Home Blog Page 5957

Prizren: I akuzuari nuk e pranon fajësinë për veprën penale të mashtrimit

0

I akuzuari I.  D. , pas leximit të aktakuzës, nuk pranoi fajësinë për veprën penale të mashtrimit, me të cilën e ngarkohet.

Në shqyrtimin fillestar të së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren, prezent ishin prokurori Zenjullah Gashi, i akuzuari dhe e dëmtuara A.Q, me mbrojtësin e saj, Asman Hoxha.

Gjykatësi i rastit Fatmir Krasniqi, shqyrtimin e radhës e caktoi më 28 qershor 2017, në ora 9:00.

Prokuroria e ka ngarkuar me aktakuzë, I.  D. , se më 5 gusht 2014, në orë të papërcaktuar, në Prizren, me qëllim që t’i sjellë vetës apo personit tjetër ndonjë dobi pasurore, e mashtron ose e sjell personin tjetër në lajthim dhe me këtë e shtynë të veproj në dëm të pasurisë së saj.

Në këtë mënyrë, i akuzuari ia merr të dëmtuarës A.Q, 10.000 euro paradhënie, në mënyrë që pas dy muajve t’ia liroi banesën, mirëpo deri tani nuk e ka bërë, e as nuk i ka kthyer paratë.

I. D. , sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale ‘mashtrim’ nga neni 335, paragrafi 2, të Kodit të Ri Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vite./btimiperdrejtesi/

Përkujtohen 26 martirët e Lagjes së Trimave në Prizren

0

Të premten, në varrezat e martirëve të Lagjes së Trimave (Tusus), kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja me bashkëpunëtorët e tij, vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe, në nderim të 26 martirëve të kësaj lagjeje, që u vranë nga forcat serbe me 26 maj të vitit 1999.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja tha me këtë rast se këta martirë janë masakruar pa mëshirë.

“Fatkeqësisht në mesin e tyre ka pas edhe persona me të meta psiqike dhe mendore dhe këtë e bënë vetëm barbari serb” tha Muja.

Kryetari i Prizrenit tha më tej se nuk guxojmë ta harrojmë gjakun e martirëve dhe të dëshmorëve sepse edhe gjaku i tyre është gur themel i shtetit të Kosovës.

“Ne do ti përkujtojmë përgjithmonë me pietet” tha Muja dhe falënderoi familjarët e martirëve për edukimin në frymën e patriotizmit të të gjithë atyre që sakrifikuan vetveten për ti dal zot tokës së Kosovës.

Hajrim Qengaj, veteran i luftës nga kjo lagje tha me këtë rast se këta martirë qëndruan në shtëpitë e tyre dhe e dhanë shembullin e qëndresës deri në flijim, prandaj familjarët e këtyre personave meritojnë respekt nga institucionet gjatë gjithë kohës e jo vetëm në ditën e përkujtimit./Gazetaere.com/

Fushata e inateve lë në hije programet

0

Bazuar në mënyrën se si ka filluar të duket dizajni fillestar i fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 qershorit, analistët politikë presin që edhe kjo fushatë do të jetë hiç më shumë se betejë e pakompromis, se kush do të gënjejë më shumë e kush do të arrijë të blejë edhe vota, por nuk do të ketë garë serioze programesh qeverisëse për zhvillimin e vendit dhe ngjalljen e perspektivës qytetare. Sipas analistëve politikë, që në këtë parafushatë po vërehet se sa të uritur për pushtet janë liderët politikë që kandidojnë për kryeministër, dhe asnjëri nga kandidatët nuk po flet seriozisht e me objektiva konkrete për problemet kryesore që po e shkatërrojnë këtë shtet, e që janë krimi i organizuar dhe mafio-oligarkia, por po u shesin qytetarëve përralla fantastike në të cilat nuk besojnë ata vetë e lëre më qytetarët e mërzitur nga mashtrimet e deritanishme të të njëjtit karakter.

Analisti Ali Hertica konstaton se, duke u nisur nga situata politike dhe zhvillimi i papritur i shpalljes së zgjedhjeve të shpejta dhe pa e pasur ndonjë pritje të besueshme në këtë kohë, edhe partitë politike janë gjetur krejt të papërgatitura, andaj veç turrit se si ta mashtrojnë qytetarin dhe ta grabisin votën për të ardhur në pushtet, nuk kanë vizion tjetër për të shpalosur para votuesit. “E gjithë kjo situatë tani, që po sillet vërdallë, kjo fushatë pa kompromis nga liderët politikë dhe klientelat e tyre të ngushta me premtime boshe e aspak të planifikuara mirë për mundësinë e zbatimit të tyre programor, tregojnë se ata janë nisur si në një fushatë të uritur për pushtet dhe nuk janë në gjendje të ofrojnë asgjë më shumë, përveç fjalëve boshe dhe disa figurave të ricikluara në politikë, kinse këta do të jenë shpë- timtarët e qytetarit nga kriza në të cilën është zhytur vendi”, u shpreh ai.

Koalicione inatesh

Edhe analisti Hidajet Ahmeti vëren se në këtë garë zgjedhore nuk po shohim “luftë” konceptuale e programore, por “luftë” të inateve politike. “Koalicionet e panatyrshme parazgjedhore kanë krijuar një klimë të pafavorshme karshi opinionit publik. Këto koalicione të interesave reciproke në mes partive politike kanë krijuar një mjegull në opinionin publik, prandaj çdo matematikë e partive politike mund të ndryshohet më 11 qershor, pasi sovrani është ai i cili do të përfaqësojë vullnetin e përgjithshëm përmes votës së lirë e demokratike. Lufta e inateve po zhvillohet me qëllimin për të shpërqendruar opinionin publik, për dëmin që i kanë sjellë shtetit të Kosovës dhe e kanë sjellë në një “vdekje klinike””, ka thënë ai. “PDK-ja duke u munduar ta riparojë të kaluarën e saj kriminale, LDK-ja duke u munduar ta shfajësojë vetëm me qeverisjen e keqe për rreth tre vjet e në bashkëqeverisje me partinë- shtet,PDK-në, AAK-ja duke u munduar ta shfajësojë koalicionin parazgjedhor me PDK-në, e “Vetëvendosja” po mundohet të tregojë konsistencë në qëndrime e parime, duke u thirrur në ruajtjen e identitetit politik, kurse partitë e vogla po mundohen që ta shijojnë pushtetin me çdo kusht”, tha Hidajet Ahmeti.

Listat ricikluese

Edhe analisti politik Skënder Mulliqi thotë së zgjedhjet e parakohshme po iu leverdisin mirë garniturave në krye të partive politike, për shkak se që sa kohë po flitet për reformë zgjedhore shumë të nevojshme, e ajo nuk po bëhet. “Një zonë zgjedhore është e mirëseardhur, sepse këta në fund kur numërohen rezultatet edhe i bëjnë matematikat sipas dëshirës së tyre, brendapartiake duke bërë deputetë të preferuarit e tyre. Prandaj, këto zgjedhje të jashtëzakonshme kanë qenë të mirëseardhura për këta njerëz të politikës, sepse prapë i kanë futur në lista për deputetë njerëzit e tyre. Shumica nga këta politikanë kanë punuar në dëm të vendit dhe nuk do të punojnë mirë dhe për të mirën e qytetareve as pas këtyre zgjedhjeve. Këngën të cilën e kemi dëgjuar shumë herë deri më sot do ta dëgjojmë edhe kësaj radhe. Do të këtë premtime veç sa për të fituar vota”, tha analisti Mulliqi.

Sipas tij, rrenat dhe manipulimet tashmë i kanë bërë zanat, dhe nuk heqin dorë nga to. “Këta janë ata të cilët janë mësuar për të përfituar personalisht duke abuzuar me të madhe më të mirat materiale dhe as që mendojnë të punojnë për shtetndërtim dhe mirëqenie. Të gjithë do të dëshironim shumë që të na demantojnë. Nuk besoj se partitë politike kanë ndonjë program afatgjatë zhvillimor, sikurse që nuk e kishin as qeveritë e deritashme. Kur është puna kështu, si të presin qytetarët se do të kenë diçka të hairit. Krimi dhe korrupsioni do të mbesin dy tema të margjinalizuara më qëllim, se kjo bie ndesh me përcaktimet e tyre përfituese, bie ndesh me keqpërdorimet e shumta, hajnitë dhe kontrabandat, të cilat i kanë bërë vetë. Qytetarëve edhe kësaj radhe u ka mbetur, siç thuhet në zhargonin politikë, të zgjedhin të “keqen më të vogël””, theksoi Mulliqi.

Koalicioni i “luftës” nuk mund ta zhbëjë Specialen

0

Lidhja e papritur e koalicionit në mes të tri subjekteve politike, PDK-AAK-Nisma, që kishin një armiqësi të pashembullt në mes tyre gjatë së kaluarës së gjatë, nga analistët politikë po shihet edhe nga këndvështrimi i qëllimit të bashkimit në një bllok të përbashkët, si krah i luftës për shkak të Gjykatës Speciale për të provuar dhe për të mundur ta ndryshojnë ligjin e kësaj gjykate, meqë edhe në legjislaturën e fundit kishte disa nisma për ndryshimin e këtij ligji, por që nuk gjetën mbështetje të mjaftueshme. Tani se a do të mundet koalicioni i luftës, nëse i fiton zgjedhjet, të bëjë këto ndryshime kur nuk do ta ketë as përkrahjen ndërkombëtare dhe a do të rrezikojë t’i fusë në krizë këtë marrëdhënie me ndërkombëtarët, analistët thonë se mbetet një çështje që pritet të shihet në të ardhmen. Eksperti i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, thotë se ndikimi mund të jetë i madh dhe kapital, i rëndë dhe sfidues, kur dihet që nëse fiton krahu i luftës, që realisht e ndien veten të kërcënuar nga kjo gjykatë.

Prekja e Speciales, me efekte negative

Sipas Burjanit edhe veprimet mund të shkojnë në atë drejtim, pavarësisht se a do të mund t’i dilet me sukses dhe a do të pranohet një tendencë e tillë. “Janë grupuar në një koalicion të qëllimshëm që është tregues jo edhe i mirë, tregues tjetër është humbja e popullaritetit tek qytetarët, kur ata tentojnë që të gjithë së bashku ta rikthejnë pushtetin e tyre në mënyrë të fuqishme, duke mos hequr dorë nga pushteti me çdo kusht. E sprova më e madhe do të jetë për këtë koalicion kjo gjykatë”, u shpreh ai. “Unë konsideroj se, pavarësisht asaj që mund të synohet një ndryshim ligji, askush s’ka shpëtim veç vonim. Pra, ka procese të vështira për krahun e luftës, të cilët janë bërë bashkë mbase edhe për të shpëtuar më lehtë dhe për t’u përkrahur nga të tjerët. Pra, ka mjaft probleme të mëdha me këtë koalicion, ngase dihet mirëfilli që një shumicë e tyre janë në procedurë gjyqë- sore”, tha Burjani për “Kosova Sot”. Mirëpo, ataku në Ligjin për Specialen, Sipas Burjanit, mund të japë efekte negative. “Ky koalicion edhe po të fitojë nuk do të mund ta rikthejë Ligjin për Gjykatën Speciale në rend dite për plotësim-ndryshim. Realisht përpjekjen mund ta bëjë, por do të ballafaqohet me probleme tjera të natyrave të izolimit, edhe të tyre si politikanë, por edhe të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve”, tha Burjani.

Një gjykatë e padrejtë

Është profesor Muhamet Kelmendi që thotë se personalisht, edhe në cilësinë e ish-politikanit, por edhe si ekspert i fushës, ka qenë kundër një gjykate të tillë të padrejtë dhe mendon që legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës dhe Qeveria duhet ta anulojnë atë si të tillë.”Unë de-fakto kam qenë dhe jam kundër Gjykatës Speciale. Kjo për faktin se është në kundërshtim me parimet bazike mbi luftërat e drejta dhe të padrejta, si dhe me parimet mbi të cilat është ndërtuar e drejta ndërkombëtare. Sipas kësaj, çdo vend dhe politikë, apo shtet, i cili është agresor dhe dhunon, kryen krim gjenocide mbi një popull, e humb sovranitetin dhe vendoset nën kontrollin ndërkombëtar. Te Serbia dhe ish-Jugosllavia nuk u veprua kështu. Serbia bëri luftë dhunuese dhe gjenocid në Kosovë. Ajo vrau dhe masakroi mbi 13 mijë shqiptare brenda një periudhe prej disa muajve. Dogji dhe plaçkiti më se 150 mijë objekte. Qeveritarët dhe njerëzit e regjimit shovinist gjenocidial dhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare dhe i dëbuan mbi 1 milion shqiptar”, tha Kelmendi, duke konsideruar se një speciale e ngjashme me atë për Kosovën do të duhej gjykuar pikërisht ato krime dhe jo për të ndjekur dhe kërkuar kriminelë tek viktima. “Kriminelët e udhëheqin sot Serbinë, Aleksandër Vuçiq ishte ministër i Informacionit në kohën kur u bë dhuna dhe u bë gjenocidi në Kosovë. Daçiq ishte shef i zyrës së informimit të kriminelit Millosheviq. Edhe ushtarakët aktualë ishin në ballë te dhunës. Askush nuk u përgjigj”, potencoi Kelmendi.

Përmbaruesi privat Mehdi Reshani nga Prizreni, mohon të ketë shkelur ligjin

0

Përmbaruesi privat, Mehdi Reshani, të enjten, gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ka thënë se me rastin e përmbarimit të lëndës për të cilën akuzohet, nuk e ka shkelur ligjin për përmbarues privat.

I akuzuari, Reshani ka thënë se nuk e ka ekzekutuar dy herë vendimin e njëjtë gjyqësor, por se në pamundësi që vendimin ta përmbarojë brenda një dite, e ka bërë në dy ditë, më 26 dhe 29 shtator 2014. Tutje, ka shtuar se vetë nga procesverbali i përmbarimit vërehet se përmbarimi nuk ka përfunduar dhe se mund të vazhdojë në ditët në vijim, e që një përmbarim mund të zgjasë edhe me muaj.

Tutje, ka thënë se në punën e tyre janë të pavarur dhe se i japin llogari Ministrisë së Drejtësisë, e cila edhe i emëron, ndërsa ndaj procedurës përmbarimore kanë të drejtë palët në ankesë nëse mendojnë se nuk është kryer sipas rregullave. Për rastin konkret, ka thënë se i është përmbajtur vendimit të gjykatës dhe asgjë më shumë.

Në këtë seancë, po ashtu janë administruar edhe provat materiale nga shkresat e lëndës e ndër të tjera edhe një vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Ekonomik. Sipas të cilit vendim, e dëmtuara në këtë rast, ndërmarrja “QMI” është rikthyer në bashkë-menaxhim të “Agrokosova Holding” pas më shumë se një viti nga largimi i tyre prej përmbaruesit të akuzuar.

Palët në procedurë kanë kërkuar kohë për të përgatitur fjalët përfundimtare, andaj kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka shtyrë seancën për 9 qershor 2017, në ora 13:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon Reshanin se ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, e njëkohësisht duke i shkaktuar dëm personave tjerë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari, përkundër faktit se e kishte përmbaruar lëndën përmbarimore të kreditorit “Gruppo Vinicolo Fantineli”  ndaj debitorit “QMI”, të dy palët si aksionarë në “Agrokosova Holding”, ai ka marrë sërish veprime ekzekutive pa e njoftuar debitorin “QMI”, duke nxjerrë nga objekti i “Agrokosova Holding” të gjithë stafin e të dëmtuarit “QMI”./betimiperdrejtesi/

400 shtëpi në dry, Hoça e Qytetit po boshatiset

0

Fshati i qershive dhe dredhëzave të ëmbla tashmë ka një hall të madh, largimin e banorëve nga ky fshat. Kryetari i fshatit Hoçë të Qytetit, Rashit Bytyçi, tregon se Hoça e Qytetit ka nxjerrë intelektualë të shumtë, poetë, shkrimtarë, mjekë, ekonomistë etj. “Hoça është fshat i bujqve të vyeshëm dhe i kurbetçinjve të kujdesshëm”, shprehet ai, duke shtuar se kurbetçinj po bëhen gjithnjë e më shumë. Ky është fshati i aksioneve të njëpasnjëshme, i përvuajtur dhe i pamposhtur. Bytyçi thotë se ky është fshat edhe i rrushit të shijshëm. Hoça e Qytetit është Qendra rajonale e Vërrinit.

“Unë e kam djalin magjistër të ekonomisë, me gruan juriste. Vajzën magjistre të kimisë dhe janë detyruar të shkojnë jashtë, në Gjermani. Nga shtatë fëmijët, vetëm me gruan kam mbetur këtu. Të gjithë me fakultete e magjistratura kanë ikur, sepse nuk kanë gjetur një vend pune”, është shprehur Maliq Krasniqi

Toka e bereqetshme ishte në shënjestër të pushtuesve

Musli Krasniqi, veprimtar dhe aksionist i këtij fshati, për “Kosova Sot” thekson se ende dasmat bëhen me ritet e së kaluarës dhe kanagjegjet ruhen si traditë. “Ky vendbanim, sipas dokumenteve të shkruara, daton që nga mesjeta. Këtë e dëshmojnë shumë gjurmë nga e kaluara e lashtë, për të cilat fatkeqësisht nuk janë bërë kërkime arkeologjike”, shprehet ai. Në regjistrimin e gjerë të Sangjakut të Prizrenit, nga viti 1571,Hoça e Qytetit është i regjistruar si fshati Zagradeçka Hoça, që i takon Prizrenit.”Jeta në Hoçën e Qytetit zanafillën e ka që nga lashtësia dhe ajo ndër shekuj ishte e bujshme, me plot vështirësi dhe kundërthënie, të cilën e rënduan pushtuesit e shumtë të trojeve tona”, tregon Maliq Krasniqi.”Toka e bereqetshme, burimet e shumta të ujit, kullosat dhe pyjet e pasura të kësaj treve ishin kurdoherë në shënjestër të gllabërimit të sundimtarëve, ndaj shumë herë si të dhuruara i ndërruan pronarët dhe banorët e këtushëm u bënë argat në tokën e tyre”. Veprimtari i fshatit, Rashit Bytyçi, shprehet se brengë e banorëve është se nga gjashtë mijë banorë, sa i ka fshati, mbi dy mijë jetojnë jashtë. Sipas Musli Krasniqit, ajo që rëndon shpirtin e këtij fshati është se nga 770 shtëpi mbi 400 prej tyre janë në dry. “Kurbeti është përditshmëria e dhembshme e Hoçës”. Ankesat e këtyre banorëve janë për papunësinë e madhe që ka ky fshat, megjithëse rreth 60 për qind e fshatit ndodhet jashtë Kosovës. Rashiti, Maliqi dhe Musliu angazhohen shumë për fshatin dhe rindërtimin e infrastrukturës.

Falën tokat për zgjerimin e rrugës

Musli Krasniqi tregon se fshati tashmë ka shumë rrugë të ndërtuara dhe infrastrukturë të mirë dhe është në përfundim edhe ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës.”Këtu dikur kishte shumë probleme, bile ishte fshati me më së shumti probleme në Vërri. Kurse tani është bërë mrekulli në këtë vend”, thekson ai. Banorët pa asnjë hezitim falën tokat e tyre për zgjerimin e rrugës. Maliq Krasniqi ankohet në papunësinë e madhe të të rinjve të këtij fshati. “Unë e kam djalin magjistër të ekonomisë, me gruan juriste. Vajzën magjistre të kimisë dhe janë detyruar të shkojnë jashtë në Gjermani. Nga shtatë fëmijët, vetëm me gruan kam mbetur këtu. Të gjithë me fakultete e magjistratura kanë ikur, sepse nuk ka pasur një vend pune”, është shprehur Maliq Krasniqi. Por kështu ankohen edhe të tjerët. Lidhur me hapjen e dijes dhe për shkollën në Hoçë të Qytetit kohë më parë, Çerkin Bytyçi ka botuar një historik të shkollës në këtë fshat.”Tradita e shkollave në trevën e Vërrinit të Prizrenit zë fill nga koha e organizimit të mësimeve fetare në xhami, të iniciuara nga imamët e fshatrave. Deri në vitin 1917, as që mund të flitej për ndonjë formë të organizuar të mësimit, përveç mësimeve fetare që organizoheshin në xhami. Në këtë kohë filloi zgjerimi i veprimtarive, por shkollimi nuk ishte i detyruar. Në vitet 1918-1941 regjimi i kohës jo vetëm nuk lejoi shkollimin e shqiptarëve, por ndaloi edhe çdo veprimtari që mëtonte përhapjen e alfabetit. Pas vitit 1925 në shkollat e Vërrinit bojkotohen mësimdhënësit serbë, ndërsa klasat mësimore me mësim në gjuhën serbe, por nuk ishte fare tërheqës për banorët. Në vitin 1942 filloi mësimi zyrtar në gjuhën shqipe me mësuesin Qamil Graceni nga Shqipëria”, ka shkruar ai.

Limaj bashkëbisedon me banorët e Malishevës (Live)

0

Kreu i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj po bashkëbisedon me banorët e Banjës se Malishevës. Pikërisht Banja është vendlindja e Limajt.

Bashkë me Limajn janë edhe anëtar tjerë nga kjo  parti, shkruan Indeksonline.

Më poshtë shihni videon:

https://www.facebook.com/fatmirlimaj/videos/10155262957139098/

Prizreni fuqishëm në përkrahje të “Fillimit të Ri”

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) Kadri Veseli ka zhvilluar takim me qytetarët e fshatit Korishë, në “Lagjen e Trimave”, si dhe në lagjen “Ortakoll” në Prizren.

Ai gjatë këtyre takimeve shpalosi pjesë të platformës ‘’Fillimi i Ri’’ për Kosovën me theks të veçantë, pjesë të programit të PDK-së për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit bazuar në turin e dëgjimeve me qytetarët e Republikës së Kosovës në muajt e kaluar.

Në këto tubime e takime, theks të veçantë i’u kushtua ekonomisë dhe zhvillimit të saj, integrimit të rinisë dhe gruas në vendimmarrje dhe forcimi i rolit të tyre në jetën institucionale.

“Fillimi i Ri” do jetë platformë politike e cila do të ketë në prioritet ekonominë si burim i prodhimit vendor dhe bosht i rritjes ekonomike”, tha Veseli.

“Bizneset në Republikën e Kosovës do të kenë rolin kryesor të punësimit të të rinjve në gjithë vendin gjatë mandatit qeverisës katër vjeçar”.

“Ndërmarrësit e mesëm dhe të vegjël kosovarë kanë nevojë për një Fillim të Ri dhe një qeverisje të fuqishme, e cila ka energji për të marrë vendime në interes të bizneseve dhe punësimit të qytetarëve të Republkës së Kosovës”.

Veseli në këto takime është shoqëruar nga kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Komuna e Prizrenit si:Nait Hasani, Nijazi Kryeziu, Luljeta Veselaj – Gutaj dhe Nezir Çoçaj

Qytetarët e Komunës së Prizrenit, ndërkaq gjatë këtyre takimeve u shprehën entuziast për mundësitë që ofron Fillimi i Ri dhe shprehën mbështetje të fuqishme për platformën politike të koalicionit që udhëhiqet nga PDK me në krye, Kryetarin z. Kadri Veseli si njëri ndër pesonalitetet më të besuara të klasës politike në Kosovë. /PrizrenPress.com/

Një shtetas i Shqipërisë arrestohet në Vërmicë

0

Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, pasi që i njëjti nuk ka përfillur urdhrat e zyrtarëve doganorë për t’u kthyer mbrapa me veturën e tij, për shkak të mallit të cilin e posedonte pa dokumentacionin e nevojshëm.

I dyshuari me procedurë të përshpejtuar është dërguar në Gjykatën Themelore në Prizren

Tezat e panjohura të Nolit për origjinën e Skënderbeut

0

Nga Preng Cub Lleshi

Historianët, që synojnë të zbulojnë të vërtetat e mëdha për ngjarje të rëndësishme e personalitete të mëdhenj, sikur u ngjajnë bletëve punëtore, të cilat e mbledhin nektarin në lule të ndryshme. Ata, duke gërmuar nëpër dokumente e libra të ndryshme, analizojnë e krahasojnë të dhënat që kanë mbledhur, për t’i dhënë opinionit publik të vërtetat e mëdha dhe jo grimca të dhënash, që nuk na japin të tërën që kërkon logjika historike. Por kjo nuk ka ndodhur kur është folur, veçanërisht, për vend origjinën e familjes princore të Kastriotëve, sepse disa fakte tepër të rëndësishme për historianin janë lënë në harresë, kurse të tjera janë interpretuar në mënyrë të dyshimtë.

Kështu, kur është folur për vend origjinën e Kastriotëve, janë lënë jashtë vëmendjes, përveç atyre që u përmenden, shumë të dhëna që sjell Fan Noli në variantin e vitit 1921 të Historisë së Skënderbeut, siç janë lënë pa kujtuar edhe shumë parashtrime për vend origjinën e Kastriotëve të Athanas Gegës, të poetëve Gavril Dara i Riu dhe Risto Siliqi e të rilindësit Zef Jubani. Se nuk mund të kalohet lehtë pohimi i Fan Nolit, sipas të cilit “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”.1)

Ky pohim do kuptuar thellë, sepse pasqyron një të vërtetë të madhe: Të vërtetën që Mirdita, si djepi i Dukagjinve legjendarë, rrënjët e të cilëve duken, të paktën, që në shekullin e 7-të të kohës se re, shtrihej, si “Dukagjini i vërtetë”, edhe në Has e më tej. Për këtë dëshmon fakti që “banorët e Hasit, edhe sot e kësaj dite, e quajnë veten dukagjinas dhe krahinën e tyre-Dukagjin” 2).

Lidhur me këtë, nuk mund të anashkalohet edhe gjykimi nolian se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh, se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”. 3) Këto “lajthitje”, siç e ka konstatuar me kohë Dhimitër Shuteriqi, kanë bërë që jo vetëm Barleti, por dhe historianë të tjerë, t`i atribuojnë Matit ngjarje e personalitete që lidhën me Mirditën. Për këtë mjafton të sjellim vetëm citimin e Atë

Giuseppe (Zef) Valentini, i cili shkruante:
“Sipas Barletit, rojë (mbrojtës ose prijës-shënimi im) e Sfetigradit kanë qenë ndër duar të një abati të Shën Lleshit në zonën e Matës, i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit” 4), ndërkohë që kisha e Shën Lleshit gjendet në Orosh të Mirditës, ashtu si edhe fshati Përlat, i cili nuk shtrihet në rajonin Matit!
Për rrjedhojë, studiuesit serioz të historisë së Heroit tonë kombëtar i mbetet t`u japë të drejtë historianëve tanë të shquar: Aleks Buda, Selman Riza, Kasem Biçoku, Selami Pulaha e Dhimitër Shuteriqi, të cilët emrin e Gjon Kastriotit e lidhin më shumë me Mirditën dhe jo me Matin e Kastriotin e Dibrës! Dhe kjo ide përforcohet kur Fan Noli, duke folur për vend origjinën e Kastriotëve, thotë: “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”.5) Dhe a nuk është ky gjykim, në një fare mënyre, një mohim i tezës që i nxjerr Kastriotët me origjinë nga një fshat me të njëjtin emër që shtrihet në rrethin e Dibrës?!

Fan Noli, në variantin e parë të Historisë së Skënderbeut të vitit 1921, si pa dashur, sikur kundërshton edhe tezën që i bën Kastriotët me origjinë nga një Kastrat i Hasit. Këtë historiani ynë e bën kur shkruan se “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën “Zwei Urkunden aus Nordalbanien”-shënimi im) e quajnë përallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre… tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”.6) Dhe a nuk duhet ta mbajnë parasysh këtë gjykim ata historianë që merren me vend origjinën e Kastriotëve?! Se fshat me emrin “Kastër” ose “Kastri” në trojet shqiptare ka vetëm në Mirditë!

Tezën që i bën Kastriotët nga një fshat me emrin Kastrat në rrethinat e Hasit, Fan Noli, përsëri si pa dashur, e kundërshton kur pohon, si edhe historianë të tjerë, se është vështirë të dalë nga një “Kastrat”, qoftë ky i Hasit, apo i Shkodrës, mbiemri “Kastriot”. Këtë e bën kur shkruan se “Etimologjikisht është shumë e rëndë që të dalë llagapi Kastriot nga një Kastrat”. 7) Dhe duket se historiani, duke iu referuar logjikës gjuhësore e historike, i bën të mendohen thellë pasardhësit, kur u kujton se “fshatra me emrin Kastri ka sot në Shqipëri, një në Çamëri dhe një në Mirditë, (Kastri-Shënimi im) afër Drinit”.8)

Duke gjykuar mbi tezat kontradiktore rreth vend origjinës së familjes princore të Kastriotëve, Fan Noli thotë se “Të gjitha dëshmimet e ndryshme që numëruam sipër, mund t’i përmbledhim e t’i pajtojmë kështu: Kastriotët rrjedhin nga katundi Kastriot i Dibrës, ose nga një fshat i quajtur Kastria, që ndodhej a në Mat a në Mirditë, a në Has a pranë Mazarekut (Mazrekut-shënimi im) a në Kastrat, sidomos në Malësitë afër Drinit”. 9) Dhe, pasi fshat me emrin Kastri – a nuk ka as në Has, as në Kastriot të Dibrës, as në Mat, por vetëm në Vig të Mirditës, i duhet besuar tezës, që i nxjerr Kastriotët nga treva e Mirditës etnografike.

Dhe ai që e thotë me zë të lartë këtë të vërtetë është prifti historian Athans Gega, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Gjergj Kastriotit. Ky historian, në veprën e tij “Arbëria, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, hedh dritë mbi vend origjinën e Kastriotëve duke dëshmuar, së pari, se “Kastriotët zotëronin …. territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren” 10), pohim i bërë edhe nga disa historian të tjerë.
Dhe, së dyti, për ta bërë më të qartë mendimin e tij, historiani vazhdon: “Në perëndim shtriheshin pronat e Dukagjinit, që përfshinin fushat e Zadrimës dhe lokalitetin e Fanit”.11) Dhe shkon më tej autori, duke i vënë në mendime pasardhësit, kur thekson se “nuk mund të përcaktojmë me saktësi kufijtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve” (të Kastriotëve dhe të Dukagjinve-shënimi im). 12)

Të njëjtën ide për fqinjësinë e Kastriotëve dhe te Dukagjinve përcjellin edhe gojëdhënat e ndryshme që qarkullojnë në Mirditë në rrjedhën e shekujve. Për këtë etnologu Mark Tirta – Akademik, sjell një gojëdhënë të mbledhur në fshatin Peshqesh të Mirditës, në të cilën pohohet se “Mirdita ka shkuar me zotërimet e Skënderbeut, por këtu ka sunduar Lekë Dukagjini (deri në tre bajrakët e Mirditës së fisit)”.13)

Dhe kjo ndodhte, siç thoshte gojëdhëna, sepse “Kufijtë midis Dukagjinit e zotërimeve të Skënderbeut nuk ishin të caktuara”.13). Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe konkluzioni i A. Gegës, i cili pohon qartë: “Kështu arrijmë në përfundimin se Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve. Por nuk duhet harruar që Fani (njëri nga bajrakët e Mirditës etnografike-shënimi im) u takonte Dukagjinasve”.14)

Kështu, gjersa, “sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes Shkodrës dhe Lezhës”, 15) siç shkruan Skënder Riza; gjersa, siç pohom historiani Aleks Buda “tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit,… përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën e Lumën” 16), gjersa, siç kumton A. Gega, “sipas një dokumenti venecian të vitit 1439, pronat e Kastriotëve ishin fqinjë me Shkodrën dhe Lezhën”; 17) gjersa, siç thotë Fan Noli, “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti” 18), atëherë edhe Gjergj Kastrioti, i biri i Gjonit, diku në pronat e babait të tij do ketë lindur më 1405, të cilat duket se i përkasin qartë

Mirditës etnografike.

Dhe duket se kurorën e këtij mendimi ia vë historiania turke Nuray Bozbora, e cila në veprën “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në perandorinë osmane”, na thotë: “Skënderbeu ishte më i vogli i tre djemve (duhej thënë katër-shënimi im) të Gjon Kastriotit, kreu i familjes Kastrioti, që njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”.19)
Ky pohim përbën një monument, i cili nuk mund të rrëzohet lehtë, sepse studiuesi i epokës Skëndërbejane e di që krahinat e ndryshme të Shqipërisë e, veçanërisht ato të malësive, princat i kishin vendas. Ato nuk mund t`i “importonin”, siç mund të ndodhë në kohët modern! Për rrjedhojë, nuk mund të mendohet që Gjon Kastrioti të ishte nga Hasi, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati dhe të vinte princ në Mirditë! Kjo bëhet më bindëse kur mbajmë parasysh faktin që Gjon Kastrioti ishte kreu i kësaj familje legjendare dhe jo një “Kastriotas” çfarëdo. Këto troje Gjon Kastrioti, qysh në 1407, i quante toka të fisit të vet prej shekujsh, siç dëshmon, indirekt, akademiku Dh. Shuteriqi.
Ndoshta, këto të vërteta i dinte A. Gega, kur në temën e doktoraturës, në universitetin e Luvrit, deklaronte: “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin-shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, (Dibri si bajrak i mëvonshëm i Mirditës-shënimi im) Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”. 20) Të njëjtën tezë duket se mbron edhe Atë Giuseppe Valentini, kur Dibrin, trevën nga Vigu në Kaçinar të Mirditës e quan “tokë të Kastriotëve”. Këto pohime tregojnë se edhe emërtimi “Gjon Dibrani” nuk ka të bëjë me Dibrën buzë Drinit, po me Dibrin, që njihet si bajraku i katërt Mirditës.
Dhe teza e Athanas Gegës, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Skënderbeut, si edhe pohimi i Giuseppe Valentinit, duket se i mohojnë prerë tezat mbi origjinën e Kastriotëve nga Hasi i Kukësit, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati, të cilat janë përmendur si vend origjina të mundshme të këtij fisi të lavdishëm ne historinë e Shqipërisë.
Fakte nga kronikat: Lindja, dasma dhe vdekja e Heroit
Tezës së A. Gegës, i cili e konsideron Kastrin në Vig të Mirditës si vatrën qendrore të Kastriotëve, duket se i vijnë në ndihmë edhe dy fakte: Së pari, një pohim i historianit Mikel Prenushi, i cili duket se zotëron një dokument interesant, sipas të cilit Gjergj Kastrioti, ka vënë kurorë pikërisht në Kastër, afër Vigut; së dyti, fakti që Gjergj Kastrioti u varros në Kishën e Shën-Kollit në Lezhë dhe jo në Has të Kukësit, në Kastriot të Dibrës, apo në Mat, siç ka qenë dhe është në zakonet dhe besimet e katolikëve.
Për historianin e vëmendshëm, ky fakt nuk duket kaluar pa një analizë të hollë të fenomenit, kur dimë se një udhëheqës i përmasave të mëdha, si Gjergj Kastrioti, mund të linte si amanet ta varrosnin edhe në kështjellën e Krujës, por, ja që duhet menduar se ai zgjodhi Lezhën, afër Kastrit në Vig të Mirditës si banesën e përjetshme të tij!
Me idenë e dokumentit që duket se zotëron historiani M. Prenushi, sipas të cilit Gjergj Kastrioti ka vënë kurorë në Katër, afër Vigut, sikur bashkohet edhe historian gjerman Markus W. E. Petërs. Ky, në veprën “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri” (1919-1996), shkruan: “Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri,…ishte kisha në të cilën ishte martuar (kishte vënë kurorë-shënimi im) Heroi kombëtar katolik Gjergj Kastriot Skënderbeu”. 21)

Edhe historiani francez Alen Dysylje, në një kumtesë mbajtur në Konfrencën e Dytë Kombëtare të Studimeve Albanologjike, duket se e dëshmon qartë se vend origjina e Kastriotëve është Mirdita, kur shkruan:
“Konkluzioni: “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”. 22) Kjo duhet besuar kur mbahet parasysh mendimi i rilindësit Preng Doçi, i cili e quan Lezhën si “cepi i Mirditës”.
Dhe, për të shkuar më tej në gjurmim të vend origjinës së Kastriotëve, ia vlen të përmendet edhe një pohim i historianit të madh francez Zhan Klod Faveirial, i fiksuar në librin “Historia e Shqipërisë”, botim i “Plejard” i vitit 2004. Ky historian, duke rrëfyer për Heroin tone kombëtar- Gjergj Kastriotin dhe duke hequr paralele midis tij e mbretit të epirotëve-Pirros, i cili e kishte pohuar origjinën e tij epirotase, shkruan:
“Dikur, epirotët e lashtë e kishin quajtur shqiponjë Pirron, sovranin e tyre.-“Po, unë jam shqiponjë, u përgjigj ai, por prej jush jam i tillë! Kjo (do të) ishte pikërisht përgjigja që do t`u jepte Skënderbeu të gjithë shqiptarëve, por mirditorëve në veçanti…”. 23) Pra, ashtu si Pirroja u tha epirotasve se “prej jush jam i tillë”, për të treguar me krenari për vend origjinën e tij, po ashtu, siç pohon historiani francez, edhe Skënderbeu do t`u thoshte “mirditorëve, në veçanti”: “Po, unë jam shqiponjë, por prej jush jam i tillë”! Një argument më tepër në favor të tezës që e konsideron Kastrin si vatrën qendrore të fisit të Kastriotëve dhe si vendlindjen e Gjergj Kastriotit, sikur gjendet edhe në fushën e dialektologjisë. Për këtë flet fakti që mbiemri “Kastrioti” në të folmen e Mirditës shqiptohej gjer vonë në formën “Kastërjoti”, gjë që na zbulon qartë emrin Kastër në trajtën e pashquar, siç shqiptohet, shpesh, edhe në ditët tona nga mirditorët. Forma “Kastërjoti” duket se ka qenë zotëruese në gjithë Shqipërinë e veriut, por mbi të, ndoshta, kanë vënë dorë herë historianët e herë gjuhëtarët. Sidoqoftë, me sa duket, i duhet besuar tezës, sipas të cilës mbiemri Kastrioti vjen nga trajta e shquar e një Kastri, plus prapashtesën-iot, siç ka qenë që herët një traditë e shqipes. Dhe ky Kastër gjendet vetëm atje ku janë gërmadhat e një kështjelle të vjetër pranë Vigut të Mirditës etnografike!/ KultPlus.com