9.3 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 5985

Prizren: Shantazhon të dashurën me publikimin e fotografive, arrestohet

0

Policia në Prizren ka vënë në pranga një person të gjinisë mashkullore për shkak se ka shantazhuar të dashurën e tij.

Sipas njoftimit nga Policia, i dyshuari i kishte kërkuar të holla dhe stoli ari në mënyrë që të mos i publikojë fotografitë dhe komunikimet e tyre, shkruan PrizrenPress.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti ka shantazhuar viktimën femër K-Shqiptare duke i kërkuar të holla dhe stoli ari në mënyrë që të mos i publikojë fotografitë dhe komunikimet e tyre pasi që të njëjtit ishin në lidhje dashurie”, thuhet në raportin e PK-së, përcjellë PrizrenPress.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Larot e Pendës

0

Nga Faik Konica

Botuar më 1923

“Në kohërat e shkuara ka patur në Francë një soj njerëzish që quheshin ‘valets de plume’, domethënë ‘hyzmeqarë të pendës’.

Në Shqipëri, ku rastet e historisë dhe aspak dëshira e popullit, e çliruan vendin, leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i ‘hyzmeqarëve të pendës’.

Gjithë ata njerëz të cilët, po të kishte mbetur Shqipëria siç ka qenë, do të ishin bërë ‘laro’, domethënë njerëz të paguar për të ndihur në vrasje e në grabitje, mbeten sot pa punë; dhe që të mos rrinë pa bukë, ndërruan formën e veprimit të tyre, dhe nga ‘laro të pisqollës’ u bënë tani ‘laro të pendës’.

Domethënë i japin me qira pendën e tyre të mykur çdo njeriu i cili u hedh një urdhër.”

LDK-ja dhe VV-ja, të pavendosura për ushtrinë

0

Partia që e drejton Qeverinë e Kosovës (LDK) dhe subjekti më i madh opozitar ende nuk kanë vendosur nëse do ta votojnë në Kuvend projektligjin për FSK-në, i cili i jep kësaj të fundit kompetenca të ushtrisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Drejtuesit e partisë së kryeministrit Isa Mustafa kanë shprehur pakënaqësi me iniciativën e presidentit Hashim Thaçi që ta bëjë ushtrinë pa ndryshime kushtetuese, ashtu siç po kërkojnë aleatët strategjikë të vendit, SHBA-ja dhe NATO-ja, por nëpërmjet ndryshimit të Ligjit mbi FSK-në, ndërsa partia më e madhe opozitare vlerëson se pavarësisht se Kosova ka nevojë për ushtri, presidenti Thaçi është i pasinqertë dhe po tenton që me një iniciativë të tillë ta faktorizojë veten dhe ta avancojë pozicionin e tij.

Në anën tjetër, partia më e madhe politike në vend (PDK) dhe dy subjektet opozitare kanë konfirmuar për “Zërin” se do ta votojnë këtë ligj.

Sot tërhiqet shorti i Ligës së Kampionëve

0

Shorti i çerekfinales së Ligës së Kampionëve do të tërhiqet sot nga ora 12:00. Kurse, ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen më 11/12 dhe 18/19 prill.

Skuadrat që janë kualifikuar në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve janë: Barcelona, Real Madrid, Bayern Munich, Borussia Dortmund, Juventus, Leicester Cityt, Monaco dhe Atletico Madrid.

Rreth 40 mijë qytetarë kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës

0

Që nga viti 2009 e këndej, rreth 40 mijë qytetarë kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kjo shifër konsiderohet nga ekspertë të zhvillimeve në vend si mjaft shqetësuese.

Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme në Qeverinë e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e lirimit nga nënshtetësia në të shumtën e rasteve ka të bëjë me faktin se shumë shtete evropiane nuk lejojnë dyshtetësinë për shtetasit që nuk janë pjesë e Bashkimit e Evropian.

Numri më i madh i qytetarëve të Kosovës që janë liruar nga nënshtetësia, ka treguar Krasniqi, janë pajisur me nënshtetësi gjermane.

“Nga viti 2009 deri në janar të vitit 2017, shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë humbur me lirim, 37,823 persona. Duke pasur parasysh që shumica e shteteve të Bashkimit Evropian nuk e lejojnë dyshtetësinë për shtetasit që nuk janë pjesë e Bashkimit e Evropian, atëherë shtetasit e Kosovës që kanë vendbanimin e rregullt në këto shtete në rast të plotësimi të kushteve për fitimin e shtetësisë së këtyre vendeve janë të obliguar të heqin dore nga shtetësia paraprake”, ka thënë Krasniqi.

Zara Hetemi, së bashku me familjen e saj katër anëtarëshe, jeton në Gjermani dhe ka zgjedhur nënshtetësinë e këtij shteti, duke hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.

Ndonëse vendimi për ta lënë shtetësinë e Kosovës nuk ka qenë i lehtë, ajo thotë se kishte arsye të shumta pse e kishte ndërmarrë një hap të tillë.

“Kushtet të cilat na i ofronte Gjermania nuk do ta na i ofronte Kosova. Kështu që vendosëm të bëhemi shtetas të Gjermanisë. Emocionalisht nuk ka qenë e lehtë, por duke pasur parasysh që Kosova nuk ofronte arsimim cilësor për fëmijët, kushte ekonomike më të mira dhe shëndetësi të mirë, ne u detyruam të heqim dorë nga nënshtetësia e Kosovës”, thotë ajo.

Njohës të zhvillimeve në vend, lirimin e qytetarëve nga nënshtetësia e Kosovës e konsiderojnë një lajm të keq dhe mjaft shqetësues për vendin.

Si e tillë, kjo dukuri, thonë ata, kërkon reflektim serioz të atyre që e bartin përgjegjësinë publike.

Driton Selmanaj, nga organizata Demokraci Plus, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se kjo dukuri është mesazhi më i qartë dhe më trishtues që do të ishte për institucionet e Kosovës dhe për ata të cilët menaxhojnë me shtetin.

“Nëse kemi pasur një vlug të madh të njerëzve të cilët pas luftës u kthyen në Kosovë për të ndërtuar jetën e tyre nga gërmadhat, gjithçka nga zero, dhe tash me vetë dëshirë pas 17 viteve liri dhe 8 viteve pavarësi, heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, do të duhej të ishte shqetësimi më i madh për klasën tonë politike. Kjo tregon faktin se deri ku e kemi sjell dilemën e njerëzve për të jetuar apo mos jetuar në Kosovë”, thotë Selmanaj.

Kosova gjatë kësaj periudhe të shtet-ndërtimit, thotë Selmanaj nuk ka arritur të krijojë një shtet me qëndrueshmëri ekonomike dhe zhvillim, arsim më cilësor dhe shëndetësi më të avancuar.

“Mënyra se si është qeverisur Kosova, mënyra se si institucionet e Kosovës kanë menaxhuar me vendin ka dekurajuar perspektivën e njerëzve në Kosovë dhe shumica e të rinjve perspektivën e tyre e shohin vetëm jashtë vendit, duke marrë edhe vendim eklatant, pra duke hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës”, thotë Selmanaj.

Në bazë të regjistrimit të deritashëm, janë mbi 400 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Numri më i madh i tyre jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Regjistrimi i diasporës është duke vazhduar dhe pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Derisa, sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlerësohet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. (REL)

Reali përgatit ofertën për Donnarummën

0

Pak ditë më parë puthi fanellën e Milanit, një farë premtimi besnikërie por në futboll asnjëherë nuk mund të jesh i qetë, kështu dhe tifozët kuqezinj në lidhje me fatin e një prej zbulimeve më të mëdha të këtyre viteve të fundit. Gigio Donnaruma i ka magjepsur të gjithë por problemi është se në ndjekje të tij tashmë është vënë edhe Reali i Madridit. nëse në Itali donnaruma konsiderohet si trashëgimtari i Buffon, te Reali dy vjet pas largimit të Casillas, ende janë dëshpërimisht në kërkim të një trashëgimtari të denjë.

Portieri i Milanit ka mahnitur Europën dhe nëse verën e ardhshme tentativa e disatë e Realit për të arritur te De Gea do të dështonte, donaruma mund të detyrojë Los Blankcos të zgjidhin qesen, për të arritur te një portier që jep garanci për shumë vjet. La Liga fitohet duke blinduar portën ndërsa Reali këtë sezon edhe pse kryeson kla pësuar më shumë se një gol për ndeshje. Klubi madrilen do të ishte gati të plotësonte të gjitha kushtet, jo vetëm ekonomike të Milanit që dëshiron ti rinovojë kontratën Donarumës deri në vitin 2020. Për të kënaqur portierin i cili dëshiron të mbajë veshur fanellën kuqezi deri sa të kuptojë se cila do të jetë e ardhmja e Milanit, por edhe për të lejuar një rritje të mëtejshme të kartonit të tij, që edhe tani e ka kaluar vlerën e 50 milionë eurove. vec të tjerash tifozët e Milanit kështu do të mund të qetësoheshin duke fituar pak besim, në pritje të ditëve më të mira.

Kritikat e Mirsad Çollakut

0

Për ngjarjet dhe incidentet e djeshme në Podujevë ku është zhvilluar ndeshja çerekfinale e Dixhitalb Kupës së Kosovës në futboll ndërmjet Llapit vendas dhe Lirisë së Prizrenit, të enjten në TV Prizren, ka folur kryetari i klubit prizrenas, Mirsad Çollaku. Dje në stadiumin “ Zahir Pajaziti” në Podujevë , janë shënuar incidente dhe mjaft tensione në ndeshjen Llapi- Liria, të cilën vendasit e fituan pas lojës shtesë me rezultat 4:3 ( 3:3).

Kryetari i klubit Liria, Mirsad Çollaku, tha se rezultati u vendos në favor të vendasve nga padrejtësitë që iu bënë skuadrës sonë nga referi i këtij takimi.

Ai për këtë çështje thotë se gjithçka ka rrjedhur në regji të arbitrit, Besnik Batalli, i cili ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes në favor të vendasve, duke ndëshkuar me karton të kuq lojtarë prizrenas, dhe duke pranuar gola të parregullt të llapjanëve.

Kryetari Çollaku, përveç kritikave për referim tendencioz, u shpreh i pakënaqur edhe me mikpritjen e drejtuesve dhe shikuesve të skuadrës llapjane.

Kryetari i klubit prizrenas,Mirsad Çollaku, tha se më së shumti nga kjo ngjarje është dëmtuar futbolli, ndërsa shtoi se nuk na duhen 200 mijë euro sa merr fituesi i garës më masovike të futbollit në Kosovë, nëse rrezikohet jeta e ndonjë të riu qoftë si lojtarë apo edhe shikues në tribuna.
Ai në fund shpehu besimin se organet përkatëse të FFK-së do të merren me këto shqetësime të drejtuesve të skuadrës prizrenase, dhe në radhë të parë të vihen në mbrojtje të futbollit dhe jetës së futbollistëve si dhe të gjithë akterëve tjerë që janë pjesë e ngjarjeve të këtilla sportive

Legjenda për dashurinë e pafat të bariut nga Lutogllava e Prizrenit

0

Fshati Lutogllavë i Prizrenit ka histori të shumta. Sipas emërtimit të ri, ky fshat tashmë quhet Legjendë. Kryetari i këtij fshati, Ahmet Aliaj, është shprehur për “Kosova Sot” se fshati njeh dy histori për emërtimin e derivonshëm të këtij fshati, të bariut Luto, që mund të jetë e Lutfi Agës dhe për faktin se kështu është quajtur nga banorët e atëhershëm e kishin kokën të nxehtë.

Nusja e dashuruar në bariun

Plaku Zaim Berisha emërtimin e derivonshëm të fshatit Lutogllavë e shpjegoi në këtë mënyrë: “Një djalë i ri punonte si bari tek një zotëri, i cili kur e kupton se ky e dashuronte vajzën e tij e fejon të bijën me një djalë tjetër. Kur bariu merr vesh se e dashura e tij po martohej, i shfaq dashurinë për të bijën dhe i kërkon dorën e saj. Zotëriu refuzoi dhe e dëboi bariun, megjithëse ky e paralajmëroi se ata nuk ndaheshin nga njëri-tjetri edhe sikur të vdisnin. Kur erdhi dita e dasmës dhe krushqit erdhën të marrin nusen, thuhet se një plakë u tha: O krushq të mirë, nusja që keni në kalë është e dashura e tim biri”. Shton se ata i kanë dhënë besën njëri-tjetrit të mos ndahen kurrë.

Nusja ngre duvakun dhe thotë “O burra trima, unë nuk jam nusja juaj, por e trimit të kësaj ane, e kjo nënë është nëna e bariut tonë. Krushqit mbetën të habitur, por nuk u tërhoqën, mbasi zakoni e donte që ta shpinin nusen me doemos në shtëpinë e dhëndrit ku kishte filluar dasma. Por, kur krushqit filluan rrugën nusja kërkoi që për herë të fundit të shihte dhe të pinte ujë në Vrellë dhe aty thuhet derisa ajo do të pinte ujë e sheh djaloshi i dashuruar. Begu ia kishte vrarë të dashurin, ia kishte prerë kokën dhe ia kishte lëshuar të poshtë për ta parë nusja”, është shprehur ai.

Sipas tij, në atë moment ajo e kishte parë kokën dhe kishte thënë Lutogllava dhe prej aty fshatit i kishte mbetur ky emër. Sipas Berishës, ajo ishte hidhëruar aq shumë kur kishte e parë kokën e bariut. Sipas Berishës, prej atij momenti uji ku nusja kishte parë kokën e të dashurit ishte shndërruar në një lloj magjie dhe prej aty ai ujë pihet nga banorët, sepse mendojnë se mund t’i shërojë njerëzit. Berisha thotë se këtë histori e ka dëgjuar nga gjyshi i tij. Banorët e quajnë këtë fshat legjendë pikërisht për shkak të legjendave të shumta. Deri më tani qarkullojnë këto legjenda, ajo e kokës së nxehtë dhe kokës së Lutës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Mbytja e qengjave

Aliaj shpjegon lidhur me legjendën për bariun. “Nëna kishte një djalë, por për shkak të nevojës ajo e kishte detyruar të birin të bëhej bari. Mirëpo një ditë bariu kthehet në shtëpi dhe i tregon së ëmës së është mërzitur shumë si i kishte humbur fyelli. Nëna e nxori fyellin dhe e pyeti mos është ky, e ai u gëzua dhe i tregoi se fyellin e ka humbur në mal. Nëna i tregoi se fyellin e ka sjellë Vrella. Me të kuptuar këtë bariu filloi të keqpërdorë vathën dhe shpesh i priste qengjat dhe i lëshonte në lumë. Një ditë këtë gjë agai, pronari i vathës, e ka hetuar. Ai kishte vendosur që t’ia priste kokën dhe ta lëshonte në lumë. Derisa nëna priste të vinte një qengj e sheh kokën e djalit të saj, Luto, dhe thotë Lutogllava”, tregon Aliaj. Ai thotë se janë këto legjenda që i ka përcjellë fshati brez pas brezi. Fshati ka edhe legjenda të tjera që lidhen me këtë.

(Kosova Sot)

I riu nga Prizreni që po i përlot të gjithë me këngën e tij (VIDEO)

0
Brahim Osmanaj është një djalosh 12 vjeçar nga Prizreni, dhe sapo ka filluar karrierën e tij muzikore duke ardhur me këngën “Luftëtarët e Lirisë” e cila pritet të arrijë shumë klikime duke pasur parasysh tematikën e kësaj kënge.
Kjo këngë i është kushtuar gjyshit të tij Mursel Osmanaj ish-Komandant i Ushtrisë Qlirimtare të Kosovës, dhe xhaxhait të tij Brahim Osmanaj dëshmorë i rënë në luftën qlirimtare kundër okupatorit Serb.
Për të parë dhe dëgjuar debutimin e Brahimn Osmanajt në skenën muzikore shikoni videon./Flash24.info/

https://youtu.be/2OAbk01hGa8

Sfida kineze e Trump-it

0

Shkruan: Brahma Chellaney

Kina do të vazhdojë që t’i sfidojë aleatët amerikanë dhe interesat e tyre

Trump nuk është figura e vetme në administratën e tij që në fillim ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj Kinës, për t’u zmbrapsur më pas me bishtin ndër shalë.

Gjatë tetë viteve të kaluara, derisa qëndrimi i Kinës në Azi është duke u bërë gjithnjë e më agresiv, shumë e kishin kritikuar presidentin amerikan, Barack Obama, se kishte dështuar që ta kundërshtonte këtë gjigant aziatik. Ishte gjatë mandatit të Obama-s që Kina mori Cekëtinën e diskutueshme Skarborou nga Filipinet dhe ndërtoi shtatë ishuj artificialë në Detin jugor kinez, ku më pas vendosi armë të rënda, të gjitha këto pa paguar asnjë kosto ndërkombëtare. Janë të shumtë ata që presin se trashëgimtari i Obamas, Donald Trump, do ta ndryshojë tërë këtë. Por, fillimi i tij në këtë drejtim nuk është i mbarë. Gjatë kampanjës, Trump kërcënonte se do të hakmerrej ndaj Kinës për “dhunimin” e Amerikës në fushën e tregtisë, se do të vendoste tarifa të larta në importet kineze dhe se do ta shpallte Kinën si manipuluese të valutave që nga dita e parë e tij në post. Menjëherë pas fitores, Trump mori një telefonatë urimi nga presidenti i Tajvanit, duke thyer kështu ortodoksinë diplomatike, të vjetër gati 40 vjet. Trump më pas i çoi gjërat edhe më larg, duke sugjeruar publikisht se do ta përdorë politikën e “një Kine”, si mjet pazarllëku në negociatat bilaterale rreth çështjeve kontestuese ekonomike dhe të sigurisë, duke filluar nga tatimet e importeve, e deri te Koreja Veriore.

Kina tani e percepton Trumpi-n si një krijesë, e cila vetëm leh Por, më pas Trump u tërhoq. Presidenti kinez, Xi Jinping, e bëri të qartë se nuk do të pranonte të bisedonte me presidentin amerikan, nëse ai nuk do t’i përmbahej politikës së “një Kine”. Telefonata më pas ndodhi dhe Trump bëri mu atë që kërkoi Xi, duke mos marrë asgjë në këmbim. Nëse Kina tani e percepton Trumpin si një krijesë e cila vetëm lehë, e nuk kafshon, atëherë Trump do ta ketë gjithnjë e më të vështirë që të sigurojë lëshime nga Kina në tregti dhe në çështjet e sigurisë. Trump nuk është figura e vetme në administratën e tij që në fillim ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj Kinës, për t’u zmbrapsur më pas me bishtin ndër shalë. Gjatë procesit të konfirmimit të tij në Senat, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, deklaroi se SHBA-ja duhet t’ia dërgojë Kinës një sinjal të qartë, duke ia penguar asaj qasjen në ishujt artificialë në Detin jugor kinez. Ai tha se zgjerimi i Kinës në regjion, ishte i ngjashëm me marrjen e Krimesë nga ana e Rusisë, gjë që paraqiste një kritikë implicite ndaj Obamës, i cili lejoi këto dy zhvillime. Por, Tillerson, sikur edhe shefi i tij i ri, shumë u zmbraps. Ai tani thotë se SHBA-ja duhet të jetë “e aftë” që ta kufizojë qasjen e Kinës në ishujt e Detit jugor kinez, në rast të ndonjë pasigurie. Por, veprimet e Kinës meritojnë një reagim më të fuqishëm tani nga ana e SHBA-së. Ky vend është duke tentuar t’i japë fund status quo-së jo vetëm në Detin jugor kinez, por edhe në Detin lindor kinez dhe në Himalaje. Kina është duke punuar për ta krijuar një sferë të gjerë të ndikimit në kuadër të iniciativës së saj “një rrip, një rrugë”. Dhe, ajo është duke ua ndryshuar rrjedhën lumenjve ndërkufitarë. E tërë kjo ka për qëllim realizimin e ambicies së liderëve kinezë, të rithemelimit të statusit mistik të vendit, statusit të “Mbretërisë së mesme”.

Kina shndërrohet në një gjigant eksportues Politika me të meta e SHBA-së e ka mundësuar realizimin e këtyre përpjekjeve, pjesërisht duke ndihmuar Kinën që të shndërrohet në një gjigant eksportues. Problemi nuk qëndron te fakti që Kina ka një ekonomi të fortë, por te fakti se ajo abuzon rregullat e tregtisë së lirë, për subvencionimin e eksporteve dhe pengimin e importeve, me qëllim që të ruajë vendet e punës në vend. Sot, Kina i shet mallra SHBA-së me vlerë 4 dollarë për çdo 1 dollar të importit. Është ironike sesi Kina, e cila me vite të tëra ka zhvilluar luftë tregtare në heshtje, ka reaguar ndaj kërcënimeve të Trump-it për imponimin e tarifave ndëshkuese, duke tërhequr vërejtjen ndaj rrezikut të proteksionizmit dhe luftërave tregtare. Por, jo të gjithë besojnë në këtë rrëfim të Kinës. Një numër në rritje i vendeve janë duke parë se reciprociteti duhet të jetë bazë e marrëdhënieve të tyre me Kinën. Vetë Trump mundet ende ta sfidojë Kinën. Kur ai pranoi që ta respektonte politikën e “një Kine”, ai tha se e kishte bërë këtë në bazë të kërkesës së presidentit Xi, duke bërë me dije se përkushtimi i tij ndaj kësaj politike nuk duhet të merret si i gatshëm. Për më tepër, edhe pa e sfiduar politikën e një Kine, Trump ka hapësirë të mjaftueshme për të ushtruar presion. Ai mund të fillojë duke vënë theksin te rritja e represionit kinez në Tibet. Ai po ashtu mund t’i zgjerojë kontaktet ekonomike, tregtare, politike dhe ushtarake me Tajvanin. Sido që të jetë, derisa Kina vazhdon që t’i ndjekë ambiciet e saj hegjemone, Trump nuk do të ketë shumë zgjidhje, përpos që të përqendrohet te Azia, në mënyrë substanciale, e jo vetëm si retorikë, sikur që kishte bërë Obama. Me qëllim të përmbajtjes së Kinës dhe të kthimit të stabilitetit në Azi, atij do t’i duhet që të punojë ngushtë me miqtë. Përpjekjet e tij për ta krijuar një lidhje personale me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, si dhe prioriteti i lartë, të cilin administrata e tij ia jep marrëdhënieve me Indinë dhe Korenë e Jugut, janë disa shenja pozitive. Duke dështuar që të ofrojë diçka konkrete në këtë drejtim, Obama mbeti vetëm te fjalët rreth strumbullarit aziatik. Trump e ka mundësinë dhe përgjegjësinë që ta ndryshojë tërë këtë. Nëse ai nuk e bën këtë, atëherë Kina do të vazhdojë që t’i sfidojë aleatët amerikanë dhe interesat e tyre, me pasoja serioze për Azinë dhe botën