25.5 C
Prizren
E mërkurë, 18 Qershor, 2025
Home Blog Page 5889

Qosja, letër qortuese Kadaresë

0

Shkrimtari Rexhep Qosja, më 31.3.1997, në kohën kur në Shqipëri kishin shpërthyer trazirat e popullit ndaj pushtetit, e kur kryetarin e shtetit të kësaj republike, Sali Berishën, e mbronte Ismail Kadare, shkrimtari vuthjan, nga Prishtina, vend ku jetonte, i kishte dërguar një letër shkrimtarit gjirokastrit, në të cilën e kishte qortuar për përkrahjen që ia jepte Berishës dhe që e shpallte popullin fajtor për trazirat.

Ndër të tjera, Qosja në këtë letër e akuzon Kadarenë për mbajtje anë të pushtetshmëve dhe se, sipas Qosjes, Kadareja është “nënbishti” i Berishës. Se për çfarë të tjera e akuzonte dhe ku nuk pajtohej Qosja me Kadarenë për ngjarjet e ’97-s në Shqipëri, po jua sjellim letrën e tij, të datës 31.3.1997, të përmbledhur në vëllimin e shtatë të ditarit të tij “Dëshmitar në kohë historike”, në faqe 414-422, botuar një muaj më parë.

Datë: 31.3.1997

I dashuri Ismail,

Ka kohë që më habisin gjykimet tua për marrëdhëniet politike e, tani, edhe për tragjedinë që po përjeton Shqipëria dhe populli shqiptar në tërësi. Sa herë që e kam pyetur veten: çka po ngjet me Ismailin? Cilat janë arsyet që nuk po pranon të ballafaqohet me të vërtetën?

Para zgjedhjeve të 26 majit 1996 e ke braktisur pozicionin e krijuesit partiakisht të paanshëm, që e ke ruajtur një kohë, dhe je vënë në anën e pushtetit. Përfundimi i zgjedhjeve të ka dënuar sepse është parë se je vënë në anën e shpërdoruesve të vullnetit të popullit: regjimi ka bërë një shpërdorim aq të hapur aq sa institucionet ndërkombëtare janë shtrënguar të kërkojnë përsëdytjen e tyre. Ti, ndërkaq, e ke heshtur atë dhunim të parimeve demokratike dhe morale. Nuk e di a je i bindur se hajnia zgjedhore, e bërë para së gjithash për të siguruar numrin e mjaftueshëm të deputetëve të një partie që do të votojnë sigurt për rizgjedhjen e Sali Berishës kryetar, është bërë hyrje në tragjedinë e sotme shqiptare. Është e njohur: në qoftë se Parlamenti nuk bëhet institucion në të cilin shprehet vullneti i forcave politike të vendit atëherë këtë rol do ta marrë rruga.

Fitorja (e vjedhur) e ka shtuar tepër arrogancën e regjimit.

Trysnia mbi opozitën dhe intelektualët kritikë është përshkuar prej përbuzjes. Kthimi i privatizimit në plaçkë dhe pasurim të pushtetarëve; korrupsioni; hajnia; krimet e gjithfarëllojshme; rritja kërcënuese e rolit të policisë së fshehtë; hendeku gjithnjë e më i thellë i ndasive midis shqiptarëve; fyerjet e organizuara të njerëzve në tribunat regjisore; politika e konfrontimit militant që i ashpërson kundërshtitë shoqërore duke e çuar vendin drejt tragjedisë – të gjitha këto janë bërë gjendje “natyrore” e Shqipërisë! E ti ke vazhduar të pranosh vizita te kryeprotagonisti i tragjedisë shqiptare në përgatitje e sipër – te Sali Berisha. E palejueshme.

RTVSH është bërë institucion partiak që agresivisht e shpreh arrogancën e regjimit; që e frikëson opozitën; që nxit urrejtje brendakombëtare; që ushtron terror verbal mbi numër të madh të qytetarëve!

RTVSH vazhdon traditën staliniste të RTSH: me të njëjtat fytyra të shtanguara, me të njëjtin stil buçitës, me të njëjtin vëllim gënjeshtrash që lavdërojnë regjimin, por tani të veshur në rroba të reja. Mashtrimi i popullit është bërë ideologjia dhe morali i tij. E ti ke pranuar të dalësh e të flasësh në atë RTSH, që është bërë Bastijë për shumë krijues të tjerë. Nuk e di sa ke menduar se ashtu, deshe s’deshe, ,ke kontribuar që RTSH-ja të bëhet RTV i një Partie, i një Ideologjie, i një Prijësi dhe, më në fund, i një Shkrimtari. E palejueshme.

Partia në pushtet e hartoi vetë Projekt-Kushtetutën e Shqipërisë në vend se këtë ta bënte me të gjitha partitë e tjera që, po ashtu, janë parti të Shqipërisë. Ky Projekt-Kushtetutë, po të miratohej, do ta bënte “të ligjshme” diktaturën presidenciale në Shqipëri.

Çështja e shqiptarëve të paçliruar, e kjo domethënë edhe çështja e Kosovës, në të u rrëgjuan në çështje të të drejtave të njeriut!

Fushata e kryetarit për Kushtetutën u bë fushatë politike dhe ideologjike kundër atyre që kërkonin përmirësime demokratike në të dhe procedurë tjetër të miratimit. Si edhe përpara, kryetari bëri ndarjen e shqiptarëve në engjëj dhe në djaj! Hendeku i ndasive midis shqiptarëve u zgjerua edhe më shumë. E ti e përcolle i heshtur këtë valle rrënuese të Djallit në teatrin tragjik politik shqiptar.

Në prag të Vitit të Ri 1997 Qeveria shqiptare premtoi politikë të re, aktive, për çështje të Kosovës. U kërkua, pas 4 vjetësh, që të mblidhet Kuvendi imagjinar i Kosovës dhe të bëhen protesta kaherë të harruara. Shumëkënd e çuditi kjo kthesë e përnjëhershme, e panatyrshme, në politikën e Tiranës zyrtare ndaj Kosovës. Si mund të kërkohej përnjëherë ajo që 4 vjet ishte mohuar? Pse të bënin protesta shqiptarët kundër regjimit të Millosheviqit në kohën kur në protesta kundër të njëjti regjim ishin ngritur edhe opozita serbe? Kjo do të thoshte të pajtoje regjimin serb me opozitën serbe dhe ashtu, bashkë, t’i ngrije kundër shqiptarëve. Kjo do të thoshte të shpëtoje regjimin e Millosheviqit!

Përmbysja e skemave piramidale në Shqipëri do ta zbërthejë misterin: Sali Berisha pas 4 vjetëve të mohimit të tyre po kërkon protesta në Kosovë me qëllim që revoltat shqiptare, që do t’i shkaktojë kjo përmbysje e skemave piramidale, t’i zbusë me gjakderdhjen që do të bëhej në Kosovë. Si ta quajmë këtë dinakëri djallëzore politike? Tradhti – po, tradhti fundbotshëm të ndyrë.

Ti fole drejt, objektivisht, sepse fole kritikisht për politikën e gjorë, për Kosovën e përulur, të mediokriteteve në Kryesinë e LDK-së. Por, fole në moment të gabuar – në momentin kur gjykim kritik mbi politikën e tyre bëri edhe regjimi në Tiraanë. Ishte e qartë: u përdore, vetëdijshëm a jo, prej regjimit! E palejueshme! Cenuese për personalitetin tënd.

Shumë shpejt shpërtheu skandali i skemave piramidale. Me dhjeta mija, ndoshta, me qindra mija shqiptarë, kryesisht, të varfër; u mashtruan dhe u plaçkitën prej mashtruesve ekonomikë të lidhur me pushtetmbajtësit. Kryeministrit nuk i shkoi mendja të japë dorëheqje as kur u rrënua plotësisht sistemi financiar-ekonomik i shtetit, kurse kryetari i Shqipërisë iu drejtua popullit: kam besim të plotë në Qeverinë! Ishte e qartë: në pushtetin shqiptar ishin bashkuar të gjitha – komedia dhe tragjedia, politika dhe krimi, gënjeshtra dhe përbetimi në të vërtetën! E ti ndër fajtorët për mbajtjen e skemave piramidale i radhite edhe viktimat e mashtruesve të cilët, ka, paskan dëshiruar të pasurohen lehtë! E palejueshme. Thuajse shteti nuk është i obliguar me ligje, edhe në qoftë se nuk ka kushtetutë, që t’i mbrojë qytetarët prej mashtruesve dhe plaçkitësve – prej gangsterëve. Po si t’i mbronte shteti fukarenjtë kur gangsterët po e drejtonin shtetin?

Në Shqipëri u bë kryengritje popullore, në të vërtetë revolucion (i vonuar) demokratik, që filloi me protesta, por u derdh në kaos dhe në anarki. Parlamenti shpalli shtetrrethimin. Kryetari i shtetit u turr që të rizgjidhet në gjendje shtetrrethimi – siç nuk bëhet askund në botë. I dalë si kryetar i paligjshëm nga zgjedhjet e shpërdorura, ai u bë edhe njëherë i paligjshëm! Dyfish i paligjshëm! Dhe, kështu, dyfish i paligjshëm iu kërcënua demonstruesve se do t’i qetësojë “me dorën e hekurt të ligjit”! Tamam siç e qetësonin popullin Stalini, Titoja, Maoja dhe Enveri, prej shkollës së të cilëve i ka mësuar mësimet për mbajtjen e pushtetit! Pasojë e drejtpërdrejtë apo e ndërmjetuar e politikës së tij të mospajtimit dhe të konfrontimit, e fjalës së tij përçarëse dhe e dorës së tij të hekurt deri sot janë: mbi 170 të vrarë; mbi 80 gra e foshnja të fundosura në fundin e Adriatikut gjatë përpjekje për të shpëtuar prej vendit ku sundojnë ajo fjalë e aso dore; mbi 750 të plagosur; mbi 12 mijë burra, gra dhe fëmijë të ikur vetëm në Itali; shumë rrënime të të mirave të përgjithshme në të gjitha anët e Shqipërisë! Gjasat që ky bilanc të rritet janë ende të mëdha! E ti, siç e tha sonte RTSH-ja, kërkove t’i rikthehet autoriteti kryetarit! E palejueshme! Kërkesë që do ta rëndojë jetëshkrimin tënd edhe ashtu të rënduar, edhe kur s’do të jemi ti e unë! E ti në gazetën italiane “Corriere della sera” nuk ngurrove t’i akuzosh të ikurit, të varfrit, të përçmuarit pse “Shqipërinë e përjetove barrë”, pse, thua, “djegin dhe shkatërrojnë për të pasur të drejtë të thonë: s’kemi asgjë, na jepni çdo gjë!” E palejueshme. Nuk janë ngritur ata – të ikurit, të varfrit, të përçmuarit kundër Atdheut të vet, po kundër regjimit, i cili nuk lodhet për gjendjen e tyre, i cili shumicës ia ka tjetërsuar edhe atë pak kursim, kundër regjimit të poshtër!

Ania shtetërore shqiptare u fundos për disa ditë: as shtet, as pushtet, as ushtri, as polici, as gjyqe, as ekonomi! Mbet vetëm sigurimi i kryetarit dhe i kamarilës së tij! Kapitenët e anies së fundosur vazhdojnë – të veshur mirë, të stolisur me shami të bardha në xhepat e setrave, të ulur në kolltukë të shtrenjtë, të ushqyer mirë – të flasin për pushtetin që nuk është, për shtetin që tani duhet ta bëjnë të tjerët! Çfarë situate orueliane! E ti në shkrimin e botuar në gazetën “Le Mond” thua: “Ende nuk ka ardhur koha për përimtime më të thella (që është e pamundshme të bëhen tani) e as për emërtimin e fajtorëve”! E palejueshme. Kur populli çohet kundër regjimit siç u çua tani në Shqipëri domethënë se diçka nuk është në rregull jo me popullin po me regjimin. Kur shteti rrënohet për disa orë, si gardh i kalbur, domethënë se shtetarët s’kanë ditur as të bëjnë, as të mbajnë shtet! Pa e pritur, prandaj, ditën e përimtimeve mund të thuhet: fajtorët për tragjedinë që përjetoi Shqipëria janë të gjitha udhëheqjet e parive dhe inteligjencia, por fajtorët kryesorë janë Sali Berisha, Pjetër Arbnori dhe Aleksandër Meksi, në duart e të cilëve ishte shteti e, sidomos, Sali Berisha, i cili dy të tjerët i kishte kthyer në kukulla të gjora. Ai është mjeshtri i hurit të shtogut në zemrën e shteti shqiptar dhe të demokracisë shqiptare! Jam thellësisht i bindur se historianët e ardhshëm të kësaj kohe do t’i shkruajnë edhe këto fjali: kurrë për një kohë më të shkurtër nuk është bërë më shumë për shkatërrimin e përbashkësisë shqiptare! Dhe, kurrë një politikan shqiptar s’ka përhapur më shumë përçarje dhe s’ka frymëzuar më shumë krahinorizëm sesa Sali Berisha! Ndikimi i tij përçarës është shtrirë në jetën e shqiptarëve kudo qofshin ata: në tokat shqiptare dhe në diasporë.

Në të njëjtin artikull ti thua se klasa politike shqiptare vetëm kur u ballafaqua me tragjedinë “bëri hapin e parë të përgjegjshëm drejt pajtimin kombëtar” . E vërteta është pak më ndryshe. Siç mund ta dish edhe ti, të gjithë prijësit e parive politike në Shqipëri janë pajtuar me idenë për mbajtjen e Kuvendit për Pajtim Kombëtar në fillim të vitit 1992 me përjashtim të Sali Berishës dhe të Sabri Godos. Përpjekjet për pajtim kombëtar, në të cilat kanë qenë të futur aq intelektualë, në mesin e të cilëve dhe unë, i ka varrosur Sali Berisha me ndihëm e ithtarëve të politikës së konfrontimeve në Shqipëri dhe në Kryesinë e Lidhjes Demokratike në Kosovë. Si njëri prej bashkëkryetarëve të Këshillit nismëtar për pajtim kombëtar e di mirë, sepse kam pasur dy biseda të gjata e të rënda me të, se me çfarë vendosmërie dhe me çfarë mendimesh është ngritur ai kundër pajtimit, kundër ardhmërisë shqiptare! Kur të bëhen përimtimet që kërkon ti, dështimi i nismës aq të pamoralshme, aq humane dhe aq atdhetare për pajtim kombëtar në fillim të vitit 1992 do të jetë akuza më e rëndë në librin shumëfaqësh mbi fajet, në të vërtetë mbi keqbërjet e Sali Berishës dhe të dëgjuesve të tij të përulur në Shqipëri dhe në Kosovë: Abrnori, Meksi, Rugova, Agani! Hiçkushët!

Pas 5 vjetësh, tani, më 1997, kur e përmbysi shtetin shqiptar, Sali Berisha dhe ithtarët e tij, unë besoj të paktë, u detyruan të pranojnë idenë e pajtimit kombëtar. Dhe, e pranuan jo pse deshën, po pse i detyruan ta pranojnë, në njërën anë, populli i ngritur kundër tyre, kurse, në anën tjetër, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. U detyrua Sali Berisha t’i pranojë frytet e revolucionit të vonuar demokratik i cili, mjerisht, u derdh në kaos e anarki: 1. politikën e pajtimi kombëtar në vend të politikës së konfrontimeve dhe të urrejtjeve; 2 formimin e qeverisë së pajtimit kombëtar në vend të qeverisë njëpartiake; 3. zgjedhjet e parakohshme për korrigjim të zgjedhjeve të shpërdorura më 16 maj 1996; 4. qeverisjen me Kushtetutë e cila duhet të hartohet sa më shpejtë në vend të qeverisjes së egër, bajraktarçe të pakushtetutë; 5. shpartizimin e policisë dhe shpërndarjen e policisë së fshehtë; 6. zhbllokimin dhe demokratizimin e mjeteve elektronike të informimit. E të tjera. U detyrua t’i bëjë këto me shumë kohë vonesë mbasi kësaj vonese iu pagua çmim tragjikisht i shtrenjtë. Dhe, këtë çmim tragjikisht të shtrenjtë nuk e pagoi ai me oligarkinë e tij, as klasa politike në përgjithësi, po e pagoi populli i varfër! E ti, megjithatë, shkruan se “nuk je aspak i sigurt se çka do t’i sillte dorëheqja e Sali Berishës Shqipërisë – të mirë a të keqe”! E çuditshme! Dhe e palejueshme! Në qoftë se ti nuk e zhvesh politikën prej përgjegjësisë dhe prej moralit – e dua të besoj se nuk e zhvesh as pre përgjegjësisë, as prej moralit, pse ia lejon vetes atë pohim? Çështja e dorëheqjes së Sali Berishës (madje edhe e Pjetër Arbnorit dhe e Aleksandër Meksit), që ende shihet në Parlament dhe zëvendësimi i tyre me anëtarë të tjerë të Partisë Demokratike deri në zgjedhjet e parakohshme) është çështje për së tepërmi e rëndësishme që ka të bëjë me të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë, sepse ka të bëjë me politikën shqiptare sot dhe nesër. Do të detyrohet a s’do të detyrohet të japë dorëheqje ai domethënë: do të vazhdojnë ta bëjnë politikën shqiptare njerëz të paskrupuj, me horizonte partiake e krahinore a njerëz të ndershëm me vizione për ardhmërinë e shtetit dhe të Kombit; do të kemi politikë të papërgjegjshme a të përgjegjshme; do të kemi shtet ligjor a parashtet partiak, në të vërtetë parashtet fisnor në të cilin fiset i bëjnë shantazhe njëri-tjetrit; do të jemi qytetarë me qëndrim bashkëkohor a pjesëtarë fisesh me qëndrim patriarkal ndaj pushtetit. Shqipëria nuk është shtet i mallkuar, kurse shqiptarët nuk janë popull joliridashës që të pajtohet që në krye të shteti t’u qëndrojë edhe më tej njeriu nën kryesinë e të cilit është përmbysur e kjo domethënë është përulur shteti; njeriu kundër të cilit është ngritur populli; njeriu që është rizgjedhur në gjendje shtetrrethimi; njeriu që në të vërtetë ishte ideologu i luftës 5-vjeçare qytetare, i luftës 5-vjeçare qytetare në të cilën deri para dy muajsh nuk shtihej me armë, po luftë qytetare bëhej me një armë që mund të jetë vrastare: me fjalë!

Demokracia – e thotë një mendimtar politik – është garanci e paqes. Në Shqipëri nuk kishte demokraci, prandaj populli edhe u çua në kryengritje fitil i së cilës u bë rënia e skemave piramidale. Nuk thuhet kot se luftërat qytetare bëhen jo kur përmbysen diktaturat e vjetra, por kur vihen diktaturat e reja. Në Shqipëri u bë kryengritje po kjo kryengritje ishte edhe revolucion (i vonuar) demokratik: u thyen, së paku tani për tani, strukturat njëpartiake, jodemokratike, autokratike; Shqipëria iu afrua sadopak demokracisë.

Ndihmoje, prandaj, demokracinë, të lutem!

Për mendjen historike, mbajtja e Sali Berishës në vendin në të cilin është sot, është sjellje politike kundërhistorike. Mund të thuhet kështu sepse pa largimin e tij nga kreu i shteti në jetën politike të Shqipërisë nuk mund të tejkalohet politika e mospajtimit dhe e konfrontimeve, që Shqipërinë e solli në gjakderdhje. E në qoftë se nuk tejkalohet politika e mospajtimi dhe e konfrontimeve Shqipëria do të mbetet larg demokracisë dhe larg, larg Evropës. Dhe, më tej: në qoftë se nuk tejkalohet politika e mospajtimit dhe e konfrontimeve prej së cilës ai, si po shihet, nuk mund të heqë dorë, kam drojë se Shqipërisë i kanoset rreziku që konfrontimet politike “të pasurohen” me motive të tjera edhe më tragjike konfrontuese! Atëherë mbetet të lutemi: shpëtoje, Zot, Shqipërinë! Dhe, shpëtoji, Zot shqiptarët! Prej shqiptarëve mendjeterr!

Për mendjen historike, Shqipërisë dhe shqiptarëve iu cenohen rëndë e sotmja dhe e nesërmja në qoftë se nuk bëhet sa më parë çka është refuzuar të bëhet gjatë këtyre vjetëve: në qoftë se politika shtetërore nuk bazohet në programin e pajtimit dhe të rilindjes kombëtare; në qoftë se politika e korrupsionit legal dhe e pandëshkimit të krimeve “legale” nuk zëvendësohet prej politikës së përgjegjshme dhe të ndëshkimit të të korruptuarve dhe të keqbërësve të tjerë në pushtet; në qoftë se politika e vetëkënaqësisë parashtetërore nuk zëvendësohet prej politikës së reformave të vërteta dhe të modernizimit të vendit; në qoftë se politika shtetërore dhe kombëtare nuk u nënshtrohet ligjeve etike – çka në jetën tonë nuk ka ngjarë deri sot.

Për të gjitha këto arsye, të bësh përpjekje për rikthim të pozicioneve politike të Sali Berishës – siç po bëni ti dhe Besnik Mustafai, domethënë të harrohet çka nuk guxon të harrohet: në qoftë se prej kësaj tragjedie nuk dalim me vetëdije për shkaqet dhe shkaktarët e saj kryesorë, tragjedia mund të përsëritet prapë – në kohën tonë a në kohën e fëmijëve tanë.

Kau që hyn njëherë në lakra – thuhet në popull – hyn edhe herë të tjera.

Po e përfundoj këtë letër me lutjen – mos m’u hidhëro. Dua të jesh i bindur se në mua ke mikun i cili gjithnjë dhe gjithkund mbron të mirën tënde. Të shkruaj kështu qortueshëm sepse dëshiroj që të mos e cenosh veten me dobësi në sjelljet ndaj një regjimi të pamerituar për mirëkuptimin tënd, të mos e cenosh veten me dobësi që, ndoshta, mund të jenë të kuptueshme për dikë tjetër, por janë të pafalshme për ty, nesër edhe më shumë se sot.

Ty, Elenës dhe vajzave të fala dhe dëshira për lumturi.

Erdogani: Po e fillojmë një faqe të re bashkëpunimi me Rusinë

0

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogani, ka thënë se Turqia po e fillon “një periudhë shumë të ndryshme në marrëdhëniet me Rusinë dhe se bashkëpunimi në mes të dy vendeve mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve rajonale”.

Erdogani ka bërë këtë deklaratë në Shën Petersburg të Rusisë para takimit me liderin rus, Vladimir Putin. Ky është takimi i parë prej të dy vendet përkeqësuan marrëdhëniet kur në nëntor Turqia e rrëzoj një aeroplan luftarak rus në afërsi të kufirit me Sirinë. Rusia vendosi menjëherë sanksione ndaj Turqisë ndërsa numri i turistëve rusë në bregdetin turk shënoj rënie prej 87 për qind gjatë këtij viti. Pak para takimit me Putinin, Erdogani ka thënë se ai dëshiron të rifillojë bashkëpunimin me Rusinë në disa sektorë.

“Një faqe e re do të hapet në lidhjet ruso-turke. Kjo faqe e re përfshinë ushtrinë, ekonominë dhe bashkëpunimin kulturor”, ka thënë Erdogani për agjencinë ruse “TASS”.

Takimi mbahet pas përkeqësimit të marrëdhënieve në mes të Ankarasë dhe perëndimit, pas grushtshtetit të dështuar në Turqi, ku u vranë 230 persona. Turqia e akuzon perëndimin se është treguar më e shqetësuar me veprimet e pushtetit në Ankara kundër puçistëve se sa me vet puçin. /REL

Shënohet 71-vjetori i sulmit bërthamor në Nagasaki

0

Japonia ka shënuar 71-vjetorin e sulmit amerikan me bombë bërthamore në qytetin e Nagasakit.

Në këtë ceremoni ishin mbledhur mijëra të pranishëm që përfshin edhe persona të moshuar që i kanë mbijetuar sulmit dhe familjarë të viktimave, raporton Rel.

Ata e kanë mbajtur një minutë heshtje në orën 11:02, kohën e saktë kur ka ndodhur shpërthimi i bombës.

Rreth 74 mijë persona kanë vdekur si pasojë e shpërthimit, derisa mijëra të tjerë kanë vdekur gjatë muajve dhe viteve më pas si pasojë e rrezatimit.

Sulmi ka ndodhur tre ditë pasi SHBA-ja e kanë hedhur bombën e parë bërthamore në Hiroshima, që ka vrarë 140 mijë njerëz.

Më 9 gusht, kryetari i Nagasakit, Tomihisa Taue e ka lavdëruar vizitën e presidentit amerikan, Barack Obama në Hiroshima, që përbente vizitën e parë të një presidenti amerikan sa është në detyrë.

Shitjet më të mëdha në histori të Juventusit

0

Paul Pogba është lojtari nga i cili ka përfituar më së shumti Juventusi

Mesfushori francez kaloi te Manchester Unitedi për 93.8 milionë funta, duke u bërë kështu shitja më e madhe në histori të klubit italian, i cili la prapa Zinedine Zidanin.

Këta janë lojtarët sipas ‘Goal.com’ nga të cilët Juventusi ka përfituar më së shumti pas shitjes së tyre.

Alessandro Matri €11 million (to Milan in 2013)

Domenico Criscito €11.5m (to Genoa in 2008)

Fabio Cannavaro €11.5m (to Real Madrid in 2006)

Emerson €11.5m (to Real Madrid in 2006)

Gianluca Zambrotta €14m (to Barcellona in 2006)

Darko Kovacevic €15m (to Lazio in 2001)

Christian Vieri €15m (to Atletico Madrid in 1997)

Diego €15.5m (to Wolfsburg in 2010)

Matteo Brighi €16m (to Roma in 2004)

Thierry Henry €16m (to Arsenal in 1999)

Angelo Peruzzi €19m (to Inter in 1999)

Zlatan Ibrahimovic €25m (to Inter in 2006)

Alvaro Morata €30m (to Real Madrid in 2016)

Filippo Inzaghi €37m (to Milan in 2001)

Arturo Vidal €40m (to Bayern Monaco in 2015)

Zinedine Zidane €73m (to Real Madrid in 2001)

Paul Pogba €105m (to Manchester United in 2016)

Dybala paralajmëron Higuainin

0

Paulo Dybala ishte një nga futbollistët që bindi Gonzalo Higuainin të linte Napolin për tu transferuar te Juventusi për të formuar një dyshe sulmuese të gjithën argjentinase së bashku.

Por, kur kanë kaluar pak ditë nga transferimi El Pipitas, El Joya siç quajnë ndryshe Dybalan nuk ka ngurruar ta paralajmërojë ish-sulmuesin e Napolit të ketë kujdes nga Mario Mandzukic.

Në ndeshjen miqësore ndaj West Hamit ku Higuain bëri debutimin e tij me Juventusin, Dybala dhe akoma më tepër Mandzukic u shfaqën në formë të shkëlqyer. Kroati asistoi ish lojtarin e Palermos në golin e parë të Juves ndërsa shënoi vetë golin që i coi shifrat në 2-0 në favor të bardhezinjëve.

Në ndryshim nga Higuain i cili u shfaq dukshëm mbi peshë dhe në një formë shumë të dobët fizike, Mandzukic po kalon një moment të shkëlqyer dhe sipas Dybalas, Higuain duhet të japë maksimumin në stërvitje për tu përmirësuar pasi me një Mario në formë të tillë do ta ketë të vështirë të jetë një titullar fiks te Juventusi, edhe pse kartoni El Pipitas u kushtoi kampionëve të Italisë plot 90 milionë euro.

“Higuain është një bomber i vërtetë dhe nuk më takon mua të flas për të. Sezonin e kaluar ai realizoi 36 gola në kampionat, një rekord ky në historinë e Serisë A. Shpresoj që të gjithë në skuadër ta ndihmojmë El Pipitan të shënojë sa më shumë dhe ai të na ndihmojë ne të fitojmë trofe. Gjithsesi këtu te Juventusi do të jetë më e vështirë për të sepse ka shumë konkurrencë në skuadër. Edhe Mario Mandzukic është në një formë të shkëlqyer dhe Higuain duhet të tregohet i vëmendshëm nëse dëshiron të jetë titullar”.

Pas pesë titujve kampion radhazi në Itali objektivi parësor i Juventusit në sezonin e ri është të triumfojë në Uefa Champions League edhe pse bardhezinjtë dëshirojnë gjithashtu një tjetër titull kampion që do të ishte i 6-shti rresht.

Prokuroria heton tre zyrtarë komunal të Prizrenit për vdekjen e Xheneta Gashit

0

Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar hetimet kundër N.K., B.B. dhe B.E., që të tre zyrtarë në Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 5-2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale si bashkëkryerës, mos-evitim i rrezikut nga neni 370 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet kanë filluar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se gjatë periudhës kohore janar e deri më 06.06.2016 në Prizren, në cilësinë e personave përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, të tre të pandehurit, në kundërshtim me detyrimet dhe fushë veprimtarinë e tyre të përcaktuar me ligj, nuk kanë ndërmarrë masa për vendosjen e pajisjeve përreth shtëpive me predispozitë të shembjes, për të evituar veprimin e rrezikshëm, mbrojtjen e kalimtarëve dhe njerëzve të cilët banonin përreth. Andaj, nga mosveprimi i këtyre të pandehurve vjen deri të shembja e objektit të vjetër – një shtëpie në rrugën “Marin Barleti”, me ç ‘rast nga plagët e marra ka humbur jetën një vajzë e mitur.

Po ashtu, të pandehurit në periudhën e njëjtë kohore nuk kanë ndërmarr paraprakisht masa për evitimin e rrezikut për kalimtarët dhe banorët përreth shtëpisë me predispozitë të shembjes, e cila ndodhej në rrugën “Marin Barleti”, në zonën e qendrës historike të Prizrenit dhe nga mos ndërmarrja preventive e masave mbrojtëse nga personat përgjegjës të lartpërmendur, gjatë shembjes së shtëpisë, nga plagët e marra ka humbur jetën një vajzë e mitur. /PrizrenPress.com/

Dua Lipa skena dashurie me të dashurin në ‘mes’ të Prishtinës (Foto)

0

Dua Lipa këngëtarja me famë botërore ka disa ditë që po qëndron në Kosovë.

Ajo dje pati takime të shumëta zyrtare e që më pas shijoi mbrëmjen e rrethuar me shoqërinë e saj.

Dua mbrëmë shijoi edhe momente me shoqërinë dhe të dashurin e këto pamje ajo i poston në rrjetin social Instagram.

Njëra prej tyre është edhe kjo ku shihet me të dashurin e saj.

Në përqafimin e njëri-tjetrit çifti shihen në njërin prej lokaleve për të rinjë në Prishtinë.

Dua Lipa me te dashurin1

Kosova në hartën e Solar World Cinema

0

Në ditën e pestë të festivalit, sot më 9 gusht, në konferencën e përditshme për media, folën drejtori ekzekutivi DokuFest-it, Eroll Bilibani dhe regjisorja Maureen Prins.

Bilibani foli për ecurinë e festivalit, ku për mendi panelet e shkëlqyera të mbajtura mbrëmë duke theksuar dyfishimin e numrit të paneleve për këtë vit, dhe mundësinë që ato janë të hapura për publik. Në master klasën, e Deborah Stratman, publiku i shumtë pati rastin të dëgjojë një ligjëratë interesante mbi zërin.

Më shumë se regjisore, Prins në këtë konferencë foli si themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e rrjetit Solar World Cinema dhe për bashkëpunimin me ta, që DokuFest pritet ta jetësojë shumë shpejtë.

“Ne sjellim filma të pa shikuar më parë në vende të pazakonta”, kjo është motoja e rrjetit ndërkombëtar të kinemasë që përdor energjinë solare për të shfaqur filma. Duke pasur vetëm një furgon dhe duke gjetur një vend të përshtatshëm Solar World Cinema synon të zgjerojë bashkëpunimin e tyre edhe me festivalin DokuFest.

“Duke qenë se përdorimi i energjisë solare në Kosovë nuk është ende i përhapur, për neve është shumë mirë që po sjellim këtë ide në një mënyrë shumë novative, përmes kinemasë” tha Prins.

Bilibani u shpreh mjaft i entuziazmuar që Kosova do të jetë një nga vendet e një rrjeti kaq të gjerë si Solar World Cinema.

“Qëllimi ynë është që të përdorim filmin si mjet për ndryshime shoqërore. Më anë të këtij projekti ne synojmë që të ngjallim jetën kulturore në zona të ndryshme, rurale, dhe t’ia kthejmë publikut hapësirën publike” tha Bilibani.

Një furgon për ta mundësuar teknikisht fillimin e këtij bashkëpunimi sa më parë, i është dhuruar DokuFest-it nga sponsori ProCredit Bank.

Publiku së shpejti do të ketë mundësinë të shikojë një film në vendet e bukura të Kosovës, mu aty ku ska menduar që një ditë do të mund të relaksohet dhe të kënaqet nga filma të përzgjedhur, duke shfrytëzuar energjinë solare. DokuFest do të zgjerohet dhe t’iu kujtojë qytetarëve se hapësira publike është e tyre. /PrizrenPress.com/

Përdhunohet dhe i vihet flaka menaxheres së Google

0

Pak ditë pasi vajza e një heroi të 11 Shtatorit në SHBA u gjet e vrarë, pasi ishte përdhunuar, një tjetër rast i rëndë trondit Shtetet e Bashkuara.

Një menaxhere në kompaninë Google nga Nju Jork, u zhduk pasdite, teksa ishte nisur për vrap.

Vanessa Marcotte u gjet e vdekur.

Sipas të dhënave të para, ajo është përdhunuar dhe trupit i është vënë flaka.

Brunia ishte pranë shtëpisë së mamasë së saj në Masaçusets, kur u zhduk në pyje.

Brenda një jave, tre brune janë përdhunuar dhe vrarë në SHBA.

Karina Vetrano, Ally Brueger dhe Vanessa Marcotte, po vraponin kur u sulmuan fizikisht, u përdhunuan dhe u vranë.

Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një vrasës serial.

Të treja janë brune, vajza të gjalla dhe plotë jetë, me një karrierë të kënaqshme.

Megjithatë njëra është qëlluar me armë, tjetra është mbytur, kurse të tretës i është vënë flaka.

Aktakuzë ndaj zyrtarit komunal në Suharekë për punësime të paligjshme

0

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër SH.B, zyrtarë në Komunën e Suharekës.

Sipas aktakuzës SH.B. në periudhën kohore gjatë vitit 2014-2015 dhe 2015-2016, në Suharekë, në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllimit që t’u mundësojë përfitim personave tjerë, duke i punësuar disa persona pa i respektuar kriteret ligjore.

Ne veprimet e SH.B. sipas aktakuzës manifestohen elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2 nën paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë nga neni 222 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /PrizrenPress.com/