24.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Fushata e inateve lë në hije programet

Bazuar në mënyrën se si ka filluar të duket dizajni fillestar i fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 qershorit, analistët politikë presin që edhe kjo fushatë do të jetë hiç më shumë se betejë e pakompromis, se kush do të gënjejë më shumë e kush do të arrijë të blejë edhe vota, por nuk do të ketë garë serioze programesh qeverisëse për zhvillimin e vendit dhe ngjalljen e perspektivës qytetare. Sipas analistëve politikë, që në këtë parafushatë po vërehet se sa të uritur për pushtet janë liderët politikë që kandidojnë për kryeministër, dhe asnjëri nga kandidatët nuk po flet seriozisht e me objektiva konkrete për problemet kryesore që po e shkatërrojnë këtë shtet, e që janë krimi i organizuar dhe mafio-oligarkia, por po u shesin qytetarëve përralla fantastike në të cilat nuk besojnë ata vetë e lëre më qytetarët e mërzitur nga mashtrimet e deritanishme të të njëjtit karakter.

Analisti Ali Hertica konstaton se, duke u nisur nga situata politike dhe zhvillimi i papritur i shpalljes së zgjedhjeve të shpejta dhe pa e pasur ndonjë pritje të besueshme në këtë kohë, edhe partitë politike janë gjetur krejt të papërgatitura, andaj veç turrit se si ta mashtrojnë qytetarin dhe ta grabisin votën për të ardhur në pushtet, nuk kanë vizion tjetër për të shpalosur para votuesit. “E gjithë kjo situatë tani, që po sillet vërdallë, kjo fushatë pa kompromis nga liderët politikë dhe klientelat e tyre të ngushta me premtime boshe e aspak të planifikuara mirë për mundësinë e zbatimit të tyre programor, tregojnë se ata janë nisur si në një fushatë të uritur për pushtet dhe nuk janë në gjendje të ofrojnë asgjë më shumë, përveç fjalëve boshe dhe disa figurave të ricikluara në politikë, kinse këta do të jenë shpë- timtarët e qytetarit nga kriza në të cilën është zhytur vendi”, u shpreh ai.

Koalicione inatesh

Edhe analisti Hidajet Ahmeti vëren se në këtë garë zgjedhore nuk po shohim “luftë” konceptuale e programore, por “luftë” të inateve politike. “Koalicionet e panatyrshme parazgjedhore kanë krijuar një klimë të pafavorshme karshi opinionit publik. Këto koalicione të interesave reciproke në mes partive politike kanë krijuar një mjegull në opinionin publik, prandaj çdo matematikë e partive politike mund të ndryshohet më 11 qershor, pasi sovrani është ai i cili do të përfaqësojë vullnetin e përgjithshëm përmes votës së lirë e demokratike. Lufta e inateve po zhvillohet me qëllimin për të shpërqendruar opinionin publik, për dëmin që i kanë sjellë shtetit të Kosovës dhe e kanë sjellë në një “vdekje klinike””, ka thënë ai. “PDK-ja duke u munduar ta riparojë të kaluarën e saj kriminale, LDK-ja duke u munduar ta shfajësojë vetëm me qeverisjen e keqe për rreth tre vjet e në bashkëqeverisje me partinë- shtet,PDK-në, AAK-ja duke u munduar ta shfajësojë koalicionin parazgjedhor me PDK-në, e “Vetëvendosja” po mundohet të tregojë konsistencë në qëndrime e parime, duke u thirrur në ruajtjen e identitetit politik, kurse partitë e vogla po mundohen që ta shijojnë pushtetin me çdo kusht”, tha Hidajet Ahmeti.

Listat ricikluese

Edhe analisti politik Skënder Mulliqi thotë së zgjedhjet e parakohshme po iu leverdisin mirë garniturave në krye të partive politike, për shkak se që sa kohë po flitet për reformë zgjedhore shumë të nevojshme, e ajo nuk po bëhet. “Një zonë zgjedhore është e mirëseardhur, sepse këta në fund kur numërohen rezultatet edhe i bëjnë matematikat sipas dëshirës së tyre, brendapartiake duke bërë deputetë të preferuarit e tyre. Prandaj, këto zgjedhje të jashtëzakonshme kanë qenë të mirëseardhura për këta njerëz të politikës, sepse prapë i kanë futur në lista për deputetë njerëzit e tyre. Shumica nga këta politikanë kanë punuar në dëm të vendit dhe nuk do të punojnë mirë dhe për të mirën e qytetareve as pas këtyre zgjedhjeve. Këngën të cilën e kemi dëgjuar shumë herë deri më sot do ta dëgjojmë edhe kësaj radhe. Do të këtë premtime veç sa për të fituar vota”, tha analisti Mulliqi.

Sipas tij, rrenat dhe manipulimet tashmë i kanë bërë zanat, dhe nuk heqin dorë nga to. “Këta janë ata të cilët janë mësuar për të përfituar personalisht duke abuzuar me të madhe më të mirat materiale dhe as që mendojnë të punojnë për shtetndërtim dhe mirëqenie. Të gjithë do të dëshironim shumë që të na demantojnë. Nuk besoj se partitë politike kanë ndonjë program afatgjatë zhvillimor, sikurse që nuk e kishin as qeveritë e deritashme. Kur është puna kështu, si të presin qytetarët se do të kenë diçka të hairit. Krimi dhe korrupsioni do të mbesin dy tema të margjinalizuara më qëllim, se kjo bie ndesh me përcaktimet e tyre përfituese, bie ndesh me keqpërdorimet e shumta, hajnitë dhe kontrabandat, të cilat i kanë bërë vetë. Qytetarëve edhe kësaj radhe u ka mbetur, siç thuhet në zhargonin politikë, të zgjedhin të “keqen më të vogël””, theksoi Mulliqi.

Më Shumë

Policia kryen bastisje në Prizren, gjenden substanca narkotike

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën (më 13.05.2024) në orën 18:00, ka kryer bastisje në një banesë në Prizren. Sipas policisë,...

25 vjet nga Masakra e Korishës së Prizrenit

Sot janë bërë 25 vjet nga Masakra e Korishës së Prizrenit. Për të shënuar këtë ditë sot nga ora 11:00, do të mbahet manifestim përkujtimor...

Lajmet e Fundit