17.4 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 5993

Drejtoria e Arsimit të Prizrenit kundër sistemit unik të zgjedhjes së drejtorëve

0

Zyra e personelit e Komunës së Prizrenit vazhdon të jetë bartëse e procesit të zgjedhjes së drejtorëve të shkollave.

Ndërkohë Drejtoria e Arsimit kërkon që ajo t’i ketë kompetencat për një gjë të tillë, meqë kështu veprohet edhe në komuna të tjera të Kosovës shkruan sot Koha Ditore.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami, gjatë vizitës së fundit në Prizren fillimisht e ka quajtur të tejkaluar këtë problem, duke shtuar se niveli qendror po bashkëpunon me komunën që të ketë koordinim të plotë në këtë plan. Por më pas ka pranuar se MASHT-i po e rishikon legjislacionin me qëllim të unifikimit të sistemit të zgjedhjes së drejtorëve dhe personelit mësimor.

“Kemi një konsensus të plotë për mënyrën se si do t’i qasemi zgjedhjes së mësimdhënësve dhe drejtorëve. Ministria e Arsimit pas debatit parlamentar është duke e rishikuar legjislacionin për arsimin parauniversitar për të vendosur një sistem unik në nivel republike për zgjedhjen e drejtorëve dhe personelit mësimor”, ka thënë ministri Bajrami…

Peja kërkon fitore në tavolinë ndaj Bashkimit

0

Peja e ka humbur me rezultat të ngushtë ndeshjen e mbetur të xhiros së shtatë të Superligës në basketboll. Ekipi pejan të shtunën mbrëma në Prizren u mposht nga Bashkimi me rezultatin 78:77. Por Peja prapë pretendon të marrë dy pikët e fituesit nga kjo sfidë.

Te Peja vlerësojnë se basketbollisti Gazmend Sinani nuk ka pasur të drejtë loje për Bashkimin dhe pasi ai ka luajtur kërkojnë që ndeshjen ta fitojnë me rezultat zyrtar, shkruan sot “Koha Ditore”. Sinani ka luajtur dhe ishte prej më të dalluarve. Ndeshjen e mbylli me 11 pikë e 12 kërcime.

Pasi ndeshja ishte e mbetur, e xhiros së shtatë, Bashkimi e Peja ishte dashur të paraqiteshin me lojtarët që i kishin pasur të regjistruar në kohën kur ishte shtë luajtur xhiroja e shtatë, pra me 12 e 13 nëntor.

Kjo bëri që skuadrat të paraqiten thuajse të përgjysmuara, pasi ndërkohë kanë bërë shumë ndërrime në përbërje. Por Komesari i Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Faton Kurshumlija, para ndeshjes kur ka bërë të ditur se kush mund të luajë, ka vlerësuar se edhe Sinani e ka të drejtën e lojës. Te Peja nuk pajtohen me këtë. Thonë se Sinani në atë kohë ishte duke luajtur në Turqi.

Fatmir Limaj: Me Zafir Berishën, Prizrenit do t’i kthehet identiteti

0

Të dielën, në orët e mbrëmjes, NISMA për Kosovën – Dega në Prizren ka mbajtur debat publik me qytetarët e lagjes “Tusuz”. Në këtë debat është biseduar për situatën e përgjithshme politike në vend, rreth qëndrimeve të NISMA-s lidhur me demarkacionin, asociacionin, bërjen e shtetit të Kosovës me ushtri, duke u fokusuar edhe në situatën në të cilën gjendet Prizreni. Të pranishëm ishin kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, deputetja Valdete Bajrami, deputeti dhe njëherësh kryetari i Degës në Prizren, Zafir Berisha dhe sekretari i përgjithshëm i NISMA-s, Bilall Sherifi.

Lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj, para të pranishmëve në lagjen “Tusuz”, kërkoi nga të gjithë mbështetje për Zafir Berishën si kandidat për kryetar të Prizrenit, duke qenë i bindur se qytetit të Prizrenit do t’i kthehet identiteti si qytet i kulturës dhe traditës.

“’Tusuzi’ dhe Prizreni kanë ditur vazhdimisht të rreshtohen pro ndryshimeve edhe në të kaluarën dhe jemi të bindur se duke u rreshtuar pas orientimit socialdemokrat të NISMA-s, qytetarët nuk do të zhgënjehen”, tha Limaj.

Kryetari i Degës dhe njëherësh kandidat për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka ftuar shokët, miqtë dhe bashkëluftëtarët që të bëhen bashkë.

“Garantoi fuqishëm dhe me vendosmëri, se mbi të kaluarën tonë të lavdishme, do të punojmë për qytetin e Prizrenit dhe Kosovën në përgjithësi, duke i bërë të gjithë të ndjehen krenar, si dhe duke i luftuar njerëzit e papërgjegjshëm që po keqpërdorin institucionet për përfitime personale, duke dëmtuar perspektiven evropiane të shtetit tonë”, tha Berisha. /PrizrenPress.com/

Image may contain: 2 people, crowd and indoor

Tifozët e Lirisë: Futbolli luhet me top, jo me gurë e me grushta (Foto)

0

Tifozët e Lirisë e kanë shpalosur sot një transparent në ndeshje me Feronikelin, duke ua kujtuar të gjitha klubeve dhe tifozëve se futbolli është vetëm një sport, që luhet me këmbë, e jo të përdoret dhuna në të.

“Futbolli luhet me top, jo me gurë e me grushta”, shkruan në transparentin e prizrenasve, pas tmerrit që e përjetoi skuadra prizrenase gjatë mesjavës në Gjilan, ku u fye dhe kërcënua skuadra para dhe gjatë lojës, u grushtua futbollisti Albin Memaj dhe u sulmua me gurë autobusi i prizrenasve pas lojës.

Prizrenasit urojnë që skena të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen, aq më pak kur tash Kosova është pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s. /Zëri/

Tifozët e Lirisë: Futbolli luhet me top, jo me gurë e me grushta (FOTO)

Madama perfekte

0

Zakonisht media dhe kritika britanike shkruan vetëm pas fillimit të shfaqjeve artistike, por kësaj here prestigjozja “The Sunday Times” e Londrës, i ka kushtuar një shkrim të gjere dhe të hollësishëm sopranos shqiptare Ermonela Jaho, e cila me 23 mars fillon serinë e shfaqjeve të Madam Butterfly në Operan Mbretërore të Londrës në Coven Garden.

Duke e cilësuar Jahon një “Madam perfekte” autori Hugh Canning i The Sunday Times thekson se sopranoja shqiptare është “Butterfly i ri” i kësaj shtëpie operistike.

“Ermonela Jaho është antiteza e divave të kopsitura që vijnë në operat e mëdha me një seri albumesh të arjeve të njohura, intervista dhënë gazetave dhe medias më të madhe, dhe një makineri PR pas tyre. Sopranoja shqiptare, e cila arriti kulmin e suksesit dhe pushtoi mediat me Sour Angelica në 2011, rikthehet këtë muaj në një rol akoma më kërkues, Geishën e Pucinit në Madam Butterfly”, shkruan “The Sunday Times”.

Gazeta britanike pasqyron me hollësi tërë karrierën artistike të sopranos shqiptare, e cila vjen këtë muaj në Londër, pas sukseseve të spikatuara së fundmi në shumë opera të mëdha si në Këln, Avinjon, Mynih, Berlin, Paris dhe muajin e kaluar në Sidnei të Australisë.

“The Sunday Times” citon dirigjentë të njohur duke thënë se “Jaho do të jetë e mrekullueshme në sfidat e teknikave të këndimit”

Në shkrim sopranoja shqiptare flet për Shqipërinë në një reklamë të mrekullueshme në një media kaq të madhe, gjë që ajo e bën çdo herë që intervistohet.

“The Sunday Times” e Londrës e mbyll shkrimin me fjalinë “prisni me shume lot dëshpërimi dhe gëzimi në Covent Garden më 23 mars”, ditën kur ajo fillon të performojë Madam Butterfly-in në Operan Mbretërore të Londrës, ku biletat e shumicës së shfaqjeve, po në mënyrë të pazakontë, janë shitur thuajse të gjitha. /T.CH

Themelimi i Ushtrisë, bazën juridike e ka që nga Kushtetuta e ’74-ës

0

Themelimi i forcave armatosura të Kosovës bazën juridike e kanë që nga Kushtetuta e vitit 1974

Nga  Gent Gjini

Si çdo shtet tjetër në organizmin e saj institucional, dhe elementin bazik në funksionimin e shtetit klasik dhe shteteve të kohës bashkëkohore, ushtria apo forcat e armatosura kanë qenë të identifikuara  si emblemë apo relikt,  i përfaqësimeve të shteteve. E  kjo në veçanti, në rolin, në sigurinë e jashtme dhe të brendshme që kanë pasur në mandatet e tyre, për të mbajtur vendin pra shtetin nën kauzën dhe situatën ku çdo qytetar, qdo shtetas do të ndjehet krenar dhe i identifikuar me shtetin e tyre. Edhe shteti i Republikës së Kosovës në vazhdën e forcimit edhe më tej të vet organizmave institucionale, të republikës duke dalur nga tranziconi, është koha e saj  dhe momenti që të ketë ushtrinë e saj.

Edhe pse kohët të fundit  me trajtimin e kësaj teme, janë bërë politizime dhe marrjes së interpretimeve nga këndvështrimet e ndryshme për të trajtuar dhe për pasur në krijim elementin më idenfikues së shtetit, pra ushtrinë dhe paralelisht me këtë krijimit edhe antagonizmave në shoqëri,  edhe ashtu të pamunguara mendimet të parreshtura të analistëve  të shumta si gjithmonë, mund të ju them nga këndvështrimi im profesional, juridik, shteti i Kosovës ushtrinë e saj e ka pasur të formuar, ta quash ashtu kushtimisht  me vet kushtetutën e viti 1974. Që kjo  kushtetutë atëbotë ka paraparë në aspektin formal, dhe sanksionimit të saj konstitucionalë te udhëhequra me parimet dhe mandatet, se në çfarë roli, dhe në qfar natyre do jetë ushtria e Kosovës.

Kushtetuta e vitit 1974 atë botë, për krahinën socialiste të Kosovës, ka qenë baza më e fortë juridik politik dhe funksionale të avancimit te popullit shqiptar. Kjo me këtë edhe të proklamimit konstituiv të shtetësisë së Kosovës, në gjitha elementet të shtetësisë së saj si, nga legjislativit si atributi ligjvënës për të miratuar ligje, si atributit qeverisës për të ekzekutuar dhe zbatuar ligjet, si të gjyqësorit në të gjitha instancat e saja, për te vendosur me mënyrë autonome për ligjet e vet shtetit të Kosovës. E në veçanti ka qenë edhe elementi konstitucional, që sanksiononte atëbotë kjo kushtetutë që përveç  gjithë elementeve shqiptare të shtetësisë, ishte pra mbrojtja e kufijve, dhe sanksionimi i vijave të kufijve nga rendi juridik i forcave të rendit. Që kjo, në vete  veç nënkuptonte ushtrinë, për të mbrojtur kufijtë dhe për të mbrojtur rendin e brendshëm, për çdo eskalim të situatës.

Pikërisht për në ky argument historik, dhe konstitucional që kemi pasur, në trashëgiminë e atëhershme për funksionimin e shtetit të Kosovës, në të gjithë instancat e lartpërmendura, me  kushtetutën të vitit 1974 për neve do mjaftonte, që të kujtojmë dhe të ju kujtojmë atyre që ushtria jonë e armatosur me popullin shqiptar, ka qenë e solidarizuar dhe e jetësuar në gjithë qenien tonë si komb historik, dhe kombëtare. Dhe tani temat  për tu interpretuar ushtria, nga çdo këndvështrim do të ishte e dëmshme dhe edhe po ashtu do devalvonte këtë trashëgimi, që kemi pasur me këtë kushtetutë. Që edhe me absurde kjo të interpretohet dhe edhe të kushtëzohet, nga faktori ndërkombëtar, për të na treguar se kur do kemi ushtri, dhe si do bëhet ushtria si e tillë.

Kjo trashëgimi kushtetuese e vitit 1974, nuk duhet të shikohet si diçka që e kemi pasur në të kaluarën dhe të na ketë rënë në haresë. Kjo asesi, sepse me proklamimin e kësaj kushtetutë të vitit 1974, analizën e parimeve të  ushtrisë, që e trasonte rrugën e saj, do shuante shumë dilema dhe antagonizma. E në veçanti, me këtë kushtetutë që parasheh ushtrinë e Kosovës do ta sensibilizonte dhe ndërgjegjësonte faktorin ndërkombëtar, për të mos u politizuar kjo, dhe që mos të na kushtëzohet kjo nga ky faktor ndërkombëtar. Që nga kjo edhe fare lehtë, ky faktor ndërkombëtar mund ta qonte këtë nyje të ndjeshme të shtetësisë në bisedimet në Bruksel, dhe me këtë   më pas të bëhej konspiracionet që ne,  nuk do të dinim se çka dhe çfarë do të na projektonin ndonjë ushtri, kushtimisht edhe te ushtrie të ndërtuar nga letra.

Pra me këtë argument ne do të i tregonim edhe komuniteteve që jetojnë, këtu serbëve që edhe në ate botë pra me kushtetutën e vitit 1974 në krahinën autonome socialiste, ku jetonin serbët  do ta  dinin me mirë apo mjafton ta shfletojnë pakës të kaluarën,  se ushtria e Kosovës ka qenë e projektuar që në atë kohë, ka qene funksionale që në atë kohë, ka pasur institucionet që kanë bartur këtë përgjegjësi. Pra kanë pasur të gjitha mandatet ligjore, në gjithë elementin e funksionimit si tërësisht të një ushtri, të një force që mban rend dhe rregull ë shoqëri. Dhe kjo për këtë komunitet si atëherë, që nuk është keqpërdorur nga autoritetet shqiptare për kërcënime, dhe ndonjë rreziku të saj për këtë komunitet serb, pakicë ashtu edhe sot me ushtrinë që duhet ta kemi të sajuar si me kushtetutën e vitti 1974, kjo nuk do të paraqiste rrezik dhe kërcënim. Por të kundërtën e kësaj,  kjo do ta forconte bashkëjetesën, e komuniteteve me shqiptarët për të pasur këtë ushtri identifikuese shtetërore.

Ushtria në kuptimin mirëfilltë e funksionimit si ushtri e vërtet, e shtetit të Republikës së Kosovës dhe trajtimit të kësaj teme në modalitet, këtu edhe krahasimit apo mjafton të shikimit të kushtetutës të vitit 1974 do duhej të jetë preokupimi i zgjedhjes së rregullimit, përcaktimit, të autoriteteve tona shtetërore. Pra kjo të kuvendit, qeverisë, presidentit të Kosovës. Dhe  vetëm duke pasur argumentin historik, e këtij institucioni si shtyllë e shtetit, në planin e sigurisë së jashtme dhe brendshme ushtrinë e vitit 1974, atëherë  jetësimit te saj, kjo do të konstatonte ne atë konkludim me të shëndoshë për ne është që ne vet   të e trasojmë rrugën për ushtri. Dhe të mos lejojmë që kjo të politizohet nga komunitet serbe, dhe faktori ndërkombëtar për tu krijuar eventualisht një status quo, edhe shumë  afatgjate, me të cilën do të paralizonte shtetin,  në këtë element mjaft të ndjeshëm të sigurisë, dhe identifikimit si shtet i Republikës së Kosovës.

Barcelona, nga qielli në ferr

0

Barcelona, pas përmbysjes historike të arritur në mesjavë kundër PSG në Champions, ka pësuar një humbje befasuese në fushën e Deportivo La Coruna, që ka fituar pasditen e sotme me rezultatin 2-1.

Një fitore që i mungonte bardhebluve që nga viti 2008-të. Mungesa e Neymar, arkitekti i fitores së jashtëzakonshme të arritur kundër francezëve, është ndier shumë dhe humbja e sotme mund t’i ketë kushtuar titullin Messi-t me shokë, të cilët mbeten dy pikë larg Real Madrid, por madrilenët do të presin Betis në shtëpi mbrëmjen e sotme dhe duhet të rikuperojë një ndeshje kundër Celta Vigos.

Rasti i parë i rrezikshëm është krijuar nga vendasit në minutën e 40 dhe është shfrytëzuar në mënyrën e duhur nga Deportivo që ka zhbllokuar takimin me Joselu-n, i cili ka përfituar nga një gafë e portierit të Barçës. Por reagimi i katalanasve ka ardhur një minutë pas fillimit të pjesës së dytë, teksa Luis Suarez ka barazuar ndeshjen me një goditje të shpejtë dhe të saktë brenda zonës së rreptësisë.

Në minutën e 64-t ka qenë një tjetër Suarez (Denis) që ka shkuar afër përmbysjes së rezultatit, por gjuajtja e tij është ndalur nga portieri Lux. Bardheblutë janë kundërpërgjigjur me Joselu në të 74-ën me një goditje të bukur me kokë, por ter Stegen ka arritur ta devijojë në goditje nga këndi. Pikërisht nga kjo goditje standarde ka ardhur edhe goli i dytë i vendasve, të cilët janë kthyer në avantazh me Bergantinos.

Edhe ky gol ka ardhur nga një tjetër goditje nga këndi, por këtë herë portieri i miqve nuk ka pasur faj, teksa goditja e lojtarit të Deportivos ka qenë e pakapshme. Barça ka pasur rastin për të barazuar dhjetë minuta para fundit të takimit, por Luis Suarez ka gabuar në mënyrë të pashpjegueshme, duke ia lehtësuar punën portierit Lux që ka kontrolluar pa probleme topin. Duket se energjitë e shumta të shpenzuara për fitoren historike të arritur në Champions ka lënë pasoja te skuadra katalanase, që ka pësuar humbjen e tretë në këtë kampionat.

Zhuri me fabrikë të prodhimit të parave për Perandorinë Austro-Hungareze

0

Për një kohë jo edhe të shkurtër në fshatin Zhur të Prizrenit ka ekzistuar një fabrikë e parave në periudhën austrohungareze dhe për këtë arsye banorët e këtij fshati quheshin edhe si austriakë. Në këtë periudhë Zhuri ka qene një qendër e njohur administrative- historike dhe ajo që dallon këtë ishte fakti se Zhuri ishte kryeqytet i Lumës e mbi të gjitha ishte një vend i fabrikës së parasë për gjithë dinastinë perandorake.

Banorët e këtij fshati krenohen me atë që në fshatin e tyre gjendej kjo fabrikë në kohën e perandorisë së fuqishme. Mr. Xhelal Susuri tregon se deri vonë kanë pasur plot monedha nga koha e Austro-Hungarisë, të cilat e kishin vulën e prodhimit në fabrikën e parasë në Zhur, atëbotë kryeqytet i Lumës.

“Unë kam njohur plot burra nga fshati Zhur, që krenoheshin se në këtë kohë ata ishin shumë të zotët dhe kishin guvernatorë bankash e kishin edhe burra të zotë”, është shprehur Susuri, shkruan gazeta Kosova Sot.

Fabrika kishte punuar deri në vitin 1905

Etnologu profesor dr. Nexhat Çoçaj shprehet se atëbotë fabrika e parave në Zhur kishte punuar nga viti 1902 për tri vite radhazi dhe punë- tor në këtë fabrikë ka qenë Ali Pasha nga Vlana e Shqipërisë. Sipas tij, më vonë ai vritet ngase ishte edhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i LSHP e ku pastaj thuhet se ka qenë një kontribues i madh i asaj lëvizjeje atdhetare.

“Bankënotat e punuara në fabrikën e Zhurit thuhet se ishin të shtypura në argjendi, ari edhe në letër me vlerë”, shprehet Çoçaj.

Si një perandori shumëkombëshe dhe pushtet të madh në një epokë të zgjimit kombëtar, zhurianët e gjetën veten e tyre në këtë perandori. Atëbotë ishin njëmbëdhjetë grupe kryesore kombëtare që ishin në mosmarrëveshje. Monarkia mbante emrin ndërkombëtar të “Österreichisch-Ungarische Monarchie” (sipas vendimit të Franz Joseph I në 1868), i cili në mënyrë të plotë do të thotë “Mbretërive dhe tokave të përfaqësuara në Këshillin Perandorak dhe Tokat e kurorës së Shën Stefanit”. Zhurianët i kishin besuar kësaj perandorie dhe punonin në këtë fabrikë parash.

Xhelal Susuri shprehet se kur një pjesë e madhe e Kosovës atëbotë zotërohej nga Bullgaria, ishte Zhuri që kishte arritur civilizim deri në prodhim parash.

“Zhurianët ishin shqiptarë të devotshëm dhe kishin arritur që ta përqafonin civilizimin e kamur”, shprehet ai për “Kosova Sot”.

Në kartëmonedha edhe ura mbi Drin

Susuri shpjegon se në ato kartë- monedha ka pasur edhe pamje nga trevat shqiptare.

“Për shkak edhe të hapësirës, kartëmonedhat ishin të mbushura me simbole. Kartëmonedhat e hedhura në qarkullim ishin shumë interesante. Ato kanë karakter shumëkombëtar, kostume popullore e ura. Kështu, në kartëmonedhën gjejmë një fëmijë të veshur me kostum kombëtar nga njëra anë, dhe nga ana tjetër Urën e Vezirit mbi lumin Kir, në të tjera prerje gjejmë veç djalit me kostum popullor dhe vlerës së shkruar në shqip dhe gjermanisht, nga ana tjetër shohim urën mbi Drin, afër Shkodrës, që bashkon Bahçallëkun me Tabakët, Urën e Gomsiqes në krahinën e Pukës, një katund afër Shkodrës, me kodrat e Tepes e lumit Drin”, shprehet ai.

E sipas tij, këto domosdo se kanë pasur rëndësi të veçantë për kohën. (Kosova Sot)

Feronikeli mposht Lirinë në Prizren

0

Skuadra e Feronikelit ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire duke e mposhtur Lirinë në Prizren me rezultat 1-3.

Mysafirët e filluan furishëm takimin duke shënuar që nga minuta e dytë me anë të Mendurim Hotit, derisa në minutën 10’ Diar Prokshi e dyfishoi epërsinë.

Tre minuta më vonë, nigeriani i Lirisë, Chibueze Odi shënoi për ta ngushtuar disavantazhin e skuadrës së tij.

I njëjti shënoi edhe njëherë në minutën 28’, por që ky gol u anulua nga gjyqtari i takimit për shkak të pozitës jashtë loje.

Në pjesën e dytë Feronikeli pati një tjetër rast të mirë me anë të Mark Milicaj, goditja e të cilit u ndal në shtyllë, ndërsa rezultatin përfundimtar e përcaktoi sulmuesi i inkuadruar në lojë, Mevlan Zeka, që e shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes prizrenase dhe shënoi pasi e dribloi edhe portierin Armend Blakqori.

E gjithëkohëshmja Edit Piaf

0

Një vështrim mbi jetën e këngëtares së famshme në 100-vjetorin e lindjes. Amshueshmëria e këngëve të Piaf, ashtu si rruga e pazakontë drejt famës, e kanë ruajtur trashëgiminë edhe shumë kohë pas vdekjes së saj

Nga Brendan Mchugh

Nëntëmbëdhjetë dhjetori shënoi 100-vjetorin e lindjes së këngëtares më të famshme franceze, Edit Piaf. Pas debutimit të saj elektrizues në Paris, në vitin 1935, këngëtarja fitoi shpejt famë në mbarë vendin. Pas Luftës së Dytë Botërore, Piaf zhvilloi turne në Evropë dhe në Amerikë, ku fitoi njohje ndërkombëtare dhe miliona fansa. Pavarësisht se jeta e saj u ndërpre nga kanceri në moshën 47-vjeçare, amshueshmëria e këngëve të Piaf, ashtu si rruga e pazakontë drejt famës, e kanë ruajtur trashëgiminë edhe shumë kohë pas vdekjes së saj. Këtu po paraqesim 5 fakte interesante rreth këngëtares, që ju mund të mos i dini.

1) Trupi i saj i vogël përgënjeshtronte zërin e saj të fuqishëm

Piaf, e lindur si Edit Xhovana Gasio ishte e gjatë vetëm 1.5 metra në moshën e saj madhore, dhe pati një structure trupore shumë hollake gjatë gjithë jetës së saj. Lui Leple, pronari i klubit parizian që e zbuloi këngëtaren dhe investoi në trajnimin e saj profesional, shpresonte të përfitonte nga kontrasti i fortë në dukje, ndërmjet zërit të saj të fuqishëm dhe imponues dhe trupit të vogël e të brishtë, për fushatën e marketingut që i parapriu debutimit të saj.

Ai e quajti “La Mome Piaf” (“Harabeli i Vogël”). Siç mund të parashikohej, publiku u mrekullua dhe magjeps nga ajo. Pas vrasjes së Leple një vit më vonë, këngëtarja luftoi për të menaxhuar karrierën e saj pa të, në mesin të akuzave për përfshirje personale në krim dhe skandalin që e pasoi.

Përfundimisht, ajo kërkoi ndihmë nga kompozitori dhe biznesmeni Rajmond Aso, i cili do të bëhej më pas i dashuri i saj, përveç menaxhimit profesional edhe rehabilitimin e imazhit të saj. Ishte Aso, që në frymën e “rilindjes” së figurës së saj, i sugjeroi të ndryshojë emrin në “Edit Piaf”.

2) Këngën e kishte në gjak

Piaf u lind në një familje, që pavarësisht se e sëmurë dhe e paqëndrueshme, ishte sa ndërkombëtarisht e larmishme, po aq rrënjosur pas traditës së muzikës dhe shfaqjeve. Babai i saj, Lui-Alfons Gasio ishte një interpretues rrugësh dhe akrobat nga Normandia me një karrierë të dikurshme në teatër. Nëna e Piaf, Aneta Xhovana Mailar, ishte një këngëtare italiane kafenesh, ndërsa gjyshi i saj maroken kishte qenë një akrobat.

Ndaj nuk është e çuditshme, që duke pasur parasysh faktin se nëna e Piaf e kishte braktisur atë në lindje dhe babai i saj u bë i varfër dhe pa të ardhura të qëndrueshme, që ky i fundit e inkurajoi më vonë dhe e rregjistroi vajzën në konkurset e fëmijëve të talentuar, në një përpjekje për t’i siguruar jetesën.

Në moshën 14-vjeçare, Piaf iu bashkua të atit në shfaqjet e tij në rrugë. Së bashku, ata udhëtuan në mbarë vendin, duke siguruar të ardhura kryesisht modeste, falë kombinimit të vajzës që këndonte bukur dhe akrobatit të saj antik. Megjithatë, brenda dy viteve Piaf u nda nga babai i saj dhe po ndiqte mundësitë e performancës në rrugë së bashku me mikeshën e saj, Simon Berto.

3) Fëmijëria e saj ishte e mbushur me vështirësi

Kur lindi Piaf, ajo dhe babai i saj u braktisën menjëherë nga nëna. Si të mos mjaftonte kjo, babai i saj u rekrutua në ushtri më pak se një vit më vonë për të luftuar në Luftën e Parë Botërore, ndaj Piaf u la për herë të parë në kujdesin e gjyshes së saj nga nëna. Pas përfundimit të luftës dy vjet më vonë, babai i saj u zhvendos së bashku me të në Normandi.

Këtë herë, ai e la atë në kujdesin e nënës së tij, Luiz Leontin Deshamp, pronares së një bordelloje. Gjatë 4 viteve të ardhshme Piaf jetoi në bordello, dhe për të u kujdesën me turne prostitutat që punonin atje. Ndërkohë që u ribashkua me babain e saj, ajo nuk duhej vetëm të mësohej me këtë lloj destabiliteti, por vuajti edhe nga një enjte e dhimbshme të syve, që i shkaktoi verbëri të përkohshme nga mosha 3 deri në 7 vjeç.

Në moshën 17-vjeçare, pasi braktisi babain, Piaf e gjeti veten tragjikisht duke përsëritur ciklin e braktisjes, që nëna e saj kishte kryer ndaj saj. Në pamundësi për të përmushur kërkesa si një nënë dhe për shkak të stilit të saj të jetesës, Piaf ia la vajzën e saj, Marsel, të atit Lui Dypon. Mjerisht, fëmija vdiq 2 vite më vonë nga meningjiti.

4) Fama e mbrojti gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore

Një ekzaminim i thellë i aktivitetit të Piaf, gjatë pushtimit gjerman të Francës në Luftën e Dytë Botërore, mund të vërë në një fare mase në dyshim besnikërinë që ajo do të pretendonte më vonë se kishte patur ndaj vendit të vet, pasi lufta kishte mbaruar. Në sytë e skeptikëve, ajo bashkëpunoi me gjermanët, dhe zgjedhjet e saj ishin tek e fundit të diskutueshme.

Në sajë pjesërisht të frankofilisë së përbashkët, në mesin e anëtarëve më të lartë të udhëheqjes gjermane në Francë, Piaf e pa veten në një pozitë të privilegjuar. Ajo jo vetëm që u lejua të vazhdojë karrierën, por u inkurajua ta bënte diçka të tillë. Audienca e saj përfshinte shpesh pjesëtarët e forcave të armatosura gjermane, zyrtarë të shquar të Partisë Naziste, dhe anëtarët e SS-ve dhe Gestapos.

Përkundër gjithë kësaj, Piaf, miqtë dhe mbështetësit e saj, pohuan më vonë se ajo kishte ndihmuar jo vetëm përpjekjet franceze dhe aleate gjatë luftës, por fshehurazi kishte qenë anëtare e Rezistencës Franceze. Është e pamohueshme që vizitat dhe shfaqjet që ajo dha në kampet gjermane të luftës për ushtarët francezë dhe aleatë, ndihmuan në ngritjen e moralin të ushtarëve të kapur robër.

Për më tepër, thuhet se ajo e përdori famën dhe paratë e saj për të ndihmuar një mikun dhe kolegun e saj hebre, Mishel Emer, për t’i shpëtuar persekutimit. Në gjyqin kundër saj, Piaf u mbrojt nga sekretari Andre Bigard, një anëtar i Rezistencës që kishte jetuar dhe punuar në të njjëtën godinë me këngëtaren.

Megjithatë, pretendimi se vizitat tek të burgosurit e kampeve të luftës, ishin pjesë e një plani të fshehtë për të prodhuar dhe kontrabanduar dokumenta identiteti dhe udhëtimi të falsifikuara, për të ndihmuar në shpëtimin e këtyre të fundit, është në rastin më të mirë i dyshimtë.

Në fund të fundit, është më e mundshme që rishfaqja e pakufizuar e admirimit të popullit francez për Piaf si përpara luftës, të ketë përfunduar në një krenari kolektive kulturore dhe identitare, dhe ka të ngjarë të ketë ndikuar opinionin publik dhe garantuar kësisoj mosndëshkimin e saj, pavarësisht vëllazërimit flagrant me armikun.

5) Jeta e saj ndërpritet në mënyrë tragjike

Në shtratin e saj në prag të vdekjes, Piaf tha me gjakftohtësi shprehjen e saj të famshme: ”Çfarëdo gjëje që mund bëni në këtë jetë, ju duhet të paguani për të”. Ndoshta asnjë personazh tjetër i njohur, nuk ka shqiptuar flajët e të fundit në një përmbledhje kaq shumë trishtuese. Megjithë suksesin e pazakontë të karrierës së saj muzikore dhe admiruesit e shumtë në mbarë botën, mosha madhore i ofroi Piaf shumë pak qetësi për shkak të traumave të fëmijërisë së saj. Deri në momentin që vdiq nga kanceri në vitin 1963, në moshën 47-vjeçare, këngëtarja ishte duke luftuar me varësinë ndaj alkoolit dhe drogës, vuante nga artriti, pagjumësia, ulçera kronike në stomak, një mëlçi jofunksionale, dhe dhimbje të vazhdueshme, për shkak të plagëve të marra në 3 aksidente të veçanta automobilistike.

Nuk ka dyshim se porpos sëmundjeve fizike, Piaf vuajti edhe barren e rëndë emocionale të pendesës në lidhje me historinë e familjes së saj, si dhe vdekjen e dashurinë së jetës së saj, boksierin Marsel Serdan, në një aksident ajror në vitin 1949. Ndoshta, pavarësisht nga pretendimi që këngëtarja e famshme bën në një nga këngët e saj më të njohura,”Non, je ne regrette rien (Jo, nuk më vjen keq për asgjë), Piaf mori me vete në varr shumë pengje, edhe pse sigurisht s’mund të thuhet se ajo nuk kishte qenë një e mbijetuar e rrethanave të saj, dhe që në fund të fundit fitoi admirim, për shkak të stoicizmit të saj deri në fund. /“Biography.com” – Përgatiti: bota.al