Home Blog Page 5909

Nisma ndahet nga PAN-i, e vetme në Kuvend

0

Edhe pse në koalicion parazgjedhor me dy parti të tjera, PDK-në dhe AAK-në, Nisma për Kosovën ka vendosur që në legjislaturën e ardhshme të veprojë si grup parlamentar i vetëm.

Këtë e ka bërë të ditur anëtari i Kryesisë së “Nisma për Kosovën”, Bilall Sherifi.

Ai në emisionin Info – Box të “RTV Dukagjini”, përcjell Telegrafi, ka thënë se NISMA do të përformojnë si grup parlamentar i vetëm, duke vazhduar sipas tij, aty ku e kanë lënë – nga gjashtë mandate në tetë.

“Ka një pajtueshmëri, ku Limaj ka biseduar me kolegët e kryesisë, unë do të respektoj vendimin e kryesisë së partisë, ndonëse nuk është vendim i fundit, që unë të udhëheq grupin parlamentar”, ka shtuar Sherifi.

Ndryshe koalicioni i tri partive politike, PDK-AAK-NISMA (PAN), sipas rezultateve preliminare nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, ka dalë i pari me mbi 33 për qind të votave. /Telegrafi/

Shkelet një femër në Prizren

0

Një person i gjinisë mashkullore përderisa ishte duke lëvizur me motoçikletë e tij me targa lokale në Prizren, nga pakujdesia në vendkalim të këmbësorëve ka goditur një femër.

“Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë”, njofton policia, përcjellë PrizrenPress.

Nuk raportohet për të arrestuar. /PrizrenPress.com/

Prizren: Pas zënkes, i mituri gjuan me armë një person

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se një i mitur ka gjuajtur me armë një person në rrugën “Salejdin Berisha” në Prizren, mbrëmë në orët e vona.

“Viktima mashkull K-Shqiptar raporton se pas një zënke me të dyshuari mashkull k-Shqiptar – i mitur, i njëjti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të këmbëve të viktimës. Nuk raportohet për të lënduar. Njësitë policore në vendngjarje kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë, ndërsa i dyshuari e ka dorëzuar pistoletën e cal 9 mm”, thuhet në raport, përcjellë PrizrenPress.

Sipas policisë, me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Digjet një garazh në Prizren

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një garazh në rrugën “Enkelejd” në Prizren është përfshirë nga zjarri.

“Viktima mashkull K-Shqiptar raporton se për shkaqe të panjohura garazhi i tij është përfshirë nga zjarri. Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse. Njësitë e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raport të policisë. /PrizrenPress.com/

E kanoste vazhdimisht borxhliun, arrestohet i dyshuari në Prizren

0

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prizren, i cili ka kanosur vazhdimisht një person tjetër.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti në lidhje me një borxh në vazhdimësi ka kanosur viktimën mashkull K-Shqiptar. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport të policisë. /PrizrenPress.com/

E shkel këmbësorin me veturë në Banjë të Malishevës

0

Një person përderisa ishte duke lëvizur me veturën e tij me targa lokale në fshatin Banjë të Malishevës, ka goditur një këmbësor.

“Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë”, njofton policia, përcjellë PrizrenPress.

Nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa policia po merret me hetimin e këtij rasti. /PrizrenPress.com/

Bombardime të mëdha në Siri

0

Sulme ajrore të pareshtura e kanë goditur sot qytetin sirian, Deraa, derisa armëpushimi i deklaruar nga qeveria mbaroi, ka thënë një dëshmitar brenda qytetit dhe Mbikëqyrësi Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Ushtria siriane nuk ka qenë e qasshme për koment, raporton Reuters, përcjell Express.

Deraa ndodhet në kufirin e Sirisë më Jordaninë.

Zyrtarë amerikanë dhe rusë janë duke mbajtur bisedime për të krijuar një zonë për uljen e përshkallëzimit të situatës në jugperëndim të Sirisë që do ta përfshinte edhe Deraan./Express/

Dënohet me 18 vjet burgim i akuzuari për vrasje, Skender Berisha

0

Skender Berisha, i akuzuar për vrasjen e Qamil Avdylagës, të hënën, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, me 18 vjet burgim efektiv.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Skender Çoçaj, përveç Skender Berishës, ka dënuar edhe të akuzuarin Shpend Berisha me 2 vite e 6 muaj burgim për lëndim të rëndë trupor dhe Agron Avdylagën, me 3 vite burgim për tentim vrasje.

Ndërsa, të akuzuarit Gjemajli Berisha dhe Drilon Berisha, i ka dënuar me nga një vit burgim efektiv për veprën penale të shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore.

Po ashtu, ka vendosur që ndaj të akuzuarve Ramiz Avdylaga, Fadil Avdylaga, Avni Bytyqi, Nexhmedin Berisha, Sazan Berisha, Arbër Berisha, të shqiptoi dënim me nga një vit burgim për secilin, për pjesëmarrje në rrahje.

Bujar Avdylaga dhe Arianit Berisha janë liruar nga akuza e pjesëmarrjes në rrahje, për shkak se nuk është arritur të provohet një akuzë e tillë.

Skender Berisha, akuzohej se në mars 2014, gjatë një përleshjeje në mes familjeve Berisha dhe Avdylaga, ka qëlluar për vdekje viktimën, Qamil Avdylaga.

Sipas aktakuzës, i njëjti, ka qëlluar edhe në drejtim të të dëmtuarve, Veli dhe Ilir Avdylagës, duke u shkaktuar lëndime të rënda me rrezik për jetë.

Aktakuzën e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prizren, por me kërkesë të palës së dëmtuar, e njëjta është përjashtuar, ndërsa më pas aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori Arben Ismajli, nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Shkaku i konfliktit në këtë rast ka qenë një pronë, për të cilën dy familjet pretendojnë pronësinë e për të cilën, disa vite para konfliktit, në vazhdimësi, janë përballur në Gjykatë, por aktgjykimet nuk kanë mbërritur asnjëherë formën e prerë./betimiperdrejtesi/

Bosnja, portë e depërtimit të ISIS-it në Evropë

0

Që prej luftës në Bosnjë ka fshatra tërësisht islamikë, ku fundamentalistët sfidojnë bashkësinë zyrtare islame.
Është kohë agjërimi për festën e Ramazanit. Imami Sadrudin Isherici drejton namazin e iqindisë në xhaminë qendrore në kryeqytetin boshnjak Sarajevë. Ramazani – është për Ishericin dhe besimtarët kohë reflektimi. Isherici është një nga klerikët më të fuqishëm të Bosnje-Hercegovinës.

Fjalën e tij e dëgjojnë. Sidomos në kohë krize. Pas sulmeve të shumta islamike në Evropë, ai do të përfaqësojë edhe më shumë zërin e liberal, evropian dhe kozmopolit të islamit boshnjak. “Sigurisht që ne si komunitet boshnjako-mysliman refuzojmë çdo lloj sjellje radikale, ne jemi shumë të vetëdijshëm për gjendjen tonë të veçantë: si myslimanë të hershëm në Evropë është përgjegjësia jonë që t’ua bëjmë të njohur fenë tonë të paqes edhe jomyslimanëve dhe të angazhohemi që ata edhe ta pranojnë si të tillë. Ky është amaneti ynë dhe me këtë shpresojmë t’i shërbejmë edhe Perëndisë.”

Çdo gjë brenda sistemit?

Në oborrin e xhamisë qendrore të bashkësisë islame janë varrosur krerikë të dikurshëm myslimanë të Bosnjës. Ndryshe nga vendet e Lindjes së Mesme, ata vazhdojnë të adhurohen nga ana e besimtarëve edhe pas vdekjes – ngjashëm si tek fetë e tjera në Bosnje. Sipas Ishericit të gjithë myslimanët e Bosnjës duhet t’i nënshtrohen kësaj forme të fesë islame. “Komuniteti mysliman i Bosnjës është një model organizativ që nuk e gjen askund tjetër në botën islame. Nuk ka asnjë xhami të vetme jashtë Bashkësisë Islame të Bosnjës, as edhe një imam të vetëm që praktikon në një xhemat, pra një bashkësi lokale islame, pa leje të vlefshme prej Myftiut të Madh. Çdo gjë lëviz brenda sistemit.”

Fundamentalistët sfidojnë bashkësinë zyrtare islame

Por, që prej luftës në Bosnjë ka fshatra tërësisht islamikë, ku fundamentalistët sfidojnë bashkësinë zyrtare islame. Në verilindje të vendit, në disa fshatra përreth qytetit industrial të Tuzlës pushtetin e kanë salafistë radikalë islamikë. Në lagjen Kula takohemi një grup salafist. Emir Çajic është i vetmi në rajon, që është dakord të flasë me ne. Ata kërkojnë që gratë të mbulohen nga këmba te koka, refuzojnë alkoolin dhe shumë gjëra të tjera që myslimanët kosmopolitanë boshnjakë që jetojnë prej shekujsh në Evropë, i tolerojnë. Këtu nuk ka islam modern.

Strukturat paralele islamike në Bosnjë janë nën mbikëqyrjen e policisë nën akuzën se kanë kontakt me dhe financohen prej kohësh nga grupe fundamentaliste në Lindjen e Mesme. Ata janë kundër Islamit evropian në Bosnje. Për ta përkujtimi i ish-liderëve shpirtëror në varret e xhamive siç bëhet një gjë e tillë në xhaminë qendrore në Sarajevë është vepër djallëzore. “Ata as nuk u thonë njerëzve se është gjë e keqe që këto varre ekzistojnë. Po kjo nuk ka qenë arsyeja kryesore pse jemi larguar nga Bashkësia Islame e Bosnjës. Kjo ka të bëjë me shmangiet e ndryshme në formën se si duhet praktikuar besimi prej bashkësisë islame dhe se ata thjesht nuk e kanë bërë punën e tyre!” – thotë Emir Çajic.

Grupi i Emir Çajicit ka zënë rrënjë në lagjen e varfër të Kulës. Dhe islami liberal boshnjak është larg. Madje ata nuk zhvillojnë as bisedime me bashkësinë islame. “Kur e ke vendosur një herë kufirin – atëherë nuk ka më mosmarrëveshje. Ti e di se ku je dhe personi tjetër po ashtu” – thotë Emir Çajici.

Gjithçka nën kontroll?

Të gjithë besimtarët në Bosnjë i përkasin bashkësisë islamike boshnjake, thotë Imam Isherici në Sarajevë. Dhe sipas tij “gjithçka është nën kontroll. Ata nuk përbëjnë asnjë rrezik!”

Por në fakt fundamentalistët kanë kohë që janë vendosur në Bosnjë-Hercegovinë dhe kërcënojnë bashkësinë islamike shtetmbajtëse. Nga radhët e radikalëve duhet të kenë shkruar në Siri për t’u bashkuar me terroristët e IS-it qindra boshnjakë. Ata të gjithë kërcënojnë islamin liberal evropian.

Ndjekësit e islamit liberal evropian festojnë që nga fillimi i Ramazanit çdo mbrëmje mbi çatitë e Sarajevës duke e thyer agjërimin – pikërisht këtë kosmopolizëm, këtë gëzim po e luftojnë gjithnjë e më me forcë fundamentalistët në Bosnje. /DW/

Prizren: Urdhër-arrest për dëshmitarin në gjykimin për vrasje

0

Në gjykimin e Bernard Përlazrit, i akuzuar për vrasjen e Hekuran Morinës, më 7 shtator të vitit 2015, në Prizren, dëshmuan dy dëshmitarë, ndërsa për të tretin, Serkan Gunejn, Gjykata lëshoi urdhër-arrest.

Dëshmitari i parë, Enver Ibrahimi, me profesion mjek, tha para trupit gjykues se për rastin e vrasjes kishte dëgjuar në televizion teksa ishte në ordinancën e tij.

Ai tha se të dy palët i ka njohur ngase i kishte pasur pacientë.

Ibrahimi tregoi se në datën kritike, në orët e pasditës në ordinancën e tij kishte qenë bashkëshortja e të ndjerit Hekuran Morina, ndërsa për të tjerat tha se nuk di asgjë.

Ndërsa, dëshmitari tjetër Shefki Kurtaj tregoi se në natën kritike kishte shkuar për darkë me kolegë dhe se në momentin kur kishin ndodhur të shtënat ai kishte qenë në një barnatore aty afër.

“Jo nuk kam parë asgjë, nga qebaptorja ‘Hyska’ kam hyrë në barnatore për të marrë një kapsulë për dhëmb, kam dëgjuar krisma dhe kur kam dalë kam parë guzhvë, ka pasë shumë persona, edhe kemi shkuar për t’i dhënë ndihmë. Nuk e kam njohur askënd, nuk e kam parë askënd duke gjuajtur vetëm se nga barnatorja kam dëgjuar krisma. E kam parë një veturë xhip, ngjyrë hiri ka qenë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se e kishte parë veturën “BMW X5” që ka qenë e kthyer në drejtim të Suharekës ndërsa personat nuk i ka parë.

Por, dëshmitari Kurtaj u ballafaqua me dëshminë e tij të dhënë në Prokurori, ku kishte deklaruar se i kishte parë 4 persona të cilët kishin hipur në veturën “BMW X5” dhe duke u larguar nga brenda veturës kishin vazhduar të shtinin në ajër.

Shefki Kurtaj tha para trupit gjykues se nuk kishte dëshmuar një gjë të tillë.

Në seancën e sotme avokatit Ndrec Doda nga trupi gjykues iu aprovua propozimi për dëgjimin e tre dëshmitarëve, të cilët do të dëshmojnë për ditën kritike.

Ndërsa, po ashtu edhe prokurorit special Haki Gecaj nga trupi gjykues iu aprovua propozimi për dëgjimin e ekspertit të mjekësisë ligjore.

Seanca e radhës u caktua për 15 gusht 2017.

Në këtë rast, Bernard Përlazri akuzohet nga Prokuroria për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Përlazri akuzohet se më 7 shtator 2015 rreth orës 20:28 minuta në lagjen “Bazhderhana”, në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë Leonard Përlazri dhe Ambroz Përlazri (nipat e tij, të cilët gjenden në arrati), të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, për shkak se kundër tij ishte duke u zhvilluar procedura penale e iniciuar nga Hekuran Morina, i shkaktuan lëndime Morinës. /Kallxo.com/