Home Blog Page 5958

Limaj bashkëbisedon me banorët e Malishevës (Live)

0

Kreu i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj po bashkëbisedon me banorët e Banjës se Malishevës. Pikërisht Banja është vendlindja e Limajt.

Bashkë me Limajn janë edhe anëtar tjerë nga kjo  parti, shkruan Indeksonline.

Më poshtë shihni videon:

https://www.facebook.com/fatmirlimaj/videos/10155262957139098/

Prizreni fuqishëm në përkrahje të “Fillimit të Ri”

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) Kadri Veseli ka zhvilluar takim me qytetarët e fshatit Korishë, në “Lagjen e Trimave”, si dhe në lagjen “Ortakoll” në Prizren.

Ai gjatë këtyre takimeve shpalosi pjesë të platformës ‘’Fillimi i Ri’’ për Kosovën me theks të veçantë, pjesë të programit të PDK-së për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit bazuar në turin e dëgjimeve me qytetarët e Republikës së Kosovës në muajt e kaluar.

Në këto tubime e takime, theks të veçantë i’u kushtua ekonomisë dhe zhvillimit të saj, integrimit të rinisë dhe gruas në vendimmarrje dhe forcimi i rolit të tyre në jetën institucionale.

“Fillimi i Ri” do jetë platformë politike e cila do të ketë në prioritet ekonominë si burim i prodhimit vendor dhe bosht i rritjes ekonomike”, tha Veseli.

“Bizneset në Republikën e Kosovës do të kenë rolin kryesor të punësimit të të rinjve në gjithë vendin gjatë mandatit qeverisës katër vjeçar”.

“Ndërmarrësit e mesëm dhe të vegjël kosovarë kanë nevojë për një Fillim të Ri dhe një qeverisje të fuqishme, e cila ka energji për të marrë vendime në interes të bizneseve dhe punësimit të qytetarëve të Republkës së Kosovës”.

Veseli në këto takime është shoqëruar nga kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Komuna e Prizrenit si:Nait Hasani, Nijazi Kryeziu, Luljeta Veselaj – Gutaj dhe Nezir Çoçaj

Qytetarët e Komunës së Prizrenit, ndërkaq gjatë këtyre takimeve u shprehën entuziast për mundësitë që ofron Fillimi i Ri dhe shprehën mbështetje të fuqishme për platformën politike të koalicionit që udhëhiqet nga PDK me në krye, Kryetarin z. Kadri Veseli si njëri ndër pesonalitetet më të besuara të klasës politike në Kosovë. /PrizrenPress.com/

Një shtetas i Shqipërisë arrestohet në Vërmicë

0

Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, pasi që i njëjti nuk ka përfillur urdhrat e zyrtarëve doganorë për t’u kthyer mbrapa me veturën e tij, për shkak të mallit të cilin e posedonte pa dokumentacionin e nevojshëm.

I dyshuari me procedurë të përshpejtuar është dërguar në Gjykatën Themelore në Prizren

Tezat e panjohura të Nolit për origjinën e Skënderbeut

0

Nga Preng Cub Lleshi

Historianët, që synojnë të zbulojnë të vërtetat e mëdha për ngjarje të rëndësishme e personalitete të mëdhenj, sikur u ngjajnë bletëve punëtore, të cilat e mbledhin nektarin në lule të ndryshme. Ata, duke gërmuar nëpër dokumente e libra të ndryshme, analizojnë e krahasojnë të dhënat që kanë mbledhur, për t’i dhënë opinionit publik të vërtetat e mëdha dhe jo grimca të dhënash, që nuk na japin të tërën që kërkon logjika historike. Por kjo nuk ka ndodhur kur është folur, veçanërisht, për vend origjinën e familjes princore të Kastriotëve, sepse disa fakte tepër të rëndësishme për historianin janë lënë në harresë, kurse të tjera janë interpretuar në mënyrë të dyshimtë.

Kështu, kur është folur për vend origjinën e Kastriotëve, janë lënë jashtë vëmendjes, përveç atyre që u përmenden, shumë të dhëna që sjell Fan Noli në variantin e vitit 1921 të Historisë së Skënderbeut, siç janë lënë pa kujtuar edhe shumë parashtrime për vend origjinën e Kastriotëve të Athanas Gegës, të poetëve Gavril Dara i Riu dhe Risto Siliqi e të rilindësit Zef Jubani. Se nuk mund të kalohet lehtë pohimi i Fan Nolit, sipas të cilit “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”.1)

Ky pohim do kuptuar thellë, sepse pasqyron një të vërtetë të madhe: Të vërtetën që Mirdita, si djepi i Dukagjinve legjendarë, rrënjët e të cilëve duken, të paktën, që në shekullin e 7-të të kohës se re, shtrihej, si “Dukagjini i vërtetë”, edhe në Has e më tej. Për këtë dëshmon fakti që “banorët e Hasit, edhe sot e kësaj dite, e quajnë veten dukagjinas dhe krahinën e tyre-Dukagjin” 2).

Lidhur me këtë, nuk mund të anashkalohet edhe gjykimi nolian se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh, se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”. 3) Këto “lajthitje”, siç e ka konstatuar me kohë Dhimitër Shuteriqi, kanë bërë që jo vetëm Barleti, por dhe historianë të tjerë, t`i atribuojnë Matit ngjarje e personalitete që lidhën me Mirditën. Për këtë mjafton të sjellim vetëm citimin e Atë

Giuseppe (Zef) Valentini, i cili shkruante:
“Sipas Barletit, rojë (mbrojtës ose prijës-shënimi im) e Sfetigradit kanë qenë ndër duar të një abati të Shën Lleshit në zonën e Matës, i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit” 4), ndërkohë që kisha e Shën Lleshit gjendet në Orosh të Mirditës, ashtu si edhe fshati Përlat, i cili nuk shtrihet në rajonin Matit!
Për rrjedhojë, studiuesit serioz të historisë së Heroit tonë kombëtar i mbetet t`u japë të drejtë historianëve tanë të shquar: Aleks Buda, Selman Riza, Kasem Biçoku, Selami Pulaha e Dhimitër Shuteriqi, të cilët emrin e Gjon Kastriotit e lidhin më shumë me Mirditën dhe jo me Matin e Kastriotin e Dibrës! Dhe kjo ide përforcohet kur Fan Noli, duke folur për vend origjinën e Kastriotëve, thotë: “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”.5) Dhe a nuk është ky gjykim, në një fare mënyre, një mohim i tezës që i nxjerr Kastriotët me origjinë nga një fshat me të njëjtin emër që shtrihet në rrethin e Dibrës?!

Fan Noli, në variantin e parë të Historisë së Skënderbeut të vitit 1921, si pa dashur, sikur kundërshton edhe tezën që i bën Kastriotët me origjinë nga një Kastrat i Hasit. Këtë historiani ynë e bën kur shkruan se “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën “Zwei Urkunden aus Nordalbanien”-shënimi im) e quajnë përallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre… tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”.6) Dhe a nuk duhet ta mbajnë parasysh këtë gjykim ata historianë që merren me vend origjinën e Kastriotëve?! Se fshat me emrin “Kastër” ose “Kastri” në trojet shqiptare ka vetëm në Mirditë!

Tezën që i bën Kastriotët nga një fshat me emrin Kastrat në rrethinat e Hasit, Fan Noli, përsëri si pa dashur, e kundërshton kur pohon, si edhe historianë të tjerë, se është vështirë të dalë nga një “Kastrat”, qoftë ky i Hasit, apo i Shkodrës, mbiemri “Kastriot”. Këtë e bën kur shkruan se “Etimologjikisht është shumë e rëndë që të dalë llagapi Kastriot nga një Kastrat”. 7) Dhe duket se historiani, duke iu referuar logjikës gjuhësore e historike, i bën të mendohen thellë pasardhësit, kur u kujton se “fshatra me emrin Kastri ka sot në Shqipëri, një në Çamëri dhe një në Mirditë, (Kastri-Shënimi im) afër Drinit”.8)

Duke gjykuar mbi tezat kontradiktore rreth vend origjinës së familjes princore të Kastriotëve, Fan Noli thotë se “Të gjitha dëshmimet e ndryshme që numëruam sipër, mund t’i përmbledhim e t’i pajtojmë kështu: Kastriotët rrjedhin nga katundi Kastriot i Dibrës, ose nga një fshat i quajtur Kastria, që ndodhej a në Mat a në Mirditë, a në Has a pranë Mazarekut (Mazrekut-shënimi im) a në Kastrat, sidomos në Malësitë afër Drinit”. 9) Dhe, pasi fshat me emrin Kastri – a nuk ka as në Has, as në Kastriot të Dibrës, as në Mat, por vetëm në Vig të Mirditës, i duhet besuar tezës, që i nxjerr Kastriotët nga treva e Mirditës etnografike.

Dhe ai që e thotë me zë të lartë këtë të vërtetë është prifti historian Athans Gega, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Gjergj Kastriotit. Ky historian, në veprën e tij “Arbëria, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, hedh dritë mbi vend origjinën e Kastriotëve duke dëshmuar, së pari, se “Kastriotët zotëronin …. territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren” 10), pohim i bërë edhe nga disa historian të tjerë.
Dhe, së dyti, për ta bërë më të qartë mendimin e tij, historiani vazhdon: “Në perëndim shtriheshin pronat e Dukagjinit, që përfshinin fushat e Zadrimës dhe lokalitetin e Fanit”.11) Dhe shkon më tej autori, duke i vënë në mendime pasardhësit, kur thekson se “nuk mund të përcaktojmë me saktësi kufijtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve” (të Kastriotëve dhe të Dukagjinve-shënimi im). 12)

Të njëjtën ide për fqinjësinë e Kastriotëve dhe te Dukagjinve përcjellin edhe gojëdhënat e ndryshme që qarkullojnë në Mirditë në rrjedhën e shekujve. Për këtë etnologu Mark Tirta – Akademik, sjell një gojëdhënë të mbledhur në fshatin Peshqesh të Mirditës, në të cilën pohohet se “Mirdita ka shkuar me zotërimet e Skënderbeut, por këtu ka sunduar Lekë Dukagjini (deri në tre bajrakët e Mirditës së fisit)”.13)

Dhe kjo ndodhte, siç thoshte gojëdhëna, sepse “Kufijtë midis Dukagjinit e zotërimeve të Skënderbeut nuk ishin të caktuara”.13). Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe konkluzioni i A. Gegës, i cili pohon qartë: “Kështu arrijmë në përfundimin se Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve. Por nuk duhet harruar që Fani (njëri nga bajrakët e Mirditës etnografike-shënimi im) u takonte Dukagjinasve”.14)

Kështu, gjersa, “sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes Shkodrës dhe Lezhës”, 15) siç shkruan Skënder Riza; gjersa, siç pohom historiani Aleks Buda “tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit,… përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën e Lumën” 16), gjersa, siç kumton A. Gega, “sipas një dokumenti venecian të vitit 1439, pronat e Kastriotëve ishin fqinjë me Shkodrën dhe Lezhën”; 17) gjersa, siç thotë Fan Noli, “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti” 18), atëherë edhe Gjergj Kastrioti, i biri i Gjonit, diku në pronat e babait të tij do ketë lindur më 1405, të cilat duket se i përkasin qartë

Mirditës etnografike.

Dhe duket se kurorën e këtij mendimi ia vë historiania turke Nuray Bozbora, e cila në veprën “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në perandorinë osmane”, na thotë: “Skënderbeu ishte më i vogli i tre djemve (duhej thënë katër-shënimi im) të Gjon Kastriotit, kreu i familjes Kastrioti, që njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”.19)
Ky pohim përbën një monument, i cili nuk mund të rrëzohet lehtë, sepse studiuesi i epokës Skëndërbejane e di që krahinat e ndryshme të Shqipërisë e, veçanërisht ato të malësive, princat i kishin vendas. Ato nuk mund t`i “importonin”, siç mund të ndodhë në kohët modern! Për rrjedhojë, nuk mund të mendohet që Gjon Kastrioti të ishte nga Hasi, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati dhe të vinte princ në Mirditë! Kjo bëhet më bindëse kur mbajmë parasysh faktin që Gjon Kastrioti ishte kreu i kësaj familje legjendare dhe jo një “Kastriotas” çfarëdo. Këto troje Gjon Kastrioti, qysh në 1407, i quante toka të fisit të vet prej shekujsh, siç dëshmon, indirekt, akademiku Dh. Shuteriqi.
Ndoshta, këto të vërteta i dinte A. Gega, kur në temën e doktoraturës, në universitetin e Luvrit, deklaronte: “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin-shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, (Dibri si bajrak i mëvonshëm i Mirditës-shënimi im) Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”. 20) Të njëjtën tezë duket se mbron edhe Atë Giuseppe Valentini, kur Dibrin, trevën nga Vigu në Kaçinar të Mirditës e quan “tokë të Kastriotëve”. Këto pohime tregojnë se edhe emërtimi “Gjon Dibrani” nuk ka të bëjë me Dibrën buzë Drinit, po me Dibrin, që njihet si bajraku i katërt Mirditës.
Dhe teza e Athanas Gegës, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Skënderbeut, si edhe pohimi i Giuseppe Valentinit, duket se i mohojnë prerë tezat mbi origjinën e Kastriotëve nga Hasi i Kukësit, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati, të cilat janë përmendur si vend origjina të mundshme të këtij fisi të lavdishëm ne historinë e Shqipërisë.
Fakte nga kronikat: Lindja, dasma dhe vdekja e Heroit
Tezës së A. Gegës, i cili e konsideron Kastrin në Vig të Mirditës si vatrën qendrore të Kastriotëve, duket se i vijnë në ndihmë edhe dy fakte: Së pari, një pohim i historianit Mikel Prenushi, i cili duket se zotëron një dokument interesant, sipas të cilit Gjergj Kastrioti, ka vënë kurorë pikërisht në Kastër, afër Vigut; së dyti, fakti që Gjergj Kastrioti u varros në Kishën e Shën-Kollit në Lezhë dhe jo në Has të Kukësit, në Kastriot të Dibrës, apo në Mat, siç ka qenë dhe është në zakonet dhe besimet e katolikëve.
Për historianin e vëmendshëm, ky fakt nuk duket kaluar pa një analizë të hollë të fenomenit, kur dimë se një udhëheqës i përmasave të mëdha, si Gjergj Kastrioti, mund të linte si amanet ta varrosnin edhe në kështjellën e Krujës, por, ja që duhet menduar se ai zgjodhi Lezhën, afër Kastrit në Vig të Mirditës si banesën e përjetshme të tij!
Me idenë e dokumentit që duket se zotëron historiani M. Prenushi, sipas të cilit Gjergj Kastrioti ka vënë kurorë në Katër, afër Vigut, sikur bashkohet edhe historian gjerman Markus W. E. Petërs. Ky, në veprën “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri” (1919-1996), shkruan: “Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri,…ishte kisha në të cilën ishte martuar (kishte vënë kurorë-shënimi im) Heroi kombëtar katolik Gjergj Kastriot Skënderbeu”. 21)

Edhe historiani francez Alen Dysylje, në një kumtesë mbajtur në Konfrencën e Dytë Kombëtare të Studimeve Albanologjike, duket se e dëshmon qartë se vend origjina e Kastriotëve është Mirdita, kur shkruan:
“Konkluzioni: “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”. 22) Kjo duhet besuar kur mbahet parasysh mendimi i rilindësit Preng Doçi, i cili e quan Lezhën si “cepi i Mirditës”.
Dhe, për të shkuar më tej në gjurmim të vend origjinës së Kastriotëve, ia vlen të përmendet edhe një pohim i historianit të madh francez Zhan Klod Faveirial, i fiksuar në librin “Historia e Shqipërisë”, botim i “Plejard” i vitit 2004. Ky historian, duke rrëfyer për Heroin tone kombëtar- Gjergj Kastriotin dhe duke hequr paralele midis tij e mbretit të epirotëve-Pirros, i cili e kishte pohuar origjinën e tij epirotase, shkruan:
“Dikur, epirotët e lashtë e kishin quajtur shqiponjë Pirron, sovranin e tyre.-“Po, unë jam shqiponjë, u përgjigj ai, por prej jush jam i tillë! Kjo (do të) ishte pikërisht përgjigja që do t`u jepte Skënderbeu të gjithë shqiptarëve, por mirditorëve në veçanti…”. 23) Pra, ashtu si Pirroja u tha epirotasve se “prej jush jam i tillë”, për të treguar me krenari për vend origjinën e tij, po ashtu, siç pohon historiani francez, edhe Skënderbeu do t`u thoshte “mirditorëve, në veçanti”: “Po, unë jam shqiponjë, por prej jush jam i tillë”! Një argument më tepër në favor të tezës që e konsideron Kastrin si vatrën qendrore të fisit të Kastriotëve dhe si vendlindjen e Gjergj Kastriotit, sikur gjendet edhe në fushën e dialektologjisë. Për këtë flet fakti që mbiemri “Kastrioti” në të folmen e Mirditës shqiptohej gjer vonë në formën “Kastërjoti”, gjë që na zbulon qartë emrin Kastër në trajtën e pashquar, siç shqiptohet, shpesh, edhe në ditët tona nga mirditorët. Forma “Kastërjoti” duket se ka qenë zotëruese në gjithë Shqipërinë e veriut, por mbi të, ndoshta, kanë vënë dorë herë historianët e herë gjuhëtarët. Sidoqoftë, me sa duket, i duhet besuar tezës, sipas të cilës mbiemri Kastrioti vjen nga trajta e shquar e një Kastri, plus prapashtesën-iot, siç ka qenë që herët një traditë e shqipes. Dhe ky Kastër gjendet vetëm atje ku janë gërmadhat e një kështjelle të vjetër pranë Vigut të Mirditës etnografike!/ KultPlus.com

Policia dhe Dogana e Kosovës konfiskon 25 vetura të padoganuara

0

Policia e Kosovës në bashkëpunim më Doganën kanë njoftuar se kanë konfiskuar 25 vetura të padoganuara, të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugorë, transmeton “Zeri.info”.

“Policia e Kosovës, konkretisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor, ka hartuar planin operativ “Veturat e padoganuara”. Plani ka filluar të zbatohet më 21 maj 2017 nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Prishtinë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës. Realizimi i planit është duke vazhduar”, thuhet në njoftim
“Plani ka qëllim identifikimin, ndalimin dhe largimin nga komunikacioni të veturave të cilat qarkullojnë të padoganuara. Mjetet në fjalë nuk u nënshtrohen rregullave teknike dhe atyre procedurale, janë të pasiguruara dhe u shmangen të gjitha taksave të parapara ligjore. Gjithashtu, këto mjete jo rrallë herë janë pjesëmarrëse në aksidente të trafikut rrugor me çka rrezikohet siguria e pjesëmarrësve në trafik”.

Me datën 21.05.2017 në rajonin e Prishtinës, janë identifikuar dhe konfiskuar gjithsej 21 vetura të padoganuara të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugor.

Policia e Kosovës kërkon nga ngasësit e veturave të padoganuara që të mos dalin me vetura të tilla në trafik, pasi veturat e tilla do të ndalohen dhe sekuestrohen.

Beogradit i pengon vendimi i Gjykatës për rastin Kleçka

0

E ashtuquajtura Zyra serbe për Kosovën që udhëhiqet nga Marko Gjuriq ka dënuar vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për të refuzuar kërkesën e prokurorit për mbrojtjen e ligjshmërisë në rastin “Kleçka” ku edhe u konfirmua vendimi i mëhershëm për lirimin e Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë në këtë rast.

“Në një shoqëri, ku gjykata bëhet pjesëtues i padrejtësitë është e paraprijë të dështojë, dhe kjo është arsyeja që një vendim i tillë ka pastruar biografinë e Fatmir Limajt dhe të bashkë-akuzuarve të tjerë”

”Kjo mund të jetë fitore e disave, por humbje e të gjithë qytetarëve të Kosovës që duan të jetojnë në një shoqëri të bazuar në humanitet dhe vlera demokratike”, thuhet deklaratën e kësaj zyre, transmeton Klan Kosova.

Pas gjashtë vitesh, Fatmir Limaj, dhe nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së, që akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999 u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Supreme.

Rektori Vataj në Konferencën e 3-të në Brno të Çekisë

0

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj po merr pjesë në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare me temë “Plagjiatura në Evropë dhe përtej” që po zhvillon punimet në Brno të Çekisë. Në këtë konferencë po marrin pjesë edhe Rektori i Universitetit të Mitrovicës, Prof. Dr. Alush Musa, Rektori i Universitetit të Ferizajit, Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe prorektorët e universiteteve të tjera publike në Kosovë.

Konferenca ndërkombëtare po mbahet për ndarjen e praktikave më të mira dhe përvojën në adresimin e çështjeve të integritetit akademik, ku po mbajnë prezantime studiues nga e gjithë bota. Integriteti akademik po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në arsimin e lartë në të gjithë Evropën. Shumë universitete po kërkojnë politika efektive, mjete elektronike zbulimi dhe metoda parandalimi. Është e nevojshme diskutimi i gjerë, të kuptuarit e dallimeve kulturore dhe shkëmbimi i përvojave dhe i vlefshëm për të mbështetur. Konferenca është organizuar bashkërisht nga Universiteti Mendel në Brno, Rrjeti Evropian për Integritetin Akademik dhe Këshilli i Evropës.

Planeja e Hasit, fshati i skamnorëve të shumtë

0

Fshati Planejë pas Luftës së Dytë Botërore, shndërrohet në çerdhe të atdhetarëve që nuk pajtoheshin me regjimin jugosllav dhe PKJ-në dhe vepruan disa vite në male për ta kundërshtuar riokupimin serb. Në këtë aspekt duhet veçuar atdhetarin Hajdar Malokun, i cili ishte në atë kohë në dy fakultete në Itali dhe profesor në gjimnazin e Prizrenit. Në luftën e fundit të UÇK-së, ky fshat shërbeu si shtegu me i suksesshëm për bartje të armatimit. Përmes Planejës u furnizuan me armatim me mijëra luftëtarë. Ndër të parët veprimtarë të furnizimit ishte Hajdar (Gusha) Kasolli e me vonë ky fshat u shndërrua i tëri në shtëpi furnizuese për UÇK-në për çka u bombardua nga forcat okupuese serbe në tërësi, duke mos mbetur as edhe një shtëpi në këmbë. U sulmua me artileri serbe edhe Teqeja e tyrbja dhe shkolla e këtij fshati.

Njëri ndër studiuesit e kësaj ane prof dr. Nexhat Çoçaj për “Kosova Sot” tregon se Pleneja si vendi më i afërt me Majën e Pashtrikut, në njërën anë dhe në anën tjetër më afër nga dy vendbanimet mesjetare të Pashtrikut T’BANA dhe TRUMSHI ka luajtur rol të rëndësishëm në strategjinë e mbrojtjes kombëtare. “Kështu fillimisht na kthen tek luftërat e Skënderbeut që është e njohur Shpella e Grave në mes Planejës dhe Kalasë së Skënderbeut, shpellë që ka shërbyer për mbrojtje në rast të sulmeve të ndryshme ndër luftëra edhe në kohën osmane.

“Planeja në kohën e Lidhjes Shqiptare do të njihet përmes Sheh Tahirit, i cili ishte themelues i Teqesë në këtë fshat dhe bashkëluftëtar i Ymer Prizrenit e Abdyl Frashërit. Ndërsa në periudhën e Pavarësisë së Shqipërisë, Planeja do të bëhet e njohur përmes atdhetarit të këtij vendi Sheh Sylejmani, i cili ishte bashkëveprimtar i Hasan Prishtinës e Bajram Currit dhe veprimtarëve të tjerë të çështjes kombëtare”, tregon prof. dr. Çoçaj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Rrjeti i vjetruar i energjisë elektrike rrezikon banorët

Kryetari i këtij fshati, Zenun Shehu, thekson se Planeja ka pasur emër e respekt jo veç në Has, por në të gjitha trojet shqiptare, porse nga paslufta tregon se Planejën e kanë lëshuar 100 familje. Kurse nga ato 80 familje sa janë atje, janë 30 që jetojë me ndihma sociale. Ai shton se në këtë fshat ka varfëri të skajshme. Shehu thekson se problemi që ende vazhdon të mos tejkalohet në këtë fshat është rrjeti tepër i vjetruar i energjisë elektrike dhe disa rrugë që s’kanë përfunduar. Tregon se rrjeti i energjisë elektrike është tepër i vjetër dhe nuk plotë- son asnjë kusht për siguri të këtyre banorëve. “Ne gati të gjithë jemi të rrezikuar nga ndonjë defekt që mund të marrë edhe jetën e ndonjë njeriu, ngase rrjeti është tepër i dobët. Rreziku nga ky rrjet është gjithmonë permanent”, tregon kryetari i fshatit.

Gjatë verës probleme me ujin e pijshëm

Kurse drejtori i shkollës së Planejës, Halil Shehu, tregon se shkolla në Planejë ka 234 nxënës. Ai thekson se nxënësit atje në përgjithësi i kanë kushtet e vështira ekonomike. Shton se banorët që u larguan nga fshati pikërisht u larguan në kërkim të kushteve më të mira të jetës, në qytet apo edhe në vende të tjera. Shumica e këtyre banorëve, tregon ai, gjatë dy muajve të verës përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Ai tregon se tashmë sado që kushtet janë përmirësuar, vetë reliefi i largët i Planejës ka bërë që nga fshati të largohen familje të tëra. Kryetari i fshatit, Zenun Shehu, nuk harron të përmend shumë angazhime, të cilat i kanë kryer këta banorë të Planejës në të mirën e Kosovës.

Të gjithë këto janë bërë në shërbim të Kosovës. “Por, ja që shumica e këtyre banorëve edhe për shkak të largë- sisë nga qendra kanë mbetur nën mëshirën e kohës, sepse nuk kanë arritur të punësohen dhe kushtet e jetës kanë diktuar që banorët të përballen me probleme të shumta. Prandaj, jo më pak se 30 familje të këtij fshati si burim të vetëm e kanë ndihmën sociale”, është shprehur Zenun Shehu. Ai tutje shton: “E si mund të jetohet me një ndihmë sociale. Unë besoj se nuk duhet shumë koment”, është shprehur Shehu.

(Kosova Sot)

Limaj në Prizren: Secila familje do ta ketë nga një të punësuar

0

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se partia e tij me të ardhur në pushtet, përmes koalicionit PDK-AAK-NISMA, do të ketë qëllim kryesor shëndetësinë, arsimin dhe bujqësinë.
“Shëndetësia, arsimi, bujqësia do të jenë parësore nga ministrat tanë në qeverinë e ardhshme të Kosovës”, ka thënë ai në një takim më qytetarët e Prizrenit.

Limaj ka thënë, se duhet ta largojmë degradimin e shtetin që është bërë deri tani dhe duhet të ndërtohet në mënyrë të drejt dhe me punë, raporton lajmi.net.

“Asnjë familje në Kosovë nuk do të jetë pa pasur një njeri të punësuar . Duhet ta ndaloj dhe ta stopojmë pabarazinë. Unë habitem kur dëgjoj premtime të pamatura të paadresuara se do të punësohen qindra persona, kush janë ata, cilët janë ata?”

Më pas ka thënë se angazhimi i ministrave nga Nisma në qeverinë e Kosovës do të jenë zëri i qytetarëve, për ata që kanë nevojë

Polici Nuredin Begolli, kërkon që ekspertët e IT-së të vërtetojnë nëse ai ka hyrë në databazën e policisë

0

Nuredin Begolli, i cili akuzohet se ka keqpërdorur informatën zyrtare, duke ia treguar një personi të tretë, historinë kriminale të të dëmtuarit në këtë rast Deli Hoxhës, ka kërkuar që ekspertët e IT-së në Policinë e Kosovës (PK), të vërtetojnë nëse ka kryer një veprim të tillë.

Në seancën gjyqësore të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Begolli ka thënë se ekspertët e teknologjisë informative (IT) shumë lehtë mund të vërtetojnë nëse ai ka hyrë në data-bazë për të shikuar të kaluarën kriminale të të dëmtuarit.

Ai, tuje ka shtuar se nëse vërtetohet se ka bërë një veprim të tillë është në gjendje të pranoi dënimin maksimal që parasheh ligji.

Po ashtu edhe avokati i tij, Hajrip Krasniqi, ka kërkuar që gjykata të kërkojë nga Policia e Kosovës, informata nëse i dëmtuari Deli Hoxha, me të vërtetë i ka pasur 37 vepra penale dhe kundërvajtëse, në momentin kur po pretendohet se i akuzuari ka zbardhur informatën e tillë.

Sipas tij, kjo kërkohet sepse do të vërtetojë që numri 37 i shkruar nga i akuzuari në “Viber” me personin e tretë, ka pasur të bëjë me informatë të saktë apo me bisedë të lirë, me të dëgjuar.

Prokurori i rastit, Genc Nixha, nuk ka kundërshtuar propozimet duke u arsyetuar se në parim përkrah çdo propozim që shkon në drejtim të zbardhjes së gjendjes faktike.

Në këtë seancë, po ashtu është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit shefi i zyrës ligjore në Policinë e Kosovës, Qlirim Hajdini, i cili ka thënë se në informacion zyrtar, hyjnë të dhënat që mblidhen për qytetarët që bien ndesh me ligjin. Tutje, ka shtuar se këto të dhëna vendosen në data-bazën e sistemit informativ të Policisë së Kosovës.

Hajdini, ka thënë se zyra ligjore që ai udhëheq, jep lejen për t’ia lëshuar dikujt dokumentin se nuk ka të kaluar kriminale dhe po ashtu marrin vendime duke u bazuar në vendimet e gjykatës për të shlyer personat nga data-baza e të kaluarës kriminale.

Ndërsa, nëse i akuzuari ka mundur apo jo të ketë qasje në data-bazën e Policisë së Kosovës, dëshmitari Hajdini, ka thënë se nuk është kompetent të përgjigjet, por që për një gjë të tillë, sipas tij, duhet të ftohet një ekspert që merret me formimin dhe menaxhimin e data-bazës në fjalë.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Raime Elezi, ka pranuar propozimet e mbrojtjes dhe ka vendosur që për seancën e ardhës të ftojë një ekspert të IT-së nga PK-ja dhe të kërkohet e kaluara kriminale e të dëmtuarit deri në momentin kur është bërë kallëzimi penal.

Seanca e radhës është caktuar për 30 qershor 2017, duke filluar nga ora 10:00.

Nuredin Begolli, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, se në cilësinë e zyrtarit policor, ka zbuluar informatën zyrtare për personin tjetër, duke i dhënë atij një përparësi që nuk i takon.

Sipas aktakuzës, Begolli ka njoftuar qytetaren Altina Kolukaj, për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes, të kryera nga qytetari Deli Hoxha, e i cili informacion, ka ndikuar në prishjen e raporteve në mes këtyre dy personave./betimiperdrejtes/