prokurori i specializuar, David Schwendiman, është i inkurajuar nga miratimi i Rregullores së Procedurës dhe të Provave, e cila u bë javën e kaluar. Në përgjigjen e tij dërguar gazetës “Zëri” Joseph L. Hollerhead, asistent ekzekutiv i zëvendëskryeprokurorit të specializuar, ka thënë se prokurori vazhdon ta kryejë punën që ia kërkon ligji i vitit 2015.

Prokurori i Specializuar, David Schwendiman, është duke vazhduar që ta bëjë punën e tij, të cilën edhe ia kërkon ligji i vitit 2015, shkruan sot, gazeta Zeri.

Madje sipas Joseph Hollerhead, asistent ekzekutiv i zëvendëskryeprokurorit të specializuar, prokurori është shumë i inkurajuar me miratimin e Rregullores së Procedurës dhe Provave ditë më parë.

Megjithatë, Hollerhead është shprehur i rezervuar sa i përket pyetjes së gazetës “Zëri” se kur do të nisin akuzat e para dhe e ka gjasë që ato të fillojnë brenda këtij viti.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar është një institucion i veçantë dhe i pavarur nga Dhomat e Specializuara dhe ka përgjegjësinë e autoritetin e vetëm t’ia dërgojë akuzat Gjykatës së Specializuar. Por, kur do të bëhet kjo ai nuk ka treguar, duke mos dashur që të ndërhyjnë në hetimet e Prokurorisë.

Në anën tjetër zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, i ka thënë gazetës “Zëri” ditë më parë se nëse vendimi i Dhomës Speciale të Gjykatës Kushtetuese do të jetë pozitiv, rregullat do të hyjnë në fuqi 7 ditë më pas. Në të njëjtën kohë Benes ka bërë të ditur se ky është edhe hapi i fundit ligjor që Gjykata të bëhet plotësisht funksionale./Zeri/

Aventura e re e Thaçit rrezikon Republikën

0

Fillimi edhe zyrtar i një faze të re të dialogut me Serbinë, që po bëhet tani nga dyshja e presidentëve të të dyja vendeve, Thaçi e Vuçiq, pa e pritur konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, pasi në pranverë të këtij viti ky dialog është ndërprerë me një rezolutë të Kuvendit me konsensus të të gjitha subjekteve politike të shumicës shqiptare, sipas përfaqësuesve të partive politike dhe analistëve, është një veprim i papërgjegjshëm i presidentit të Kosovës. Ata thonë se kjo mund të kualifikohet madje edhe si shkelje e rëndë kushtetuese, sepse ai po e shfrytëzon këtë boshllëk institucional dhe po e vazhdon dialogun me një anashkalim dhe tejkalim të institucioneve të reja, të cilat duhet të formohen pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe të marrin përgjegjësi institucionale në vazhdimin e qeverisjes së vendit, në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme.

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën -koalicioni PAN, i tha gazetës se kjo është një shkelje e rëndë e presidentit të vendit, i cili sidomos tani që Kosova është pa institucione të reja paszgjedhore, nuk ka asnjë legjitimitet të negocimit në emër të Kosovës për çështje që lidhen me sovranitetin dhe integritetin e shtetit.

“Faza e re, për të cilën po thirret Hashimi është një vazhdimësi e papërgjegjshmërisë së një personi në institucionet e shtetit, sepse fazat e reja apo ato të vjetrat i rregullon ekzekutivi i vendit, sepse Kosova është një shtet me rregullim parlamentar dhe jo sistem presidencial”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”. Sipas tij, duhet të reagojë edhe Kuvendi, por edhe qytetarët.

Po shkelet Rezoluta e Kuvendit

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku, po ashtu është kritik ndaj sjelljes injoruese të presidentit të vendit karshi institucioneve, që janë në pritje të themelimit, për të marrë eventualisht mandat përfaqësimi në këtë proces. Ai thotë se debatet ndaj procesit e formatit të dialogut Kosovë-Serbi nuk janë përmbyllur, prandaj ky është një veprim i pashembullt i presidentit të vendit. “Republika e Kosovës veç që gjendet para një situate pa qeveri e opozitë të re, ajo ka në fuqi një Rezolutë, e cila është miratuar nga legjislatura e kaluar e që decidivisht kërkohet pezullimi i dialogut. Shkuarja e presidentit Hashim Thaçi në Bruksel, duke proklamuar se është duke filluar një fazë të re të dialogut pa një konsensus të brendshëm, absolutisht mund të konsiderohet kundër strategjisë shtetërore të Kosovës, ndaj procesit të Brukselit. Shteti i Kosovës po lëngon nga mosllogaridhënia, e kjo është fuqishëm në dëm të interesave shtetërore. Anashkalimi i interesave shtetërore, duke imponuar agjenda e strategji kokë më vete nga ana e presidentit të vendit, është padyshim shkelje flagrante e rregullave demokratike e kushtetuese, për të cilat më së shumti ka nevojë Republika e Kosovës”, tha Maloku për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se edhe kapaciteti kushtetues i Kosovës në çdo çështje, që lidhet me interesin shtetëror të vendit, është i akorduar në atë mënyrë që i njeh palët institucionale siç është Qeveria e Kuvendi, e në këtë rast janë injoruar dhe anashkaluar. “Tejkalimi i këtyre kapaciteteve do të jetë shumë i dëmshëm për Republikën dhe këto kapacitete nuk duhet t’i tejkalojë as presidenti. Veç atij kushtetues, edhe kapaciteti politik i presidentit të Kosovës dhe të Serbisë dallon. Pas zgjedhjeve në Serbi, presidentit Vuçiq populli i dha pushtet gati gjysmë diktatorial, me mundësi të kontrollit maksimal edhe të Qeverisë edhe të Kuvendit, e që në rastin e presidentit të Kosovës kjo nuk qëndron”, theksoi Maloku.

 

Serbia synon koncesione të reja

Po aq kritik është edhe politologu Gurakuq Kuqi, i cili duke iu referuar këtyre zhvillimeve të fundit, thotë se tani kemi dy veprime dhe dy deklarime të ndryshme nga Thaçi dhe Vuçiqi, ku i pari vepron për interesa personale, ndërsa i dyti t’i nxjerrë koncesione më thellë Kosovës. “Të merremi së pari me Vuçiqin, i cili po luan një politikë të vërtetë. Vuçiq për të ruajtur populizmin në Serbi, duke shfrytëzuar vakumin politik në Kosovë dhe frikën e shqiptarëve nga Gjykata Speciale, ai njërën këmbë po e mban në Moskë e tjetrën në Bruksel. Ku nga Moska po fiton aksione politike dhe me atë të Brukselit po i zbaton ato.

Vuçiq ka deklaruar se duhet të kujdesen për serbët jo në veri të Kosovës, por brenda në Kosovë, se ata janë të rrezikuar dhe të pambrojtur, ku me këtë rast veriun e heq nga vëmendja dhe e bën një akt të kryer të kontrollit të Serbisë, duke hapur tema të reja për kinse probleme dhe koncesione për serbët në pjesë të tjera të Kosovës”, u shpreh Kuqi për “Kosova Sot”.

“Në anën tjetër, Kosova këtu po i ndihmon Serbisë të realizojë grackat e saj. Presidenti Thaçi me vendimin për bisedime me Serbinë në Bruksel, po bën një anashkalim total institucional, demokratik me veprime totalitariste. Thaçi duke u munduar tani t’i shpëtojë Gjykatës Speciale, po ndërmerr aksione për të shpëtuar veten, duke u treguar si lider që i shtyn proceset përpara dhe është i vetmi, i cili mund të sjellë dialog me Serbinë, mjeshtërisht duke shfrytëzuar edhe antipatinë serbe ndaj Ramush Haradinajt, dhe gjysmë neverinë e Brukselit ndaj Albin Kurtit. Ky dialog duhet të niset vetëm me bekimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përndryshe është një dialog ose privat, ose Kosova është e privatizuar dhe autoritariste. Kuvendi menjëherë pas konstituimit duhet të marrë masa ndaj këtij dialogu të presidentit, i cili madje do të tentojë edhe të krijojë krizë në Kosovë me dhënien e mandatarit për kryeministër, që herën e dytë mund të kemi marshime në rrugë, gjë që veç u paralajmërua, dhe gjitha këto turbullira t’i shfrytëzoj që vetë të dalë i pastër nga Gjykata Speciale dhe lider i krizave”, u shpreh Kuqi.

Image
Kuvendi të autorizojë bisedimet e radhës

Analisti Skënder Mulliri e konteston akoma më thellë legjitimitetin dhe legalitetin e përfaqësimit të tanishëm të Kosovës në këtë dialog nga presidenti Thaçi, i cili as nuk është njohur në momentin e zgjedhjes dhe as nuk njihet akoma si figurë e unitetit përfaqësues politik të vendit. “Hashim Thaçi është zgjedhur për president në kushte të shtetrrethimit që është precedent. Opozita nuk e ka pranuar legjitimitetin e zgjedhjes së tij me vota të LDK-së. Është absurde të fillohen bisedimet me Serbinë, kur ende nuk janë formuar organet e reja shtetërore të Kosovës”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”, duke shtuar se në këto kushte politike partitë politike ishte dashur të reagojnë fuqishëm kundër bisedimeve me Serbinë në Bruksel. Pa një rikonfirmim dhe autorizim të ri të Kuvendit, qoftë edhe me riformatim të ekipit të bisedimeve, nuk e sheh të arsyeshëm asnjë takim të këtij niveli, edhe analisti Ali Hertica. “Dialogu për marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje e interesit shtetëror, por të gjithë këta hapa nga presidenti duhet të merren në bashkëpunim me Kuvendin e ri të Republikës, që do të krijohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe nga qeveria e re, e cila duhet të jetë po ashtu rezultat i një marrëveshjeje të re politike nga këto zgjedhje. Kështu që në këtë aspekt mendoj se duhet të jenë të bashkuara të gjitha subjektet politike dhe institucionet shtetërore, pra dhe partitë politike parlamentare pa përjashtim, pavarësisht se kush do ta marrë timonin e bisedimeve”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”

Policia nis fushatën për dhurimin e gjakut

0

Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Qendrën e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut nga dje ka filluar fushatën për dhurimin vullnetar të gjakut në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës përveç shërbimeve aktive policore për qytetarët e vendit çdo ditë e më tepër janë të gatshëm të japin kontributin e tyre edhe në forma të tjera, siç është edhe dhurimi vullnetar i gjakut.

Fushata për dhurimin vullnetar të gjakut do të vazhdojë edhe sot në Kampin Vrella, tek pjesëtarët e Njësive Speciale të PK-së, si dhe nëpër stacione dhe njësi tjera policore.

Edhe një Karvan i kontinuitetit

0

Në përmbyllje të Karvanit XVIII të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” libër më i mirë për fëmijë u shpall “Ëndrra prej letre” i autores Erinë Rrahmani.

Në një takim që u mbajt sot në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të kryeqytetit, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” përmbylli aktivitetin e vet të edicionit të tetëmbëdhjetë me radhë.

Në informatën të cilën e paraqiti Xhevat Syla, koordinator, u tha se me gjithë mungesën e mjeteve materiale, falë gatishmërisë së shkrimtarëve për fëmijë u arrit të mbahet edhe një Karvan i kontinuitetit.

“U mbajtën mbi 20 takime letrare, kryesisht në vende ku Karvani nuk ka qenë më parë, e në të cilat me punimet e tyre u paraqitën shkrimtarët tanë për fëmijë, por edhe nxënësit krijues. Shkrimtarët kudo dhuruan librat e tyre më të rinj për bibliotekat e shkollave, por edhe për nxënësit talente të reja letrare. Në shumë mjedise u mbajtën edhe biseda të frytshme me nxënës, në të cilat u fol për librin si vlerë e rëndësishme në edukimin dhe formimin intelektual të fëmijëve, si dhe për probleme të krijimtarisë letrare, ku posaçërisht u theksua interesimi i nxënësve që doli nga pyetjet e tyre shumë interesante”, thuhet në njoftimin për media nga organizatorët e këtij Karvani.

Në këtë takim juria në përbërje Prend Buzhala, Ibrahim Kadriu dhe Xhevat Syla paraqiti raportin për vlerësimin e librave konkurrentë për Çmimin “Ymer Elshani” që jepet për librin më të mirë për fëmijë të botuar brenda periudhës midis karvanëve.

Nga raporti të cilin e paraqiti Prend Buzhala, kryetar i jurisë, doli se juria libër më të mirë për fëmijë të botuar brenda kësaj periudhe veçoi përmbledhjen me vjersha për fëmijë të autores Erinë Rrahmani, me titull “Ëndrra prej letre”.

Në falënderimin e saj në këtë takim, autorja Erinë Rrahmani shprehi gëzimin që ky çmim i jepet nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” , i cili e mirëpriti atë në radhët e veta që në moshën e saj të re, si dhe gëzimin që ky çmim mban emrin e njërit prej shkrimtarëve më të shquar dhe më tragjik jo vetëm të letërsisë sonë për fëmijë.

Nuk dihet nëse Veseli do të jetë kandidat për kryetar Kuvendi

0

PAN ende nuk ka diskutuar se kë do të nominojë për kryetar të Kuvendit.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA ende nuk ka vendosur se kë do ta nominojë për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Me marrëveshjen politike të arritur mes këtyre subjekteve tashmë është e specifikuar se kjo pozitë i takon Partisë Demokratike të Kosovës e cila mandatin e kryeministrit dhe formimit të Qeverisë ia ka besuar partnerit të koalicionit, kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse kreu i PDK’së, Kadri Veseli, do të kandidojë sërish për kryetar të Kuvendit.

Zyrtarë nga kabineti i këtij të fundit i kanë thënë RTK’së përmes telefonit se ende nuk është e sigurt nëse Veseli do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit.

Madje sipas tyre, kjo çështje deri tash nuk është diskutuar as në strukturat e partisë.

Ndërkohë që duke e pasur parasysh verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 e ku specifikohet se pozita e kryeparlamentarit i takonit partisë më të madhe apo koalicionit më të madh të dalë nga zgjedhjet, dy subjektet tjera, Vetëvendosje dhe koalicioni LDK AKR Alternativa ende nuk janë deklaruar nëse do të votojnë kandidatin që do të propozojë koalicioni PAN për kryeparlamentar.

“Ne akoma nuk e kemi diskutuar dhe nuk kemi marr vendim për një gjë të tillë…”, thotë Sami Kurteshi, nga Vetëvendosje

Ndërsa zyrtarë të koalicionit LDK-AKR-Alternativa nuk kanë folur nëse kanë marrë vendim për sa i përket votimit të kryeparlamentarit.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës pritet të konstituohet në afat prej 30 ditësh nga dita kur KQZ do të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve.

Kryeparlamentari duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota të deputetëve.

Ndërsa koalicioni PAN së bashku edhe me votat e pakicave, arrin numrin 59 deputetë. Por, zgjedhja e kryeparlamentarit nuk shihet si ndonjë problem i madh nga KDI, organizatë kjo që e monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.

“Partia apo koalicioni fitues nuk e kanë te kufizuar se sa here mund të propozojnë emra për kryeparlamentar. Madje edhe nëse nuk votohet njeri emër nuk shpërndahet kuvendi por partia apo koalicioni fitues mund te propozojnë emra të tjerë”, thotë Artan Murati, nga KDI

Në gjithë këtë proces, nga monitoruesit e KDI’së, sfidë shihet formimi i Qeverisë duke qenë se tashmë 3 blloqet politike në bazë të rezultateve të tyre nuk kanë numrat e domosdoshëm për krijimin e Qeverisë.

Mbrohet kryetari i Komunës së Dragashit

0

Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të hënën ka dhënë mbrojtjen e tij para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prizren.

Jenuzi ka thënë se në momentin kur e ka nënshkruar vendimin për dhënien e lejes së ndërtimit për të akuzuarin tjetër Nexhat Selaj, nuk e ka ditur se prona është e uzurpuar.

Ai ka thënë se kur mungojnë drejtorët komunalë, zakonisht nënshkruan ndonjë drejtor tjetër ose kryetari në emër të drejtorit përkatës dhe në këtë rast, ai ka nënshkruar një leje ndërtimi në emër të drejtorit të urbanizmit, Bean Haxhihasani.

Tutje, Jenuzi ka shtuar se pasi kishte marrë ankesë nga një qytetar rreth objektit të ndërtimit, ai kishte urdhëruar drejtorinë e urbanizmit që të merr masa dhe më pas leja e ndërtimit është anuluar.

Në këtë rast penal, po ashtu janë të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, drejtori i urbanizmit, Bean Haxhihasani, inspektori i ndërtimit, Vetim Hasani dhe Nexhat Selaj, për uzurpim të pronës shoqërore.

Në këtë seancë, gjithashtu ka dhënë mbrojtjen e tij edhe i akuzuari Bean Haxhihasani. Ai ka thënë se për lejen e ndërtimit të cilën e ka nënshkruar kryetari Jenuzi, e ka kuptuar gjatë hetimeve të prokurorisë, kur i janë kërkuar dokumentet. Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij si drejtor, ky është rasti i vetëm ku kryetari ka shfrytëzuar të drejtën për të nënshkruar një vendim në emër të tij.

Ai, ka shtuar se lejen e ndërtimit për objektin e ka dhënë drejtori paraprak dhe se në të janë paraparë kriteret mbi të cilat është lëshuar leja. Sipas tij, leja që është nënshkruar në emër të tij,  ka të bëjë me një aneks të objektit. Ai ka shtuar se përgjegjësia e dhënies së lejes është e zyrtarit komunal, që përgatit dokumentacionin, ndërsa nënshkrimi duhet vetëm për të legalizuar dokumentin dhe këtë nënshkrim mund ta jep, cilido drejtor apo edhe kryetari.

Haxhihasani, gjithashtu ka deklaruar se nuk i kujtohej nëse ka qenë në punë në ditën kur kryetari e ka nënshkruar vendimin në emër të tij, por prokurori i rastit, Genc Nixha, ia ka kujtuar deklaratën e tij në polici, ku kishte thënë se ka qenë në punë.

Pasi që kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, kishte të caktuar një rast tjetër për të gjykuar, ky shqyrtim është ndërprerë, ndërsa vazhdimi i të njëjtit është caktuar për 8 shtator 2017, në ora 09:00, ku pritet që të japin mbrojtjen e tyre edhe dy të akuzuarit tjerë.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon  Salim Jenizin, se duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.

Bean Haxhihasani, akuzohet se në cilësinë e drejtorit të urbanizmit në Komunën e Dragashit, ka lëshuar vendim me të cilin i është lejuar Nexhat Selajt, që të ndërtojë objektin afarist në pronë komunale.

I akuzuari tjetër, Vetim Hasani, akuzohet se duke qenë inspektor i ndërtimit në Komunën e Dragashit, nuk ka vepruar për të ndërprerë ndërtimin e objektit afarist të Nexhat Selajt, me material të përhershëm.

Ndërsa, Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm./betimiperdrejtesi/

Munir Basha: Fillimi i Ri, alternativë e vetme për Kosovën

0

Munir Basha ka studiuar gjuhët orientale në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka diplomuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike – në degën e Gjuhës Angleze. Me suksese ka drejtuar disa biznese, para se të fillonte karrierën politike.

Në karrierën e tij politike gjejmë se si ai dikur ka qenë Nënkryetar i Partisë së Drejtësisë (PD), deri në vitin 2011, Anëtar i Kuvendit Komunal në Prizren, ndërsa aktualisht edhe Zëvendës Ministër në largim në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkohë që edhe Partia Konservatore e Kosovës, drejtohet nga ai.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re ai shpjegon arsyet se pse ka dështuar përpjekja për bashkimin e platformës konservatore, e cila është copëzuar në shumë parti si dhe arsyet pse PK-ja i është bashkuar koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma.

Ndër tjera Basha thotë se Partia Konservatore pas 11 qershorit do ti kthehet prapë betejës për ri-unifikim dhe ri-definim të platformës konservatore në vend, prioritet ky permanent i PK.-së.
Basha: Partia Konservatore pas 11 qershorit do ti kthehet prapë betejës për ri-unifikim dhe ri-definim të platformës konservatore në vend, prioritet ky permanent i PK.-së.
GeR: Z. Basha, fushata zgjedhore ka filluar me një intensitet të lartë, por e karakterizuar nga një qetësi (pra pa incidente dhe fërkime të mëdha), cili është mendimi juaj në lidhje me këtë?

Basha: Zyrtarisht fushata parazgjedhore filloi më 31.05.2017, edhe pse ka kohë që ishim dëshmitarë se vendi ynë ishte përfshirë në fushatë në forma të ndryshme, të kamufluara në kremtime përvjetorësh të partive dhe manifestimesh të ndryshme. Fakti që fushata parazgjedhore është duke u zhvilluara e qetë, me replika të shumta në media mes rivalëve, por pa eksese e incidente fizike dëshmon se vendi ynë edhe përkundër telasheve të shumta që ballafaqohet në shumë sfera, ka arritur një avancim të nivelit të kulturës politike pluraliste, që e vlerësoj si një e arritur që duhet kultivuar. Uroj dhe thellësisht jam i bindur se në këtë frymë do të shkoj deri në përfundim të fushatës.

GeR: Ti kthehemi pak punës tuaj. Ju drejtoni Partinë Konservatore, e siç dihet në “tregun” politik kosovar ka edhe të tjera parti që pretendojnë të prezantohen me filozofi konservatore, a ka pasur përpjekje për t’i bashkuar forcat me to?

Basha: Spektri i partive konservatore në vendin tonë, fatkeqësisht është duke kaluar në një fazë shumë kritike ose, thënë në mënyrë më të drejtpërdrejt, është duke përjetuar ditët më të vështira që nga fillet e saj, pra që nga vitet e para të pasluftës. Koshient për gjendjen në të cilën gjendet kjo platformë, në emër të Partisë Konservatore të Kosovës, ndërmora iniciativën për unifikimin e platformës konservatore në vendin tonë.

Për shkak të vështirësive me menaxhimin e “ambicieve personale” ose, thënë më troç, të bajraktarizmit të disa ish-bashkëpartiakëve të mi, sot faktor ose bartës të funksioneve udhëheqëse të disa subjekteve të fragmentizuara të platformës konservatore, por edhe më tepër për shkak të rrethanave të krijuara me mundësinë reale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ne si PK, kemi pasur përpjekje të vazhdueshme, por me intensitet të shtuar para 2-3 muajsh dolëm me një iniciativë konkrete të shkojmë me formimin e një aleance konservatore si një zgjidhje kalimtare deri në organizimin e një kuvendi të mundshëm të unitetit të platformës tonë brenda 12 muajsh pas zgjedhjeve të Qershorit. Natyrisht, këtij kuvendi do t’i paraprinte organizimi i debateve të brendshme me faktorët relevantë politik, intelektual e civil të platformës tonë, ku do të debatohej reformimi, ridefinimi dhe riorganizimi platformës konservatore në Kosovë.

Konkretisht, propozimi ynë ishte që me këtë aleancë të përbërë nga forcat tanimë të fragmentizuara konservatore, duke filluar nga Partia e Drejtësisë e Ferid Aganit, krahut të kontestuar të të njëjtës parti, të udhëhequr nga Sylejman Çerkezi, pastaj të Nismës për Drejtësi dhe Zhvillim, të udhëhequr nga Amir Ahmeti, nga deputetja e vetme që ishte në mandatin aktual të Parlamentit, zonja Labinotë Demi-Murtezi si dhe unë, si përfaqësues i Partisë Konservatore të Kosovës. Ideja ishte që, fillimisht, të dakordoheshim për nevojën imediate të këtij “bashkimi të përkohshëm” por të domosdoshëm dhe pastaj si një trup unik, në formën e një “pesësheje” të jemi pjesë e një koalicioni parazgjedhor.

Me këtë veprim, ne do të tregoheshim të ndërgjegjshëm si ndaj elektoratit tonë ashtu edhe ndaj platformës, pjesë e cilës jemi. Me një veprim të tillë do të dërgonim elektoratit tonë një porosi, sa të fuqishme aq edhe të domosdoshme, se pas përçarjeve dhe fragmentarizimeve disa vjeçare, kjo platformë po e merr veten, po bashkohet. Kjo porosi, lirisht mund të them, vetvetiu do të prodhonte efekte shumë pozitive tek elektorati ynë dhe, në këto zgjedhje do të ndodhte fuqizimi dhe faktorizimi i platformës sonë. Por, mbi të gjitha, ky unifikim i “përkohshëm” do të shënonte edhe ringjalljen dhe unifikimin e qëndrueshëm dhe të domosdoshëm të spektrit konservator në vendin tonë. Kjo iniciativë, tanimë është e ditur, tash për tash, nuk u realizua. Fatkeqësisht!

GeR: Si e vlerësoni këtë shpërndarje të personaliteteve të dala nga Partia e Drejtësisë, në disa subjekte e blloqe politike? E konsideroni këtë si dështim të PD-së apo si rritje e egove personale?

Basha: Shpërndarjen e këtyre personaliteteve të platformës konservatore vlerësoj si reflektim të gjendjes së rënd në të cilën gjendet kjo platformë, për të cilën më gjerësisht fola në përgjigjen më lartë. Fatkeqësisht, egot tona janë një kapitull i veçantë.

GeR: Tashmë jeni pjesë e një koalicioni të gjerë rreth Fillimit të Ri, do të donim të dinim çfarë është ajo që e dallon këtë koalicion nga garuesit tjerë?

Basha: Me marrëveshjen e datës 16.05.2017, Partia Konservatore e Kosovës duke analizuar me kujdes gjendjen në Parti dhe në vend, vendosi të vazhdoj bashkëpunimin me PDK në kuadër të Koalicionit Parazgjedhor Fillimi i Ri. Ky koalicion, dëshmon vendosmërinë e liderëve politikë kryesor të vendit tonë që, jo vetëm në ditët më të vështira të popullit tonë, pra të kohës së okupimit dhe luftës kur jemi rrezikuar nga shfarosja si popull, por edhe në momentet më të rëndësishme për shtetndërtimin e vendit tonë, të prijnë proceseve që do të shpiejnë vendin tonë drejt mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm si dhe drejt fuqizimit të subjektivitetit shtetëror të vendit, me formimin e ushtrisë tonë dhe integrimin e vendit në organizata euro-atlantike dhe organizata të tjera ndërkombëtare financiare, kulturore, etj. Andaj, edhe konsideroj se pikërisht kjo vendosmëri dhe vizion politik bënë dallimin mes këtij koalicioni dhe koalicioneve, gjegjësisht partive tjera që janë në garë ne këto zgjedhje.

GeR: Çfarë është ajo që pritni ju nga këto palë zgjedhjesh të parakohshme në Kosovë?

Basha: Nga këto zgjedhje, jo vetëm unë, por edhe qytetarët e Kosovës presin të dalë një qeveri stabile me kompetencë dhe vendosmëri, e cila do të prijë proceseve të rëndësisë jetike për vendin dhe popullin tonë, sikurse janë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, luftimi i korrupsionit, formimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, fuqizimi i shtetit ligjor dhe, si rrjedhojë, edhe integrimin e vendit tonë në organizata dhe mekanizma euro-atlantik. Andaj, konsiderojë se Fillimi i Ri, jo vetëm si platformë zgjedhore por më tepër si një projekt nacional është alternativë e vetme për vendin. Ndërsa, në rrafshin partiak, pres që Partia Konservatore e Kosovës të vazhdoj rrugëtimin e saj duke qenë pjesë konstruktive e proceseve dhe skenës politike në vend. Shpreh bindjen time se nga këto zgjedhje PK do të dalë më e fuqishme edhe në proceset e paszgjedhjeve në reformimin dhe riorganizimin e spektrit konservator politik tek ne, procese këto që do tu kthehemi pas 11 qershorit.

GeR: Në mendimin tuaj a do të kemi nevojë për koalicione pas zgjedhore për formimin e Qeverisë së re?

Basha: Gjëja më e keqe që mund të ndodhte vendit pas zgjedhjeve të 11 Qershorit do të ishte përsëritja e një skenari bllokues “a la VLAN”. Por, pikërisht për të eliminuar çdo mundësi të përsëritjes së një skenari, sa destruktiv aq edhe të dëmshëm për vendin, kreu i koalicionit Fillimi i Ri, z. Kadri Veseli, me heqjen dorë nga kandidimi për të parin e qeverisë u dëshmua se është një lider vizionar me tipare të një burrështetasi të ndërgjegjshëm për perspektivën e vendit. Pas gjithë këtyre sakrificave dhe forcës reale që ka ky koalicion në terren, pres një fitoreje të thellë të koalicionit tonë dhe një qeveri stabile edhe në aspektin e numrave në Parlamentin e Kosovës.

GeR: Dhe për fund, cili është mesazhi juaj drejtuar qytetarëve për këto palë zgjedhjesh?

Basha: Uroj që fushata për këto zgjedhje të zhvillohet deri në fund në mënyrë të qetë dhe demokratike, ku qytetarët e vendit do të kenë mundësinë e zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre politikë në mënyrë të lirë, duke qenë besnikë bindjeve të tyre politike.

Inkurajoj çdo qytetarë të vendit tim që detyrimisht të dalë në zgjedhje dhe me votën e tij të jetë pjesë aktive e ndryshimit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të vendit tonë. Votimin mos të kuptojnë vetëm si drejtë kushtetuese por edhe një obligim qytetar dhe patriotik. Secilit qytetar të Kosovës them në mënyrë të drejtpërdrejt: Ndryshimi fillon me ty!/Gazetaere.com/

Mustafa: S’na lëkund asnjë kërkesë e ndërkombëtarëve

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryeministër në detyrë, Isa Mustafa, ka thënë se procesi i zgjedhjeve të 11 qershorit ka qenë i rregullt, ku të gjitha subjektet politike në përgjithësi kanë respektuar normat dhe kriteret demokratike.

Mustafa ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve nuk janë ato që ka pritur LDK-ja.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se vota në këto zgjedhje ishte më shumë kundërshtuese sesa vlerësim i asaj çfarë është punuar gjatë qeverisjes së tij.

Mustafa ka thënë se në zgjedhjet e 11 qershorit nuk ka fitues, ka humbës. “Po të kishte fitues, fituesi do ta bënte një qeveri stabile, me shumicë të qëndrueshme”, ka thënë Mustafa. Kreu i LDK-së ka përsëritur se kjo parti nuk do të bëjë koalicion me PDK-në.

Ai ka theksuar se LDK-ja me partnerët e saj, AKR-në dhe Alternativën, janë shprehur qartë se nuk bëjnë marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në, pra as me koalicionin ku është dhe të cilin e drejton PDK-ja. Për këtë qëndrim, thotë se i ka njoftuar edhe miqtë ndërkombëtarë.

Mustafa ka bërë të qartë se asnjë mesazh dhe asnjë kërkesë e ndërkombëtarëve nuk mund ta lëkundin në qëndrim as atë dhe as LDK-në sa i përket një bashkëpunimi të ardhshëm me PDK-në.

“LDK-ja ka treguar pjekurinë e saj. Me ndërkombëtarët kemi bërë zgjidhjen në vitin 2014 pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Si kryeministër dhe lider i LDK-së ua kam bërë të qartë ndërkombëtarëve se, nëse PDK-ja bën veprime të njëanshme, ne do ta ndërpremë bashkëpunimin me ta. Ne e kemi kryer obligimin tonë. Asnjë mesazh dhe asnjë kërkesë e ndërkombëtarëve nuk do të më lëkund as mua dhe as LDK-në”, ka deklaruar Mustafa.
I pyetur nëse deputetë nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa mund ta votojnë individualisht Qeverinë Haradinaj, Mustafa ka thënë se “peshkimi”, kontrabandimi, blerja e deputetëve nuk janë zgjidhje dhe as alternativë për një qeveri.

“Një qeveri që ndërtohet me forma të tilla nuk meriton as të trajtohet si e tillë, sepse bie që është qeveri e mashtruesve. Nuk besoj se në mashtruesve. Nuk besoj se në apo të AKR-së ka mashtrues:, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se është i gatshëm të takohet me Ramush Haradinajn për të biseduar për formimin e qeverisë, por për këtë ka një kusht. “Në çdo moment që z. Haradinaj nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes me PDK-në, ne mund të bisedojmë për mundësitë e bashkëqeverisjes. Por, jo derisa z. Haradinaj flet në emër të një koalicioni që drejtohet nga PDK-ja”, është shprehur kreu i LDK-së.

Ai është shprehur i hapur për një bashkëpunim për krijimin e institucioneve me Lëvizjen Vetëvendosje!, AAK-në dhe Nismën. “Në rast se nuk gjejmë mirëkuptim me VV-në, AAK-në dhe Nismën, për qeverisje me përgjegjësi programore të LDK-së, do ta shfrytëzojmë hapësirën parlamentare për t’i shërbyer vendit”, ka deklaruar Mustafa, duke shtuar se harmonizimi i një programi i cili përputhet me idenë e një shoqërie demokratike, të ekonomisë së tregut, të orientuar kah Bashkimi Evropian, në miqësi të fortë me ShBA-në dhe që ndërton shtetin e së drejtës është domosdoshmëri.

Vetëvendosje paralajmëron reagim qytetar nëse Hashim Thaçi mandaton dy herë PAN’in

0

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar sot se do të zbatojë vendimin e vitit 2014, të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me mandatarin për formimin e institucioneve qeverisëse në Kosovë.

Thaçi ka thënë se vendimi në fjalë shpreh qartë se fituesi i zgjedhjeve, në këtë rast koalicioni PAN, është mandatari për formimin e Qeverisë.

Por, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka deklaruar se nëse kushdo që nuk i ka numrat do të mundohet të uzurpojë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, do të marrë përgjegjësinë për cilëndo situatë të krijuar pastaj.

“Nëse Thaçi nuk e respekton të drejtën e mandatarit që e ka shumicën e LVV-së me partnere, atëherë ai do të përballet me vendoshmërinë e qytetarëve për ta mbrojtur votën dhe fitoren”, ka thënë Selimi për Indeksonline.

I pyetur se a do të thotë e gjithë kjo që Kosova mund të përballet edhe me protesta, si qasje e qytetarëve për të kundërshtuar këtë, Selimi ka cilësuar se për këtë gjë qytetarët do të vendosin vetë, sepse sipas tij ata e dinë vetë këtë çështje.

Ndryshe presidenti i vendit, se vendimi i Kushtetuese në vitin 2014 është i qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime politike as në rast të dështimit të formimit të institucioneve nga koalicioni fitues, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Zgjedhjet e 11 qershorit nxorën fitues koalicionin PAN me 33.92 përqind duke u pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 27.16 përqind dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25.79 përqind.