12.1 C
Prizren
E enjte, 13 Nëntor, 2025
Home Blog Page 5998

Lidhja Demokratike e Kosovës si paraprijëse e fatkeqësisë

0

Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e dytë)

Që nga zgjedhjet e para lokale në vitin 2000 deri në vitin 2007, LDK ishte partia më e madhe dhe që i vuri bazat e qeverisjes lokale në Rahovec. Periudha e Qeverisë së Përkohshme Lokale, që mbikëqyrej rreptë nga administratorët e UNMIK-ut, mund të thuhet se nuk pati ndonjë ndikim në formësimin e asaj që do të pasonte. Ndonëse qe krijuar një bazë e mirë e bashkëpunimit dhe respektit reciprok partiak e individual por, kjo bazë u rrënua sapo LDK i fitoi zgjedhjet me një diferencë të theksuar votash. Nga 31 këshilltarë komunal që ka Kuvendi i Komunës, 19 i përkisnin LDK-së. Pra, një fuqi e tillë politike kërkonte njohuri dhe vëmendje të madhe për t’u administruar. Përkundër kësaj mundësie të artë, krerët lokal të LDK-së nuk arritën ta materializonin fuqinë dhe besimin, duke u përfshirë shumë shpejt në debate dhe luftë të brendshme për dominim e përfitime. Kjo amortizoi energjitë pozitive që mund të ketë pasur brenda vetes ky subjekt dhe pamundësoi ndërtimin e një administrate funksionale. Qeveria komunale u ndërtua mbi bazën e meritave politike dhe jo aftësive profesionale e menaxheriale.

E drejtuar nga ekonomisti pragmatik Ibrahim Kryeziu dhe me kryetar të Kuvendit veteranin e politikës lokale Esad Haxhijaha, pati në përbërje njerëz me përgatitje të dyshimte profesionale dhe me dyshim të bazuar për falsifikim e abuzim me pushtetin e paranë publike. Raportet e shumta në medie për keqpërdorim të pushtetit dhe parasë, u shoqëruan edhe me raporte të Auditorit Gjeneral, ku qeverisja lokale akuzohej për mosrespektim të normave juridike dhe keqpërdorim të pushtetit. Pikërisht në këtë periudhë mori hov shkatërrimi dhe tjetërsimi i hapësirave publike, ndërtimet në tokat e punueshme, shkatërrimi i shtratit të Drinit të Bardhë dhe u vunë bazat e keqqeverisjes e korrupsionit. Disa qindra hektar u shkatërruan nga shfrytëzimi pa kontroll i zhavorrit në shtratin e lumit, gjë që nxiti edhe konflikte ndërmjet grupeve të interesit, duke shkaktuar edhe viktima në njerëz e hasmëri të mëdha. Reagimi i pushtetit lokal në atë kohë ishte i dobët, ndërsa shkatërrimet vazhduan për disa vite e po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Elita drejtuese e LDK-së nuk mori aspak në konsideratë interesin jetik të banorëve të kësaj komune, por u fokusua në konsolidimin e brendshëm politik, shpërblimin e fanatikëve të partisë, gjë që nxiti ambiciet karrieriste të individëve e të grupeve brenda vetë LDK-së.

LDK-në e rrëzoi përmasa e vetë dhe karrieristët ambicioz

Qeverisja e kësaj partie në Rahovec (2000-2007) i vuri bazat e sistemit partiak në administratë, arsim e shëndetësi, nepotizmit, lakmisë, korrupsionit dhe papërgjegjësisë institucionale. Ndonëse Shërbimi Policor i Kosovës, në atë kohë i kontrolluar nga Policia e KB (UN) pati nisur hetimet për keqpërdorime, abuzim dhe vjedhje të pasurisë publike, këto dosje asnjëherë nuk përfunduan në ndonjë gjykatë dhe kështu iu la dorë e lirë abuzimit sistematik të pushtetit nga liderët pasues.

Konflikti i brendshëm politik kulmoi me ndryshimin e elitës drejtuese të LDK-së, me ç’rast kryetari emblematik Ibrahim Kryeziu u hoq nga kreu, ndonëse gjatë dhe pas luftës arriti ta ruajë në masë të madhe strukturën politike të degës së partisë në kushte e rrethana të një persioni të madh politik, kërcënimeve të fshehura e të hapura të anëtarëve të LDK-së nga eksponentë të politikës së re në komunë. Kryesia e re (e vjetër) e drejtuar nga Nahit Elshani nuk qe në gjendje të përballet me sfidat e kohës dhe pushtetin ia mori Partia Demokratike e Kosovës. Qe kjo një goditje e rëndë për LDK-në, pas së cilës nuk po arrin të këndellet edhe sot e kësaj dite. Me rënien e Kryeziu, dega e humbi ekuilibrin dhe Elshani u dëshmua i pa aftë për të ndërtuar një opozitë sfiduese e konkurrente. Rënia e lirë e LDK-së vazhdoi për disa vite, ndërsa kjo parti humbi fuqinë duke rënë në vendin e tretë në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2013. E ballafaquar me humbje të vazhdueshme të besimit në opinion, LDK u përpoq që përmes katapultimit të Avdullah Hotit, nga nënkryetar i Komunës së Prishtinës në kryetar të degës së partisë në Rahovec, të ringrihet. Duket se e kaluara jo fort e lavdishme në qeverisjen e kaluar komunale, konfliktet e brendshme dhe përballja me rival të fortë politik (PDK dhe AAK), po vazhdojnë të kenë ndikim në dobësimin e kësaj partie. Ndonëse mbetet në qeverisjen lokale në partneritet me partinë fituese PDK-në, LDK më shumë i ngjan një organizmi gati të vdekur ku luftojnë për mbijetesë individë të caktuar, të cilët pak brengosen për qytetarin e Rahovecit. Aktualisht në hierarkinë qeverisëse janë kacavjerrë disa figura seniore të partisë, ndërsa ndërtimi i një elite të re, me mendësi moderne, tingëllon vetëm si slogan fushate.

Kryetari aktual i degës, Avdullah Hoti konsiderohet “i dërguari special” i kryetarit të LDK-së ish komunistit Isa Mustafa, i cili ka marrë “detyrën” që të eliminojë rivalët e brendshëm dhe çdo pikëpamje që bie ndesh me qeverisjen qendrore të partisë?

Se a do të sjellë rezultate kjo formë e drejtimit të partisë mbetet të shihet në zgjedhjet e ardhshme lokale (2017) apo të zgjedhjeve të parakohshme qendrore eventuale. Mirëpo, dëmet që po i shkaktohen ekonomisë vendore janë sistematike, sepse dega e LDK-së konsiderohet parti pa vizion dhe influenca e saj sa vjen e bie në opinion.

Partia Demokratike e Kosovës parti e premtimeve të mëdha dhe e fateve të rrënuara (pjesa e tretë vijon nesër)

Ky ishte misioni i gazetarëve rus të arrestuar në Rahovec (Foto)

0

Në orët e pasdites së djeshme, Policia e Kosovës ka arrestuar në Hoçë të Madhe dy gazetarë nga Rusia, Oksana Sazonova dhe Sergej Belous, të cilët ishin nën shoqërimin e ish-kryetarit të komunës së Shtërpcës, Zvonko Mihajlloviq.

Arrestimi i tyre është konfirmuar edhe nga autoritetet e sigurisë ku, sipas tyre, dy gazetarët rus dyshoheshin se kanë kaluar kufirin në mënyrë ilegale.

“Autoritetet e Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës janë duke trajtuar rastin, përderisa personat e ndaluar janë duke u mbajtur në qendrën për të huaj deri në vendimin e ardhshëm apo largimin e tyre nga Kosova. Të gjitha vendimet e mëtejmë do të ndërmerren konform ligjeve të aplikueshme në fuqi”, ka thënë për “Indeksonline”, Daut Hoxha, zëdhënës i PK-së.

Indeksonline mëson se Oksana Sazonova dhe Sergej Belous ka disa ditë që janë futur ilegalisht në territorin e Kosovës. Dy gazetarët ‘mision’ nga Rusia kishin që të merreshin me çështjet e Ballkanit si dhe hapësirë të veçantë t’i jepet Republikës së Kosovës.

Së fundmi, ata ishin në Komunën e Shtërpcës ku edhe kanë ndjekur së afërmi mësimet që zhvillojnë minoriteti serbë në Kosovë. Ata kanë raportuar për gjuhen ruse që mësohet nga klasat e 6-ta në fshatin Gotovusha të Shtërpcës.

Ndryshe, Belous në Kosovës ishte edhe para 4 vitesh, respektivisht me 11 mars të vitit 2012. Ai ka qëndruar për disa ditë në veri të Mitrovicës ku edhe ka raportuar për gjendjen e serbëve në atë pjesë. /Indeksonline/

oksana-sazonova sergej-belous

Refuzuesi i milionave

0

Leonardo Bonucci ka refuzuar një ofertë të madhe nga Manchester City, sepse ka dashur t’i mbetet besnik dashurisë për skuadrën kampione të Italisë, Juventus.

Guardiola, me ta marrë drejtimin në City, kishte tentuar ta transferonte Bonuccin, por mbrojtësi italian e kishte përballuar tundimin.

“Kam menduar për ofertën. Këmbëngulja e Guardiolës më ka destabilizuar pak. Nuk kam folur drejtpërdrejt me të, por agjenti im ka shkëmbyer idetë”.

“Ofereta ishte joshëse. Mirëpo, kam vendosur ta dëgjoij zemrën time”.

“Doja të qëndroja në një ekip të madh, me objektiva të mëdha”.

“Dua të përfundojë projektin që kemi filluar në vitin 2010, në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka deklaruar Bonucci.

Arrestohen dy gazetarë rusë në Rahovec, hynë ilegalisht në Kosovë

0

Dy gazetarët rusë, Sazonova Oksana dhe Sergei Belous që janë arrestuar në mbrëmjen e së enjtes në afërsi të Rahovecit, ndodhen në paraburgim në Prishtinë dhe ka mundësi që do të depërtohen në Serbi,

Gazeta ruse Sputnik shkruan se Sazonova Oksana dhe Sergei Belous, kishin vizituar Kosovën për të realizuar një dokumentar për manastiret ortodokse.

Konstantin Knirik, drejtori i agjencisë së lajmeve ku ata punonin, ka thënë se gazetarët u arrestuan në Hoçë të Madhe mbrëmë rreth orës 19:00 pasdite, dhe pastaj janë transferuar në Prishtinë.

“Sipas informacionit tim, ata së shpejti do të depërtohen në Serbi, dhe se tashmë do të jetë në rregull”, ka shkruar Knirik në faqen e tij në Facebook.

“Ne kemi angazhuar tashmë një avokat, por në këtë rast do të përfshihen diplomatë”, ka thënë Knirik.

Sipas tij, gazetarët ka mundësi të paguajnë një gjobë prej 2.500 eurosh dhe të deportuar në Serbi. (Kosova Sot)

Avokati i Fatmir Limajt kërkon përjashtimin e gjyqtares

0

Avokati i Fatmir Limajt Karim Khan kërkoi sot përjashtimin e gjyqtares Maria Tuma.

Khan kërkesën për përjashtim të gjyqtares e arsyetoi me të kaluarën e saj. Tha se Tuma ishte pjesë e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës në ndjekjen penale të ish-komandantëve të UÇK-së Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.

Prokurori Charles Hardaway e kundërshtoi propozimin e avokatit të Limajt për përjashtimin e gjyqtares duke thëne se nuk ka bazë ligjore për kërkesën e avokatit.

Pas kërkesës së avokatit Khan dhe diskutimit për të, seanca ndaj Limajt dhe të tjerëve u caktua më 5 tetor. Deri atëherë duhet të merret vendimi për përjashtimin ose jo të Maria Tuma-s.

Edhe para tri ditësh është kërkuar një përjashtim tjetër në këtë seancë. Më 13 shtator prokurori Charles Hardaway kërkoi përjashtimin e Florent Latifajt, avokatit të Nexhat Krasniqit, me arsyetimin se ai përveçse mbron Krasniqin është edhe avokat i Adem Grabovcit.

Grabovci pritet të dëshmojë në procesin kundër zyrtarëve ish-Ministrisë së Transportit, pasi më herët ishte zëvendësministër i saj.

Latifaj që është mbrojtës i Krasniqit dhe Grabovcit, ishte edhe këshilltar i jashtëm i ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha.

Ai dje hoqi dorë nga kjo pozitë për të vazhduar të jetë avokat i Nexhat Krasniqit.

Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar në kohën sa drejtonte ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Në procesin e njëjtë me Limajn për të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës po ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Suka. /Kallxo.com/

73 vjet nga Lidhja e Dytë e Prizrenit

0

Sot janë bërë 73 vjet që nga mbledhja e Kuvendit në Prizren, i cili zgjati deri më 20 shtator dhe ku ishte vendosur për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.

Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekzekutiv, me në krye Musa Shehu, i shoqëruar prej: Z.Z, Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi.

Kryetari i Këshillit Ekzekutiv, Musa Shehu, paraqiti rendin e ditës për t’u zgjedhë Paria e Kongresit që përbërë prej Kryetarit, dy nënkryetarëve dhe një sekretari. Me votim të fshehtë Z. Musa Shehu zgjidhet kryetar i Kongresit, Aqif Blyta nënkryetar, Raxhep Krasniqi nënkryetar. Ndërsa sekretar i Kongresit u emërua Z. Bedri Gjinaj.

Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Në Kuvendin e Dytë, që u mbajt më 17-21 janar 1944, u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes. Kryetar i Komitetit Qendror u zgjodh Bedri Pejanin, pas Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i Qeverisë që gjermanët ngritën në Tiranë. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944. Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica qe kryeministër. Ndryshe nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve, që qenë angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t’u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëhiqej nga komunistët do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë.

Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman si të keqen më të vogël në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre.

Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane.

Grabovci, testi i rëndë i Prokurorisë

0

Shteti i kapur po i mbron të inkriminuarit. Njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se duhet të tregohet se askush nuk është mbi ligjin, edhe pse që në fillim shihet se shefi i shefave do të ketë trajtim të privilegjuar, raporton Gazeta Kosova Sot

Hezitimi dhe neglizhenca e para dy ditësh me “dashje apo pa të”, e zyrtarëve policorë për të kryer kontrollin e veturës së shefit të shefave Adem Grabovcit, me rastin e hyrjes së saj në objektin e Policisë së Kosovës, përkatësisht të Prokurorisë Speciale po cilësohet si një veprim i shëmtuar, por njëkohësisht edhe një argument shtesë për vërtetimin e asaj se institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë janë shndërruar në ‘bahçe të babës’ për shefin e shefave dhe rrjetit të tij, ngase ato nuk po e kryejnë punën sipas ligjit e rregullave, për çka edhe janë të thirrura për respektimin dhe zbatimin e tij, por edhe e marrin pagën për këtë, dhe ashtu siç e parashohin ligjet dhe Kushtetuta e shtetit.

Ndaj, nisur nga ky veprim dhe mbase akoma ‘ndikim ‘ i shpërfaqur i shefit të shefave tek institucionet, është shtuar edhe dilema se a mund të jetë një argument tjetër shtesë se afera, ‘Pronto 2’ ashtu si ajo e mëhershmja sërish do të kalojë vetëm si një spektakël medial, duke u ngritur edhe pyetja se a mund ta dënojë drejtësia kosovare Grabovcin? Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka bërë me dije për gazetën “Kosova Sot”se Policia e Kosovës, pas konstatimit lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë të caktuar në detyrë, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale ndaj atyre zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen se kanë neglizhuar punën e tyre me rastin e realizimit të detyrave dhe përgjegjë- sive me rastin e qasjes dhe qëndrimit në objekte.

“Ndaj zyrtarëve që dyshohet se kanë neglizhuar punën e tyre është ndërmarrë masa e suspendimit prej 48 orë me pagesë dhe është iniciuar procedura e brendshme disiplinore, përderisa të gjitha veprimet e tjera do të ndërmerren sipas proceduarave të parapara ligjore në fuqi”, ka theksuar Hoxha.

Disa njerëz janë mbi ligjin

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se ajo çka ka ndodhur nuk është për t’u çuditur, ngase, sipas tij, gjërat e ngjashme gjithmonë mund të jenë të pritshme nga kjo klasë anarkike e sundimit me Kosovën.

“Pra, kjo dëshmon se Kosova ka përplot njerëz mbi rendin dhe ligjin, e që është shtresa e cila sundon në emër të shtetit, shtresa anarkike që kontrollon institucionet dhe njerëzit në të gjitha nivelet e zhvillimit të shtetit. Andaj, një gjë e tillë, po e ritheksoj, se nuk është fare për t’u habitur, përderisa ekziston një rrjet i gjerë anarkik që funksionon për interesa personale e partiake, në këtë rast nuk është aspak befasi as veprimi i fundit i Grabovcit me rastin e hyrjes në objektin shtetëror në fjalë”, ka vijuar më tej ai, duke shtuar se veç kësaj, shtresa anarkike sundon dhe qeveris me paranë publike, derisa, siç tha, “kush i ka paratë e ka edhe pushtetin, ku kjo është edhe motoja e sundimit anarkik në Kosovë, që rrjedhimisht ka futur nën ombrellën e saj duke e bërë të varur tërë rrjetin institucional të shtetit, e që kjo kuptohet se është formë jolegjitime e as e drejtë e sundimit të ligjit”, është shprehur Burjani.

Avokati Tomë Gashi thotë se i ka rastis edhe vetë të shkoj në Prokurorinë e njëjtë me klientë shumë të rëndësishëm dhe të profileve të larta, që kanë pasur lëndë jashtëzakonisht të rëndësishme, duke filluar nga Azem Syla, Fatmir Limaj etj., ku sipas tij, ata gjithmonë as që kanë kërkuar që të shkojnë me vetura, teksa iu kanë nënshtruar kontrollit të rregullt dhe normal sikurse për çdokënd tjetër.

Përgjimet konfirmuan kapjen

Analisti Naim Kelmendi ka nënvizuar se vetë publikimi i aferave ‘Pronto’, tashmë edhe të njohura nga publiku i gjerë, me kryepersonazhin kryesor Adem Grabovcin, sikur e ka shpërfaqur realitetin e kapjes së shtetit nga struktura e pushtetarëve.

“Tashmë më në fund edhe Prokuroria vendosi që ta marrë në pyetje Adem Grabovcin, porse a përbëjnë këto përgjime elemente për vepër penale për Prokurorinë, kjo mbetet të shihet!?. Krejt ajo që është dëgjuar në këto përgjime, (tashmë të njohura për opinionin) ka treguar për ndikimin dhe funksionimin e njerëzve të këtij pushteti të korruptuar e të inkriminuar, por edhe të funksionit dhe funksionimit të vetë shtetit nga këta bartës të pushtetit e të pozitave udhëheqëse, ku po tregon se në çdo rast ata janë mbi ligjin dhe shtetin, e që kjo është e papërgjegjshme në çdo aspekt. Por, se çfarë do të ndërmarrë Prokuroria mbetet të shihet, mbase këtu vërtetohet edhe puna jashtë ndikimit të politikës, dhe vendimmarrja e Prokurorisë së Shtetit dhe përgjithë- sisht e drejtësisë. Nëse do të vijë në shprehje pavarësia e drejtësisë dhe ligjit, atëherë afera e ‘Prontos’ (tashmë si aksiomë e ditur për publikun) do të duhej marrë epilogun e vet meritor sipas gjykimit të drejtësisë, por mbetet të shihet vendimi dhe fjala e dhënë nga drejtësia”, ka spikatur Analisti Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Analisti tjetër, Shefqet Dibrani ka vlerësuar se ani pse akoma është herët të thuhet, por pavarësisht kësaj, sipas tij, në rrethanat e tanishme nuk ka asnjë shpresë se drejtësia do ta dënojë Adem Grabovcin, ngase, siç tha, kapja e shtetit ka ndodhur në të gjitha nivelet e tij, derisa nga grupet e interesit menaxhohet drejtësia, siguria, zhvillimi ekonomik, shëndetësia, etj., teksa këto janë vetëm disa prej arsyeve se përse duhet të dyshohet se edhe rasti i aferës “Pronto 2” është një spektakël mediatik dhe asgjë më shumë.

“Vetëm në Kosovë mund të ndodhë të mbeten në pushtet personat me afera kaq të rënda publike, njerëzit që kanë shkelur Kushtetutën e vendit dhe deputetet që kontrabandojnë hapur votën e tyre, gjersa për Prokurorinë e Shtetit apo të Gjykatës Speciale, argumentet e gjertanishme përkitazi me aferën “Pronto” kanë qenë të mjaftueshme”, theksoi ai. (Kosova Sot)

Zogaj: Letërsia që (nuk) vuan të jetë bukurshkruese…

0

E përfshirë në listën më të ngushtë për çmimin Kadare, romani “Morphine” e autores Ada Çapi po mbyll ciklin e receptimit nga kritika. Duke hapur siparin e botimeve UET Press, “Morphine” është promovuar dje në mjediset e Ministrisë së Kulturës, pasi ka kaluar testin e dorëshkrimit, botimit, kritikës, duke pritur gjestin e leximit nga publiku.

“Ka pasur fatin të kalojë në duar të mirë kritikësh, ishte kandidat për çmimin Kadare, “Morphine” e Ada Çapit dëshmon për një autore të formuar, të pjekur duke na sjellë një galeri personazhesh mjaft interesante”, tha Valbona Nathanaili, drejtoresha e botimeve “UET Press”.

Ada Çapi është autore e re, këtë roman e ka debutim. Për këtë përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, në drejtorinë e letrave, Ermir Nika tha se Çapi ka marrë guximin për t’ju afruar letërsisë. Në një vështrim të shpejtë mbi përfshirjen e brezit të ri në letërsi, Nika thotë se vitet e fundit nuk ka më kërshëri të merren me letërsi, dhe romani i Çapit është një shpresë, si autore e re, për një profil tjetër, me stil autentik me dilemat për të përvijuar një vepër letrare.

Prezenca në promovim i dy anëtarëve të jurisë së çmimit Kadare, Preç Zogaj dhe Agim Baçi i jep këtij botimit vlerësimin kritik, në garanci për lexuesin. Për këtë, Baçi u shpreh se romani i Çapit është një zgjim për të parë se çfarë mund të rrokësh në një shoqëri që lëviz me shumë shpejtësi.

Ndërsa, poeti Preç Zogaj ndalet në vështirësinë se si ngjarje të tilla letrare kalojnë pa vëmendje, në mënyrë të pamerituar. Zogaj ka qenë ndër anëtarët e jurisë që ka votuar për romanin e Çapit për çmimin “Kadare”, si një roman që i kaloi gjitha etapat, deri në listën më të shkurtër të garës.

“Është një libër i veçantë në prozën e sotme. Proza nuk vuan nga mesazhet dhe ngjarjet, por letërsia vuan për stilin, finesën, të jetë bukurshkruese, pra një roman i shkruar bukur. Ndaj një nga vlerat e librit ishte bukuria e të shkruarit që të bën të mendosh se është një penë e stërvitur, ose e sprovuar në vetmi, ose është një shkrimtar i njohur dhe shkruan me emër tjetër…kjo është vlerë, që eviton banalitetin, dhe shkruan me një fjalor të pasur”.

Zogaj ka folur më tej për veçantinë e subjektit të veprës, duke e cilësuar se për letrat shqipe ky roman është ngjarje, në funksion të promovimit të një libri të shkruar bukur, e të shkruar mirë.

Ngjarjet e romanit zhvillohen në dy vende, Shqipëri dhe Itali dhe u takojnë viteve 2007-2011. Autorja është farmaciste, dhe ka treguar se fillimisht ka bërë një kurs online për shkrimin e romanit duke ndarë në skeda disa koncepte mbi personazhet, ku ajo kishte përfshirë personazhet e lagjes, pacientët e farmacisë. Pas këtij procesi, Çapi pa se kishte krijuar një bazë të dhënash, dhe material për librin. Ndërsa ka rrëfyer se ka ndjerë peshën e çmimit Kadare, duke qenë nga të parat që ka aplikuar për të hyrë në këtë garë, për vitin 2016.

“Tani romani ka mbaruar dhe nuk është më ajo pasiguri. Është një roman që i kushtohet Tiranës, si konglomerat i gjithë Shqipërisë, ku është e vjetra, e reja, të rinjtë dhe mosha e tretë me gjithë shqetësimet dhe problematikën e tyre”, shprehet Çapi.

Në rubrikën e saj, në suplementin letrar të gazetës “Mapo”, shkrimtarja Diana Çuli është shprehur për këtë roman se: “Pa e njohur aspak, pa ditur asgjë për të, nga përmbajtja e romanit që ajo kishte dorëzuar – Morphina – kuptohej se duhet të kishte jetuar në Itali një kohë të gjatë dhe se ishte rikthyer përsëri në Shqipëri, ku dhe punonte. Këto elemente biografike, që zakonisht perceptohen në veprat e para të autorëve, u ndjenë edhe këtu…Heroina e Ada Çapit, në një çast të jetës së saj të re vendos të shkojë në Itali – lexuesi pastaj do ta zbulojë përsenë – por, ai është një çast i ndryshëm nga mijëra e mijëra çastet e tjera që shtyjnë secilin njeri që merr rrugën e largimit nga vendi i tij. Natyrshëm që është kështu, sepse çdo çast personal është i ndryshëm nga një tjetër. Dikush kërkon një të ardhme më të mirë, dikush ndjek një ëndërr, dikush dëshiron të jetojë në hapësira të mëdha, një tjetër pëlqen sfidat. Heroina e Morfinës ndoshta ndjek ëndrrën. Asaj i shpaloset vendi fqinj me të gjitha ngjyrimet e tij – ashtu siç është çdo vend në botë – me tërheqjet, joshjet, bukuritë, të panjohurat, po edhe me vështirësi, moskuptime, diskriminin herë-herë, mbështetje një herë tjetër, zhgënjime e kështu me radhë shpaloset jeta vetë, kudo që të jetë”. /Mapo

Sot fillon Festivali i Letërsisë ‘FLO’

0

Edicioni i gjashtë i Festivalit ndërkombëtar të Letërsisë në Orllan (FLO) do të tubojë këtë fundjavë poetë, shkrimtarë, muzikantë, artistë dhe adhurues të kulturës te Liqeni i Batllavës.

Nga sot deri më 18 shtator, autorë e muzikantë vendas e ndërkombëtarë do të ndajnë krijimet e tyre me adhuruesit e kulturës në një mjedis pitoresk por pak të shfrytëzuar për tubime të këtij lloji.

Sipas organizatorëve, edhe ky edicion i FLO-së vazhdon traditën duke sjellë përsëri një listë mbresëlënëse të autorëve e artistëve nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë Hercegovina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Të ftuar janë Faruk Sehiq (Bosnje dhe Hercegovinë), Brian SNEEDEN (SHBA), Ledia DUSHI, Bardhyl LONDO, Lisandri KOLA, Donika DABISHEVCI, Robert ËILTON, Imer TOPANICA, Gëzim ALIU, Genc SALIHU, Gypsee YO, Shpëtim SELMANI, Shpat DEDA, GIPSY GROOVE, OBORRI.

Përveç paraqitjes së autorëve me veprat e tyre, këtë vit FLO do t’i bëj homazh poetit të famshëm Federico Garcia LORCA në 80 vjetorin e vrasjes së tij edhe Millosh Gjergj Nikolla MIGJENIT në 80 vjetorin e botimit të përmbledhjes së tij “Vargjet e lira” me kolazhe të poezive të tyre në shqip dhe anglisht. Do të ketë takime me autorë me pyetje e përgjigje nga audienca si dhe një debat rreth përkthimeve letrare.Të gjitha aktivitetet mbahen në restorantin “Liqeni” në Orllan. Për të gjithë ata që janë të interesuar të jenë në audiencë, do të ketë autobus të organizuar (gratis) që niset nga libraria Dit’ e Nat’ (Rr Fazli Grajçevci, 5, Prishtinë), çdo ditë në ora 1730, dhe autobusë të linjes së rregulltë Prishtinë-Orllan, para shkollës fillore Emin Duraku, te Xhamia e Llapit”, thuhet në njoftim.

Olti Curri kritika Blendi Fevziut, Anila Bashës, Andi Bushatit…

0

Bloggeri dhe opinionisti i njohur Olti Curri, ishte i ftuari i rradhës në emisionin ‘Da’SARA’ e gazetares Dasara Karaiskaj.

Ndër temat që u diskutua më shumë ishte ajo rreth faqeve anonime që ‘sulmojnë’ njerëzit publikë ose jo, pa patur një emër apo një fytyrë, duke ju referuar më shumë faqes ‘Vipat e Bllokut’. Olti i ka kritikuar gjithashtu ato portale që marrin për bazë ato që këto faqe anonime thonë.

“Ata mund të mendojnë për portalet e tyre se kanë CNN.com, por jo! Këtë gjë e bëjnë edhe portale të tjerë e të tjerë… Unë e kuptoj shumë mirë problemin e këtyre portaleve. Duan klikime, duan të nxjerrin ato tabulatet që i çojnë te sponsori”.

Thelbi i problemit sipas Currit, nuk qëndron tek këto faqe anonime, por tek portalet që e quajnë veten serioze. Nëse këto pseudo postime bëhen lajm tek portalet që pas kanë emra të njohur si Anila Basha, Andi Bushati, Blendi Fevziu etj, ky përbën problem sipas opinionistit.

“Jemi bërë si ata këngëtarët që bëjnë sa të duash balada, por duhet të bësh edhe një këngë reggaeton se përndryshe nuk bën dot koncert”, shprehet Olti.