Home Blog Page 5913

Zjarri malor në Portugali: 57 të vdekur (Foto)

0

Është rritur në 57 numri i të vdekurve në një zjarr katastrofik malor në Portugali, njoftojnë zyrtarët.

Shumica e tyre kanë vdekur në automjete duke ikur nga zona Pedrogao Grande, 50 kilometra në juglindje të Coimbra, sipas qeverisë së vendit, transmeton Express.

Disa zjarrfikës janë në mesin e 59 personave të lënduar.

Në mesin e 59 të lënduarve ishte edhe një vajzë tetëvjeçare e cila u gjet me djegie të renda duke u endur e vetme pranë zjarrit.

“Fatkeqësisht, kjo duket të jetë tragjedia më e madhe që e kemi parë në vitet e fundit sa i përket zjarreve malore,” ka thënë kryeministri Antonio Costa.

Ai ka thënë se numri i përgjithshëm i të vdekurve mund të rritet përsëri.

Ende nuk dihet shkaktari i zjarrit, por Costa ka thënë se stuhitë me vetëtimë dhe bubullima mund ta kenë shkaktuar atë./Express/

Jeleku me ar shqiptar, që dashuronte Edit Durham

0

Sot ky jelek ruhet në Bankfield Museum në Halifax

Edit Durham nuk do ta harronte asnjëherë kostumin qendisur me ar nga gratë shqiptare. Shpesh ajo e vishte sipër një fustani të lehtë, për të kujtuar kohët shqiptare. Edith Durham (1863-1944) ishte 37 vjeç, kur ndërmori udhëtimin e saj të parë në Ballkan më 1900. Ky udhëtim do të kishte një efekt të dyfishtë: në jetën e saj dhe për antropologjinë dhe etnografinë e rajonit. Së pari, që nga zbulimi i Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë dhe për 14 vjet me radhë ajo do të kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe të angazhimit të saj intelektual dhe politik në udhëtimet nëpër Ballkan. Edith Durham shkroi dhe botoi një sërë veprash monumentale  dhe artikujsh për historinë, etnografinë, intrigat politike dhe antropologjinë e Ballkanit. Historianët e mëvonshëm të Ballkanit kanë përdorur rregullisht citime nga veprat e saj ku sipas historianit të njohur të Ballkanit, Noel Malcom, ajo ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të ngjarjeve”. Veprat e saj sipas rendit kronologjik janë: Through the Lands of the Serb” (1904), “The burden of the Balkans “(1905) ,”High Albania“(1909) ,”The struggle for Scutari” (1914) ,”Tëenty Years of Balkan Tangle “(1920) ,”The Sarajevo Crime (1925) dhe  “Some Tribal Origins, Laës and Customs of the Balkans” (1928). E tërhequr pas së bukurës ajo ndalonte sa herë shihte një veshje të tillë.

E tillë ishte dhe tërheqja ndaj jelekut. Historiani Dorian Koçi tregon historinë e këtij jeleku. ”Një nga veshjet popullore më të bukura është ajo që ruhet në Bankfield Museum në Halifax, një jelek gruaje i qëndisur me ar, dhuratë e popullit të Beratit në 1918. Kjo dhuratë ishte një shprehje e mirënjohjes së shqiptarëve ndaj asaj zonje , e cila vazhdonte të punonte në favor të Shqipërisë. E prekur nga ky gjest fisnik, ajo kujtonte: “Kalërova tre ditë maleve e mbërrita në Berat herët në mëngjes, dhe hartova një telegram për Këshillin e Ambasadorëve në Londër , si petecion nga banorët e Korçës, që thonin se dëshironin të mbeteshin shqiptarë dhe  Korça të mbetej shqiptare.” thotë Koçi. Sipas tij veshjet popullore shqiptare gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj. Koloriti dhe ornamentet e tyre shpesh herë u kthyen në objekt studimi dhe admirimi në shënimet e udhëtimit dhe veprat e botuara në Evropë. Revolucioni industrial, përparparimet teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit nga gjysma e dytë e shekullit të XIX,  bënë të mundur që udhëtimet edhe në distanca më të largëta të botës të mos ishin më të gjatë, të lodhshëm  dhe të vështirë. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, numri i udhëtarëve evropianë që vizitonin Shqipërinë vazhdoi të rritej ndjeshëm. Për herë të parë në këtë kohë, vendin tonë  e vizitojnë edhe udhëtare femra si është rasti i udhëtares dhe antropologes Mery Edith Durham, e cila ka lënë disa shënime interesante dhe kostume popullore që sot ruhen dhe ekspozohen në muzeumet e Britanisë së Madhe.”Përvoja dhe materiali i mbledhur gjatë këtyre udhëtimeve përbëjnë ndoshta koleksionin më të pasur të kulturës popullore dhe sociale të mbledhur nga ndonjë udhëtar i huaj gjatë kësaj kohe.  Një pjesë e madhe e këtij koleksioni shumë të çmuar për kulturën shqiptare ndodhet në British Museum dhe në koleksionin Durham në Bankfield Museum në Halifax. Pjesa më e  madhe e tyre janë veshje popullore të blera gjatë udhëtimeve të saj në Shqipëri. Ashtu si dhe udhëtarë të mëparshëm britanikë që kishin shprehur admirimin për veshjet shqiptare, edhe ajo do të shprehej: “qëndisjet me ar nuk mund t’i gjesh asgjëkundi, dyqanet e rrobaqepsave janë një shkëlqim i mahnitshëm i ngjyrave dhe modeleve. Nëse nuk do të kisha vështirësi me transportin e tyre , do të kisha blerë aq shumë sa do të kisha mbetur pa asnjë dysh”. “Jeleku dëshmon një nivel të lartë të mjeshtërive artizanale të Shqipërisë së asaj kohe dhe të qytetit të Beratit si një nga qytetet më të zhvilluara të Shqipërisë së jugut. Jeleku pa mëngë dhe i qendisur me ar ishte një veshje e aristrokracisë së lartë beratase dhe dëshmon për një nivel mirëqënie të shtresave shoqërore që e vishnin.Në të bie në sy sasia e madhe e arit e përdorur për të realizuar ornamentet e ndryshme”, thotë Koçi.Kjo cilësi e veshjeve popullore shqiptare nuk ishte një gjë e re. Edhe poeti i madh romantik, Lord Bajron rreth 100 e ca vjet më parë, kur kish blerë kostumin e famshëm me të cilin ka pozuar për piktorin Thomas Philips, i kish shkruar së ëmës: “kam blerë disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea”. Qyteti i Beratit, ashtu si dhe qytetet e tjera shqiptare në periudhën osmane, kishin një artizanat të zhvilluar, të organizuar në esnafe që trashëgonin mjeshtëritë brenda familjeve brez pas brezi. Brenda një harku kohor zejtaria në qytetin e Beratit kishte shënuar një përparim të dukshëm,çka shihet jo vetëm në shtimin e numrit të zejtarëve por edhe të zejeve. Në defterin e vitit 1583,  janë regjistruar 638 zejtarë. Edhe pse nga numri i zejeve që ushtroheshin  në këtë kohë(23), qyteti i Beratit vinte pas qyteteve të tilla si Elbasani(45 zeje), Prizreni(45), Shkodra e Prishtina (me nga 28 zeje secila), për nga numri i zejtarëve që punonin këtu, Berati zinte vendin e parë mes qyteteve shqiptare. Mes zejtarive që ushtroheshin vend të posaçëm zinin zejet që kishin të bënin me prodhimin e veshjeve  dhe të sendeve të ndryshme të zbukurimit. Zhvillimi i disa veprimtarive zejtare ndikohej drejtë për së drejti prej shtimit të vazhdueshëm të kërkesave të shtresës së pasur të qytetit për veshje luksi dhe artikuj të çmuar zbukurimi”, thotë Koçi. Sipas tij sot, për fat të keq, këto mjeshtëri artizanale kanë humbur dhe ringjallja e tyre përbën një sfidë për zhvillimin e një turizmi kulturor të qendrueshëm. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim do të ishte sjellja dhe ekspozimi i këtyre objekteve të çmuar muzealë në Shqipëri, për tu studiuar nga etnografët tanë, dhe përpjekja për ta rigjallëruar sërish traditën e qepjes dhe përgatitjes së veshjeve popullore që dikur mahnisnin europianët e paktë që vizitonin Shqipërinë. /Shqip/

Gjenden të vdekur shtatë detarët e zhdukur të marinës amerikane

0

Shtatë detarët që u zhdukën pasi USS Fitzgerald u përplas me një anije tregtare jashtë Japonisë u gjetën të vdekur, njofton Marina e SHBA-së dhe mediet japoneze.

Përplasja ndodhi shtunën dhe filloi një kërkim për shtatë marinarë të humbur, pasi një helikopter evakuoi tre persona të lënduar të ekuipazhit, shkruan BBC.

Ushtria amerikane tha se punonjësit e shpëtimit gjetën trupat të dielën pas marrjes së aksesit në pjesët e dëmtuara të anijes.
Ai tha se ata do të dërgohen në një spital japonez për tu identifikuar.

Incidenti ndodhi dje rreth 104km në jug-perëndim të qytetit të Yokosukës.

Ana e djathtë e anijes së Marinës ishte dëmtuar rëndë nga përplasja, por anija më vonë arriti të kthehej në bazën e saj në Yokosuka, me ndihmën e anijeve të marinës.

Anton Quni humbi 4 mijë vota

0

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit ka humbur një numër të madh votash, dhe kjo është vërejtur edhe te lista e kandidatëve.

Ismet Beqiri, Arben Gashi, Armend Zemaj, Anton Quni, Blerim Grainca e Bardhyl Meta kanë humbur vota shumë.

Beqiri në zgjedhjet e vitit 2014 kishte pasur mbi 17 mijë vota, kurse në këto zgjedhje sipas rezultateve të para ka 6 mijë e 229 vota, pra ka humbur mbi 11 mijë vota, raporton lajmi.net.

Afro 10 mijë vota i ka humbur edhe Haki Demolli. Në zgjedhjet e fundit ai kishte pasur mbi 14 mijë vota, kurse në zgjedhjet që u mbajtën javën e kaluar ka siguruar rreth 5 mijë vota.

Numër të madh të votave ka humbur edhe Armend Zemaj. Në këto zgjedhje ai ka marrë 5 mijë e 554 vota, kurse në zgjedhjet e kaluara kishte pasur mbi 11 mijë vota.

Mbi 5 mijë vota i ka humbur edhe Arben Gashi. Ky kishte pasur gati 15 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2014, kurse në zgjedhjet e 11 qershorit nuk ka marrë më shumë se 8 mijë e 447.

Nga 4 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e kaluara i kanë humbur edhe Blerim Grainca e Anton Quni, kurse tre mijë tjera i ka humbur Bardhyl Meta.

LDK-ja në këto zgjedhje ishte në koalicion me AKR-në dhe Alternativën.

Veterani i UÇK-së, Hysen Berisha, kërkon nga partitë politike që të mos e shkelin gjakun e dëshmorëve

0

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysen Berisha, kërkon nga përfaqësuesit e partive politike që sa më shpejt të formojnë Qeverinë e Kosovës.

Berisha, i cili ka qenë pjesëtar i UCK-së në Brigadë 138 “Agim Ramadani” thotë se shteti i Kosovës, i ka rrënjët në gjakë, “prandaj partitë politikë duhet të bashkohen “

Askush nuk guxon të loz me gjakun e dëshmorëve ,sepse liria është e vetmja gjë që i ka rrënjët në gjak”, shprehet ai.

Sipas tij, përfaqësuesit politik nuk duhet të harrojnë gjakun e dëshmorëve të kombit, për interesa personale.

“I bëj thirrje spektrit politik në Kosovë, që të tejkalojnë ambiciet personale, interesat e ngushta grupore-partiake dhe të vihen në mbështetje të shtetit. Është moment kritik kur klasa politike duhet të reflektojë kulturë institucionale, sepse tashmë ne jemi në ata stad që na duhet tradita dhe kultura institucionale, vetëdija shtetërore dhe shtet formuese përgjegjshmëri politike-institucionale dhe diplomaci konstruktive për të ruajtur pozicionin ndërkombëtar të Kosovës” .

Birgadëes 138 “Agim RaamdanI’, përmes një deklarate publike, ka kërkuar që sa më shpejtë të formohen institucionet e Kosovës.

“Ne veteranët e Luftës së Koshares, duke e parë gjendjen e paragjykuar pas zgjedhore, ju bëjmë thirrje spektrit politik në Kosovë, që të tejkalojnë ambiciet personale,interesat e ngushta grupore-partiake dhe të vihen në mbështetje të shtetit të Republikës së Kosovës, interesave të tij dhe bërjes së tij shtet funksional.Në këtë ju obligon besimi i dhënë i qytetarëve të Kosovës, pritjet e tyre dhe rekomandimet e partnerëve strategjik ndërkombëtarë për stabilitet politik dhe institucional”.

“Prioritet janë krijimi i institucioneve të Kosovës dhe shtyrja përpara e agjendave politike vendore dhe në konstalacion ndërkombëtar. Na obligon parimi politik se interesat e vendit dhe raportet me partnerët strategjik, duhet të determinojnë sjelljen dhe vendim-marrjen politike”.

“Mjerë ata që nuk i dinë këto ligje e nuk i zbatojnë rregullat shtetërore të Kosovës”

“ Unë mendoj se e kemi kësaj here radhën të flasin i veteranët, ish- udhëheqës të luftës së Kosheres, se lufta jonë është bërë që Kosova të ketë ligj e rend”./Qazim Thaçi /

Fillon loja me nerva

0

Shkelzen Dakaj

Tashmë kur rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit po kristalizohen dhe konfiguracioni politik po merr formë, kanë filluar edhe projeksionet e para se kush me kë do t’a bëj qeverinë. Por, këtë fazë e bënë të paqartë dhe dramatike rezultati i dalë nga zgjedhjet, përkatësisht numrat e mandateve që partitë apo koalicionet kanë fituar.

Po të kishim koalicionin fitues me të paktën 51 mandate, për të mos e bërë qeverinë të varur kryekëput nga Lista Serbe gjërat do të ishin shumë të qarta. PAN-i do ta bënte qeverinë shpejtë dhe do të tentonte që “për temat e rënda” të siguronte mbështetjen e opozitës së re, sidomos LDK-së si më e dëshmuar që bënë kompromise “për hirë të Kosovës”.

Apo të paktën sikur PAN-i të kishte bile 41 mandate, do të kishte mundësinë të paktën të fillonte negociatat duke thënë se numrat i kanë, por po duan zgjerim të koalicionit për hirë të mosbllokimit të vendim marrjes.

Por, realiteti është kokëfortë, PAN-i nuk i ka as 41 mandate dhe formimi i qeverisë vetëm me minoritetet është de facto dhe de jure i pamundshëm. Përveç nëse ndodhë ajo që në mënyrë implicite kandidati i PAN Ramush Haradinaj pretendonte dje, se do të ketë deputet solidar nga AKR dhe LDK që do t’a votojnë qeverinë e tij veç sa për ti bërë nder. Kjo praktikë nuk është njohur dhe një qeveri e tillë do të ishte skajnërisht e paqëndrueshme e lëre më e aftë të marrë vendime për ” do tema të randa”.

Zatën me shumë zell këto pretendime të Haradinajt, i mohuan me ashpërsi qysh mbrëmë vet udhëheqësit e AKR-së. Në anën tjetër nga LDK me vendosmëri po e mohojnë çdo formë të bashkëpunimit për ndërtimin e një qeverie ku bën pjesë edhe PDK.

Por pse pra Haradinaj dhe eksponentë të PDK-së po insistojnë se PAN do t’a krijoj qeverinë, kur nuk kanë gjetur ende bashkëlojtar? Përgjigjia duket e thjeshtë për ata që e njohin gjuhën e politikës. Loja me nervat ka filluar. Palët masin pulsin e kundërshtarëve, mundohen të tregohen stabil dhe të sigurt në deklarime, për të nxitur lëkundje apo pasiguri te kundërshtarët.

Prandaj deklarime të tipit “i kemi numrat”, “po na lusin, po na ofrohen deputetë të partive rivale”, ” jemi afër marrëveshjes”, “kemi mbështetjen ndërkombëtare”, ” fituesit i takon mandati” etj. etj., do n’a dërmojnë duke i përsëritur e stërpërsëritur. Bile kjo fraza që e kishte përseritur me mijëra herë Grabovci në 2014-ën, “i kemi numrat” do të ri aktualizohet dhe do të përsëritet vend e pa vend nga PAN-i, sidomas nga Haradinaj. E Enver Hasanin do e ngucë lemza shpesh, sepse PAN-i do thirret vazhdimisht në interpretimin e tij të 2014-ës, e partitë tjera po në deklarimet e tij të 2017-ës për të njëjtën çështje.

Në anën tjetër LDK-ja me mijëra herë do t’a përsërisë se “nuk bëjnë koalicion me PAN”, por që “padrejtësisht” pak kush do t’i besojë.

AKR-ja herë do të thotë se “jemi të palëkundur, të vendosur për të mos pranuar koalicion me PAN”, ” nuk e braktisim koalicionin me LDK” etj., pastaj edhe shkëndija si “pa AKR nuk bëhet qeveria”, ” pa u pranuar programi i AKR-së nuk hyjmë në qeveri” etj., sa për të dhënë shenja se edhe mund të pranojnë ndonjë ofertë, nëse është e majme.

Për VV çfarë të themi, do t’a mesojë si vjershë fjalinë që: ” ne jemi partia më e madhe dhe na takon mandatari”, “ne i kemi numrat” etj. etj.

Si do rrjedhin gjërat nuk dihet ende, por loja me nerva sapo ka filluar dhe do të jetë e rëndë për partitë politike sidomos, por edhe qytetarët nuk është se do të jenë të kursyer nga kjo.

Se kush do të lodhet më shpejt e kush do rezistojë më gjatë, mbetet të shihet në javët në vijim.

Andini i premton babait: Do të vazhdoj në rrugën që më ke trasua

0

Djali i dijetarit dhe veprimtarit të çështjes Kombëtare Ukshin Hoti, Andini i ka uruar ditëlindjen e 74-të babait, i cili mes tjerash ka shkruar se “për ditën Tënde të shënuar, dhurata që dua të të bëj, është premtimi se do të vazhdoj në rrugën që më ke trasuar”.

Shkrimi i plotë i Andidnit:

Urime Babi!

Në Ditëlindjen Tënde të 74-të, qytetarët e Kosovës, miqtë e tu dhe të Familjes, mbështetësit e idealeve për një Republikë të zhvilluar dhe në funksion të Bashkimit, më kanë dhënë besim dhe përgjegjësi për t’i përfaqësuar dhe për ta ndjekur këtë qëllim në Parlamentin e Kosovës.

Për ditën Tënde të shënuar, dhurata që dua të të bëj është PREMTIMI se do të vazhdoj në rrugën që më ke trasuar.

Me shumë mall, Andini

Driton Selmanaj i treti më i votuar në koalicionin LDK-AKR-Alternativa

0

Anëtari i shoqërisë civile, i cili për një kohë të gjatë ishte pjesë e emisionit ‘Click’ në cilësinë e analistit, aderoi në Lidhjen Demokratike, menjëherë pasi u shpallen zgjedhjet. Pas mbajtjes së tyre, Selmanaj doli të jetë njëri nga më të votuarit e listës së koalicionit LDK-AKR-Alternativa.

Në rezultatet e publikuara deri më tani nga zgjedhjet e 11 qershorit, del që Driton Selmanaj të ketë mbledhur 25.499, i treti pas bartësit të listës, Avdullah Hoti, dhe Vjosa Osmanit, e cila edhe në zgjedhjet e kaluara ishte gruaja më e votuar në vend.

Selmanaj është më i votuari nga ardhjet e reja e ai la pas edhe shumë figura të rëndësishme të LDK’së. Ish-analisti është edhe më i votuar se kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli, i cili doli i katërti me 24.909 vota.

Lista nuk është definitive pasi, më shumë se 100 kuti janë shkuar në rinumërim, gjë që kjo listë është nxjerrë sipas rezultatit të numërimit nga 73% të votave, që i bie se rreth 27% të votave apo më shumë se çereku mungojnë.

Haxhi Avdyli në mesin e më të votuarëve të koalicionit LAA

0

Lidhja Demokratike e Kosovës, në koalicion me AKR-në dhe Alternativën, në zgjedhjet e 11 qershorit, janë renditur në vendin e tretë me 25, 79 për qind të votive.

Tashmë është publikuar edhe lista me 30 kandidatët më të votuar të këtij koalicioni, në të cilën më shumë se 50 për qind të votave i ka fituar i nominuari për kryeminstër dhe bartësi i listës Avdullah Hoti.

Lista nuk është defitive pasi, më shumë se 100 kuti janë shkuar në rinumërim, gjë që kjo listë është nxjerrë sipas rezultatit të numërimit nga 73% të votave, që i bie se rreth 27% të votave apo më shumë se çereku mungojnë.

Listës i prin Avdullah Hoti, i cili ndiqet nga kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani, Driton Selmanaj, ndërsa në vendin e katërt gjendet kreu i AKR-së Behgjet Pacolli.

Ndërkaq, kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli renditet në vendin e 17-të.

Image

Nezir Çoçaj sërish bëhet deputet

0

Kandidati për deputet nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, Nezir Çoçaj, ka arritur të marrë vota të mjaftueshme në zgjedhjet e së dielës për t’u bërë për herë të dytë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sipas listës jo zyrtare të publikuar në media, Çoçaj renditet i fundit.

Vlen të theksohet se gjatë rinumërimit të votave dhe numërimit të votave me kusht nga diaspora ka mundësi të ketë ndryshime të emrave.

Ndryshe, Nezir Çoçaj, në legjislaturën e kaluar ka qenë deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës. /PrizrenPress.com/