Home Blog Page 5908

Zgjedhjet lokale në Kosovë, propozohet 22 tetori

0

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti. Gjatë një takimi konsultativ që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi me përfaqësuesit e subjekteve politike, kryesisht u propozua data 22 tetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Përfaqësuesit e partive politike kanë preferuar që zgjedhjet komunale të mbahen brenda afatit kushtetues dhe, siç u tha, “mundësisht në një mot sa më të mirë, për të mos hyrë në stinën e dimrit”.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komunat e Kosovës. Ato pritet të prodhojnë kryetarët e rinj të komunave dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.

Viti 2017, po cilësohet si vit i zgjedhjeve në Kosovë. Më 11 qershor, u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga të cilat pritet që të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës i cili më pas pritet ta votojë edhe formimin e Qeverisë.

“EC…” në Prizren kërkon dinamizim në hartimin e dokumenteve të planifikimit hapësino

0

Aktivistë të shoqërisë civile në Prizren i kanë bërë thirrje autoriteteve qendrore dhe lokale që ta dinamizojnë procesin e hartimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor.

Të martën përmes një reagimi ata kanë përkujtuar se 4 vjet pas miratimit të Ligjit të planifikimit hapësinor, ende nuk janë projektuar harta zonale e Kosovës dhe hartat zonale të komunave, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Afro katër vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit të planifikimit hapësinor, autoritetet qendrore dhe ato lokale të planifikimit ende nuk kanë arritur që të përmbyllin në tërësi procesin e hartimit të të gjitha dokumenteve të planifikimit hapësinor.

Harta zonale e Kosovës si dhe hartat zonale të komunave akoma nuk janë hartuar, duke mbajtur pezull kësisoj edhe hartimin e mëtutjeshëm të planeve rregulluese të hollësishme në nivel lokal”, ka thënë Valon Xhabali, koordinator në OJQ-në “Ec ma ndryshe”.

Ai ka bërë të ditur se MMPH-ja, përkatësisht IPH-ja, përmes një shkrese zyrtare kanë konfirmuar për “EC-in…” se ende nuk e kanë hartuar hartën zonale të Kosovës…

Duel ‘kryeministrash’

0

Mosballafaqimi në një debat kokë më kokë mes Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit e ka zhvendosur “luftën” e tyre në një skenë tjetër. Dy kandidatët për kryeministër po përdorin rrjetet sociale e intervistat nëpër mediume që krahas thumbimeve t’i tregojnë sovranit pse njëri vlen më shumë se tjetri. Analistët thonë se ky është vetëm fillimi i luftës nga distanca mes tyre

Se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës është pyetja të cilën po provon që t’i përgjigjet secili qytetar i këtyre ditëve. E cili duhet të jetë ai këtë po provojnë ta dëshmojnë dy akterët kryesorë në këtë duel kryeministrash, Ramush Haradinaj si i nominuar nga koalicioni PAN për këtë pozitë dhe Albin Kurti nga lëvizja “Vetëvendosje”, shkruan Zeri.

Që të dy tashmë kanë nisur edhe haptazi ballafaqimin e tyre, duke thumbuar njëri-tjetrin nëpër rrjetet sociale dhe përmes intervistave të ndryshme nëpër mediumet kosovare.
Në AAK thonë se Ramush Haradinaj edhe ligjërisht është i vetmi i cili ka të drejtë ta formojë Qeverinë. Ndërkohë në lëvizjen “Vetëvendosje” janë të bindur se Republikës së Kosovës i kthehet dinjiteti vetëm me Albinin si kryeministër. Analistët kosovarë vlerësojnë se përballja Haradinaj-Kurti do të intensifikohet edhe më tej me kalimin e ditëve. Sipas tyre, të dy kandidatët nuk do ta kursejnë as gjuhën e ashpër deri në momentin që në lojë do të hyjë presidenti Thaçi..

Ekzekutivi i ri, më së shumti dy vjet

0

Ndonëse akoma nuk kanë filluar negociatat zyrtare në mes të partive politike për formimin e qeverisë së re, madje me shumë pikëpyetje, nëse do të bëhet apo jo për shkak të ndasive të mëdha politike, analistët theksojnë se çfarëdo improvizimi artificial, që do të bëhet si formë eventuale e marrëveshjes për bashkëqeverisje, për ta anashkaluar edhe një model të ri të krizës së vitit 2014, qeveria e krijuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit, do të jetë qeveria më jetëshkurtër në historinë e Kosovës.

Parashikimet e analistëve janë se kjo qeveri do ta ketë vështirë të mbijetojë edhe maksimalisht 2 vite në pushtet, por gjëja e parë, që mund të bëjë kjo qeverisje e brishtë do të jetë interesi se kush do ta “msitnojë” ‘Trepçën’ më shpejt për ta shitur edhe atë, si pasuria e vetme me vlerë që ka mbetur në vend. Qeveria e re mund të rrezikohet jo vetëm nga mungesa e stabilitetit të brendshëm politik, por shpërbërja e saj e shpejtë mund të vijë edhe pas arrestimeve të para nga Gjykata Speciale, gjë që vendin e presin përsëri zgjedhje të reja parlamentare si zgjedhje të parakohshme.

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron se në kushtet e funksionimit të një shteti normal dhe stabil, pas çdo procesi zgjedhje, qofshin ato zgjedhje të rregullta, apo të jashtëzakonshme, qeveria do të duhej të ndërtohet për një periudhe kohore prej një legjislature të plotë kushtetuese, por në shtetin e Kosovës nuk është plotësuar akoma një i tillë, dhe lojën për këtë kryesisht e ka luajtur PDK-ja.

PDK-ja i rrëzoi qeveritë e veta

Sipas Kelmendit, që nga shpallja e pavarë- sisë së Kosovës, pas shumë palë zgjedhjesh që është krijuar qeveria, nuk u ka përballuar kohës prej katër viteve. “PDKja çdo qeveri të krijuar e ka shpërbërë sipas interesit të vet, dhe nuk ka lejuar qeveri deri në fund të mandatit. Kështu është bërë me LDK-në fill pas shpalljes së shtetit të Kosovës, të cilën pas tri viteve e ka shpërbërë. Edhe me AKR-në e zgjidhi para tri viteve dhe tash me LDK-në. Kemi kështu një parti, që nuk shikon interesat e shtetit, por të vetat, përkatësisht të klikave që i ka dhe natyrisht se ka mundësi, madje shumë të mëdha, që edhe pas këtyre zgjedhjeve paraprakisht të shkojmë në zgjedhje. Unë këtë nuk e dua. Nuk e dëshiron askush nga qytetarët në Kosovë, por kjo nuk varet nga këto forca. Mirëpo, për aq sa njihen nuk pritet diçka tjetër”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Ndërsa, sipas analistit Haki Abazi, jetëgjatësia e qeverisë së re do të varet, varësisht se si do të jetë kompozicioni i qeverisë së re, dhe vetëm mbi atë bazë mund të konkludohet se çfarë qëndrueshmërie në vota do të ketë. “Një qeveri që varet nga Lista Serbe do të jetë vështirë funksionale dhe do ta sabotojë vetveten apo do të jetë e detyruar që të bëjë kompromise të dhimbshme që e thellon krizën politike dhe ekonomike në vend. Në këtë rast gjithashtu do të ketë një opozitë të fuqishme, që dosido do të sjellë përplasje të mëdha dhe me një përfundim të paparashikueshëm, që do të jenë zgjedhjet e reja. ‘Trepça’ është një prej çështjeve të nxehta, por ka edhe të tjera, siç janë demarkimi i kufijve, liria e lëvizjes, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, lëvizja e lirë e qytetarëve, krijimi i ushtrisë etj.”, ka vlerësuar Abazi për gazetën “Kosova Sot”.

Kujtim Gashi dhe Steve Banks, bisedojnë për realizimin e projekteve në Prizren

0

Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Kujtim Gashi, ka zhvilluar një takim me këshilltarin politikë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë, Steve Banks.

“Biseduam për tema të ndryshme dhe për mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta”, tregon Gashi.

“Amerika dhe amerikanët vazhdojnë të mbështesin komunën tonë dhe Republikën e Kosovës”./PrizrenPress.com/

Zafir Berisha, pyet Albin Kurtin: A i keni dërguar 70 dosje për Isa Mustafën?

0

Ish- deputeti Nismës Zafir Berisha kërkon nga kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje , Albin Kurti, që të tregoi se a i kanë dërguar apo jo Isa Mustafa, 70 dosje për korrupsion.

“ Shpendi a i ka dërguar për korrupsion 70 dosje për hajni në Prokurori apo ato kanë qenë mualife elektorale?”, pyet Berisha, shkruan PrizrenPress.

“ LDK-së së cilës po i përkulesh a është e njëjta që bashkë e kemi luftuar me vezë, filikaqe, gaz lotsjellës deri në rrëzim për keqqeverisje marrëveshje antikushtetuse me Serbi e Cernagore ?”/PrizrenPress.com/

Burgu pa dry

0

Poezi nga shkrimtari Fatmir Muja

Në burgun e egos kur frymojmë, dritën e zemrës e errësojmë
Sillemi si të lirë edhe pse të gjithë na robërojnë
S’na duken aq kokëtrashë budallenjtë që na lavdërojnë
S’na duken aq të mençur të urtët që na qortojnë
Duke u mahnitur me mendjen, shpirtin tonë e harrojmë
Themi “unë mendoj” edhe pse mendimi s’na vjen kur dëshirojmë
I ngjajmë Nastradinit që udhëton hipur në gomar
Të tjerët i pyet me kureshtje: “Gomarin mos ma keni pare?”
Shigjetat e egos na plagosin e nga shpirti ynë na ndajnë
Qeshim me të dashurit tanë që për dhimbjet tona qajnë
Miqtë për armiq i marrim e shpresat te ta i varim
E mira gjithnjë dënohet, sa herë të keqen e falim.

Në qelinë e egos ku drita e zemrës nuk ndizet
Kuptimi i pranisë sonë në botë zbehet dhe venitet
E pranojmë një dije që vetëdijen ta humbasim
Pastaj flasim çfarë dimë por nuk e dimë çfarë flasim
Kuptojmë veç atë që dëshirojmë e të tjerat i mohojmë
Me syzet tona njëngjyrshe gjithë botën e vështrojmë
Në prani të të tjerëve veten duke e qortuar e lavdërojmë
Por zemra e di që ne s’jemi ata që të tjerët besojnë
O “unëjam” që dëshiron të jesh kaq tepër nga të tjerët i mikluar
Gomari nuk zbukurohet veshët duke ia shkurtuar.

E errët është qelia e egos ku rrezet e diellit nuk hyjnë
Fjalët e Gjalla lexohen por në zemrat e vdekura s’arrijnë
Kur nata e zezë u pëlqen mendjeve, kot që mëngjeset vijnë
Gjynahet janë plagë që qeniet tona i godasin
Po qëlluan në vend të ndjeshëm, mund edhe të na vrasin
Shpirti kërkon me u lumnue por egoja frikësohet nga e vërteta
Ajo nuk dorëzohet por pret t’i dorëzohet jeta
Ama jeta është e gjallë e egoja është e vdekur
Ajo është grumbull mendimesh që në kujtesë kanë mbetur
Jeta gjallëron tani në këtë çast kur po lexon këtë varg
Vetëdija humbet atëherë kur mendja lumturinë e kërkon larg
Ujit i duhet kohë për të vluar dhe veç një çast për t’u avulluar
Ato që i ndjen zemra, mendja s’ka kohë për t’i kuptuar.

Në burgun e egos ndjehesh vetëm edhe pse shoqëri ka
Dikush është aq fukara sa s’ka asgjë tjetër, veç pará.
Dikush te trëndafili sheh veç gjembat që shpojnë
Të gjithë këta shokë në burg mund të të shoqërojnë
Nga të gjithë mund të mësosh diçka që i takon të vërtetës
Nga të gjithë do shpëtosh nëse shpëton prej vetes
Dikush të ka armiqësisht mik e dikush miqësisht armik
Asnjërit mos iu afro, nga asnjëri mos ik
E si mund të afrohemi apo të ikim, kur këta jemi ne vetë
Derisa egoja të hidhet e shpirti çdo çast ta kthejë në jetë
Kur të kemi dalë nga ky burg pa dry
Çelësi ku do mbetet, me mua a me ty?
Ti tani buzqeshë, unë ta bëj me sy…

Gëzim Kryeziu jep dorëheqje nga LDK-ja në Suharekë

0

Anëtari i Kryesisë së LDK -së në Suharekë, dhe kryetari i nëndegës më të madhe në qytet si dhe asambleisti i tanishëm i Asamblesë Komunale të Suharekës, përfundimisht ka vendosur të jep dorëheqje nga LDK dhe nga të gjitha funksionet që i ka brenda këtij subjekti politik.

TherandaPost ka kontaktuar Gëzim Kryeziun.

Po është e vërtetë unë nuk jam më në LDK dhe jap dorëhqje nga funksionet që i kam pasur aty. E kam njoftuar edhe kryetarin e degës Sali Asllanaj për dorheqjen time të cilën me shkrim do t’ia dorëzoj”.Ai ka theksuar se do të mbetet asambleist i pavarur për të mbrojtur interesat e qytetarëve që e kanë votuar.

Del trailer i filmit Daddy’s Home 2

0

Will Ferrell dhe Mark Wahlberg janë dy yjet e filmit të dytë Daddy’s Home 2.

Filmi i zhanrit komedi familjare del më 10 nëntor të këtij viti.

Në filmin e ri, Ferrell dhe Wahlberg i reprizojnë rolet si Dusty dhe Brad dhe njerku i tyre që testohet kur familjet e tyre të gjera i kryqëzojnë rrugët për një festë të madhe Krishtlindjesh.

Prizren: Dështon rigjykimi ndaj ish-gjyqtares Shemsije Sheholli

0

Nuk ka arritur të nis rigjykimi i ish-gjyqtares, tash avokates Shemsije Sheholli, e akuzuar se ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare, si gjyqtare, pavarësisht se lënda penale ndaj saj vjetërsohet më 2 korrik 2017.

Megjithëse, në seancën e kaluar gjykata ka lëshuar urdhër për sjellje ndaj të akuzuarës Sheholli, Policia e Kosovës nuk ka arritur ta zbatojë një urdhëresë të tillë.

Në seancën e së martës, në sallën e gjykimit janë paraqitur të dëmtuarat, Ifeta dhe Zineta Nikoqeviq, e po ashtu edhe prokurori i rastit, Genc Nixha, por edhe kësaj here kanë munguar e akuzuara, Shemsije Sheholli dhe mbrojtësja e saj, avokatja, Shpresa Berisha.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka njoftuar të pranishmit në sallë se para seancës ka pranuar një njoftim nga stacioni policor “Qendra” në Prishtinë, se nuk kanë guxuar të transportojnë të akuzuarën, pasi që e njëjta ka probleme shëndetësore, konkretisht e ka këmbën të thyer.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i të dëmtuarës Ifeta Nikoqeviq, e cila ka thënë se në raportin e mjekut rreth lëndimit të këmbës së të akuzuarës, të përpiluar më 2 maj 2017, shkruan se pacientja mund të lëvizë me paterica. Andaj, sipas saj, të gjitha veprimet e të akuzuarës janë në drejtim të ikjes së përgjegjësisë penale dhe zvarritjes së procedurës, pasi që rasti ndaj saj do të vjetërsohet më 2 korrik 2017.

Po ashtu, ka reaguar edhe e dëmtuara tjetër, Zineta Nikoqeviq, e cila ka kërkuar që gjykata të bëjë hetime të veprimtarisë së të akuzuarës prej janarit 2017, e deri më tani, që të vërtetoi se e njëjta i është shmangur drejtësisë me anë të pretendimit se është e sëmurë, ndërsa sipas saj, ka kryer shërbime si avokate në rastet e saj.

Të dëmtuarat kanë thënë se e kanë humbur besimin në sistemin e drejtësisë, pasi siç thonë se që nga viti 2009, padrejtësisht prona e tyre me vlerë milionëshe, është tjetërsuar me anë të vendimeve gjyqësore, e deri më tani, problemi i tyre nuk është rregulluar.

Në këto rrethana, shqyrtimi është shtyrë për 29 qershor 2017, në ora 13:00 dhe sërish është lëshuar urdhër për sjellje ndaj të akuzuarës, Shemsije Sheholli.

Me datën 12 shtator 2013, Prokuroria e Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsije Shehollit, të cilën e akuzon se në cilësinë e gjyqtares në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare.

Sipas aktakuzës, Sheholli ka aprovuar kërkesën e paditësve Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën ka vërtetuar se ata janë pronarë të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”, pa ftuar në shqyrtimin gjyqësor, palën paditëse.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Sheholli i ka caktuar palës së paditur, përfaqësues të përkohshëm, pa u munduar që të sigurohet, se i njëjti nuk jeton në Kosovë, por se është mjaftuar me deklaratën e paditësve se i padituri, Ustun Sylejman, është shpërngulur në Turqi.

Tutje, Sheholli, akuzohet se nuk ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë në gazetën zyrtare, vendimin mbi caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm, me çka i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjorë të të paditurit Ustun, mbesat dhe nipat e tij, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq dhe Emil Popoviq.

Me 27 maj 2016, e akuzuara Shemsije Sheholli, është shpallur fajtore për veprat penale me të cilat ngarkohet dhe është dënuar me 3 muaj burgim efektiv.

Ndaj këtij aktgjykimi, palët e dëmtuara dhe prokurori i rastit, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë kërkuar që të rritet lartësia e dënimit.

Po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, ka bërë ankesë ku ka kërkuar që të prishet aktgjykimi dhe rasti të kthehet në shkallën e parë për rivendosje.

Me 5 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në shkallën e parë, për rivendosje.

Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që të vërtetojë në tërësi gjendjen faktike, pasi që nuk ka administruar si provë, lëndën kontestuese për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë, ku do të vërtetoheshin nëse janë të sakta pretendimet e palës akuzuese apo asaj mbrojtëse.

Lënda penale që nga janari 2017 është tentuar të rigjykohet, por Gjykata Themelore në Prizren ka qenë e pafuqishme që të mbajë një seancë të vetme, për shkak se e akuzuara ka refuzuar të marrë pjesë në gjykim me arsye se vuan nga një sëmundje e rëndë.

Nga një raport mjekësor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përpiluar sipas kërkesës së gjykatës, thuhet se e akuzuara ka refuzuar të ekzaminohet për arsye se e ka lënduar këmbën. Tutje, thuhet se nga shkresat mjekësore që përmban lënda, pacientja nuk ka probleme neurologjike për të përballuar një gjykim, ndërsa sa i përket aspektit psikiatrik dhe kardiologjik, nuk mund të përcaktohet, pasi që nuk është bërë ekzaminim direkt./betimiperdrejtesi/