Home Blog Page 6018

Për një javë policia shqipton mbi 4 mijë tiketa trafiku

0

Rregullat e trafikut nuk respektohen nga një numër i madh i ngasësve të makinave.

Si rrjedhojë e kësaj edhe numri i aksidenteve të shkaktuara si me fatalitet ashtu edhe me lëndime është i konsiderueshëm.

Policia e Kosovës vetëm gjatë javës së fundit ka shqiptuar 4 mijë e 285 tiketa trafiku, shkruan AktivPress.

Sipas Policisë së Kosovës, shkeljet e vizitësve në trafik janë të llojeve të ndryshme dhe ky institucion shqipton dënime për të gjitha shkeljet që i has në rrugët e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për AktivPress se dënimet që më së shpeshti shqiptohen nga policia janë për tejkalim të shpejtësisë.

“Policia e Kosovës, shqipton tiketa për të gjithë ngasësit që i has në trafik dhe që vërteton se kanë bërë shkelje të vozitjes. Dënimet që më shpeshti shqiptohen, vijnë si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë dhe harkimeve ilegale”, ka thënë Kelani.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas Policisë së Kosvës, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, 22 aksidente me të lënduar dhe 17 të tjera pa të lënduar. /AktivPress/

Përkujtohet dëshmori Alush Kryeziu

0

Dëshmori Alush Kryeziu, është përkujtuar sot në 25-vjetorin e rënies heroike në Prizren.

Bashkëveprimtarët dhe veteranët e luftës së UÇK-së, kanë vlerësuar lartë kontributin e tij.

Ata, në shenjë përkujtimi kanë vendosur lule në varrin e dëshmorit.

Kryeziu ishte pjesëtar i Lëvizjes Kombëtar për bashkimin e trojeve shqiptare.

Ai, në vitin 1987, nga Shtabi i Brigadës 28/128, caktohet në detyrën e Komandantit të Njësitit “Zjarri 003” në Prizren.

Në mesnatën e datës 19.04.1992, në lagjen “Ortakoll” në Prizren, ai bie në pritë të policisë serbe, duke u vrarë pas shpine. /TVPZ/

Saranda nga Hoça e Vogël, vdiq në prehrin e gjyshes

0

Gjylshahe Lezi, nga Hoça e Vogël, rrëfen për tmerrin që ka përjetuar ajo bashkë me familjen në natën e 2 prillit të vitit 1999, nga forcat vrastare të regjimit serb.

“Ka qenë ora një çerek para mesnate të 2 prillit të vitit 1999 kur në shtëpinë tonë ranë granatat. Nuk e di prej nga, por e di se na rrëzoi shtëpinë dhe pllaka e shtëpisë gati na zuri të gjithëve. U plagos rëndë Saranda, vajza ime 12 vjeçe, por u plagos edhe burri im, Bislimi. U plagosën edhe Haxhiu atëherë tre vjet e gjysmë dhe Besirja gjashtë vjeç. Morëm ikën e shkuam te lumi. Aty Saranda më lypi pak ujë dhe pas një ore dha shpirt. Tash burrat thanë po ikim po ku me shku drejt e në Krushë të Madhe”, tregon për gazetën “Kosova Sot” tmerrin e asaj dite Gjylshahe Lezi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Image

Saranda dha shpirt te lumi

Gjlylshahe Lezi tregon se Sarandës i kishin dalë zorrët jashtë.”Saranda më kërkonte ujë, po unë kisha dëgjuar se t’i japësh ujë edhe mund të vdesë. Pas kësaj ajo i kërkoi vjehrrës sime t’ia prekë këmbët dhe aty dha shpirt”, shprehet ajo. Me lot në sy Gjylshahja tregon se si ishin të plagosur edhe dy fëmijë dhe burri. “Ashtu me të plagosur u nisëm drejt rrugës së madhe. Ne posa kemi dalë në asfalt të Krushës së Madhe, janë afruar forcat serbe dhe na kanë pyetur. A ende jeni gjallë a? Po ne ju gjuajtëm duke menduar se po ju vrasim të gjithëve, tash shkoni në Shqipëri. Kam pasur dhimbje të madhe për të gjithë. Kurse kunati im shkoi tek varrezat e Nagavcit dhe e varrosi vajzën. Shpirti i vdekur mbeti aty, por me tre të plagosur u nisëm që bile këta të shpëtojnë. Ajo ka qenë natë e varrit për mua”, tregon nëna Gjylshahe për “Kosova Sot”.

Besim Lezi e ka edhe sot plagën në këmbë nga lufta. Ai thotë se e bren vazhdimisht në shpirt që nuk i dha ujë Sarandës, vajzës së tij 12-vjeçare, që kërkonte vazhdimisht një pikë ujë. “Erdhën policia na panë në fshat dhe na thanë se ne duhet të shkojmë sonte në Nagavc se Hoçën do ta granatojnë. Ne shkuam bashkë në një shtëpi. Aty burrat u ndamë në një dhomë dhe fëmijë e gra në dhoma të tjera.

Natën e 2 prillit 1999 ka qenë një krismë e madhe, aty pllaka e shtëpisë ra. Unë u plagosa në këmbë, më plagosën tre fëmijë, kurse më së rëndi ishte e plagosur Saranda. Asaj granata ia kishte shqyer barkun. Zorrët i kishin dalë jashtë. Ashtu të plagosur me piskamë e dhimbje shkuam tek lumi. Gjithë kohën Saranda më kërkonte ujë, por unë s’i dhashë se mendova mos po më shpëton. Aty vëllai im e pa sa është ora më tha Sarandën po e dërgonte tek mjeku. Kurse ajo nënës sime i kërkoi t’ia prekte këmbët. Ajo aty ndërroi jetë”, është shprehur ai.

“Saranda vdiq dhe e varrosa ashtu si munda në varrezat e Nagavcit. Nga ajo ditë e nga ai çast beso e kam zemrën përgjysmë se si nuk ia dhashë një pikë ujë vajzës sime”, tregon për gazetën Besim Lezi, i cili qante si fëmijë.

Image

Prilli ia rikthen dhimbjet familjes Elezi

Besim Lezi thotë se për 24 orë arritën në Vërmicë. “Aty na ndalën e na keqtrajtuan dhe na i morën dokumentet. Duke na parë të plagosur policët serbë na thoshin se jemi ushtarë të UÇK-së. Shqiptarët kanë përjetuar eksodin biblik të pranverës së vitit 1999, kur të dëbuar me dhunë nga ushtria e paramilitarët serbë që kishin nisur të zbatonin operacionin “Patkoi” zbatuan dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta.

“Atje në Kukës na dërguan nëpër disa banesa, na si sollën mjekët për një muaj rresht. Jemi shëruar unë edhe fëmijët. Aty pastaj pas një muaji na dërguan në Laç derisa jemi kthyer”, shprehet Besim Lezi. Ai me emocione të veçanta kujton atë kohë dhe thotë se ka mbi një mijë fotografi të dhembjes së asaj kohe. Sa herë vjen prilli vijnë edhe dhembjet për familjen Lezi.”Rruga prej Krushës së Madhe deri në Kukës atëherë e sot e kësaj dite ka mbetur rruga më e vështirë e jetës sonë. Edhe atje në varr këtë rrugë nuk do ta harroj kurrë”, kujton Besim Lezi./Kosova Sot/

Arrestohet personi i kërkuar në Prizren

0

Një person i kërkuar është arrestuar në Prizren.

Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren.

“Ai është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Lipjanit”, njofton Policia e Kosovës./PrizrenPress.com/

Vjedhje masive në Vlashnje të Prizrenit

0

Fshati Vlashnje e Prizrenit, është bërë mbrëmë cak i hajnave, ku kanë plaçkitur dhjetë shtëpi.

Siç raporton TV Prizreni, ata kanë vjedhur mijëra euro dhe sasi të konsiderueshme të stolive të arit.

Vlashjanët janë të tmerruar me këtë rast, dhe shprehin shqetësimet e tyre karshi organeve kompetente për neglizhencë, sepse sipas tyre hajnat kanë vepruar ngjashëm edhe shumë herë të tjera, dhe deri më tani jo që nuk është arrestuar askush , por as nuk është bërë identifikimi i tyre.

Hajnat, sipas banorëve të Vlashnjes, përveç “gjahut” në rreth 10 shtëpi, janë munduar të vjedhin edhe në objekte të tjera të banimi, duke dëmtuar dyer e dritare. /TV Prizreni/

Dokumentar mbi ikonën e muzikës pop Whitney Houston

0

Del në sallat e kinemasë nga 24 deri në 28 prill dokumentari “Whitney”, mbi jetën e një prej zërave më me ndikim dhe ikonikë të historisë së muzikës: Whitney Houston.

Pesë vjet nga vdekja, në 11 shkurt 2012, filmi i shpërndarë nga “Eagle” do të lejojë të rijetojë të gjitha etapat e një suksesi të madh dhe të gjitha fazat e një jete të mbushur me dashuri, skandale dhe eksese deri në epilogun tragjik të një gruaje të fortë, por në të njëjtën kohë edhe shumë të dobët.

I përbërë nga materiale të papublikuara më parë, mes të cilave skena të jetës së përditshme të Whitney dhe familjarëve të saj, intervista të kolegëve dhe miqve, të alternuara me sekuencat më të bukura të koncerteve të saj, Whitney bën të mundur njohjen më mirë të këtij ylli të madh e të ndritshëm, që shkoi pak nga pak duke humbur dritën vitet e fundit.

Regjisori Nick Broomfield, në fakt, ka deklaruar se ka hetuar në thellësi të jetës së Whitneyt për t’i kuptuar arsyet, të cilat nga një sukses i madh yjor e çuan në një rënie pikëlluese artistike dhe personale.

“BBC”-ja e ka realizuar dokumentarin duke ia besuar punën Nick Broomfield, regjisor anglez, i njohur për kapacitetin për të rrëmuar në jetën e artistëve më të famshëm e që u bë i njohur për dokumentarin e një tjetër ikone të muzikës si Kurt Cobain.

Whitney Houston ishte një nga artistet femërore të një suksesi të madh dhe në karrierën e saj ka thyer shumë rekorde dhe u ngjit në klasifikime vit pas viti.

Misioni i Messit

0

Barcelona takohet me Juventusin në kuadër të ndeshjes së dytë të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e parë e zhvilluar në Torino ka përfunduar 3:0 në të mirë të Juventusit.

Gazeta italiane ‘Corriere della Sera’ e hap gazetën me titullin: “Misioni i Messit”.

CdS e shikon argjentinasin si njeriun që mund të kthej rezultatin në favor të klubit spanjoll, por nuk do ta ketë aspak të lehtë.

Messi ka shënuar 498 për katalunasit, por nuk i ka bërë kurrë gol Gianluigi Buffonit.

Ribery tall gjyqtarët

0

Franck Ribery ka shprehur zemërimin e tij me gjyqtarët, pasi Bayern Munich u mposht nga Real Madrid, të martën mbrëma.

Mesfushori ka shpërndarë disa fotografi në llogarinë e tij në Instagram, duke shprehur mospajtimin e tij me vendimet e gjyqtarit.

Fotografi të dy golave të Cristiano Ronaldo që duket se janë shënuar nga pozita të parregullta, bashkë me një “falënderim për gjyqtarin”, janë shpërndarë nga ai.

r1 r2

Liga e Kampionëve vazhdon me përballje gjigantësh

0

‘Ethet’ e Ligës së Kampionëve do të na kaplojnë edhe sot me dy ndeshje shumë interesante ku do të kërkohen gjysmëfinalistet e kësaj gare.

Sigurisht se vëmendjeve e futbolldashëve do të jetë në sfidën Barcelona – Juventus.

Ani pse takimi i parë ka përfunduar 3:0 në të mirë të italianëve, ndeshja e kthimit mund të na dhurojë emocione të mëdha pasi që Barcelona njihet si skuadër e mrekullive.

Në Francë Monaco i bënë ‘konak’ Borussia Dortmundit.

Francezët janë në epërsi të lartë pasi që kanë fituar në ndeshjen e parë 3:2

Në prag të luftës?!

0

Pak kohë pasi nënpresidenti amerikan, Mike Pence, deklaroi se “koha e durimit strategjik” ndaj Koresë së Veriut “ka marrë fund”, sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë tha se duhet pasur tolerancë edhe për pak durim.

“Mendoj se do të vazhdojmë të punojmë me Kinën, për të na ndihmuar që të gjejmë një rrugë përpara”, tha Sean Spicer në konferencën me gazetarë.

Ai shtoi se administrata do t’i japë Pekinit kohë për të shfrytëzuar ndikimin e tij ekonomik dhe politik mbi Phenjanin.

Koreja e Veriut ka shpeshtuar provat e saj bërthamore dhe rakterore, viteve të fundit, pavarësisht dënimeve nga komuniteti ndërkombëtar dhe sanksioneve nga Kombet e Bashkuara.

Qëllim i saj është të ketë kapacitet për të vënë kokat bërthamore në raketa balistike ndërkontinentale, të cilat mund të arrijnë caqe në gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe ka rritur presionin mbi Phenjanin.

Ai ka dërguar aeroplanmbajtëse drejt Gadishullit Korean, ndërsa SHBA dhe Koreja e Jugut kanë nisur të vendosin një sistem të mbrojtjes raketore.

Zëvendësambasadori i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Kim In Ryong, tha se SHBA po e shtyn Gadishullin Korena “në prag të luftës” dhe paralajmëroi se “lufta bërthamore mund të shpërthejë në çdo moment”.

Retorika e tillë agresive, megjithatë, është e zakonshme nga media shtetërore e Koresë së Veriut dhe vetë zyrtarët verikoreanë.

Por, vëzhguesit thonë se, pavarësisht tensioneve, Koreja e Veriut mund të kryejë së shpejti testin e gjashtë bërthamor. Ajo ka bërë përpjekje të testojë një raketë të dielën, por ka eksploduar vetëm pak sekonda pas nisjes.

Kina ka përsëritur thirrjet e saj për Phenjanin që të ndalojë të gjitha provat dhe ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang, tha se Gadishulli Korean është “shumë i ndjeshëm, i komplikuar dhe me rrezik të lartë” dhe se të gjitha palët “duhet të shmangin veprimet provokuese që derdhin vaj mbi zjarr”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se shpreson se SHBA nuk do të ndërmarrë veprime të njëanshme ushtarake kundër Koresë së Veriut, ashtu siç ka bërë së voni në Siri.

“Lëshimet aventureske raketore të Phenjanit i shohim si të papranueshme, sepse shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por, kjo nuk do të thotë se të tjerët mund të shkelin ligjin ndërkombëtar dhe të përdorin forcën ushtarake”, tha Lavrov.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, ka thënë se “Koreja e Veriut do të bënte mirë” nëse nuk do të testonte vendosmërinë e presidentit Trump ose fuqinë e forcave të armatosura të SHBA-së.

Sot në Tokio, Pence i siguroi autoritetet japoneze se SHBA është e angazhuar për të frenuar ambiciet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut, e cila po ashtu ka kërcënuar se do të shkatërrojë Japoninë. /REL/