Home Blog Page 5977

Jehonat e Kurt Cobainit

0

Njëzet e tre vjet më parë, drejtuesi i Nirvana Kurt Cobain, tronditi botën me vetëvrasjen e tij. Është dokumentuar mirë se Kurt luftoi me presionet e famës dhe pritshmëritë që lindën prej faktit që ai u quajt si “zëri i një gjenerate”, por shumë kundërshtojnë faktin që ai ishte pikërisht kjo. Nëpërmjet kitarës, këngëve të tij, personazhit publik që ishte, e madje edhe vdekjes së papritur, ai ndryshoi rrjedhën e kulturës popullore.

Po si ndryshoi bota që kur Kurt Cobaini tronditi skenat muzikore dhe fjetinat e konvikteve, me tingujt e tij të spikatur dhe emocionet e rralla? Një vështrim se si ikona e muzikës vazhdon të lërë shenjë edhe një brez më vonë:

MUZIKA

Nirvana, sigurisht, popullarizoi tingujt e muzikës së Seattle të njohur si “grunge”, duke hapur derën që rroku alternativ të mbërrinte tek audienca më të mëdha. Mënyra shumë personale e të shkruajturit të këngëve nga Kurt hapi rrugën për më shumë lexim të brendësisë së vetvetes në muzikë, dhe ka ndikuar artistët në një sërë zhanresh, që nga grupi i metalit alternativ Linkin Park, tek “pop rockers” si Fall Out Boy, e deri tek këngëtarë hip hop-i, si MC Lil Uayne, të cilët të gjithë kanë pranuar se Kurt Cobain ka qenë një influencë e fortë tek ta.

Shpirti “Indie”

I rritur si një punk, Kurti kurrë nuk u përshtat me makinacionet e industrisë muzikore; Ai madje u shfaq edhe në kopertinën e Rolling Stone veshur me një t-shirt që lexonte “Revistat e Korporatave gjithësesi ta shpifin”. Megjithatë, në të njëjtin vit kur ai vdiq, Aerosmith paralajmëruan një ndryshim epokal, duke prezantuar këngën e parë të shkarkueshme në internet. Rritja e mëvonshme e sistemeve të ndarjes së këngëve online, siguroi një vitrinë për bandat e të gjitha llojeve, duke e transformuar në fund modelin e biznesit të industrisë dhe duke ulur ndikimin e stacioneve radiofonike tradicionale, si edhe MTV dhe Rolling Stone. Kurt padyshim do të kishte shijuar lirinë për të nxjerrë këngë sipas tekave të tij, si dhe mundësitë që iu ofruan grupeve më pak të njohura që ai shpesh promovonte.

Progresivizmi

Këngëtarët e rrokut shpesh herë kanë bërë edhe aktivistin, dhe qëndrimi i Kurt Cobainit për çështjet shoqërore manifestohej nëpërmjet thirrjeve të tij për barazi. Qëndrimi i tij përmblidhet më së miri në shënimet që shoqëruan albumin e tij “Insecticide”: “Nëse ndonjëri prej jush në një farë mënyre urren homoseksualët, njerëzit me ngjyrë të ndryshme ose gratë, ju lutemi të na bënivetëm një nder: Zhdukuni dhe na lini rehat”. Kjo shtrirje e progresivizmit fitoi vrull gjatë viteve 1990, dhe shpërthimi i internetit dhe mediave sociale ofruan forume shtesë për individë me mendime të njëjta. Natyrisht, ajo hapi derën edhe për reagimin kundër “korrektësisë politike” që shfaqet dukshëm në betejat kulturore të sotme.

Moda

Ashtu si me muzikën, tendencat e modës vijnë dhe shkojnë vetë, por Kurt la shenjën e tij të pashlyeshme në industri. Së bashku me këmishat standarde me kuadrata dhe xhinset e grisura që lidhen me lëvizjen “grunge”, këngëtari i rrokut shpesh herë prezantoi një sërë idesh të tjera, si disa bluza njëra mbi tjetrën, si dhe syze me përmasa të mëdha. Për të mos përmendur veshjet e rastit. Një vështrim në autostradë apo në vitrinat e dyqaneve, mjafton për të kuptuar se kujtesat e Kurt Cobain mbeten gjallë në botën e modës.

Mish dhe gjak

Fansat mund të kujtojnë se Kurt ishte gjithashtu një baba. Tashmë, 24 vjeç, Frances Bean Cobain është pothuajse aq e madhe sa babai i saj i famshëm kur i dha fund jetës, dhe ka filluar të gdhendë identitetin e saj si një artiste pamore, këngëtare dhe modele. Ajo përqafoi trashëgiminë e Kurtir, duke ndihmuar në prodhimin e dokumentarit të vitit 2015 “Kurt Cobain: To Heck and Back”. Megjithatë ajo gjithashtu pretendon se nuk është një fanse e Nirvana, duke demonstruar kështu se, së bashku me pamjen, ajo ka marrë nga babai edhe pavarësinë. / “bio” – Bota.al

Beatles, siç nuk i kemi parë (Foto)

0

Pamje të papublikuara nga Beatles teksa xhironin në alpet austriake për filmin Help! ishin mbajtur në sirtar për 50 vjet.

Të quajtura “Snow Scenes”, këto pamje janë xhiruar nga aktori i ndjerë Leo McKern. Më 1965 McKern ishte pjesë e filmit Help! bashkë me Beatles, ku luante rolin e një batakçiu të quajtur Clang.

McKern ka kapur Beatles në momente relaksi teksa përgatiteshin për skenat e filmit në resortin e skive në Obertrauern.

“Janë pamje të papara më parë të njerëzve që ishin atje, në atë kohë, njerëzit më të famshëm në tokë”,m thotë aktori Neil Pearson, i cili është gjithashtu dhe një tregtar i librave të rrallë. “Janë pamjet e periudhës së artë të Beatles, duke pritur që gjithçka të ndodhe… e njoh atë ndjenjë”, vijon ai.

Help! kishte regjisor Richard Lester, dhe vjen pas suksesit të Beatles me A Hard Day’s Night. Ishte një film me buxhet të madh, teksa përfshinte xhirime si në Bahamas dhe në Austri, shkruan Top Channel.

Xhirimet në Austri zgjatën dy javë dhe edhe pse dukej se të gjithë po kalonin momente të mira në jetën e tyre, grupi dha më vonë se nuk e gëzoi rezultati përfundimtar.

“Filmi ishte jashtë kontrollit. Me A Hard Day’s Night, kishim më shumë për të dhënë, ishte gjysëm-realist. Por me Help!, Dick Lester nuk na tha se për çfarë ishte”, ka thënë John Lennon më pas.

T’kam e jam nânë!

0

Poezi e shkruar nga poetja Erenestina Halili.

T’kam e jam nânë !
( Për nânën teme sojnike e nânat si ajo!)

Kam rrokë qillin, tuj prekë tokën,

tuj thânë: T’dù !

Kam ul’ zanin, tuj brrit’ n’ajri,

tuj t’thanë: M’fal !

M’ke fshi lodin, tuj m’njeh fajin,

tuj m’thânë: Mo(s) !

Je keshë n’mu, tuj kjâ n’mushkni,

tuj m’thânë: Ani !

Idhnù n’mù, nderù n’mù,

tuj m’thânë: Çikë !

Knâqë n’mù, g’zu n’mù,

tuj m’thânë: Nânë !

Je çikë e grue, je nânë e zot,

Tuj t’thânë:

Nânë, je tanë ç’ka kam !

Jam çikë e grue, nânë e zot,

tuj m’thânë: Bijë, t’kam nânë !

Prokuroria do dënim më të lartë për Xhemshit Krasniqin

0

Prokuroria e EULEX-it ka kërkuar dënim më të lartë për ish-eprorin e UÇK-së Xhemshit Krasniqi të dënuarin nga themelorja për torturim të civilëve.

Prokurorja e EULEX-it Ewa Korpi ka kërkuar që Gjykata e Apelit ta rrisë dënimin ndaj Xhemshit Krasniqit, të akuzuarit për torturimin e civilëve në Kukës, Cahan e në Prizren gjatë vitit 1999.

Gjykata themelore e kishte liruar Xhemshit Krasniqin nga akuza për vrasjen e Anton Bisakut, por prokurorja Korpi kërkoi që pikërisht për këtë akuzë Krasniqit t’i shtohet dënimi.

“Gjykata e Apelit duhet të anulojë lirimin që është bërë nga Gjykata themelore në pikën 1 të aktakuzës siç ju kemi referuar në propozimin tonë dhe gjithashtu dëshirojmë që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe duke e gjetur fajtor edhe për këtë pikë, si dhe siç u tha edhe nga gjyqtari raportues që t’ i shqiptohet një dënim edhe më adekuat”, tha prokurorja Korpi.

Korpi kërkoi dënim më të lartë për Xhemshit Krasniqit gjatë shqyrtimit të ankesave të prokurorisë dhe mbrojtjes rreth këtij rasti në Gjykatën e Apelit.

Por Haxhi Millaku, avokati i Xhemshit Krasniqit tha se i mbrojturi i tij nuk është përfshirë në vrasjen e Bisakut.

“Gjykata e Apelit e ka pa se prova të tilla nuk ekzistojnë dhe këtë e konfirmon edhe Gjykata Supreme e Kosovës”, tha Millaku.

Ndërkaq, në fjalën e tij, i akuzuari Krasniqi tha se është hera e katërt që është ngarkuar me këso lloj konspiracionesh.

“Nuk ia kam borxh vendit tim që të bëhem komplot i kësaj loje kundër meje sepse as nuk i njoh ata njerëz. 90 për qind të dëshmitarëve as nuk i njoh për këtë më vjen keq që është hera e katërt që jam ngarkuar me këto konspiracione”, tha Krasniqi.

Haxhi Millaku avokati i Krasniqit kërkoi që të mbrojturit të tij nga Gjykata e Apelit masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.

Lidhur me këtë çështje, trupi gjykues në krye me gjyqtaren e EULEX-it Ana Adamska Galant, bëri të ditur se palët do të njoftohen për këtë vendim.

Xhemshit Krasniqi u shpall fajtor nga gjykata themelore për arrestimin, ndalimin e paligjshëm, cenimin e integritetit trupor, të shëndetit dhe torturimin disa civilëve të panjohur në kampet e UÇK-së në Kukës e Cahan (Shqipëri), si dhe në një garazh Prizren në vitit 1999.

Për këto vepra penale ai u dënua më 8 gusht 2016 me tetë vjet burg.
Gjykata e Apelit në Prishtinë pritet të vendosë për fatin e të akuzuarit Krasniqi, jashtë shqyrtimit gjyqësor.

Bujar Nishani shpallet Qytetar Nderi i Prizrenit

0

Në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, në prani të një numri të madh të pjesëmarrësve, të shtunën, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani u shpall qytetar nderi i Prizrenit.

Pas leximit të vendimit të Kuvendit Komunal, kryesuesi  Kujtim Gashi ftoi kryetarin e Komunës së Prizrenit që të ia ndaj, dhe presidentin e Shqipërisë Bujar Nishanin që ta pranoj, çelësin e qytetit si qytetar nderi i Prizrenit.

I emocionuar me këtë nderim që i bënë Komuna e Prizrenit, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani tha se nuk ka “emocion më të madh e nuk ka ndjenjë humanizmi më të madhe edhe vlerë njerëzore më të madhe se sa kur qytetarët dhe populli të nderon dhe të vlerëson”.

“Unë sot jam  shumë i nderuar dhe i privilegjuar. Përulem me nderim për këtë vlerësim të jashtëzakonshëm që më bëni” u shpreh Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani tha se vizitat zyrtare presidenciale i nis dhe i përfundon në Kosovë.

“Përpos qëllimit që e kisha për ta përcjellë në këtë vizitë: nderimin, vlerësimin, mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, për vëllezërit dhe motrat tanë, pata edhe një kënaqësi të veçantë në secilin takim në Prishtinë në Gjilan, Drenas, Prekaz, Deçan, Gjakovë dhe sot në Prizren kurorën e diamantit të historisë shqiptare për ne shqiptarët. Ka qenë një pritje përtej çdo përmase që mund ta përshkruash  sepse sado i talentuar kushdo të jetë do të kishte vështirë ta përshkruante. Unë e kam ndier dhe do ta mbaj brenda gjithë jetës” tha Presidenti Nishani.

Në fjalën e tij Presidenti Nishani reagoi kundër aktit që ka ndodhur ndaj Arbana Xharrës.

“Por sot duke ardhur në Prizren e pash një lajm të hidhur të dhunës ndaj një gazetareje, ndaj një veprimtareje ndaj një zonjeje. Duke e dënuar këta akt burracak e duke shprehur solidaritetin me të dhe me familjen e saj dhe me të gjithë qytetarët  dhe mbi të gjitha solidaritetin dhe nderimin për dimensionin e jashtëzakonshëm të lirisë që më shumë se çdo vend Kosova dhe populli i Kosovës e njohin e dinë e kanë paguar, por edhe e ofrojnë dhe e adresojnë çdo ditë” tha ai.

Në fund Presidenti Nishani  tha se do të vazhdojë të besoj në vlerat e lirisë dhe nuk do të ndahet nga ato për asnjë cast./Gazetaere.com/

 

VV, AAK e NISMA takohen dhe flasin për koalicion parazgjedhor

0

Udhëheqësi i NISMA’s për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka konfirmuar për Gazetën Express se ka ndodhur një takim sot ndërmjet udhëheqësve të AAK’së, VV e NISMA’s për Kosovën.

“Kemi diskutuar edhe për koalicioni parazgjedhore e paszgjedhore”, ka thënë Krasniqi për Express.

Ai ka treguar se në takim ishte edhe ish-Ambasadori Wolker, ndërsa, takimi ka ndodhur në Parkun Gërmia, në periferi të Prishtinës. Muharrem Nitaj i AAK’së ka thënë se takimi i udhëheqësve të partive ishte ide e Ambasadorit Wolker.

Genc Salihu promovon librin e tij poetik

0

Këngëtari i njohur kosovar Genc Salihu, ka promovuar librin e tij poetik ‘Plane për jetë’, në Tiranë, shkruan KultPlus. Ky libërth siç e ka quajtur vetë Genci, është promovuar në ambientet e ‘librAria’ te liqeni artificial. Gjatë këtij promovimi i pranishëm ishte edhe Erion Veliaj, i cili nuk la pa lexuar edhe një poezi nga libri i Gencit për të pranishmit.

“Sot e promovova libërthin tim poetik ‘Plane për jetë’ te librAria në parkun e liqenit në Tiranë. Nr. 1 i Tiranës, miku im Erion Veliu, i cili foli për librArinë dhe afrimin e qytetit me qytetarët përmes projekteve si ky, më nderoi me nji lexim publik të poezisë time ‘Tezja Dritë’. Flm shtëpinë Dudaj për gjithçka & nji bravo për iniciativën librAria – mos e leni pa e vizitu”, k ashkruar Salihu në facebook.

Redaktor i librit ‘Planë për jetën’ është Gazmend Bërlajolli, kopertina nga Jeta Dobranja/Trembelat dhe botues Dudaj.

Kurthet serbe që lanë të vdekur 77 civilë në Korishë të Prizrenit

0

Pikërisht më 13 maj të vitit 1999, në fshatin Korishë të Prizrenit, si pasojë e kurtheve të ngritura dhe të montuara nga forcat serbe, aleatët e vendit tonë, aksidentalisht goditën popullatën e cila ishte e rrethuar dhe mbaheshin rob nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.

Si pasojë e kësaj, natën e 13 majit të vitit 1999, u vranë 77 civilë, në mesin e tyre gra, burra, pleq e plaka, dhe fëmijë të pafajshëm.

Familja Ahmetaj, ishte ajo që pësoi më së shumti nga kjo tragjedi, me ç’rast humbi 41 anëtarë të familjes së saj, pastaj familja Kukaj 12 anëtarë, familja Dakaj 4 anëtarë, familja Xhaferi 3 anëtarë, dhe familja Rexhaj një anëtarë, të gjithë nga fshati Korishë i Prizrenit, shkruan kp.

Në tragjedinë e 13 majit të vitit 1999, pësuan edhe familja Suka nga fshati Bllacë i Suharekës ku ka humbur gjithsej 7 anëtarë, familja Palushi nga Budakova 3 anëtarë, dhe familja Behluli nga Mushtishti dhe familja Selimi nga Grejkoci i Suharekës kanë humbur nga një anëtarë të familjes.

Reagimet pas sulmit të dhunshëm ndaj Arbana Xharrës

0

Ish-gazetarja, Arbana Xharra, e cila ditë më parë iu bashkua partisë të cilën e kritikoi më së shumti, PDK-së, është rrahur mbrëmë brutalisht nga persona ende të panjohur.

Rasti kishte ndodhur mbrëmë pas mesnatës ndërsa në QKUK ishte dërguar nga bashkëpartikët e saj.

Ndërkaq, këtë rast e kanë dënuar shumë qytetarë të thjeshtë e njerëz të politikës.

Kryeministri në largim, Isa Mustafa, këtë sulm e ka quajtur akt të ulët dhe të turpshëm.

“Sulmi mbi Arbana Xharrën është akt i ulët dhe i turpshëm. Kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Mustafa.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në Facebook, ka thënë se “me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë”.

“Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë”.

“Si shoqëri nuk bën të lejojmë që dhuna të bëhet mjet i shprehjes së pakënaqësisë sonë”.

“Me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë”.

“Organet e rendit duhet ta zbardhin në tërësi rastin dhe t’i sjellin sulmuesit para drejtësisë”, ka komentuar Thaçi.

Enver Hoxhaj, ministri në largim i Punëve të Jashtme, është ndierë thellësisht i tronditur nga “sulmi qyqar ndaj Arbana Xharrës”.

“I shokuar nga ajo që mund ti ndodhë një gruaje, një nëne dhe mbi të gjitha një aktiviste të guximshme në tërë këto vite që nuk ka hezituar t’i thotë hapur dhe pa frikë gjërat të cilat i mendon. Kemi dështuar të tërë që nuk kemi mbrojtur një grua e cila i thotë mendimet ndryshe. Jo toleranca jonë ndaj njerëzve që nuk pajtohemi me ta po na shtyn drejt këtyre ngjarjeve të papranueshme. Mjaft më! Të bashkëndjejmë të gjithë. Ta dënojmë të gjithë! Sulmuesit para drejtësisë. Arbana, shërim të shpejt”, thuhet në reagimin e Hoxhajt.

Sulmin e mbrëmshëm ndaj Arbana Xharrës e ka dënuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Sulmi ndaj Arbana Xharrës, është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Aktet e tilla janë edhe kundër logjikës dhe traditës shqiptare. U kërkoj organeve të rendit që ta zbardhin këtë rast, dhe t’i nxjerrin para drejtësisë kryesit e këtij akti të lig”, u shpreh Haradinaj.

Po ashtu, shërim të shpejtë dhe kapje të kriminelëve i ka uruar edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

“E kam thënë edhe kur u sulmuan Dardani dhe Agroni se ata që sulmojnë prapa krahëve dhe në errësirë janë as më shumë dhe as më pak kriminel por mbi të gjitha frikacakë e qyqarë. Metodat e tilla, tashmë janë të njohura për ne! Moszbardhja e kërcënimeve dhe sulmit ndaj aktivisteve tanë, i ka inkurajuar sulmuesit e kriminelet, që për bindjen time janë nga e njëjta adresë, sepse janë metoda SHIK-iste! Uroj që kriminelët të identifikohen sa më parë dhe të dalin para drejtësisë! Arbanës, shërim të shpejt”, ka shkruar ajo.

Edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, e ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj Xharrës, duke thënë se dhuna nuk arsyetohet me kurrgjë, posaçërisht dhuna ndaj një gruaje, sado keqkuptime a inate që mundesh me pas me të në shpi, punë, apo thjesht, në rrugë.

“Arbanë, njajtë si për ty, qashtu edhe për plot gra që janë abuzue e vra prej burrave të tyne, edhe për plot aktivista që janë rrehë e vra për shkak të bindjeve të tyne politike, edhe për plot studenta e nxanësa që po rrahen e vriten nëpër oborre të shkollave, unë s’kam me u ndalë tuj lypë drejtësi. Qekjo shoqni, me qet sistem, po krijon bisha. Në mungesë të drejtësisë, këto bisha po e marrin lirinë me rrehë, dhunue e vra, pa frikë se kanë me u zanë. More, qoftë nga problemet familjare, politike apo fetare, ai që është i dhunshëm duhet me shkue n’burg. Pikë. Sinqerisht po shpresoj se ata që të sulmuen kanë me u gjetë edhe dënue sa më shpejt. Por edhe sinqerisht po shpresoj që kurrkush nuk ta (keq)përdorë këtë incident për përfitime politike, duke e dijtë se kujt iu ke bashkëngjitë. E as mos e përjashto mundësinë që pikërisht ata vetë kanë mujtë me ta ba këtë, tuj i njoftë çka janë në gjendje me ba, e qe ti henez ke me e kuptue. Të dëshiroj shërim të shpejtë, e të uroj angazhim të pashoq në luftën kundër dhunës, posaçërisht asaj ndaj grues. Qaty ku munden edhe rrugët me na u kryqye nganjëherë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Edhe ministri tjetër në largim, ai i Diasporës, Valon Murati, ka thënë se sulmi ndaj Xharrës, “edhe pse pa i pasur informatat e plota, po reflekton linçimin publik që iu bë veprimeve të saj të fundit politike”.

“Liria e mendimit, shprehjes dhe e përcaktimit politik janë themelet e një shoqërie të lirë, vlera pa të cilat nuk mund të ndërtojmë demokracinë. Është obligim i gjithë nesh që t’i mbrojmë këto vlera, sepse nëse bëhemi opurtunistë, shumë lehtë mund të jemi viktima e radhës e intolerancës. Shpeshherë mund të mos na pëlqejnë mendimet e të tjerëve dhe shprehja e tyre publike, por përveç tolerancës, debatit publik apo edhe të padisë civile kur konsiderojmë se liria e shprehjes është keqpërdorur për të shpifur, rrugët e tjera na dërgojnë në anarki të dhunshme ose totalitarizëm. Sulmi i sotëm ndaj Arbanës, edhe pse pa i pasur informatat e plota, po reflekton linçimin publik që iu bë veprimeve të saj të fundit politike. Të gjithë duhet të solidarizohemi me të pa marrë parasysh a pajtohemi me atë që tha publikisht pardje apo atë që veproi politikisht dje. Të gjithë duhet ta shohim veten në sy sesa po i kontribuojmë këtij ambienti linçues. Në fund, organet e sigurisë dhe ato të zbatimit të ligjit duhet të jenë të pakompromis ndaj gjithë atyre që kërcënojnë sigurinë e jetës së njeriut për shkak të mendimit politik dhe shprehjes së lirë”, ka shkruar Murati.

“Nuk ka motiv që justifikon një sulm të tillë. Aktorët të përballen me drejtësi”, ka shkruar në Facebook, zyrtari i AAK-së, Avni Arifi.

Drejtoresha ekzekutive e “Grupit KOHA”, Flaka Surroi, ka thënë se sulmi ndaj Xharrës është i gabuar dhe kryesit e tij duhet dënuar.

“Kushdo dhe për çfarëdo motivi ta ketë sulmuar Arbanën, e ka gabim dhe duhet të dënohet. Mospajtimet, çfarëdo qofshin, duhet të zgjidhen me argumente e jo me dhunë”, ka shkruar Surroi.

Edhe redaktorja e politikës në “Kohën Ditore”, Brikenda Rexhepi, e ka dënuar aktin e dhunës së ushtruar ndaj Arbana Xharrës, duke thënë se “problemi nuk është te mungesa e lirisë së shprehjes, por te liria e krimit”.

“Arbana është viktimë e një prokurorie që nuk ndjek kriminelë, e një sistemi të drejtësisë që i mban të lirë dhe e një shteti që i ushqen ata”, ka shkruar Rexhepi në Facebook.

Producenti dhe autori i emisionit “Rubikon” të KTV-së, Adriatik Kelmendi, sulmin ndaj Xharrës e ka lidhur me gjuhën e ndyrë të përdorur ndaj saj kohëve të fundit në rrjetet sociale.

“Si duket na kanë lënë bukur pasoja traumat e luftës! Se vështirë të shpjegohet ndryshe nevoja e ethshme për gjetjen e individëve, të cilëve duhet në korr t’i bëjmë linç publik – me mllef, sharje e mallkime – vetëm se nuk pajtohemi me qëndrimet personale të tyre, orientimin jetësor të tyre. Sulmi i ligë ndaj Arbana Xharrës është ndërsyer edhe nga gjuha e ndyrë e përdorur ndaj saj kohëve të fundit në rrjetet sociale. Ngjashëm ndodhi edhe para pak kohësh ndaj shoqëruesit të Dardan Molliqajt. Me këtë mendësi së shpejti do të shohim edhe viktima. E viktimat do të jemi ne, shqiptarët, që kemi filluar të mos e durojmë njëri-tjetrin. Deri në linç, publik e fizik”, ka shkruar Kelmendi.

Kolumnisti i rregullt i “Kohës Ditore”, njëherësh drejtor në Institutin RIINVEST, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mospajtimet politike s’mund të përfundojnë në dhunë fizike.

“Sidomos ndaj një nëne e një gruaje të pambrojtur. Sot, të sulmuar jemi të gjithë. Ngjarje e mjerë. Fatkeqësisht, shteti i kapur s’ka për të zbardhur as këtë rast ndonjëherë. Si tolerues të zakonshëm të dhunës, e shkaktarë të shpeshtë të saj, të njëjtit mbijetojnë mes frikës lehtë”, ka shkruar ai në faqen e tij në Facebook.

Analisti dhe opinionisti i rregullt i “Kohës Ditore”, Halil Matoshi, ka thënë se sulmi mbi Arbanën është sulm mbi themelet e lirisë së Kosovës.

“I pajetueshëm është ai vend ku sulmohen e rrihen lajmësit (gazetarët) dhe akecili qytetar. I shkretë është një komb që ngrihet n’mëngjes me lajme të tilla. I lig është ai njeri dhe ajo mendje kriminale që ngre dore mbi një grua e nënën! Republika ka me u rezistue barbarëve dhe ka me i mund ata. Jam i sigurt”, ka komentuar Matshoi.

Reagim ndaj këtij sulmi ka pasur edhe nga ish-deputetja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku, e cila ditë më parë lajmëroi se do të tërhiqet nga politika aktive.

Ajo thotë se për shkak të rastit të Arbanës “nuk duhet pushuar së kërkuari drejtësi e sundim të ligjit sepse në një vend ku behet “normale” me vra, me rreh e me kërcënuar, e ku askush kurrë nuk dënohet ose kur dënohet nuk e merr dënimin e merituar, kriminelët marrin krahë dhe fuqizohen”.

“Amnistinë ua jep edhe heshtja jone kolektive”, thotë Demaku.

“Arbana e kaloftë shpejtë këtë përjetim të tmerrshëm dhe qoftë viktima e fundit. Kushdo që e sulmoi e marrtë dënimin e merituar”, u shpreh ish-deputetja Demaku. /Koha.net

Ndërron jetë vajza e mitur që u aksidentua në Rahovec

0

Nga raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës është bërë e ditur se ka ndërruar jetë një vajzë e mitur e cila ishte aksidentuar në rrugën e “UÇK-s” në Rahovec, më 26.04.2017.

“Rr. UÇK-së, Rahovec, më 26.04.2017-13:40h. Në lidhje me rastin raportohet viktima femër K/Shqiptare(fëmijë) e cila si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident trafiku ishte duke u trajtuar në QKUK, me 12.05.2017 e njëjta ka ndërruar jetë”, thuhet në raportin e policisë, përcjellë PrizrenPress.

“Ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, njofton policia. /PrizrenPress.com/