17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Inspektorët e Prizrenit: Objekti i trashëgimisë “Hani i Mullafazlive”, ka paraqitur rrezik për kalimtarët

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prizren, inspektorët komunal të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Refki Muzbeg dhe Nexhmedin Musliu, dhanë mbrojtjen e tyre para trupit gjykues.

Refki Muzbeg  tha se, ndaj kërkesës së pronarit për rrënimin e objektit “Hani i Mullafazlive”, kishte vepruar me urgjencë, pasi që, siç tha ai, objekti kishte paraqitë rrezik për kalimtarët e rastit.

Muzbeg tha se, megjithëse pala nuk e kishte paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për rrënim, ai vetë e kishte bërë kërkesën dhe e kishte dërguar në institucionet relevante. Ai tutje shtoi se,  Këshilli për Trashëgimi Kulturore (KTK), e kishte vonuar  përgjigjen për më shumë se gjashtë muaj, dhe se Drejtoria e Urbanizmit nuk ishte përgjigjur ndaj kërkesës së palës për rrënim të objektit.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, Nexhmedin Musliu, i cili po akuzohet se nuk e ka ndalur rrënimin e objektit të trashëgimisë kulturore “Hani i Mullafazlive”, në mbrojtjen e tij deklaroi se kur kishte dalë në vendin e ngjarjes, rrënimi i objektit kishte përfunduar. Musliu tha se kishte kërkuar nga pronari i ri i objektit, Arben Berisha, lejen për rrënim por i ai nuk e kishte pasur një të tillë. Musliu tha se pasi që e kishte fotografuar vendin e ngjarjes, kishte përpiluar një procesverbal, dhe Berishës, i kishte shqiptuar një dënim prej 500 eurosh.

Dëshmitarja Xhyle Bytyqi, në kohën kur kishte ndodhur rrënimi i objektit “Hani i Mullafazlive”, kishte punuar administratore e zyrës në Këshillin për Trashëgimi Kulturore. Ajo tha se lënda e ardhur nga Drejtoria e Urbanizimit, për rrënimin e “Hanit të Mullafazlive”, kishte qenë e pavulosur. Bytyqi tuje shtoi se, asnjëherë më parë nuk kishte pranuar ndonjë kërkesë e cila kishte qenë e pa nënshkruar nga zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizmit, dhe pa vulën e komunës. Për rastin e “Hanit të Mullafazlive”, ajo tha se kishte vepruar sikur për të gjitha rastet tjera. Sipas saj, lëndën e kishte skanuar, dhe u kishte dërguar anëtarëve dhe kryetarit të KTK-së.

Sipas aktakuzës, Nexhmedin Musliu, në cilësinë e Inspektorit Komunal për ndërtim, pasi kishte dalë në vendngjarje, nuk e kishte ndaluar rrënimin e objektit të trashëgimisë kulturore “Hani i Mullafazlive”, por vetëm kishte urdhëruar që të hiqen mbetjet nga rrënimi i tij.

Ndërsa, Refki Muzbegu, duke qenë bashkëpunëtor profesional në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk  i ishte përgjigjur kërkesës për leje-rrënim të objektit “Hani i Mullafazlive”, të parashtruar nga familja Mullafazliu, me ç’rast, pronari i ri e kishte rrëzuar objektin. Sipas aktakuzës, me veprimet apo mosveprimet e tyre, të akuzuarit kanë dëmtuar kujtesën kolektive, trashëgiminë kulturore dhe arkitektonike të qytetit të Prizrenit./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Tyson i rikthehet boksit profesionist pas gati 20 vitesh

Lufta e ish-kampionit të peshave të rënda, Mike Tyson kundër youtuber-it Jake Paul më 20 korrik do të jetë një ndeshje profesionale dhe do...

Aktori i njohur amerikan blen 11 milionë euro shtëpi në Spanjë, do të jetë ‘komshi’ me Modricin dhe Ramosin

Aktori i njohur i Hollywoodit, Richard Gere është zhvendosur përfundimisht në Spanjë dhe kjo ka ngjallur kuriozitet rreth zgjedhjes së tij të vendbanimit në...

Lajmet e Fundit