5.9 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6027

Prizren: Një vit burgim me kusht për falsifikuesin e dokumenteve

0

I akuzuari Vlladimir Halilaj ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me një vit burgim me kusht për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, në seancën e së martës, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren.  Dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet në qoftë se ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej dy viteve. Në këtë seancë i akuzuari kishtë angazhuar avokat mbrojtës.

Vlladimir Halilaj akuzohet se ka përdorur dokumentin publik të falsifikuar,  kështu që duke i përdorur certifikatën e regjistrimit dhe targat e automjetit tjetër tenton të kaloj kufirin Shqipëri-Kosove, dhe gjatë kontrollimit nga policia është vërejtur se dokumentet e prezantuara nga ana e të pandehurit nuk janë në rregull, dhe se dokumentet i përkasin një automjeti tjetër.

Halilaj akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit” nga neni 398, i Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet./betimiperdrejtesi/

Inspektorët e Prizrenit: Objekti i trashëgimisë “Hani i Mullafazlive”, ka paraqitur rrezik për kalimtarët

0

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prizren, inspektorët komunal të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Refki Muzbeg dhe Nexhmedin Musliu, dhanë mbrojtjen e tyre para trupit gjykues.

Refki Muzbeg  tha se, ndaj kërkesës së pronarit për rrënimin e objektit “Hani i Mullafazlive”, kishte vepruar me urgjencë, pasi që, siç tha ai, objekti kishte paraqitë rrezik për kalimtarët e rastit.

Muzbeg tha se, megjithëse pala nuk e kishte paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për rrënim, ai vetë e kishte bërë kërkesën dhe e kishte dërguar në institucionet relevante. Ai tutje shtoi se,  Këshilli për Trashëgimi Kulturore (KTK), e kishte vonuar  përgjigjen për më shumë se gjashtë muaj, dhe se Drejtoria e Urbanizmit nuk ishte përgjigjur ndaj kërkesës së palës për rrënim të objektit.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, Nexhmedin Musliu, i cili po akuzohet se nuk e ka ndalur rrënimin e objektit të trashëgimisë kulturore “Hani i Mullafazlive”, në mbrojtjen e tij deklaroi se kur kishte dalë në vendin e ngjarjes, rrënimi i objektit kishte përfunduar. Musliu tha se kishte kërkuar nga pronari i ri i objektit, Arben Berisha, lejen për rrënim por i ai nuk e kishte pasur një të tillë. Musliu tha se pasi që e kishte fotografuar vendin e ngjarjes, kishte përpiluar një procesverbal, dhe Berishës, i kishte shqiptuar një dënim prej 500 eurosh.

Dëshmitarja Xhyle Bytyqi, në kohën kur kishte ndodhur rrënimi i objektit “Hani i Mullafazlive”, kishte punuar administratore e zyrës në Këshillin për Trashëgimi Kulturore. Ajo tha se lënda e ardhur nga Drejtoria e Urbanizimit, për rrënimin e “Hanit të Mullafazlive”, kishte qenë e pavulosur. Bytyqi tuje shtoi se, asnjëherë më parë nuk kishte pranuar ndonjë kërkesë e cila kishte qenë e pa nënshkruar nga zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizmit, dhe pa vulën e komunës. Për rastin e “Hanit të Mullafazlive”, ajo tha se kishte vepruar sikur për të gjitha rastet tjera. Sipas saj, lëndën e kishte skanuar, dhe u kishte dërguar anëtarëve dhe kryetarit të KTK-së.

Sipas aktakuzës, Nexhmedin Musliu, në cilësinë e Inspektorit Komunal për ndërtim, pasi kishte dalë në vendngjarje, nuk e kishte ndaluar rrënimin e objektit të trashëgimisë kulturore “Hani i Mullafazlive”, por vetëm kishte urdhëruar që të hiqen mbetjet nga rrënimi i tij.

Ndërsa, Refki Muzbegu, duke qenë bashkëpunëtor profesional në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk  i ishte përgjigjur kërkesës për leje-rrënim të objektit “Hani i Mullafazlive”, të parashtruar nga familja Mullafazliu, me ç’rast, pronari i ri e kishte rrëzuar objektin. Sipas aktakuzës, me veprimet apo mosveprimet e tyre, të akuzuarit kanë dëmtuar kujtesën kolektive, trashëgiminë kulturore dhe arkitektonike të qytetit të Prizrenit./betimiperdrejtesi/

Përplaset me automjet një vajzë në fshatin Zym

0

Rreth mesditës, sot ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Zym të Dragashit, ku një vajzë ka pësuar lëndime trupore dhe është transferuar në spital për ekzaminimin e plagëvë, për të cilat dëshmitarët okularë thanë se nuk janë të mëdha.

Burimet tona nga vendi i ngjarjes kanë mësuar se deri tek aksidenti ka ardhur, kur viktima kishte dalë në rrugën kryesore të fshatit, pa u siguruar paraprakisht nëse ka trafik.

Sakaq, një drejtues automjeti nga fshati Kosavë, ndonëse ka lëvizur me shpejtësi solide, nuk ka arritur të frenojë, pasi vajza ka dalë befasisht në rrugë dhe është përplasur nga automjeti./Radio Sharri/

Një muaj paraburgim për sulmuesin e bashkëshortes dhe djalit të tij

0

S.L. nga Prizreni i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore në Prizren. I dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten, dhe djalin e tij.

Zëdhënësja e Gjykatës, Afërdita Kicaj, tha se paraburgimi është bërë me kërkesë të Prokurorisë.
“Me datën 20.02.2017, rrethe orës 03.00 të mesnatës, në rrugën “Janina”, saktësisht në shtëpinë e tij, i dyshuari sulmon fizikisht bashkëshorten dhe djalin tij, duke ju shkaktuar lëndime trupore”, tha Kicaj. /PrizrenPress.com/

Nga Prizreni kërkohet riformatimi i dialogut Kosovë – Serbi

0

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur tryezë diskutimi me deputetë dhe qytetarë të rajonit të Prizrenit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Kjo tryezë kishte si qëllim nxitjen e dialogut qytetar, rritjen e transparencës si dhe shtimin e llogaridhënies nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ndaj qytetarëve rreth këtij procesi.

Pjesë e panelit në këtë tryezë ishin deputetët e Kuvendit të Kosovës nga rajoni i Prizrenit, Nait Hasani (PDK), Zafir Berisha (NISMA), Emilija Redzepi (NDS) si dhe Hatim Baxhaku (LDK).

Në hapje të këtij diskutimi, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi faktin se qytetarët e Kosovës nuk e ndjejnë nga afër këtë dialog dhe kanë mungesë të informacionit lidhur me të.

Ai shpjegoi se hulumtimet e KDI-së kanë vënë në pah se 75% e qytetarëve janë të pakënaqur me nivelin e informimit të tyre nga ana e institucioneve kur është fjala për këtë proces dhe kanë kërkuar përgjegjësi më të madhe nga Kuvendi.

Deputeti Hasani, gjatë fjalës së tij, ka theksuar se Kosova që nga shpallja e pavarësisë është dashur të hyjë në marrëdhënie diplomatike me shtetet fqinje, përfshirë edhe Serbinë.

Kjo marrëdhënie ka thënë se duhet të ekzistojë pavarësisht të kaluarës që kanë pasur të dyja vendet për shkak të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Serbi në mënyrë që ata të kenë të drejta të barabarta. Ai ka përmendur stadet në të cilat është zhvilluar dialogu ndërmjet dy shteteve dhe fakti që tani zhvillohet në nivel Presidentësh ka thënë se kjo nënkupton që ky dialog do të shkojë në të mirë të qytetarëve.

Ndërsa deputeti Berisha, ka theksuar se bisedimet me Serbinë kanë nisur si teknike por pastaj e kanë tejkaluar këtë duke u bërë bisedime politike “për çështje të brendshme të Kosovës”. Ai ka konsideruar se gabimi është bërë në hapat e parë sepse Kosova sipas tij është futur në bisedime e pabarabartë me Serbinë, e cila nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si provincë të saj. Po ashtu deputeti Berisha ndër të tjera e ka konsideruar si të dëmshme marrëveshjen për asociacionin si dhe atë për Drejtësinë.

Deputetja Redzepi, ka theksuar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve mund të marr shumë kohë por është i nevojshëm të ndodh. “Të gjithë ata që besojnë në shtetin e Kosovës, hapjen e saj drejt rajonit dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë duhet të besojnë edhe në këtë dialog mes të dyja palëve. Pa besuar në këtë projekt, nuk mund të ketë sukses”, ka thënë ajo.

Ndërkaq deputeti Hatim Baxhaku, ka theksuar se marrëveshjet që kanë dalë nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk kanë qenë transparente sa duhet as për qytetarët dhe as për Kuvendin e Kosovës. Ai ka vlerësuar se ky dialog ka nisur në rrethana jo shumë të përshtatshme sepse s’ka pasur gatishmëri të të dyja shteteve për të biseduar.

Megjithatë ka thënë se ky dialog duhet të vazhdojë por me një agjendë tjetër, një platformë mirë të përgatitur pas një diskutimi në Kuvend dhe me qytetarët.

Po ashtu panelistët në këtë debat ju përgjigjën interesimit të madh të qytetarëve lidhur me këtë proces nga ku u artikulua nevoja për rritjen e transparencës rreth dialogut, shtimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve si nga Qeveria po ashtu edhe nga Kuvendi dhe riformatimin e dialogut në të ardhmen.

Kjo tryezë organizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.

Arrestohen tre persona pasi grabitën një barnatore në Prizren

0

Pas një pune operative-hetimore të pandërprerë, në bashkëpunim të ngushtë në mes të hetuesve rajonalë të Prishtinës dhe Prizrenit është arritur që të identifikohen tre të dyshuar nga rajoni i Pejës të cilët, si pjesë e grupit, diku rreth mesnate, kanë kryer grabitje të armatosur në barnatoren “Aspirin C” në rrugën e “Jonit” në Prizren.

Sipas hetuesve, të dyshuarit kishin arritur që me kanosje serioze dhe me forcë të grabisnin nga sirtarët një sasi të parave dhe një telefon celular “Iphone 4S” dhe me pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas identifikimit të grabitësve, janë bastisur disa lokacione dhe në njërin është gjetur telefoni i cili dyshohet të jetë përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe një pistoletë me mbishkrim “ME Police kalibri 8mm” dhe të njëjtat do të përdorën në cilësi të provave materiale në procese të mëtejme gjyqësore.

“Tre të dyshuarit, pas arrestimit, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës në Policinë e Pejës. Gjatë intervistave është kuptuar se të njëjtit kishin kryer edhe shumë vepra tjera të ngjashme për të cilat janë siguruar prova dhe dëshmi materiale. Në operacion ishin të përfshirë edhe hetues nga Peja. I pyetur për parat e grabitura nga të dyshuarit, njëri nga hetuesit tha se parat janë bërë “rrush e kumbulla” nëpër lokale të natës me muzikë. Ndërkaq prokurori i shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalën nën masën e arrestit policor”- njofton policia.

Gjuha latine – sfidë e këndshme apo ballafaqim i vështirë!?

0

Shkruan: Enver SULAJ

Titulli i këtij shkrimi përmbledh një mëdyshje në formë pyetjeje, që dëgjohet ndonjëherë nga prindërit e nxënësve që vijnë në Loyola-Gymnasium. Ata druajnë nëse fëmijët e tyre do të mund ta përballojnë një lëndë të tillë. Situatën e komplikon paksa edhe krijimi i një të ashtuquajturi mit mbi vështirësitë e pakapërcyeshme në të mësuarit e latinishtes. Përvoja dhjetëvjeçare e mësimdhënies në Loyola-Gymnasium ka dëshmuar se procesi i mësimit të latinishtes është ashtu si i gjuhëve tjera (por edhe si i lëndëve tjera mësimore), natyrisht me veçantitë e saj.

Por, duhet punë e vazhdueshme për të arritur njohjen e saj, ashtu siç është e domosdoshme edhe njohja e sistemit gramatikor të gjuhës amtare, për të përballuar konceptet gjuhësore latine. Një qasje metodike bashkëkohore e mësimdhënies, mbështetur në tekste shkollore përkatëse, është një bazë e mirë për një sukses dhe nxënie sa më të lehtë të kësaj gjuhe. Të mësuarit e latinishtes nuk është thjesht të mësuarit edhe të një gjuhe më shumë (krahas gjermanishtes e anglishtes); është më shumë se kaq- është të mësuarit e historisë e kulturës romake që qëndron në rrënjët e qytetërimit perëndimor; është sistemi i të menduarit që krijoi vlera të përbotshme, e që arriti në sfera të zhvillimit e të përparimit të paimagjinueshme më parë. Duke mësuar latinishten, nxënësit nxiten vetvetiu të bëjnë edhe analizë krahasimtare me shqipen, si në morfologji e sintaksë, ashtu edhe etimologji të fjalëve, por pse jo, edhe nxitjen e kureshtjes për të njohur historinë, traditën e kulturën e të parëve tanë- ilirëve dhe raportet e tyre me perandorinë më të fuqishme të kohës.

Përvoja e të tjerëve tregon se ata që e kanë mësuar mirë latinishten, nuk kanë pasur fare vështirësi që të mësojnë gjuhët tjera. Duke mësuar latinishten, nxënësit poashtu shohin pikëtakimet e shqipes me këtë gjuhë të vjetër, duke rritur te ta ndjenjën e përgjegjësisë për ruajtjen e gjuhës amtare dhe pastrimin e saj nga fjalët e huaja. Edhe ky aspekt është mjaft i rëndësishëm në këtë kohë të globalizimit, kur kulturat e vogla çdo ditë margjinalizohen e rrezikojnë edhe qenësinë e tyre. Fjalitë e shkurtëra e mendimi i ngjeshur, janë poashtu tipare të latinishtes që ndikojnë gjithsesi në krijimin e një stili personal, përsosmërinë e shprehjes dhe figuracionin në të shkruar.

Të mësuarit e latinishtes është edhe një detyrim moral për të kaluarën tonë, është një përgjegjësi për të ardhmen. E shtruar në formë hipoteze, mund të thuhet se po të mos e njihte Gjon Nikollë Kazazi latinishten, nuk do të hynte në Arkivin e Vatikanit e të gjente aty “Mesharin”, librin e parë (të njohur deri më tani) në shqip. Po të mos dinte latinisht Marin Barleti, ne s’do të kishim sot librin e parë për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, njohja e të cilit nuk do të arrinte aty ku është sot. Përmes latinishtes ne hyjmë në botën krijuese të dijetarëve humanistë shqiptarë, si Barleti, Beçikemi, Maruli, Gazuli etj., por edhe të tjerëve më vonë që ndoqën modele shkrimore në këtë gjuhë.

Duke mësuar latinishten, nxënësit kanë mundësi të shohin ndikimin e saj të thellë në gjuhët tjera, gjermanisht e anglisht (që i mësojnë në shkollë), e poashtu, edhe në gjuhën shqipe. Sipas gjuhëtarit të njohur shqiptar Eqrem Çabej, latinishtja është gjuha që ka lënë më të thellat gjurmë në shqipen. “Ndikimi i saj shtrihet kryesisht në leksik, po nuk mungon dhe në formim të fjalëve. Në leksik ai ndihet sidomos në këto sfera të jetës: pjesët e trupit, shtëpi, kafshë shtëpiake, vegla, armë e luftë, emra afërie (gjirie), emërtime të kohës, jeta kishtare, jeta shoqërore e tregtia, bujqësi e pemë, blegtoria, punimi i verës e i vajit, besimet popullore.” (E. Çabej, Studime gjuhësore III, fq. 54-55, Prishtinë, 1976).

Sipas shënimeve statistikore, në Loyola-Gymnasium deri në vitin shkollor 2013-2014 maturën e kanë kryer 500 nxënës, ndërsa aktualisht janë 568 nxënës që çdo ditë e mësojnë këtë lëndë, që nga klasa e gjashtë deri në të dymbëdhjetën. Këta të rinj e të reja që kanë dalë nga bankat e Loyola-Gymnasium janë një kontigjent i fuqishëm intelektual që do të reflektojë në të ardhmen e këtij vendi. Kur kësaj i shtohet edhe numri i nxënësve që e mësojnë çdo ditë këtë gjuhë, mund të thuhet lirisht se ky është një thesar i vërtetë me të cilin do të duhej të mburreshim të gjithë.

Por, përveç mësimit në Loyola-Gymnasium, latinishtja do të duhej të ishte pjesë e programeve studimore në fakultete të ndryshme, sepse nuk mund të imagjinohet krijimi i kuadrove në fusha të caktuara pa njohjen e latinishtes. Vetë studiuesit e ndiejnë këtë mangësi në formimin e tyre intelektual, por është përgjegjësi që në të ardhmen këto mangësi të shmangen te të rinjtë që do të fitojnë diploma universitare. Poashtu edhe ndonjë formë e stimulimit për të studiur shkencat shoqërore mendojmë se do të ishte me interes për fusha të ndryshme të dijes, si gjuhësi, histori, arkeologji etj. Kështu, njohuritë e fituara në shkollimin paraprak të nxënësve tanë, nuk do të veniteshin në mënyrë graduale, por do të thelloheshin më tej.

Nxënësit e Loyola-Gymnasium, me rezultatet e larta në të gjitha lëndët, të dëshmuara në provimet e maturës, e me njohjen e tri gjuhëve, gjermanisht, anglisht e latinisht, i kanë hapur rrugë të sigurta vetes për të ardhmen. Është njëra nga përparësitë që ata kanë, e për të cilën ata meritojnë të vlerësohen në këtë vend, qoftë në provimet pranuese nëpër universitete, ose edhe në lehtësira tjera që duhet t’u ofrohen. Sepse është koha e fundit që të vlerësohet dija, e jo vetëm diplomat që po na zënë frymën gjithandej; të stimulojmë një brez të rinjsh që dëshmojnë çdo ditë që këtë vend e duan shumë e këtë dashuri e shprehin në dijet e thella që kanë. Në fund të shtatorit, gjatë një vizite me nxënësit e Loyola-Gymnasium në vendbanimin e lashtë arkeologjik në Ulpianë, afër Prishtinës, një student historie që e takuam aty u interesua të verifikonte faktin nëse nxënësit tanë mësojnë latinisht. Kur e mësoi këtë fakt, me një ndjenjë mahnitjeje dhe habie njëkohësisht, tha: -Unë në fakultet nuk mësoj latinisht, kurse nxënësit tuaj mësojnë që në klasë të gjashtë. Nuk kanë thënë kot latinët e vjetër: “Sine lingua Latina nulla intelligentia”.

(Autori i këtij shkrimi është mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe i gjuhës latine në “Loyola-Gymnasium“.)

Digjet një kat i shtëpisë në Suharekë

0

Kati i parë i një shtëpie në Suharekë është përfshirë nga zjarri. Zjarrfikësit kanë dal në vendngjarje dhe kënë shuar zjarrin. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk raportohet për të lënduar./PrizrenPress.com/

Mbindërtuesit dhe keqpërdoruesit e detyrës zyrtare në Prizren, nuk arrijnë marrëveshjen e fajësisë

0

Mbrojtja e Zyber Halilit, Afrim Selimit, Selim Selimit, Hasan Rahmanajt, Mustafë Shalës, Arafat Abazajt dhe Bashkim Krasniqit, të akuzuar për ndërtim të paligjshëm dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, kërkoi nga gjykata afat shtesë për negocimin e pranimit të fajsësisë nga të akuzuarit.

Para seancës fillestare, para se të akuzuarit të deklaroheshin rreth fajësisë, mbrojtja kishte kërkuar nga gjykata një afat kohorë, që të negociohet me klientët e tyre pranimi i fajësisë. Pas kësaj kërkese, gjykatësi Skender Çoçaj, i’u kishte dhënë palëve afat deri më 20 shkurt. Por, edhe pas këtij afati, mbrojta kishte dorëzuar edhe një kërkesë tjetër në gjykatë, dukë kërkuar afat shtesë. “Disa ditë para skadimit të afatit për arritjen  e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, i cili ishte të hënën, mbrojtësit me shkrim, kanë kërkuar nga gjykata më shumë kohë, në mënyrë që të arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin”, tha gjykatësi Çoçaj.

Duke u bazuar në kërkesën e mbrojtjes, Çoçaj afatin e fundit për arritjen e kësaj marrëveshje, caktoi 28 shkurtin.

Prokuroria Themelore në Prizren, në nëntor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Zyber Halilit, Afrim Selimit, Selim Selimit, Hasan Rahmanajt, Arafat Abazajt dhe Mustafë Shalës, për ndërtim të paligjshëm dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ata, në cilësinë e pronarëve dhe investitorëve, kishin tejkaluar lejet e ndërtimit, në objektet e tyre banesore, ku secili prej tyre kishte shtuar nga një kat ndërtimi më shumë sesa e parashihte leja e ndërtimit. Ndërsa, Bashkim Krasniqi, akuzohet se në cilësinë e inspektorit të ndërtimit, nuk kishte vepruar për të penguar, ndaluar apo rrënuar ndërtimin e kateve shtesë, me ç’rast i’u kishte mundësuar përfitim material këtyre ndërtuesve, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit./betimiprdrejtesi/

Akuzat e Speciales mund ta dërrmojnë Kosovën

0

Fillimi i marsit dhe prilli i këtij viti pritet të jetë periudha kur Gjykata Speciale për krimet e supozuara të luftës do të mundë të ngritë edhe aktakuzat e para.shkruan gazeta Kosova Sot. Sipas njohësve të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, veprimi i kësaj gjykate mund të jetë me ndikim mjaft rrënues për imazhin e Kosovës, qofshin fajtorë apo jo të akuzuarit e mundshëm. Ky rrezikim i imazhit të Kosovës mund të vijë, sepse akuzat për trafikim të organeve do të marrin vëmendjen e medieve të mëdha ndërkombëtare, të cilat do ta nxijnë imazhin e një shteti të ri në sy të publikut. Ndërkohë, Serbia ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës, por me fajin e institucioneve të vendit ajo nuk u padit për tentim shfarosjen e shqiptarëve dhe dëmeve të luftës afro 100 miliardësh. Profesori i së drejtës, Riza Smaka pohon se formimi dhe funksionalizimi i Kolegjeve Gjyqësore e Prokuroriale apo i Gjykatës Speciale në Kosovë, pashmangshëm, nga fillimi e ka devalvuar prestigjin shtetëror, politik e kulturor të vendit tone.

“Apriori, formimi i trupit të tillë të judikaturës ndërkombëtare për krime lufte të supozuara në vendin tonë, imponon një imazh tejet dubioz, negativ dhe dyshues referuar papërfilljes së vlerave elementare të rregullave të luftës e, përgjithë- sisht, të normave morale, juridike si dhe të postulateve metaetike”, u shpreh ai.

Pasojat e qeverisjes dhe gjyqësorit të dobët

Sipas Smakës, formimi i trupit të judikaturës ndërkombëtare në fjalë, në masë të konsideruar është pasojë e qeverisjes së dobët, të pavizion afatgjatë dhe të stilit “sot për nesër” apo le të dalë ku të dalë”. “Pra, në vendin tonë, së pakut, është dashur që ekzekutivi të propozojë e legjislativi të miratojë dhe vijimisht judikatura vendore të zbatojë infrastrukturën legale referuar krimeve të luftës, tekefundit për t’i përmbushur disa insistime në atë drejtim, të cilat, për ata e ato që kishin vesh, kanë tingëlluar kohë më parë. Aq më parë kur, shtetet përreth vendit tonë, pikërisht ashtu kanë vepruar dhe, ashtu e kanë absolvuar, qoftë edhe formalisht kërkesën e tillë”, theksoi më tej Smaka. “Tanimë, veçanërisht pas funksionalizimit të Gjykatës Speciale në Kosovë, veçanërisht në mediet e shteteve të jashtme përgjithësisht e në ato serbe veçanërisht, temë dite, aktuale, atraktive e intriguese, do të jetë çdo akt prokurorial e më tepër çdo akt gjyqësor kondemnativ! Gjithsesi, pasojat negative do të jenë të dimensioneve të ndryshme, në të gjitha sferat e jetës shoqërore, socio- ekonomike, politike e posaçërisht në relacionet ndërkombëtare të vendit tonë me shtete të tjera”, tha prof. Riza Smaka. Sipas tij, proceset gjyqësore që priten të nisen, ndër të tjera, mund të vënë jashtë rendit të ditës çfarëdo pranimi të vendit tonë nga shtete që akoma nuk e kanë njohur për shtet demokratik të së drejtës, të pavarur e sovran.

Goditja e Dik Martit

Rrezikim serioz të imazhit të shtetit të ri nga kjo gjykatë sheh edhe prof. Muhamet Kelmendi. ” Kuptohet se me Gjykatën Speciale do të keqësohet shumë gjendja në vend, sepse fillimisht do të ketë pakënaqësi, si në vend dhe në arenën ndërkombëtare, sepse akuzat janë të një përmbajtjeje që tërheq vëmendjen dhe përqendrimin e medieve ndërkombëtare”, theksoi ai. Kelmendi thotë se akoma më keq është që Specialja po vjen e miratuar nga vetë Kuvendi, si kërkesë e këtij institucioni të zgjedhur nga populli. “Fakti se tehu i akuzës do të jenë akuzat për “trafikim” të organeve është një problem në vete, i cili ka zgjuar dhe do të rrisë interesimin e medieve ndërkombëtare. Tani fakti i mosakuzës kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë, si dhe për kompensim dhe dëmshpërblim të dëmit material dhe moral, duke ikur Qeveria e Kosovës nga kjo detyrë, e ka rritur interesimin e faktorit ndërkombëtar se mos “ne jemi të përlyer në krim dhe po frikësohemi për të bërë padi”. Kjo e bëri të bindur edhe Këshillin e Evropës kur Dick Marti paraqiti raportin mbi “Trafikim të organeve nga ana e ushtarëve të UÇK”-së. Me atë lloj të akuzës u aprovua raporti dhe eci çështja.

Tash vazhdon akuza. Si e tillë ajo e ka zbehur dhe do ta zbehë edhe më shumë imazhin e shtetit të Kosovës. Ajo do ta godasë tërë UÇK-në dhe natyrisht edhe popullin tonë, i cili në vitet 1989 – 1999 e përjetoi dhunën dhe gjenocidin më të rëndë në historinë e vet”, tha prof. Muhamet Kelmendi. Ai pohon se të dhënat paraprake flasin për një dëm që arrin shifrën e 100 miliardëve.

“Dhe, në vend që ne të akuzojmë për gjenocid, po akuzohemi për krime, gjë që kurrsesi nuk i falet pushtetit në Kosovë”, vlerëson prof. Kelmendi. Sipas tij, nëse akuzat janë shumë të rënda, pa bërë fjalë për vërtetësinë e tyre, ka mundësi që edhe ndonjë nga njohjet e bëra deri më tani të tërhiqen mbrapa. “Kjo sepse ka mundësi që shtetet ta analizojnë situatën dhe të vijnë në përfundim se ky shtet nuk e meriton pavarësinë. Ky rrezik ekziston dhe kësi shembulli kemi pasur me Tajvanin. Mbi 25 njohje iu kanë tërhequr Tajvanit në 20 vjetët e fundit. Shkaqet janë ekonomike, politike, juridike etj., por tërheqje ka pasur. Tani ky rrezik ekziston edhe te Kosova, ndonëse kam mendim se nga akuzat nuk do të ketë gjë të vërtetë, sidomos për “trafikim organesh”. Mirëpo, edhe kjo mjafton për të denigruar dhe për të dëmtuar shtetin tonë. Po mbetemi të shpresojmë se megjithatë nuk do të ecë çështja këndej”, tha prof. Muhamet Kelmendi.