Home Blog Page 5902

PDK-ja në Prizren uron besimtarët për Fitër Bajram

0

Me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, pas përmbushjes së obligimit të agjërimit dhe përkushtimit të plotë ndaj Zotit, Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren dhe kryetari i saj, Minir Krasniqi, të gjithë besimtarëve të besimit Islam të komunës së Prizrenit ua uron festën e Fitër Bajramit.

“Dega e PDK-së në Prizren, uron që kjo festë të kalojë në shenjë të solidaritetit ndaj njëri-tjetrit, dhe në shenjë të harmonisë vëllazërore. Në festën e Fitër Bajramit duhet t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që kanë nevojë për ne, për dashurinë tonë dhe për ndihmën tonë njerëzore”, thuhet në urim, përcjellë PrizrenPress.

“Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, uron që kjo festë e sakrificës dhe e flijimit, të na e shtojë solidaritetin dhe dashurinë mes vete, për të përcjell tutje përpjekjet tona qytetare e njerëzore drejt sukseseve dhe të ardhmes së ndritshme të shtetit tonë. Urime!” /PrizrenPress.com/

Apokalipsi bërthamor: Shiu i zi

0

Në rast të një apokalipsi bërthamor, domethënë përdorimit të bombës atomike sot, menjëherë do të bjerë një shi i zi dhe i dendur. Nuk do të jenë pika shiu që pastrojnë pluhurin dhe flakët. Do të jenë të trasha, të zeza, me një përbërje si vaji, dhe mund të të vrasin.

Në HIroshima, shiu i zi nisi të bjerë 20 minuta pasi shpërtheu bomba. Ai mbuloi një sipërfaqe prej afro 20 kilometra përreth zonës së shpërthimit, duke e mbuluar zonën rurale me një lëng të trashë që i shkaktonte kujtdo që e prekte, 20 herë më shumë rrezatim se sa shkelja në zonën e shpërthimit.

Qyteti përreth të mbijetuarve vazhdonte të digjej dhe shteronte oksigjenin, dhe ata tashmë po vdisnin nga etja. Duke luftuar mes flakëve, ishin bërë kaq të dëshpëruar për ujë, saqë shumë hapnin gojën dhe përpiqeshin të pinin lëngun që binte nga qielli.

Në atë lëng, kishte mjaftueshëm rrezatim, për të bërë ndryshime në gjakun e njeriut. Ishte aq i fortë, saqë pasojat shihen dhe sot në vendet ku ra shiu në atë kohë. Ka shumë arsye të besohet që do të bjerë sërish, në rast të shpërthimit të një bombe atomike./bota.al

Londinezët evakuohen nga frika e zjarrit

0

Më shumë se 700 banesa në blloqe banesore në zonën e Swiss Cottage në veri-perëndim të Londrës janë evakuuar për shkak të frikës nga zjarri.

Nga Këshilli i Candem është thënë se njerëzit nga katër ndërtesa në Chalcots kanë lëvizur për në stacionet urgjente të sigurta nga zjarri, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Thuhet se shumë hotele kanë qenë të rezervuara, por që po ashtu se mbi 100 banorë e kanë kaluar natën në shtretër me ajër në qendrën e kohës së lirë.

Frika e tyre ka ardhur pas zjarrit që shpërtheu ditë më parë në Grenfell Tower ku mbetën të vdekur 79 persona.

Funerali i Bob Marleyt: Kitara e kuqe, Bibla dhe një degëz marijuanë

0

Në maj të vitit 1981, këngëtari i famshëm xhamajkan Bob Marley u varros në Kingston, me tre gjëra: kitarën e tij të dashur ngjyrë të kuqe, Biblën e tij dhe një degëz marijuanë, që xhamajkanët e quajnë “ganja”. Në fakt ky dekorim marijuane nuk ishte menduar që të ishte fillimisht pjesë e varrimit të tij, por bashkëshortja e futi vjedhurazi në arkëmort gjatë funeralit dhe askush nuk kishte zemër ta hiqte.

Kjo traditë e lidhjes së fortë të Bob Marleyt me barin shkon pas në kohë përgjatë gjithë jetës së tij. Kur ishte gjallë, Marley njihej për dashurinë për marijuanën, ashtu sikurse dihet shprehja e tij e famshme: “Bari është shërimi i një kombi, alkooli është shkatërrimi”.

Edhe pas vdekjes, mbështetja e tij për bimën vazhdoi e një kompani të re të suksesshme marijuane, edhe pse me shumë debate, që quhej “Marley Natura”, duke marrë emrin dhe misionin e tij për ta bërë bimën të ligjshme. /bota.al

Institucionet e reja formohen në fillim të korrikut

0

Partnerët e koalicionit PDK-AAK-Nisma kanë shprehur përkushtimin e tyre që në afat rekord do ta formojnë qeverinë. Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka bërë me dije të premten, se koalicioni PAN institucionet e reja do t’i formojë në fillim të muajit korrik.

Edhe kryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, është zotuar se menjëherë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve Kosova do ta ketë qeverinë e re. Ndërsa njohësit e proceseve politike kanë thënë se me zvarritjen e formimit të qeverisë së re do të dëmtohen më së shumti qytetarët. /Epoka e re/

Letra e Katharine Hepburn për Spencer Tracy

0

Në 10 qershor 1967, Spencer Tracy, një yll i kinemasë së kohës që ishte nominuar për nëntë Oscar-ë si aktori më i mirë gjatë karrierës së tij të spikatur, dy prej të cilëve i fitoi, ndërroi jetë pas një ataku në zemër në shtëpinë që ndante me partneren e tij, aktoren fituese të disa Oscar-ëve, Katharine Hepburn. historia e tyre 26-vjeçare e dashurisë ishte shumë e ndërlikuar, më e pakta prej faktit që Tracy ishte i martuar me një tjetër grua gjatë gjithë kohës – një fakt i sikletshëm, i cili i detyroi ta mbanin të fshehtë këtë fakt përgjatë gjithë jetës së tyre. Pothuaj 18 vjet pas vdekjes së Tracyt, Hepburn i shkruajti këtë letër:

I dashur Spence,

E kush do ta mendonte që unë do të të shkruaja ty një letër. Ti vdiqe në 10 qershor 1967. O Zot, Spence, plot 18 vjet më parë. Eshtë një kohë e gjatë. A je i lumtur, më në fund? A është një pushim i gjatë dhe i këndshëm, ky që ke patur? Një kompensim për jetën tënde gjithë mundime e trazira? E di, nuk të besoja asnjëherë kur më thoje se nuk flije dot gjumë. Lëri këto, Spence, nëse nuk flije, do të ishe i vdekur. Do të ishe i rraskapitur. E mban mend atë natë kur ishe shumë i shqetësuar. Dhe unë të thashë: Epo vazhdo, shko në shtrat. Dhe unë do të shtrihem në dysheme, e do të të flas, deri sa të të zërë gjumi. Unë do të flas e do të flas, e ti do të mërzitesh aq shumë, saqë do të të zërë gjumi.

E mban mend, unë shkova mora një jastëk të vjetër dhe qenushin Lobo. Nisa të flas për ty dhe filmin që sapo kishim përfunduar – “Gjeje kush do të vijë për darkë” – dhe për studion tonë, për pallton tënde të re prej leshi, për kopshtin, për gatimin, për thashethemet, dhe për të gjithë temat e tjera që të vënë në gjumë. Por ti nuk pushove asnjëherë së kthyeri sa andej-këndej në shtrat, majtas, djathtas, hidhje jastëkët, tërhiqje jorganin, pa pushim. Në fund – vërtetë, më në fund – u qetësove. Unë prita pak, dhe u largova zvarrë.

Më the të vërtetën, apo jo? Ti vërtetë nuk mund të flije.

Unë atëherë vrisja mendjen – përse? Ende vazhdoj të pyes. Ti i pije hapjet. Ishin shumë të forta. Ma merr mendja që do të duhet të thuash se, përrndryshe, nuk do të mund të flije fare. Të jetuarit nuk ishte gjë e lehtë për ty, apo jo?

Cfarë të pëlqente të bëje? Dashuroje lundrimin, sidomos në mot me stuhi. Të pëlqente polo. Por pastaj, Uill Rogersi gjeti vdekjen në atë aksidentin me avion. Dhe ti nuk luajte më kurrë polo – kurrë më.

Tenis, golf? Jo tamam. Mund të godisje nja dy-tre topa. Nuk mendoj se e vërvite ndonjëherë një shkop golfi. Not? Jo, nuk të pëlqente uji i ftohtë. Dhe shëtitjet? Jo, nuk të pëlqente të ecje në këmbë. Jo, sepse ishte një prej atyre gjërave që të bënte të mendoje në të njëjtën kohë – për këtë, për atë, për çfarë, Spence? Cfarë ishte ajo që mendoje? A ishte ndonjë gjë e veçantë për jetën, si fakti që Johnny ishte i shurdhër, apo katolik, dhe ti ndiheshe një katolik i keq? Nuk gjeje rehat ti, asnjëherë. Më kujtohet Atë Ciklici që të thoshte se ti përqëndroheshe tek gjithë të këqiat, dhe tek asnjë prej të mirave që të ofronte feja jote. Duhet të ketë qenë diçka shumë themelore, dhe e gjithëpranishme.

Dhe fakti i pabesueshëm. Ja tek ishe ti – aktori më i madh i kinemasë. E them këtë sepse e besoj, dhe kam dëgjuar shumë njerëz në këtë botën e kinemasë që e thonë. Që nga Olivieri, tek Lee Strasbergu dhe David Leani. Mund të bëje gjithçka ti. Dhe mund ta bëje me atë thjeshtësinë e lavdishme: thjeshtë e bëje dhe kaq. Ti nuk mund të hyje brenda jetës tënde, por mund të bëheshe dikush tjetër. Ti ishe vrasës, prift, peshkatar, sportist, gjykatës, gazetashitës. Bëheshe në çast.

Rrallëherë të duhej të studioje. I mësoje skenarët sa hap e mbyll sytë. Cfarë çlirimi! Për pak momente, mund të ishe dikush tjetër. Nuk ishe ti – dhe si pasojë, ishe i sigurtë. Të pëlqente të qeshje, apo jo? Nuk lije asnjëherë të të shpëtonin komikët: Jimmy Durante, Phil Silvers, Fanny Brice, Frank McHugh, Mickey Rooney, Jack Benny, Burns dhe Allen, Smith and Dale, dhe i preferuari yt, Bert Uilliams. Histori dëfryese: mund t’i riprodhoje, dhe në mënyrë brilante. Mund të qeshje me veten tënde. Të pëlqente shumë shoqëria dhe admirimi i njerëzve si Kaninët, Frank Sinatra, Bogie dhe Betty, George Cukor, Vic Flemming, Stanley Kramer, Kennedyt, Harry Trumani, Leu Douglasi. Argëtoheshe me ta, ndiheshe i sigurtë me ta.

Për të rikthehemi në gjyqet e jetës. Ah, në djall, merr një pije – po-jo-ndoshta. Pastaj mos pi më. Ishe i mrekullueshëm për këtë, Spence. Ishe në gjendje që thjeshtë të ndaleshe e të mos pije më. Sa shumë të respektoja për këtë. Shumë e pazakontë.

Për këtë temë, ti thoshe: nuk je kurrë i sigurtë, deri kur je shtatë pashë nën dhe. Po përse kapanxha ishte gjithmonë e hapur – për t’u larguar gjithmonë nga vetja jote?

Cfarë ishte, Spence? Kam dashur të të pyes gjithmonë. A e di se çfarë ishte? Cfarë the? Nuk të dëgjoj…

Përkthimi: Bota.al

Cili është flamuri më i lashtë?

0

Vijat e gishtave të gjakosur mbi një mburojë ari. Flamuri më i vjetër ekzistues kombëtar nuk është ai i një shteti të pavarur, por i Katalonjës, e cila me forcë mbron ngahera autonominë.

 Legjenda thotë që mburoja heraldike e Mbretërisë së Aragonit dhe flamuri katalan, i quajtur “Senyera”, kanë lindur së bashku, në vitin 897.

Në këtë vit, mbreti Varlo, në shenjë mirënjohje, la gjurmët e gishtave të tij të përgjakur mbi mburojën e kalorësit katalan Goffredo, një veteran i mbrojtjes së Barcelonës, gjatë rrethimit të trupave muslimane.

Në vitin 1137, me martesën e Raimondo Berengario IV dhe Petronillas, u bashkuan konteja e Barcelonës (qendra e Katalonjës) dhe mbretëria e Aragonës, e cila miratoi “Senyeran” si flamur: nëntë shirita të verdhë dhe të kuq.

Nuk është i vetmi flamur me origjinë mesjetare, por është flamuri më i vjetër i një populli dhe një territori të përcaktuar qartë. Aq e vërtetë është, sa që diktatori Franco e ndaloi ndërsa tani valëvitet si simbol i indipendentizmit katalan. /bota.al

Heshtje zgjedhore në Shqipëri

0

Kodi zgjedhor ndalon sot çdo parti apo politikan të bëjë propagandë politike. Dita e fundit para zgjedhjeve konsiderohet heshtje, heshtje zgjedhore dhe këtë ditë punon administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shkruan Syri.net

Në Nenin 77 të Kodit Zgjedhor thuhet:

Periudha e fushatës dhe e heshtjes zgjedhore

1. Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.

2. Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.

Kandidatët për deputetë akuzojnë partitë për vjedhje të votave

0

Kandidatja për deputete e LDK-së Njomza Emini ankohet se në fushatë kanë dominuar kandidatët burra dhe ka pasur manipulime me vota brenda kandidatëve të partive, shkruan sot, gazeta Zeri.

Njomza Emini ka qenë në dy mandate deputete e Kuvendit të Kosovës. Në legjislaturën e fundit ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane si përfaqësuese e LDK-së në këtë Komision.

Mirëpo, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit ajo nuk ka arritur ta sigurojë edhe një mandat të ri të deputetit.

Emini ka deklaruar për gazetën “Zëri” se në fushatë kanë dominuar kandidatët burra dhe ka pasur manipulime me vota brenda kandidatëve të partive.

“Vota nganjëherë nuk e përfaqëson edhe më të mirin. Ka pasur manipulime brenda partive. Lufta më e madhe ka qenë aty. Në fushatë kanë shkuar me emra të caktuar që duhet t’i votojnë, pra po them se joçdoherë fiton më i miri”, ka thënë ajo.

Edhe kandidati tjetër për deputet i LDK-së Nuredin Ibishi, me shumë gjasë nuk ka arritur ta sigurojë edhe një mandat të ri të deputetit.
“Unë jam munduar ta përmbush detyrën time aq sa kam mundur.

Ndoshta ka ndikuar edhe lista e koalicionit pasi që ka pasur edhe prurje të reja dhe është pritur që do të ketë ndryshime dhe nuk ka qenë ndonjë gjë e papritur. Mirëpo edhe koha ka qenë e shkurtër, qytetarët kanë pasur probleme me mënyrën e votimit, ka shumë fletëvotime jovalide dhe kjo është edhe një arsye pasi qytetarët është dashur të njoftohen më mirë për mënyrën e votimit nga KQZ-ja”, ka thënë ai për “Zërin”.

Me shumë gjasë në karrigen e deputetit nuk do të ulen edhe disa kandidatë të tjerë të LDK-së që kanë qenë për disa mandate pjesë e Kuvendit. Bëhet fjalë për Skender Hysenin, Sabri Hamitin, Ali Sadriun, Sali Morinën, Doruntina Malokun, Muhamet Mustafën dhe Melihate Tërmkollin.

Hamami i Prizrenit si “mini-treg” i veshmbathjeve

0

Kalimi i pragut të derës së drunjtë në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren me vete sjell një pamje befasuese për vizitorët e jashtëm.

Në pjesën e parë të brendshme të këtij monumenti të mbrojtur ka të mbathura të llojeve e ngjyrave të ndryshme, të ekspozuara për shitje, pothuajse në të gjitha këndet e kësaj hapësire, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërsa në pjesën pasuese të objektit kulturor, fustanet e llojeve dhe të ngjyrave të ndryshme janë të varura, derisa veshjet e llojllojshme në formë të shtruar janë në shitje.

Me praninë e konsumatorëve vendorë të interesuar për këto produkte, në dy dhomat e mëdha të Hamamit krijohet imazhi i një “dyqani të madh” apo “mini-tregu” të veshmbathjeve.

Hamami i Prizrenit si “mini-treg” i veshmbathjeve