Home Blog Page 5890

Ministria e Kulturës punësoi tre persona duke shpërfillur procedurat

0

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), e cila udhëhiqet nga anëtari i LDK-së Kujtim Shala, gjatë vitit që lam pas ka punësuar tre persona duke mos përfillur procedurat përkatëse.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në të gjeturat e saj ka identifikuar se Ministria e Kulturës ka punësuar tre persona, ku dy prej tyre ishin punësuar pa kërkesë nga departamentet përkatëse.

“Nga tri (3) dosjet e personelit të angazhuar si punëtorë me marrëveshje për shërbimeve të veçanta, vërejtëm se të angazhuarit ishin pranuar pa procedura të rekrutimit, ndërsa për dy (2) nga ta nuk kishte as kërkesë nga departamentet përkatëse”, thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral për MKRS-në, vitin 2016.

Auditori i Përgjithshëm ka paraparë se mospërfillja e procedurave të punësimit rrezikon punësimin e personave jo kompetent për pozita përkatëse.

Ajo i ka rekomanduar ministrit Shala se duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike.

Vërmicë: Dogana kap 6 mijë e 857 fishekë dhe 2,7 kg narkotikë

0

Njësitë e Doganës së Kosovës gjatë kontrollimeve në pikën kufitare me Shqipërinë më saktësisht në Vërmicë, kanë arritur të parandalojnë futjen e lëndës narkotike si dhe një sasie të municionit respektivisht fishekë.

Gjatë ditës së djeshme rreth orës 20:40 në PKK Vërmicë është paraqitur automjeti me targa të Shqipërisë me dy bashkudhëtar.

“Pasi është pyetur nga ana e oficerit doganor nëse kishte diçka për të deklaruar në bagazh, pala ka deklaruar se nuk ka asgjë në bagazh. Gjatë kontrollës fillestare nën ulësen e pasme, është hasur në paketime të dyshimta të substancës narkotike, të llojit  Marihuane. Pastaj në automjet është kryer kontroll detale në vijën e dytë, së bashku me njësitin anti-kontrbandë. Gjatë kontrollës është hasur në një hapësire të modifikuar në të cilën janë gjetur edhe pako të dyshimta me substance narkotike dhe fishekë. Sasia e substancës narkotike Marihuanë është 2.7 kilogram  dhe 6857 cope fishekë, respektivisht 5417 fishekë te kalibrit 7.62 mm për armë të gjata, dhe 1440 copë për revole”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas përfundimit të kontrollës në detaje të veturës dhe pas gjetjes së lëndës narkotike dhe fishekëve lënda i është dorëzuar policisë Kufitare në PKK Vërmicë për vazhdim të procedurave policore të mëtutjeshme.

Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim, sepse vetëm së bashku mund të mbrojmë dhe ndërtojmë shtetin tonë.

Teatri i Prizrenit, si shenjë kujtimi për Bekim Fehmiun

0

Bekim Fehmiu e kishte lënë Prizrenin në vitet ‘50 të shekullit të kaluar për ta vazhduar karrierën si aktor në Prishtinë, para se t’ia mësynte studimeve në Beograd. Por me Prishtinën nuk i kishin shkuar punët mirë asnjëherë.

“Prizreni im më përcolli i larë nga dielli i purpurt i shtatorit, ndërsa Prishtina më priti me shiun e mërzitshëm dhe rrugët plot baltë”, ka shkruar Fehmiu në pjesën e dytë të librin autobiografik “Shkëlqim dhe tmerr”, botuar në mars të vitit të kaluar.

Por historia e Bekim Fehmiut me “refuzimet” e Prishtinës ka vazhduar gjatë, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas autobiografisë së tij, jo më shumë se një semestër Teatri Popullor Krahinor (tash Teatri Kombëtar i Kosovës) i kishte ndarë bursë aktorit që të studionte në Akademinë e Teatrit në Beograd. Arsyetimi lidhej me biografinë e të atit nacionalist, mësuesit veteran, Ibrahim Fehmiu.

Për dallim prej halleve të njëpasnjëshme me Prishtinën zyrtare, aktori i lindur në Sarajevë, më 1936, jashtë kufijve të shtetit amë ishte tejet i pranueshëm. Pos përplasjeve profesionale që kishte pasur me Teatrin Popullor Krahinor, ashtu sikurse edhe me stafin e “KosovaFilmit”, pas vdekjes së tij më 2010, edhe Kuvendi i Kosovës kishte refuzuar të mbante një minutë heshtje në nderim të tij. Rrallë është kujtuar në përvjetorët e lindjes a të vdekjes. Nga shteti pothuajse aspak.

Në Gjonaj të Hasit, një person goditet nga plumbi qorr

0

Një person nga fshati Gjonaj i Hasit është goditur në kokë nga një plumb qorr.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor.

Policia njofton se viktima është goditur nga plumbi qorr, derisa ishte duke lëvizur me veturë,shkruan PrizrenPress.

“Njësit përkatëse policore kanë dal në vendin e ngjarjes”, njofton Policia e Kosovës .

Rasti është duke u hetuar./PrizrenPress.com/

Arrestohen tre meshkuj në Suharekë, kanosën dy të tjerë

0

Gjatë mbrëmjes së kaluar janë arrestuar tre persona në Suharekë.

Sipas raportit policor, tre të arrestuarit bashkë edhe me një tjetër të dyshuar kishin pasur një mosmarrëveshje me dy persona tjerë, të cilët mbrëmë i kishin kanosur me armë zjarri në një kafeteri.

Njësitet policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes me ç’rast kanë konfiskuar dy pistoleta të tipit TT.

Pas bastisjes në shtëpitë e të dyshuarve kanë gjetur dhe konfiskuar pushkë gjuetie (me leje) 37-patrona të pushkës së gjuetisë, 16-patrona të zbrazët, dhe 22-fishek cal-7.62 mm.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje dhe rasti është duke u hetuar.

Kosovarët po vdesin çdo vit e më shumë – Prizreni me 9.8 për qind

0

Numri i vdekjeve te kosovarët po rritet nga viti në vit. Madje, ky numër nga viti 2015 e deri në vitin e kaluar është rritur për 1 mijë e 44 vdekje.

Prej 8 mijë e 202 vdekje sa ishin regjistruar për vitin 2015, në vitin 2016 janë regjistruar 9 mijë e 246 vdekje.

Kjo sipas raportit që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës, në lidhje me statistikat  e vdekjeve në Kosovë për vitin 2016.

Nga ky numër sipas kësaj agjencie del se 8 mijë e 495 vdekje që janë raportuar nga familjarët dhe janë regjistruar në Regjistrat Themeltar të vdekjeve kanë ndodhur në Kosovë, ndërsa 751 vdekje të tjera janë regjistruar që kanë ndodhur jashtë vendit.

Numër më i madh i vdekjeve vërehet tek meshkujt.

“Nga gjithsejtë vdekjet e raportuara të ndodhura vetëm në Kosovë, 4796 janë meshkuj apo 56.5    % dhe 3699 janë femra apo 43.5 % “, thuhet në raportin e ASK-së.

Prej këtyre rasteve, 46.3 për qind e tyre kanë ndodhur nëpër institucione shëndetësore, ndërsa 52.2 për qind kanë ndodhur në shtëpi dhe 1.2 për qind.

Numri i vdekjeve të dhunshme shqetësues

Janë gjithsej 188 raste apo 2.2 për qind e vdekjeve, që janë regjistruar si vdekje të dhunshme, qoftë nga fatkeqësitë, vetëvrasjet apo vrasjet.

Edhe pse ky numër është ulur në krahasim me vitin 2015, që ishin 199 apo 2.4 raste të vdekjeve të dhunshme, prapë shifrat mbeten shqetësuese.

Në raportin e ASK-së thuhet se prej 199 rasteve të vdekjeve të dhunshme, nga fatkeqësitë janë regjistruar 128 ose 68.1 për qind, vetëvrasjet 41 apo 21.8 për qind dhe vrasjet 19 ose 10.1 për qind raste të vdekjeve.

Mosha e cila dominon te vdekjet e dhunshme është 20 deri në 40 vjeç, tek të dyja gjinitë.

Edhe numri i foshnjave të vdekura ka pasur ulje për 35 vdekje.

Prej 238 foshnjave të vdekura sa ishin regjistruar në vitin 2015, ky numër në vitin 2016 është 199, shkruan Gazeta Fjala.

“Foshnjet e vdekura për  vitin 2016 kanë qenë 199, dhe pjesëmarrja e tyre në gjithsej të vdekur është  2.3 %. meshkuj 116 apo 58.3 %, femra 83 apo 41.7 %”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Prishtina me numrin më të madh të vdekjeve

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të vdekjeve.

2 mijë e 696 raste të vdekjeve apo 29.2 për qind, janë regjistruar vetëm në këtë komunë, ndërsa Prizreni renditet pas saj me 908 raste apo 9.8 për qind dhe Peja me 573 apo 6.2 për qind.

Afro 80 për qind  e të vdekurve janë të moshës 60 vjeç e më shumë.

Numri më i madh i vdekjeve është shënuar gjatë katër muajve të parë të vitit, ku janë shënuar 25.2 për qind të vdekjeve, ndërsa vetëm në muajin dhjetor janë shënuar 10.2 për qind e vdekjeve.

92.9 për qind e të vdekurve janë shqiptar dhe pjesën tjetër e përbëjnë pakicat. /Gazeta Fjala/

Veseli mori afër 40 mijë vota më pak se paraardhësi i tij në PDK

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili doli si politikani i dytë më i votuar në vend në zgjedhjet e 11 qershorit, ka marrë dukshëm më pak vota se ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaci.

Veseli në këto zgjedhje ka marrë gjithsej 129 mijë vota, edhe pse partia e tij ka qenë në koalicion me dy parti të tjera të mëdha – AAK e NISMA, dhe një numër partish të tjera të vogla.
Paraardhësi i tij në PDK, presidenti aktual i Kosovës, Thaci, në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 2014 kishte mbledhur 166 mijë vota.

Thaci në fakt deri në këto zgjedhje ka qenë politikani më i votuar në Kosovë. Aktualisht, këtë epitet e mban lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

PZAP ke refuzuar 41 ankesa të partive – fillon hetimin për 24

0

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur të pranojë për hetim 24 ankesa të kandidatëve për deputet të subjekteve politike për zgjedhjet e 11 qershorit.

Kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku, tha për KosovaPress se nga 65 ankesa sa kanë pranuar gjithsejtë, 24 kanë vendosur t’i hetojnë, ku do hapen 30 kuti të votimit.

Ai pohoi se pret që brenda ditës të përfundohet i gjithë procesi, pasi kanë angazhuar tri ekipe për ta kryer këtë hetim.

Desku të premten njoftoi se partitë dhe koalicionet politike në Kosovë kanë dorëzuar 65 ankesa.

“Kanë ardhur gjithsejtë 65 ankesa. Nga koalicioni PAN janë 22, nga koalicionit tjetër LAA janë 19, nga Lista Serbe 11, kurse nga Vetëvendosje janë dy”, deklaroi ditën e djeshme Desku për Klan Kosovën.

“Kryesisht ankesat kanë të bëjnë me mospërputhjen e numrave. Partitë kanë tjera numra ndërsa nga KQZ-ja janë shpallur të tjerë”,

Ankesa ka pasur edhe brenda koalicioneve.

Sipas Deskut, “Ankesat janë të llojit se i janë marrë vota një kandidati dhe i janë vendosur një tjetri, por partitë kanë thënë se këto gabime janë bërë për shkaqe teknike”.

Një letër e Luigj Gurakuqit e vitit 1906

0

Në studimet për shkrimin e shqipes në fillim të shekullit XX dhe për veprimtarinë e Luigj Gurakuqit, njërës nga figurat më të rëndësishme të kulturës, letrave dhe jetës publike e politike shqiptare, “apostullit të shqiptarizmës”, siç e pati quajtur Selman Riza, janë vënë në pah tashmë gjërat themelore dhe janë theksuar shumë herë meritat e tij të mëdha, shkruan sot në Koha Ditore akademik Rexhep Ismajli.

Lidhur me përpjekjet për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që në fillim të shekullit ishte bërë tashmë dhe një çështje e rëndësishme jo vetëm e gjuhës dhe e kulturës, po edhe e jetës publike politike e shoqërore, është vënë në pah se Luigj Gurakuqi kishte dhënë një ndihmesë me vlerë qysh me pjesëmarrjen e tij aktive në shoqërinë “Bashkimi” më 1899 (në moshën njëzetvjeçare), me angazhimin për një alfabet mbi bazë të alfabetit latin. Përmendet zakonisht artikulli i tij “Mbi njësimin e alfabetit kombëtar” i vitit 1899, ku analizohen alfabetet e shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, të arbëreshëve të Italisë, konkretisht të De Radës, të Skiroit, të Cremonesit, të “Albania-s” të Brukselit dhe të gazetës “Shqipëria” të Bukureshtit (Luigi Guracucchi: L’unificazione dell’alfabeto nazionale, në La Nazione Albanese, viti III, nr. 9, f. 7, 15 Maj 1899, Pallagorio (Catanzaro), sipas Jup Kastrati: “Histori e gramatologjisë shqiptare (1635-1944)”, “Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 270, 295.

Me pseudonimin Lek Gruda ai kishte botuar dhe artikullin “Albania e Shoqëria e Bashkimit. Themelimi i gjuhës letrare”, tek Albania IX, 2, 47-50, London 1905, siç raporton J. Kastrati në f. 275, 295 të librit të tij. Dihet po ashtu se L. Gurakuqi ishte pjesëmarrës shumë aktiv dhe i rëndësishëm i Kongresit të Manastirit si përfaqësues i Shkodrës dhe i arbëreshëve të Italisë. Lidhur me veprimtarinë e tij në fushën e njësimit të alfabetit të shqipes në vitet para Kongresit të Manastirit, Jup Kastrati në po atë vend përmend dhe dy botimet e tij me pseudonimin Lek Gruda: “Abetare per msojtore filltare t’Shqypnis”, libri i parë, Tipografia Editrice Cv. A. Tocco A. Salvietti, 1905, ff. 88 dhe “Abetar i vogël shqyp mbas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit, me tregime n’t’dy dhialektet”, Bukuresht, 1906, ff. 28 (sipas Kastrati, po aty, f. 295). Më vonë ai kishte botuar dhe një “Shtim i abetarit shqip për çunat”, Athinë 1912, ndërsa me çështje të gjuhës ishte marrë aktivisht edhe më vonë deri në vitet 1918, përfshirë veprimtarinë e frytshme në kuadër të Komisisë Letrare shqipe (1916-1918).

Këtu kemi rastin të sjellim një letër, më duket të panjohur, të Luigj Gurakuqit për çështjen e alfabetit të shkruar në Shkodër më 30 mars 1906, pra dy vjet para Kongresit, dhe, sipas gjase para botimit të broshurës së përmendur në Bukuresht. Letra është shkruar me dorë me kaligrafi të bukur e të lexueshme, me alfabetin e Stambollit (apo të Samiut), që kishte përdorim të gjerë në Shqipërinë e jugut. Në letër ai jepte njoftimin se bashkë me të po dërgonte “një dorëshkrim të vogël, një Abetar të përkrahur [të krahasuar] pas abevet të ‘Bashkimit’ e të ‘Frashërit’”, duke theksuar qëllimin e qartë, të vënë dhe në parathënie: “të përhapnjë të dy abetë ndë Shqipëri”.

Poeti i lum, atë Vinçenc Prennushi

0

Në errësirën e robërimit të trupit, kur shpresonte që shpirti t’i nisej drejt lumturisë liridhënëse të qiellit, kërkoi pak dritë. Në rrudhat e vuajtjeve varur në fytyrë qe kristalizuar kalvari i tij, i cili do niste me lavdi, do vazhdonte me vuajtje e do përfundonte me hyjni. Ky ishte atë Vinçenc Prennushi, prifti shkodran që dritëroi Shkodrën me lirikat e tij, të cilit iu errësua fundjeta falë veprave të tij.

Poezia e atë Vinçencit duket e dyzuar mes laicitetit të njeriut që e do të bukurën dhe panteizmit të klerikut që bukuritë tokësore i sheh si frytet e fundme të mrekullive qiellore. Ai i shkroi Atdheut, Atit dhe dheut.

Atheut i shkroi si dashuri e fshehtë, e cila, duke mos pasur mundësinë e shfaqjes, ligështon bartësen e saj:

Nanë, dashnija m’ka molisë!

…Kaluen dit e kaluen net,

Vajza ma me gojë s’po flet,

Me gojë s’flet e na a smue,

Ratë e shkreta tuj lingue.

Ligështimi nuk mund të mbahet më brenda dhe bartësja e dashurisë vdes duke lënë pas dashurinë e saj:

[Nana] Merr pëlhuren që pat endë,

Bija saj; kishte pas kenë,

Kuq e zi e m’te qendisë,

Gjet dashninë qi e kishte molisë.

Madhështia e kësaj dashurie dhe heroizimi i kësaj vajze që barra e fshehjes së dashurisë së saj e molisë dhe e vret, e prek shumë Atë Vinçencin, i cili kërkon nderimet më të larta për të:

Eni bija, zana malit,

Ju qi kjani n’dekë t’nji djalit,

E, përmbys mbi ket bujare,

N’te nderoni bin’ shqyptare.

Ndërsa figura e Atit trajtohet në dy mënyra. Fillimisht atë Vinçenci, pasi kujton lavdinë e Gjergj Kastriotit, atit të kombit, uron prijësin e Shqipërisë:

Nper ty, o Pris, t’bijt e Shqypes lumnohen,

Për ty gadi kta i gjen me dhanë jeten;

Lidhun tok, per rreth tejet bashkohen,

Per Pris t’vetin t’dishmojn faqe dheut.

Ushtojnë malet, jehojnë fushët e gjana,

Anmiqt mndera i pershkon: gzon Shqypnija:

Mreti rrnoftë i Shqyptarve e n’duer t’tija

Ndritë prap shpata si n’dorë t’Skanderbegut.

Së dyti, Ati është ai i cili:

…vullndesës s’Tij, përherë të gatshme, i shtrohen

T’gjitha s’tinët e motit.

 

…shkroi fjalën

Qi botën përtrini,

 

Për atë Vinçencin dheu është shkatërrimi i të përkohshmes.

Trupi shgatrrohet

Por mendo bij,

dhe nisja e udhëtimit drejt së përjetshmes

Se s’des kurrë shpirti,

Ba për lumni.

E kështu, shpirti i atë Vinçencit, pasi goja e tij kërkoi dritë, u nis drejt dritës së pashtershme të Parajsës, udhëtim i cili nuk mund të përshkruhet më mirë se me vargjet e tij:

Deka jote, di me thanë,

Nuk kje dekë, Zotin ndigiove,

E ai lumni ty n’qiell t’ka dhanë.

 

Shkputë prej ferrash, shputë morrizit,

Ejëll i tretun, qiellët kërkove,

Edhe i gjete n’gzim t’Parrizit.

/Konica.al/