Home Blog Page 5990

Apeli cakton seancën në rastin e Ramadan Mujës

0

Gjykata e Apelit e ka caktuar seancën e kolegjit në rastin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe 5 zyrtarëve të tjerë komunalë.

Muja dhe zyrtarët e tjerë komunalë akuzohen për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Seanca do të mbahet më 17 maj 2017, në ora 10:00, në objektin B të Pallatit të Drejtësisë.

Kolegji përbëhet nga dy gjyqtarë vendorë dhe një gjyqtar i EULEX-it.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, së bashku me pesë zyrtarë tjerë komunalë më 13 mars 2014 u gjetën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rast të vërtetimit të dënimit, Prizreni do të duhej të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunës.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale./kallxo.com/

Sonte nis festivali “Hasi jehon 2017”

0

Nën qiellin e hapur, sonte ( e enjte) në orën 18 me hapjen solemne, nis edicioni i 18 festivalit të folklorit burimor “Hasi jehon 2017”

Në orën 18 e 30 me porgramin e përgatitur enkas për këtë festival në natën e parë do të paraqiten 7 Shoqri Kulturore Artistike, ndërsa e para para publikut që tradicionalisht është në numër të madh do të paraqitet mikëpritësi ShKA “Malësori”

Traditën e Krumës së Hasit në edicionin e edicionin e 28 do ta shpërfaq Grupi i folklorit burimor që vepron në kuadër të Pallati i Kulturës “Pjetër Bogdani” nga Kruma e Hasit të Sqhipërisë.

Për herë të parë në festivalin Hasi jehon merr pjesë Grupi “Boras” i shqiptarëve nga Suedia, organizëm kulturor ky që në këtë shtet skandinav ruan traditën shqiptare.

Në natën e parë me programet e tyre do të paraqiten edhe: ShKA “Kqira” nga Puka, ShKA “Bajram Curri” nga Krusha e Madhe, ShKA “Bresana” nga Bresana dhe

ShKA “Shote Galica” nga Drenasi

Festivali Hasi jehon u themelua me 8 mars të vitit 1975

ShKA “Malësori është themeluar nga mësuesit e fshatit më 8 mars të vitit 1975.

Që nga themelimi ShKA “Malësori” u mendua si një katalizator emancipimi për fshatin dhe rajonin.

Sidomos në fillimet e para të aktivitetit, u përball me vështirësi, për ti kapërcyer ato, dhe për tu shndërruar sot në krenari, jo vetëm të fshatit Gjonaj, jo vetëm të Kosovës, por të pasurisë gjithëkombëtare folklorike.

Një vit pas themelimit “Malësori” organizoi festivalin e parë “Hasi Jehon”. Ky festival në fillim është quajtur Rivista e ShKA-ve dhe grupeve dramatike dhe ishte dedikuar për shfaqje artistike të grupeve të Hasit.

Festivali u mbajt deri në vitin 1979. Në vitin 1980 festivali nuk u mbajt për shkaqe politike.

Në vitin 1983 Festivali “Hasi Jehon” rikthehet në skenë për të vazhduar çdo vit, deri në vitin 1988. Në këto vite “Malësori” ishte shndërruar në një ShKA me potencial të pasur kulturo –artistik, duke e prezantuar me sukses Kosovën në festivale ballkanike e ndërkombëtare.

Festivali “Hasi Jehon” menjëherë pas luftës u rikthye fuqishëm me edicionet mbarëkombëtare të pjesëmarrjes së organizmave kulturor.

Ky festival sot quhet “Dasma Hasjane”, e në këtë dasmë parakalon pasuria folklorike e gjithë gjeografisë shqiptare.

Nëpër vite festivali “Hasi Jehon” u shndërrua në ngjarjet më të organizuara dhe më të suksesshme kulturore në Kosovë, duke i zgjeruar aktivitetet që organizohen në kuadër të festivalit.

Skenari i PDK-së për zgjedhje

0

Partia më e madhe në vend (PDK) është e interesuar që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi ka frikë se rezultati i zgjedhjeve lokale mund të jetë i pafavorshëm. Një skenar i tillë do të kishte efekte negative për partinë nëse zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen vitin tjetër, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Drejtues të partisë më të madhe në vend (PDK) janë të interesuar që Kosova të shkojë në zgjedhje ta parakohshme parlamentare nga frika e rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve lokale të këtij viti.

Kështu bëjnë të ditur burime të gazetës “Zëri”, sipas të cilave krerët e partisë kanë frikë se në zgjedhje lokale të këtij viti mund të pësojnë “debakël”, e cila mund të reflektonte në rezultatin e zgjedhjeve të rregullta parlamentare që duhet të mbahen në qershor të vitit tjetër.

Sipas këtyre burimeve, PDK-ja përpos që nuk ka gjasë ta fitojë Prishtinën në zgjedhje, ka rrezik që ta humbë edhe Prizrenin, apo siç e kanë quajtur “Jerusalemin e PDK-së”, për shkak të keqmenaxhimit që ka ndodhur në atë Komunë për vite me radhë.

Analistët politikë pohojnë se PDK-ja ka frikë nga rezultati i zgjedhjeve lokale të këtij viti, prandaj është e interesuar që të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndonëse kjo mohohet nga drejtuesit e partisë më të madhe në vend./zeri/

Manovra e pashpresë e LDK-së për Demarkacionin

0

Manovrimin e radhës që po e bëjnë partnerët e koalicionit qeverisës, duke e diskutuar propozimin e fundit të LDK-së për demarkacionin, analistët politikë po e shohin si një përpjekje të kotë dhe tendencë të re të Qeverisë për të blerë kohë nga pamundësia e deritanishme e sigurimit të votave të mjaftueshme për ratifikim e marrëveshjes. Ata konsiderojnë se nuk është aspak zgjidhje reale dhe kompromis i mundshëm për zhbllokim të situatës drafti propozuar për ratifikim, i cili do të përmbajë edhe një pikë të nenit me të cilin obligohet Qeveria e Kosovës, që pas dy viteve ta rishqyrtojë një pjesë të vijës kufitare kontestuese me Malin e Zi.

Është një konstatim pothuajse krejtësisht unik i ekspertëve të legjislacionit dhe analistëve politik, sipas të cilit, marrëveshjet e karakterit ndërkombëtar ratifikohen me ligjet përkatëse, të cilat i përshtat Qeveria e një vendi, por nuk është aspak e pranueshme në praktikat e marrëdhënieve ndërkombëtare, që një marrëveshje të nënshkruar mes dy shteteve të ndryshohet njëanshme dhe të ratifikohet në Parlament, me ndryshime plotësuese nga dokumenti bazik origjinal i firmosur mes palëve. Profesori Riza Smaka konsideron se ky propozim i çuditshëm, i cili del nga vetë subjekti politik prej të cilit vjen edhe kreu i ekzekutivit, nuk ka asnjë bazë ligjore të mundshme të miratimit si të tillë në Kuvend, por vetëm do të mund të përdoret për blerje kohe për presion kundërkushtetues ndaj deputetëve të LDK-së, të cilët deri më tani kanë qenë të pozicionuar drejt në kundërshtimin e marrëveshjes. “Nisma e një grupi të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi (Marrëveshja për Demarkacionin) me kusht për t’u rishikuar pas një periudhe kohore, është e paprecedencë në praktikat e marrëveshjeve ndërkombëtare, përkatësisht ndërshtetërore, në përgjithësi e veçanërisht në çështjet e delimitacioneve dhe demarkacioneve kufitare, në kundërshtim me parimet themelore të marrëveshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të marrëveshjeve ndërshtetërore”, theksoi Smaka.

Qëllime të rrezikshme

Po këtë mendim e ndan edhe analisti Jeton Kelmendi, i cili vlerëson se prapa këtij propozimi ka qëllime shumë të rrezikshme që nuk do të duhej lejuar të realizohen.”Kjo ide nuk është aspak realiste, sepse nuk ka marrëveshje ndërkombëtare me anekse shtesë, por kjo është iniciativë e kamufluar e vetë Qeverisë, që vjen pas presioneve ndërkombëtare pikërisht ndaj këtyre deputetëve, ku edhe do të mund të kalojë ratifikimi edhe ky grup deputetëve do të ruajë fytyrën për ndryshim qëndrimi, duke thënë se gjoja ata ishin që kanë bërë diçka. Thjesht kjo është për apetitet e Isa Mustafës për të mbetur edhe ndonjë ditë në karrigen e shefit të Qeverisë, sepse aleati Kadri Veseli po e shantazhon me ratifikimin e Demarkacionit, si pretekst për të shkuar në zgjedhje”, u shpreh ai. “Nuk duhet pritur më kjo punë, por duhet të rrëzohet kjo marrëveshje dhe të shikohet për ide tjera se si të behet me këtë çështje. Sido që të jetë, kjo pritje nuk i duhet Kosovës, sepse po e bllokon në procesin e integrimeve, mirëpo duhet kujdes që deputetët të mos bien pre e mashtrimeve të Mustafës, por ta rrëzojnë këtë pazar të bërë nga Hashim Thaçi para dy e më shumë vitesh. Fundja edhe mund të mos shikohet në zgjedhje, ose edhe të shikohet nuk rrotullohet bota, por jo të humbet ai territor, sepse kjo është përgjegjësi historike e deputetëve të Republikës”, theksoi më tej ai. “Rrëzimi i kësaj marrëveshje pa dyshim se do t’i shtensionojë raportet politike dhe vetëm të mira do t’i sjellë Kosovës, sepse tanimë janë të ditura të gjitha specifikat e këtij demarkimi dhe për një periudhë prej 6 muajsh mund të arrihet te një marrëveshje e re ose të shkohet në arbitrazh dhe çështja të zgjidhet”, tha Jeton Kelmendi.

Qeveria u tregua neglizhuese

Politologu Arsim Haziri thotë se çështja e demarkimit iu ka kushtuar mjaft si institucioneve ashtu edhe shoqërisë sonë, pasi po bëhen dy vite kur edhe kishte filluar ky proces, prandaj nuk beson që edhe ky manovrim i fundit do ta japë zgjidhjen që do të ishte në interes të vendit.”Përgjatë kësaj kohe institucionet tona kanë dëshmuar se nuk janë të afta as nuk kanë gatishmëri që të përmbyllin procese, të cilat janë të karakterit nacional. Mirëpo, siç duket mbështetur edhe sipas gjendjes reale, versioni i komisionit qeveritarë në relacion me matjen e territori ia ka huqur duke mos treguar profesionalizëm dhe vullnet praktik. Qeveria aktuale përmes neglizhencës të këtij procesi është duke treguar qartazi se vlerësimi ì komisionit të përcaktuar për atë çështje, përpos që s’ka qenë profesional, ai ia ka huqur në përcaktimin e sakte të vijës kufitare, çka njëherësh ka ngjallur pakënaqësi si brenda gjithë subjekteve politike ashtu edhe brenda asaj zone që preket nga demarkacioni”, theksoi Haziri. Analisti politik Faton Mehmeti mendon se me këtë veprim LDK-ja ka filluar të ndiejë peshën e dështimit të pritshëm të saj, që do të konfirmohet në zgjedhjet e ardhme, prandaj po përdor manovra të ndryshme për t”i shtyrë sa më shumë zgjedhjet, në mënyrë që të themelohet së pari Gjykata Speciale, si shpresë se mund t”i arrestojë rivalët e saj politikë dhe kështu në fatkeqësinë e tyre LDK-ja t’i fitojë eventualisht zgjedhje e radhës. “LDK-ja gjendet në krizën më të madhe të saj që nga themelimi, krizë besimi që vështirë të riparohet për një kohë të gjatë. Isa është njeriu që çdoherë i ka thyer premtimet e tij, e njëra ndër to ishte se demarkacioni do të vonohet ashtu siç është, edhe me arrogancën e tij të zakonshme tha se kjo është punë e kryer, e tani që iu ka zënë bishti me derë po kërkon alibi që t”i bindur deputetët e partisë së tij që ta votojnë për ta shpëtuar veten”, ka potencuar Mehmeti/kosova sot/

Kukullat e Flutura Açkës

0

Flutura Açka është një prej shkrimtareve më serioze të brezit të ri. Me një analizë të thellë të strukturës politike dhe mentalitetit shqiptar pati një sukses të jashtëzakonshëm me librin e saj të fundit “Kukullat nuk kanë atdhe”. Femra shqiptare njohu një dimension të panjohur në prozën e saj, duke e rradhitur shkrimtaren në pidestalet e kulturës shqiptare. Flutura shquhet dhe si aktiviste e flaktë e mendimit intelektual shqiptar për problemet më të nxehta që dhembin vendin tonë. Kemi zhvilluar një bisedë me shkrimtaren e njohur për librat e ardhshëm, për gjendjen akute në të cilën ndodhet kultura shqiptare e shumë çështje të tjera…
“Kukullat nuk kanë Atdhe” ishte një sukses në krijimtarinë tuaj. Si e priti kritika, dhe a ka ndonjë ngjarje interesante me lexuesit?

Për “Kukullat nuk kanë Atdhe” janë botuar mjaft shkrime, dhe është pritur shumë mirë në kohën që u botua, madje ajo frymë pëlqimi e ndjek ende, derisa të botoj romanin e radhës. Flas për kritikën aktive që merret me letërsinë sot, sepse një pjesë e mirë e kritikës shqiptare merret ende me të vdekurit, ose me të gjallët që e kontrollojnë ose e intimidojnë atë. Unë nuk kam kohë për këtë, detyra ime është të shkruaj, secili duhet të bëjë detyrën e tij. Njëherë rastësisht pyeta një profesoreshë letërsie në katedrën tonë të letërsisë në Tiranë, institucion që e shoh si qendra e “matrikullimit” të veprave letrare, ose së paku siç pretendohet se ndodh aty. “A ke lexuar ndonjë libër timin?”, i thashë. “Jo,” m’u përgjigj, “nuk m’i ke dhënë.” Ka kaluar kohë nga kjo bisedë dhe nuk ia kam dhënë ende, sepse përgjigjja e saj më bëri një shpjegim thelbësor të nivelit të kritikës sonë. Por gjëja më e çuditshme që kam dëgjuar për veten në lidhje me kritikën, ka qenë kur pasi i fola njëherë e shqetësuar një mikut tonë të letrave, për këtë shkujdesje të kritikës ndaj letërsisë së pas 90-tës, ai më tha me beft: “Ti nuk e ke kuptuar, ti e ke fajin vetë. Ty të shohin si shkrimtare seksi dhe që shkruan pa tabu për seksin.”

Sa gjë qesharake m’u duk ky konstatim, sepse vjen prej njerëzish që nuk të lexojnë. Kështu që thjesht po pres të plakem, sepse kufij vetes në të shkruar, nuk i bëj dot. Atë ditë kur ta bëj këtë, nis edhe autocensura. Por kritiku im më i mirë, mbetet lexuesi, i cili ka 25 vite që më ndjek me besnikëri, madje me keqardhje e ndjej se kureshtja e lexuesit ndaj meje, ecën me ritëm më të shpejtë se ajo çfarë i ofroj unë atij.

Romanin “Kukullat nuk kanë Atdhe”, lexuesi e përpiu dhe e shpërndau me ethen e një trakti, sepse në fakt është një libër i tillë: Një akuzë ndaj dëmit të madh që politika i bëri Shqipërisë në tranzicion. I bëri them, por në fakt vazhdon t’i bëjë ende me papërgjegjshmërinë më të madhe. Shqipërinë demokratike nuk e ka drejtuar një dorë e politikanësh që synonin demokraci, por mentaliteti i dhunshëm prej sulltanati, ndryshe, një vend kaq i vogël si Shqipëria, me kaq banorë e me kaq burime e në zemër të Europës, do të ishte bërë.

Ju jeni nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, si e pritët këtë titull nga presidenti?
Më erdhi mirë, para së gjthash sepse vjen nga një institucion që është më larg ngjyrave të partive, siç e gjykoj unë institucionin e presidentit. Unë nuk jam shkrimtare çmimesh, sepse nuk bëj pjesë në klubet e vogëltha ziliqare shqipare, mënyra e vetme për trofera letrare tek ne, ndaj i jam mirënjohëse kujtdo që e ka propozuar emrin tim, nuk e di se kush, por jam e bindur se duhet të më ketë lexuar patjetër.

Jeni një ndër poetet më të mira, klasifikuar në dhjetëshen e poetëve më të mirë shqiptarë. Por keni shkëlqyer dhe në prozë. Cila në fakt është dashuria juaj? Kë konsideroni si kalin tuaj të betejës?

Faleminderit, unë nuk e di ku hyj, këto ndarje janë gjithnjë subjektive. Të dyja, edhe poezia edhe proza, janë dashuritë e mia. Poezi botoj më rrallë dhe me keqardhje shoh që edhe jeta ime ka ritmin dhe maturinë e prozës, jo më të atë hovin dhe spontanitetin e poezisë. Proza është mënyra se si unë frymoj, madje ka arritur një çast kur një pjesë e mirë e lexuesit më ndjek si prozatore. Ky kalim erdhi natyrshëm, vjen një çast dhe ti e ndjen se poezia është rrobë e ngushtë, megjithëse ka thellësinë e kozmosit. Por është një hapësirë e brendshme që nuk shihet, nuk preket, pasi lidhet me shtresimet më superante të subkoshiencës, një nga arsyet pse poezia ka pak lexues. Kur vjen ai çast i të rënit në dashuri me prozën, ti e ndjen se ke nevojë të shtrihesh më shumë, të komunikosh më gjatë dhe t’i shtjellosh idetë e tua. Proza ta jep mundësinë e ndërtimit të një jete a disa jetëve paralele, a thua se kjo botë është shumë e vogël për ty.

Proza për mua ka qenë shtegtimi për te territoret që nuk kanë kode, ligje, rregulla, dënime e kufizime, për një ithtareje të lirisë pa caqe si unë, proza ishte mënyra më e mirë e materializimit të saj. Pasi liria ime është më së shumti mentale, duke jetuar këto jetë paralele, më është krijuar bindja se kam harruar të jetoj jeten time, aq shumë kam qenë e rrëmbyer prej tyre. Jo si përjetim, por largim nga realiteti qe shpeshherë më është dukur i pajetueshëm. Proza ime është një nevojë imja për një botë më të madhe se kjo që më rrethon, një nevojë për shtegtim nga një frikë a shtypje që më jep përdita si qenie njerëzore. Shpesh në këtë ‘luftën civile’ mes koshiencës dhe subkoshiencës, unë kam qenë në anën e së dytës, i kam marrë diçka jetës së njeriut për t’ia dhënë atë gjë jetës së shkrimtarit. A është kjo normale? Nuk e di…

Jeni shumë aktive në rrjetet sociale. Mos vallë ndonjë hyrje e re në politikë?

Unë jam shkrimtare dhe fjala është medium im, ndoshta për shkak të pozicionimit tim të hershëm edhe në rolin e publicistes, kjo bie më shumë në sy. Fundja dikur kam qenë gazetare. Kjo është zgjedhje, ka shkrimtarë që mund të kenë të njëjtin shqetësim publik si unë, por nuk kanë dëshirë ta artikulojnë, ka të tjerë që duan të mbeten “politikisht korrektë”, ka të tjerë që nuk kanë kurajë, nuk mund t’i kërkosh shkrimtarit të jetë hero i kohës. Kjo lidhet edhe me natyrën e njeriut.

Kritikët asnjë qeveri nuk i do, dhe kjo më ka lënë mua jashtë protokolleve, fondeve, privilegjeve dhe kujdesit shtetëtor, kështu po e quaj detyrimin e shtetit ndaj talenteve të vet për të cilat ka përgjegjësi. Ndaj ky lloj artikulimi publik është zgjedhje personale e imja. Pastaj politika sot luan kaq pisët dhe Shqipëria po kalon ditë kaq problematike, sa nuk e di se si mund të heshtësh, unë nuk e shoh të udhës të hesht, ose më mirë, nuk di se si të hesht. I ‘admiroj’ ata që e kanë fjalën armë të tyre, por dinë fare mirë të heshtin, duhet të kenë një shqisë që mua më mungon, një shqisë mosvramendjeje.

Mua natyra më bëri njeri më të paqetë se sa një shkrimtar-shkrimtar duhet të jetë. Për angazhimin politik, nuk e di, kam patur disa herë oferta, por liria ime është gjëja më e çmuar që kam. Partitë në Shqipëri nuk janë institucione demokratike, dhe roli i njëshit është akut. Si mund të pranoj të vë kapistër pas një jete ushtrimi (për veten) dhe leksioni (për të tjerët) Lirie? Nuk e kam menduar, pasi nuk ka qenë asnjëherë rasti të përgjigjem me Po ose Jo, kështu që nuk e kam patur asnjëherë seriozisht idenë e përfshirjes në politikë. Vetëm një ideal i madh do të më shtynte të hyja në politikë, por ideali realizohet me shokë të ngjashëm, që ai të mbetet siç e ke projektuar ti në mendjen tënde. A i gjen ti këta shokë në politikë, që të ndikosh në fatin e të tjerëve dhe të ruhesh nga balta nëpër të cilën të shtyn shpesh politika shqiptare? Këtë nuk e di. Ajo që di është se unë nuk kam nevojë për politikën, politika mbase ka nevojë për mua, kështu që nëse ndonjëherë do ta mendoja, kushtet do t’i vendosja unë.

Çfarë jeni duke shkruar ndërkohë?

Po, në prozë, jam në mbyllje të një romani të ri, publikimin e të cilit e kam menduar në vjeshtë. “Mysafirë në rrethin e dhjetë” titullohet, së paku deri tani. Është një vepër mbi identitetin, veçmas identitetin e qenies mes kulturave ku jeta shpesh na detyron të mbijetojmë. Është një roman me trafik të madh, si dy romanete mi të fundit, dhe sërish me atë barrën e Atdheut të paqartë. Është një barije nëpër “Ferrin” e Dantes, të mënyrës si e perceptoj unë atë vepër të patjetërsueshme.

Ç’mendim keni për poetët dhe shkrimtarët e viteve pas 90-ës? A mendoni se ka pasardhës të Ismail Kadaresë në letërsinë shqipe?

Pasardhës të Kadaresë? E thoni këtë sikur letërsia të jetë një tregtore dhe i duhet një etalon i masës letrare, a një stekë me një lartësi të përcaktuar ku të maten të tjerët që do të guxojnë të hyjnë në garë. Kadare është padyshim një shkrimtar i madh, por nuk besoj se do të ndiheshe mirë i vetmuar, sado i madh të ishte. Kjo frymë që po përpunohet prej një kohe të gjatë, e kufizon shumë letërsinë shqipe dhe e bën atë të duket e varfër. E vërteta është se nga një mallkim a mbrapshti e sajuar, është krijuar ideja se letërsia shqipe është shumë e varfër. Sigurisht, po të refuzosh ta lexosh atë, të mos e ndihmosh të publikohet, të mos e promovosh, të mos i krijosh mundësinë që ta kapërcejë murin shqiptar, ajo ashtu të duket, e varfër. Mbase kjo ide e mbrapshtë po e pengon vërtet letërsinë shqipe sot. Ka patur madje edhe ‘aktivistë’ vullnetarë dhe dorëzanë që të krijojnë një lloj piramide shtypëse letrare, duke përcaktuar edhe radhën në të nga kulmi e baza. Një gjë e turpshme në sytë e mi. Letërsia është rrjedhë ku konkurrojnë të gjithë, dhe ngaqë janë të ndryshëm, e bëjnë edhe më të bukur rrjedhen letrare. Gjenitë lindin sigurisht, por edhe vdesin pa lindur po të mos e ndihmojnë rrethanat, dhe këtu po flasim për ndihmë, jo për pengojat që është një ‘zanat’ shqiptar. Koha i seleksionon kush mbetet dhe jo në letërsi, lexuesi po ashtu, edhe kritika kur ia do qejfi. Por, të mësuar me frymën e diktatit që na e dhuroi falas diktatura, ia bartën mjerisht edhe letërsisë këtë frymë. Askund në Europë nuk ta pranon njeri këtë logjikë të vlerësimit në letërsi, ajo ka vend për të gjithë ngjyrat pa i paragjykuar. Ka një grup poetësh e prozatorësh shumë të mirë të pas viteve 90-të, siç ka edhe shkrimarë shumë të mirë të diktaturës, që mundën t’i rezistonin ndryshimeve dhe sollën letërsi shumë të mirë edhe pasi e hodhën tutje shgunin e realizmit socialist që i pengonte. Por një pjesë e mirë e shkrimtarëve të e rinj të pas 90-tës, që tani fatkeqësisht nuk janë më të rinj, për arsyet që i shpjegova kur fola për kritikën shqiptare, nuk kanë marrë atë vëmendje shoqërore që kanë merituar, duke dëmtuar kështu kulturën shqipare.

Si do ta përshkruani poetikisht vetveten?

Kam një poezi në vëllimin e fundit poetik “Ftesë për flirt”, me titull “Lady Makbeth… në letërsi”, pak a shumë ato e përshkruajnë

Mos e kërko paqen e kurtheve të tua tek unë.
Të rri larg,
edhe larg, helmi yt virtual,
ka përbërje acide.
Unë, qenie e ndërtuar prej uji
me vena të gjakut që m’shihen,
me mërzitë që m’lexohen,
si ta konkurroj
një errësirë si ti?

A ka konkurrencë mes shkrimtarëve shqiptarë?

Nuk e di në mund të quhet konkurrencë kjo nevojë e natyrshme për të bërë dukë, veçmas në një treg të shkatërruar shqiptar. Ajo që di ështe se shkrimtarët shqiptarë janë të përçarë, nuk e duan dhe nuk e lexojnë njëri-tjetrin, nuk e kthejnë në festë një ngjarje që i ndodh ndonjërit prej tyre, paragjykimi i shpeshtë i çmimeve letrare ka krijuar një klimë jofestive mes nesh. Vështirësitë e botimit e pengojnë konkurrencën mes shkrimtarëve, kushte financiare në të cilat duhet të mbijetojë shkrimtari shqiptar sot, jane mola që po e gërryen talentin shiptar.

Madje ka edhe një tendencë për t’i grupuar politikisht, kjo ka ardhur ngaqë një pjesë e tyre kanë patur vërtet favore në varësi të partisë së cilës i janë atashuar. Mjafton të shohësh listën e honorareve të Ministrisë së Kulturës dhe e ke të qartë panoramën. Por edhe nëse ka një konkurrencë të ndershme, kjo vetëm mirë i bën letërsisë. Ka një numër të shkrimtarësh e poetësh të rinj të talentuar që jetojnë jashtë Shqipërisë, por e kanë shumë të vështirë të konkurrojnë në atdheun e tyre, në gjuhën e tyre, pasi askush nuk i mirëpret, përjashto raste të rralla, ata mbeten gjithnjë ishullorë edhe pse mund t’i jepnin një zë të vyer letërsisë së re shqipe.

Sipas jush hapja e dosjeve a do ta prekë edhe letërsinë e viteve të diktaturës?

Çështja e dosjeve duket një gjë shumë qesharake, aq më shumë kur ekspertë të tyre thonë se ato janë shpërdoruar gjatë viteve. Do të ishte një gjë shumë e mirë që më në fund t’i jepet Çezarit çfarë i takon, nëse do të hapeshin. Por unë e dyshoj, dosjet në këto 25 vite janë përdorur për shantazh dhe gjueti shtrigash. Sa kohë që xhelatët e vërtetë janë ende aktivë, sa kohë që aktorët e genocidit shqiptar komunist nuk janë dënuar kurrë, dhe kanë bërë një jetë të patrazuar, sa kohë që njëzet e pesë vjet askush nuk kërkoi ndjesë për mijëra e mijëra të burgosur, të vrarë, të deportuar, të shkatërruar e të dhunuar, çfarë ka mbetur për t’u sqaruar në letërsi, është vetëm një hije e zbehtë e gjithë kësaj. Për të kuptuar çfarë ka ndodhur me shkrimtarët, mjaftonte arkivi i Lidhjes së Shkrimtarëve. Po një zot e di se ku është ai.

Këto ditë lexova një shkrim mbi dorëzanët e dënimit të Visar Zhitit, kishte mes tyre shkrimtarë, edhe nga ata që vijnë rrotull, marrin pjesë pa pikë turpi në gjithë ngjarjet letrare, që kanë përfituar nga fonde në demokraci dhe as qoftë një ndjesë të thjeshtë nuk kanë bërë ende. Ajo, shtresa e ish-persekutuar kurrrë nuk e fitoi të drejtën e vet të plotë dhe kurrë nuk do ta gjejë veten në këtë demokraci. Mes tyre edhe shkrimtarët që vuajtën drejtpërdrejtë dhe janë shembujt e rezistencës në diktaturë. Kurrë nuk do të ndodhë kjo, sa kohë media ende merret me sms e urimit të ditëlindjes së të vesë së diktatorit. Në këtë kaos, të thurrur enkas nga politika, gjërat janë turbulluar shumë dhe nuk ka kurrsesi mundësi për të mbërritur tek e vërteta. Politika do t’i përdorë dosjet vetëm për armiqtë. Siç po përpiqet të bëjë me Fatos Lubonjën, duke harruar se kjo shoqëri i ka borxh këtij publiçisti të pakompromis 17 vite të rinisë të grirë nëpër burgjet e diktaturës. Ndaj, këtë proces e dyshoj shumë, dhe farsa e kësaj do të ndihmojë vetëm ata që janë pranë pushtetit, që të mund të rehabilitohen, ose të shpikin disidenca false, ndërsa e vërteta e të vërtetave do të vdesë bashkë me viktimat e saj shumë shpejt.

Tre gjahtarë gjykohen për vrasjen e një kaprolli në Has

0

Zyrtari policor Fadil Morina, ishte ftuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit për të dëshmuar në seancën e së mërkurës, në rastin ndaj të akuzuarve për gjueti të kundërligjshme, Nikoll Radi, Bekim Noshi dhe Mihill Manrecaj. Megjithatë, mungesa e të njëjtit, edhe pse e kishte pranuar ftesën e gjykatës, bëri që shqyrtimi kryesor të shtyhet për një datë tjetër.

Në gjykatë nuk ishte prezent as zyrtari policor Ismet Berisha, për të cilin nuk ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Përpos të akuzuarve, të cilët nuk kishin mbrojtës, prezent ishte edhe prokurori Musli Gashi. Këta të parët u deklaruan se janë duke e malltretuar, sepse nuk e kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Gjykatësi i rastit Refki Piraj, shqyrtimin e  radhës e caktoi për 21 qershor 2017, në ora 11:00.

Ndryshe sipas aktakuzës, Nikoll Radi, Bekim Noshi dhe Mihill Manrecaj më 30 dhjetor 2012, rreth orës 11:00, në malet e fshatit Lubizhdë e Hasit të Komunës së Prizrenit, gjuajnë lloje të rrezikuara ose të rralla të gjahut, gjuetia e të cilave është e ndaluar. Të njëjtit mbysin një kaproll duke qenë në dijeni se duhet të kishin leje të veçantë.

Të njëjtit sipas aktit akuzues kanë kryer veprën penale “gjueti të kundërligjshme”, nga neni 286 paragrafi 3, lidhur me nenin 23, të Kodit Penal të Kosovës, e cila dënohet me gjobë ose me burgim prej tre muaj deri në tri vite.

Tunë e Gjon Kqirës u kthehet paraburgimi

0

Tunë e Gjon Kqirës të akuzuarve për fajde dhe vepra tjera u është kthyer masa e paraburgimit.

Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit me të cilin të akuzuarve Tunë e Gjon Kqira iu ndërpre dhe iu zëvendësua me arrest shtëpiak masa e paraburgimit.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren Afërdita Kicaj.

Sipas zëdhënëses Kicaj, Gjykata e Apelit Tunë e Gjon kqirës ua ka vazhduar masën e paraburgimit për një muaj.

“Po, Gjykata e Apelit ua ka vazhduar për një muaj masën e paraburgimit Tunë dhe Gjon Kqirës. Ata nga masa e arrestit shtëpiak janë kthyer në paraburgim”, tha Kicaj.

Tunë e Gjon Kqira qenë liruar nga paraburgimi më 7 prill në seancën e gjykimit ku bashkë me ta akuzohen edhe Kastriot, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj e Zef Oroshi.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Prizren: Urdhërarrest për të dëmtuarën

0

Shqyrtimi kryesor i paraparë të mbahej ndaj të akuzuarit për kanosje, A. B. , u shty për shkak se e dëmtuara E.  S. nuk ishte prezente në Gjykatën Themelore në Prizren.

Ndaj të njëjtës, gjykatësi Fatmir Krasniqi lëshoi urdhërarrest të hapur, duke i dërguar kërkesë Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë.

Ajo  për këtë shqyrtim ishte ftuar të dëgjohej në cilësi të dëshmitares.

Mirëpo,  e dëmtuara ka dy vite që ka ikur në Shqipëri, për çka edhe ndaj saj  ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me 20 mars 2017. Mirëpo prezenca e saj nuk ishte siguruar.

Ndryshe, në këtë seancë prezent ishte prokurorja Elfete Purova, dhe i akuzuari A.B. , i cili nuk kishte mbrojtës.

Gjykatësi Fatmir Krasniqi, shqyrtimin e radhës do ta caktoj posa të sigurohet prezenca e të dëmtuarës Sula.

Sipas aktakuzës, A.  B.  më 22 korrik 2015, rreth orës 22:40, përmes telefonit mobil, me SMS, pas një mosmarrëveshje të më hershme, e kanos seriozisht të dëmtuarën Elvane Sula. I njëjti të dëmtuarës i drejtohet me fjalët “nuk do të lejoj me u martu kurr, ska kush të më ndal kur të vendosi hakmarrjen” dhe fjalë të tjera, të cilat tek e dëmtuara kanë shkaktuar frikë, ankth dhe seriozisht ndihet e kanosur.

Sipas aktakuzës, i dyshuari  e ka kryer veprën penale “kanosje” nga neni 185, paragrafi 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj./betimiperdrejtesi/

Dy vjet burgim shoferit që kishte goditur me veturë një këmbësor në Prizren

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, departamenti i përgjithshëm penal, ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarit me iniciale L.M. nga Prizreni dhe e ka shpallur fajtor për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik” të cilit dhe i ka shqiptuar dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej dy vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Sipas njoftimit të GJTHP, vendimi është marrë pasi që më datën 01.03.2017, rreth orës 23:10 minuta, në rrugën dyshiritore njëkahore të rrugës “Joni”, nga drejtimi i rrugës “Zahir Pajaziti”, me të arritur përball pastiqerisë “Karameli”, duke e shkelur ligjin mbi trafikun publik, i pandehuri vepron në kundërshtim me nenet 49 dhe 150 të Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor në atë mënyrë që “duke drejtuar automjetin e udhëtarëve të markës Audi A3 kur arrin në vendin kritik, shpejtësinë e lëvizjes së automjetit nuk ia ka përshtatur kushteve dhe rrethanave në rrugë, si dhe nuk i kushton kujdes të duhur këmbësorëve”.

Me këtë rast, “me pjesën frontale të automjetit godet të dëmtuarin me iniciale T.B., i cili ishte duke kaluar rrugën nga krahu i djathtë i lëvizjes së automjetit, me ç’rast me këto veprime i shkakton lëndime të rënda trupore”, njofton kjo Gjykatë.

I mituri therr një person në Prizren

0

Pas një mosmarrëveshje, një person i mitur ka sulmuar me thikë viktimën, duke i shkaktuar lëndime të renda trupore.

Ngjarja ka ndodhur ne rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.